VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - FJALA ËSHTË ANA TJETËR E HESHTJES, ZJARRI ËSHTË ANA TJETËR E AKULLITPoezi nga PABLO NERUDA

                                                                                      

E Mërkurë, 05.08.2024, 04:54pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

FJALA ËSHTË ANA TJETËR E HESHTJES, ZJARRI ËSHTË ANA TJETËR E AKULLIT

Poezi nga PABLO NERUDA


E Martë, 11.10.2009, 07:53am (GMT+1)

 

 

 

1.SONTE MUND TË SHKRUAJ VARGJET MË TË TRISHTA NË BOTË

 

Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta në botë.

Të shkruaj, për shembull "Nata është plot me yje blu

Që fërgëllojnë drithërueshëm atje larg."

Era e natës vërtitet nëpër qiell dhe këndon.

 

Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta në botë.

Unë e kam dashur atë dhe ndonjëherë edhe ajo më ka dashur.

Në netë si kjo unë e mbaja atë në krahët e mi.

Unë e puthja atë pafundësisht nën qiellin e paskaj.

 

Unë e kam dashur atë dhe ndonjëherë edhe ajo më ka dashur.

Si të mos i duash sytë e saj aq të mëdhenj.

Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta në botë.

Të mendosh se nuk do ta kem më. Të ndjesh se e kam humbur përgjithnjë.

 

Si mund të mos i duash sytë e saj aq të mëdhenj.

Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta në botë.

Të ndjej natën e paskajme, edhe më e paskajmë në mungesë të asaj.

Dhe vargu bie në shpirtin tim si vesa mbi bar.

 

Pak rëndësi ka që dashuria ime nuk arriti ta mbante atë pranë meje.
Nata është plot e përplot me yje dhe ajo nuk është me mua.

Kjo është e gjitha. Thellë nëpër natë dikush këndon. Larg meje.

Shpirti im nuk pajtohet kurrë me humbjen e saj.

 

Shikimi im e kërkon atë, a thua se e merr përdore dhe ma sjell.

Zemra ime e kërkon atë dhe ajo prapë nuk është me mua.

E njëjta natë është që përndrit të njëjtët lisa.

Ne të atëhershmit nuk jemi më ata që ishim dikur.

 

Unë nuk e dua më, kjo është e vërtetë, po sa shumë e kam dashur.

Zëri im rendte nëpër erë për të prekur veshët e saj.

E një tjetri. E një tjetri do të jetë ajo. Siç ishte para puthjeve të mia.

Zëri i saj, trupi i saj burime drite. Sytë e saj të paanë.

 

Unë vërtetë nuk e dua më atë, por ndoshta e dua përsëri.

Dashuria është kaq e shkurtër dhe harresa është kaq e gjatë.

Ngaqë në netë si kjo unë e mbaja atë në krahët e mi

Shpirti im nuk gjen paqe pse e humbi atë.

 

Qofshin këto dhimbjet e fundit që m'i shkakton ajo,

Dhe këto qofshin vargjet e fundit që i shkruaj për të.

 

 

2.GOTA

 

Trupi yt i tërë përbëhet nga qelqi

Dhe nga ëmbëlsia njerëzore e paracaktuar për mua

Kur unë të prek me dorë,

Kudo gjej një pëllumbeshë

Që më shikon drejt e në sy, sikur

Kanë krijuar për mua duar të vërteta në çdo gotë.

Kanë krijuar gjunj, kraharorë

Të cilët rrëkëllehen në mua

Si në një tokë të etur

Ku ato janë një formë

E braktisur

Dhe bashkë

Ne jemi si një lum i tërë i vetëm

Si një korrizë rëre në ranishtë.

 

 

3.TA DISH SE TË DUA DHE S'TË DUA

 

Ta dish se të dua dhe s'të dua

Sepse jeta ka dy anë të së njëjtës monedhë

Fjala është ana tjetër e heshtjes,

Zjarri është ana tjetër e akullit.

Unë të dua që të filloj të të dua,

Për të rifilluar në pafundësi,

Për të mos pushuar së dashuri ty kurrë :

Për këtë arsye, ende nuk të dua.

Të dua dhe s'të dua, sikur të kisha

Në duart e mia çelësat e gëzimit

Dhe të një fati të turbullt të lig.

Dashuria ime ka dy jetë për të të dashur ty.

Kjo është arsyeja pse të dua kur të dua

Kjo është aryeja pse nuk të dua kur nuk të dua.

 

4.DY TË DASHURUAR TË LUMTUR

 

Dy të dashuruar të lumtur përbëjnë një bukë të vetme,

Një pikë të vetme hënë në bar,

Lëshojnë dy hije që bashkohen në një,

Lëshojnë një diell të vetëm në një shtrat.

Nga dy të vërtetat do të merrja ditën:

Nuk të vret me rreze, por me aromat

Dhe nuk e lëndon paqen dhe as fjalët.

Lumturia është një kullë e tejpashme.

Ajri dhe vera janë kudo me  të dy të dashurit,

U dhuron nata petalet e saj të lumtura,

Të gjithë karafilët iu përkasin atyre.

