VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Humbja, faji i RamësNga Ben Blushi

                                                                                      

E Premte, 05.10.2024, 02:27am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 

Humbja, faji i Ramës

Nga Ben Blushi


E Mërkurë, 07.29.2009, 05:40pm (GMT+1)

 



Të nderuar miq, Në radhë të parë dua t'ju falenderoj të gjithëve, pa asnjë përjashtim për betejën e përbashkët të datës 28 qershor, një betejë në të cilën pa asnjë dyshim secili prej nesh këtu bashkë me më shumë se 60 mijë anëtarë të PS, besoi dhe luftoi për një Shqipëri më të mirë dhe më të begatë se ajo që kishim dhe ajo që mesa duket do të kemi pas 28 qershorit. Kam parë kandidatë, komisionerë, gra, burra të rinj dhe të moshuar, fëmijë të cilët nuk kursyen asgjë për fitoren tonë. Ata sot duhen falënderuar, sepse ata ishin shpresa, qëllimi dhe e vërteta që na shtyu në këto zgjedhje. Ata ishin arsyeja e këtyre zgjedhjeve, dhe unë sot kam ardhur këtu të flas në emër të tyre.
***
Sot ne jemi mbledhur për të kuptuar se çfarë ndodhi në 28 qershor. Sot jemi mbledhur për të kuptuar arsyen e 28 qershorit. Sot jemi mbledhur për të folur në emër të së vërtetës, dhe unë do përpiqem të them të vërtetën time.
***
Pyetja është: Kemi humbur apo kemi fituar në 28 qershor? Për disa ditë në u thamë shqiptarëve se as kemi humbur dhe as kemi fituar, por kemi barazuar. Më pas u thamë se ne kemi fituar, por fitorja jonë u mohua, u vodh, u nxi dhe u shtrembërua. Që të mos bëjmë një lojë fjalësh, më duhet të them atë që mendoj, pavarësisht nëse shumë të tjerë e ndajnë apo nuk e ndajnë të njëjtin mendim me mua. Fatkeqësisht, zgjedhjet e 28 qershorit janë humbur. Dikush thotë se askush nuk ka fituar, dhe kjo mund të jetë përgjithësisht ngushëlluese. Por, këtu ne jemi në shtëpinë tonë dhe jo tjetërkund, dhe për të këtë arsye duhet të flasim për pamundësinë që kemi për të qeverisur Shqipërinë. Ne u futëm në këto zgjedhje për të qeverisur vendin, dhe këtë mundësi nuk do ta kemi. Ne u futëm në këto zgjedhje për të pasur më shumë vota se Sali Berisha dhe e djathta, dhe këtë fakt nuk e kemi. Ne u futëm në këto zgjedhje për të fituar më shumë, të paktën një mandat parlamentar më shumë se qeveria, dhe këtë fat nuk e kemi. Ne u futëm në këto zgjedhje për të ndryshuar Shqipërinë, dhe këtë mundësi nuk na e dhanë. Do isha sot njeriu më i lumtur në Shqipëri sikur dikush të me bindtë për të kundërtën. Do doja të mbyllja sytë dhe të besoja se në fakt kemi fituar. Po përpiqem t'i mbyll sytë, por kjo nuk më çon askund, aq më pak me fitore. Kur flas kështu, dua të më besoni se jam një nga njerëzit më të trishtuar në Shqipëri sot, ashtu si qindra mijëra të tjerë që ashtu si unë besuan se Partia Socialistë dhe e majta që ajo përfaqësonte mund të sillte një erë të re. Kam besuar deri çastin e fundit, deri në votën e fundit se diçka mund të kthente, se qoftë edhe një votë mund të bënte diferencën. Kjo nuk ndodhi dhe tani është koha miqtë e mi, për t'i hapur sytë. Nëse i mbajmë sytë mbyllur nuk do kemi më shprese t'i hapim në kohën e duhur për të parë rrugën tonë.
***
Ka kolegë në këtë sallë dhe jashtë kësaj salle që nuk ndajnë të njëjtin mendim me mua. Unë nuk paragjykoj askënd prej tyre. Në fund të fundit, besimi dhe shpresa vdes e fundit. Mua nuk më ka vdekur as besimi, dhe as shpresa, por duke u nisur nga e vërteta dua të them atë që besoj. Vota e 28 qershorit më ka bërë të mendoj ndoshta gjera që nuk i besoja përpara kësaj datë. Shqiptarët kanë folur dhe ne duhet t'i lexojmë. Kjo, sepse shqiptarët janë më inteligjentë se të gjithë ne bashkë. Për humbjen tonë nuk e kanë fajin shqiptarët, dhe kushdo që i akuzon ata bën një gabim, që natyrisht nuk e vuajnë shqiptarët.
