VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Me rastin e 75 vjetorit të lindjes së poetit të varur në litar nga diktatura komuniste

                                                                                      

E Djelë, 04.28.2024, 03:18pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
PERSONAZH
 
Me rastin e 75 vjetorit të lindjes së poetit të varur në litar nga diktatura komuniste
E Martë, 02.24.2009, 08:30am (GMT+1)

POEZIA POLITIKE E HAVZI NELËS

Shefqet HOXHA

 

I.- Më 24 shkurt është 75-vjetori i lindjes së poetit martir Havzi Nela, varur nga diktatura, më 10 gusht 1988, në një shesh të qytetit të Kukësit, pasi qe dënuar dy herë me 23 vjet burg, dhe më pas me 5 vjet internim. Ai na la jo vetëm mësimet se si duhet përbuzur diktatura dhe çmuar liria, por edhe një vepër poetike të gjerë me mbi 5000 vargje të shënuar në shtatë fletore shkollore, të cilat mezi i shpëtuan censurës së burgjeve dhe u ruajtën me kujdes nga vëllezërit e tij.

Opusi letrar i Havzi Nelës, i botuar pjesërisht, përbëhet nga vjersha të shkurtra dhe të gjata dhe nga tri poema të titulluara nga autori: Fluturon shqiponj'e malit, Mujo Ulqinaku dhe Kosova Republikë.

Vjershat e shkurtra dhe të gjata (poemthe) janë lirika të mirëfillta dashurie, të natyrës, të familjes, moralizuese, patriotike dhe politike. Një klasifikim i tillë është relativ, sepse një ndarje me thikë nuk mund të bëhet.

Poezitë politike përbëjnë shumicën ndër vjershat e shkurtra, por me frymë politike janë edhe shumë këngë apo strofa të poemave të autorit.

Në këte syzim unë kam lnorë disa lirika të Havzi Nelës, jo të gjitha, sepse edhe këto mjaftojnë për të zbuluar tematikën dhe karakteristikat që bart lirika politike e tij: gjendjen e rëndë ekonomike dhe morale të popullit nën diktaturë, urrejtjen përregjimin komunist dhe udhëheqësit e tij, dashurinë për liri, besimin në të ardhmen: "po e pres lirinë si zogu pranverën" - ka shkruar ai në poezinë "Në qelitë e burgut". Por Havzi Nela nuk e mbërriti ditën e lirisë së vërtetë, u vra në ag të saj.

II.- DISA NGA LIRIKAT POLITIKE

TË HAVZI NELËS

1.- Revolucionari (fl.1, f.8-9), poezi me 8 strofa katërshe (32 vargje), vargu tetërrokësh, rimë e alternuar (abab).

Në fund shënohet: Rrëshen, tetor 1979, në mendje pa laps.

2.- Eni t'vajtojmë Shqipnin (fl.1, f.9-11), poezi me strofa shumëfarësh: 14+14+8+10+10+10+4+12+4+14 (100 vargje), vargu 12-rrokësh, rimë e puthur (aabb).

Në fund shënohet: Burrel, shkurt 1977.

3.- Ma mirë le t'i mbylli sytë! (fl.1, f.11-12), poezi me 4 strofa katërshe (16 vargje), vargu tetërrokësh, rimë e alternuar (abab).

Në fund shënohet: Burrel, 1977.

4.- E randë qenka shtypja, o shokë! (fl.1, f.12), poezi me 7 strofa katërshe (28 vargje), vargu 10 rrokësh, rimë e alternuar (abab).

Në fund shënohet: Burrel, 1977.

5.- Luftë klasash, diktaturë (fl.1, f. 13-14), poezi me 18 strofa katërshe (72 vargje), vargu 9-rrokësh, rimë e alternuar (abab).

Nuk shënohet vendi dhe viti i krijimit.

6.- Sihariq, shokë, sihariq (fl. 1, f. 15-17), poezi me 22 strofa katërshe (88 vargje), vargu 8-rrokësh, rimë e alternuar (abab).

Në fund shënohet: dhjetor 1981 - janar 1982 (Ballsh).

7.- Po, o nanë, po (fl. 1, f. 17-18), poezi me 10 strofa katërshe (40 vargje), vargu i çrregullt, ma shumë 4-rrokësh, rimë e alternuar (abab).

Në fund shënohet: Rrëshen, në birucë, pa laps, pa letër.

