VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Programi elektoral i Polit të Lirisë

                                                                                      

E Djelë, 04.28.2024, 01:55am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 
Programi elektoral i Polit të Lirisë
E Mërkurë, 06.03.2009, 08:47am (GMT+1)

 

 

Këto zgjedhje që kundërvënë përballë njëri-tjetrit katër koalicione dhe dy parti janë të rëndësishme për fatin e vendit, i cili ndodhet në udhëkryqin ndërmjet së kaluarës dhe tranzicionit nga njëra anë, dhe integrimit në familjen evropiane nga ana tjetër.

Gjatë këtyre viteve Shqipëria ka bërë ndryshime të mëdha në shumë aspekte ashtu si dhe është zvarritur në mjaft të tjera, moszgjidhja e të cilave ka ardhur kryesisht për mungesë të vullnetit politik dhe një sërë dukurish negative, moszgjidhja e të cilave pengon ecjen përpara, rritjen e mirëqenies dhe cilësinë e jetës sonë.

 

Ne jemi mbledhur të gjithë bashkë në "Polin e Lirisë" për të sfiduar ata që prej 10 vjetësh mbajnë peng përparimin e Shqipërisë, për të qenë përfaqësues dhe zëri i atyre që mendojnë ndryshe dhe që dëshirojnë të ndryshojnë Shqipërinë për mirë.

Ne jemi bashkuar për të përfaqësuar atë pjesë të konsiderueshme të shqiptarëve të pakënaqur me kuazi regjimet e tri legjislaturave të fundit, ata të cilët kërkojnë demokraci e liri për individin e familjen, siguri për jetën, siguri për pronën: Shtet të së Drejtës, Të drejtat e njeriut dhe liri ekonomike.

Aleanca "Poli i Lirisë" është krijuar si një bashkim i forcave politike të qendrës së djathtë (PDK, LZHK, PBD, PRD, PRrL dhe PK), si dhe me shoqatat e ish-të dënuarve politikë, të pronarëve dhe të gjithë atyre që përmbysën sistemin komunist në Shqipëri.

Krijimi i kësaj aleance politike parazgjedhore vjen në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe qytetarët e saj, në një moment kur dy forcat politike, që kanë qeverisur Shqipërinë në këto tetëmbëdhjetë vjet, janë më të vjetra se kurrë dhe kur ne të gjithë së bashku duam të ndahemi nga ky cikël shumëvjeçar tranzicioni.

 

Shqipëria ka nevojë për një rigjenerim të thellë politik dhe moral. Shqipëria ka sot probleme serioze me ndërtimin e shtetit të së drejtës, ndërtimin e institucioneve të pavarura, ndërtimin e një administrate shtetërore profesionale, të aftë dhe jopolitike ngritur mbi meritokracinë, ka ende të pazgjidhur çështjen e pronësisë, integrimin dhe dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë, ndërkohë që korrupsioni i lartë dhe krimi i organizuar mbajnë peng progresin e mëtejshëm dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Më 28 qershor dy partitë e mëdha nuk ofrojnë qeverisje për qytetarët, por për liderët, për të emëruarit e tyre në vendet e sigurta të listave. Aleanca "Poli i Lirisë" kërkon t'u japë fund këtyre modeleve politike. Partitë pjesëmarrëse në aleancën "Poli i Lirisë" synojnë të krijojnë një grup parlamentar të qendrës së djathtë, besnik me qytetarët, garant i shtetit ligjor, i stabilitetit, i demokracisë, i mbrojtjes së institucioneve kushtetuese, përfaqësues i denjë i interesave të qytetarëve, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

 

Reformimi i sistemit të Drejtësisë

 

Në këto vite në drejtësinë shqiptare janë vërejtur të meta të shumta, që kërkojnë riparim të menjëhershëm sepse padrejtësia është karakteristika e sistemit tonë të Drejtësisë.

Adoptimi i legjislacionit të BE pra përafrimi i legjislacionit vendas me atë të BE është kushti themelor për integrimin evropian të Shqipërisë dhe anëtarësimin në BE.

 

Ne vërejmë se drejtësia ka ende probleme dhe mangësi, për t'u ngritur drejt standardeve bashkëkohore të një pushteti të pavarur, profesional dhe me integritet të lartë moral. Ne do të ndryshojmë dhe reformojmë disa mekanizma funksionale të pushtetit gjyqësor, për të garantuar drejtësinë dhe rifituar besimin e humbur tek ajo. Në përputhje me detyrimet e MSA dhe vërejtjet e Indeksit të Reformës Gjyqësore, ritmi i reformës në drejtësi duhet të përshpejtohet e fokusohet në këto drejtime:

-Forcimin e përgjegjshmërisë dhe ndershmërisë të pushtetit gjyqësor nëpërmjet rritjes së transparencës për publikun. Garantimin e pavarësisë dhe paanshmërisë reale të pushtetit gjyqësor nga politika, pushtetet e tjera dhe njerëzit e veshur me pushtet politik e shtetëror, nëpërmjet fuqizimit të institucioneve të vetëkontrollit dhe administrimit të gjyqësorit;

- Rritjen e transparencës të gjyqësorit nëpërmjet pjesëmarrjes së publikut në seancat gjyqësore dhe publikimin e plote e të shpejtë të vendimeve gjyqësore;

- Ekzekutimin e brenda afateve ligjore të vendimeve nga përmbarimi;

- Futja me ligj, sipas përvojës perëndimore, e investigimit dhe hetimit, sidomos të çështjeve penale, me prokuror dhe hetues "privat" veprim që do të risi së tepërmi përgjegjësinë e organit të akuzës dhe cilësinë e hetimit dhe gjykimit, duke ulur dhe korrupsionin në sistemin e drejtësisë;

"Poli i Lirisë" vëren se ka mjaftë probleme në ndërtimin e shtetit tonë të së drejtës, në funksionimin e institucioneve dhe në mënjanimin e përplasjeve dhe krizave prandaj mendon, se është e domosdoshme të shqyrtohen bashkërisht dhe qysh në fillim të legjislaturës këto probleme dhe të përcaktohen me ligj kompetencat e tyre,për të rritur bashkëveprimin dhe kontrollin e ndërsjellët. Prandaj këto detyra duhen të jenë pjesë përbërëse dhe pa ndarë në një reformë me ato të drejtësisë (gjykatë e prokurori), që te hartohet e të miratohen së bashku e me konsensus.