Pyetja tjetër që i kam bërë vetes gjithë këto ditë të zhurmshme është - si ka mundësi që ne nuk fituam? Çfarë nuk funksionoi? Çfarë lamë ne pa bërë, çfarë, në fund të fundit duhet të kishim bërë më shumë se ato që bëmë?
Po e them sot se çfarë besoj.
Ne nuk u dhamë arsye shqiptarëve të besojnë se ne qeverisim më mirë se ata që janë në pushtet. Në rastin më të mirë për ne, vota e shqiptarëve është ndarë në mënyrë të barabartë, gjysmë për gjysmë, dhe unë edhe ketë e konsideroj humbje. Si ka mundësi që me gjithë korrupsionin, me gjithë Gërdecin, me gjithë vonesat në reforma, me gjithë folklorin e padurueshëm të Sali Berishës, me gjithë vyshkjen e tij prej fosili 20-vjeçar, me gjithë vonesën që i ka shkaktuar Shqipërisë për dy dekada, me gjithë dhunën dhe pabesinë që ka inkurajuar dhe frymëzuar ndër shqiptarë për kaq shume vite, ne nuk arritëm të marrim qoftë edhe një votë apo një mandat më shumë?
Ka nga ata që thonë, jo. Ne kemi fituar. Partia Socialiste është forcë e parë në Shqipëri. Kemi të paktën 10 mijë vota më shumë se Partia Demokratike. Ky është një ngushëllim, por nuk mund të jetë një justifikim, sepse kjo nuk mjafton. PS është parti e parë në Shqipëri historikisht, por është e dhimbshme të thuash dhe të pranosh se megjithëse është parti e parë prej 20 vjetësh, sot ajo nuk qeveris dot. Kjo na a bën arsyetimin dhe fajin edhe më të rëndë secilit prej nesh. Ka nga ata që thonë se ne kemi fituar, se kemi më shume vota se PS e vitit 2005. Por, unë ju pyes, me kë ishim në garë ne, me Partinë Socialiste të para katër viteve, apo me të djathtën e vitit 2009? Ky argument bie dhe na e errëson të vërtetën. PS e vitit 2009 nuk ka konkurruar me PS e vitit 2005 dhe të ngushëllohesh se ke mundur veten, nuk të çon asgjëkundi, maksimumi të çon në mohim dhe të bën qesharak. Unë nuk kam qenë në garë me deputetin e Korçës të vitit 2005 dhe askush nga ne nuk ka konkurruar me veten e tij. Besoj se sot është dita për të mos i marrë në konsideratë këto argumente numerike, sepse kjo rrëzon gjithë filozofinë mbi të cilën shumë prej nesh dolën në këtë fushatë. Ka shumë njerëz në këtë sallë që gjatë fushatës u instruktuan padenjësisht të thonë në debate televizive se ata nuk e njohin PS e vitit 2005. Unë nuk e paragjykoj papjekurinë e tyre, por si ka mundësi që pas zgjedhjeve kthehen dhe pranojnë se jo vetëm e njohin PS e 2005, por kanë fituar mbi të, sepse e kanë mundur me vota. Në të vërtetë, e kush është e vërteta? E vërteta është se në këto katër vite, për arsye demografike janë shtuar mbi 150 mijë votues dhe ne kemi marrë as më shumë dhe as më pak, por vetëm gjysmën e tyre. Po aq sa ne votues të rinj ka marrë e djathta. Si ka mundësi pra, që politika e re nuk ka marrë votën e atyre që u thirren për herë të parë në votim dhe të paktën kishin arsye ta shijonin me shumë këngën tonë elektorale, sesa këngën e ndryshkur të Partisë Demokratike?
