E Premte, 04.18.2014, 11:42am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
LAJMI I FUNDIT
 
Bedri Blloshmi bën apel për t'i ardhur në ndihmë vajzës të poetit të pushkatuar më 1977
E Enjte, 11.18.2010, 11:26am (GMT+1)


Apeli dramatik i Bedri Blloshmit, vëllait të poetit të pushkatuar në 1977 për të ndihmuar mbesën që po shuhet në një spital Italian

Drama e vajzës që nuk e njohu kurrë të atin.



Ka rreth dy vjet që Enerieta Blloshmi, vajza e poetit të pushkatuar, Vilson Blloshmit, është e sëmurë rëndë. Së fundi e shtruar në një spital privat në Milano, pasi shtetërorët ia kanë hequr shpresat. Ndërkohë, të afërmit e saj, nëna dhe xhaxhai në atdhe, i shkruajnë letra kryeministrit të vendit, duke u lutur për të marrë me urgjencë sa nuk është vonë edhe paratë që iu takojnë si dëmshpërblim prej pushkatimit të Vilson Blloshmit, babait të saj që nuk e pa kurrë me sy. Me shpresë se me to do të ndihmojnë vajzën 34-vjeçare, fare të re në moshë për të ikur nga kjo jetë. Xhaxhai i saj, Bedri Blloshmi, arrin të bëjë atë që nuk e kishte menduar se do ta bënte ndonjëherë: iu kërkon ndihmë edhe atyre që i vranë asaj të atin dhe atij vëllain. Kush mundet të ndihmojë! Nuk kanë marrë dhe nuk marrin asnjë pension të posaçëm, siç do t'i kishte hije një vendi dinjitoz që di të vlerësojë njerëzit e tij dinjitozë. Dhe ish-bashkëshortja e Vilsonit, Diana Blloshmi (Hyka), nuk ka as vizë dhe as para për të shkuar dhe parë vajzën e saj...


Zoti Blloshmi! Ju jeni më aktivi dhe përfaqësuesi kryesor në përçapjet e familjes suaj për të kërkuar ndihmë dhe shpëtuar jetën e mbesës suaj, vajzës së poetit të pushkatuar nga diktatura,Vilson Blloshmi. Kujt i jeni drejtuar deri tani për të ndihmuar ekonomikisht vajzën e sëmurë?

I kam dërguar tre e-mail direkt Kryeministrit Berisha. Një e-mail ish-bashkëshortja e Vilsonit, Diana. Pas një muaji nga e-mail i Dianës, këshilltarja e tij kërkoi numrin e telefonit. Ia dërguam dhe atë dhe asnjë përgjigje. Më pas kam dërguar tre mesazhe në telefonin e Kryeministrit Sali Berisha, gjithmonë për vajzën e Vilsonit që po vdes në Itali. Pas ca ditësh pasi dërgova mesazhin e tretë më mori në telefon vetë ministri i Financave, Ridvan Bode. Ai më priti në zyrë. Unë i kërkova lekët që i takojnë familjes së vëllait. Më tha: "Ne nuk mund të japim lekët e dëmshpërblimit, se nuk na lejon ligji. Ligji për dëmshpërblimin thotë pak a shumë: "shuma që i takon çdo të dënuari është llogaritur që të jepet për tetë vjet". Unë i kërkova të më favorizonin, meqë kisha problemin emergjent të mbesës dhe të më jepnin 10-15 apo 20 mijë euro në dorë që në fillim. Prej gjakut të vëllait, nga paratë që atij me ligj i takojnë për t'i marrë në tetë vjet. Kurat e saj janë shumë të shtrenjta. Plus nuk mjaftojnë vetëm ilaçet. Sëmundja ka shumë lloj shpenzimesh. Këto para na duhen urgjent për të shpëtuar apo zgjatur jetën e mbesës sot. Por ai ma ktheu: "Do gjëjmë mënyrë tjetër për të të ndihmuar."


