E Premte, 05.17.2024, 12:15am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
LAJMI I FUNDIT
 
PRESIDENTI TOPI DHE PRESIDENTI GYL RIKONFIRMOJNË VULLNETIN PËR FUQIZIMIN E MARRËDHËNIEVE DYPALËSHE
E Enjte, 12.10.2009, 06:48pm (GMT+1)

 

10 dhjetor 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i uroi sot mirëseardhjen në vendin tonë Presidentit të Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl, i cili me ftesë të Kryetarit të Shtetit shqiptar, nisi sot një vizitë zyrtare dyditore në vendin tonë.

Pas ceremonisë solemne të rastit, të mbajtur në Pallatin e Brigadave, me ekzekutimin e himneve kombëtare dhe prezantimin e delegacioneve respektive, dy Presidentët patën një takim kokë më kokë. Në përfundim të tij, Presidenti Topi dhe Presidenti turk Gyl drejtuan bisedimet bilaterale mes dy delegacioneve zyrtare.

Në vijim, në prani të dy Presidentëve dhe në vëmendjen e mediave të pranishme u nënshkrua edhe Protokolli i Bashkëpunimit mes Ministrive të Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Turqisë. Për palën shqiptare firmosi Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, zonja Edith Harxhi dhe për palën turke firmosi Nënësekretari i Përgjithshëm i Shtetit të Republikës së Turqisë, zoti Selim Jenel. Pritja në Pallatin e Brigadave u mbyll me konferencën e përbashkët për shtyp të dhënë nga Presidenti Topi dhe Presidenti turk Gyl, në të cilën u rikonfirmua vullneti dhe angazhimi i palëve për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe efikas në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.


Më poshtë vijon e plotë kjo konferencë:

Presidenti Topi:

I nderuar dhe shumë i respektuar Presidenti Gyl,
Të nderuar përfaqësues të delegacionit që shoqëroni Presidentin gjatë vizitës së tij në Shqipëri,
Përfaqësues të medias përshëndetje,

Sot është një ditë shumë e veçantë, është një ditë kur të gjithë shqiptarët mirëpresin vizitën e rëndësishme të mikut tyre, të Presidentit Gyl. Në emër të tyre unë ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri dhe ju falenderoj pa masë për këtë vizitë.

Gjatë bisedimeve që kemi pasur së bashku, kam ritheksuar respektin e veçantë për këto marrëdhënie midis dy vendeve tona, kam vlerësuar lart dialogun politik tradicional që ekziston mes dy vendeve tona. E kam siguruar edhe një herë që kjo është një miqësi e konsoliduar në shekuj. E kam siguruar gjithashtu që marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë të shtrira kudo dhe duhet të intensifikohen në interes të popujve tanë. Padyshim që e falenderova nga zemra për atë pritje të ngrohtë, vëllazërore që më është rezervuar gjatë vizitës sime zyrtare në Turqi. E kam falenderuar Presidentin Gyl për ndihmën e pakursyer që Turqia i ka dhënë Shqipërisë në shumë fusha dhe në mënyrë të veçantë në fushën e integrimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, në NATO. Sigurisht që po të shohim profilin e vizitave, do të konstatojmë që janë realizuar vizita të të gjitha niveleve dhe në mënyrë frekuente. Por vizita e Presidentit Gyl ditën e sotme këtu në Tiranë koinçidon me një moment shumë të rëndësishëm për fatet e Shqipërisë, e cila është projektuar në mënyrë të qartë drejt rrugës së integrimit në Bashkimin Evropian.

Kemi diskutuar për shumë elementë që lidhen me marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Kjo klimë e shkëlqyer e marrëdhënieve politike patjetër që ka shoqëruar në vite dhe rritjen e shkëmbimeve të karakterit ekonomik, të marrëdhënieve ndërinstitucionale, rritjes së investimeve të Turqisë në Shqipëri, me një kooperim shumë të rëndësishëm në fushën e arsimit dhe të shkencës, në një marrëdhënie vëllazërore dhe luajale edhe në fushën e ushtrisë. Pata rastin të ritheksoj atë përshtypje mjaft pozitive që vjen edhe nga ushtarakët tanë gjatë stërvitjeve të përbashkëta me ushtarët turq, në funksion të paqes dhe sigurisë globale. I shpreha Presidentit Gyl gatishmërinë e Shqipërisë që të rrisë kontigjentin e trupave në Afganistan sikurse është paralajmëruar.