Dhe, gradualisht vijmë tek ai grup që thotë, asgjë nga këto nuk është e vërtetë. Gjithçka ka funksionuar shumë mirë, edhe politika e re, edhe përtej së majtës dhe të djathtës, edhe mohim i gjithçkaje përpara vitit 2005, edhe çarja e së majtës, edhe mungesa e programit, edhe taktika elektorale, të gjitha pra kanë shkuar në drejtimin e duhur, por votat na u vodhën. Unë pyes sot, sa vota na janë vjedhur që na penguan të vijmë në pushtet? Katër mandate, apo 30 mijë vota. Nuk e besoj dot këtë, jo se nuk dua t'i besoj, por sepse nuk kam prova. Dua të besoj se fitorja na është vjedhur, por ju lutem, më ndihmoni ta provoj. Thënë këto, askush të mos mendojë dhe as të spekulojë se dua, qoftë edhe në ditën time më të keqe, t'i njoh Sali Berishës meritën për zgjedhje të ndershme. Ashtu si shumica prej jush, edhe unë jam rritur dhe kam luftuar me bindje gjithë këto vite se, Sali Berisha dhe demokracia janë dy gjëra që nuk puqen. Por, nga ana tjetër, duke njohur deformimet e këtyre zgjedhjeve, e kam të vështirë të pranoj se ne fituam por fitorja na u vodh. Fitoren ne nuk e patëm, sepse nuk e arritëm dhe Sali Berisha na ka vjedhur kryesisht vetëm arsyen për të njohur humbjen. Dhimbja se ky njëri sot është në pushtet na detyron të besojmë se edhe mund të jemi vjedhur. Dhe, në fakt nëse ka shqiptarë të vjedhur nga Sali Berisha, shumica dërrmuese e tyre janë jashtë kësaj salle. Ata rrinë dhe shohin sesi ne ishim të papërgatitur për të fituar. Ata vuajnë për shkakun tonë, vuajnë nga paaftësia jonë, vuajnë nga pamundësia për të ndryshuar Shqipërinë dhe jetën e tyre.
Është dita besoj, që ne t'i kërkojmë ndjesë shqiptarëve. Në vitin 2005, Edi Rama i kërkoi ndjesë shqiptarëve se socialistët i qeverisën tetë vjet duke e normalizuar Shqipërinë. I kërkoi ndjesë për gjëra që nuk kishin arsye për ndjesë, për gjëra që ai i kishte bërë bashkë me socialistët e tjerë duke harruar se PS e la Shqipërinë, sidoqoftë shumë më mirë se çe gjeti në vitin 1997. Po sot, a ka arsye për ndjesë, qoftë edhe pse nuk provon dot se Sali Berisha ka vjedhur vota? Pa dyshim që po, dhe unë habitem se si nuk e bën. Është e çuditshme të shohësh një njëri të cilit i ke besuar, se si mohon gjithçka që të tjerët e kanë bërë mirë dhe nuk pohon asgjë që vetë mund ta ketë bërë keq. Unë besoj se pavarësisht nga pikëpamjet e ndryshme që mund të kemi për këto zgjedhje, ne socialistët duhet t'i kërkojmë shqiptarëve ndjesë. Edi Rama i pari, dhe ne të tjerët të gjithë pas tij.
Por, nëse dikush sot do të më pyesë, a u vodhën zgjedhjet apo u humbën, unë do them pa asnjë hezitim dhe se këtyre zgjedhjeve po u vidhet humbja. Ne kemi humbur, sepse nuk kemi mundur të fitojmë dhe e vërteta po fshihet për një arsye personale dhe aspak parimore. Edi Rama nuk do të pranoje humbjen, dhe kjo është arsyeja që po mban peng gjithë Partinë Socialiste, duke i premtuar shqiptarëve të zhgënjyer, madje edhe zgjedhje të parakohshme. Për çfarë? Që të votojnë prapë për Edi Ramën, për ta rizgjedhur kryetar të Partisë Socialiste? Është një qëllim shumë i vogël për t'u arritur me një gënjeshtër kaq të madhe. Kjo është njëlloj si t'i propozosh dikujt të japë borxh pasi nuk i ke kthyer borxhin e parë. Ka mënyra me të ndershme që Edi Rama të mbetet në krye të PS. Nuk ka pse i vë një njollë PS, nuk ka pse gënjen njëri, nuk ka pse i vë vendit një damkë të ekzagjeruar, nuk ka pse gënjen veten, në fund të fundit. Mjafton të thoshte të vërtetën e këtyre zgjedhjeve, dhe kjo do të ishte një rrugë shumë më e sigurt për të