E Djelë, 04.28.2024, 10:25pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
A DO TA PËRBALLONIM JETËN VETËM ME AJËR, UJË E DRITË
VILHELME VRANARI HAXHIRAJ, fragmenti II nga romani 'Loja e mëkatit'

E Mërkurë, 01.07.2015, 11:39am (GMT+1)



        Arlindi dëgjonte britmat e hakërruara të trafikantëve dhe sodiste gjithë vëmendje atë perëndim magjepsës për ta ruajtur sa më gjatë në kujtesë..., pasi për çdo herë atij i ishte dukur si zbulimi i ri i një misteri. I pëlqenin perëndimet fantastike të qytetit të lindjes buzë Adriatikut të kaltër dhe Jonit shkëmbor në ngjyrë blu. Përherë i ishin dukur të jashtëzakonshme dhe përsëri i çuditur pyeste veten se, përse nuk i ngjanin njëri -tjetrit. Çdo perëndim kishte identitetin e vet. I mrekulluar nga peizazhi që dukej si një bukuri magjiplote, qëndronin dhjetëra sy të ngrirë, të menduar, në ankth e hakërrimë, të cilët, të trembur shihnin të nesërmen e pasigurtë. Duhej dora e poetit, i cili nga dritaret e shpirtit të shihte perëndimin e ndaluar nga brigjet e moshuara dhe humnerat e kohës. Vetëm një artist mund ta përshkruante e ta paraqiste origjinal aktin e dhembjes së pakrahasuar e të madhërishme të çastit të nisjes së anijeve të tejmbushura me emigrantë. Një arratisje e tillë masive do të rrëqethte edhe inkuizitorët të cilëve s'u dridhej asnjë qerpik pendimi gjatë ekzekutimit në gijotinë.  Mes një psherëtime të thellë për ato që ia kishin ndaluar t'i shijonte, ai vazhdoi të vërente detin, bashkëkohësin e lundrimeve të përjetshme, që ka qenë urëlidhëse ndërkontinentale, pse jo edhe rrugëkalime emocionesh që kushedi sa zemra robërohen. Dikujt i fal shëndet dhe lumturi, kurse tjetrit i dhuron dhembje pafund.  
   Meqë nuk i përket si pronë një shteti të vetëm,  ajo masë ujore është e paanshme. Qysh nga kohët parahistorike dimë se ai përherë ka shërbyer dhe shërben si një pikëtakimi gjuhësh, zakonesh dhe kulturash. Ndaj vijnë e ulen në sofrën e tij bujare njerëz të racave e ngjyrave të ndryshme nga të gjitha anët e botës. Tretur shikimin mbi masën ujore të pafund, syri kap një sipërfaqe të qelqtë ngjyrëargjendi , që ka si kufi  horizonti Gadishullin Karaburun,  Ishullin Sazan dhe Triportin. Këto tri pjesë të një trupi, që duken  si kollonat e portave të shpirtit të vendit tim, të ardhura nga periudhat e akujve(glaçiale), duket sikur mbrojnë të pacënuar kaltërsinë dhe qetësinë e tij nga çdo stuhi e uragan. Papritur tej mbi horizontin blu u dukën paksa kryeneçe disa re avulli të kuqrremta si metali i shkrirë në fonderi. Si të përmallura, u përkulën e ndërkohë sikur donin  të përqafoheshin me kaltërsinë për t'i dhënë ditës bekimin dhe lamtumirën. Mos vallë edhe deti është i ndjeshëm si njeriu në jetëpërpjekjen që i ofron xhungla e mbijetesës? Nëse nuk ia njeh ligjet asaj, ai ngelet pa shpresë për të nesërmen. Është kjo arsyeja që deti tërbohet, ngulçon e ulërinë...mbi shkëmb e mbi breg, ku shfreh gjithë dufin  dhe tërë mllefin e tij tok me zemërimin. Mjerë ai që shkon kundër rrymës detare, se tërbimi i tij e merr me vete.
Ndoshta të gjithë ata fatkeq që ndodheshin në ato dy gomone, që po rrezikonin për një jetë si Evropa, mendonin kështu. Natyrisht secili pyeste vetëdijen sipas arsyes, mënyrës dhe këndvështrimit të tij. Për fat të keq shumë njerëz i rrëmbeu turma, pa e ditur se çfarë kërkonin nga jeta. Por jo të gjithë e dijnë se, kush shkon pas turmës, rrezikon që ajo ta marrë me vete dhe s'është çudi që të përfundojë në humnerat e mëkatit, nga ku nuk del dot kurrë.