8.- Konferenca Helsinkit (fl.1, f. 19-21), poezi me 15 strofakatërshe dhe dy strova 6-she (72 vargje), vargu 8-rrokësh), rimë e puthur (aabb).

Në fund shënohet: "Kjo poemë që unë e ruej akoma në mendje, mendoj se asht ma e mira nga këto që kam krijue në burg dhe që i ve vulën periudhës 40-vjeçare në Shqipni. Ka mbrendë epikë dhe lirikë, por ma tepër përmban gjendjen e mjerueme të popullit shqiptar dhe terrorin e egër që ushtrohet mbi te dhe demaskimin e hapur që i bahet sistemit politik të kohës nëpërmjet demaskimit që u bahet udhëheqësve të sotëm shqiptarë; të atyre që vdiqën dhe atyre që janë gjallë. Shtylla qendrore e urrejtjes dhe e demaskimit tim qëndron Hoxha (nënvizimi imi - Sh. H.)

I lutem atij që do të mund t'ia dorëzoj dhe që nuk e di se kujt mund t'ia dorëzoj, të m'i ruej me shumë kujdes dhe asnjiherë të mos i mbajë pranë vetes.

(Qafë-Bar, me 5 shkurt 1983)

9.- Shekulli njizet (fl.1, f. 22-23), poezi me 12 strofa katërshe (48 vargje), vargu 8-rrokësh, rima e alternuar (abab).

Në fund shënohet: Rrëshen 1975 në birucë (krijue në mendje)

10.- Tirani ynë (fl. 1, f. 23-24), poezi me 8 strofa katërshe (32 vargje), vargu 8-rrokësh, rima e alternuar (abab).

Në fund shënohet: Rrëshen 1975 (me mend dhe në mendje).

Shënim (i autorit): "Të gjitha këto që shkrova deri këtu me vjet të tana kanë qëndrue në tru dhe duke i përsëritë me vetveten, me kokë nën jorgan, ose në vende ku isha ma i vetmuem, kam mundë me i ruejtë në kujtesë. Gati gjysma janë krijue me mend, pa përdorë laps dhe janë rimue me anë të gishtave. Këto janë sidomos ato që janë krijue në biruca të Rrëshenit, kur u arrestuesh për së dyti dhe disa të tjera në Burrel. Kuptohet vetvetiu që këto që janë krijue pa laps e pa fletore, çalojnë edhe nga ana metrike, lënie anën tjetër artistike.

Në këto ditë që mora guximin t'i hedh në letër, sigurisht jam nxitue dhe për ma tepër duke hedhë sytë sa majtas-djathtasse mos kam tërheqë vëmendjen e shokëve që i kam fare pranë. Në këtë punë jam nisë ma tepër t'i hedh si material bruto dhe nuk kam pasë parasysh as anën gjuhësore. Gjuhën letrare nuk e kam zbatue, herë tosknisht e ma shumë gegnisht; nuk kam pasë parasysh as anën ortografike dhe shenjat e pikësimit etj. Shkurt, due që ta shpëtoj si material, se do të përpiqem, po munda, me i nxjerrë jashtë, se u lodha së mbajturi në mendje. Gjithashtu dhe titulli dhe ndamja në pjesë asht ba jo ashtu si mendoj unë të bahen. Këto punë ia la të ardhmes, po qe se dal vetë i gjallë prej këtu. Kam në kokë dhe nji poezi tjetër të gjatë me mbi 1000 vargje me titull.

"Nga nji vorr n'zemër t'malsisë

Lëshohet kushtrimi i lirisë".

11.- Të gjithë popujt, kombet mbarë (nuk ka titull, me këtë varg nis poezia), në fl. 1, f. 25-28. Poezi me 25 strofa (4-she, 5-she, 6-she), 114 vargje, rima e puthur (aabb).

Në fund shënohet: Rrëshen, 1975, krijue në mendje.

12.- Biruca (fl. 1, f. 28-29), poezi me 8 strofa katërshe (32 vargje), vargu 8 rrokësh, rima e alternuar (abab).

Në fund shënohet: Rrëshen, 1975 (në mendje)

13.- Fryma e Helsinkut (fl. 1, f. 29), poezi me 2 strofa katërshe (8 vargje), vargu 12 rrokësh, rima e puthur (aabb).

14.- Fjala e poetit (fl. 1, f. 30), poezi me 4 strofa katërshe (16 vargje), vargu 12-rrokësh, rima e puthur (aabb).