Gjithashtu kemi diskutuar për çështjet e rajonit. Kam evidentuar faktin që realiteti i ri në Kosovë është një realitet, i cili ka ofruar shumë stabilitet në rajon. Kam vlerësuar rolin e Turqisë në mbështetje të procesit të paqes dhe të stabiltetit rajonal. Së bashku kemi diskutuar edhe për problemet që ka rajoni dhe në mënyrë të veçantë problemet që ka sot në Bosnje dhe Hercegovinë. Është në interes të të gjitha vendeve të rajonit që t'i nënshtrohen një procesi komunikimi, një dialogu politik dhe një shkëmbimi ekonomik edhe në funksion të integrimit të tyre, të të gjitha vendeve të Ballkanit, në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Turqia dhe Shqipëria si dy vende aleate në NATO do të kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e profilit të paqes në rajonin tonë.

Presidenti Gyl shoqërohet nga një numër i madh biznesmenësh. Është parashikuar që së bashku nesër të përshëndesim takimin midis Dhomave të Tregtisë të Shqipërisë dhe të Turqisë. Procesi i dialogut politik është kompatibël me interesin për të rritur investimet dhe bashkëpunimin ekonomik. Kjo është theksuar shumë gjatë takimit të përbashkët. Ekzistojnë marrëveshje bilaterale në funksion të zhvillimit ekonomik. Dëshira është eksplicite. Dëshira është që të rritet ndjeshëm ky bashkëpunim, që të jetë në harmoni dhe në nivelin e lartë të dialogut politik. Prania e kompanive turke në Shqipëri prej vitesh dhe sidomos roli i tyre në fusha të rëndësishme të ekonomisë shqiptare, patjetër që meriton vëmendje, meriton të vlerësohet dhe të inkurajohet për investime të tjera. Kompanitë turke në Shqipëri sot janë të pranishme në fushën minerare, në metalurgji, në infrastrukturë, në telekomunikacion, në turizëm, në manifakturë, në sistemin bankar. Ne vlerësojmë shumë të gjitha prononcimet e personaliteteve më të larta të Turqisë për perspektivën e këtyre marrëdhënieve, ku për perspektivën meriton vëmendje të veçantë gatishmëria për të përfshirë edhe Shqipërinë në infrastrukturën e gazit që do të vinte nga vendet e detit Kaspik dhe të Lindjes së Mesme.

Unë jam i bindur që insitutucionet specifike, qeverite respektive dhe biznesi i të dyja vende do të bëjnë të mundur që të rritet volumi i këtyre shkëmbimeve, por edhe të eleminohen ato handikape të vogla, të cilat natyrshëm mund të ekzistojnë mes dy vendeve, deri në sinkronizimin e plotë të legjislacionit që do të rregullojë në mënyrë perfekte këto marrëdhënie.

I nderuar President!

Edhe një herë duke ju falenderuar pa masë për pranimin e ftesës për të vizituar Shqipërinë, ju shpreh vlerësimet maksimale lidhur me kontributin tuaj në forcimin e kësaj miqësie, por edhe kontributin tuaj specifik në rritjen e parametrave të sigurisë globale, ku natyrisht edhe Turqia edhe Shqipëria janë pjesë e kësaj Aleance të madhe të sigurisë globale, e vendosur në një kontekst të ri politik në rrafshin global, por me një "background" shumë të fuqishëm të marrëdhënieve tona tradicionale historike dhe kulturore.

Edhe një herë ju falenderoj!


Presidenti Gyl:

Të nderuar përfaqësues të medias!

Jam tepër i nderuar që po zhvilloj këtë vizitë zyrtare në Shqipëri. Në praninë tuaj dëshiroj të falenderoj për këtë ftesë të veçantë Presidentin e Shqipërisë, mikun tim, zotin Bamir Topi dhe me këtë rast i dërgoj përshëndetjet më të mira popullit shqiptar!

Sot unë kam ardhur në Shqipëri me një delegacion të madh të përbërë nga ministra, nga parlamentarë, kryetarë të grupeve parlamentare, të miqësisë Shqipëri-Turqi, nga shumë gazetarë dhe mjaft e mjaft biznesmenë. Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë janë shumë të mira, të mbështetura në histori. Është një miqësi e vërtetë, prandaj ne duke ardhur këtu në Shqipëri e ndjejmë veten me të vërtetë si në shtëpinë tonë. Ashtu si shqiptarët kur shkojnë në Turqi e ndjejnë veten si në shtëpinë e tyre, dhe gjejnë mjaft gjëra të përbashkëta, të tilla ndjenja ndjejmë dhe ne kur vijmë në Shqipëri. Sigurisht që një miqësi dhe solidaritet i tillë ekziston edhe mes nesh, krerëve të shtetit, dhe ne përpiqemi ta forcojmë sa më shumë këtë miqësi. Për këtë arsye Turqia ka qenë gjithmonë pranë Shqipërisë dhe me të gjithë mundësitë e saj ka kontribuar për fuqizimin dhe zhvillimin e saj dhe gjithnjë kështu do të jemi.