Dhe ç'ndodhi pas kësaj?
Pas dy ditësh më mori në telefon zv/ministri i Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Më priti në zyrë edhe ai, dhe po më bënte moral: 'Ju i keni dhënë demokracisë. Keni dhënë gjak për të, por ne parà nuk kemi",- më tha si përfundim. Pastaj më premtoi se do të bënte një telefonatë në Itali, në mënyrë që të kujdeseshin atje për vajzën.

Ju s'duhet të keni qenë i ngushëlluar me këtë përgjigje, besoj..
Jo. Kurrsesi. Unë e di që Ministria e Shëndetësisë nuk ka asnjë marrëveshje në këtë fushë me Italinë. I njoh rregullat, që gjërat nuk bëhen ashtu thjesht me një telefonatë. M'u duk një përgjigje si për të larë gojën. Ndërkohë, ndihma financiare i duhet mbesës, familjes, jo vetëm në shërbimin e saj spitalor.
Edhe për shpenzime udhëtimesh për ne si familje, për ta vizituar. Dhe të ketë pesë lekë edhe e ëma, që t'i rrijë te koka dhe t'i shërbejë. Përpara dhjetë ditësh i bëra përsëri një sms në telefon ministrit të Financave, Ridvan Bode. E pyeta se çfarë u bë me vajzën e Vilsonit? Ministri m'u përgjigj: "Më dërgo emrin e vajzës dhe do pres përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë". Para 3 ditësh i kam bërë një tjetër sms në telefon Kryeministrit Berisha, ku i them që "sipas fjalës suaj më pritën, por deri tani vetëm heshje. Do më ndihmoni apo jo?" Por nuk kam akoma një përgjigje.


Nëse përgjigja nuk vjen më, si do t'ia bëni?
Nga e keqja, jam i gatshëm t'i kërkoj ndihmë kujtdo që ka dëgjuar dhe ndjen dhimbje. Iu bëj thirrje biznesmenëve ta ndihmojnë mbesën tonë. Iu bëj thirrje edhe armiqve të mi, atyre që shkatërruan familjen tonë dhe më vranë vëllain. Edhe Aranit Çelës apo të tjerëve, se kështu ndoshta mund të ndihen më të lehtësuar në shpirt. Na ndihmoni të shpëtohet vajza e Vilsonit! Mirë babain ia vratë, por të paktën i shpëtoni vajzën! Hera e parë që i nënshtrohem fatit dhe kërkoj ndihmë për vajzën që po vdes në Itali.


Ju nuk keni asnjë pension të posaçëm prej Vilsonit të pushkatuar?
Asnjëlloj pensioni.


Po Diana dhe vajza?
As ato nuk marrin gjë. Diana konkretisht sot është pa punë dhe nuk ka para të shkojë të shohë në Itali as vajzën e sëmurë.


Po para dëmshpërblimi keni marrë si të përndjekur?
Nuk i kam marrë deri më sot, sepse janë bërë gabime, them se të qëllimshme. Kam një vit e gjysmë që kërkoj të ndreqen këto gabime, por nuk është bërë asgjë. Në dokumente janë vënë shifra marramendëse, sikur i kemi përfituar ne. Për shembull, babai im që ka bërë 5 vjet e gjysmë burg rezulton sikur ka marrë 6 milionë lekë të reja. Por në të vërtetë, sipas ligjit, aty nga viti 1993 ai ka marrë vetëm 100 mijë lekë cash dhe 700.000 letra me vlerë. Edhe në emër të Vilsonit është shënuar sikur janë marrë 1 milion lekë, ndërkohë që janë marrë vetëm 200 mijë lekë.


Po më vonë janë marrë herë pas herë të ardhura shtesë?
Asnjëherë nuk është marrë asgjë më shumë se kaq.


Po ju vetë personalisht?
Mua më dhanë një shtëpi falas, 2+1, meqë kam bërë 15 vjet burg nga 25 vjet që u dënova. Por që tani me ligjin e ri dhe të turpshëm që nxori Ilir Rusmajli, djali i sekretarit të I-rë të rrethit të Elbasanit, Çajup Rusmajlit, na zbritet vlera e letrave me vlerë dhe vlera e shtëpisë. Ndërkohë që ende nuk është shfuqizuar ligji i mëparshëm, ai që na i ka dhënë shtëpitë falas, unë ndërkohë jam duke paguar shtëpinë, që dikur ma dhanë falas. Zëre se jam me qira.