Funksionimi shteti të së drejtës kushtëzohet nga kompetencat e organeve të ndryshme shtetërore, përcaktimi i saktë dhe i plotë i tyre, zbatimi i rreptë, njohja e tyre nga publiku, prandaj rishikimi tërësor i tyre duhet të konsiderohet si një detyrë parësore.

Pjesë e reformës duhet të konsiderohen dhe shndërrimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Gjykatë Llogarie sipas përvojës së vendeve të BE. "Poli i Lirisë" e quan urgjentë për parlamentin e ardhshëm ngritjen e sistemit të Gjykatave Administrative në nivelet dhe modelet perëndimore.

 

Rendi

 

Shteti i të Drejtës kërkon siguri për jetën e njerëzve, forcimin e kufijve, luftë ndaj krimit të organizuar e trafiqeve, që, siç tregojnë raportet e fundit ndërkombëtare, lënë për të dëshiruar dhe krahas tyre pajisjen me pasaporta biometrike, që janë kushte për integrimin e vendit tonë në BE.

Ne shprehim bindjen se është e domosdoshme marrja së më parë e këtyre masave:

- Rritje e profesionalizmit të Policisë të Shtetit;

- Depolitizimi total i strukturave të Rendit;

- Garantimi i statusit të punonjësve të rendit publik;

- Krijimi i xhandarmërisë;

- Lufta kundër krimit të organizuar e trafiqeve (lëndë narkotike, armë, klandestine, trafiku njerëzorë etj);

- Çarmatimi i popullsisë;

- Pajisja e të gjithë shtetasve të R. Sh. me karta identiteti dhe pasaporta biometrike.

 

Ish-të përndjekurit politikë

 

- "Poli i Lirisë" mbështet rezolutën e Këshillit të Evropës për dënimin e krimeve të komunizmit. Ne e konsiderojmë të domosdoshme dhe një parakusht për një politikë të moralshme e demokratike nevojën për hapjen e dosjeve dhe ndarjen ligjore dhe të drejtë me të kaluarën e errët komuniste.

- "Poli i Lirisë" do të mbështetë krijimin e një Instituti Studimor për krimet e komunizmit për studimin dhe publikimin të këtyre krimeve kundër shqiptarëve.

- "Poli i Lirisë" angazhohet të paraqesë një parlament një ligj për dënimin e krimeve të komunizmit dhe hapjen e dosjeve të policisë politike (Sigurimi i Shtetit).

- "Poli i Lirisë" mbështet kërkesat e e shoqatave të ish-të përndjekurve politikë për dëmshpërblimin e viteve të burgut dhe të internimit.

- "Poli i Lirisë" nëpërmjet një agjencie të posaçme qeveritare pranë kryeministrit do të evidentojë brenda vitit 2009 detyrimin financiar që shteti shqiptar ka ndaj kësaj shtrese dhe do ta shlyejë brenda afateve të përcaktuar në ligj.

 

Pronat

 

"Poli i Lirisë" është i bindur se zgjidhja dhe rregullimi me ligj i çështjes së pronësisë në Shqipëri është një nga kushtet kryesore për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, një vënie në vend e një padrejtësie dhe dhune të regjimit komunist, por edhe një nga çështjet kryesore që përcakton drejtpërsëdrejti zhvillimin e vendit në planin ekonomik dhe shoqëror.

"Poli i Lirisë" angazhohet që brenda vitit, të hartohet një ligj iri për pronat, duke e sjellë atë në standardet e Bashkimit Evropian dhe ta miratojë me konsensus sa më të gjerë politik, ku përfaqësuesit e pronarëve të jenë palë.

Brenda vitit 2009 "Poli i Lirisë" angazhohet:

- të përmirësojë kuadrin ligjor për çështjen e

pronësisë në Shqipëri;

- të përfundojë procesin e njohjes së pronës për të gjithë ish-pronarët;

- të përcaktohen pronat për kompensim fizik;

- të përcaktohen çmimet dhe afatet për kompensim monetar kur prona për arsye publike dhe në përputhje me ligjin, nuk mund të kthehet fizikisht;

- lirimi i shtëpive të ish-pronarëve të realizohet brenda vitit 2010.

Krijimi i Fondit Kombëtar të kompensimit të pronarëve dhe kompensimi i tyre, jo nëpërmjet shortit, po nëpërmjet zbatimit të detyrimeve që rrjedhin nga ligji i ri për pronësinë në Shqipëri.

Asnjë tokë apo truall nuk mund të regjistrohet, pa u shpronësuar e shpërblyer më parë nga shteti. Të verifikohen të gjitha pronat e përfituara nga zyrtarë të lartë të shtetit dhe të ngarkuarit me këtë detyrë, në këto 18 vjet, në zonat turistike, urbane etj, dhe të konfiskohen të gjitha ato prona të përfituara në kundërshtim me ligjin.

Kompensimi fizik dhe financiar të përfundojë, ashtu siç është parashikuar në ligjin aktual, brenda vitit 2014. Kompensimi fizik të bëhet vetëm me prona të mirëfillta shtetërore, ndërsa në kompensimin financiar, vlera e pronës të llogaritet me vlerën e tregut.

