VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Ku ka tretur loti im ? Kush e ka gjetur ? - Poezi të reja nga Vehbi SKËNDERI

                                                                                      

E Premte, 04.26.2024, 10:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
Ku ka tretur loti im ? Kush e ka gjetur ? - Poezi të reja nga Vehbi SKËNDERI
E Martë, 02.24.2009, 09:05am (GMT+1)

KU KA TRETUR LOTI IM? KUSH E KA GJETUR?

 

Poezi të reja nga VEHBI SKËNDERI

 

TI, E PAKAPSHMJA IME

 

 

Ti, Perëndesha ime! Sido që të jetë dëshira që më ndiell

Për të më pasur sa më afër :

Të lutem shumë mos më tërhiq në Qiell.

 

Ty, Fllad-Shpërndarësja ime! Erë-Lutje. Dënesje-Gjethesh.

Shungullimë orteku e duhmë ethesh.

Si të të kap ? Me çfarë dorëza magjike mund të të kap,

o e "Pakapshme"?

 

Ti, e Pakrahasueshmja ime! Me kë të të krahasoj ?

Me këtë yllësi që nuk duket.

Me këtë plagë që nuk zhduket.

Me këtë gurrë që nuk shterret.

Me këtë Dritë që nuk erret!

 

Me këtë kavo (çmendurie) që nuk e këput as elefanti.

Me këtë varg brilant

Në Gurin e një varri...

 

Ti, Gënjeshtarja ime!

Sa herë më ke ftuar në Parajsë, pa u ulur mirë.

Pa më këndellur me një buzëqeshje.

Pa të ndjerë (së paku) parfumin e flokëve. Pa më gostitur.

Pa më selitur qoftë dhe një vështrim. Pa më pritur

Qoftë për kortezi e mirësjellje.

Më ke dëbuar nga shtëpia! Më keq se Perëndia

I zemëruar: Dy Mëkatarët e Përjetëshëm.

 

Ti, Magjistarja ime! Kur të më yshtësh e të ngjizësh për mua Magjinë tënde.

Kërko që Dashuria të zgjasë sa vakancat në Sharm El Sheik a së paku

Sa bishti i gjatë i kësaj komete të shkurtër.

 

KRISTINA

                                    

                                   motiv zviceran

 

Ajo punon vetëm. Tok me qenin e vet.

Shih, mbledhin gjethet e verdha të dy.

Horat e thërret Qenin e vet.

 

Robtohet sikur ka për të ushqyer dhjetë fëmijë. Vetëm!

Dhe thotë se i ka kaluar të tetëdhjetat

Tok me mua qysh qëkur. Dhe thonë se me kursimet e veta

Që ka depozituar në bankat e Zvicrës

Mund të jetojë së paku edhe njëqind vjet.

Së toku me Qenin e vet.

Ajo punon vetëm. Tok me Qenin e vet Horat. Ja tek prashitin lulet.

Që të dy, pa u ngutur:

 

Ajo me gishtat e dorës. Ai me putër.

 

Reinach 19 mars 2003

 

 

TELEFONATË NË FIRMËN "LORELLAJ"

 

Kush qan kështu si era në Guttenbergstrasse? Rrëzuar gur përdhè

E hershmja imja Andromakë. Akili sa më vren fillon e leh.

Më cik me puter gjunjtë e hungurin për mort.

Dënes me lotë në sy dhe më puth duart fort.

E më lëpin fytyrën.

"Ngjallma," më thotë Ai.

Po ndonëse e prek kjo pamje, s'e kupton dot mynxyrën.

Prapë herë më vëren mua, herë vëren në mur Krishtin

(Tek falej Zonja e tij)

Po ç'të bëj unë i mjeri që t'ia kthej asaj shpirtin!

 

E si ta bind Akilin që s'kryej mrekullira?

Dhe gënjen ai që thotë se unë bëj çudira.

