E Djelë, 05.05.2024, 03:52pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
NË KOHË MODERNE
Tregim nga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ

E Martë, 04.29.2014, 08:26am (GMT+1)



"Rebelët dhe xhelatët e kohës
të rilindur ...
në epokën moderne,
krekosur me antivlerë vrastare,
fitojnë para, pushtet dhe famë.
kurse, Ti, viktima...,
duke kërkuar të vërtetën, thua:
"-Bota ...në humnerë u rrokullis ...
që kur humbi trivën arsyeja dhe gjykimi,
kurse "Glorja e çmendjes" këlthet e gëzuar:
"A s' është kjo drejtësia që ju ofruam?!" - Vivra



Fundshekulli...

Si zakonisht, në jetë... e reja zëvendëson të vjetrën. Largohet fizikisht një njeri, ndërkohë ka lindur një jetë e re. Dita e re zë vendin e ditës që shkoi. Po kështu një epokë largohet, jo me dëshirë, por duke u zvarritur e lënguar prej zilisë, që po ia le vendin një tjetre më të re. Shekulli i ri duhej të niste si një kohë e re moderne, më e qytetëruar, më e sofistikuar dhe në harmoni ndërnjerëzore. Porse të sëmurët mendorë të asaj kohe që shkoi, të së djeshmes, u shndërruan në skizofrenë e ndoshta në paranojakë.

Viti i hidhur 1999...

Si sot pesëmbëdhjetë vite më parë isha në spital. Edhe pse ka kaluar vetëm një adoleshencë kohore, atë periudhë e sjell ndërmend si një epokë arkaike, kohë që nuk i përkiste të tashmes, por një kohe bastarde...një kohe të egër e dalëmode. Është mëse e vërtetë dhe normale që sa më shumë moshohet koha, aq më shumë rritet përsosmëria e shoqërisë njerëzore. Kjo si pasojë e arritjeve të shkencave të ndryshme të cilat kanë sjellë evoluimin e jetës dhe përsosjen individuale të njeriut, tashmë i pajisur me një ndërgjegje të lartë. Këto e shumë fenomene jetësore të tjera janë faktorë që e kanë çuar në nivele më të larta jetike botën humane.

Gjithsesi një pjesë e njerëzimit, ajo më e babëzitura, më syshplara, më e hakërritura, më smirëzeza, më e pangopura, më dashakeqja, e çon kohën pas dhe sidomos arritjet e saj, i kall në regres. Këtë kthim pas, e bënë sot në kohë moderne, duke rikthyer në modë dhune përdorimin e metodave mesjetare apo masakrat e epokave më të lashta, të gurit apo hekurit. Për të gjetur arsyen e këtij lloj inkuizicioni, jo individual, por të shfarosjes në masë (genocid), duhet analizuar që për nga mënyra e kryerjes së krimit, sot gjatë zhvillimeve të mëdha universale, si një absurditet, veprimi pa logjikë dhe arsye, krahasohet me hanibalizmin. Mendoj se kureshtja humane kërkon përgjigje të sakta për pyetjet që ngelen pezull:

"- Pse ndodhin luftrat mes vendeve fqinjë?

- Cilët janë shkaqet dhe shkaktarët e tyre.

- Pse kryhen aq shumë krime monstruoze?

- Pse përdoret kaq dhunë?

- Pse shkaktohen kaq dhembje?

- Pse duhet të derdhen kaq lot?

- Sa nëna kanë ngellur me duar në gji për fëmijët që ua vranë padrejtësisht?

- E kanë menduar se sa fëmijë ngelen jetimë apo lypsarë?"
- për këto dhe sa pyetje të tjera duhet të merret psikologjia, sociologjia e filozofia, si dhe një sërë shkencash të tjera që duhet të sqarojnë pse mendja njerëzore lakmon atë që nuk i përket? Ndoshta kemi të bëjmë me ndonjë anomali të ndërtimit të trurit të tyre. Ndaj kjo kategori që fatkeqësisht hynë te njerëzit, ka nevojë për deshifrim të shprehjeve vulgare apo si domosdoshmëri lind nevoja e studimit të zhvillimit të trurit të demonëve të pangopur me gjak...se çfarë i shtyn drejt përdorimit të dhunës çnjerëzore?

