E Enjte, 10.17.2019, 06:16pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
ISMAIL KADARE: RACIZMI I TËRTHORTË ËSHTË PO AQ I KEQ SA AI I MIRËFILLTË
E Premte, 03.12.2010, 06:29pm (GMT+1)

 

 

Shenim

Këto dy letra të dërguara dje pasdite drejtorëve të gazetës Shekulli në Shqipëri dhe gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung në Gjermani, janë dy reagime të shkruara nga shkrimtari ynë i njohur Ismail Kadare, në përgjigje të dy artikujve të botuara në këto media në datat 8 dhe 9 mars. I pari (artikulli në FAZ) është shkruar nga Michael Martens, i dyti (në Shekulli) ku citohet artikulli i FAZ, është shkruar nga Ardian Klosi.


Zoti Drejtor,


Reagim dërguar gazetës «Frankfurter Allgemeine Zeitung"

 

Lexova me një habi të madhe një shkrim të botuar në gazetën tuaj, më 8 mars 2010, shkruar prej gazetarit Michael Martens. Si shkrimtar jam mësuar të mos habitem lehtë nga keqkuptimet, moskuptimet, madje dhe nga dezinformimet e shtypit. Çdo njeri publik e di se kjo është e pashmangshme. Ndërkohë, vendosa t'ju dërgoj reagimin tim për këtë artikull, për arsye se e çmoj gazetën tuaj, dhe sinqerisht më ka ardhur shumë keq që një dezinformim tepër i rëndë dhe dëmtues për mua si shkrimtar është botuar pikërisht tek ju. Në shkrimin ku Z. Martens flet për historinë e botimit në Shqipëri të një libri për Skënderbeun prej autorit zviceran, Oliver Schmitt, duke përmendur debatin që ky libër shkaktoi, shkruan midis të tjerash se «Botimi i librit shpërtheu një furi nacionaliste ku luajtën një rol të palavdishëm kryeministri Sali Berisha dhe shkrimtari Ismail Kadare». Nuk është nevoja të zgjatem për të thënë se akuza është tepër rëndë dhe diskredituese për një shkrimtar, sidomos në kontekstin ballkanik. Dihet botërisht se shkrimtarët nxitës fushatash nacionaliste në Ballkan janë akuzuar me të drejtë, si nxitës të krimeve dhe të tragjedisë në konfliktin e fundit. Ndër ta, siç mund ta dini, bënte pjesë poeti famëkeq Karaxhiç, që sot ndodhet në Hagë. Zoti Martens mund të ketë çdo lloj opinioni për mua dhe veprën time, por ai nuk ka të drejtë të botojë një trillim të tillë në një nga gazetat më të mëdha të Europës. Unë nuk kam nxitur kurrë në jetën time asnjë fushatë nacionaliste dhe aq më pak shoqëruar nga ndonjë kryeministër a president i çfarëdo regjimi qoftë. Dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme. Kam botuar në Gjermani më shumë se pesëmbëdhjetë libra dhe kam dhënë me dhjetëra intervista, në të cilat mund të vërtetohet e kundërta e asaj që thotë z. Martens. Është e vërtetë se në Shqipëri u ngrit një furtunë e vërtetë kundër librit të Schmitt-it, por të thuash se atë e nxiti shkrimtari I.K., është një trillim i pastër. Teza kryesore e z. Schmitt që shkaktoi acarim, ishte motivi i kryengritjes 25-vjeçare të liderit shqiptar. Sipas mendimit të historianit zviceran, motivi i aksionit nuk ishte idea e lirisë, por thjesht një gjakmarrje vetjake e Skënderbeut. Në një nga ndërhyrjet e rralla të mija, e kam cilësuar këtë si fyerje jo vetëm për personazhin, por edhe për popullin shqiptar, si popull për të cilin ide të tilla të epërme si liria janë, sipas Schmitt-it, të panjohura.
I përmbahem këtij mendimi, madje dua të shtoj se në këtë këmbëngulje të historianit gjej një fije të tërthortë racizmi. Sa për mohimin e karakterit europian të aksionit të Skënderbeut, jo vetëm është një trillim i pastër, por desha të shtoj se jam kritikuar shpesh për të kundërtën, për theksim të përmasës europiane të heroit. Lidhur me tezën e Schmitt-it dhe të ndjekësve të tij, se aureolën e Skënderbeut si dhe të Rilindjes shqiptare e ngriti sidomos regjimi komunist, ky është jo vetëm trillim, por një kthim kokëposhtë i së vërtetës. As Skënderbeu e as Rilindja shqiptare, pjellë e iluminizmit europian, nuk kishin asgjë të përbashkët me komunizmin. Sa për tezën e përkatësisë etnike të Skënderbeut, me atë është abuzuar vërtet, por kanë qenë pikërisht rrethet nacionaliste jo shqiptare, që e kanë bërë një gjë të tillë, sidomos kundër pavarësisë së Kosovës. Ajo përdoret ende sot, siç e tregon deklarimi i Heinz-Christian Strache, kryetar i FPÖ (Freiheiliche Partei Osterreischs) më 23 shkurt 2008: "Kosova është një rajon i stërlashtë serb. Veç kësaj, kryeheroi i shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeu, është në të vërtetë një serb, me nënë serbe dhe baba serb".
( ... ein Serbe mit einer serbischen Mutter und einem serbischem Vater). Një përdorim i pastër politik, veç jo në favor të shqiptarëve, por kundër tyre.

