VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Kryeministri nënshkroi me Metën marrëveshjen e qeverisjes për katër vitet e ardhshme

                                                                                      

E Djelë, 05.05.2024, 01:08am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 
Kryeministri nënshkroi me Metën marrëveshjen e qeverisjes për katër vitet e ardhshme
E Enjte, 09.03.2009, 08:32am (GMT+1)

 

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim konkretizuan dje marrëveshjen paszgjedhore për bashkëqeverisje. Kreu i Partisë Demokratike, njëkohësisht kryeministër i vendit, Sali Berisha dhe kryetari i LSI, Ilir Meta nënshkruan marrëveshjen e bashkëqeverisjes në ambientet e kryesisë së Kuvendit, ku diskutuan lidhur me formatimin e kabinetit të ri qeverisës, që do të udhëheqë vendin për katër vitet në vazhdim. Pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për koalicionin e ri qeverisës, kryeministri Berisha vlerësoi se kjo marrëveshje ka si prioritet kryesor një nga projektet më madhore të mbarë qytetarëve shqiptarë, integrimin e Shqipërisë në BE. Gjithashtu, kreu i qeverisë vlerësoi se kjo marrëveshje, ndër të tjera, përfaqëson një spektër të gjerë të zgjedhësve shqiptarë. "Në praninë tuaj dhe përmes valëve tuaja dhe ekraneve të mbarë shqiptarëve, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim firmosin marrëveshjen e koalicionit të qeverisjes së katër viteve që vijnë dhe në vazhdim. Marrëveshje kjo, që ka si qëllim kryesor krijimin e një qeverie të integrimit europian të Shqipërisë, pasi siç e dimë, projekti më kryesor, më kardinal i mbarë shqiptarëve është shndërrimi në realitet i ëndrrës së tyre, integrimi në Bashkimin Europian. Marrëveshja ka dhe një kuptim politik të madh, është një marrëveshje me një spektër të gjerë në të cilën gjejnë veten të përfaqësuar qytetarët që votuan djathtas dhe qendrës së djathtë, por dhe qytetarët që votuan majtas. Gjejnë në qeverinë e ardhshme një shkrirje të premtimeve dhe zotimeve elektorale të dy programeve, çka bën që qeveria të ketë një program shumë të pasur dhe të përfaqësojë një spektër më të gjerë interesash të zgjedhësve shqiptarë. Angazhimi ynë në sfondin politik është një koalicion i suksesshëm në qeverisjen e vendit", është shprehur kryeministri. Gjithashtu, ai vlerësoi se ky koalicion do t`u japë shqiptarëve brenda vitit të parë të mandatit të tij në përputhje me premtimet, vendimin për heqjen e vizave dhe lëvizjen e tyre të lirë. Kryeministri theksoi se përmes reformave të thella, ky koalicion do t`i japë vendit statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian. "Do t`u japë shqiptarëve një seri reformash të thella, me të cilat Shqipëria gjatë katër viteve do të ketë shënuar ndryshimet më të mëdha. Koalicioni është i angazhuar për një seri reformash institucionale, me reformën zgjedhore, me të cilën nuk do të ketë persekutim apo diskrimin me ligj të faktorëve të rëndësishëm të jetës politike shqiptare, siç ndodhi në këto zgjedhje. Me LSI ne angazhohemi për të bërë të gjithë përpjekjet për ndryshimin në tërësi të Kodit Elektoral, në mënyrë që përfaqësimi të jetë më i drejtë, më i ndershëm dhe jo persekutues dhe përjashtues, siç ishte rasti i këtyre zgjedhjeve. Por theksova se, domethënia e koalicionit është jo vetëm e qeverisjes, domethënia e koalicionit është e suksesit në zgjedhjet e ardhshme. Ne angazhohemi që në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2011, të dalim së bashku dhe të fitojmë së bashku, sikundër hedhim baza solide për një koalicion afatgjatë në zgjedhjet e përgjithshme të 2013", është shprehur kreu i ekzekutivit shqiptar.

 

Prioritetet e marrëveshjes

 

Objektivi kryesor i marrëveshjes së Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim është integrimi i vendit. Në kuadër të kësaj çështje madhore, të dy partitë politike kanë vendosur të bashkëpunojnë për krijimin e qeverisë së re për një sërë prioritetesh të tjera të rëndësishme. Një nga këto pika është reformimi i Kodit Zgjedhor ku synohet eliminimi i çdo diskriminimi që cënon barazinë e konkurrimit politik. Gjithashtu, kjo marrëveshje parashikon bashkëpunimin për konsolidimin e shtetit ligjor dhe zbatueshmërisë së ligjeve. Lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, ndaj korrupsionit do të jetë një nga prioritetet më të mëdha të qeverisjes së re edhe për këtë mandat të dytë qeverisës. Një tjetër objektiv është edhe ai i pavarësisë së sistemit gjyqësor, realizimit të politikave nxitëse fiskale, për të garantuar kështu 160 mijë vende pune. Programi i ri qeverisës do të shtrihet në një gamë të gjerë strategjish e reformash që presin të sjellin ndryshime akoma më të shpejta dhe më të mëdha për vendin. Sipas kësaj marrëveshjeje, programi i qeverisë pas aprovimit në Parlament do të jetë busulla drejtuese e koalicionit, e cila do të përshpejtojë hapat e vendit drejt Bashkimit Europian.