Çfarë historie mbani mend ju se ka pasur Enerjeta e vogël, kur i arrestuan apo pasi vdekjes së të atit?
Enerjeta Vilson Blloshmi ka lindur në shtator të 1976, ndërkohë që Vilsonin, babain e saj dhe vëllain tim e arrestuan një muaj përpara se ajo të lindte, në 5 gusht të 1976-ës. Dhe e pushkatuan afërsisht një vit më pas në 17 korrik 1977, pa e parë kurrë vajzën me sy. Enerjeta lindi pikërisht në Bërzeshtë, fshatin e lindjes së të atit. Më pas, pas pushkatimit, gjithë familja u internua në Polis po të rrethit të Librazhdit. Aty qëndroi edhe Diana me Enerjetën e vogël për dy vjet. Më pas ato i liruan dhe ajo u kthye në Tiranë tek familja e saj. Diana u rimartua dhe ka dhe një vajzë nga martesa e dytë.


Pse Diana ishte nga Tirana?
Me origjinë gjirokastrite, por ajo jetonte në Tiranë, punonte në Estradën e Ushtrisë dhe në Tiranë u njoh dhe u dashurua me Vilsonin. Erdhi te ne si nuse në 12 nëntor të 1975. Domethënë ajo gëzoi vetëm një vit martesë me Vilsonin.


Dhe pranoi të jetonte në fshat për hir të dashurisë?
Po. Punonte madje në punë bujqësie.


Po pasi ajo iku në Tiranë, cila ishte marrëdhënia e familjes suaj me nusen?
Unë kam qenë në burg, kur vëllain e vranë. Familja ime dhe unë nuk e pritëm aspak keq vendimin e saj për t'u rimartuar. Marrëdhëniet e familjes sime që atëherë deri më sot me të nuk kanë ndryshuar fare. Kemi mbajtur lidhje të shkëlqyera gjithmonë. Edhe aktualisht.



Letra edhe për Ina Ramën

"Të rihapet dosja e Vilson Blloshmit"

Për hapjen e gjyqit të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Pasi ka zbuluar fakte të reja, disa prej të cilave i ka publikur edhe në librin e tij, të botuar përpara një viti: "Fabrikimi i vdekjes" me dokumente të dosjeve të sigurimit të Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit. Ka dërguar edhe për këtë letra qoftë Ina Ramës, qoftë kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beci. "Edhe ish-kryetarit të Gjykatës së Lartë, Zef Brozi i kam dërguar një letër për këtë gjë dhe as ai nuk ka bërë gjë",- thotë Bedri Blloshmi. Dhe pikërisht përpara një muaji ka qenë letra e fundit për prokuroren e përgjithshme. Dhe pas disa letrave, Ina Rama i kthen një përgjigje. 'Të thatë, jo për atë që kërkoja unë, duke më drejtuar tek Gjykata e Lartë, pasi vendimi ka qenë i formës së prerë.", thotë Bedriu. Ai në fakt mendon se kryeprokurorja nuk e ka kuptuar fare letrën, pasi nuk donte rishikim të vendimit të formës së prerë, por rishikim të gjyqit, i cili është zhvilluar edhe në atë kohë me shkelje të ligjeve të kohës. I ka dërguar letra prej dy vjetësh edhe Avokatit të Popullit. "Por zv/Avokat i Popullit është Petrit Azemi, ish-hetues në Librazhd, një nga torturuesit kryesorë të vëllait tim", thotë Bedriu.
Ai thotë se në protokollin e një plani të masave rreth zhvillimit të gjyqit tonë nga kryetari i Gjykatës së Librazhdit, Sybi Sulçe, i datës 28.04.1977, në faqen 9, gërma Gj thuhet: "Mbi diskutimin e masave të gjera për dënimin kapital të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës." Kjo do të thotë që ishte vendosur që më parë dënimi kapital i tyre. Apo në protokollin e muratorit në profesion, Sotir Koçollarit, sekretarit të I-rë të Librazhdit në po të njëjtën datë thuhet: "Vilsoni është më i zgjuar nga të tjerët dhe nuk e pranon aktin, se e di që e pret pushkatimi". Domethënë gjyqi ishte bërë në ish-Komitetin e Partisë. Këto janë prova të pakundërshtueshme që janë shkelur edhe ligjet e kohës së tyre". -thotë ai dhe kërkon që edhe formalisht t'i kalojë këto procedura nga gjykata shqiptare në mënyrë që t'i hapet rruga për të shkuar në Strasburg.