Atë kohë, shekulli vraponte të mbyllte një epokë arritjesh historike, ekonomike, kulturore të njerëzimit. Ndërsa në të kundërt të arritjeve të botës humane, nga Kuksi që u bë qendra e migarcionit të vëllezërve tanë kosovarë, bijëve të një race hyinore, racës së kulluar pellazge,të asaj dardano-ilire, të një gjaku dhe të një gjuhe, të ndarë mbi 50 vjet nga njëri-tjetri, u shpërndanë në qytetet kryesore të trungut Amë. Ishin qindra familje që kërkonin vetëm jetë. Edhe në Vlorë erdhën shumë familje, kryesisht moshat e treta, gratë dhe fëmijët, sepse burrat i kishin në UÇK.

***

Mesnatë... 24 prill 1999. Ecejake të shqetësuara në pavionin e kirurgjisë të spitalit shtetëror të Vlorës. Hapa të nxituar. Nga shtrati ku dergjesha, shihja hijet apo siluetat e përparëseve të bardha që vraponin. Nga larg dëgjoheshin zëra...

- "Shpejt...shpejt... sallën e operacionit...e keni gati... ?"

Atë çast alarmi i autoambulancës çau terrin e asaj nate pa hënë e pa yje. Një frenim i fortë si paralajmërim i një fatkeqësie, ndali rëndshëm para derës së spitalit. Më pas nisi të dëgjohej kërkëllitja ankuese e ashensorit që ngjitej me vështirësi, i cili ngjasonte me mbeturinat e armëve të rënda të Luftës së Dytë Botërore,

Rrokullisja e barrelës me rrota nëpër korridor, që dukej se po hallakatej për të hyrë sa më shpejt në sallën e operacionit, ishte një ankth më vete.

Zërat e shqetësuar të personelit vinin deri në veshët e të sëmurëve nëpër dhomat e pavionit.

"- Si është doktor? - u dëgjua një zë gruaje i drithëruar që pyeste.

- Mjerisht ka humbur shumë gjak.

- Ju lutem doktor, për çka keni më të shtrenjtë në botë, shpëtojani jetën vajzës sime.

- Ne do të bëjmë të pamundurën moj nënë...pastaj...

- Atë dritë syri kam...Burrin ma vrau shkjau...Të katër djemtë i kam në luftë. Oh, mjera unë e mjera për ta! Janë me qefin në kokë. Më duket se nga çasti në çast do të marrë lajmin kobzi të gjëmës së tyre. Jetës së tyre nuk i dihet, por së paku mos të më shuhet pragu fare. Edhe pse është vajzë, emri i tim shoqi nuk dua të më shuhet, - lutej me përgjërim ajo nënë e pashpresë, e helmuar deri në palcë.


Prej kureshtjes si shumë të tjerë, edhe unë isha zvarritur në sheshqëndrimin para sallës së kirurgjisë.

Një vajzë e re, e bukur, jo më shumë se njëzetë a njëzetë e dy vjeçe dergjej në atë karrocë-barelë. Njëra dorë i kalavarej e pafuqishme, në tjetrën i kishin vënë serumin, kurse në hundë kishte aparatin e oksigjenit.

Një grua e gjatë, një malësore e vërtetë, i qëndronte përkulur mbi kokë i përkëdhelte flokët e gjatë e të zi dhe i fshinte djersët e ftohta të atij balli fisnik. Si duket ishte e ëma, gruaja që i lutej doktorit pak më parë. Me atë ishte edhe një çift i ri. Më pas mësuam se ishin familja ku ato të dyja bujtnin.

Një infermiere doli me nxitim nga salla e operacionit, ku kishte nisur beteja mes jetës e vdekjes. Vrapoi nëpër shkallë duke e shpërfillur interesimin e së ëmës. Pas pak u kthye me një shishe gjaku në dorë. Nëna e vajzës e kapi nga dora...

- E di që e ke me ngut, por jam nënë e dua të di se si është ime bijë? A do t'ia dalë vallë?

- Është e re, e fortë dhe nëse ka vullnet për të luftuar me vdekjen, do të jetojë... Me shpresë të Zotit, them se...Pastaj mos harro se kirurgët tanë janë të zotët...

- Faleminderit moj vajzë! Qofsh e bekuar me gjithë çfarë ke!


***

Shumë të sëmurë apo njerëz që halli i kishte sjellë në spital në atë orë të natës, i qëndruan pranë. Të gjithë i jepnin kurajo. E gjora nënë. Psherëtinte dhe ofshama e saj drithëruese dukej sikur prekte telat e shpirtit të të gjithëve sa ndosheshin aty. Ajo herë - herë pyeste nën zë...