    Arlindi ishte nisur disa herë për të gjetur dhe realizuar ëndrrën mes emigrimit, por...  Dëshira e tij ishte të njihte botën perëndimore për të cilën ishte kureshtar. Ndërsa hipte në gomone, përsëri e treti shikimin në sipërfaqen e pamatë të detit dhe ra në heshtje nga e papritura... "Kjo etje për njohje më është rritur për shumë arsye. Mbi të gjitha qëndron niveli i ulët ekonomik. Gjithë jetën kam njohur vetëm varfëri, skamje, mungesën e kushteve jetike e të  dëshirave të paarritura për një fëmijëri të brishtë,si dhe një rini të mirërealizuar dhe të lumtur. Ajo që e ngacmon më tepër ndërgjegjen time dhe që tundimi shkon më tej, është edukimi i njëanshëm që kam marrë me ide të majta dhe urrejtje ndaj së djathtës... Eh kam pasur shumë bashkëmoshatarë me prejardhje nga shtresat e mesme si çifligare e tregtare të cilat shiheshin vëngër nga organizmat shtetërore të[ të[ gjitha rangjeve. Edhe pse i kishin shërbyer kombit, ata ishin të përbuzur, të pavlerësuar për punën që bënin.  Po e njëjta gjë ndodhte  edhe me fëmijët e tyre,të cilët i urrenin, i keqtrajtonin, dhe i anashkalonin për rezultatet në mësime. Vetëm pse ishin fëmijët e fisnikëve apo të intelektualëve me kulturë perëndimore, arroganca  dhe shpërfillja ndaj tyre vihej re sidomos nga njerëz të rëndomtë, pa një gram kulture. Kurse mua, si të tjerët edhe ata, më dhimbseshin . Mbi të gjitha më pëlqente të shoqërohesha me djemtë dhe vajzat e tyre, që megjithëse të drojtur, ishin shumë të edukuar dhe të etur për të mësuar deri në detaje çdo lëndë. Mënyra se si visheshin, si silleshin apo si flisnin ,më bënte për vete. Ndoshta nuk kishin se ç'të hanin, por kurrë nuk dëgjova të dilte nga goja e tyre asnjë fjalë pakënaqësie, gjë që vinte në pah trashëgimin kulturore të familjes. Ky mosreagim i tyre ishte si një lloj porosie e mençur: "˜Mos hap gojë kur s'ke gjë për të thënë' ...Ose "˜Fol dhe vepro aq sa të mos e prishësh masën!' Kjo i bënte më të dashur e më të respektueshëm për mua. Një mendim i mirë ekzistonte jo vetëm tek unë,por edhe tek shumë mësues, që luftën e klasave e dënonin në heshtje. Më kujtohet mirë se vetëm mendimi që është tejet personal na lejohej, kurse përkrahja e tyre nga ne, në mënyrë të hapur, konsiderohej tradhti ndaj atdheut. Kjo bindje negative e mbarsur me urrejtje klasore ishte krijuar edhe tek ne fëmijët. Këtë peshë të rëndë e kam ndjerë gjithmonë për shkak të humnerës që na ndante me ta. A nuk ishim vëllezër të një race, të një gjuhe e të një gjaku pellazgo-ilir? A nuk trashëgonim të njëjtat tradita? Edhe tani që i kujtoj më vjen për të qarë, sepse gjatë viteve të rritjes, qysh kur nisa të kuptoja e ta njihja botën, kisha dëgjuar mallkim ndaj të përndjekurve si armiq të partisë dhe pushtetit dhe  urrejtje ndaj vendeve kapitaliste.  Nuk u mjaftonin vrasjet,burgimet dhe internimet, pa kryer asnjë krim. I vetmi krim i tyre ishte se i përkisnin një shtrese shoqërore të kamur dhe e quanin rrezik për përmbysjen e pushtetit. Tani jam mëse i bindur se frika mbante në këmbë diktaturën komuniste. Nëse sistemi ishte vërtet komunizëm, atëherë të gjithë duhej të ishin të barabartë para ligjit, ku secili do të vlerësohej sipas vlerave që jepte dhe t'i jepej vendi i punës sipas shkallës së arsimimit. Por mjerisht...,me apo pa arsim, ata u flakën në rrugën e madhe.Të të lënë në mëshirën e fatit në tokën që të lindi, është mëkat dhenuk ka  krim më makabër.
 Një edukim hakmarrës na i kishin futur në gjak, në çdo qelizë, në tru e në shpirt, se kombësitë e vendeve kapitaliste jetonin në mjerim dhe na kishin halë në sy. Kishin bindur shurdh-memecët dhe dritëshkurtërit, se shtetet perëndimore kërkonin me çdo kusht që të na pushtonin. Dhe kë se? Kishin zili ne shqiptarët barkëtharë  e të pangopur me bukë?! Vetëm një pyetje dua të bëj: "˜Kush dërgonte plaçka dhe para?  U dërgonim ne njerëzve që kishin emigruar apo ishin arratisur, apo vinin pako dhe dollarë nga shtetet kapitaliste?'
