Zhvillimet e fundit në Shqipëri, të ndërlidhuna me grevën e urisë në Tiranë nga
ish-të persekutuemit politikë gjatë regjimit komunist, me kahet e tyne tragjike
kanë ngritë në nji nivel ma të naltë ndërgjegjen qytetare të shoqënisë
shqiptare dhe kane vue në qendër të vëmendjes publike filozofinë politike të
qeverisë dhe reagimin e saj praktik. Ndërhymja e fundit e Gjyqësorit si aleat i
Ekzekutivit ka vulosë arbitraritetin qeveritar me rrjedhime të
paparashikueshme. Ky fermentim që u krijue nga nji tragjedi ashtë i mirëpritun.
Për nji kohë të gjatë, amullia e shoqënisë shqiptare dhe arroganca e shtetit
shqiptar kanë rrezikue transformimin e vendit tonë në "nji botë pa jetë" ku
gjithçka lejohet. Kjo "botë pa jetë" sjellë në mënyrë të paevitueshme
dekompozimin moral e politik të shoqënisë, dhe ma në fund vetëshkatërrimin e
saj. Tragjedia e grevistëve të urisë ka nxjerrë në shesh edhe aspektin ma
negativ të shoqënisë sonë: urrejtjen për kundërshtarin, për të gjithë ata që
nuk mendojnë si "ne", për të gjithë ata që trazojnë gjumin e qetë të
ndërgjegjeve të trazueme. Fyemjet e shamjet skandaloze që u drejtohen viktimave
të grevës së urisë tregojnë shkallën e ulët të disa qytetarëve tanë që kanë
humbë jo vetëm aftësinë me mendue pavarësisht, por edhe ndjenjat e tyne
njerëzore. Fakti sepse fakt ashtë që disa vëllazën në mjerim të thellë
rrezikojnë vdekjen me sinjalizue për "pushtetarët" gjendjen e tyne tepër të
vështirë nuk mallëngjen "pushtetin", i cili nuk pranon me kuptue se ajo që ka
randësi ashtë akti i rebelimit kundër shtypjes efektive që grevistët e urisë e
demonstrojnë publikisht, dhe në formën ma dramatike!
Akuzat ma të randa dhe ma të pathemelta u drejtohen atyne që ballafaqohen me
vdekjen nga uria, atyne që vetëdigjen me benzinë sepse u ashtë shterrë zani nga
ankesat e papërfilluna kundër çdonjenit që nga jashtë "guxon" me folë dy fjalë
të mira në mbrojtje të viktimave. Gjithçka flitet e përflitet, rrotullohet
përqark "kërkesave ekonomike", sikur greva e urisë të ishte kryesisht
ekonomike. Ashtu ashtë paraqitë; ashtu insistohet të paraqitet para publikut.
Fatkeqsisht, edhe viktimat e kësaj greve e përsërisin këtë akuzë, siç duket nga
frika e fjalës "politikë". Vetë fakti se frika nga politika ka përmasa të
këtilla në Shqipëri, tregon sa poshtë ka ra autoriteti i klasës politike
shqiptare në vendin tonë. Pse kanë "frikë" viktimat që nuk kanë frikë nga
vdekja?
Profesor Elaine Scurry, i Harvard University, që ka studjue fenomenin e
"frikës", shpjegon: "...Torturuesit e shpërbajnë deri në fund botën e viktimës, dhe
e reduktojne atë në nji gjendje të atillë saqë janë të paaftë me folë, me
provue ose me imagjinue nji realitet tjetër që nuk ashtë ai i dhimbjes së
tyne". Grevistët e urisë janë dy herë viktima: nga tortura e regjimit komunist,
dhe nga mospërfillja e viteve të tranzicionit. Ata nuk kanë nevojë për shamje;
ata kanë nevojë, e nevojë urgjente, për mirëkuptim, solidaritet e ndihmë
ekonomike që t'i shpëtojë nga regjimi i urisë që i kërcënon ata dhe familjet e
tyne. (Nji sqarim: Këto ditë u tha nga Kryeministri se shuma e shpërblimeve
arrin në dy miliardë euro. Në nji seancë parlamentare të dhjetorit 2007,
ministri i Drejtësisë deklaroi se shuma e përgjithshme ashtë 417 milionë
dollarë, d.m.th. gjashtë herë ma pak, dhe se ajo do të jepej në tetë këste
vjetore. Deri tashti ashtë dhanë vetëm nji këst).