Në fund shënohet: Ballsh, nandor 1981.

15.- Politikë, o politikë (fl. 5, f. 42-43), poezi me 5 strofa katërshe (20 vargje), vargu 8-rrokësh, rima e puthur (aabb).

Në fund shënohet: Burrel 1979.

16.- O liri, o vdekje (fl. 7), poezi me 5 strofa 4-she (20 vargje), vargu 11-rrokësh, rima e alternuar (abab).

Në fund shënohet: Arrën, nandor 1987.

17.- Nuse më dhanë robninë (f. 7), poezi me 5 strofa 4-she (2 vargje), vargu 12 rrokësh, rima e alternuar (abab). Në fund: Arrën, tetor 1987.

18.- Arrnit me arrna (fl. 7), poezi me 9 strofa 4-she (36 vargje), vargu 12-rrokësh, rima e alternuar (abab).

Në fund shënohet: Arrën, tetor 1987.

Vjershat e shkruara në Arrën janë katër. Për këto ka shkruar poeti: "Këto 4 vjersha i kam nxjerrë gjatë ditës në punë dhe tue ecë rrugës, pa përdorë laps e letër dhe tue i hartue e mësue përmendësh. Dje, me datë 17 nëntor, mora letër nga Verja (mbesë e tij - Sh.H.) dhe më thanë se këto ditë do të vijnë në takim dhe shpresonte të vinte Verja vetë. Prandaj unë sonte nën dritën e zjarrit i nxora nga mendja dhe i hodha në letër për me ia dhanë Verjes në dorë po erdhi vetë. I kam shkrue me zor, pa dritë e nëpër tym" (Arrën, 18 nëntor 1987).

III.- TEMATIKAT

1.- Revolucionari. Për të dhënë portretin e një njeriu që t'keqes urë s'i bahet kurrë" poeti ka përdorur krahasime (sikur veton, si qiri, si dragua, si llavë vullkani etj.), epitete (zemërçiltër, bujar, symprehtë, mendjekthjelltë etj.), metafora (mbjell stuhinë, kumbonë kushtrimi), dyzime emrash e mbiemrash (afsh e hov, trishtim e tmerr, shkumë e valë; zemërçiltër e bujar, sympreht'e mendjekthjelltë, etj.).

2.- Ndër vjershat më të bukura të opusit poetik të H. Nelës është elegjia "Eni të vajtojmë Shqipninë". Ashtu si dikur P. Vaso qante për Shqipërinë nën sundimin osman, poeti H. Nela në mënyrë mjeshtërore e portretizon atë nën sundimin komunist: të vuajtur, me bark bosh, me shpirt ndër dhëmbë, rrethuar me tela e ferra, lidhur me zinxhirë, çnderuar nga epshori e horri, mbjellë me pabesi, me njerëz mbyllagojas, të mbytur në thashethëna e intriga; n'ara, kantjere, n'llogore dit'e natë, shihen shqiptarët si me dalë prej dheut, ndërsa u premtojnë parajsën, "kur digjemi në ferr" - thotë poeti. Shkak për këte gjendje të rëndë të Shqipnisë nën regjimin komunist të kohës janë - simbas poetit - "banditët e vendit", "neronët e kohës", "zuzarët", prandaj thirrjet e tij janë:

"S'ka pse na tremb burgu, plumbi as litari", dhe:

"Jo, or, jo, nuk durohen sarhoshët e marrë,

Banditët e vendit t'i shporrim sa ma parë!

Selinë e përgjakun ta bajnë rrafsh me tokë,

Ngrehuni, o vllazën, ngrehuni, o shokë!"

Në fund të poezisë poeti ndjell paqën midis popujve ballkanikë e europjanë.

3.- Ma mirë le t'i mbylli sytë! Në këte poezi H. Nela shpreh urrejtjen e tij ndaj qeveritarëve harbutë, të ligjë, zagarë dhe përfundon "më mirë është vdekja me nder, se me më shkelë nji derr beterr".

4.- Në poezinë "E randë qenka shtypja, o shokë!" stigmatizohet shtypja dhe mungesa e lirisë së individit, i cili - sipas poetit - ka mall "të shprehë at' që ndjen, të thotë at' që di,/ të eci lirisht pa korbat në kokë//.