   Edhe pse Zoti na kishte dhuruar gjithë të mirat për të jetuar si princër, ne ishim të pangopur as me babanace, të etur për dije, të verbër para dritës së diellit, fyt, gojë e buzëtharë pranë burimeve kristalore dhe gurrave tona të pashtershme. Jo vetëm unë, por të gjithë ishin të dëshëruar për të njohur nga afër qytetërimin e vërtetë. Nëse diktatura, flama e keqe utopiste e një sistemi të paprovuar, nuk do të na kishte izoluar dhe rrugët drejt perëndimit do të ishin të lira për këdo, ne do të kishim qenë në gjendje të bënim krahasimin mes të mirës dhe së keqes. Kombi nuk do të kishte shteruar kështu e nuk do të ngelej shterp me arratisje të tilla masive të rinisë dhe të inteligjencës të tij. Nëse një kombi i heq trurin dhe palcën e trupit të tij, e lë atë gjysmak, të sëmurë dhe gjithmonë në lëngatë, duke e lënë shterp. Nëse do të gëzonim lirinë e vërtetë, njerëzit do të shkonin jashtë me punë apo me studime, pastaj do të ktheheshin që vlerat t'i jepnin në vendin e tyre...Por për fat deri tani nuk më ishte bërë e mbarë për të emigruar, që të realizoja një ëndërr të tillë,"-mendonte Arlindi tejet i habitur që po nisej në emigracion pa e pasur në plan. Me kohë e kishte mbledhur mendjen top, se ishte pa fat dhe ishte e kotë të provonte... Ndaj as tani që ndodhej në gomone, nuk besonte.
  S' thonë kot se rastësia është mbret i botës. Fëmija që sapo gjeti ndoshta ishte fati i tij.
    Si hipën e u rregulluan të gjithë, gomonet u nisën. Kur mbërritën në Kepin e Gjuhëzës, u dha një sinjal dhe i gjithë bregu u ndriçua. Sado larg prej tokës, por aty në mes të detit, mes llahtarit të Mezokanalit që lidh Gjirin e Vlorës me Otranton, ai ndriçim bëri që secili ta ndjejë thellësisht në shpirt praninë e jetës. Ekzistenca e saj perceptohet përmes dritës, uijt dhe ajrit, pa të cilat ajo është inekzistente. Një gjë të tillë e pasqyroi më së miri ndezja e dritave në bregdet, e cila ishte shpresa për ata që shkonin drejt së panjohurës. Me sy të vagëlluar shihte si për herë të fundit bregun e artë të tokës mëmë. Ja, si perla margaritare,duken qyteza e Kaninës së lashtë, Radhima,Tragjasi Dukati e Oriku që ka mahnitur pushtuesit dhe vizitorët, të cilët e kanë quajtur, qyteti i gurtë mbi shkëmb, duke iu dhënë lamtumirën, iu urojnë fat. Ndërsa shihte bregun që sa vinte e bëhej më i largët, më i padukshëm, më pas Arlindi e treti shikimin në ujin e errët që turfullonte si një vullkan..
 "Sa të çuditshme  janë rrugët që bën jeta. Ajo ecën në çdo lloj terreni, në të gjitha kohët..., ka ndalur vrapin e të së shkuarës, galopon në të tashmen, kurse nesër sikur e udhëheq Mbindërgjegja, do të vazhdojë udhëtimin drejt rrugëve të së ardhmes... Ngjyrat e jetës, si në një tablo të pikturuar, ngelen në trurin e njeriut , qenia e të cilit është e përbërë prej kockash, veshur me inde mishi dhe ushqehen me gjak. Ashtu si jeta në tërësi që nuk mund të ekzistojë pa ujë, pa ajër dhe pa dritë, edhe trupi i njeriut nuk mund të formohet pa tre përbërësit e tij gjak, mish dhe kocka. Porse edhe asnjë trup human nuk mund të marrë formën e tij fizike pa praninë  e  ajrit, ujit dhe të dritës. Jeta është një provë, që të krijon mundësinë e zgjedhjes dhe të takon ty t'i zgjidhësh të panjohurat apo të fshehtat  e saj. Gjithçka që kap syri në përditësi, si: sendet, format, ngjyrat, zërat apo ndryshimet që pësojnë  ato dhe që pashmangshmërisht janë pjesë e universales, të gjithë  pa përjashtim kanë fytyrën, fizionominë vetjake.
 Jo rrallë në mëngjes, kur sapo lind dielli ndeshim një gjethe a një lule të rrëzuar përtokë, e cila na dhimbset. Në atë pamje nuk shohim vetëm një fytyrë, por disa njëherësh. Më parë ndeshim në formën e lules apo të gjethes, ngjyrën e saj, aromën dhe bashkë me to,shqisat kapin bulëzat e ndritshme të vesës që shkëlqejnë si kristale margaritari. Secila  nga ngjyrat dhe sendet që vëzhgojmë, ka fytyrën e vet, e cila me kohë transformohet. Kurse nëpër mendje të gëlon mendimi se cili ishte shkaku i rënies së gjethes. Në koren trunore krijohet një përfytyrim tjetër i bazuar në konceptimet rreth stinëve, klimës e më pas faktorëve që ndikojnë në transformimet e  përhershme të botës. Në pak sekonda krijohet një lidhje e padukshme apo  një vartësi logjike mes fenomeneve natyrorë nga njëra anë dhe vet natyrës nga ana tjetër.