 

Ekonomia

 

Ekonomia shqiptare ndodhet sot në një gjendje stabiliteti të brishtë makroekonomik dhe mungesë të perspektivës e bazave për një zhvillim të qëndrueshëm.

Rreziqet potenciale makroekonomike janë të lidhura me: thellimin e deficitit; nivelin relativisht te larte te deficitit fiskal; përqendrimin e lartë të kreditimit për konsum; borxhin publik. Një dukuri tjetër negative është se Shqipëria vazhdon të shënojë deficitin më të thellë tregtar përsëri në rritje mes vendeve të rajonit, me eksportet dhe importet ne një raport 1:4.

Ne mendojmë se rruga më e shpejtë dhe më efikase për ndreqjen e gjendjes në ekonominë shqiptare nuk është ndërhyrja shtetërore, as në nivel biznesi e as në nivel sektori, por eliminimi i barrierave me veprim të përgjithshëm. Raportet ndërkombëtare kanë nënvizuar këto grup-barrierash:

- Niveli i Institucioneve edhe pavarësia e tyre;

- E drejta e pronës si Institucioni më i rëndësishëm që përbën pengesën kryesore për investimet private dhe zhvillimin;

- Transparenca e qeverisë në politikëbërje, favoritizmi dhe korrupsioni;

- Stabiliteti Makroekonomik;

- Pengesat infrastrukturore, (energjia, rrugët, komunikimi, etj).

Qeveria ekzistuese e propagandon klimën e përgjithshme të biznesit si një fushë me sukses të padiskutueshëm, duke sjellë si "provë" të vetme regjistrimin e shpejtë të bizneseve të reja në një agjenci të vetme, dhe taksën e sheshtë. Ne mendojmë se një shtrim i tillë është ose sipërfaqësor e naiv ose thjesht propagandistik.

Detyrë parësore për ne është formalizimi i ekonomisë d.m.th njohja vetëm e veprimtarisë ekonomike të dokumentuar, pra çdo veprim të kaloj nëpërmjet bankave, të deklarohen dhe të regjistrohen të gjitha pronat e luajtshme dhe të paluajtshme, të deklarohen dhe të depozitohen në banka pasuritë monetare e të tjera. Këto masa do të mundësojmë një Amnisti Fiskale ligjore çka do të japi një shtysë realisht të pamendueshme ekonomisë shqiptare.

Reformimi i ekonomisë shqiptare, kërkon hapësirë për biznesin, i cili nuk duhet të ketë pengesa në nismat e tij, dhe luftë kundër monopoleve dhe oligopoleve. Ato duhet të zhduken për t'i hapur në treg vend konkurrencës të lirë. Fushë të tilla janë medikamentet, tekstet mësimore, telekomunikacionet, ndërtimi dhe gjetkë. Në të njëjtën kohë duhet të përmirësohen legjislacioni dhe strukturat zbatuese për prokurimet, koncesionet, kontrollit të pasurisë së bashku me konfliktin e interesave dhe nepotizmin, sipas përvojës më të mirë perëndimore me synim dhe shmangien e korrupsionit.

Shteti shqiptar duhet të nxis, të mundësojë e të privilegjoj investimet e biznesit vendase dhe të qytetarëve shqiptar, pra dhe të bankave ku depozitat janë, në disa fusha prioritare si energjia, infrastruktura, industria agroushqimore, qoftë dhe duke qenë në formë e një partneriteti publik-privat duke krijuar për këtë Grupe financiare, që do të siguronte biznesin vendas për leverdinë e investimeve. Dhe mundësit janë të mëdha për shfrytëzimin nga shqiptarët të pasurive kombëtare.

 

Për një ekonomi të zhvilluar sigurimi i të ardhurave është me rëndësi të dorës të parë. Te ne Dogana dhe Tatimet janë kthyer në veglat e politikës, që ndryshojnë sa herë ndryshon partia në pushtet duke i kthyer në çerdhe nepotike e militantësh që i përdorin dhe për përfitime personale. Shumë pak bëhet për ngritjen e tyre profesionale, për hartimin e një legjislacioni modern dhe evropian.

Një rezervë e madhe në këtë lemë është zgjerimi i bazës tatimore, por, duke paguar ai që fiton dhe konsumatori. Ne jemi kundër korrupsionit, kontrabandës dhe favoritizmit në këto fusha të rëndësishëm për shtetin. Sot nuk jemi në vitet e para të një shoqërie kapitaliste prandaj mendoj se ka ardhur koha për futjen urgjente të kasave dhe më tej kalimin e TVSH nga dogana te fatura e fundit -konsumatori. Po kështu duhet të ndalet praktika e çmimeve referencës në doganë, një masë që nxit korrupsionin, një masë represive dhe në kundërshtim me parimet e ekonomisë së tregut. Në reformën fiskale që ne kërkojmë të ndërmerret, një vend me rëndësi do të kenë përmirësimet në legjislacionin për lojërat e fatit, taksat vendore për pronat (ndërtesa, truall dhe tokë bujqësore), krahas përcaktimit të akcizave për mallrat monopol, por që asnjë rast nuk mund të jenë fikse, por në vartësi të çmimeve në bursë dhe politikave lehtësuese që ndërmerr shteti.

 

Janë marr veprime pseudoreforme fiskale, që godasin të varfrin dhe konsumin pra thellojnë krizën. Të tilla janë normat e reja për tatimin mbi të ardhurat personale, nën parullën e taksës së rrafshët, që bëjnë sikur lehtësojnë biznesin duke kaluar tatimin tek punonjësit. Ne jemi të vendosur për caktimin e një dyshemeje rreth, 15000 lekë për frymë, nën të cilën nuk duhet të paguhet tatim për të ardhurat personale, por pas kësaj duhet hartohet legjislacioni mbi deklarimin e të ardhurave personale, që do të shërbejë për këtë tatim, që si kudo duhet të parashohë dhe rimbursimin, kur shpenzimet e një familjeje kalojnë deklaratën mbi të cilën është kryer tatimi.