5.- Bëmat e diktaturës dyzetepesëvjeçare mbi popullin shqiptar i numëron poeti në poezinë e bukur "Luftë klasash, diktaturë" (Luftë klasash, diktaturë,/ në çdo ball' e në çdo mur// - thotë ai. E cilat janë këto bëma? Mungesa e lirisë dhe e paqës, ndasitë në familje e në shoqëri, spiunimet, vrasjet e varjet, burgosjet, vajzat mbetur pa martuar, të vrarët mbetur pa varre: "Kërkojnë vorret, vorre s'ka,/pyesin hanën a i ka pa,/ pyesin lisat ku kanë hy, /toka nanë i fshehu n'gji//.

6.- Sihariq, shokë, sihariq është nji sarkazmë e fuqishme ndaj regjimit dhe udhëheqjes së Partisë së Punës, shkruar në ditët kur u vetëvra apo u vra numri dy i diktaturës, Mehmet Shehu. Mbi këte figurë të urryer H. Nela monton epitetet ma përçmuese: mizor, tradhtar, hale, zemërgur, spec i ndytë etj. Vargjete kësaj sarkazme janë të vetëvetishme, sepse - na thotë poeti - "pa çati mbeti tirania", e cila jo pak, por "dyzetë vjet gërshanët n'dorë,/ dyzet vjet krasit e korr,/ mbjellë në gjak, vërshoi ligësia,/ vërshoi llumi e batërdia//.

Për këte mizor, pjellë e diktaturës, ka shkruar edhe Mustafa Kruja. Ai, si poeti Nela, e ka quajtur barbar, por poezia e Nelës asht portretizimi ma i plotë dhe i saktë i atij që "shpirtin ia kish shitur djallit".

7.- Poezia "Po, o nanë, po" është një ballafaqje midis poetit e diktaturës, midis tij e nënës, midis jetës e vështirësive të saj. Është viti 1975 kur poeti arrestohet përsëri dhe ndryhet në birucat e Rrëshenit. E çuan atje me gazin 69, "nji kuçedër n'Shqipnin' e re". Por, ky malësor që ish larguar nëntë vjeç prej shtëpie, që tri ditë bashkë s'i kish bërë në vatër me nënën, i zotohet asaj:

"Djali yt s'ka me t'turpnue

gjinin tand s'do ta tradhtojë

Shqiptar i ndershëm ka me qëndrue

Po prehnin tand do ta kërkojë".

8.- Poezia "Konferenca e Helsinkut" dëshmon se poeti Havzi Nela dëshëronte të harrohen mëllefet dhe të lihen mënjanë grindjet, sharjet, armiqësitë e brendshme dhe të jashtme, të stimulohen paqa dhe miqësia midis popujve, të vendoset liria e vërtetë. Dhe këto ia yshtte poetit Konferenca e Helsinkut. Thirrja e poetit ishte: T'çelim dyer e dritare,/ mos të rrimë n'frengji për marre,/ t'merremi ngrykë si miq të rinj/, me buzë n'gaz, me dashuri!"

9.- Shekulli njizet është nji poezi ballafaquese midis botës përreth e Shqipërisë. Ndërsa bota - shkruan poeti - "kufijt po i sheshon" dhe njeriu i parë zbriti në hanë, në shekullin njëzetë në Shqipëri kufijtë janë të rrethuar me tela me gjemba e klone, stacionet e huaja nuk lejohet të ndëgjohen, perdja e hekurt është dhjetëfishue dhe njerëzit janë shndërruar në vegla pune". Kjo gjendje e bën poetin të qajë:

"Vështrojmë kafazin e derdhim lotë,

sikur s'jemi ma n'këtë botë!"

10.- Thamë më sipër se me 5 shkurt 1983, Havzi Nela pat shkruar: "Shtylla qendrore e urrejtjes dhe e demaskimit tim qëndron Hoxha". Këte pohim e dëshmon edhe poezia "Tirani ynë" (e formësuar në birucat e Rrëshenit), e cila, bash në kulmin e luftës së klasave (1975), parashikon edhe fundin e diktatorit - tiran: "E sheh të afërt dhe fundin e tij".

Në poezi kemi një paralelizëm midis tiranit tonë (tretë e ligështue) dhe tiranit trumyk të Rusisë, Stalinit, prej të cilit "fshehtas" erdh në Shqipëri vepra e tij, "gjithë kompllote, intriga e dredhi". Na thotë poeti:

"Tirani ynë gjithë karierën e tij

Këte libër nuk e lëshoi prej dore

E tash vet ka ba volume të rinj

Plot me krime e vepra çnjerzore!"