"- Pse u vonuan kaq shumë? Mos vallë do të më japin manda...?!

- Është operacion i vështirë, moj nënë..."

Pas dy orësh, mjekët dolën nga salla dhe kërkuan të ëmën.

- Si doli operacioni?- ishte një pyetje në kor, e njëzëshme e të pranishmëve që tashmë ishin shumuar.

- Operacioni doli me sukses...,por kjo nuk do të thotë se e sëmura është jashtë rrezikut,- dhe menjëherë kirurgu u zhduk pas derës, duke e kapur prej krahu nënën e pacientes.

- Zonjë, ju jeni vendosur në qytet si shumë familje të tjera nga Kosova?

- Po. Dje mbërritëm këtu. Ju lutem doktor, më thoni diçka...

- Siç deklarova pak më parë te porta, operacioni doli me sukses. Por gjendja e vajzës suaj është kritike. Tani gjithçka varet nga fiziku, që duket premtues dhe nga dëshira e saj për të jetuar. Nëse do të ishte vonuar më shumë pa ndihmën mjekësore, do të kishte kaluar në peritonit. Ne e pastruam mirë me qëllim që të mos ngelej asnjë vatër infeksioni. Transfuzioni i gjakut dhe antibiotikët do të ndikojnë për mirë. Ka rëndësi që t'i bjerë temperatura. Sa më shpejt të normalizohet gjendja e saj, aq më mirë është për të dhe për ne si mjekë. Për të plotësuar proces verbalin do të vijë mjeku ligjor, sepse nuk m'u duk rast i zakonshëm. Për këtë arsye e denoncova si akt kriminal. Gjendja e rëndë e saj m'u duk se ishte pasojë e një përdhunimi, plus traumës psikike që ka pësuar. Apo mos po gaboj?

- Është e vërtetë doktor,- vetëm kaq mundi të thotë dhe nisi të lotonte e të ngashërehej mbyturazi. Doktori e ngushëlloi duke i hedhur dorën në qafë.

- Mallkuar qoft ai përbindësh. Akti çnjerëzor i tij, e ka dëmtuar shumë.


Ndërsa e dëgjonte doktorin, e mblodhi veten dhe...

- E kam të fejuar... Nuk di se çfarë do t'i themi atij djalit kur të kthehet nga lufta...

- Fëmijën ia hoqëm, sepse do të dilte me të meta fizike, pse jo dhe me të meta mendore. Ishte i ngjizur kundër vullnetit të saj dhe në një mënyrë shtazarake. Mendoj se është pozitive për kushtet në të cilat ndodhet vajza.

- Nga ç'qytet i Kosovës jeni?

- Nga Mitrovica...

- Natyrisht... Mendoj se në atë zonë ka qenë dhe është më e ashpër lufta. Me metodat mesjetare, duke kryer vrasje masive, duke i hedhur në varreza të përbashkëta pa emra, masakra, përdhunime, diegie dhe shkatërrime, serbëve u duket se do të fitojnë atë që nuk u takon, vetëm duke i rrëmbyer me forcë trojet dhe pronat e të tjerëve, duke përdorur mënyra drakoniane.

- Ishte fati ynë i keq, apo si një mallkim që na ndanë padrejtësisht nga trungu i tokës mëmë, doktor.

- Zonjë, paradokset e Ballkanit nuk kanë të sosur. Një komb i dalë nga hiçi, si Serbia, e ushqeu mendjen e komunitetit të saj me një hakmarrje arkaike prej të çmendure. Sot ajo i ngjet të sëmurit mendor që vuan nga snobizmi, e udhëhequr nga një urrejtja patologjike e akumuluar në shekuj, ndaj dardanëve hyjnor që ishin zotër të vatanit. Nën maskën e nacionalizmit ekstrem, po dhunojnë në mënyrë antinjerëzore, anti natyrore të drejtat dhe liritë e shqiptarëve autoktonë të Kosovës. Ja ,vajza juaj është shembulli më i mirë që fletë për "bashkjetesën paqësore", ku reskpektohet "fqinjësia e mirë" e sllavëve jugor të pangopur. A mund të shlyhet nga kujtesa shqiptare kjo tragjedi?