Po kështu duhet të hiqen pagat e referencës që shërbejnë pikërisht për të realizuar këtë 1% të PBB që do t'u mungojnë të ardhurave nga tatim fitimi, që padrejtësisht është ulur, nën pretekstin që do të investohet, kur përfituesit janë kompani të mëdha që eksportojnë fitimin pra nuk përmirësojnë jetesën e shqiptarëve.

Për të përballuar dhe kapërcyer krizën globale shteti duhet të rishikoj qëndrimin e tij për politikat e kreditimit nga bankat, sigurimin e likuiditetit, përqindjen e interesit dhe sigurimin sa më shumë të depozitave, siç po veprojnë gjithë vendet e tjera.

Ne do të njohim realisht detyrimin që ka shteti për letrat me vlerë duke i përfshirë ato në procesin e privatizimit dhe duke i konsideruar të vlefshme për vlerën e tyre nominale.

 

Bujqësia

 

Bujqësia shqiptare gjendet sot në nivelin më të ulët të 18-të viteve të tranzicionit, me ritme më të ulëta se të zhvillimit ekonomik të vendit. Ndërsa rritja e PBB është rreth 6% në vit, bujqësia rritet nga 0-2,5% në vit.

Bujqësia është sektori i vetëm për të cilin buxheti i shtetit nuk ka pasur në 5 vitet e fundit asnjë rritje të tij. Buxheti vjetor i sektorit të bujqësisë është më pak se 50 milionë Euro ose sa ¼ e buxhetit për mbrojtjen. Sektori bujqësor nuk vlerësohet si sektor konkurrues për shumë fermerë dhe për pasojë 1/3 e tokës bujqësore (240 mijë ha) nuk shfrytëzohet.

Të gjitha këto fakte flasin për braktisjen e bujqësisë, që është pasuria më e madhe kombëtare që ne kemi.

Shkaqet për këtë gjendje janë të shumta:

- problemet që lidhen me bujqësinë dhe ato të tregut të tokës bujqësor;

- mungesë e kreditimit të volitshëm për bujqit dhe blegtorët vendase;

- mosorganizimi i agrobiznesit prania e strukturave të vogla; prapambetje në zonat malore;

- mbizotërimi i prodhimit të importit ndaj eksportit të prodhimit bujqësore blegtorale;

- prapambetje në monitorimin veterinar e fitosanitar çka frenon eksportet;

- punësimi të paktë në fshat (shifrat që publikohen janë fiktive);

- investime të vogla në bujqësi;

- mungesë të arsimit të mesëm profesional etj.

"Poli i Lirisë" mendon se për të dalë në këtë gjendje është e nevojshme një kthesë rrënjësore me shumë aspekte:

- në organizimin qeveritar të ketë vetëm një Ministri që të marre përsipër zhvillimin rural të bujqësisë dhe të sigurisë ushqimore (të bashkohen bujqësia me mjedisin dhe pyjet dhe ujërat si dhe drejtoritë dhe strukturat e tjera në bazë).,

- të shtohet (me shumëfishim) buxheti i kësaj ministrie për detyrat që ka, të zbatohen format të kreditimit për ata që punojnë në bujqësi (grante dhe ulje të përqindjes së interesit të kredive që administrohen nga bankat).

Por veprimi më i rëndësishëm dhe i parë është unifikimi i legjislacionit për tokën (momentalisht janë në fuqi më shumë se 13 ligje, përfshirë atë 7501, që rregullojnë marrëdhëniet e tokës dhe të pronës, dhe një pafundësi vendimesh që nuk e mbrojnë por përkundrazi, që kanë krijuar spekulime, padrejtësi dhe konfuzione. Shteti nuk duhet të shes më tokën, ta japi me qira e as ta fali me 1euro që është veprim spekulativ.

Ligji duhet të rregullojë njëherë e mirë, shitblerjen, tjetërsimin, ndërtimin në të dhe në tokën bujqësore, ruajtjen e fondit të tokës bujqësore, legalizime e të tjera.

Po kështu me qenë se përmasat të vogla të fermave kanë prurë mospunimin e tokës, shteti duhet të stimuloi qiradhënien me mbështetje e lehtësi fiskale të dy palëve.

Për të mundësuar aktivizimin bujqësisë dhe blegtorisë në zonat malore që janë tejet të varfra, por që janë të lidhura me banimin në këto territor, me rruajtjen e mjedisit natyror (florës dhe faunës), shteti duhet të ndërhyjë për të lehtësuar jetesën në ato zona ( arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë), por dhe për mbështetjen të diferencuar kur punojnë tokën, pemëtarin dhe mbajnë bagëti, të ndihmoj për sigurimin e ushqimit në dimër.

 

Ndërtimi, Infrastruktura dhe Energjia

 

Duke e konsideruar Ndërtimin si një fushë të rëndësishme për ekonominë e vendit dhe zhvillimin e tij. Ne mendojmë se është i domosdoshëm partneriteti me grupet e interesit. Kështu do të mundësohet akses i plotë i tyre në ministrinë përkatëse dhe në bashkitë e vendit duke garantuar tregun dhe nismën e lirë, kontaktin dhe praninë e tyre në KRRT etj., të cilat duhet të jenë të hapura për biznesin, po kështu duhet të sigurohen marrëdhënie të rregullta me hipotekat, për shkak të interesit reciprok dhe për mos të bllokuar tregun e ndërtimit sot në kohë krize.

