Vizita e Angela Merkelit te Barack Obama ishte një takim krize, që
rrallëherë është përjetuar nga dy politikanët. Politika e deritanishme
ndaj Rusisë ka dështuar në mënyrë dramatike. Putin vë në pikëpyetje
rendin e pasluftës. Përplasjet për Ukrainën po marrin përmasa gjithnjë e
më kërcënuese. Në të njëjtën kohë skandali i përgjimeve të NSA-së ka
shkaktuar çarje të thella në themelin transatlantik. Ska asnjë dyshim:
kancelarja gjermane dhe presidenti amerikan ndodhen përpara sfidës më të
madhe që prej rënies së murit të Berlinit.
Në mënyrë të papritur skandali i NSA-së zuri në vizitë një rol më të
madh nga sa do të kishte dashur mikpritësi amerikan. Para kamerave dhe
në kohën më të mirë të transmetimit, në konferencën e përbashkët për
shtyp në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, Merkel dhe Obama
folën për një cyber-dialog.
Dialogu kibernetik si akt ngushëllimi politik?
Ky ishte një lëshim politik, për të cilin Angela Merkel kishte nevojë,
në mënyrë që të ruante fytyrën në politikën e brendshme në Gjermani,
sepse një marrëveshje anti-spiunim, siç është kërkuar nga gjermanët, nuk
do të ketë. Kështu dallimet e mëdha mes dy vendeve në temën sferë
private dhe mbledhje masive e të dhënave, do të vazhdojnë.
Kjo bart rreziqe të mëdha, pasi edhe pas takimit të Merkelit me Obamën
nuk mund të parashikohet nëse marrëdhëniet gjermano-amerikane do t'i
bëjnë dot ballë sprovave të së ardhmes. Veçanërisht nëse kriza e
Ukrainës do t'i lidhë më shumë dy vendet apo do t'i largojë edhe më tej
nga njëri -tjetri.
Sinjal vendosmërie në drejtim të Putinit
Sidoqoftë Merkel dhe Obama dërguan tani një sinjal të unitetit në
drejtim të Moskës dhe bënë të qartë se për ta zgjedhjet presidenciale në
Ukraninë në 25 maj, janë një gur i rëndësishëm prove. Nëse Putin do të
vazhdojë të destabilizojë vendin si deri tani dhe të bëjë të pamundur
mbajtjen e zgjedhjeve, Evropa dhe SHBA do të vendosin të bashkuar
sanksione të reja.
Por pikërisht këtu qendron edhe rreziku për konflikte të mëtejshme
transatlantike. Sanksionet nuk mund të jenë synim në vetvete, u shprehën
njëzëri në konferencën për shtyp Merkel dhe Obama. Ky nuk është më
shumë se një kompromis formulë.
Akuza kundër Merkelit
Kjo është pasojë e dëmtimit të rëndë të besimit themelor reciprok për
shkak të skandalit të NSA-së. Që në prag të vizitës së Merkelit nga
mjedisi rreth Obamës u dëgjuan shprehje mosbesimi dhe padurimi për
Gjermaninë, e cila sipas këtyre zërave nuk është e gatshme për
sanksione. Ekspertë amerikanë me peshë dyshojnë madje se kancelarja po
ndjek një politikë të qetësimit me Putinin. Ky qendrim nuk është larg
kritikës së hidhur së senatorit republikan John McCain, i cili e akuzon
Merkelin jo vetëm për drejtim të dobët dhe nën influencën e industrisë,
por e quan këtë madje "të turpshme".
Ndryshime në mentalitet dhe mosbesim
Duket qartë se amerikanët besojnë në efektivitetin e sanksioneve dhe
duke shtrënguar më fort lakun e tyre duan ta detyrojnë Putinin të
ndryshojë kurs. Në këtë mes ata nuk kanë shumë për të humbur, pasi
tregtia me Rusinë për ta është thuajse e parëndësishme.
Merkel me të drejtë i reziston trysnisë amerikane për sanksione.
Sigurisht edhe sepse ekonomia gjermane do të kishte disavantazhe të
mëdha. Por para së gjithash ajo dëshiron të ndryshojë prioritetet. Për
të më e rëndësishmja nuk është të ngarkojë Rusinë me "kosto" gjithnjë e
më të larta të thyerjes së të drejtës ndërkombëtare. Dhe aq më pak ka
prioritet "ndëshkimin e Putinit", siç tingëllon në mediet amerikane.
Strategji kundër sanksioneve
Redaktori i DW, Gero Schließ
Në mes të konfliktit në shkallëzim e sipër me Rusinë, për aktorët e
Perëndimit më e rëndësishmja është të ruajnë gjakftohtësinë. Sanksionet
nuk mund të zëvendësojnë politikën. Dhe prioriteti i parë politik duhet
të jetë të arrihet marrëveshje për një strategji për Ukrainën dhe të
reflektohet së bashku se si duhet të jetë qëndrimi i ardhshëm ndaj
Rusisë. Për këtë deri tani është dëgjuar pak nga Obama por edhe nga
Merkel. Sidoqoftë Presidenti pranoi në konferencën për shtyp, pas një
pyetje, se Rusia ka interesa legjitimë në rajonet fqinjë me të.
Pozicion kyç i Gjermanisë
Në formulimin e një politike të re globale të jashtmë dhe të sigurisë,
Gjermania është bashkëbiseduesi i parë i amerikanëve. Kjo vlen edhe për
negociatat për një zonë tregtie të lirë transatlantike, e cila megjithë
një fjalim të kancelares në Dhomën e Tregtisë të SHBA-së, mbeti disi në
sfond të vizitës.
Angela Merkel është për Obamën liderja e pakontestuar në Evropë.
Presidenti amerikan madje e inkurajoi atë t'i përdorte edhe më fort
cilësitë e saj drejtuese. Mesazhi është i qartë: në këtë krizë ndosha më
shumë nga sa vetë kancelarja do të dëshironte.