- Nuk e di se çfarë faji, apo borxhi i kemi historisë, që po e paguajmë kaq shtrenjtë, doktor...

- E kanë fajin kokat e mëdha të politikës dhe të diplomacisë botërore që thurin plane djallëzore, me pretekstin se duan të ruajnë paqen në Ballkan.


E vërteta qëndron ndryshe. Njërin shtet që e përkrahën, e lanë derisa shkaktoi një nga tragjeditë më të mëdha, masakrat më makabre, duke përsëritur sa e sa herë natën e Shën Bartolemeut në trojet shqiptare...Ndaj shqiptarët kurrë s'kanë për t'ia falur historisë kohëgjëmat që shkaktoi Serbia. Shqiptarët dinë të falin, por nuk harrojnë..., moj zonjë.

- Faleminderit doktor, për fjalët tuaja të arta,sepse më dhanë forcë që ta përballojë hallin apo fatkeqësinë që më ka zënë.

- Ne këtej nga jugu i Ilirisë themi për dhembjen: "Zoti ia dha drurit, u tha. Ia dha gurit, u ça, kurse kur ia dha njeriut, e duroi..."

- Sa do të durojmë akoma, kemi mbi një shekull të pushtuar nga shkjau. Padrejtësia dhe sundimi i të huajit janë vrer, që ta helmon jetën, duke të ta bërë ferr çdo ditë e më shumë

- Shqiptarëve iu dhëntë Zoti shpresë dhe kurajo për ditë të bardha...!-me këto fjalë ai shkoi t'i hidhte një sy të sëmurës, që tashmë e kishin çuar në reanimacion.


***

Pas katër ditësh vajza pati përmirësim të dukshëm dhe e sollën në dhomën që isha unë. Ishte vetëm me dy shtretër, që zakonisht përdorej për të sëmurët rëndë. Si miq në qytetin tonë, të ëmën e lanë të rrinte natën me të bijën. Nuk di se si rezistonte ajo nënë...nuk mbyllte sy gjithë natën.

Dalëngadalë e sëmura u ngrit në këmbë. Veçse,edhe pse ndihej mirë, ishte e mbyllur në vetëvete. Nuk fliste. Shpesh herë në gjumë trembej ,qante dhe këlthiste mes ngulçeve të dhembshme që i dilnin nga shpirti i lënduar. Pyetjeve të mia u pëgjigjej shkurt me po ose jo. E kisha të qartë që me kohë mund të pësonte depresion. Atëherë nisa të këmbëngulja që ajo të më hapej. Por ajo ishte e heshtur si varri.

- Nëse nuk e nxjerr nga shpirti dhembjen, ke për të vuajtur. Me mua mund të hapesh si me një motër. Fol, shpirt i vogël! Fjala kur del nga goja nxjerr dhembjen e shpirtit.

Një ditë, pas shumë përpjekjeve të mia, ajo nisi të flasë me mundim dhe shumë e sforcuar. Në çdo fjalë gëlltiste lotë të hidhur. Nga goja e një vajze të re, moshataret e së cilës ende nuk e kishin nisur jetën, ndoshta ishin nëpër shkolla apo ëndërronin të nesërmen...kurse asaj vajze të bukur e të re ia vranë ëndrrat, ia helmuan shpirtin, ia shkatërruan brishtësinë.

Historia e saj ishte e tmerrshme, e pabesueshme dhe tejet e trishtë. Fliste ngadalë, duke u skuqur apo zverdhur... I vinte turp për atë krim që ia kishte shkaktuar një përbindësh, me fytyrë njeriu. Fliste dridhshëm mes lotësh dhe një zëri të lodhur e të ngashëryer. Hidhërimi bashkë me kripësinë e tyre kapërditej në gojë e pastaj dhembja i zvargej në laring. Më pas shpërndahej në çdo qelizë.

"- Ishte ditë e zymtë, me vetëtima e bubullima. Shiu binte litar. Ishte moti i duhur për punë të këqia. Ne andej shprehemi :Ujku mjegull kërkon..."