  Nën ndikimin e rrjedhjes së vazhdueshme të ujërave, transformohen brigjet e viteve. Në dimra të ngrirë stalagmitesh e mes kallamishtesh të zhuritura nga rrezet përvëluese të dielli gjatë verës së nxehtë, zvetënohen stinët. Kurse mes drithma zemrash të zhubrosura e të mpakura, veniten tingujt dhe bashkë me to, ndryshon edhe jeta. Atë çast ajo i ngjan  një gjetheje të zverdhur që gradualisht shndërrohet në kafe dhe pasi ka zenë vend në tokë,  kthehet në pleh. Faktikisht nuk u zhduk, vetëm se u transformua nga një gjendje në një tjetër...E tillë është edhe një jetë njeriu, e cila është në udhëtim të përjetshëm, në transformim e sipër, ashtu si jeta e një gjetheje.
  Ndërsa vras mendjen kot, shoh detin e errët, e parafytyroj atë të tmerrshëm, mes dallgëve të egra, që ngrihen me furi e përplasen me njëra-tjetrën gjatë çdo stuhie.    Ashtu siç shkaktojnë  trembje dhe dhembje  stuhitë e shpirtit, po ashtu ndodh edhe me stuhitë detare, që shkaktojnë frikë dhe pasiguri. Ashtu si brenda kraharorit të njeriutku fshihen joshjet, ndijimet shpirtërore, klithmat që mbyten e humbasin brenda hapësirës së pashikueshme, të tilla ndjesi ka edhe deti. Paçka se ai s'ka gojë të flasë, por brenda gjoksit të tij gjigant fshihen ndjenja, rënkime, ankime dhe lotë që nuk kanë kufijë ndarës me kripësinë e tij. Aty lindin dhe vdesin dashuri sublime sepse edhe deti dashuron në përjetësi gjallesat e tij, ujin, kripërat dhe brigjet në ndryshim e sipër.
 E vështroj llahtarin e detit dhe ngazellehem edhe pse nuk e di fundin e këtij udhëtimi.  Gjithsesi më pëlqen të meditoj për të...Sa i bukur është deti! Sa madhështor, sa i magjishëm e shpresëdhënës duket mes kaltërsisë dhe valëve lozonjare gjatë ditës me diell, ku ajri flladit joshës e ngazëllenjës ! Sa misterioz, i frikshëm e kanosës, edhe po aq kobndjellës duket natën kjo masë gjigande uji në ngjyrë të errët. Është aq i frikshëm, sa të kall tmerrin e të duket se nga çasti në çast do të gllabërojë vorbulla e errët si gryka e skëterrës, ku askush nuk gjen shpëtim. Nuk di se deri në ç'pikë arrin truri i njeriut që të mos gjykojë më, por kalon në çmenduri dhe hap varrin e tij me duart e veta. E tillë më duket kjo arratisje," vazhdonte mendimin djaloshi  i mrekulluar, por më tepër i hipnotizuar nga e papritura në kërkim  të Nirvanës. Duke ndjekur ëndrrën në atë udhëtim të befasishëm dhe tejet të rrezikshëm, nisi të meditonte...
"Mbrëmë...
erdha të të takoja...,
sytë e tu blu kërkoja,
Ndërsa ti..., për çudi,
i heshtur si heshtja...
ndiqje lojën renacake të diellit ...
mendueshëm,
si mërgimtari para arratisë...
Det , o deti im !"
 "Po a nuk jemi në një gjendje të tillë të gjithë ne?!"- pyeti djali me zë të lartë duke iu drejtuar errësirës,sepse askush nuk iu përgjigj.
   Shpresat e mendimet që i gëlonin për një jetë më të mirë, sikur e bënin atë dhe të tjerët më të guximshëm dhe më të vendosur ,vetëm  e vetëm që të harronin rrezikun që u kanosej.