E gjoja njeriu ngjallet dhe pas vdekjes së vet,

Mjafton të puthë Altarin, të shkojë për t'u falur.

Kur dihet botërisht se veç Jezusit Hyjnor askush s'është ringjallur!

 

Por tek vërej Akilin në këtë hall pa skaj

që, çfarëdo po t'i them nuk më zë besë fare,

Telefonoj, sakaq, në Firmën "Lorellaj".

Kur, posa ndjen e mjera se po thërras Varrtaren,

ringjallet në sekondë (si Kostandini ynë pas fjalës që ka dhënë)

dhe kumton me ngut: "Vilën Numër Shtatë në Gutenbergstrasse

Akilit ia kam lënë.

(Unë ngre veshët bigë, mos më përmend dhe mua?)

Vetëm Zotnia e Tij, miku im besnik,

(që kaq fort unë e dua) është Trashëgimtar e Pronar Juridik.

E fiket prapë me ngut si të qe xixa zjarri.

Por fill pas Testamentit del në ekran inventari:

 

«Në Vilën Numër Shtatë (Gutenbergstrasse) lë njëzet e dy (22) dhoma. (Tri me oxhakë zjarri) 4 sallone pritjesh (që kurrë s'pritën njerëz !) 8 banjo komplete me dush, vaska e WC.

Lë dhe 4 pishina : 2 me ngrohje centrale (mos ndjesh kurrë të ngrirë) 2 me ngrohje natyrale, vetëm për mot të mirë."

 

Dhe, sa çel e mbyll syrin, ajo vdes përsëri...

 

Vila kallet në zi.

Akili qan me gulç sa shtatë motra bashkë.

Herë më shikon mua, herë Zonjën e Madhe Andromakë.

Kur befas mbrrin te porta Varrtarja "Lorellaj", flet ajo pa të keq.

Pa çarë kryet fare për Zot edhe për Dreq!

E si t'i ngucë kush, shoqëruesit e saj e kallin në qivur (Mortja s'kursen njeri!)

E nga tërë farefisi 90 vjeçarja ç'kish (vetëm Zoti e di)

Nipa, mbesa e stërmbesa! E tërë rrethi familjar

E përcjellin në varr me Funeralin e saj.

Unë i vetmi mik. I shumëndershmi Akil.

Dhe dy varrmihës pleq nga Firma "Lorellaj".

 

XHELOZIA

 

Një flokëverdhë helvetike, ndoshta shumë më e re se unë,

çdo ditë kalendarike bën për Qenin Zhyl Vern dy ditë pune.

Kjo mrekulli 24 karat që bën t'i ndrijë dy orë larg ngjyrë e lëkurës

Magjeps çdo kalimtar posi Lulja e Ujit mbi Liqenet e Lurës.

 

Sykaltër posi jar merr dhe tri medalje ar për Bukuri.

Në orë e në shi dy tetorëshe ia ndan Mikut Zhyl Vern.

Kur bën diell e kur vjen hija. Unë e përshëndes e diç dua t'i them.

E skuqem si fëmijë nga zilia. A që t'ua them hapur: vdes nga xhelozia!

 

Por s'di se si një ditë - jo, mor zotni, një çast! i ndodhur shumë afër saj.

E shumë larg! i flasplot njerëzi: Zonjë! Ndonëse nuk kam emër të madh

Si Miku juaj Zhyl Vern, ju betohem sinqerisht për Jehovanë,

Ju dua sa Qielli! E sa gjithë lulet e zogjtë kudo që janë!

 

Me tërë Mallin tim të flaktë: Ju dua! Andaj ju lutem shumë falmani këtë natë.

Jo, po kërkoj një natë dimri mijëra milje të gjatë.

Dhe as një natë vere, kur muzgu është i shkurtër e ikën shumë herët.

Ah, së paku falmë mua një orë vetëm, o e Bukur, një mëngjes a një mbrëmje.