LSI do të përfaqësohet me 20% të posteve në qeverisje

Kryeministri Berisha bëri të ditur dje se pas negociimit me Lëvizjen Socialiste për Integrim do të jenë 20% e posteve të qeverisë që kjo forcë politike do të përfaqësojë. Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se nga postet kyçe, kreu i LSI, Ilir Meta do të mbajë postin e zv.kryeministrit dhe njëkohësisht atë të ministrit të Jashtëm. Kjo parti, gjithashtu, do të marrë postin e ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, ministrit të Shëndetësisë dhe postin e nënkryetarit të Kuvendit. "Ne kemi rënë dakord me kryetarin e LSI dhe me përfaqësuesit e kësaj partie që në përputhje me marrëveshjen, LSI si një forcë politike esenciale për qeverisjen dhe koalicionin do të ketë kryetarin e saj z. Ilir Meta zv.kryeministër të vendit dhe ministër të Jashtëm. Në autoritetin e kësaj partie është emërimi në postin e ministrit të Ekonomisë dhe ministrit të Shëndetësisë, do të ketë postin e nënkryetarit të Kuvendit, të gjitha nivelet e tjera të qeverisjes, LSI do të ketë 20 % të saj", është shprehur kreu i qeverisë. Ai vuri në dukje se është rënë dakord që të mos cënohet statusi i nëpunësit civil, pasi synimi është që ky status të konsolidohet gjithnjë e më shumë. "Me zotin Meta kemi rënë dakord dhe me mirëkuptim të plotë se nuk bëhet fjalë për asnjë lloj ndarje përsa i përket Shërbimit Civil. Synimi ynë i përbashkët është që ky shërbim të konsolidohet gjithnjë e më shumë si një shërbim në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, të shtetit shqiptar. Unë dua të falenderoj zotin Meta për seriozitetin e madh me të cilin trajtoi ftesën e Partisë Demokratike, frymën e hapur në të gjithë procesin e negociimit, shkallën e lartë të përgjegjësisë që karakterizoi këtë proces, i cili kurorëzohet me sukses të plotë me firmën e vendosur së bashku në marrëveshje, një marrëveshje kjo historike, përsa i përket integrimit shqiptar", është shprehur më tej Berisha.

 

Meta: Koalicioni PD-LSI, themele të forta parimesh

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta deklaroi dje se koalicioni PD-LSI ka themele të sigurta që burojnë nga parime tepër të shëndetshme, mbi të cilat ai është ndërtuar. Ai shprehu bindjen se ky do të jetë një koalicion që do të funksionojë në mënyrë transparente dhe, sipas tij, do të jetë fitues në zgjedhjet e ardhshme vendore. Në këtë kontekst, Meta tha se kjo është një garanci tjetër për të përmbyllur me sukses të plotë këtë mandat katërvjeçar për të cilën PD dhe LSI janë angazhuar. Sipas tij, ky do të jetë një koalicion, i cili do ta meritojë plotësisht cilësinë me të cilën është emërtuar, si koalicioni i integrimit evropian. "Dua t`u them të gjithë atyre që kanë pyetur se çfarë postesh do të marrë LSI, kjo është një nga kënaqësitë e mia më të mëdha që një iniciativë që LSI kishte promovuar prej kohësh dhe kishte punuar me shumë ekspertë të marrë një vend të caktuar. Duhet marrë parasysh që shumë prioritete kanë qenë të përbashkëta, pavarësisht se ne do të kishim dëshirë edhe për elementë të tjerë, sikurse janë ato për një referendum për çështjen e Kushtetutës, por jo për çdo gjë është dakord dhe jo çdo gjë është detyrë e qeverisë. Ne kemi angazhimet tona, por duhet të kemi në konsideratë se do të respektojmë edhe ato diferenca që kanë të bëjnë me përkatësinë politike", u shpreh Meta. Më tej, ai shprehu garancinë se në fund të katër viteve të këtij mandati shqiptarët do të jetojnë jo vetëm më të qetë dhe më të sigurtë se sot, por do të jenë në një pozicion tjetër në raport me qytetarët europianë dhe ajo që është më e rëndësishme, sipas tij, është që gjatë këtyre viteve përveç një ndryshimi të jashtëzakonshëm do të ketë suksese të reja edhe për politikat sociale.