"Diana Çuli nuk na ka kërkuar falje"

"Diana Çuli gënjen. Neve si familje nuk na ka kërkuar kurrë falje.", thotë Bedri Blloshmi, i frymëzuar sidomos nga një intervistë e shkrimtares dhe një prej autoreve të akt-ekspertizës për Genc Lekën dhënë në emisionin "Opinion" përpara pak vitesh. "I kam kërkuar Blendi Fevziut të më ballafaqojë me Diana Çulin, por nuk më ka thirrur në emision. Unë nuk do doja as ta fyeja, as ta shaja. Do doja vetëm të ballafaqoj ato që ajo ka thënë në emision.",- vijon Blloshmi.
Kur i kujton se shkrimtarja u shpreh e gatshme që të gjykohej, nëse çfarë ka bërë përbën faj. Se ishte e indoktrinuar dhe se nuk e mendonte që firma e saj do të sillte vdekjen e poetëve, Bedri Blloshmi thotë: "Nuk ishte e vogël, ishte 25 vjeç. Dhe nuk është rastësi që Diana Çuli bëri ekspertizën e poetit Genc Leka, sepse babai i saj, Jorgo Çuli, ka qenë shefi i hetuesisë që nga viti 1974-1982 në Ministrinë e Brendshme."



"Vrasësit e vëllait tim, sot në pushtet"

Zoti Blloshmi! Ju takon t'i hasni rastësisht ata që i ndjeni shkaktarët e tragjedisë suaj?
Po. I shoh. Diana Çuli dhe Myzafer Xhaxhiu nuk më njohin. Ndërsa Koçi Petriti po. Dihet që akt-ekspertizën për Vilsonin e ka bërë Koçi Petriti dhe Myzafer Xhaxhiu. Por nuk u kam thënë asnjë fjalë direkt. Më vrasin sytë, por nuk u kam hedhur asnjë fjalë. Por më i inatosur jam sidomos me ata që vazhdojnë i fërkojnë këtyre njerëzve shpatullat edhe sot.


Në ç'mënyrë?
Nuk e harroj për shembull, kur në një takim që Jozefina Topalli pati me ne të përndjekurit në vitin 2005, kur PD erdhi në pushtet, kishte marrë me vete edhe Diana Çulin, e cila hyri fill pas saj. Jozefina erdhi përqafoi djalin tim, Vilsonin, siç quhej vëllai, dhe u ul mbrapa meje.
Në një moment i thashë: "Po Diana Çulin, pse e ke marrë?" Ma ktheu duke m'u lutur si Krishti: "Të lutem, qetësohu, mos bëj ndonjë gjë!". Unë nuk do merrja automatikun, por durova sa durova, mora djalin dhe i thashë: "Unë po iki". U ngrita dhe ika, por më erdhi keq për tim bir, i cili po qante se ishte përgatitur të merrte një lodër si të tjerët nga ato që do të ndaheshin aty. Të nesërmen bëra një shkrim në shtyp me titullin: "Bravo Jozefina për takimin që ke bërë!".


