VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - DIPLOMACI VIZIONARENga SHABAN MURATI

                                                                                      

E Premte, 04.26.2024, 01:03am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
DIPLOMACI VIZIONARE
Nga SHABAN MURATI

E Martë, 06.25.2013, 05:43am (GMT+1)



Që diplomacia është arti i bisedimeve në çdo situatë, për të sjellë paqen, po provohet çdo ditë e më tepër në praktikën e jetës ndërkombëtare. Që "diplomaci" do të thotë të bisedosh për hir të paqes me armikun, edhe kur armët nuk kanë pushuar, ky është një mësim i madh dhe i rrallë, që SHBA i japin, jo vetëm shteteve, por gjithë forcave politike të botës. Pakkush mund të kishte menduar se do të ndodhë ajo, që brenda pak ditëve SHBA do të zhvillojnë bisedime zyrtare me talebanët e Afganistanit, me të cilët janë në një luftë të ashpër dhe të gjatë, që nga ndërhyrja e forcave të NATO-s në atë vend në vitin 2001. Ambasadori Xhejms Dobins, i dërguari i posaçëm i SHBA për Afganistanin dhe Pakistanin, do të kryesojë nga pala amerikane bisedimet, të cilat do të zhvillohen në Doha të Katarit. Nga pala e talebanëve ndodhet tashmë në Doha një delegacion prej tridhjetë vetësh, dhe në kuadër të këtyre bisedimeve të paqes u hap në datën 18 qershor edhe një Zyrë e talebanëve në Katar.

Sfida që ndërmerr SHBA në fushën e diplomacisë për çështjen afgane është e pashoqe. Diplomacia amerikane ulet në të njëjtën tavolinë për bisedime me përfaqësuesit e talebanëve të Mullah Omarit, të cilët janë bërë një nga sinonimet e së keqes ndërkombëtare, që prej 12 vjetësh. Mbi kokën e Mullah Omarit vazhdon të qëndrojë posteri ndërkombëtar "Wanted" me një çmim astronomik shpërblimi prej 25 milion dollarësh. Se çfarë ka ndodhur në Afganistan dhe se çfarë ferri ka qenë dhe është situata atje, e dinë të gjitha shtetet anëtare të NATO-s dhe në radhë të parë SHBA-ve, që kanë paguar çmimin më të madh të gjakut me ushtarët e tyre të vrarë, e dinë dhe shtetet e tjera anëtare të NATO-s, që kanë dërguar forca në Afganistan, me koston e gjakut të ushtarëve të tyre të derdhur atje, ndër të cilat është dhe Shqipëria, si pjesë e kontingjentit ushtarak të NATO-s dhe që ka paguar edhe ajo një çmim gjaku. Për ta konkretizuar më mirë se si është situata në Afganistan, mund të përmendim se vetëm një ditë përpara se të hapej "Zyra e paqes" në Doha, talebanët ndërmorën një sulm terrorist kundër forcave të NATO-s në Afganistan, ku u vranë katër ushtarë amerikanë.

Por diplomacia amerikane do të shkojë dhe do të ulet në një tavolinë për bisedime direkte zyrtare dypalëshe me përfaqësuesit e talebanëve të Mullah Omarit. Sepse, nëse ndërhyrja ushtarake në vitin 2001 u desh që të rrëzoheshin nga pushteti talebanët, si baza dhe forca kryesore mbështetëse e "Al Kaedas" së Osama Bin Ladenit, në vitin 2013 është gjykuar se duhet ndërhyrja e diplomacisë për të gjetur rrugën e pajtimit dhe për të vendosur paqen. Në datën 18 qershor, në Kabul u organizua një ceremoni e madhe sinjifikative dhe me karakter historik. NATO, e përfaqësuar nga sekretari i përgjithshëm i saj Andes Fogh Rasmusen, u dorëzoi forcave ushtarake dhe policore të qeverisë afgane përgjegjësinë e sigurisë në të gjithë territorin e vendit. Ky kalim historik i përgjegjësisë është një dëshmi e madhe, jo vetëm e suksesit të operacionit të ndërhyrjes dhe të sakrificës, që NATO ka bërë në Afganistan, por është edhe një arritje e madhe e misionit të lirisë dhe të paqes, që NATO përfaqëson në botën e sotme.

Në fund të vitit 2014 forcat e NATO-s do të largohen përfundimisht nga Afganistani, gjë që shënon finalen e realizimit të misionit të tyre. Por NATO dhe faktori ndërkombëtar perëndimor nuk mund ta quajnë të kryer këtë mision historik, nëse nuk kërkohet të gjendet dhe të sigurohet mekanizmi i garancisë së paqes dhe të stabilitetit në atë vend të shkatërruara nga luftërat e brendshme dhe të mbushur me fraksione dhe komunitete të shumta etnike dhe fetare, pashtunë, taxhikë, uzbekë, hazara etj., të cilat prej vitesh e dekadash vriten egërsisht me njëri- tjetrin se kush do të qeverisë vendin. Bisedimet e paqes, që diplomacia amerikane do të zhvillojë me talebanët e Mullah Omarit, nuk është një "exit strategy" nga një luftë e gjatë e SHBA dhe e NATO-s në qendër të Azisë. Nuk ka ngjashmëri as me situatën dhe as me kuadrin politik, ushtarak e diplomatik, në të cilat u zhvilluan në vitin 1968 në Paris bisedimet e paqes mes SHBA dhe Vietnamit, për t'i dhënë fund luftës në Vietnam. "Exit strategy" do të ishte, nëse SHBA dhe NATO do ta braktisnin Afganistanin në mëshirën e fatit të vet të hidhur dhe të përplasjeve dhe të përçarjeve të egra etnike, që kanë njohur gjithmonë vetëm gjuhën e luftës. Në bisedimet diplomatike për Vietnamin ishte kërkesa për paqen e amerikanëve, ndërsa në bisedimet e tanishme diplomatike për Afganistanin është kërkesa për paqen e afganëve.

