VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Kosova - kusht për Serbinë në BE

                                                                                      

E Shtunë, 04.27.2024, 09:32pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 
Kosova - kusht për Serbinë në BE
E Hënë, 01.11.2010, 09:44pm (GMT+1)

 

 

Ish i dërguari i BE-së për statusin e Kosovës, ambasadori Wolfgang Ischinger, i tha BBC-së se ka shumë gjasa që brenda këtij viti, Serbisë t'i bëhet e qartë se anëtarësimi i saj në BE është i kushtëzuar me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Kosovën.

 

Zoti Ischinger tha se autoritetet serbe janë të njohura me këtë kushtëzim dhe nënvizoi se ka një pranim të përgjithshëm për zgjidhjen e problemit të Kosovës në procesin e avancimit të bisedimeve për anëtarësim të Serbisë.

 

Ambasadori Icschinger tha se pret që në një të ardhme të afërt Prishtina e Beogradi të fillojnë diskutimet për gjetjen e një rruge, siç e quajti, praktike për një bashkëjetesë pa ngritur çështjet fundamentale.

 

Arbër Vllahiu i BBC-së zhvilloi një bisedë me ambasadorin Wolfgang Ischinger dhe fillimisht i kërkoi një vlerësim nëse gjendja në rajon është e stabilizuar aq sa të mundësojë zvogëlimin e paralajmëruar të trupave të NATO-s në Kosovë.

 

Ischinger: Është e qartë së dallimet e rëndësishme politike mbeten akoma dhe ato duhet të zgjidhen, në veçanti ato mes Prishtinës dhe Beogradit. Por rreziku nga përdorimi i forcës për të zgjidhur konfliktin në rajon është zbehur dhe kjo është arsyeja pse kishim mundësi që të zvogëlonim në një masë të madhe nivelin e trupave fillimisht në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe tani edhe në Kosovë.

Ky është një lajm i mirë dhe është shprehje e besimit që bashkësia ndërkombëtare ka për udhëheqjen edhe në Beograd, por edhe në Prishtinë për mundësitë që të zgjidhin vështirësitë e mbetura në mënyrë paqesore, në tavolinën e bisedimeve dhe jo përmes përdorimit të dhunës. Prandaj them se, për fat të mirë, ka shumë më shumë qëndrueshmëri në rajon sot. Por mos të harrojmë se trupat e NATO-s kanë qenë në rajon për më shumë se dhjetë vjet dhe kjo është e mjaftueshme.

BBC: Por duket sikur nuk është e mjaftueshme për pajtim mes popujve dhe ende mbeten edhe dallime për trupat e NATO-s. Shqiptarët p.sh., thonë se ato duhet të largohen, kurse serbët i duan në numër më të madh.

Ischinger: Zvogëlimi nuk do të thotë tërheqje e plotë. Unë pres që ne të kemi një prani të rëndësishme dhe të vazhdueshme të NATO-s, civile dhe ushtarake, për një kohë të gjatë. Ne nuk po flasim për tërheqje të plotë të trupave dhe kjo do të ishte e parakohshme dhe mbase një sinjal i gabueshëm, por mundësia që me besim po fillojmë të zvogëlojmë trupat është një shenjë e mirë.

 

BBC: Ambasador, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë në nivelin politik janë plotësisht të shkëputura. Çfarë do të mund ta ndryshonte këtë qëndrim? Beogradi është kundër pavarësisë së Kosovës.

Ischinger: Unë jam shumë optimist për këtë. Unë nuk habitem se ende nuk janë ndërmarrë brenda këtyre dy viteve hapat e mëdhenj për të tejkaluar dallimet e mbetura.

Është e qartë se po pritet që të merret një vendim i Gjykatës në Hagë, me shumë shpresë në fillim të këtij viti dhe unë mendoj se, kur kjo të ndodhë, atëherë debati politik se si të ecet përpara së bashku dhe jo kundër njëri-tjetrit, do të fillojë sërish.

E dyta, dhe shumë më e rëndësishme, interesi i Serbisë për t'iu bashkuar BE-së sa më shpejt, ofron një mundësi të jashtëzakonshme për të zgjidhur situatën e Kosovës. Pse? Sepse udhëheqja në Beograd e di mirë dhe i është thënë nga udhëheqësit e përgjegjshëm evropianë, se ekziston një kusht për Serbinë që t'i bashkohet BE-së dhe ai duhet të jetë që Serbia nuk mund të anëtarësohet përderisa ekziston një konflikt i pazgjidhur në fqinjësi, që mund të bartet në BE.

Me fjalë të tjera, ka një pranim të përgjithshëm për zgjidhjen e problemit të Kosovës në procesin e avancimit të bisedimeve për anëtarësim të Serbisë. Unë e besoj se udhëheqja serbe do të jetë e vetëdijshme për këtë sfidë dhe mundësi të madhe. Me fjalë të tjera, unë besoj se Evropa dhe perspektiva evropiane do të jetë bashkimi dhe metoda për të tejkaluar përfundimisht impasin aktual mes Beogradit dhe Kosovës.

 

BBC: Me sa e kuptojmë të gjithë, Beogradi nuk do të heqë dorë aq lehtë nga Kosova. Por a mendoni se do të shohim sërish një lloj bisede mes Beogradit dhe Prishtinës, meqë ju po e quani debat?

Ischinger: Ajo që unë pres, është se në një moment në një të ardhme të afërt, diskutimet do të duhet të fillojnë për të krijuar një, siç e quaj unë, "modus vivendi", një rrugë praktike e bashkëjetesës pa ngritur çështjet fundamentale.

