VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - KAM ZGJEDHUR VUAJTJEN TIME, KAM JETUAR ËMBËLSITË E MIA, EDHE PSE RINIA SI ËNDËRRAT MË ËSHTË TRETURPoezi nga OSKAR UAJLLD (Oscar Wilde, 1854-1900)

                                                                                      

E Djelë, 05.05.2024, 07:41am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

KAM ZGJEDHUR VUAJTJEN TIME, KAM JETUAR ËMBËLSITË E MIA, EDHE PSE RINIA SI ËNDËRRAT MË ËSHTË TRETUR

Poezi nga OSKAR UAJLLD (Oscar Wilde, 1854-1900)


E Premte, 12.25.2009, 11:13am (GMT+1)

 

 

GLYKIPIKROS EROS

 

E dashur, nuk të fajësoj, meqë ishte faji im, duke mos qenë prej brumi çfarëdo,

Do të ngjitje lartësitë më të pakapshme, atje ku askush nuk mbërriti, do të vështroje ditën më të gjerë, pamjen më të plotë.

 

Nga egërsia e vuajtjes sime të shpërdorur do të kishe krijuar një këngë më të mirë, më të dlirët,

Do të kishe ndezur një dritë më të ndritshme të një lirie më të lirë, duke përzënë padrejtësinë nga koka e Hidrës.

 

Nëse buzët e mia do të kishin pasur dhuntinë e muzikës që do të t'i bënin tuat të njomeshin me gjak,

Ti do të kishe udhëtuar me Beatriçen e engjejt në livadhin e blertë e të madh.

 

Do të kishe përshkuar rrugën të cilën Dante pa të ndritnin dijet e shtatë rrathëve,

Po! ndoshta do të shihja tek hapeshin qiejt, siç i pa Fiorentini tek hapeshin.

 

Dhe kombet e mëdhenj do të më kurorëzonin mua, që sonte jam pa kurorë e pa nam,

Dhe një mëngjes lindor do të më kishe gjetur të përgjunjur mbi bregun e Shtëpisë së Famës.

 

Isha ulur në atë qark mermeri ku bardi më plak është si djalosh

Dhe gajdeja rrjedh përjetësisht mjaltë, dhe telat e lirës rrinë përjetë tendosur.

 

Do të kishte lyer flokët e tija me verë prej farërave të lulekuqes poeti Kits,

Me gojën këndshme do të puthte në ballë, dorën time do të ma merrte në dorë fisnikërisht.

 

Dhe në pranverë, kur lastarët e mollës lulëzojnë gjirin e ndritshëm të pëllumbeshës,

Dy të dashuruar të rinj shtrirë në një pemëtore do të lexonin historinë e dashurisë sonë të etur.

 

Do të lexonin legjendën e vaujtjes sime, do të njihnin fshehtësinë hidhur të zemrës sime,

Do të putheshin si ne, por nuk do të ndaheshin siç e pruri për ne tani fati ynë.

 

Meqë lulja e kuqe e jetës sonë është përpirë nga krimbat e së vërtetës

Dhe asnjë dorë nuk mund t'i mbledhë petalet e rëna e të thata të trëndafiles së jetës.

 

Megjithatë nuk qahem se të kam dashur-ah! Çfarë do të bëja unë, një djalosh-

Meqë dhëmbët e uritur të kohës brejnë dhe vitet heshtur na ndjekin kudo.

 

Pa timon, rendim përmes tmerrit të furtunës, dhe sapo kalojmë uraganin e rinisë,

Pa daulle, pa tam tame, pa çifteli, Vdekja, pilote e heshur, më në fund arrin.

 

Dhe në varr nuk gjen kënaqësi, meqë lakmisë i thahen rrënjët,

Dhe dëshira shndërrohet në hi dhe pema e pasionit nuk jep fruta më.