Diplomacia e SHBA po përpiqet të ndërtojë rrugën e paqes dhe të pajtimit, që shteti i largët aziatik të shndërrohet në një vend normal dhe të qetë, ku palët kundërshtare, etnike, fetare dhe politike, të bashkëjetojnë në paqe, dhe në vend të gjuhës së armëve dhe gjakderdhjes, të gjejnë dhe të ruajnë së bashku qetësinë dhe sigurinë. Diplomacia amerikane riprovon se për hir të paqes duhet biseduar dhe ky objektiv i madh duhet të mos pengohet nga përvojat e hidhura dhe libri i gjakut, që kanë mes tyre palët që ulen në tavolinat e bisedimeve. Madje libri i gjakut e bën më të nevojshme tavolinën e bisedimeve.

Diplomacia amerikane ndjek rrugën realiste, që bisedimet duhet të zhvillohen me faktorët që kanë në dorë çelësat e destabilizimit dhe të stabilizimit të vendit. Bisedimet zhvillohen me faktorët kryesorë dhe vendimmarrës të procesit ndërtues dhe ekuilibrues të një shteti, pavarësisht nga opinioni, që është krijuar në planin moral apo ideologjik nga përvoja negative dhe e hidhur e marrëdhënieve me karakteret dhe me veprimtaritë e këtyre fraksioneve apo fiseve apo bajraktarëve të luftës. Dihet se kush janë talebanët dhe kush është Mullah Omari. Por çështja themelore është se ata janë faktor i rëndësishëm i skakierës politike, shtetërore e strategjike në Afganistan. Ata nuk mund të përjashtohen nga plani i madh perëndimor për të vendosur paqen dhe stabilitetin në Afganistan. Ata janë një faktor i rëndësishëm politik dhe ushtarak dhe kanë qenë të tillë që në kohën e kundërshtimit të agresionit të Moskës kundër popullit afgan në vitin 1979. Kanë qenë të tillë edhe gjatë periudhës së ndërhyrjes së NATO-s në Afganistan nga viti 2001 e deri tani. Siç shkruante gazeta amerikane "Nju Jork Tajms" në 22 qershor, nga pala amerikane prej kohësh është pranuar se grupi konservator "Pashtun", që përfaqësojnë talebanët, nuk mund të shkatërrohet ushtarakisht dhe prandaj çështja duhet të rregullohet politikisht. Por edhe talebanët e dinë tashmë nga përvoja e gjatë se ata nuk mund ta qeverisin të vetëm vendin, pa marrëveshje me palët e tjera afgane. Diplomacia amerikane prej kohësh ka këshilluar vendosjen e dialogut të drejtpërdrejtë mes qeverisë afgane dhe talebanëve, për të biseduar për paqen dhe për të qenë pjesë e procesit dhe e një marrëveshjeje politike të rregullimit të situatës kombëtare dhe të pajtimit kombëtar në shtetin afgan.

Mund të numërohen disa faktorë, që mund ta kenë nxitur diplomacinë amerikane të ndërmarrë nismën për t'u ulur në tavolinën e bisedimeve me talebanët.
Së pari, nevoja për t'i dhënë fund luftës nëpërmjet rregullimit politik të vendit dhe gjetja e dialogut dhe e rrugës së bisedimeve mes palëve ndërluftuese afgane për të qetësuar, ndërtuar dhe drejtuar shtetin e tyre. Plani i NATO-s për largimin e forcave nga Afganistani në fund të vitit 2014 kërkon garancitë e paqes dhe të një marrëveshjeje të brendshme.

Së dyti, likuidimi i kreut të "Al Kaedas", Osama Bin Laden, që kishte për 11 vjet mbështetjen dhe strehimin tek talebanët dhe i cili ishte ndër motivet kryesore të ndërhyrjes ushtarake ndërkombëtare në atë vend, ka krijuar një situatë tjetër në planin e sigurisë dhe të raporteve me terrorizmin ndërkombëtar. Shkatërrimi i udhëheqjes së organizatës terroriste "Al Kaeda", ka sugjeruar gjetjen e rrugës së bisedimeve për të mos lejuar talebanët të ringrenë një valë të re dhe një bazë të re mbështetëse të terrorizmit ndërkombëtar. Një nga kushtet e vendosura nga diplomacia amerikane para nisjes së bisedimeve ka qenë heqja dorë e talebanëve nga veprimtaria e mbështetjes së terrorizmit ndërkombëtar.