Mbas tragjedisë që i solli Serbisë diktatori Milosheviq, mendimtarët serbë e
kuptuen randësinë e pendimit kundrejt fajit të kryem. Ministri i Mbrendshëm
serb, D. Mihajloviq, e tha hapët: "Askush në Serbi nuk do të flejë në paqe, as
do të ketë nji ndërgjegje të pastër për sa kohë që e vërteta nuk ka dalë në
shesh, dhe drejtësia nuk ashtë zbatue". Këtë "të vërtetë" dhe këtë "drejtësi"
kërkojnë grevistët e urisë që nuk kanë fuqi të flasin... sepse jeta e tyne po
shuhet. Ajo që i duhet sot Shqipërisë ashtë besimi te "sistemi", nji konditë
esenciale. Ky besim nuk mund të lindë, ose të ringjallet, nga ata që ushqyen
terrorin komunist për nji gjysmë shekulli. Në ceremoninë parlamentare të 10
prillit 1991, u nderuen me nji minutë heshtje martirët e demokracisë. Shikoni
fotografitë e riprodhueme në gazetat e kohës. Asnji deputet socialist nuk u
ngrit në kambë për respekt. Asnji! Sot, tetor 2012, asnji deputet "demokrat"
nuk proteston vdekjen e ngadaltë të grevistëve të urisë. Asnji! Nji sistem
qeveritar që gëzon besimin e popullit të lirë ashtë kushti kryesor për nji
rigjenerim të vendit. Cinizmi, paligjshmënia, korrupsioni, uniformiteti i
imponuem asfiksojnë nji popull që kërkon jetën e lirë. Ashtu ishte dje, ashtu
ashtë edhe sot! Shqiptarët nuk kanë arrijtë "the age of reason", me marrë
përgjegjsinë për historinë e tyne dhe me kuptue mundësinë e "aktit sublim" që
si shoqëni dhe si shtet duhet ndërmarrë, nji projekt, randësia e të cilit i
paraprin ata dhe do të mbijetojë ata.
* * *
Greva e urisë në Tiranë krijon nji mundësi supreme me kristalizue në formë
legale nji drejtim moral të shoqënisë shqiptare, të njohun mirë dhe urgjent.
Greva e urisë në Tiranë tregon se ka ardhë koha me kalue vijën që ndanë
ndërgjegjen nga nji rend legal, jo vetëm për lehtësimin e gjetjes së nji
zgjidhjeje të problemit aktual të kësaj greve, por edhe me krijue nji precedent
për të ardhmen. Ka ardhë koha me përbuzë përjetësimin e paligjshmënisë me forma
legale që reflektojnë gjykimin moral universal të njerëzimit. Nji shtet e nji
shoqëni e qytetnueme duhet të jetë nji botë e rregullueme me ligje që
respektohen. Njikohësisht, heqja dorë nga fryma humanitare degjeneron në vetë
poshtërimin e shoqënisë dhe vetëshkatërrimin e saj. Unë, kështu e kuptoj
ndërhymjen fisnike të ambasadorëve të huej të akredituem në Tiranë me mbrojtë
shqiptarin nga shqiptari! dhe për këtë i falendroj përzemërsisht. Akti
i tynë nderon vendet që ata përfaqësojnë.
Në nji përpjekje me tejkalue shtypjen e së kaluemes, shumë popuj përpiqen me
rishikue historinë e vërtetë, me vue gishtin mbi plagën dhe elementin
përgjegjës, dhe me ndërtue themelet e nji shoqënie paqësore që respekton të
drejtat e njeriut. Edhe na duhet të arrijmë fazën e nji shoqënie që nuk
kultivon "maninë" me qenë nji "personalitet dominues". Këtë qëndrim e kërkon
sensi i përgjegjsisë individuale dhe kolektive morale, politike dhe ligjore.