mbetur në krye të Partisë Socialiste. Rruga më e shkurtër do ishte të pranonte humbjen, qoftë edhe për shkaqe që nuk varen vetëm nga ai. Kështu po, mund të kishte një arsye për t'i kërkuar partisë së vet t'ia ripërtërinte kontratën e punës duke i dhënë një shans të ri. Ka shume raste në botë kur liderët kërkojnë një shans të dytë, dhe prandaj ata mbetën liderë. Por, ata e nisin arsyetimin e tyre nga e vërteta. Dhe, e vërteta jonë është se zgjedhjet nuk u humben vetëm për shkak të deformimeve, por sipas mendimit tim u humbën në radhë të parë nga mungesa e një ofertë të kuptueshme. Ne nuk i dhamë shqiptarëve asnjë premtim, sepse nuk i dhamë asnjë program. Dhe, në ketë pikë nuk bëmë dot diferencën me Partinë Demokratike dhe të djathtën. Dikush thotë se në kishim një program me 1000 faqe, por unë duhet të pohoj sot se nuk kam parë asnjë faqe të këtij programi. Aq më pak shqiptarët nuk kuptuan dot se çfarë do bëjmë ne për ekonominë, çfarë do bëjmë për taksat, si do ta ulim papunësinë, si do shpërndajmë të ardhurat e këtij vendi, ku do investojmë, si do i bëjmë më të lira dhe me cilësore shërbimet nga arsimi deri tek shëndetësia dhe të tjera. Edhe nëse thamë diçka, ato ishin aq të përgjithshme, dhe për ketë arsye mbetën po aq të paqarta, dhe prandaj nuk bënë dot diferencën që prisnim në vota.
Për të vazhduar, dua të them se çarja e së majtës ishte një defekt që na kushtoi në 2005 dhe nuk duhej të na kushtonte në 2009, aq me tepër që ne e bashkuam të majtën në vitin 2007 dhe kjo u provua e suksesshme. Në këtë pikë, ndoshta të gjithë jemi pak fajtorë dhe nuk do ishte e drejtë sot t'ia linim përgjegjësinë vetëm Edi Ramës, por për hir të së vërtetës marrëdhëniet PS-LSI nuk janë konceptuar në këto katër vjet kurrë si marrëdhënieje mes dy partish, por si marrëdhënie personale mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, si dy bashkëpunëtorë të vjetër dhe dy kundërshtarë të rinj, dhe në këtë mes ishte e vështirë për këdo të futeshe mes dy miqsh dhe dy armiqsh. Për hir të së vërtetës, kjo është e vërtetë dhe nëse sot socialistët janë pa punë dhe pa shpresë, dikush mund të thotë se e majta nuk erdhi në pushtet sepse Edi Rama dhe Ilir Meta u zunë për një vend pune. Kush ka dëgjuar ndonjëherë që PS dhe LSI të zihen apo të afrohen për shkaqe programesh apo idesh. Jo, gjithmonë është thënë se konflikti ishte për kryeministrin, pra për një vend punë, dhe kjo e bën edhe më të pafalshëm këtë konflikt dhe po aq të pajustifikueshëm. Sepse, kjo gjë ishte kaq personale, besoj se edhe përgjegjësia duhet të anojë nga personi më shumë se nga partia. Ky raport do duhej të ishte zgjidhur për të mirën e të gjithë atyre që edhe pas 28 qershorit besuan se në ishim 70 me 70. Por, ne mund të ishim 70 me 70 vetëm duke menduar për 28 qershorin përpara 28 qershorit, dhe nëse doni ta ndajmë këtë miopi jam gati ta ndajmë siç duhet, duke marrë secili pjesën e vet, pa dyshim sipas racionit, sepse unë nuk mund të harroj se Edi Rama në vitin 2005 premtoi ta bashkonte të majtën, gjë që e bëri në vitin 2007 dhe jo në vitin 2009. Koalicionin PD-LSI e kemi krijuar ne socialistët, dhe kjo është një arsye më shumë për t'i kërkuar ndjesë shqiptarëve. Ne jemi shkesët e kësaj martese, dhe këtë e them pa pasur asnjë frikë se dikush do më akuzojë se po mbroj një gjë që nuk mbrohet. E thashë në fillim dhe e përsëris, është dita për të folur për të mëkatet tona. Mëkatet e të tjerëve do kemi katër vjet kohë në opozitë për t'i regjistruar dhe shpresoj, për t'i denoncuar.