Së treti, stabiliteti i Afganistanit po bëhet gjithnjë e më dukshëm i lidhur me stabilitetin e Pakistanit, një shtet aleat i Perëndimit, dhe ku veprimtaria e talebanëve ka qenë dhe mbetet një burim i madh pastabiliteti. Qetësimi i Afganistanit dhe i talebanëve, dhe gjetja e një zgjidhjeje nëpërmjet bisedimeve brenda shtetit afgan, do të krijonte kushtet për një stabilitet më të madh në Pakistan e në rajon.

Është e kuptueshme se detyra e diplomacisë amerikane për t'u ulur në një tavolinë bisedimesh me talebanët është jashtëzakonisht e vështirë dhe plot të papritura. Presidenti Barak Obama e nënvizoi këtë rrethanë në datën 19 qershor, ku deklaroi në Berlin se "ata kanë luftuar për një kohë shumë të gjatë, ka një mosbesim të jashtëzakonshëm. Ne ende besojmë që duhet të kemi një rrugë paralele politike për të kërkuar perspektivën e një lloj ripajtimi global". Diplomacia amerikane është e ndërgjegjshme për misionin e pamundur që ka marrë mbi supe, por ajo ka pasur gjithmonë kapacitetin dhe largpamësinë e rrallë të kërkojë dhe të gjejë çelësin e suksesit të misionit të paqes dhe të pajtimit në tavolinën e bisedimeve. Është një model i madh diplomacie, që Amerika u jep shteteve nga Azia e deri në Europë, sepse paragjykimet për të refuzuar urët e bisedimeve dhe dialogun e paqes, janë një element qendror në metodën e drejtimit të udhëheqjeve të shumë shteteve, të cilët vuajnë nga sindromat e pashërueshme të armikut të përjetshëm e të papajtueshëm. Kemi shembuj në Rusi, ku Kremlini ka dështuar të përdorë diplomacinë dhe të ulet në tavolinën e bisedimeve me përfaqësuesit e luftëtarëve për liri dhe pavarësi të popullit çeçen, dështim që ka shkaktuar të derdhet aq gjak i pafajshëm. Kemi shembuj në Ballkan, ku udhëheqësit e Serbisë nuk guxonin t'i jepnin dorën udhëheqësve të Kosovës dhe ende sot nuk guxojnë të ulen në tavolinë pa ndërmjetësim ndërkombëtar, si përfaqësues të dy shteteve të pavarur njëri me tjetrin. Por kemi shembuj edhe nga shteti shqiptar, ku Kryeministri i Shqipërisë ka shtatë-tetë vjet që nuk i takon dhe nuk i jep dorën asnjë ambasadori iranian të akredituar në Tiranë dhe shpall me emocion alogjik personal një luftë diplomatike singulare kundër një shteti, që nuk i ka bërë asnjë të keqe Shqipërisë. Dhe sa paradoksale është kjo diplomaci majekrahi duket nga fakti se vetë SHBA kanë zhvilluar dhe pritet të zhvillojnë përsëri bisedime diplomatike edhe me presidentin e ri iranian.

Diplomacia është arti i bisedimeve me mikun dhe me armikun. Është mësim që vjen nga koha kur janë krijuar perandoritë dhe shtetet. Është një mësim, që e kuptojnë mirë shtetet dhe udhëheqësit që shohin përpara. Amerika vazhdon si gjithnjë të jetë prekursore dhe model për të gjithë.


SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
FLETËSHËNIM NGA SIRIANga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times (06.23.2013)
RËNDËSIA E VOTËS – 23 QERSHOR, 2013Nga FRANK SHKRELI (06.21.2013)
SALI BERISHËN NUK E SHPËTOJNË DOT RRUGËT DHE TUNELETNga MENTOR KIKIA (06.20.2013)
Barometri diplomatikNË BALLKAN EKZISTON VETËM SHQIPËRIA ETNIKE E COPËTUAR NGA FQINJTË E SAJ SLLAVË, JO "SHQIPËRIA E MADHE", JO!!!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (06.20.2013)
PËRPARA DREJT FITORESNga RESHAT KRIPA (06.19.2013)
Gjaku, rrënjët dhe trualliA JANË SHQIPTARËT RRËNJËSHKULUR?Nga GANI MEHMETAJ (06.19.2013)
100-VJETORI I INAUGURIMIT TË PRESIDENTIT WOODROW WILSON"Një zë do të kem në Konferencën e Paqës dhe atë zë do ta përdor në mbrojtje të Shqipërisë." Presidenti Woodrow WilsonNga FRANK SHKRELI (06.19.2013)
SHQIPTARËT NUK KANË PROBLEME FETARE!..Nga LEBIT MURTISHI (06.18.2013)
NJË INTRIGË ENERGJITIKE: GREQI-RUSI-BENga SHABAN MURATI (06.17.2013)
A ËSHTË 23 QERSHORI ZGJIDHJA?Nga SKËNDER BUÇPAPAJ (06.16.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]