Turqia gjithmonë e shikon Shqipërinë së një partner të fuqishëm në rajon dhe kështu do ta shikojë dhe në të ardhmen. Të njëjtin qëndrim mban edhe Shqipëria ndaj nesh dhe kjo na gëzon së tepërmi. Ne e mbështetëm fuqishëm anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe ne ndjemë kënaqësinë e veçantë kur ajo u bë anëtare. Unë dua t'ju kujtoj që dekretin e Asamblesë të Madhe Kombëtare të Turqisë për pranimin e Shqipërisë në NATO për palën turke unë e kam nënshkruar gjatë vizitës së Presidentit Topi në praninë e tij në zyrën time. Gjithashtu, ne mbështesim fuqishëm edhe hapat e rëndësishëm që ka hedhur Shqipëria në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian. Vendimi i 6 nëntorit është një vendim tepër i rëndësishëm për Shqipërinë. Ju urojmë për një anëtarësim sa më të shpejtë! Dihet që reformat dhe kriteret që do kërkojë Evropa për ju do të bëhen të njohura, por në fund të fundit realizimi i këtyre reformave dhe plotësimi i kritereve do të ndihmojë për fuqizimin e mëtejshëm të vetë Shqipërisë.

Siç e theksoi dhe miku im, Presidenti Topi, në takimin që patëm ne diskutuam çështje të ndryshme dypalëshe dhe rajonale. Diskutuam çështje të ndryshme politike. Diskutuam për qëndrimin tonë të përbashkët qoftë në kuadrin e NATO-s, qoftë dhe në Afganistan dhe për çështje të tjera të politikës globale dhe për të gjitha këto çështje ne ndamë të njëjtat mendime. Ashtu sikundër Shqipëria do të rrisë numrin e ushtarëve të saj në Afganistan kohët e fundit edhe Turqia, përafërsisht nga 700 ushtarë do e rrisë numrin e tyre në 1700 ushtarë në Afganistan.
Ne këtë e quajmë si një kontribut për forcimin e paqes botërore. Ne jemi të kënaqur për bashkëpunimin që kemi me Shqipërinë edhe në Afganistan.

Gjithashtu, i kushtuam rëndësi edhe fuqizimit të marrëdhënieve ekonomike. Fakti që një numër i madh biznesmenësh më shoqërojnë mua këtu tregon dëshirën e tyre për investime të mëtejshme në Shqipëri. Gjithashtu e falenderova dhe Presidentin Topi për mbështetjen që gjejnë afaristët tanë në veprimtarinë e tyre këtu në Shqipëri.

Trajtuam edhe çështje të rajonit të Ballkanit dhe edhe për këto çështje ne ndamë të njëjtin mendim. Ne duke bashkëpunuar më mirë me njëri-tjetrin na sigurohet mundësia dhe perspektiva për këtë bashkëpunim që të vazhdojë akoma më shumë në të ardhmen.

Përfitoj nga rasti që në emër të të gjithë popullit turk t'i dërgoj përshëndetjet më të mira dhe më vëllazërore popullit shqiptar!

Pyetje (Radio Televizioni Shtetëror Turk):Një pyetje për të dy Presidentët. Ju folët për zhvillimet e mëtejshme të marrëdhënieve ekonomike, mund të flisni për projektet konkrete, për lehtësime, biznesmenët, etj?

Presidenti Gyl: Ne folëm gjerësisht për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve. Shikuam mundësinë e tyre. Tani ka mundësi akoma më të mëdha, sepse është nënshkruar marrëveshja e tregtisë së lirë, e cila krijon mundësi më të mira për biznesmenët e të dy vendeve. Gjithashtu folëm për problemet e arsimit, të bashkëpunimit në fushën e arsimit, në fushën e turizmit dhe në fusha të tjera. Sigurisht nesër në Forumin e biznesit turko-shqiptar do të ketë një informacion më të hollësishëm me pjesmarrjen e biznesmenëve të të dy vendeve.