 

Ah! Çfarë nuk do të kisha bërë të të doja, vetë Shën Mërinë më pak e kam dashur,

Dhe më pak e kam dashur vendlindjen time si zambake buzë detit të kaltër.

 

Kam zgjedhur vuajtjen time, kam jetuar ëmbëlsitë e mia, edhe pse rinia si ëndërrat më është tretur,

Kam gjetur kurorën e dafinës më të dashur dhe më të çmuar se çdo poet tjetër.

 

 

TAEDIUM VITAE

 

Të përshkoj tejpërtej rininë time me shigjeta të dëshpëruara, të çosh

Jetën e shthurur të kësaj jete meskine, të zbrazur krejt bosh,

Të lë çdo dorë të ligë të shkatërrojë thesarin tim,

Shpirtin tim me flokët e një gruaje ta përziej me dëshpërim,

E të mos jem tjetër veç një puthador i fatit, bëj be,

Unë nuk e dua: Të tilla gjëra për mua nuk janë më,

As për pushin e gërhanëve të ajrit veror tashmë

Që është bosh: më mirë mënjanë të rri

Larg këtyre marrëzive të poshtëra që jetën ma nxijnë

Pa më njohur, më mirë streha më e ligë

E rehatshme për të pritur zagarin më të ndyrë,

Se të bëhem një vorbull shtjellash të grindjeve dhe inatit

Ku shpirti im i bardhë për herë të parë puthi gojën e mëkatit.

 

SHTËPIA  E GRUAS SË SHTHURUR

 

Hetojmë tingullin e këmbëve vallëzuese,

Nisemi përgjatë rrugës së ndritur nga hëna,

Dhe ndalemi pranë shtëpisë së gruas së shthurur.

 

Brenda, mes poterës dhe tallazit

Ndihet fort kumbimin e muzikës

Së "treues Liebes Herz" të Shtrausit.

 

Si qenie të çuditëshme groteske

Duke përshkuar arabeska fantastike

Hijet rendin prapa perdes.

 

I shikojmë valltarët fantazmagorikë vërdallë

Nën tingullin e trombës dhe violinës

Si gjethet e zeza që vërtiten në shtrëngatë.

 

Si robotë të komanduar nga larg,

Skeletë të hollë në silueta

Shkonin tërthor në katërshe të ngadaltë,

 

Merreshin sekush dorë për dorë

Dhe vallëzonin një sarabandë solemne,

Qeshja e tyre jehonte thekshëm dhe hollë.

 

Nganjëherë një hije mekanike e afronte

Një hije të dashuruar në gji,

Nganjëherë dukej se provonte të këndonte.

 

Nganjëherë një marionetë e frikshme

Dilte, thithte cigaren e tij

Në ballkon si një gjë me shpirt.

 

Atëherë, duke u kthyer nga e dashura, i thashë:

"Të vdekurit vallëzojnë me të vdekurit,

Pluhuri me pluhurin hedh valle".

 

Por ajo- ajo dëgjoi një violinë,

Dhe u shkëput nga unë e hyri në shtëpi ;

E dashura hyri në shtëpinë e kënaqësisë.

 

Atëherë sakaq melodia pushoi së kumbuari,

Valltarët pushuan së kërcyeri valcer,

Hijet pushuan së rrotulluari.

 

E poshtë në rrugën e gjatë dhe memece

Agimi, me këmbët e veshura në argjend,

Shkoi zvarrë në rrugë si fëmijë i trembur.

 

 

APOLOGJI

 

Është vullneti yt që unë të turbullohem dhe të zverdhem,

Veshjen time të artë me një petk fshatarak gri ta ndërroj,

Dhe për hir tënd të bie në rrjetën e dhimbjes

Ku çdo fijeje më të ndritshmes i përgjigjet një ditë e çuar kot?