11.- Poezia pa titull "Të gjithë popujt, kombet mbarë" asht e ndarë në tri pjesë: në të parën pohohet se popujt "si gjethe lisi janë të nji fare"; në të dytën, flet për frymën e Konferencës së Helsinkut që po shtrihet nëpër Europë; në të tretën, për Shqipërinë që e ka lënë vendin e saj bosh në Helsinki: "S'po lëshon pe, nuk do me u shtrue,/ me u ul n'tryez'e me u pleqërue//

Pse? Se Shqipëria ka në krye nji be kameleon: "Beu ynë kameleoni,/ faraoni vet Neroni" - thotë poeti Nela.

12.- Në poezinë "Biruca" autori përshkruan mjeshtërisht strehën e të burgosurve, strehën e tij (Rrëshen, 1975): "Nji metër gjanë e dy gjatë,/ katërkandshe si kuti,/ nën tavan tri metër nalt,/ nji dritare sa nji sy//. I burgosuri - na thotë poeti - në birucë sillet, mbështillet si ari, ajër as dritë boll s'ka, ka të ftohtë e ndjen uri, rron si gjarpni nën gur. Dhe përfundon:

"Ah, birucë, birucë e shkretë!

Sa njeriun këtu e shtrove

I ke kalbë me muej e vjet

Këtu, sa burrat ku i çove?"

13.- Ideve të hedhura në Helsinki, poeti i rikthehet përsëri në poezinë "Fryma e Helsinkit" dhe paralajmëron:

"Kështjella feudale tundet e lëkundet

si nji varkë e thyeme mbi valët përkundet;

Tirani mizor me detin sot po mundet

Thellë, gjithnji ma thellë n'mes dallgëve po futet".

14.- Fjala e poetit. Është nëntor Ballshi (1981), natë e gjatë, errësirë e thellë, lëngim gjithkund, qielli mbushë me re, vetin e bubullim, por "thellë deri në palcë të gjithë e ndjejnë stuhinë! - paralajmëron poeti, i cili "vargjet si rrufé mbi tiranët i lëshon". Prandaj vjen urimi: "Të lumtë poet - poet revolucionar! Çaj përmes furtunës, hovin mos e ndal,/ jepi krahë vargut të kapë çdo shteg e mal!//

15.- Në poezinë "Politikë, o politikë", autori satirizon politikën: "bijë putane", "bijë e djallit", "që merr ngjyrën si të dojë"; megjithëse si e tillë - poeti i atribuon asaj fjalët "kështu linda, kurrë nuk vdes!".

16.- O liri, o vdekje është poezia që shpreh më qartë motivin jetësor të Havzi Nelës; "Vdekja për liri nuk më tremb aspak" dhe "Si jeta dhe vdekja duhen meritue" janë vargjet që dëshmojnë se kush ka qenë Havzi Nela: trim, serbes, i vendosur. Ai sakrifikohet për kauzën jetësore të tij. Havzi Nela na thotë se nuk e duron robninë, nuk mund të zvarritet si krimb, të rropatet si kalë e veç të përtypë bukën dhe ta kalojë jetën si skllav i bindur: "Nuk them se jam trim, jo as frikacak;

Thellë n'afshet e shpirtit më grafllon guximi;

Vdekja për liri nuk më tremb aspak,

Si e duron robninë zemra e nji trimi?"

17.- Nuse më dhanë robninë është shkruar kur ende nuk i kishin mbetur poetit dhjetë muaj jetë; ishte konkluzioni jetësor i tij: njëzet vjet burg, i ndjekur këmba-këmbas deri në varr (siç duket e parandjente këte poeti), pa liri, pa familje (më 1985 ai qe divorcuar me të shoqen), mbetur pa fëmijë, larg njerëzve të tij, i përplasur në malet e Arrnit, por, megjithëse ia patën nxirë jetën, mbeti i pathyem.

18.- Poezia "Arrnit me arrna" i kushtohet fshatit ku qe i internuar më së fundi Havzi Nela. Kemi një përshkrim realist, të gjallë të Arrnit me arrna: vend me shkëmbinj, kulla mbi themele të gurta, një copë arë dhe pak misër, (por me mish e bulmet), i vuajtur për bukë e kripë... Dikur - thotë poeti - Arrni paguante xhelepin, por e kish mallin:

"U përmbys e vjetra, erdhën kohë të reja,

Qytetnim e dije u ngjitën mbi maja,

Por mbi malet tua s'pushoi kurrë rrufeja,

Nuk t'u hoqën dertet, e keqja, belaja".