Edhe pse ishte kohë e keqe, nëna kishte shkuar në vaki tek të sajët, se gjatë luftimeve me serbët ishte vrarë djali i të vëllait. Isha vetëm në shtëpi. E shfrytëzova të qenit në vetmi, që të njihesha me gjendjen në luftë, sepse nëna ishte e tnerruar dhe nuk shikonte dot. Kishte frikë se mos merrte ndonjë lajm të keq nga djemtë. Ndërsa ndiqja në TV sulmet apo betejat e UÇK dhe krimet e paimagjinuara e shtazarake të serbëve, para syve të mi u shfaq lufta e egër me gjithë tmerret e përmasat e saj... Gropa të mëdha që u shndërruan në varre masive sikur nuk ishin qenie njerëzore por i trajtonin si kafshë. Isha aq e tronditur sa po qaja me dënesë, jo vetëm për skenat e krimeve makabre, por edhe për djalin e dajës që ishte në një moshë me mua.

Papritur një e trokitur në port... "Ua kaq shpejt u kthye nëna ?! Si mundi të vinte nëpër këtë stuhi? Si i zuri besë natës së pabesë? Pastaj ishte vdekje e rëndë dhe nuk duhej të...,- pyesja veten dhe hapa portën. Në atë çast m'u errën sytë. Para meje një serb trupmadh i armatosur... një përbindësh i zi, i cili e shtyu me forcë portën. Jo vetëm nuk munda ta mbyllja, por as qëndrova dot në këmbë. Nëse nuk do ta karakterizonte sulmi tinëzar, i pabesë, natën dhe në kohë të keqe, apo përdorimi i forcës, dhuna, mungesa e arsyes, veprimi pa logjik, nuk do të quhej armik. Ndërsa mundohesha të ngrihesha, ai më kapi nga këmbët e më hoqi zvarrë si një trung që nuk e ngrehim dot. Pastaj filloi të më grushtonte ku të mundëte, duke sharë racën tonë, si racë e ulët, që u ishim bërë pengesë me fodullëkun, kokëfortësinë, një racë e pabindur. Më pas më lidhi në një karrige, duke më shtrënguar fort duart, këmbët dhe më zuri gojën me një rrip që ma lidhi pas koke. Ndihesha e kryqëzuar si Krishti. Nuk mundja të bërtisja, nuk mund të lëvizja dot.

Vetëm përpëlitesha dhe qaja pa asnjë shpresë. "Sikur të më kishte vrarë do të më kishte bërë nder...Por jo vetëm më dhunoi shtëpinë, moralin e familjes në mënyrë shtazarake dhe djallëzore. Shkoi te televizori, mori telekomandën dhe hapi një kanal serb, i cili jepte muzikë. Nuk kaloi shumë dhe në ekran u shfaq ai këngëtari i pamoral i tyre, të cilin e mbajnë për idhull. Në atë shtëpi ,tashmë të njollosur nga frymëmarrja dhe prania e një armiku shekullor, nisi të këndojë ai këngëtar i shquar për veset. Po,po, në shtëpinë tonë, ku të zotin e saj e kishte vrarë dora e serbit. Ndërkohë që djemtë e kësaj shtëpie luftonin kundër okupatorit serb, në atë ambient ku linda e isha rritur aty ku po pija dollinë e helmit me fund, u shpërndanë tingujt dhe fjalët që të vrasin veshin dhe të helmojnë shpirtin, të këngës "Kosovë... je Serbi." Nën tekstin fyes dhe tingujt e asaj kënge, dal nga goja e bastardit të pafè e të pamoralshëm, Çoliç i cili hidhej dhe përdridhej në ekran sikur i kishin pjellë pelat e Milosheviçit. Në kushte të tilla, ai kafshë e urryer më përdhunoi mizorisht. Sadoqë u përpoqa të lëvizja, por ai jo vetëm nuk ndali aktin e tij prej përbindëshi, por as nuk e mbyllte gojën duke na fyer si një racë inferiore, e varfër dhe e paditur. Më pas duke qëndruar si kalorësi në kalë me shalë, mbi trupin tim gjysmë të alivanosur shpërtheu në të qeshura frenetike prej histeriku apo prej të çmenduri. " Kështu do t'ua bëjmë, jo vetëm femrave por edhe burrave, derisa të dorëzoheni dhe raca juaj "dardane e kulluar", do të bastardohet. Është bukur kur di se një grua që më urren, do të rrisë me gjakun e zemrës kopilin e armikut të saj. Nesër ai do ta quaj veten serb, gjë që do ta thotë me krenari." - klithi gjithë ligësi si hiena që nuk ngopet me gjak. Pas kësaj më ripërdhunoi derisa ngela pa ndjenja.