 

Është vullneti yt- E dashur që unë kaq shumë të dua-

Që Streha e Shpirtit tim të jetë një vend ku ka rënë tërmeti,

Ku si dashnorë harrakatë duhet të strehohen

Flaka kurrë e shuar, krimbi që kurrë s'ka për të vdekur?

 

Po, nëse është vullneti yt këtë unë e pranoj,

Dhe i shes dëshirat e mia në cilindo pazar,

Dhe lejoj që dështimi i kobshëm të jetë petku im,

E që dhimbja në zemrën time të gërryejë një varr.

 

Do të jetë më mirë kështu, ndoshta- të paktën

Nuk e kam bërë zemrën time një zemër prej guri të ftohtë,

Nuk e kam shtruar rininë time në banketin tënd të bollshëm,

Nuk kam udhëtuar atje ku Bukuria është një gjë e panjohur.

 

Shumë kanë bërë kështu; janë orvatur të ngujojnë

Në kufij të rreptë shpirtin që duhet të jetë i lirë,

Kanë përshkuar rrugën e pluhurt të mendësisë kolektive

Ndërsa i gjithë pylli lirisë i këndonte hymne,

 

Pa parë sesi skifteri lara lara në fluturim

Kalonte me flatrat e mëdha duke çarë në hapësirë,

Drejtuar për atje ku një lartësi e pashkelur malore

Kapte gërshtetat e fundit të floknajës së Zotit Diell.

 

Apo si lulja e vogël është shkelur:

Lulebora, ajo përkrenare ari me të bardhë pikëluar,

Ndiqte me sy të picërruar vagëllimin e diellit,

E kënaqur se njëherë fletët e saj u praruan.

 

Natyrisht diçka më e dashur ka qenë

Për ty në një çast të shkurtër fare,

Të kesh ecur dorë për dorë me Dashurinë, flatrat e saj

Të purpurta tek flatrojnë në buzëqeshjen tënde të kesh parë.

 

Ah! Edhe gjarpëri helmues i dashurisë ushqehet

Me zemrën time djaloshare, ndonëse i kam këputur çdo prangë,

Jam vënë ballë për ballë me Bukurinë, kam njohur

Dashurinë e vërtetë që lëviz Diellin dhe planetet tejendanë!

 

I shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ

 

 

Përktheu Elida Buçpapaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KA VALLË NJË KRUA ZEMRA JOTE E VOGËL, KU LULE TË DRUAJTURA LËSHOJNË GONXHE?Poezi nga EMILY DICKINSON (1830-1886) (12.16.2009)
POEZIA ZVICERANEPërkthime nga ANTON PAPLEKA (12.05.2009)
NDALO,PRA,MOS VALLËZO ME NGUTJE,KOHA ËSHTË E PAKËT, MUZIKA NUK ZGJAT SHUMË Poezi nga JORGE LUIS BORGES (11.20.2009)
FJALA ËSHTË ANA TJETËR E HESHTJES, ZJARRI ËSHTË ANA TJETËR E AKULLITPoezi nga PABLO NERUDA (11.10.2009)
VACLAV HAVEL: LETRA OLLGËS DËRGUAR NGA BURGU (10.31.2009)
SHPRESË, JE JETA TI DHE NUK JE ASGJËJAPoezi nga CESARE PAVESE& (10.11.2009)
NJË QIELL I BAKËRT TUAF I MEKUR KU HËNA SHFAQET PËR TË LINDUR DHE VDEKURPoezi nga Paul Verlaine (1844-1896) (09.20.2009)
Lirika të Johann Wolfgang von GoethePërktheu nga gjermanishtja Prizren Buçpapaj (06.24.2009)
Gëzim Alpion: Kombi dhe shteti shqiptar rilindi në kohët moderne nga vizioni, idealizmi, përkushtimi dhe sakrificat e elitës intelektuale në diasporë, si në Orient dhe në OksidentIntervistoi: Skënder Buçpapaj (05.05.2009)
Poezi nga Elida BUÇPAPAJ (03.30.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]