 

Kur të jesh sa më e lirë. Dhe nëse je shumë e zënë

(O Zot, po vdes nga xhelozia) me Zotninë Zhyl Vern

Dhe çdo hapësirë e juaja është llogaritur

Në ditën tuaj kalendarike e s'ke një pikë bosh për të më pritur.

Se çdo lëvizje e re mund të të shkaktojë trauma e dhimbje,

Ndalo si kanarinë e ëmbël pa kurrfarë frike

Në shelgunpranveror të kësaj erotike!

 

Veç ja ku të betohem për këtë Tokë e për këtë Qiell!

Nëse nuk i përmbaheni dot as Minimales,

Unë do ta ftoj në duel mikun tënd të nderuar Zhyl Vern,

Posi dikur Pushkini i revoltuar baronin Dantes!

 

 

 

ZEZAKJA E BERNËS

 

 

Më buzëqeshi Fati, siç ma desh zemra kësaj here.

Sot midis Bernës së Vjetër vërej një negre Perri!

E kush s'kthen kokën drejt asaj? Toka e Qielli!

Dhe vetë Vilhelm Teli nga Statuja e Tij.

 

E unë pyes veten: Qyshkur Fidia i Madh gdhend Venerën e vet nga Mermeri i Zi.

 

Katran e zezë, më tepër se kafja e pjekur! Nën hije...

Çdokush e ndjen praninë e saj pa e prekur.

Sytë i xixëllojnë shpuzë.

Përhap gëzim e afsh si e dehur

Prej pijes që të deh, pa e vënë verën në buzë...

 

Me mëngë zhapone, gjerdhan e minifund fsheh muzgun e përrallës.

Bart tingujt e të qeshur dhe të fjalës,

si shiu i diamanteve në një enë kristali.

Dhe elegancën e krenarinë e Valës,

kur vala hov si Mali.

 

 

Ndoshta i ngjan dhe Xhunglës, si një mister pa fund.

Vështrimi saj gjëmbon e shpin si ferra.

Ndjen se e çmojnë të gjithë. Po ngjan se s'pyet për vlera.

në këtë pus me plehra! Në këto rrjedha

 

Hiçrish. E teksa buzëqesh, me një lëvizje Blic që askërkënd s'përfill

I ndrijnë dhëmbët dëborë, kryelartë gjer në qiell

Shkel në Qytetin e Vjetër (Altstadt).

Përmbi kalldrëme shkel dhe tundet si selvi.

 

 

Dhe unë pyes prap: Qyshkur Roden i Madh po gdhend kryeveprën e vet

Nga mermeri i zi.

 

Bernë 19 gusht 1996

 

 

SHKALLËT

 

 

Përditë ngjit mijëra shkallë që të të them "Mirëmëngjes!" Sa të të dëgjoj pak zënë.

Shpesh ndjen njeriu urinë e një fjale të butë e të pathënë

Më shumë se urinë për një trohëz buke.

Shkallë-shkallë sa të të them: «Nesër mos më prit!"

 

Mike! Pse më jep përditë krahë Dashuria! Dhe shpesh m'i këput krahët?

Mijëra shkallë! Nga superxhirot zemra po më çahet.

Pse më injektojnë helm çdo orë hallet meduza? Pse e mira çapet si qerre?

Dhe e Keqja si vetëtimë?

 

Mike! Më mirë vij rrëfehem te ti

Se në Katedralen Notre Dame de Pari...

 

Shkallë! Me koracë akulli e ballëdirsur

Për të soditur gjoksin tënd që dallgëzon si det nga frymëmarrja.

E për të të çuçuritur me një frymë :

Mike! Ndarja qenka më afër sesa takimi ynë...

 

Shkallë-shkallë! Që të përsërit pyetjen e përditshme : Si ke fjetur ?

Dhe pyetjen e çuditshme: Ku ka tretur loti im? Kush e ka gjetur?

Mijëra shkallë! As lodhem dhe as më këputen këmbët.

