VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - ARBEN DEDJA - FITUES I ÇMIMIT TË LIBRIT MË TË MIRË TË PANAIRIT TË 17-të TË LIBRIT 2014

                                                                                      

E Djelë, 04.28.2024, 06:48am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
ARBEN DEDJA - FITUES I ÇMIMIT TË LIBRIT MË TË MIRË TË PANAIRIT TË 17-të TË LIBRIT 2014

E Djelë, 11.16.2014, 09:42am (GMT+1)

     


Arben Dedja u lind në Tiranë, më 1964. Është diplomuar për mjekësi dhe kirurgji (1988). Që nga viti 1999 jeton në Itali dhe punoi si ndihmës hulumtues në Universitetin e Padovës. Përveç artikujve shkencorë, Dedja po ashtu mbart një aktivitet të gjerë letrar. Në vitin 2004 ishte fitues ad-aequoi: "Çmimit Ndërkombëtar për poezinë dhe përkthimin, Fondazione Cassa di Risparmio di Ascoli Piceno" në përkthim shqiptar me poezi të zgjedhura nga Attilio Bertolucci.




DHOMË GJUMI


Një çorape rri varur te doreza e derës
një palë breçka mbi komo.

Rroj në këtë pezullì veshur-zhveshur të gruas sime.

Jashtë
përjashto shalët ulëritëse
gjithçka është kyçur gjer në kopsën e fundit.


PREZANTIMI


Ah po, më kujtohen shqiptarët
mbërritën me turma nga kufiri verior
ç'u shtuan atë vit kukuvajkat në rrethina.

E unë dhashë e dhashë e dhashë e dhashë
e ndërrova me këtë rast Garderobën e djeshme
u ça katërsh ime shoqe për të Linjta të reja.

Pastaj kurdët ia behën të qeshur si pranvera
me këmbët e drunjta të kalbura nga dallgët
pastaj ruandezët që ngatërruan rrugën.

E unë dhashë e dhashë e dhashë e dhashë
m'u desh prapë t'i falja të Linjtat e Firmosura
u kish ikur ca moda Dantellave të Breçkave.

Pastaj brofën moldavët me trape fatalë
pastaj irakenët duke ecur mbi avra
burundasit me guna të çjerra nga ujqit.

Prapë unë dhashë e dhashë e dhashë e dhashë
kishin gratë afgane gjithë Gjimbajtëset e mia
një lypëse boshnjake shtatë palë Breçka kish mbathur.

Pastaj erdhën çingalezët me gaca ndër xhepa
pastaj kosovarët po sezoni s'kish nisur
i Pasarelave në Nju Jork-Paris-Milano.

Prapë unë u dhashë e u dhashë e u dhashë
ndonëse më hynë në shtëpi Garderobën të vidhnin
që, për fat, ishte bosh nga dhuresa e fundit...

...këtu Zonja e ndërpreu rrëfimin se,
ndërkaq, i prezantuan një islandez.

ELEGJI MIZORE PËR BABANË

1.
E lava babanë e vdekur
një mëngjes marsi me cikmat
e dimrit ende nëpër këmbë
dhe pikërisht nga këmbët ia fillova
ujë e sapun gjersa mori
era myshk e pastaj rrëzë kofshëve
sa ia fshika herdhet me këtë rast
parë për herë të parë
i vesha këmishë e kostum
më të mirin duke ia mbajtur
herek kokën mos ngjeshej për gjoksi
bukur e shtriva të paorë të paunaza
i kreha pastaj thinjat e rrova
në të thatë zor e pata me këpucët
e reja tre-bishta-lugësh-shkulur dhe
në fund kravatë i vura pasi bëra
më parë nyjen në qafën
time.


2.
Ati im kur ti vdiqe
të mbajtëm njëzetekatër orë
pa varrosur të të bënim nderet
e fundit një përgjim të gjatë
por ndërkaq dimri po e linte
tokën ndaj e fikëm ngrohjen
në mesnatë ashtu te njeri-tjetri
kruspulluar tek dikush spërkaste
me parfum dhomën korridorin
kuzhinën dhomën tjetër gjithë botën...


3.
I ndjeri ati im kur ti vdiqe
ishte sipërmarrje e vështirë
të të zbrisnim shkallëve të pallatit
me punë vullnetare të kohës
së enverit një kusho
i shtatë kacavarur te telat
e dritares së komshiut u mor
me drejtimin e operacionit marangozi
i katit të pestë i stërmati
me metër këndet e kalvarit
dikush dëshmor vuri shpinën
poshtë qivurit por prapë
e thyem që e thyem llampën
e shkallëve skërfitëm
suvanë teksa brenda ti lëvizje
thes me arra ngjisheshe pas kokës
që sipas zakonit
duhet të dilte përpara.

ARBEN DEDJA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
RISHPIKJA E ARBËRISË - PARAFJALAEsé nga MOIKOM ZEQO (11.15.2014)
HARRIMINëntë poezi të reja nga QAZIM D.SHEHU (11.15.2014)
E QARA NË MESNATËProzë nga ISMAIL KADARE (11.15.2014)
SKËNDER LUARASI NË TEMPULLIN SHILERIANNga PETRO LUARASI (11.13.2014)
PRINCESHA E MOLLËS SË KUQEEse për shkrimtaren dhe Humanisten Xhuli SpahiuNga RRUSTEM GECI (11.13.2014)
PLAÇI SE NA PLASËT- Rreth panairit të librit-Nga DRITA LUSHI (11.12.2014)
SHKËMBIPoezi të reja nga QAZIM D. SHEHU (11.12.2014)
RRUGA E SENËSPoezi nga JACQUES PRÉVERTPërktheu: FASLLI HALITI (11.12.2014)
SABRINAFragment nga romani 'TË NGJASHMIT'Nga THANI NAQO (11.10.2014)
AnalogjiKU ISHA UNË, KUR TI MË KËRKOJEPërgjegjësia e prindit për fajet e fëmijësEsé nga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ (11.09.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]