Është koha sot për të pohuar se politika e re pati vetëm një rezultat: përçau të majtën me keq se ç'e gjeti. I la jashtë parlamenti të gjitha partitë e tjera aleate, la jashtë qeverisjes Partinë Socialiste dhe sot, sidomos pas 28 qershorit, politika e re është bërë e vjetër deri në pikën që mohon realitetin. Unë besoj se politika e re dështoi, sepse ishte një projekt personal. Politika e re ishte projekti i Edi Ramës, dhe jo i Partisë Socialiste, dhe prandaj Partia Socialiste nuk ka pse vuan për humbjen e saj. Politika e re lindi vetëm për të skualifikuar njerëz, dhe jo për t'i dhënë Shqipërisë një projekt, një vizion, dhe prandaj ka dështuar. Inkurajimi i saj sot do të thotë të vazhdojmë në një rrugë të vjetër ku kemi shkelur, dhe më keq akoma kemi ngecur. Politika e re nuk propozoi asnjë reformë, asnjë premtim, por i tha shqiptarëve vetëm një gjë: votoni për Edi Ramën, të tjerat i di ai. Natyrisht, që shqiptarët donin të dinin diçka më shumë dhe meqë Edi Rama nuk ua tha përmes një programi, ata e morën me mend dhe votuan në mënyrë skeptike në 28 qershor. Politika e re, miqtë e mi, sot duhet konsideruar një eksperiment i dështuar që nuk ka asnjë arsye të riciklohet, dhe aq më pak të ambalazhohet si një mall i ri pas keqpërdorimit nga klientët e vjetër.
***
Nga këtu dua të vij në çfarë vjen. Ne sot jemi në opozitë. Pyetja përpara nesh është, çfarë opozite do jemi? Unë mund të them se nuk e di, por duhet të them se opozita që kemi përpara varet se si fillon. Nëse fillon me një mashtrim që tenton të fshehë shkaqet e gjendjes sonë, nuk do shkojmë askund. Ditë më të vështira do të vijnë. Socialistët nuk mund të presin në diell derisa të plaket Sali Berisha apo të zihet për një kockë pushteti me Ilir Metën. Socialistët duhet të shikojnë nga vetja, dhe jo nga qielli. Për fat të keq, duhet të them se opozita jonë ka nisur shtrembër, duke mohuar atë që ka ndodhur. Opozitat, që nga kohët e lashta e deri me sot kanë lindur nga nevoja e popujve dhe e njerëzve për të pohuar të vërtetën dhe nëse ne bëjmë përjashtim ditët që vijnë do jenë të errëta. Besoj se sot kemi arsye më shumë se kurrë për t'u bashkuar se për t'u ndarë, në nevojën për t'u bashkuar rreth të vërtetës, në nevojën për të njohur me realizëm çka kemi bërë keq, duke e kthyer timonin tonë së pari aty ku na takon të lundrojmë: jo djathtas, por vetëm majtas. Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për të majtën e re, e cila nuk shkon djathtas për shkak të një njeriu, por rri aty ku duhet për shkak të Shqipërisë. Në kemi mbetur e vetmja shprese për të majtën moderne, dhe këtë shans nuk mund ta humbim. Bota sot po i provon vetes përditë se e majta mund të zbusë mjerimin, polarizimin, luftërat dhe dasitë vetëm përmes se majtës, dhe unë hyj tek ata që i besoj të gjitha këto edhe në rastin tonë. E majta ka një të ardhme nëse ujit rrënjët e saj me ide të reja. Duhet pra, që Partia Socialiste të mos eksperimentojë më me veten e vet dhe me identitetin e saj klasik. Eksperimentet na kushtuan 28 qershorin. Unë i besoj të majtës, dhe po ashtu besoj se e ndaj këtë pikëpamje me shumicën e socialistëve.