Do të doja t'ju rikujtoja juve dhe audiencës suaj faktin se ne gjermanët jemi përballur me të njëjtën situatë gjatë viteve 60-70-të, kur Gjermania ishte e ndarë dhe Perëndimorja kishte një pikëpamje tjetër për kombin gjerman nga Lindorja, kishte qëndrime të papajtueshme. E njëjtë sikurse pikëpamja sot e Beogradit që është e papajtueshme me pikëpamjen e Prishtinës për statusin e Kosovës.

Në rastin e Gjermanisë është gjetur një rrugë për të krijuar një mënyrë praktike të bashkëjetesës, që na mundësoi të injorojmë dallimet fundamentale që kishin të dyja palët dhe për të cilat nuk hiqnin dorë. Por kjo u mundësoi të dyja shteteve gjermane që të bëhen anëtare të OKB-së pa hequr dorë nga qëndrimet e tyre fundamentale. Prandaj unë mendoj se ka shembuj në historinë e re që mund të jenë modele të dobishme se si të tejkalohen dallimet e këtilla me hapa praktikë dhe zgjidhje praktike të cilat me kohë do të çojnë drejt zgjidhjes.

Në një periudhë afatgjatë edhe Serbia, edhe Kosova do të futen në BE dhe në atë moment të gjitha diskutimet për atë se kush ka pronësinë mbi cilën pjesë të territorit do të jenë shumë më jorelevante se sa sot.

 

BBC: Më falni por ka një pjesë tjetër të Kosovës që krijon tensione. A mundet veriu i Kosovës të shndërrohet në konflikt të ngrirë?

Ischinger: Unë shpresoj që kjo të mos ndodhë. Unë besoj se është një pikëpamje dominuese në BE, por edhe në NATO se territori i Kosovës, ashtu si e njohim sot, do të mbetet territor i Kosovës, pra, një territor nën një qeveri dhe se nuk jemi të interesuar që të kemi një situatë të posaçme në veriun e Kosovës.

Unë besoj se problemet me të cilat duhet të jetojmë në veri, gjithashtu brenda një kohe do të zbehen, se në një afat të gjatë kufiri mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë vetëm një vijë e përkufizuar dhe se tregtia, shërbimet dhe njerëzit do të qarkullojnë lirshëm për përfitime edhe të Serbisë edhe të Kosovës.

 

BBC: Ambasador, me sa e kuptova në fillim të kësaj interviste, BE-ja do ta kushtëzojë Serbinë me Kosovën. Por kjo e fundit duket të jetë plotësisht e izoluar, si në procesin e liberalizimit të vizave, ashtu edhe në çdo proces tjetër të integrimeve evropiane.

Ischinger: Ne kemi arritur një përparim të jashtëzakonshëm. Gati gjysma e ish-Jugosllavisë është tashmë në BE ose është në rrugë për t'iu bashkuar asaj. E kam fjalën për Slloveninë, Kroacinë dhe tani kemi aplikimin e Serbisë, por edhe të tjerat do të vijnë në radhë.

Unë nuk e besoj se është e domosdoshme që të flitet për procese simultane.

Me rëndësi është se BE-ja ka marrë mësim nga rasti i Qipros. Vite më parë, kur Qiproja u ftua që t'i bashkohet BE-së, u bë një gabim i madh nga BE- ja, sepse Qiproja u lejua të hyjë në familjen evropiane pa e zgjidhur konfliktin ndërmjet Greqisë dhe Turqisë për këtë çështje.

Prandaj ne në BE, dhe unë jam i sigurt për këtë, nuk duam që ta përsërisim këtë gabim. Kur një shtet hyn në BE me një barrë të rëndë në shpinë - këtu e kam fjalën për mosmarrëveshjet territoriale me fqinjët e vet - e ka më të vështirë ta zgjidhë gjendjen dhe me të pengon gjithë BE-në.

Kjo është arsyeja, që mbi bazën e asaj që unë e quaj mësim i Qipros, Serbia të jetë një anëtare e mirëpritur e BE-së, por vetëm nëse çështja e Kosovës është e përmbyllur dhe rruga përpara është identifikuar.

Unë jam shumë i sigurt se udhëheqësit e zgjuar në Serbi e dinë këtë shumë mirë dhe po fillojnë të mendojnë për rrugën përpara. Kjo nuk është dicka që do të diskutohet publikisht në këtë moment, por besoj se ky moment, kur të diskutohet kjo çështje, do të vijë së shpejti, mbase gjatë këtij viti që ka filluar.
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Deficiti tregtar kronik i KosovësNga Bekim Bislimi (01.11.2010)
KQZ: Shtyhet vendimi për Gjilanin (01.11.2010)
Korrupsioni mbërthen biznesetNga Nadie Ahmeti (01.10.2010)
Forcë policore për shuarjen e strukturave paraleleNga Albana Isufi (01.10.2010)
Ndryshimet në Qeveri pas balotazhit (01.10.2010)
KQZ ende pa vendim për Gjilanin (01.10.2010)
Gjilani: Vendimi pret votat me kusht (01.10.2010)
Mijëra pensionistë e humbën të drejtën e pensionitNga Ariana Kasapolli - Selani (01.10.2010)
Politika e qeverisë Obama për Evropën Lindore dhe Rusinë (01.09.2010)
Kosovë: Suficiti buxhetor - 160 milionë euro (01.09.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]