Sot, na detyrohemi me pranue se prezenca e "së keqes" në vendin tonë ashtë ma e
fortë se premtimi zyrtar për gjetjen e nji "kure" përmirësimin e gjendjes që
lejon vuejtjet e përditëshme.
"Demokracia, thuhet në Kartën e Parisit për nji Europë të Re (1990) me
përfaqësuesit e saj dhe karakterin pluralist, kërkon përgjegjsi para
zgjedhësve, detyrimin publik të autoriteteve të vendit me ju nënshtrue sundimit
të ligjit, dhe të nji drejtësie të ushtrueme me paanësi. Asnji individ nuk mund
të jetë ma i madh se ligji". Kjo nuk ashtë e vërtetë në Shqipëri!
Dokumenti i Kopenhagës (1988) thekson: "Nënshkruesit deklarojnë solemnisht... nji
ndarje të qartë në mes të shtetit dhe partive politike; veçanërisht, partitë
politike nuk do të shkrihen me shtetin" (Seks. I, 5.4). Kjo nuk ashtë e vërtetë
në Shqipëri!
Karta e Kombeve të Bashkueme flet: "... për respekt universal dhe ruejtjen e të
drejtave të njeriut dhe lirive themelore për të gjithë...". Kjo nuk ashtë e
vërtetë në Shqipëri!
Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut (1948) kërkon: "Të gjitha qeniet
njerëzore kanë lindë të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta...".
(Art. 1)
"Asnjëri nuk duhet të vuej nga torturat apo nji dënim e trajtim i egër,
çnjerëzor, poshtërues...". (Art. 5)
"Çdo njeri gëzon të drejtën e mbledhjes dhe të shoqërizmit të lirë...". Kjo nuk
ashtë e vërtetë në Shqipëri. Greva e urisë e vërteton!
Greva e urisë në Tiranë tregon shkeljet flagrante të konventave ndërkombëtare
të nënshkrueme vullnetarisht nga Shqipëria, megjithëse ato janë angazhime
ligjore të marruna lirisht dhe të detyrueshme.
Ky ashtë nji aspekt politik i grevës së urisë në Tiranë që duhet theksue
sidomos nga aktivistët për të drejtat e njeriut. Kompensimi ekonomik ashtë nji
rrjedhim i shkeljes së të drejtave të tyne, i pemtimeve të pambajtuna. Nëse ata
sot rrezikojnë jetën e tyne, ata e bajnë jo sepse dëshirojnë vdekjen.
Përkundrazi! Me kërcënimin e vdekjes ata bajnë përpjekjen e fundit me shpëtue
jetën që ata e duen dhe që kërcënohet nga mospërfillja qeveritare.
Asnji shtet nuk i shpëton synit vëzhgues të bashkësisë ndërkombëtare të botës
së lirë; sigurisht, jo Shqipëria! Çdo akt qeveritar duhet të marrë parasysh
detyrimet ndërkombëtare, dhe nuk mund të kryhet vetëm si nji akt kompromisi të
mbrendshëm. Mospërfillja "e botës së jashtëme" do të përfundojë në përbuzjen e
Shqipërisë nga "bota e jashtëme".
Pak ditë ma parë, editori i gazetës "ILLYRIA" (N.Y.) Ruben Avxhiu, shkruente:
"...Zjarri në teshat e trupit simbolizon shkrumbimin e shpresave më të fundit për
një jetë normale të një shtrese ish-të përndjekurish që jetojnë në një mënyrë
çnjerëzore edhe sot, 20 vjet pas rrëzimit të regjimit që i persekutoi. Sado që të
kushtonin këstet e papaguara të dëmshpërblimeve të burgjeve për këta njerëz,
sigurisht, nuk mund të kapërcejnë koston e imazhit publik që paguan Shqipëria
në prag të vendimit të BE-së për statusin e saj".
"Ai që harron mëkatin e tij, e përsërit atë pa pushim tërë jetën!" qorton
bashkatdhetarët e vet shkrimtari anglez G. K. Chesterton.
-
*Autori Sami Repishti është ish-i burgosur politik (1946-56)