Dy të dashuruarit e lumtur nuk kanë mbarim as vdekje,

Lindin dhe vdesin duke jetuar shumë herë,

Kanë përjetësinë e natyrës.

 

 

5.NËSE TI MË HARRON



 "Dua të dish

Një gjë.

Ti di si është harresa:
Nëse shikoj hënën prej kristali, gembin e kuq

Të vjeshtës së ngadaltë në dritaren time

Nëse prek pranë zjarrit

Hirin e hollë

Apo trupin e shëmtuar të drurit

Gjithçka më sjell drejt teje;
Aromat, dritat, metalet,
Janë anije të vogla që rendin

Drejt ishujve të tu që më presin. Epo mirë,
Nëse pak nga pak ti pushon së dashuruari mua

Edhe unë pak nga pak pushoj së dashuruari ty.

Nëse papritur pakujtuar

Më harron,

Atëherë mos më kërko,
Sepse ndërkohë do të të kem harruar.

Nëse e konsideron të pafund e të çmendur
Erën që valvit flamurin

E jetës sime

E ti vendos të më lësh në breglumin

E zemrës ku zhyten rrënjët,

Mendo

Se në atë ditë,

Në atë orë,

Do të ngre krahun tim

Dhe do të çrrënjos rrënjët e mia

Në kërkim të një toke të re.

Por nëse përditë e përorë

Ndjen se më përket mua

Me ëmbëlsinë e pashtershme.
Nëse përditë lulëzon

Një lule në buzët e tua për të më kërkuar,
Ah, e dashura ime, ah e imja

Brenda meje gjithë zjarr përsëritet,

Në mua asgjë nuk shuhet as harrohet,

Dashuria ime ushqehet nga dashuria jote, e dashur,

E derisa ti të jetosh dashuria do të jetë midis krahëve të tua

Pa u larguar asnjë çast nga krahët e mi."
 
6.KJO ËSHTË E SOTME

 

Kjo është e sotme: e gjithë e djeshmja bie rrëmujshëm

Brenda gishtit të dritës dhe syve të ëndërrës

E nesërmja do të vijë me hapa të gjelbër:
Askush nuk e ndal dot lumin e agimit.

Askush nuk e ndal dot lumin e duarve të tua,
Të syve të ëndërrave të tua të dashuruara,

Je drithërima e kohës që përshkon

Dritën vertikale dhe diellin e errët,

Dhe qielli mbyllet mbi flatrat e tij

Duke të sjellë në krahët e mi

Me saktësi, me mirëpritje misterioze.

Prandaj unë këndoj për ditën dhe hënën,

Për detin, për kohën, për të gjitha planetet,

Për zërin tënd prej dite dhe trupin tënd prej nate.

 

 

7.TI I KËNDON DIELLIT DHE QIELLIT

 

Ti i këndon diellit dhe e qarkon me këngën tënde

Zëri yt numron kokrrat e drithit të ditës,

Flasin pishat me gjuhën e tyre të gjelbër:

Ligjërojnë të gjithë për Zogun e Dimrit.

Deti zbraz kantinat e tij të hapave,

Të kambanave, të zinxhirëve dhe të rënkimeve,

Trokëllijnë metalet dhe pajimet,

Kumbojnë qerret e karvaneve.
Por vetëm zërin tënd dëgjoj dhe ngjitet

Zëri yt me fluturimin dhe saktësinë e shigjetës,

Zbret zëri yt me gravitetin e shiut,

Zëri yt shpërvjel shpatën e madhërishme,

Zëri yt rikthehet ngarkuar me vjollca

Dhe më shoqëron rrugës për në qiell.

 

I shqipëroi:  Elida BUÇPAPAJ

 

Elida Buçpapaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
VACLAV HAVEL: LETRA OLLGËS DËRGUAR NGA BURGU (10.31.2009)
SHPRESË, JE JETA TI DHE NUK JE ASGJËJAPoezi nga CESARE PAVESE& (10.11.2009)
NJË QIELL I BAKËRT TUAF I MEKUR KU HËNA SHFAQET PËR TË LINDUR DHE VDEKURPoezi nga Paul Verlaine (1844-1896) (09.20.2009)
Lirika të Johann Wolfgang von GoethePërktheu nga gjermanishtja Prizren Buçpapaj (06.24.2009)
Gëzim Alpion: Kombi dhe shteti shqiptar rilindi në kohët moderne nga vizioni, idealizmi, përkushtimi dhe sakrificat e elitës intelektuale në diasporë, si në Orient dhe në OksidentIntervistoi: Skënder Buçpapaj (05.05.2009)
Poezi nga Elida BUÇPAPAJ (03.30.2009)
Nëna ime i bindej Zotit gjithsesi, ndonëse si çdo Nënë, do të donte që mua, para së gjithash mua, të më kishte bërë të përjetshëm - Poezi nga Skënder Buçpapaj (03.14.2009)
Ku ka tretur loti im ? Kush e ka gjetur ? - Poezi të reja nga Vehbi SKËNDERI (02.24.2009)
Los Angeles Times: Disident ose jo Ismail Kadare mbetet i madh (02.19.2009)
KJO DASHURI E DRIDHSHME NGA FRIKA SI FËMIJA NË TERR (02.11.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]