Bagëtinë krejt t'i morën, shekat mbetën bosh,

Çoban i të tjerëve u bane, o arrnor,

T'lanë nji lopë për bishti, gomarin balosh,

S'të mbeti as mali, veç sopata në dorë.

IV.- DISA PËRFUNDIME

1.- Poezia politike e Havzi Nelës është shkruar në burgje ekampe përqendrimi, prandaj sjell me besnikëri gjendjen shpirtërore të tij tamam si të një zogu të mbyllur në kafaz. Është poezi e shkruar në fshehtësi, me kujdesin që të mos diktohej nga njerëzit përreth, përndryshe një varg i opusit poetik të tij do të kishte mjaftuar për t'ia marrë jetën më heret poetit. Dhe për këte mjafton të rilexojmë shënimin që e dhamë sipër: Qafë-Bari, 5 shkurt 1983.

Vërtetë opusi poetik i Havziut, në gjallje të tij, qe i fshehur dhe nuk e kreu si duhet misionin edukues, por ai shpreh haptas, në dritë të diellit, pikëpamjet politike të tij; poeti qe një armik i betuar i sistemit komunist dhe i udhëheqësve të tij, nji përshkrues besnik i gjendjes ekonomike dhe shpirtërore të popullit shqiptar gjatë viteve të diktaturës, një i revoltuar që e burgosën, e internuan, i shkatërruan jetën edhe familjen, e lanë pa trashëgimtarë biologjikë, por jo pa trashëgimtarë të ideve, dhe që i vunë litarin në fyt, sepse ai qe zëri i vërtetë i Lumës dhe i banorëve të saj, por jo vetëm i këtyre.

Dhe po e themi prerasi se për idetë që bart, për forcën shprehëse dhe guximin, opusi poetik i Havzi Nelës nuk ka çift në Shqipëri: asnjë disident tjetër i kohës nuk barabitet me te.

Pyes: Tek cili poet i kohës gjenë vargje të tilla?

-Ka ca ditë e mjaft do kohë

Tirani ynë s'po ndihet mirë...

-U hap lajmi, dheun mori

me dorë t'vet u vra mizori...

Tash, mizor, më thuej ku je?

Fron e pasje kujt ia le?

Sa shumë njerëz pa dhimbë i mbyte

Shpirtin tand djallit ia shite.

Diku-diku nuk është vështirë të dallohen ndikime e huajtje vargjesh e idesh.

Në poezinë e Havziut janë përdorur me shumësi krahasimet, metaforat, përsëritjet e fjalëve, rimat e brendshme etj., çka tregon se ai ka pasur jo vetëm formim artistik, por edhe ndjenjë të hollë dhe dell poetik. Poeti ka përdorur sarkazmën, shpesh edhe groteskun, satirën. Është poet sa lirik, aq edhe epik, i drejtpërdrejtë në paraqitjen e ideve dhe mendimeve të tij.

Si poet disident, ai zë një vend nderi në poezinë e të burgosurve dhe pa krijimtarinë e tij nuk mund të gjykohet as për vlerën njerëzore e vetjake, as për nivelin e qëndresës antikomuniste në krijimtarinë artistike shqiptare të viteve të diktaturës.

Shkurt, 2009


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
U shua Soks, "Macja e Parë" e Familjes Klinton (02.22.2009)
200 Vjetori i Lindjes të Ikonës Abraham Linkoln (02.12.2009)
Një baron dhe njohës i Evropës Juglindore - Ministri i ri i Ekonomisë në Gjermani (02.09.2009)
Franklin Delano Roosevelt, i vetmi President i SHBA-ve i zgjedhur për katër mandate (01.27.2009)
Mishelë Obama, Zonja e re e Parë e Amerikës (01.20.2009)
Martin Luther King vizionari gjenial i paqes (01.17.2009)
Xhulio Anderoti: kam ndonjë sekret shtetëror që do ta marr me vete në parajsë (01.14.2009)
Tina Fey një Primadona e komedisë televizive në SHBA (01.12.2009)
Me rastin e 100 vjetori (01.07.2009)
525 Vjetori i Huldryh Zvinglit, reformatorit të madh zviceran, i treti pas Martin Luterit dhe Kalvinit (01.01.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
Lajme Aktuale

Poetesha që ka zgjedhur Obama

 
VOAL
[Shko lartë]