    "Shkojmë drejt perëndimit të panjohur si të ndjekur nga kope ujqësh. Asnjë shenjë jete. Asnjë dritë. Vetëm këto dy gomone që çajnë detin paanë. Mes errësirës uji duket si një lubi që do të na gllabërojë të gjithëve. Me sy të shqyer prej tmerrit, shtrëngojmë duart e njëri-tjetrit, pa ditur se cili është. Mjafton një prekje e trupit, apo një gjymtyrë të bashkudhëtarit dhe në qeniet tona përcillet pak besi e siguri. Pa fjalë, pa zë, ashtu në heshtje ne i japim kurajo njëri-tjetrit. Në mendje na gëlon një mendim i përbashkët: "˜do t'ia dalim dot mbanë vallë?' Nuk di, por kjo, më duket gjëja më pamend që bëjnë njerëzit. Shkojnë drejt së panjohurës për një jetë më të mirë, më të begatë... por sa e sa njerëzve ky det, u ka marrë jetën? Sa shumë fatkeqësi, sa njerëz janë zhdukur pa nam e pa nishan! Sa herë kanë mbërritur në "parajsën e ëndërruar"dhe i kanë rikthyer? Gjithsesi, përsëri ata provojnë... e provojnë të mërgojnë deri sa një ditë, mbërrijmë në tokën e premtuar. Secili kërkon ta prek realitetin e mohuar... Edhe unë, si këta, e kam provuar disa herë. Megjithatë, njerëzit s'ndalen para asgjëje. Pa pyetur për rrezikun dhe vështirësitë, ecin dhe vetëm ecin drejt shpresës. Valët e shkumëzuara, mes tallazesh përcjellin shije  kripe në puthjet që na dhuron briza detare e shpirtrat tanë të dehur dhe të mardhur ledhatohen.Tani është errësirë,e megjithatë e  shoh, e shijoj...dhe e adhuroj pafundësisht ngjyrën blu të detit pranë të cilit linda ,me të cilin u rrita dhe tani po e braktis...Eh, kështu e paska jeta!"-ecejake mendimesh çapëlonin në trurin e Arlindit, teksa mbante në gjunjë kokën e djalit. Të voglin e kishte zënë gjumi. Dikush i zgjati cepin e një batanieje dhe e mbuloi të gjorin fëmijë. Ishte trimëri për një vocërrak të moshës së tij, të merrte rrugën e hidhur të mërgimit për të gjetur nënën. "S'ke ç'i bën. Këtij fëmije i ka rënë shorti që të ndërmarrë një rrugë pa krye, një udhëtim të vështirë dhe të rrezikshëm. A nuk duhej të ishte nëna, ajo që duhet ta bënte një gjë të tillë?!"- pyeste ndërgjegjen... por mjerisht askush nuk mund t'i jepte një përgjigje për këtë. "Kush e di vallë se çfarë sfide i ka rezervuar fati dhe koha asaj gruaje, kush e di?"- mërmëriti  mes një psherëtime sikur e kishte të afërmin e tij, aq iu dhimbs vogëlushi.
      Një erë e pabesë si vetë deti, e ngadalësoi udhëtimin e atyre njerëzve që kërkonin shpëtim, kërkonin vetëm të jetonin si njerëz. Gjithsesi në të aguar që nga larg ata dalluan dritat e një qyteti. Dëgjoheshin drithërima dhe kërcitje dhëmbësh. Askush s'e dinte nëse i kishin nga të ftohtit dhe lagështia e natës apo prej frikës.  Deri atë çast i kishin shpëtuar paq mbytjes, ku do të kishin shërbyer si ushqim për peshqit. Tani të gjithë ishin në ankth e të rrëqethur dhe me sy të shqyer prej tmerit, prisnin të panjohurën. Me shikimin drejt qiellit luteshin: " Zot, kujto edhe për ne. Së paku falna jetën , se boll jemi rropatur, jemi rraskapitur... Jemi të velur nga jeta plot dhembje dhe vuajtje." U afroheshin brigjeve, por askush nuk gëzohej para kohe. Kujt vallë i pëlqente t'i ngrinte buzëqeshja më pas? Rreziku ishte ende i pranishëm dhe i dyfishtë. Nga njëra anë na kanoste uji dhe nga ana tjetër ishte frika se mund të binin në kurthin e rojes bregdetare fqinje.
      Tek po kalonin prej gomones në një varkë italiane, ç' ka dëshmonte se gjithçka ishte studiuar dhe përgatitur me vëmëndje e me kujdes nga të dyja palët, njohu të moshuarin që e kishte marrë në makinë. Atë çast kuptoi dhe mësoi të vërtetën se trafikimi i qenieve njerëzore ishte i organizuar.
       -Zotëri, vetëm mali me malin s'takohen. Kisha të drejtë kur të thashë se s'ndiheshe mirë, ë ?!
       -Se mos tani nuk jam... Mos të dukem gjë, se e kam hedhur kapelen mbi sy?! Ah, more bir! Mallkuar qofshin shkaktarët që na detyrojnë të marrim rrugët e botës! Një Zot e di se ku do të degdisemi?! Mirë unë...po ti?!- pyeti i moshuari
   -Ashtu papritur dhe pakujtuar....Fati, fati më solli edhe mua...
   -Kot nuk thonë se, ç' e sjellë rasti nuk e sjell viti, Arlind. Tani ti e nise këtë rrugë të panjohur...Të vaftë mbarë, o bir!
   -Mendoj se deri tani kemi qenë me fat. Më tej askush nga ne nuk e di se ç'do të bëhet.
