VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - PS duhet të forcojë institucionet, jo liderinNga Arben Malaj, deputet, anëtar i kryesisë së Asamblesë të PS

                                                                                      

E Premte, 05.10.2024, 12:15am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 

PS duhet të forcojë institucionet, jo liderin

Nga Arben Malaj, deputet, anëtar i kryesisë së Asamblesë të PS


E Mërkurë, 07.29.2009, 07:25am (GMT+1)

 

Për fatin e keq të shqiptarëve PS dhe koalicioni i saj nuk arriti ta largonte qeverinë Berisha nga pushteti. Kjo ndodhi, pavarësisht se pasojat e keqqeverisjes së saj u ndjenë që gjatë zgjedhjeve, vendi dështoi të përfitonte vizat, miliarda lekë investime elektorale janë keqpërdorur, kriza ekonomike i ka goditur rëndë shqiptarët, perspektiva ekonomike e vendit është në risk.

Ky është një moment shumë kritik për të gjithë ne socialistët. Çdo forcë politike lufton me tërë kapacitetet e saj që të jetë pjesë e momenteve historike të vendit. Sot vendi ka si moment historik anëtarësimet në institucionet ndërkombëtare. Edhe pse e nxorëm vendin nga kriza e tij më e rëndë sociale, edhe pse u kthyem shqiptarëve lirinë e munguar dhe shpresën për të ardhmen, edhe pse plotësuam 8 nga dhjetë planet e veprimit për anëtarësimin në NATO, ne nuk u gjendëm në mazhorancë në këtë moment historik.

Historia politike do të bëjë analizat e saj, Partia Socialiste e meritonte të ishte mazhorancë në zgjedhjet e vitit 2009 dhe të përshpejtonte proceset e ngadalësuara të përfitimit të lëvizjes së lirë apo të përfitimit të statusit të vendit kandidat.

Nëse rezulton që nuk arritëm të ishim mazhorancë për këto sfida historike të vendit, është e papranueshme, është e dëmshme për të ardhmen e Partisë Socialiste që ne të rrimë jashtë parlamentit të vendit tonë, pikërisht në momentin kur Shqipëria përballët më këto sfida. Për këto vonesa, për këto dështime të mazhorancës Berisha ne mund të zhvillojmë një opozitë efektive. Pse jo të kërkojmë që kontrollin parlamentar të plotësimit për liberalizimin e vizave ta marrë opozita; pse jo që kontrollin periodik të ecurisë për përfitimin e statusit të vendit kandidat ta marrë në parlament një opozitë konstruktive?

Nuk do të ishte mirë për të ardhmen politike të Partisë Socialiste që kur shqiptarët të përfitojnë lëvizjen e lirë për në Evropë, ne të gjendemi jashtë parlamentit, rrugëve, dhe në një rrugë politike që vetëm në standardet e politikë moderne evropiane nuk të çon.

Nuk do të ishte mirë për çdo socialist dhe aq më keq për ne të mandatuarit e tyre, që kur shqiptarët të përfitojnë lirinë për lëvizur, ku prindërit takojnë lirisht fëmijët e tyre, ku fëmijët takojnë lirisht prindërit e tyre në mërgim, ku mijëra studentë mund të lëvizin lirisht për ëndrrat e tyre për të studiuar, kur mijëra familje nuk do të jenë më të ndara me murin e vizave dhe me shumë probleme të varfërisë së tyre ekonomike, që ne socialistët të gjendemi jashtë institucioneve të vendit të tyre.

Nuk do të ishte mirë për asnjë nga ne që në momentin që vendit i pranohet kërkesa për vend anëtar i BE - edhe pse ky proces shkon nga 4 deri në 10 vjet - që ne të gjendemi jashtë institucioneve të vendit tonë.

Nëse kjo kërkesë pranohet dhe fillon shqyrtimi i saj, qeverisë dhe institucioneve të vendit do t'i dalin një sërë detyrash, përfitimi i statusit të vendit kandidat mund të marrë disa vite, por mund të ecë edhe më shpejt, jashtë institucioneve. Ne minimalisht nuk jemi pjesë e këtij zhvillimi pozitiv dhe historik të vendit tonë, dhe maksimalisht ne mund të jemi qoftë edhe përkohësisht vonues apo pengues të këtij procesi.