Si e shpjegoni këtë?
Është PD-ja ajo që po vijon sot hakmarrjen e komunistëve me familjen e Vilson Blloshmit. PD-ja vazhdon të vërë në poste drejtuese spiunët dhe gjykatësit që vranë Vilson Blloshmin. Qoftë si kryetar të PD-së në Librazhd, zv/prefekt, drejtor të elektrikut këto poste mbahen nga këta njerëz. Zv/ministri i Arsimit dhe bashkëpunëtori i Sigurimit me pseudonimin 'çanta', Halit Shamata, në një takim që ka pasur në Librazhd ka kërkuar të përjashtohen nga partia gjithë anëtarët e familjes Blloshmi, duke hequr edhe nga Drejtoria Arsimore e Rrethit kushëririn tim Mit'hat Blloshmi. Meqenëse unë flas hapur në shtyp kundër keqbërësve dhe shkatërrimtarëve të familjes sonë, që gjejnë një përkrahje shumë të fortë nga grupi i punës së PD-së, që shkon sa herë në Librazhd kur bëhen zgjedhje apo fushata. Ata nuk duan që unë të zë në gojë njerëzit e tyre të besuar, keqbërës të familjes Blloshmi. Nga burime konfidenciale kam mësuar që kanë marrë urdhër që të mos punësohen as njerëzit e mi që jetojnë akoma atje. Mbesa ime ka dy vjet pa punë, edhe pse ka mbaruar për mësuese. Dhe kjo vetëm sepse "Bedriu flet keq kundër nesh".


Jeni anëtar i PD-së?
Jam dhe do ta dorëzoj teserën. Unë nuk kam asnjëlloj interesi të qëndroj në PD, sepse të gjithë ata që kanë shkuar në PD janë bërë deputetë, drejtorë, janë pasuruar duke grabitur prona, duke u bërë pronarë të kundërligjshëm. Në qoftë se PD-ja do të më përkrahë siç ka përkrahur bijtë e komunistëve apo të sigurimit, edhe unë atëherë do të kthehem prapë të punoj për PD-në.


Ju vetë keni nevojë për punësim dhe a jeni duke punuar diku?

Edhe për mua as që bëhet fjalë të punoj në shtet. Kam kërkuar punë në Tiranë, ku edhe banoj, ka gjashtë vjet, por shteti na ka kthyer kurrizin. Tani punoj në një shkollë private në logjistikë. Kjo është përkrahja që na ka bërë PD-ja. Për mua është një luftë e re klase, pak më e butë se më përpara.


I jeni drejtuar shoqatave të të përndjekurve?
Jo. Nuk jam pjesë e asnjë institucioni. Nuk bëhem vegël e askujt. Unë nuk harroj dhe nuk përdorem. Nuk u bëra spiun kur më torturuan në atë kohë, e jo më të nënshtrohem tani.


Por në vend të keni frikë, flisni edhe më shumë..
Sa të kem frymë do të shkruaj për gjithë spiunët, shkaktarë të shkatërrimit të familjes sonë.


Nuk të kanë kërcënuar ndonjëherë që dilni kaq hapur?
Absolutisht.


Nuk arrini të falni dot?
Jo. Nuk fal. Dua drejtësi, por në këtë vend nuk ka drejtësi. Aq më tepër kur askush nuk vjen të më kërkojë falje.
Të ulet në një tavolinë me ne dhe të flasim. Pastaj jam unë ai që vendos nëse fal apo jo. Atëherë kë të fal unë?


Po ju kërkoni burg për ta apo më tepër largimin e tyre së paku nga drejtimi i vendit?
Ata duhet të largohen nga drejtimi i vendit. Kjo është e keqja më e madhe dhe dua të respektohen ligjet në fuqi, sepse ata kanë shkelur ligjet e kohës së tyre. Të marrin atë që meritojnë.


Nëse do të bënin të gjithë kështu e mendoni çfarë do të ndodhte në shoqërinë shqiptare?
Unë flas për veten time, vëllain tim që iku në lule të moshës, familjen time të shkatërruar. Secili të kërkojë të drejtat e tij si të dojë.