Kur presin dhëmbët hekur nga acari. Kur akulli tretet.

Kur vuajtjet e mia nuk i nxë as varri, as detet!

 

Shkallë! Shkallë! Në të dy anët e rrugës pemët. Shkurret dekorative. Trëndafilat. Vilat në Bazel e në Rajnah. Vitet e ditët e mia rresht. Çapen bashkë me mua...

 

Dhe po qe se më pret Ti mbi Çatinë e Rruzullit. E po qe se më thua ti

"Jam në Everest", unë vij në çast. Sado të bjerë dëborë e çfarëdo ere që të fryjë.

Ngjitem! Bashkë me pajimet e mia: Ganxhat, çekiçët e litarët alpinë...

Dhe bashkë me shkrepat e tetëdhjetë (80) viteve mbi shpinë.

 

Ngjitem! Ngjitem!

 

 

ORËT E MINUTAT, SI KËMISHA TË NGUSHTA FËMIJËSH

 

 

Më shtrëngojnë fort ditët e mia. Dilema!

Orët e minutat, si këmisha të ngushta fëmijësh.

Paqja çdo çast sjell dhembje.

Kur po më mbyllen këto plagë-gangrena?

Jam tradhtuar nga Lufta e nga Paqja.

 

Ditët e mia të shkurtëra.

 

Jam stërnginjur nga etika e kallaisur. (Me aliazhe sulfuri.)

Nga retorika e papagajve parlamentarë.

Nga patetika minashkrehëse e ulemajve.

Ditët e mia. Orët e minutat.

Si biruca të ngushta!

 

Jam veleritur nga sfilata e "gjenuinëve" të gjelbër.

Nga edukata raciste e Aparteidit. Kultura e Pinguinëve të Anatol Francit.

Dhe kultura e Polifemit.

 

Nuk po e nxenë dot as kultura e odiçkës sime 3x3. (Në Bazel)

As kultura e filxhanit, që pi kafe. Dhe as kubatura e Oqeanit!

 

Po më ndrydhin fytin:

Shpirti primitiv i fluturimeve. Dhe shiu reaktiv.

Po më mbytin!

 

Orët e minutat lemeri! Pa fantazi e pa oksigjen.

Ditët e mia të ngushta, si këmish' e Centaurit, nuk nxënë dot

As këtë zhuzhak të artë,

Që jep koncert falas nëpër Konfederatë.

 

Ditët e mia të shkurtëra.

 

Reinach 7 gusht 2004

 

 

SHI NË SHESHIN FEDERATIV

 

Berna shkëlqen nën shi, midis rubinësh.

Ia freskon ballin ditës. Ia shuan etjen stinës.

Bien plot gas tamburet. Qyteti turret! Thërret fanafara.

Në re mbërrijnë sylynjarët. (Ku fluturojnë të marrët!)

 

E kthehen si ujvara.

 

Sheshi Federativ plot pisha e shatërvane.

Nga kjo vesitje e ëmbël dehen fill jargavanët.

"Pse më kujtojnë Tiranën?"

 

O Zot! E gjithë Berna sot vezullon nën shi.

Mes vorbullës së valëve befas më shfaqesh Ti!

Unë bërtas sa mund posi dikur në shpellë :

« Pritmë, o Izabelë ! Â»

 

"Të dua fort" më thua. Me këmishë pas trupit ngjitur.

E befas krejt papritur

Më tërheq pas dhe mua, në mes të gurgullimeve.

"Të dua!" më josh sërish, Ti lule e vetëtimave.

I lumtur si askush unë qesh me sa fuqi.

 

Por sa shtrij nga Ty duart, ti zhdukesh përsëri...

 

Kot të të kërkoj për rreth. Vërej pas e vërej përpara.

 

Ti çan mes qiellit si re. E zbret prap si ujvara.