Presidenti Topi: Ndaj të njëjtin mendim me Presidentin Gyl. Ndonëse po flasim me terma disi të përgjithshme, unë besoj se eksperienca e këtyre viteve të fundit tregon një rritje mjaft dinamike, sidomos dy-tre vitet e fundit. Interesi juaj padyshim lidhet me perspektivën e këtyre marrëdhënieve. Unë besoj që do të ketë një konsolidim të mëtejshëm të këtyre investimeve që janë prezente në Shqipëri. Shikojmë një rritje të interesit të biznesit turk për të zgjeruar gamën e investimeve. Unë personalisht dhe jo vetëm personalisht do të vlerësoja shumë projektin e gazësjellësit, projektet që janë në turizëm. Rritja e mëtejshme e pranisë së bizneseve turke në infrastrukturë, në fushën e metalurgjisë, të telekomunikacionit janë gjëra që ne i prekim çdo ditë, por një moment shumë i rëndësishëm i këtyre marrëdhënieve, sikurse u përmend, është marrëdhënia midis universiteteve. Nëse marrëdhëniet midis këtyre dy universiteteve do të jetë solide, ju siguroj që edhe katedrat universitare do të orientojnë më mirë bizneset e përbashkëta, sepse vitet e para të tranzicionit në Shqipëri kanë pasur më shumë spontanitet në investime. Ajo që konstatojmë sot është pikërisht kualiteti i këtyre investimeve, gjë që është shumë premtuese për vitet që vijnë.

Pyetje (News 24): Zoti President, pyetja ime faktikisht ka lidhje me një çështje që aktualisht është duke u gjykuar ndikuar nga Gjykata Kushtetuese në vend, bëhet fjalë për marrëveshjen me Greqinë. Ka dalë në dritë fakti që nuk ka patur një akt plotfuqishmërie për negociata me palën greke lidhur me këtë marrëveshje. A keni ju një koment lidhur me këtë fakt dhe sa do ta merrni ju parasysh në rastin e firmosjes së dekretit, nëse Gjykata Kushtetuese nuk e merr parasysh kërkesën e partisë politike në lidhje me marrëveshjen?

Presidenti Topi: Ju falenderoj për pyetjen! Në mos gaboj në të njëjtin vend më është drejtuar e njëjta pyetje, përjashto vetëm momentin që ka të bëjë me Gjykatën Kushtetuse. Kam shprehur të gjithë angazhimin tim institucional për një transparencë lidhur me këtë proces. Së dyti, kam thënë që duhet të respektojmë në të njëjtën kohë institucionet e Shqipërisë. Së treti, duke respektuar pozicionin tim Kushtetues, nuk jam shprehur gjatë procesit, sepse Presidenti shprehet dhe vullneti vjen nga Parlamenti. Natyrisht Presidenti shprehet me dekret. Fakti që ky proces nuk ka ndodhur, fakti që sot procesi është në Gjykatën Kushtetuese, në respekt të gjykatës, në mënyrë specifike në respekt të Gjykatës Kushtetuese, do e pres këtë vendim dhe natyrisht do të shprehem në momentin që kam aksesin për t'u shprehur, por duke shprehur besimin, gjë që e kam bërë edhe dje nëpërmjet një shkrese, mbi bazën e së cilës është dhënë mendimi i Institucionit të Presidentit, në bazë të kërkesës së Gjykatës Kushtetuese, që nuk mund të interferoj në këtë proces, por duke patur një besim të plotë tek Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë. Gjithësesi unë mendoj që ky është një proces, i cili do të vazhdojë të trajtohet me trasparencë dhe kam bindjen që do të realizohet në mënyrën më korrekte të mundshme në mbrojtje të interesave legjitime të shtetit shqiptar.

Top Channel:Kam një pyetje për Presidentin Bamir Topi. Zoti President, kriza politike, apo më mirë ngërçi politik, për të huazuar një term të përdorur nga ndërkombëtarët po vazhdon. Ju jeni shprehur mëse një herë i gatshëm të ndërmjetësoni për të gjetur një zgjidhje të mundshme. Meqë ky ngërç po vazhdon, edhe ju do të vazhdoni të mbeteni në pozitën tuaj pritëse derisa palët të shprehin vullnetin e tyre apo do të ndërmerrni ju ndonjë nismë apo ndonjë veprim tuajin?