Një fushë tjetër për të cilën ne angazhohemi është rishikimi i legjislacionit ekzistues në aktivitetin e ndërtimit. Kështu një pjesë e akteve ligjore duhet të rishikohen sepse ka mospërputhje midis ligjit, vendimeve, rregulloreve apo udhëzimeve, për të shmangur e ndaluar zbatimin e politikave centralizuese dhe shtrënguese për biznesin. Këtu po përmendim manualin e analizave të çmimeve të ndërtimit sipas të cilit parashikohet që të gjitha detyrimet tatimore llogariten sipas çmimeve dhe analizave të miratuara nga ministria. Po kështu edhe niveli i pagave referuese, pra jashtë çdo logjike të tregut.

 

Vërejmë se ka ligje dhe procedura, si ato të prokurimit publik të cilat duhen rishikuar, detyrimi i jashtëligjshëm dhe absurd për të paguar tatim fitimin edhe për sipërfaqet e përfituara edhe nga pronarët e truallit.

Duhet të ndryshohet ligji për licencimin e shoqërive të ndërtimit që ka krijuar kaos e pasiguri për to. Ne mendojmë se dhe ligji i ri për planifikimin hapësinor që është propaganduar si modern dhe do të vendos rregull në territorin e vendit do të këtë efektivitet të dyshimte dhe nuk ngjason me ligje të tilla të aplikuara në rajon. Për një ringjallje të aktivitetit ndërtimor në Shqipëri duhet që të hartohen sa më parë planet rregulluese të qendrave të banuara në gjithë aspektet e tyre.

 

Për përparimin e një vendi ndërtimi i një infrastrukture bashkëkohore ka rëndësi të veçantë, kjo vlen si për infrastrukturën humane (shkolla spitale etj.), ashtu edhe për atë ekonomike (rrugë, telekomunikacione, energji etj). Ne angazhohemi që brenda legjislaturës të mbaroje Rruga e Arbrit, të kompletohet si superstradë korridori Hani i Hotit-Vlorë dhe Morinë-Vorë të pajisura me të gjitha mbikalimet në rrugët sekondare dhe daljet për plazhet dhe qytetet, rrugët Levan-Tepelenë, Përrenjas-Korçë, Berat-Skrapar-Përmet-Tre Urat,Këlcyrë-Tepelenë etj. Krahas tyre do të vazhdoje programi me BB për rrugët e fshatrave, me rëndësi për lëvizjen e njerëzve dhe prodhimeve bujqësore. Do të krijohet Fondi Kombëtar i Rrugëve ku do të kalojnë fondet buxhetore, donacionet dhe të ardhurat e tjera nga ky aktivitet.

 

Ndër pasuritë e rëndësishme të vendit tonë që lidhen me prodhimin e energjisë janë uji dhe ajri - pasuri kombëtare. Për të përmbysur gjendjen elektrike do të këmbëngulim që të përfundojë brenda vitit të ardhshëm linja e transmetimit 400KV Elbasan-Podgoricë dhe nënstacioni përkatës i Tiranës, që do të mundësojnë furnizimin me energjinë e nevojshme me çmimet e bursës duke shmangur korrupsionin me kontratat shumëmujore. Ana tjetër e problemit është kufizimi i humbjeve jo teknike, pra energjia e papaguar nga konsumatorët. Shteti duhet të garantojë çmim për 300 KV e parë dhe për kompensimet eventuale që do t'i bëjnë atij përfshirjen e një pjese në ndihmën sociale dhe për të varfrit. Një fushë tjetër është ndërtimi i burimeve të reja energjitike, ku mundësitë në Shqipëri janë të mëdha, por që shumica janë bllokuar nga pseudo koncesionet me afate të shkelura dhe nuk i janë ofruar biznesit vendas, qoftë dhe në formë e partneritetit privat publik, për të dhënë siguri në leverditë e një investimi të tillë. Është një fushë ku ne do të ndërhyjmë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për burime të tjera të rinovueshme.

 

Politikat sociale

 

Ndryshimet politike në fillim të viteve "˜90 nga pikëpamja social-ekonomike janë shoqëruar me probleme të shumta shoqërore, të cilat shoqëria dhe shteti e patën të vështirë t'i përballojnë.

Programi i Shërbimeve Sociale të Polit të Lirisë, siguron një politikë të qartë për reformimin e sistemit të shërbimeve sociale, të cilat do të ndërtohen mbi disa parime që shërbejnë si bazë për:

- hartimin e politikave shoqërore dhe, reformimin e sistemit;

- decentralizimin e shërbimeve shoqërore, ngritjen dhe ofrimin e shërbimeve në komunitet;

- sigurimin e standardeve të sasisë e cilësisë së shërbimeve dhe zbatimin e tyre nga ofruesit e shërbimeve shoqërore.

Reformimi i sistemit të shërbimeve shoqërore parashikon që:

- Shërbimet e përkujdesit rezidencial, të kalojnë gradualisht drejt shërbimeve me bazë komunitare dhe të lëvizshme;

- Të zgjerohet llojshmëria dhe gjeografia e shërbimeve në përputhje me nevojat;

- Të rritet qëndrueshmëria dhe vazhdimësia e shërbimeve, të sigurohet cilësia nëpërmjet standardeve të reja që do të aplikohen;

- Të respektohen të drejtat e grupeve në nevojë për mbështetje sociale, të plotësohen nevojat e tyre dhe të nxitet integrimi në jetën shoqërore, veçanërisht për fëmijët, PAK dhe të moshuarit;

- Të nxitet pjesëmarrja e biznesit social në financimin dhe ofrimin e shërbimeve.