 

Programet e PD dhe LSI, të vetmet programe në fushatë

 

Në fushatën zgjedhore për votimet e 28 qershorit kishte vetëm dy programe politike për qeverisje, programi i PD-së dhe ai i LSI-së, pasi Partia Socialiste nuk kishte program. Kështu u shpreh dje kreu i LSI-së, duke nënvizuar se në thelbin e saj marrëveshja e bashkëpunimit PD-LSI është edhe fryt i një përputhjeje prioritetesh. "Të gjithë e mbajnë mend fushatën dhe faktikisht ka patur vetëm dy programe të shkruara dhe të evidentuara, programi i PD dhe programi i LSI. Unë jam i kënaqur që shumë nga prioritetet tona përputhen, disa të tjera kanë gjetur mirëkuptim të plotë dhe, në këtë drejtim, kjo është një marrëveshje që do t`i shërbejë të gjithë shqiptarëve. Është një marrëveshje që garanton stabilitet dhe qëndrueshmëri të qeverisjes dhe institucioneve, por mbi të gjitha, garanton reforma serioze, të cilat do të përshpejtojnë procesin e integrimit europian", është shprehur Meta. Ai ka theksuar se, kjo marrëveshje nuk do të cënojë statusin e nëpunësit civil, sepse sipas tij, morali i LSI nuk është për të ardhur në një koalicion e për të hequr njerëz nga puna, por përkundrazi. Sipas tij, morali i LSI-së është për të hapur 160 mijë vende të reja pune për të gjithë shqiptarët gjatë këtyre katër viteve, duke zhvilluar ekonominë dhe duke e gjallëruar atë akoma më tej. Njëkohësisht, Meta shprehu një kënaqësi të veçantë për mirëkuptimin që ai ka gjetur dhe që është i përfshirë edhe në marrëveshje lidhur me miratimin e projektligjit që LSI ka përgatitur prej kohësh për moshën e tretë, që është jo vetëm një detyrim moral e politik ndaj kësaj kategorie, por është një detyrim ndërkombëtar.

 

 

Koalicioni PD-LSI angazhohet edhe për fitoren në zgjedhjet lokale të vitit 2011

 

14 pikat e marrëveshjes politike për koalicionin qeverisës PD-LSI

 

Duke vlerësuar me përgjegjësi të lartë politike rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 dhe nevojën për të krijuar një qeverisje të qëndrueshme për interesa kombëtare, me përfaqësues të një spektri politik të gjerë të së djathtës dhe të majtës shqiptare;

-Me bindjen se situata ekonomike dhe politike në vend kërkon evitimin e krizave që dëmtojnë stabilitetin dhe integrimin e vendit;

-Me mirëkuptimin e përbashkët për t'u angazhuar dhe realizuar një proces reformimi real të sistemit tonë institucional dhe zgjedhor për të konsoliduar demokracinë dhe shtetin e së drejtës;

-Me përgjegjësinë dhe prioritetin absolut të realizimit të detyrimeve kombëtare për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian, veçanërisht realizimin e lëvizjes së lirë të shtetasve dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

-Për të ndikuar pozitivisht në mirëkuptimin kombëtar, zbutjen e polarizimit politik e social, si rezultat i një politike të stërzgjatur konfliktuale;

-Për të realizuar një qeverisje në favor të gjithë votuesve shqiptarë, të djathtë dhe të majtë;

-Për t'ju përkushtuar prioriteteve kombëtare të parashtruara qartësisht në programet politike të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim;

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim

Vendosin të krijojnë së bashku qeverinë e Integrimit Evropian, duke rënë dakord si më poshtë:

" Hartimin e një programi të përbashkët qeverisës për vitet 2009-2013, për të realizuar objektivat e përbashkëta që kanë të bëjnë me:

" Përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit në BE, duke realizuar të gjitha reformat e duhura, për të dhënë rezultate të menjëhershme në realizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

" Reformimin e Kodit Zgjedhor me qëllim eliminimin e çdo diskriminimi që cenon barazinë e konkurrimit politik;

" Konsolidimin e shtetit ligjor, cilësisë dhe zbatueshmërisë së ligjeve;

" Luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar

" Luftën me tolerancë zero kundër korrupsionit dhe rritjen e transparencës qeverisëse;

" Pavarësinë e sistemit gjyqësor në të gjitha nivelet;

" Zhvillimin e qëndrueshëm e të gjelbër, duke e ndryshuar strukturën ekonomike të vendit për ta shndërruar atë në një vend të fuqishëm prodhues, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik;

" Realizimin e politikave nxitëse fiskale dhe ekonomike për të garantuar mbi 160 mijë vende të reja pune;

" Përmirësimin e shërbimeve publike në mënyrë të veçantë të shërbimit shëndetësor dhe arsimit;

" Aprovimin e Ligjit 'Për kujdesin ndaj moshës së tretë';

" Reformimin dhe realizimin e politikave kundër varfërisë, për të eliminuar përfundimisht varfërinë ekstreme që shprehet deri në pamundësi për të përballuar kostot elementare të një jetese normale.