    Është e natyrshme se njeriu kalon çaste ankthi kur shkel në një terren të panjohur. Papritur gjendet si peshku pa ujë. Normale që ndihet kështu i pasigurt sepse, papritur përballet me shumë të panjohura; ka shkelur  në një vend të huaj, ku s' di as gjuhën, pa të afërm, pa punë dhe pa strehë. Kurse atje, në mes të detit, udhëtimi me gomone, arratisja në grup fshehurazi, e bënin gjendjen shpirtërore të secilit tejet tronditëse. Edhe në kushte të tilla, nuk je më i qetë se në det. Në mes të ujit ke frikën e mbytjes, kurse në tokë të huaj, pyet veten pareshtur : "Ç' do të bëhet me mua paskëtaj?!" Në raste të tilla duhet kurajo. Frika për jetën apo për të  mos rënë në duar të policisë kufitare të shtetit fqinjë, është e domosdoshme që këto ndjesi pasigurie të mos shndërrohen në makth. Ndoshta si Arlindi mendonin dhe kishin të njëjtat ndjesi frike edhe bashkudhëtarët e tij. Veçse me një ndryshim.  Ndoshta secili prej tyre e kishte gjetur një mënyrë zgjidhjeje, kurse ai...
 
 ***
     Sakaq u gjendën në tokë të huaj. Pas pesë minutash nuk dukej këmbë njeriu rretherrotull. Vështroi përreth, por  nuk i zuri syri asnjë hije pa le më njerëz. Sikur i kishte përpirë dheu. "Doemos që s'mund të qëndronin bashkë, sepse bëheshin preh e karabinierve. Pastaj, besoj se secilin e ka pritur dikush..."-mendonte ai duke qëndruar në mes të rrugës i hallakatur.
     -Fëmijën do ta shoqëroj unë... u bë i gjallë "kujdestari" që si padashur e kishte harruar në bunker.
     -Ku do të shkoni? pyeti befas Arlindi.
     -Në Rimini. Atje punon dhe jeton e ëma e vogëlushit.
     -Nuk të besoj më. Ndaj do ta shoqëroj unë djalin.
     -Është e drejta jote, - mërmëriti tjetri nëpër dhëmbë.
     -Si mund të të besoj, kur...?! Nuk dimë si do të veprojmë. Ngelëm vetëm ne të tre këtu. Ka rrezik të biem në sy të karabinierëve.
     -Dikush që jeton këtu do të vijë të na marrë.
Nuk vonoi dhe u duk një burrë  i veshur me kostum pune që mbajnë mirëmbajtësit e hekurudhës. Kishte katër vjet mërguar dhe ishte rregulluar aty me gjithë familjen.
   -Unë jam Arbri që do t'ju shoqëroj. Sot jeni të ftuarit e mi.
Pa e zgjatur i përshëndeti dhe i mori në makinë . Jo vetëm që i mirëpriti, por i mori në shtëpinë e tij, ku jetonte me gruan dhe me vajzën e tij të vogël tre vjeçare. Çifti i ri i priti sikur të ishin të afërmit e familjes së tyre.  
    -Shtëpia jonë është ca e vogël, por do bëjmë si do të bëjmë...,- sqaroi si i zënë në faj i zoti i shtëpisë.
    -Arbër, ne nuk duam as të hamë dhe as të flemë. Vetëm një kafe dhe një gotë ujë do jetë më se e mjaftueshme. Madje është shumë sepse ju nuk jetoni në vendin tuaj. Po të ishit atje, nuk do të kundërshtoja..., pasi do të kishit  përgjegjësinë morale si trashëgues të traditës sonë. Sa për djalin, po. Për atë kujdesuni si për vajzën tuaj, se është amanet i botës.
 Kur mësuan se djali kishte ardhur për të gjetur nënën, ata të dy, si prindër që ishin, u përlotën dhe u kujdesën për të sikur të ishte djali i tyre.
    -Arlind, këtu nuk ngelet njeri pa ngrënë. Pastaj ne shfrytëzojmë ofertat kur ka ulje çmimesh që e mbajmë gjithmonë  normale ekonominë e familjes. Sa për shtëpinë ,për të mirët ka një qoshe ku të marrë një sy gjumë, të shlodhet e të mbledhë brinjët.
    -Kot ankohesh, se kaq hapësirë nuk e kemi kurrë në apartamentet e pallateve tona të diktaturës.
  -Flas në krahasim me familjet italiane, se këto janë shtëpi të Komunës, ku kanë strehuar emigrantët.
    -Është e lartë qiraja mujore?
    -Qiraja është në vartësi të vendndodhjes së shtëpisë. Në periferi të qytetit,  nëpër qyteza janë më të lira. Ato në qendër të qytetit janë më shtrenjtë. Pastaj ndikon edhe cilësia e apartamentit, si dhe sipërfaqja e tij, ose kur ka dy banja dhe garazh. Taksat janë të shumta, kurse uji, gazi dhe energjia paguhen sipas shpenzimeve të familjes.
    -E përballoni dot?
    -Faktikisht na ndihmon shumë qiraja e shtëpisë ,që është tejet simbolike. Për familjet  e tjera këtu jepet asistencë për njerëzit në nevojë.  Këto rregulla zbatohen sepse ku ka shtet, ligji funksionon .