 

Në Sheshin Federativ, mbushur me trishtim plot:

 

Po verboj sytë kot, tek kërkoj nëpër shi një lot, një rreze diell.

 

"Ku u trete o Izabelë!"

 

 

NDEZ MILIARDA QIRINJ NË XHAMI E NË KISHË

 

Ti kaq sa ishe grua ishe dhe lule shege.

Ros'e lumenjve t'egër dhe shkrepëtimë rrufeje.

Posi rrëkel'e shpejtë ike edhe u ktheve.

Me fluturimin e bletëve në Malin e Sherbeleve.

Si kambanat festive në Bazel një të diele.

 

Ike edhe u ktheve!

 

Më vëren që prapa flokëve e huaj dhe këndellëse.

"Nga jeni," pyes kot. "Nuk e di," më thua.

Unë të vërej ty e shikoj qiellin: Gruaj çdo prangë do ta këputë.

(Qoftë dhe zinxhir i artë.) Hyn në çdo labirinit skutë më skutë.

Shtron çdo stuhi të çmendur e zbut çdo bishë.

Ndes miliarda qirinj në xhami e në kishë.

 

Po pse në Dashuri ndërron moti çdo minutë?

....

Sa e njerëzishme ishe kaq e çuditëshme e joshëse.

Si Hëna bukuroshe në Bazel në një mbrëmje vere.

Dhe melodi e largët, dhe çokollatë esmere!

 

Ti je Mjelmë Shtegtare e xixë nëpër natë.

Apo thjesht "kalimtare" një e tetëdhjetë e shtatë.

A ndoshta je «puhizë» që i vjen Botës përqark.

Dhe askush nuk të ndal. E askush nuk të kap!

 

Apo një Pllakë Guri ndoshta miliarda vjeçe,

që s'dihet çfarë fsheh.

E vëren çdo Gjeneratë.

Dhe e lë aty ku e sheh...

 

 

 

NJOHJA

 

Kur njihesh me një grua, qofsh i vetmuar, si plep.

"Humbës i pakorrigjueshëm e i përhershëm

në çdo lloj qeverie, Klub, OJQ, Bord Bamirësie

i dyshimtë i përjetëshëm,

 

Në çdo hap që bën të vjen sikur shkel në një "zonë të minuar".

Sikur shkel si Jezui mbi gozhdë e mbi diamante.

Sikur të ndjekin qindra trafikantë

(farisej modernë) të të mbërthejnë përsëri.

 

Kur lidhesh me një grua ndjehesh si Perëndi ! Herë dukesh krejt i marrë.

 

Herë tepër i zgjuar. Njohja mund të ndodhë në stacion. Në tram.

E në varrim. Dhe pavarësisht se nuk ke marrë asnjë "Çmim" për Bukuri.

Dhe as për Mençuri. E ta kalojnë në Kapital edhe shitësit e vegjël ambulantë.

E nuk je as Kryeministër. As Senator. As Papë. As Kapo-Bandë.

 

Kur rri me një grua e ia ngatërron gishtat plot andej nëpër flokë

Të duket sikur je "më i përkëdheluri" e "më i suksesshmi" në këtë Tokë!

Saqë të kap dëshira ta nisësh Jetën prap së pari.

E ta Rindërtosh Gjithësinë si Fausti i Urtë së mbari.

 

 



Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Los Angeles Times: Disident ose jo Ismail Kadare mbetet i madh (02.19.2009)
KJO DASHURI E DRIDHSHME NGA FRIKA SI FËMIJA NË TERR (02.11.2009)
Xhejms Xhojs irlandezi kryengritës gjeinu i letrave botërore (02.03.2009)
I çmendur pas Shakirës - Nga Gabriel Garcia Marquèz (01.27.2009)
Tomas Shter Elioti, Poeti i Tokës, Ajrit, Ujit dhe Zjarrit (12.30.2008)
FRAZA POETIKE TË ARTUR REMBOSË (1854-1891 ) (12.21.2008)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]