Shqipëria e ka dënuar diktatorin e ndjerë stalinist, Enver Hoxha, për udhëheqjen e njërit prej regjimeve më brutale komuniste në Evropë, por viktimat e tij, thonë se shteti duhet të shkoj mëtutje dhe t'ia marrë atij dekoratat.
Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për Rehabilitim nga Trauma dhe Tortura në Shqipëri, Adrian Kati, tha se i ka bërë thirrje presidentit, Bamir Topi, për ndihmë në këtë çështje.
Zoti Topi, e ka inkurajuar atë që të ndërmarrë hapa ligjorë.
Adrian Kati thotë se Enver Hoxha i kishte disa tituj dhe medalje, përfshirë "Hero i Popullit", "Hero i Punës Socialiste", "Hero i Popujve të Jugosllavisë", "Hero i Popujve të Bashkimit Sovjetik", e të tjerë.
Kati thekson se do të ishte "e drejtë dhe morale" që Enver Hoxhës t'i merren këto medalje dhe dekorata, raporton agjencia Reuters nga Tirana.
(http://www.evropaelire.org)