     -Ju keni dhomën tuaj të gjumit, po kështu edhe vajza, keni gjithë këtë sallon si dhe kthinën që shërben për të gatuar dhe për të ngrënë? Jo ore mik, jo...nuk kërkoj më shumë.
     -Ashtu të duket, Arlind. Mua kjo shtëpi më duket parajsë, pasi kam qenë në shtëpi pa qira për shtatë vjet.
     -Më vjen keq, o mik! Mos u ktheftë kurrë ajo kohë, ai sistem kolerë që na ndau për së gjalli. Mos e kthe më kokën pas nga e shkuara. Lërja kohës...
      -Nuk është aq e thjeshtë. Isha fëmijë kur më burgosën për agjitacion e propagandë. U martova i madh në moshë. Në moshën dyzetëvjeçare u bëra baba. Isha pa arsimim, pa profesionm pa shtëpi dhe pa një dyshkë në kuletë. Kur u martuam jetonim me vëllanë e martuar, me dy fëmijë, si dhe me prindërit në një apartament me një dhomë e një kuzhinë. Ndaj mora rrugën e kurbetit. Nuk kisha zgjidhje tjetër. Ky apartament më duke lule, krahasuar me atë shtëpi. Mos harro se ne shqiptarët kemi sedër, sidomos unë që kam vuajtur, e ndiej si detyrim akoma më tepër. Që të mos jemi të përbuzur nga italianët e të mos na shohin me nënvleftësim apo shtrembër, më vonë edhe ne do t'i rrisim kërkesat e jetës.
  -Jeni të dy në punë?
  -Unë po, jam me pagë të plotë. Kurse gruaja punon pastruese në dy familje dhe në një farmaci. Nuk jemi keq, jetojmë... Faleminderit,o Zot që shteti italian u kujdes për ne të gjorët! Është ndihmë shumë e madhe,sepse kemi shtëpi, punë dhe kartën e soxhiornos. Mund të hyjmë dhe të dalim në atdhe pa problem.
     -Përgëzime dhe ju faleminderit për mikpritjen!
     -Rrini si në shtëpinë tuaj. Nuk duhet të viheni në siklet. Me punën që kam ndihmoj shumë klandestinë shqiptarë që zbresin këtu dhe duan të shkojnë në një qytet tjetër. Madje sot u interesova për ju dhe mësova se nesër mbrëma mund të ikni qetësisht. U informova se policia kufitare nuk ka asnjë të dhënë për shkelje të kufirit nga ndonjë anije emigrantësh. Keni qenë me fat. Ndoshta ardhja juaj ka qenë e organizuar mirë nga të dy brigjet. Në kësi rastesh edhe kontrollet nëpër trena janë më të zbutur, më sipërfaqësor. Bëjnë vetëm kontroll  biletash.
  Arbri gjeti çastin e duhur që ata të udhëtonin pa probleme. Kishte marrë biletat dhe i shoqëroi ata në stacionin e treni , madje qëndroi me ta deri sa u nis  treni. U ndanë me ata njerëz të mirë si miq të vjetër."Botës kurrë nuk i mungojnë njerëzit e mirë. Në raste të tilla dallon mirësia e cilitdo."- mendonte Arlindi ndërsa udhëtonin me tren nga jugu drejt veriut të Italisë.
   Pas disa orësh zbritën në Rimini. Me "kujdestarin" e djalit, thuajse nuk bisedonte fare. Me gjestin që bëri ndaj vogëlushit, e kishte shvlerësuar dhe i kishte vënë kryqin si njeri. Fatmirësisht kur u nis Arlindi nga Shqipëria, kishte një shumë të mirë të hollash me vete. Donte të hapte një biznes për së mbari në qytetin e lindjes. Por fare papritur fati e hodhi në udhëkryqet e jetës. Pasi mbërritën në Rimini, pa humbur kohë nisën të kërkojnë një streh se ku mund të qëndronim. Të qëndruarit jashtë, ishte me rrezik, mund të binin në dorë të policisë italiane dhe...Përsëri ishin me fat. Në ndihmë u erdhi njeriu që priste "shoqëruesin" e djalit. Ishte një i afërm i tij i cili ndodhej aty qysh gjatë ikjes masive. Kishte mërguar qysh në 8 gusht të vitit 1991 me anijen Vlora.
      -A nuk do të çojmë djalin më parë?- pyeti gjasma i shqetësuar burri që i kishte dal për "zot" fëmijës.
      -Më jep adresën se do të shkoj unë.
      -Arlind, ti sa ke ardhur dhe nuk e njeh qytetin. Eja të shkojmë bashkë. Ajo punon në një bar nate, në zonat periferike të Riminit. As unë nuk e di adresën me saktësi. Kam dëgjuar se është larg, diku në anën tjetër të Riminit, -këshilloi i zoti i shtëpisë, Enkeli.