Gjatë këtyre viteve sistemi i pagave, ka pësuar ndryshime, rezultat i premtimeve në mitingje e takimeve herë një kategorie herë një tjetre. Ka nevojë dhe këtu për ristrukturime, kufizim të shtesave dhe shpërblimeve si gjithë bota perëndimore. E njëjta mund të thuhet për shpenzimet administrative, që janë në nivelin e vendeve të pasura, mjete, zyra e telefona, udhëtime jashtë shtetit e të tjera. Shkurtimi i tyre është një dukuri normale kudo, në kohë krize, por fatkeqësisht jo te ne.

 

Edhe sistemi pensionistik-kontributiv ka pësuar goditje që nuk kanë asgjë të përbashkët me reforma të vendeve BE dhe aspak në dobi reale sot por sidomos dhe nesër të përftuesve. Me uljen e fundit të kontributit të punëdhënësve shuma e kontributeve ulet në 21,8%, që është më ulëta se në të gjithë vendet e rajonit që do të thotë dhe pension më të ulët, ne do të luftojmë që të ruhen modelet kontributive, por nga 1 me 2 që është përpjesëtimi i pensionit minimal me maksimal të arrihet shkallë-shkallë brenda legjislaturës në 1:3, 5-4 sa është dhe përpjesëtimi i pagave kontribuuese.

E rëndësishme është se kush del në pension të ketë në fund ë legjislaturës si kudo në botë një pension 60-70% të pagës neto. Ndërkohë, shteti, nga buxheti i tij, duhet të përballoj diferencën në fonde, si detyrim ndaj atyre që kanë punuar në vitet përpara1993 dhe kjo është një detyrim primar krahas fondeve të ndihmës sociale (papunësi, barë-lindje, paaftësi).

Kjo sepse shoqëria që ne ndërtojmë dhe ëndërruam duhet të jetë jo vetëm demokratike, jo vetëm e lirë, por të siguroj mirëqenien dhe dinjitetin njerëzor për të gjithë. Përpjekje do të bëhen për zgjidhjen përfundimtarë me marrëveshje ndërshtetërore të njohjes së kontributeve për pension të emigranteve, çështje që po zvarritet.

 

Integrimi gjinor

 

"Poli i Lirisë", e konsideron çështjen e integrimit gjinor, si një çështje madhore kombëtare, sepse përfaqësimi i tyre në strukturat vendimmarrëse dhe në jetën politike:

- do të modifikojë natyrshëm vetëdijen dhe kulturën politike e qytetare;

- do të ndryshojë natyrën e parlamentit duke përfshirë elementin gjinor në hartimin e politikave dhe ligjeve;

- do të ndryshojë prioritetet e politikave dhe ligjeve;

- do të ulë konfliktualitetin, në politikën shqiptare;

- do të përmirësojë nivelin e qeverisjes;

- do të përmirësojë imazhin e vendit.

"Poli i Lirisë" u jep përgjegjësi dhe shanse të barabarta grave që kanë treguar vlera profesionale, etike, njerëzore dhe patriotike sipas parimit të meritokracisë

 

"Poli i Lirisë", siguron realizimin e një politike të integrimit gjinor. Ne propozojmë krijimin pranë ministrisë të punëve dhe çështjeve sociale me ligj të posaçëm të një Komiteti të Integrimit Gjinor me përfaqësues të grave parlamentare dhe atyre në qeverisje vendore, si dhe ekspertë të fushës, i cili do të propozoj të gjitha nismat ligjore dhe hapjen qeveritare për të siguruar barazinë gjinore në vendimmarrje në fushën ekonomike, arsimore shëndetësore, dhe sociale. Për këtë Komitet do të parashikohet në buxhetin e shtetit Fondi Kombëtar Gjinor.

Për të arritur këto objektiva të rëndësishme, "Poli i Lirisë" do të luftojë që shteti të krijoj lehtësira (fiskale, subvencione etj.) të gjitha bizneseve, të cilat kanë në përbërjen e tyre mbi 50% gra.

"Poli i Lirisë" do të propozojë për të krijuar lehtësira në llogaritje e të ardhurave personale dhe në tatimin e tyre, e për sigurimet shoqërore, për gratë që janë të detyruara të qëndrojnë në shtëpi për kujdesie ndaj fëmijëve, apo familjarëve të moshuar;

- do të punoj për përfshirjen e grave në nevojë dhe grave kryefamiljare në programet e nxitjes së punësimit dhe formimit profesional;

- do të ndihmojë dhe mbështet iniciativat private apo kolektive, të menaxhuara nga gratë, në zonat suburbane dhe rurale;

 

Arsimi dhe Shkenca

 

Stadi aktual i zhvillimit te shoqërisë sonë demokratike është i lidhur me formimin e institucioneve shqiptare prej njerëzve të arsimuar nga një sistemi arsimor të mbështetur plotësisht në parime universalisht të pranuara. "Poli i Lirisë" ka këto objektiva dhe synime themelore :

- të përgatisë rininë për demokraci dhe mbi standarde qytetare, duke promovuar dashurinë për vendin e tyre;

- të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit duke nxjerrë specialistë të përgatitur realisht nga pikëpamja profesionale dhe duke zgjidhur probleme konkrete që lindin në realitetin shqiptar.

- të pajisë studentët me aftësi që i ndihmojnë për t'iu përshtatur tregut e punës, por të kenë dhe vetëdije për kompetencat individuale.

- brenda 4 viteve të ardhshëm financimi i arsimit në raport me vlerën e PBB të ritet nga 2.8% në 5.4% (me rritjen më të madhe në dy vitet e para)

- misioni i arsimit dhe shkencës të detajohet në një plan afatgjatë për secilin nivel me mbështetje të gjerë publike e politike.