Presidenti Topi: Më lejoni që të jap një përgjigje relativisht analitike për pyetjen tuaj që ndoshta nuk i shkon këtij komunikimi në këtë konferencë. Dikur mbi bazën e ligjit të vjetër elektoral kishte një numër të konsiderueshëm partish parlamentare. Ligji i ri elektoral, sikurse ju e keni parë, ka imponuar një reduktim të ndjeshëm të partive politike parlamentare. Në respekt të pozicionit të Presidentit, i cili është një pozicion kushtetues, shumë institucional, jepen apelet e nevojshme, të domosdoshme në kufirin apo në limitin e mosinterferencës në vullnetet politike të partive. Kjo është shumë e rëndësishme. Këto apele i kam bërë herë pas here, s'mund të them që kanë qenë frekuente, por janë bërë në kohën dhe në momentin e në vendin e duhur. Ajo që mund të bëjë Presidenti është të inkurajojë dialogun politik, që është një parim i qëndrueshëm e i konsoliduar në vendet demokratike. Ajo që do të uroja unë dhe çdo qytetar shqiptar është të rrisim nivelin e komunikimit politik, të dialogut politik. Kjo është në mënyrë eksluzive në vullnetin e partive. Jo pa qëllim iu referova çështjes së numrit të partive parlamentare, sepse përkthehej në tryezat e partive politike parlamentare. Në këtë ambjent, në tetor, nëntor, në mos gaboj të vitit 2007 është zhvilluar një tryezë e gjerë e partive politike parlamentare në funksion të ligjit të ri elektoral dhe ju e mbani mend. Sot padyshim ka aktorë shumë të rëndësishëm të jetës politike, por aktorët në parlament natyrisht që janë reduktuar që do të thotë që vullnetet politike mund të konsiderohen tani në pjesën e mazhorancës dhe të opozitës në parlament. Respektoj në mënyrë të qartë vullnetet e partive politike. I inkurajoj për dialogun. Natyrisht që nuk mund të interferoj. Besoj që klasa politike shqiptare sot në vitin 2009 është koshiente për të zhvilluar dialogun. Edhe një herë e inkurajoj këtë dialog në interes të Shqipërisë, të qëllimeve madhore të saj për të pasur një progres dhe sukses imediat në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Nuk do të mungojnë apelet e mia për të inkurajuar klimën e dialogu, e cila është normale, madje është esenciale për jetën normale të institucioneve të një vendi demokratik.

(http://www.president.al)

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
OBAMA PRANOI ÇMIMIN NOBEL PËR PAQE (12.10.2009)
OBAMA MORI ÇMIMIN NOBEL PËR PAQE (12.10.2009)
NGA LUFTA NË PAQE - OBAMA DO TA PRANOJË ÇMIMIN NOBEL (12.10.2009)
NESËR OBAMA MERR ÇMIMIN NOBEL TË PAQES (12.09.2009)
PRESIDENTI GYL NESËR NË TIRANË (12.09.2009)
HYSENI: ASGJË NUK E ANULON PAVARËSINË E KOSOVËSNga Melazim Koci, Hagë (12.09.2009)
The Washington Post - Shkenca politike e KopenhagësNga Sarah PALIN  (12.09.2009)
Gjenerali amerikan mbështet strategjinë e presidentit Obama për Afganistanin (12.09.2009)
Ambasadori Hamiti dorëzoi letrat kredenciale te Mbretëresha Elizabeta II (12.08.2009)
KRYEMINISTRI BERISHA: 8 DHJETORI, DITA E NGADHËNJIMIT TË IDEALIT EVROPIAN TË RINISË SHQIPTARE (12.08.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
KLIKONI NË WWW.VOAL.CH - ZËRIN E SHQIPTARËVE NË NJË DIZAJN TË RI - WWW.VOAL.CH  -  VOAL
80 TË RINJ AMERIKANË E MBAJTËN PARA KUVENDIT KONCERTIN ME KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
80 AMERIKANË KËNDOJNË SOT PARA KUVENDIT TË SHQIPËRISË KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
PROTESTA SOT NË SHKUP - TË DORËHIQET QEVERIA NË TËRËSI
NËNKRYETARI I PARLAMENTIT EVROPIAN KËRKON DORËHEQJEN E GRUEVSKIT
DEPARTAMENTI AMERIKAN I SHTETIT - NDJEKIM NGA AFËR SITUATËN NË MAQEDONI
MAQEDONIA NGRE TRIDHJETË AKUZA PËR TERRORIZËM
LUBOMIR FËRÇKOSKI - QEVERIA NË SHKUP PO NXIT TENSIONET NDËRETNIKEFërçkoski - Konflikti në Maqedoni s'ka të bëjë me “Shqipërinë e Madhe”
MANIFESTIM SPONTAN NË TIRANË 'KUMANOVË NUK JE VETËM'
MUSTAFA - 700 SHQIPTARË NGA MAQEDONIA JANË ZHVENDOSUR NË PRESHEVË

 
VOAL
[Shko lart]