Të nesërmen pas varrimit të të nipit, nëna u kthye. U habit kur e gjeti portën të hapur në të dy kanatat dhe akoma më tepër kur deri jashtë dëgjohej muzikë dhe këngë serbe. "Qenka çmendur ime bijë...!"- bëlbëzoi dhe vrapoi brenda. Më gjeti ende të lidhur, me rroba të shqyera sikur të më kishte sulmuar ndonjë egërsirë. Isha kokë e këmbë e gjakosur dhe e sakatosur. Dhembja e saj është e pakrahasueshme, sepse nuk ka melhem që ta mjekojë plagën e shpirtit të një nëne. Por Zoti i dha fuqi Lokes sime për vete dhe për mua,- kjo ishte historia ime. E dhembshme dhe për t'u mëshiruar, apo jo?- m'u drejtua mua. Por tani dukej më e qetë dhe më e vendosur për ta vazhduar jetën aty ku ia ndërprenë barbarisht.

Tani vonë përmes një letre, mes tët jerash, ajo më shkruante:

"E dashur mike! Ti m'u gjende në kohë të vështirë, kur mendoja t'i jepja fund jetës. Sepse do të më pëlqente më shumë një vdekje me nder se sa një jetë me turp...Ua tregova vëllezërve dhe të fejuarit fatkeqësinë që më ndodhi kundër vullnetit tim. Fillimi ishte i vështirë për të dy. Mua nuk më shqitej as nga mendja dhe as nga përfytyrimet akti i ndyrë i atij demoni. E njëjta gjë ishte edhe për të fejuarin tim. Më duhej kohë që të krijoja vetbesim dhe vetkontroll të ndjesive, që të bindesha para se të hidhja sytë e shpresës drejt së nesërmes. Porse koha i hap plagët, ajo i shëron dhe është pikërisht koha, ajo që i mbyll. Ishte një hap i madh dhe i rëndësishëm që varej më tepër nga psikologjia e ne të dyve. Parvjet kur ti ishe në ShBA, ne bëmë dasmën, kurse tani jemi bërë prindër. Kemi një vajzë të bukur që i ati lë kokën për të. E di çfarë emri ka vogëlushja jonë? Në kujtim të atij qyteti të bukur që më risolli në jetë, ishte bashkëshorti im, i dashuri im, që e quajti me një emër tejet të veçantë,Vlora." - Për sa mësova, u lumturova për atë vajzë sedërlie..

Por pasi analizova letrën e saj, mendova trishtueshëm: " E kush mund ta besonte se në shekullin e ri, bashkë me paradokset dhe absurditetin e kohës moderne, jetonte edhe arkaikja. Arrij në përfundim se e vjetra shkatërruese jeton në njerëz dhe popuj cinik e me makutëri, që u mungon pjekuria logjike.

Pa e tepëruar them se koha vërteton gjithçka. Është e vërtetë se modernia dhe arkaikja bashk'udhëtojnë..."
VILHELME VRANARI HAXHIRAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
VËLLAI IMPoezi nga NAZMI HIKMETPërktheu: FASLLI HALITI (04.29.2014)
GANI PLLANA: ME LIBRIN E DYTË, VAZHDON UDHËN E KRIJIMEVE POETIKE…Nga Prof. MURAT GECAJ, publicist e studiues-Tiranë (04.28.2014)
CIKËL ME POEZI HAJKUNga ADEM ZAPLLUZHA, nga libri “Një grusht dashuri” (04.28.2014)
DRAMË E MUNGESAVE…Cikël i ri poetik nga QAZIM SHEHU (04.28.2014)
PËRSHËNDETJE ZOGUTPoemë nga JACQUES PRÉVERTPërktheu: FASLLI HALITI (04.27.2014)
MOS EJA MË NË SHTRATProzë nga QERIM SKËNDERAJ (04.27.2014)
ÇFARË NA “RRËFEN” AGIM GJAKOVA, ME ROMANIN E TIJ TË RI….Nga Prof. MURAT GECAJ publicist e studiues-Tiranë (04.27.2014)
GURGULLON NJË GURRË NË JUGCikël poetik nga LUMO KOLLESHI (04.26.2014)
DE RADA - EMËRSHENJTI I POEZISË ARBËRESHEEsé nga MOIKOM ZEQO (04.26.2014)
TIRONA, NONA DHE LIU CAKUTProzë nga EDA DERHEMI (04.25.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lart]