Së dyti, nëse kjo që thashë quhet e para, ne duhet t'i kthehemi partisë sonë. Partia ka nevojë për solidaritet pas kësaj humbjeje. Partia Socialiste nuk ka arsye të ndëshkojë askënd dhe aq më pak t'i gjejë fajet tek armiqtë e brendshëm dhe ata të jashtëm. Unë jam gati të bëj gjithçka kam në dorë për këtë qëllim, dhe sot është rasti të them këtu, se nuk ka asnjë shtyse karriere që me pengon të punoj për bashkimin dhe forcimin e Partisë Socialiste. Karriera e askujt këtu nuk vlen sa e ardhmja e Partisë Socialiste dhe duke thënë këtë, dua t'i them Edi Ramës se ka vetëm një mënyrë për të shpëtuar karrierën e vet: duke i dhënë Partisë Socialiste frymëmarrjen dhe lirinë e duhur për të lexuar atë që ka ndodhur. Nëse sot nuk pranojmë se ku dhe pse kemi gabuar, nëse sot mohojmë gjithçka ka ndodhur, atëherë fati i PS vihet në pikëpyetje seriozisht. Shoqëria nuk mund t'i besojë një partie që nuk pranon fajet e veta, sepse kështu nuk ka mundësi të shpëtojë shoqërinë nga fajet e saj. Dhe, sot shoqëria po na sheh. Është dita për të bërë ndryshimin brenda nesh dhe për t'i thënë Shqipërisë se koha është e burrave, dhe jo e maskarenjve. Është koha e të vërtetës, dhe e jo e mashtrimit. Është koha për ta hapur Partinë Socialiste përpara syrit të shoqërisë dhe për të mos përjashtuar askënd që mendon se ka rrugë të tjera për të arritur tek qëllimi. Qëllimi ynë nuk mund të jetë te Partia Socialiste, por e vërteta e Partisë Socialiste. Kjo është arsyeja që unë kam mbështetur mendimin e shumë burrave dhe grave në këtë asamble dhe jashtë saj, të cilët kërkojnë që e vërteta të thuhet ashtu siç është. Ata kërkojnë që PS të njohë veten, të hyjë në parlament dhe të reflektojë për ato që ka bërë dhe për ato që nuk ka bërë. Ashtu si ata, edhe unë nuk jam nisur nga karriera, nuk jam nisur nga mllefi, nuk jam nisur nga dyshimi, por vetëm dhe vetëm nga liria. Nga liria për të thënë të vërtetën. Me këtë rast me vjen keq që ka disa zëra në këtë asamble që e ngatërrojnë lirinë tonë me interesa jashtë kësaj partie. I kërkoj atyre të mos fyejnë lirinë tonë, në mënyrë që ne të mos vëmë në dyshim lirinë e tyre. I kërkoj të gjithë miqve dhe kolegëve në këtë asamble dhe jashtë saj, të bëjmë çka mundim për ta mbajtur të bashkuar dhe të lirë Partinë Socialiste si të vetmin mjet që kemi për të ndryshuar Shqipërinë. Në Partinë Socialiste të gjithë janë të domosdoshëm, askush nuk është i panevojshëm.
Duke e mbyllur, dua të them se shpresoj ende se ne të gjithë bashkë do i afrohemi të vërtetës, me bindjen se mes nesh nuk ka as djaj, dhe as engjëj, se nuk ka as të humbur, dhe as të fituar, nuk ka as të rinj, dhe as të vjetër, nuk ka as maskarenj, dhe as heronj, por vetëm socialistë, që duan të shohin përpara, dhe jo pas. Fatkeqësisht, e shkuara jonë mbetet e përbashkët dhe ne sot kemi vetëm një mundësi: të ecim përpara duke ditur ku nuk duhet ecur më, që të mos rrezohemi si në 28 qershor.

-

Fjala e mbajtur në Asamblenë e Partisë Socialist më 28 qershor 2009

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ANSA: Rama do të rikandidojë për kryetar të PS (07.29.2009)
PS duhet të forcojë institucionet, jo liderinNga Arben Malaj, deputet, anëtar i kryesisë së Asamblesë të PS (07.29.2009)
Blushi: Nuk shoh doza vetkorigjimi brenda Partisë Socialiste (07.28.2009)
Malaj: Jo bojkotimit (07.28.2009)
Nënkryetari Ramosaj dha dorëheqjen nga LDD (07.27.2009)
Asambleja e Partisë Socialiste do të shpallë mosnjohjen e zgjedhjeve (07.27.2009)
Majko: Nuk zgjidhim gjë duke i thënë Ramës "ik" (07.26.2009)
Blushi e Malaj kërkojnë pranimin e humbjes (07.20.2009)
Rama nuk i njeh zgjedhjet (07.06.2009)
Qeveria e re të punojë për të gjithë shqiptarët (07.05.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]