Qoftë edhe përkohësisht, ne do të ndjemë më vonë peshën e rëndë të gabimit të momentit, thjesht për një solidaritet të sëmurë që duhet t'i tregojmë kryetarit tonë pas dështimit të përsëritur të partisë dhe koalicionit tonë.

Qëndrimi jashtë institucioneve, bojkotimi i tyre, mosnjohja e zgjedhjeve, kur tre anëtarët tanë në KQZ i njohën plotësisht ato, nxitimi për qëndrime kategorike pa pritur vlerësimin ndërkombëtar nga OSBE/ODIHR si i vetmi institucion ndërkombëtar që e ka këtë atribut, na heq ne socialistëve çdo argument ligjor dhe politik, dhe e bën forcën tonë politike regresive në raport më institucionet e shtetit ligjor.

Kryetari nuk ka qartësuar këtu asnjë solidaritet që ky veprim kaq kritik ka gjetur nga partnerët ndërkombëtarë në vendin tonë, që ndoqën zgjedhjet, nuk na qartësoi që me mandatin e tij të ketë arritur sensibilizimin dhe mbështetjen nga institucione të së majtës evropiane, të europarlamentarëve socialistë në Parlamentin Evropian, të socialistëve evropianë në Këshillin e Evropës dhe institucione të tjera.

Qëndrimet emocionale bojkotuese janë të lehta për t'u arritur, por ato janë shumë të vështira për t'u argumentuar si qëndrime të prera dhe afatgjata.

Momenti i tretë historik për domosdoshmërinë e fitores sonë ishte detyrimi që nëpërmjet fitores të eliminonim dështimet elektorale të përsëritura.

Ne nuk e arritëm dot as këtë objektiv dhe sot gjendemi në një moment emocional dhe kritik. Për fat të keq më duhet të pranoj që gjatë këtyre katër vjetëve Partia Socialiste ka funksionuar me konceptin më mirë një lider i fortë sesa institucione të forta. Institucionet e Partisë Socialiste u venitën, liria për t'u shprehur u kufizua deri në asfiksim, qëndrimet kritike u konsideruan herezi deri në përjashtim.

Filozofia e liderit të fortë dhe dobësimi i institucioneve të zgjedhura të Partisë Socialiste u bënë dominues dhe kështu janë rritur risqet e sfidave të ardhshme të Partisë Socialistë. Frika për t'u shprehur apo dëshira për të mos u shprehur u bënë sunduese në institucionet e Partisë Socialiste, Kryesi apo Asamble.

Edhe ky takim sot është një rast konkret. Asnjë forcë politike serioze nuk e mbledh Asamblenë e saj pa një draft-dokument të diskutuar në Kryesinë e saj, dhe në varësi nga qëndrimi politik të detyrueshëm për t'u miratuar në Asamble apo edhe në Kongres.

Përçmimi ndaj institucioneve dhe absolutizimi i pushtetit vendimmarrës në zhvillimet në partinë politike dhe në vendin tënd janë me pasoja të rënda për demokracinë.

Ne nuk mund të jemi optimistë për të rifituar mbështetjen publike dhe kredibilitetin publik pa i dhënë më shumë liri, më shumë demokraci, më shumë pavarësi çdo individi dhe çdo forumi të Partisë Socialiste.

Eksperimenti i liderit të fortë dhe institucioneve partiake të dobëta rezultoi i dështuar dhe i dëmshëm për Partinë Socialiste. Ai duhet ndalur menjëherë.

Personalisht jam kundër solidaritetit që vjen nga frika se çfarë do të ndodhë, nëse Edi Rama nuk do të jetë kryetari PS. Nuk besoj se Edi Rama nuk do ta respektojë filozofinë, me të cilën synoi të bënte histori, nuk besoj se do të keqpërdorë solidaritetin njerëzor për interesa personale.