 

Me bindjen se do ta botoni këtë letër,

 

Ismail Kadare

******************************

2


Reagim dërguar gazetës «Shekulli»
Zoti drejtor,


Në gazetën tuaj të datës 9 mars lexova, jo pa habi, një shkrim të një gazetari gjerman me emrin Michael Martens, për çështjen e botimit kohë më parë të librit të historianit Schmitt në Shqipëri.


Në këtë shkrim, ku ka mjaft gjëra të pavërteta, për të mos përdorur fjalën «mashtrim», akuza më e rëndë është rezervuar kundër meje. Gazetari, ndër të tjera, shkruan se «botimi i librit shpërtheu një furi nacionaliste, ku luajtën një rol të palavdishëm kryeministri Sali Berisha dhe shkrimtari Ismail Kadare». E cilësova akuzën tepër të rëndë sepse, përveç që në universin gjermanik cilësimi « nacionalist » i afrohet shumë atij të fashistit, në rastin e përdorimit për një shkrimtar ballkanas, në kontekstin ballkanas, rëndohet edhe më fort. Dihet botërisht se shkrimtarët e akuzuar për nxitës të nacionalizmit në Ballkan, janë akuzuar gjithashtu, me të drejtë, si përgjegjës për krimet dhe tragjedinë në konfliktin e fundit. Radovan Karaxhiç, që sot ndodhet në Hagë, ka qenë ndër të tjera, një poet! Nuk e di në qoftë se gazeta juaj më konsideron të tillë. Në rast se po, atëherë ky botim kaq i ngutshëm është në logjikën e gjërave. Në rast të kundërt është vërtet e habitshme çfarë ju ka shtyrë të mos e respektoni ligjin numër një të gazetarisë: verifikimin e fakteve. Ju keni botuar një trillim fund e krye. Më e pabesueshmja është se ju keni botuar trillimin e një gazetari gjerman, të panjohur për ju, kundër shkrimtarit shqiptar, që s'mund të pretendoni se nuk e njihni. Unë nuk impresionohem nga të tillët. Një mashtrues gjerman është për mua thjesht një mashtrues, po aq sa ç'mund të jetë mashtruesi shqiptar apo mongol. Ju jeni në mes të Tiranës dhe ju e dini se nuk kam udhëhequr kurrfarë fushate nacionaliste të lavdishme apo të palavdishme, për arsyen e thjeshtë se, për të mbrojtur Gjergj Kastriotin, lavdi Zotit, gjer më sot nuk ka pasur dhe shpresoj se nuk do të ketë kurrë nevojë për fushatë të udhëhequr nga dikush. Ju besoj, jeni në dijeni se libri i historianit zviceran nuk u kritikua për vogëlsira, por në radhë të parë për tezën negacioniste, që këmbëngul se motivi i Gjergj Kastriotit për kryengritjen kundër osmanëve ka qenë gjakmarrja vetjake. Si rrjedhojë e kësaj teze të tërthortë raciste, populli shqiptar ka zgjedhur për model të tij një gjakmarrës, dhe jo një vizionar të lirisë, siç kemi kujtuar të gjithë gjer më sot, ngaqë idenë e kësaj të fundit ky popull, me sa duket, nuk e njeh.


Ky ka qenë thelbi i reagimit, të cilin autori dhe përkthyesi i tij tepër i zellshëm nuk e kuptojnë, ose bëjnë sikur.

 

Me bindjen se do ta botoni këtë letër,
Ismail Kadare

Ismail Kadare


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SHQIPTARË KUDO QË JENI MBËSHTETENI DIOGUARDIN TË ZGJIDHET SENATOR I SHBA !Nga ELIDA BUÇPAPAJ (03.11.2010)
FESTAT KOMBËTARE I BASHKUAN NXËNËSIT E SHKOLLËS SHQIPE TË KANTONIT VAUD (Fotoreportazh)Nga ISNI IDRIZIFotot LUL IMERI (03.10.2010)
POETI MES TË VRARËVE TË TIJ (Poezi mbi lëkurën e jetës)Nga VISAR ZHITI (03.09.2010)
ARABIA: INSHALLAH, OBAMANga MAUREEN DOWD, New York Times (03.07.2010)
EPOPEJA E JASHARAJVE (Dossier) (03.06.2010)
"CHRISTIAN SCIENCE MONITOR": GJYKIMI I KARAXHIQIT: A DO TË VENDOSET DREJTËSIA? (03.05.2010)
FISNIKËRIA E UDHËHEQJES OSE FISNIKËRIA - KY VIRTYT I MUNGUAR NË SHQIPËRINga SHEFQET MEKO, Minneapolis, SHBA (03.04.2010)
BOSNJA DHE SERBIA LUFTOJNË PËR EKSTRADIMIN E GANIQITnga Radio Evropa e Lirë (03.04.2010)
RUSËT E SHOHIN SHBA NDRYSHENga KEVIN O'FLYNN (03.04.2010)
NJË BOTË PA ARMË BËRTHAMORE - STRATEGJIA E RE BËRTHAMORE E PRESIDENTIT OBAMA (03.03.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2019  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]