Flet nëna e vajzës, Diana Blloshmi (Hyka):

'Nuk kam as vizë, as lekë të shoh vajzën time"

Gjendet në Gjirokastër për të parë vajzën e dytë, që e ka të martuar atje. Enerjetën e bija e Vilson Blloshmit, nuk mund ta shohë dot. Në një bisedë telefonike Diana Blloshmi (Hyka) flet si çdo nënë në vend të saj me zë të vuajtur, të dhimbshëm dhe të shqetësuar, ndoshta si atëherë edhe kur e solli në jetë Enerjetën dhe Vilsoni sapo ishte futur në burg..


Si jeni zonja Diana?
Si të jem unë. Unë e di se si...


Dhe nuk gjendeni pranë vajzës?
Po. Deri tani nuk kam shkuar, sepse së pari nuk kam marrë dot vizë. Kërkova te Ambasada italiane, po nuk më dhanë, sepse unë jam e papunë. Por dhe ekonomikisht nuk e përballoj dot udhëtimin. Madje dhe telefonatat me vajzën, nga të cilat marr vesh se si është, ose më merr vajza, ose më shumë vëllai nga Suedia më ndërmjetëson prej telefonit të tij, që t'i dëgjoj zërin sime bije.


Si është tani gjendja e saj?
Në spitalet shtetërore ia hoqën shpresat.
Të shohim tek spitali privat ku e kanë çuar tani. Mjeku që e ka marrë tani përsipër ecurinë e saj e cilëson si një rast të rrallë. Aktualisht po vazhdon kimioterapi. Por kur e nisi kimioterapinë u bë keq psikologjikisht, sepse i ranë flokët. Tani i kanë vënë edhe një psikolog.


Si i filloi sëmundja?
Fillimisht i doli një kokërr e zezë në këmbë. Mjekët menduan se ishte ekzemë dhe e mjekuan për ekzemë, por gabuan në diagnostifikim dhe kjo e dëmtoi. Më pas asaj iu përhap në gjithë trupin.


Kur e keni takuar vajzën për herë të fundit?
Në muajin korrik të 2010-ës. Erdhi vetëm tre ditë për të bërë pasaportën biometrike. Ishte katandisur kockë e lëkurë. Tani di që ecën me paterica. Mjekët thonë që e rëndësishme është që sëmundja të mos i prekë veshkat. Nëse plagët i mbyllen tek pjesa lart, do ta operojnë tek këmbët, që të ecë sërish.


Kush ia ka përballuar shpenzimet deri tani?
Bashkëshorti, italian, i cili punon në dy punë me shumë sakrifica. Edhe vëllai im nga Suedia e ka ndihmuar. Në muajin shtator më kërkoi dhe mua 15 mijë euro, të cilat ia kërkonte spitali, nëse kisha mundësi ta ndihmoja. Por unë nuk kisha.


Sa para keni marrë si dëmshpërblim nga shteti ju si ish-bashkëshortja e Vilson Blloshmit?
Ne kemi marrë vetëm 240.000 lekë, kësti i parë i dëmshpërblimit, të cilin e kam marrë në gusht 2010 dhe asgjë tjetër. Merret Bedriu me këto gjëra, se unë nuk mundem. Unë me familjen Blloshmi ruaj marrëdhëniet më të mira.


A merrni ndonjë pension të posaçëm, të përmuajshëm, zonja Diana?
Nuk më japin sepse jam martuar për herë të dytë. Një herë kam kërkuar te shoqata e të përndjekurve dhe më nxorën këtë arsye dhe nuk kërkova më. Edhe pse iu thashë që kam qenë e internuar edhe unë, dhe e dua më shumë për vajzën, jo për vete. Po dhe nuk i di mirë ligjet që dalin. Nuk kam pyetur shumë. Vetëm vajza ka marrë një pension deri në moshën 17-vjeçare, që përpara '90-ës ishte 4200 lekë në muaj. E ka marrë atë deri në vitin 1995.


Kur shpresoni të ikni ta shihni vajzën nga afër?
Shpresoj në dhjetor. Ç'të bëj këtu unë e shkreta dhe vajza atje..



Letra e ish-bashkëshortes së Vilson Blloshmit, Diana Blloshmi, drejtuar Kryeministrit Sali Berisha.

"Po ju lutem si prindi prindit!"