" Krijimin e hapësirave më të mëdha për sipërmarrjen vendase dhe të huaj sidomos për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me fokus rritjen e prodhimit dhe punësimit.

" Forcimin e rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, me fokus interesat kombëtare, integrimin, sigurinë dhe paqen;

Marrëveshja do të respektojë ligjin për statusin e nëpunësit civil

Për realizimin e këtyre objekteve, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim bien dakord që përfaqësimi i LSI në qeverisje të jetë 20% e organeve të pushtetit dhe strukturave qeverisëse, duke respektuar Ligjin 'Për Statusin e Nëpunësit Civil'.

1.Përfaqësimi në qeveri do të jetë në nivelin

a) Zëvendës/kryeministër dhe ministrit të Jashtëm;

b) ministrit të Ekonomisë, Tregtisë, Energjetikës;

c) ministrit të Shëndetësisë.

2. Përfaqësimi në drejtimin e Kuvendit do të jetë në nivel zv/kryetari.

3. Përfaqësimi në të gjithë nivelet e pushtetit, nivelet drejtuese dhe administrative, hallkave të tjera të pushtetit në nivel qendror dhe atij vendor, do të jetë në masën 20%.

PD dhe LSI, bien dakord që për krijimin e kohezionit të qëndrimeve politike të rëndësishme të qeverisë dhe Parlamentit, të realizohet konsultimi dhe koordinimi i këtyre qëndrimeve midis kryetarëve të partive apo personave të caktuar prej tyre.

 

Programi i qeverisë, pasi të aprovohet në Parlament do të jetë busulla drejtuese e koalicionit. Për probleme të veçanta gjatë qeverisjes zgjidhja duhet të jetë produkt konsensual mes kryetarëve të PD dhe LSI. Rëndësi të veçantë ka konsensusi për votime në Parlament me shumicë të cilësuar apo votime që janë të rëndësishme për reforma programore të koalicionit. Rëndësi ka gjithashtu konsensusi për buxhetin e shtetit, zërat dhe politikat e tij si dhe për listën e investimeve bashkëngjitur. Konsensusi është i nevojshëm për emërimet në institucionet kushtetuese, apo institucione të tjera që varen nga Parlamenti. Koalicioni i qeverisë për Integrimin Evropian si një aleancë afatgjatë do të hyjë bashkë në zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2011. Për zgjedhjet e pushtetit vendor në vitin 2011 do të realizohet një marrëveshje e veçantë. Koalicioni do të realizojë zgjedhjen e Presidentit të Republikës mbi bazën e konsensusit PD-LSI. Çdo ndryshim në këtë marrëveshje duhet të bëhet me konsensus dhe si rrjedhojë pasuar nga një amendament me shkrim të firmosur nga kryetarët e PD dhe LSI. Kryetarët mund të autorizojnë nga një përfaqësues të tyre për zbatimin e kësaj marrëveshje në gjithë nivelet e qeverisjes si dhe për përditësimin e saj sipas zhvillimeve qeverisëse. Përfaqësimi në pushtetin ekzekutiv në nivel qendror e vendor do të realizohet brenda 30 tetorit 2009.

 

Kjo marrëveshje lidhet dhe do të ketë efekt për mandatin 4-vjeçar të kësaj legjislature parlamentare.

Për Partinë Demokratike

Sali BERISHA

Për Lëvizjen Socialiste për Integrim

Ilir META

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Menduh Thaçi takon Ramush Haradinajn (09.02.2009)
Berisha takon krerë të lartë të BE në ceremoninë e 70 vjetorit të Luftës II (09.02.2009)
Kryeministri e konsideron të turpshëm rikthimin e PS tek praktikat e PPSH (09.01.2009)
Malaj dhe Blushi kundër bojkotit (08.31.2009)
Tiranë: Kuvendi i ri mblidhet më 7 shtator (08.31.2009)
Edi Rama, mos merr peng PS!Nga Ben Blushi (08.31.2009)
Rama: PS në Parlament? E vendosin forumet (08.31.2009)
PD për Kongresin: Disfata tjetër e Edi Ramës (08.30.2009)
Incidentet brenda dyerve të mbyllura të Kongresit të PS (08.30.2009)
Fjala e plotë: Edi Rama: U mundëm por nuk humbëm (08.30.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]