      E lanë djalin në shtëpi dhe dolën të dy bashkë pa shumë shpresa. Ecnin me dyshimin se a do ta gjenin vallë atje, në atë orë të vonët të natës?  Iu desh shumë kohë që të gjenin Barin me emrin "Angeli"(Anxheli-engjëjt)
 -Paska goxha emër! Sikur emri t'u siguronte atyre që punojnë aty, paqen, qetësinë dhe pafajësinë e ëngjëjve, u jepet mundësia e jetës për të cilën kanë ëndërruar shqiptarët e gjorë.
   -Në të vërtetë do të ishte gjysma e së keqes, Arlind.  Duhet të të kujtoj se të jetuarit në mërgim nuk është përsosmëri. Edhe në varfëri, janë disa kënaqësi që të dhuron vendi yt, nuk t'i jep asnjë vend tjetër në botë. Disa që kanë gjetur veten në një kënd të botës, kurrë nuk besoj ta quajnë "Atdheu ynë". Megjithëse ai vend u ka siguruar një jetë të mirë e të sigurt, dhe arrijnë ta quajnë "Atdhe i Dytë", por.... Edhe nëse e thonë, përsëri u sëmbon në zemër. Pasi sa e shprehin, menjëherë memorja e ndërgjegjes i çon larg në kohë dhe hapësirë, se për ta ajo tokë ku jetojnë e punojnë, është një atdhe tjetër...dhe kurrë toka që i lindi. Veçse është bukur kur shqiptarët i konsiderojnë si qytetarë të të gjithë botës.
   - Është e vërtetë, Enkel. Por ku i shkonte mendja shqiptarit të izoluar si në një kopsht zoologjik, se një ditë do të jetonte si njeri fal bujarisë së vendeve të huaja?  Nuk mund ta mohojmë të vërtetën e hidhur. Sa kemi dalë nga barku i nënës, na kanë trajtuar si kafshët e izoluara, duke na i prerë gjithë të mirat materiale, ditë pas dite, pak e nga pak, vetëm për të eksperimentuar me ne. Ndoshta për të parë se sa kohë do t'i rezistonim urisë dhe a do ta përballonim dot jetën vetëm me ajër, me ujë dhe me dritë?!
    -Çuditen bota me ne! Paskemi qenë të fortë! Kush e ka dëgjuar, fillimisht nuk e ka besuar. Ai sistem absurd ishte tragjikomikja e jetës shqiptare plot me paradokse monstruoze. Ndaj njerëzit u sulën drejt kufijëve shtetëror si t'i largoheshin kolerës, pa pyetur për rrezikun. Dukej sikur shkëputën prangat e skllavërisë nga këmbët dhe nga duart.
    -Ikja e madhe e fundshekullit XX është dhe do të ngelet një nga tragjeditë më të dhimbshme të historisë sonë. Kjo jo vetëm për viktimat e panumërta por pati pasoja të rënda në problemet sociale, ku ngritën kokë fenomenet negative dhe filloi të bëjë ligjin antivlera, rruga dhe paraja. Mbi të gjitha ikja në masë e inteligjencës varfëroi vlerat e kombit. Kjo është humbje e madhe, sepse vij andej, ku është bërë një katrahurë e vërtetë- përfundoi Arlindi.
  Ndërkohë ata kishin mbërritur në vendin e duhur. Përballë tyre vezullonte nga ndriçimi i dritave reklama, e cila dukej që nga larg:"Bar Angeli".
      Vazhdon...

VILHELME VRANARI HAXHIRAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
TOMSONI DHE KUÇEDRAPoezi nga FAN NOLI (6 janar 1882 - 13 mars 1968) (01.07.2015)
POEZI E FRYMËZIMIT TË PANDALSHËM, NË DRITËN DHE TISIN E GËZIMIT TË PAFAJSHËM DHE TRISHTIMIT TË BUKURNë prag të 70 vjetorit të poetit të shquar Ndoc (Anton) PaplekajPërgatiti: LULZIM LOGU (01.06.2015)
NJË PORTË E MBYLLUR NGA BRENDAADEM ZAPLLUZHA - shtatë poezi nga libri “Mbi flokët e ullukëve” (01.06.2015)
IA DORËZOVE ERRËSIRËSFragment nga romani “Loja e mëkatit”Nga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ     (01.05.2015)
MODA 'LAKURIQ'Prozë nga QERIM SKËNDERAJ (01.04.2015)
KRISTOFORIDHI MBI SHQIPËRINË, GJUHËN DHE PËRKTHIMET E SHKRIMEVE TË SHENJTANga MEMLI KRASNIQI (01.04.2015)
ARIXHESHKATri poezi nga QAZIM SHEHU (01.03.2015)
DOLI LIBRI MË I RI I POETIT BRAHIM AVDYLI - POEZI TË VESHURA ME PETKUN E DHIMBJESNga Prof. Mr. MUHAMET ROGOVA (01.03.2015)
MOTIVE DIMRICikël me poezi nga PËRPARIM HYSI (01.03.2015)
KUJTIMENga JOLA MARGJEKA (01.03.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lart]