Zotit Sali Berisha!
Kryetarit të qeverisë shqiptare. Por këtë herë ju shkruaj më shumë si një mjek dhe prind.
Jam bashkëshortja e poetit të pushkatuar Vilson Blloshmi. Vajza jonë, Enerieta, vuan nga një sëmundje e pashërueshme dhe aktualisht është e shtruar në një spital në Itali, ku vazhdon kimio-terapinë.
Po ju lutem si prindi prindit, por duke mos harruar edhe detyrën dhe mundësinë që keni për të na dhënë 15-20 mijë euro nga dëmshpërblimi i Vilson Blloshmit, burrit tim dhe babait të Enerietës, vajzës sonë, e cila po lufton me vdekjen dita-ditës.
Kjo do të bënte që Enerietës t'i zgjatej jeta edhe më.
Tanimë jetëgjatësia e saj është në dorën tuaj.
Duke ju falenderuar paraprakisht dhe duke besuar se fjala ime nuk do të bjerë në vesh të shurdhër, pres me padurim përgjigjen tuaj.
Me nderime
Diana Hyka

 

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
REPORTERËT PA KUFIJ E MBËSHTESIN GAZETAREN SEBAHATE SHALA (11.18.2010)
HAXHINASTO FTON PAPA BENEDIKTIN XVI TË VIZITOJË SHQIPËRINË (11.18.2010)
KOSOVA ANGAZHOHET 'PËR NORMALIZIM' ME SERBINË (11.18.2010)
OBAMA DEKORON KANCELAREN MERKEL (11.18.2010)
RAPORTI I DASH: SHQIPËRIA RESPEKTON LIRITË FETARE (11.18.2010)
DEPARTAMENTI AMERIKAN I SHTETIT: KOSOVA E RESPEKTON LIRINË E BESIMIT (11.17.2010)
UNIVERSITETI SHTETËROR I TETOVËS PA KONVIKTE PËR STREHIMIN E STUDENTËVE (11.17.2010)
FLORIN KRASNIQI PADIT HASHIM THAÇIN NË GJYKATË (11.17.2010)
ABC NEWS: SHQIPËRI-KOSOVË, NJË KAMPIONAT FUTBOLLI (11.17.2010)
SHQIPËRIA DHE KOSOVA MË SË SHUMIT PRO BASHKIMIT EVROPIAN (11.17.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2014  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30      
 
::| Hot News
VOAL URON NGA ZEMRA TË GJITHË TË KRISHTERËT SHQIPTARË: GËZUAR PASHKËT!
AMBASADORI ARVIZU - KORRUPSIONI NË SHQIPËRI, SFIDA MË E VËSHTIRËKomente të ambasadorit amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, mbi gjendjen e korrupsionit dhe informalitetit
KOSOVA NUK ËSHTË E PËRGATITUR T'I MBAJË ZGJEDHJET NË QERSHOR
SHBA MBËSHTET OPERACIONET E UKRAINËS KUNDËR SEPARATISTËVE
OBAMA PUTINIT: LARGOJI TRUPAT NGA UKRAINA!
HUMAN RIGHTS WATCH - POLITIKANË TË RËNDËSISHËM KOSOVARË DO TË AKUZOHEN NË VERË
SHBA - PUTINI T'I NDALË PËRPJEKJET PËR DESTABILIZIM TË UKRAINËSNënpresidenti Joe Biden më 22 prill do ta vizitojë Ukrainën
STANDARD AND POOR'S E PËRMIRËSON PARASHIKIMIN PËR SHQIPËRINË
EURODEPUTETJA PACK - SHQIPËRIA MERITON STATUSIN KANDIDAT, POR RESPEKTOJINI INSTITUCIONET
LETËR PRESIDENTIT OBAMA DHE SEKRETARIT TË SHTETIT JOHN KERRYNË SHQIPËRI NË 23 VJET PASDIKTATURË ËSHTË KRIJUAR NJË SISTEM SOVJETIKO-MAFIOZNga ELIDA BUÇPAPAJ

 
VOAL
[Shko lart]