Unë theksoj se Partia Socialiste duhet t'i njohë Ramës disa nga meritat e tij si kryebashkiak i suksesshëm i kryeqytetit të Tiranës.

Ne duhet t'i njohim Edi Ramës disa merita në tendencat për ta bërë më të hapur dhe më të pranueshme Partinë Socialiste edhe për individë apo grupe sociale jo tradicionalisht mbështetës të saj.

Por ndjej detyrim dhe kam kurajën politike të qartësoj qëndrimin tim që solidariteti nga frika nuk i sjell Partisë Socialiste inspirimin dhe optimizmin për sfidat që nuk janë të largëta.

Partia Socialiste ka nevojë për mirënjohjen dhe kontributin e të gjithë të zgjedhurve të saj. Nuk ka moment më kritik se ky sot për të bashkuar të gjitha angazhimet dhe me përkushtim dhe përgjegjësi ta largojmë PS nga grindjet, ta largojmë nga emocionet, ta largojmë nga debatet e personalizuara dhe denigruese.

Partia Socialiste duhet të ri-startojë funksionimin e saj duke u mbështetur më shumë tek institucionet e saj, çdo lider i ri duhet të jetë një kontribut shtesë dhe pozitiv për të arritur fitoret, por kurrë më një faktor i vetëm i fitores.

Lideri i ri duhet të jetë tërësisht i orientuar nga respekti njerëzor dhe mirënjohja edhe politike ndaj çdo socialisti dhe mbështetësi të Partisë Socialiste, madje ndaj çdo qytetari të vendit të tij.

Liria e të shprehurit, liria për të qenë kritikë, liria për të kërkuar më shumë efikasitet dhe sukses nuk duhet të cenohet nga asnjë disiplinë dhe unitet partiak.

Një parti politike moderne e arrin efikasitetin e saj politik dhe i arrin objektivat e saj elektorale, jo nga disiplina ushtarake ndaj liderit të saj, por nga fleksibiliteti i mendimeve alternative, nga respektimi i debatit.

Ne humbëm sërish një palë zgjedhje, por ne nuk duhet të humbasim thelbin e misionit të çdo force politike moderne, opozitë sa më të qartë, sa më efikase në institucionet e vendit tonë. Ne nuk duhet ta krijojmë këtë precedent të keq të tranzicionit shqiptar që edhe kur ka funksionuar, forcat politike dhe vendi kanë pasur vetëm kosto, përfitimet e përkohshme i kanë shijuar vetëm liderët e tyre.

Unë jam kundër bojkotimit të institucioneve.

Nëse Shqipëria ngec në plotësimin e standardeve të zgjedhjeve dhe BE bllokon shqyrtimin e kërkesës sonë për anëtarësim në BE, ky është momenti që Partia Socialiste bashkë me aleatët potencialë politikë dhe shoqërorë në parlament të kërkojë zgjedhje të parakohshme.

Ky opsion i tregon opinionit publik shqiptar se Partia Socialiste angazhohet ta nxjerrë vendin nga dështimi i përsëritur i qeverisë Berisha.

Çdo qëndrim kategorik sot është një humbje e madhe e kredibilitetit të Partisë Socialiste.

 -

* Fjala e mbajtur dje në mbledhjen e Asamblesë së PS. Botohet me shkurtime

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Blushi: Nuk shoh doza vetkorigjimi brenda Partisë Socialiste (07.28.2009)
Malaj: Jo bojkotimit (07.28.2009)
Nënkryetari Ramosaj dha dorëheqjen nga LDD (07.27.2009)
Asambleja e Partisë Socialiste do të shpallë mosnjohjen e zgjedhjeve (07.27.2009)
Majko: Nuk zgjidhim gjë duke i thënë Ramës "ik" (07.26.2009)
Blushi e Malaj kërkojnë pranimin e humbjes (07.20.2009)
Rama nuk i njeh zgjedhjet (07.06.2009)
Qeveria e re të punojë për të gjithë shqiptarët (07.05.2009)
Sot numerohen 6 kutitë e Fushë-Kuqes (07.03.2009)
BE vë re përmirësim në zgjedhje (06.30.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]