Sistemi i arsimit të lartë dhe shkencës ka nevojë urgjente hartimin e një baze ligjore të re, duke filluar nga ligji, statutet e shkollave të larta dhe të gjitha aktet e tjera ligjore që burojnë nga to. Kjo bazë ligjore duhet të vendosë e transferoje një pjesë të madhe të përgjegjësisë së sistemit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor brenda shkollave të larta duke krijuar hapësirë për reformimin e tyre në të ardhmen:

- aplikimi i detyrimit kushtetues mbi autonominë e shkollës se larte dhe lirinë akademike do të shoqërohet me dhënie llogarie publikisht për përdorimin e fondeve të dhëna;

- shteti do të jetë financuesi kryesor i shkollave të larta. Në 10 vitet e ardhshme kjo arrin 250 milion dollarë në vit, pa përfshirë investimet dhe financimin e kërkimit shkencor;

- shkollat e larta do të financohen në fillim të vitit me një buxhet të pa detajuar.

Kërkimi shkencor do të financohet nga Fondacioni për Shkencën sipas programeve me konkurrim nga të gjithë faktorët mbi bazë të prioriteteve të zhvillimit të vendit. Do të ristrukturohet Akademia e Shkencave dhe kërkimet albanologjike të cilat do të mbështeten fuqishëm financiarisht.

Do të krijohet sistemi i ri i akreditimit dhe sigurimit të cilësisë së shkollave të larta i pavarur nga qeveria dhe me një cilësi të lartë ekspertize. Këto struktura (me prani dhe ekspertësh të huaj) do të luajnë një rol të rëndësishëm në akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë (publike e private), sigurimin e cilësisë, licencimin ose mbylljen e tyre në rast të mos plotësimit të kushteve.

 

Kultura dhe Sportet

 

Duke vlerësuar trashëgiminë tonë kulturore vërejmë se realiteti i sotëm kulturor është çoroditës dhe alarmant, vazhdohet me metodat e vjetra, ku Ministria e Kulturës ka si qëllim kryesor ndarjen e një buxheti qesharak. Institucioneve qendrore të artit dhe kulturës ju mungon tërësisht orientimi kombëtar në mbrojtjen dhe promovimin e identitetit kulturor të kombit.

 

Ne ofrojmë një reformë të mbështetur në tri kolona.

a- Shndërrimin e Ministrisë së Kulturës në një institucion që prodhon politika kulturore dhe kontrollon zbatimin e tyre. Shkëputjen nga Ministria e shpërndarjes së fondeve për veprimtaritë në vartësi të saj dhe kalimin këtë Enteve dhe Fondacioneve të krijuar prej. Do të ribëjmë një paketë ligjore mbi shpërblimin monetar të artistit duke u mbështetur mbi cilësinë dhe kontributet aktuale. Do të stimulojmë dhe mbështesim politika të diferencuara kulturore midis institucioneve qendrore të artit, institucioneve në qark dhe atyre private.

b- Strategjitë e turizmit të realizojë lidhjen midis operatorëve turistikë dhe menaxherëve të produktit kulturor. Do të shtojmë investimet për vlerësimin e monumenteve të kulturës dhe qendrave arkeologjike për t'i bërë ato të arritshme nga vizitorët dhe turistët.

c- Në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme ne ofrojmë një strategji për rindërtimin e imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë. Për këtë qëllimi të ngrihen e Institutet të Kulturës Shqiptare në kryeqendrat evropiane.

"Poli i Lirisë" mendon se në Shqipëri ka prapambetje në të gjitha aspektet e edukimit fizik dhe sporteve. Kjo ndodh për mungesë të politikave në favor të tyre, në mbështetjen e ulët buxhetore, në mungesën e theksuar të impianteve sportive,në ligje jo në përputhje me rregulloret ndërkombëtare, mosmarrëveshje të shumta ndërmjet federatave dhe shtetit, paqartësi ligjore për pronësinë.

"Poli i Lirisë" do të punojë për ndryshim rrënjësorë të gjendjes në sportet shqiptare. Për këtë:

- dyfishimin e buxhetit për sportet qysh vitin e parë të qeverisjes, duke synuar në radhë të parë shtimin dhe përmirësimin e terreneve sportive ;

- rishikimin e ligjit për sportin dhe zbatimin e tij me synimin që biznesi të jetë i interesuar të financojë për sportet e ndryshme;

- dhënien e një autonomie më të madhe Federatave sportive.

- vlerësim të gjitha degëve të sporteve.

 

Shëndetësia

 

"Poli i Lirisë" është i vendosur të ndërtojë një sistem shëndetësor me natyrë njerëzore dhe demokratike si dhe të sigurojë kujdes shëndetësor më të mirë dhe të garantuar për të gjithë qytetarët.

Ne synojmë :

- Rritjen e kapaciteteve për të menaxhuar shërbimet dhe institucionet që do të thotë menaxhim për shumëllojshmëri shërbimesh dhe cilësi shërbimi, që kërkon dhe rritje të aftësive profesionale të mjekëve duke i kualifikuar ata.

- Përmirësimin e financimit të sistemit shëndetësor nëpërmjet reformimit të plotë të sistemit të sigurimeve të kujdesit shëndetësor, duke dyfishuar kontributet e punëmarrësve dhe punëdhënësve (nga 1.4% secili në 3,4%),

dhe rritjen e buxhetit për shëndetësinë duke e bërë atë gjatë qeverisjes të krahasueshëm me vendet e rajonit (nga 2,8% në 4% të PBB) duke mos përfshirë pjesën e privatëve që duhet formalizuar.

- Shërbimet më të domosdoshme që prekin shumicën e qytetarëve dhe familjeve shqiptare do të trajtohen edhe më tej me shërbim falas. Askush nuk do të paguajë për këto shërbime bazë.

Prioritete në programin e Polit të Lirisë mbeten Hartimi i një paketë bazë me listën e shërbimeve, të cilat do t'i ofrohen falas popullatës, ndërsa për shërbimet e tjera specifike, do të ketë trajtim të harmonizuar midis kostos që mbulon shteti dhe kontributeve në sigurimet shëndetësore që paguajnë gjatë viteve individët, që vlen si për shërbimet tek shteti ashtu dhe tek privati, por me të njëjtën kuotë.

Ne gjithashtu jemi të vendosur të ofrojmë një mbulesë të qëndrueshme me barna, duke hequr monopolin për barnat nga BE, ShBA dhe disa vende të tjera dhe duke mundësuar rimbursimin për të gjitha farmacitë.

 

Mjedisi

 

Mjedisi në Shqipëri paraqitet mjaft i degraduar rezultat i qëndrimit të papërgjegjshëm të qeverisjeve të deritanishme e shfrytëzimit pa kriter të burimeve natyrore, shkatërrimi i zonave pyjore, mospërdorimi racional i tokës, ndërtimi pa një plan të miratuar urban etj,

"Poli i Lirisë" kërkon që të merren këto masa:

- Krijimi i legjislacionit të plote për mbrojtjen e mjedisit dhe forcimi i bashkëpunimit institucional;

- Monitorimi mbetjeve urbane dhe industriale, si dhe të ujërave sipërfaqësore e nëntokësore;

- Masa për rehabilitimin dhe regjenerimin e terreneve dhe zonave të ndotura;

- Masa për mbrojtjen nga erozioni dhe keqpërdorimin e inerteve të lumenjve;

- Rigjenerimi i zonave të ndotura, nga veprimtaria industriale e urbane

- Marrja e masave për mbrojtjen e plazheve të rrezikuar nga erozioni

- Të ndërpritet shfrytëzimi i inerteve në lumenj;

- Respektimi i Konventës së Aarhusit;

- Përfshirja e komuniteteve në vendimmarrje për mjedisin;

- Të krijohet Fondi Kombëtar i Mjedisit.

 

Politikat dhe Strategjia e Turizmit

 

Nga viti 2002 deri në vitin 2008 janë miratuar tre strategji të zhvillimit të turizmit të cilat përcaktojnë si produktet kryesore turistike: turizmin e diellit dhe të detit, turizmin e interesit të veçantë dhe turizmin e biznesit.

Produkti qendror i turizmit duhet të jetë i përgjithshëm që i inkurajon vizitorët në "zbulimin" e Shqipërisë, si prezantimin e aspekteve te shumta te historisë, natyrës, arkeologjisë, kulturës së mënyrës të jetuarit, kulinarisë dhe mikpritjes.

Që turizmi të ketë shtrirje gjithë vjetore duhet të stimulohet zhvillimi i turizmit kulturor nëpërmjet rregullatorëve fiskale. Detyrimi i TVSH në nivelin 20% i zbatuar për shërbimet turistike i vendos bizneset turistike shqiptare në pozitë të vështirë dhe të pamundur për të konkurruar në tregun rajonal dhe atë ndërkombëtar. Vendet fqinje në rajon si dhe ato evropiane aplikojnë nivele TVSH përgjithësisht shumë më të ulëta. "Poli i Lirisë" do propozojë aplikimin në masën 10% si për akomodimin dhe restorantet për ata që janë të licencuar dhe me yjet përkatës.

 

* * *

 

Vota e juaj për Polin e Lirisë është vota për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në zonën Schengen dhe integrimin në BE që qeveritë e deri sotme ja u kanë mohuar. Ne angazhohemi për të plotësuar të gjitha kërkesat e tyre brenda këtij viti që në vitin 2010 kjo të realizohet.

LZHK është futur në këto zgjedhje për të qenë një forcë aktive në Kuvendin i Shqipërisë por edhe për t'u bërë një forcë reale e qendrës të djathtë. Ne po punojmë për ngritjen e strukturave në bazë të cilat do të jenë sot për propagandimin e ideve dhe programit tonë, për të tërhequr elektoratin që të votoj për ne, për ruajtjen e votës me ato mundësi që jep ligji dhe nesër, që për ne është me rëndësi të veçantë, të ri-ngremë Partin tonë mbi struktura dhe organizim demokratik - duke institucionalizuar mendimin ndryshe dhe mbi parimin "Një anëtar, një votë"- që të jetërsoj idealet e Dhjetorit për një Shqipëri demokratike të lirë, për një Shqipëri si gjithë Evropa.

 

Vota për partitë e Polit të Lirisë është votë për garantimin e vlerave themelore të demokracisë shqiptare, është votë për stabilitetin politik, është votë për interesat kombëtarë, është votë për reformat, votë për progresin, votë për zhvillimin ekonomik e social, votë për mirëqenien individuale të çdo qytetari.

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Liberation: Një vështrim nga Shqipëria (06.03.2009)
The Muslim News: Njiheni pavarësinë e Kosovës (06.02.2009)
Autostrada Durrës-Kukës-Prishtinë, fitore kombëtare (06.02.2009)
Ne fituam lirinë nga krimiNga Arben IMAMI (05.30.2009)
Audry Glover: Le të lemë faktet të flasin (05.30.2009)
600 turistë nga Izraeli do ta vizitojnë Veriun e Shqipërisë gjatë verës 2009 (05.29.2009)
Topalli ftesë grave për t'u bërë pjesë e projektit të madh të Shqipërisë që po ndryshon (05.29.2009)
Bruno Vespa vlerësime pozitive për gazetarinë artin dhe kulturën shqiptare (05.29.2009)
Rama: Për mua pushteti nuk ka kuptim pa realizuar qëllimet e përbashkëta (05.28.2009)
PS çel sot në mbrëmje fushatën elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit (05.28.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]