VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Prof Dr Elez Selimi mjeku shqiptar më i vlerësuarNga Agron SEJAMINI

                                                                                      

E Hënë, 05.13.2024, 07:14pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

Prof Dr Elez Selimi mjeku shqiptar më i vlerësuar

Nga Agron SEJAMINI


E Mërkurë, 09.09.2009, 02:47pm (GMT+1)

 

 

Ende nuk po braktiset një praktikë e vjetër. Duhet të largohesh nga kjo jetë që të nderohesh maksimalisht me një... fjalë të mirë, dekoratë, emër rruge apo institucioni. Mirë do të ishte që ta ndjente këtë nder të shoqërisë edhe vetë i nderuari. Këtë fat, e ka vetëm personaliteti i shquar i mjekësisë, Prof. Dr. Elez Selimi. Prej shtatë vjetësh, spitali i qytetit të Pukës mban emrin e tij. Me sy të përlotur nga emocioni, kujton atë çast të paharruar, kur u telefonua nga Puka.

- Sapo ka mbaruar mbledhja e Këshillit të Rrethit ku u vendos që spitali i qytetit tonë...

U bllokua nga kjo surprizë e jashtëzakonshme. Pas një çasti heshtjeje, mezi mundi të pëshpërisë me humor, lumturinë që përjetoi.

- Po prisni ore sa të vdes se jam akoma gjallë...

Dikush, mund ta arsyetojë si diçka të nxituar këtë vlerësim. Një nga këta është dhe vetë doktor Elezi. Natyrisht i pushtuar nga ndjenja e modestisë së tepruar... Sepse pukjanët thonë se është gjithçka e merituar. Madje, një mirënjohje pak e vonuar...

Mbaron Fakultetin e Mjekësisë me rezultate të larta dhe emërohet pedagog. Jep fizpatologji, lënda që merret me mekanizmat e sëmundjes, si funksionon organizmi i sëmurë, thënë ndryshe logjika e mjekësisë. Pas tre vjetësh, partia e vetme e asaj kohe shpalos një nga të mirat e pakta të punës së saj. Zbatohet orientimi i ndihmës së periferisë me kuadro të përgatitur që kanë lindur në ato treva. Me fat Puka në këtë rast, por jo djaloshi i saj. Puka e Migjenit përjetonte gati të njëjtën situatë mjekësore si të poetit të dhimbjes dhe realitetit të hidhur. U caktua shef i Shëndetësisë kur mungonin krejt institucionet që mbronin shëndetin e banorëve. Një ndërtesë një katëshe me shtatë dhoma, ku hynte shiu dhe bora, shërbente si spital dhe maternitet për pukjanët. Ndaj gjithçka i duhej ta fillonte nga e para. Në krye të shtatë vjetëve që ai drejtonte sektorin e shëndetësisë në rreth u arrit shumë. Hodhi shtat spitali i ri katër katësh në Pukë, u ngritën 18 qendra shëndetësore dhe pika farmaceutike në qendrat e kooperativave. Gjeti një farmaci, por shumë shpejt u hapën edhe dy të tejra. Një klinikë dentare shërbente për të gjithë rrethin. Në vijim u hapën edhe katër të tjera. E, ndërsa po ngriheshin institucionet ndjehej mungesa e specialistëve vendas. Ikte në shkollat e mesme dhe ndiqte nxënësit me rezultate të larta në mësime. Në vijim, ndërhynte në Seksionin e Arsimit për t'u nxjerrë bursa studimi për mjekësi. Më pas u kujdes edhe për specializimet pasuniversitare. Në këto vite Pukës iu shtuan specialistët për pediatri, kirurgji, obstetrik-gjinekologji, patologji, laborator klinik, bioklinik, mjek për drejtimin e pikës së transfuzionit të gjakut, radiolog, etj. Po kujtojmë një detaj nga këto vite pune të lodhshme, për të vlerësuar dhe kuptuar se në ç'masë ka qenë angazhimi dhe kontributi i doktor Elezit. Pasi siguroi projektin e Spitalit të Pukës, që vetëm si godinë kushtoi 18 milion lekë, shumë e konsiderueshme kjo për atë kohë, u nis drejt Peshkopisë. Troket në zyrën e kryetarit të Komitetit dhe i lutet për 30 specialistë ndërtimi. Sikur t'i kërkonte ustallarë për të ndërtuar shtëpinë e vet, zyrtari i lartë iu përgjigj negativisht, duke i lexuar edhe një shkresë të ardhur nga lart, se të gjithë specialistët e mirë duhej t'i çonin për të ndërtuar hidrocentralin e Fierzës. Kishte bërë rrugë të gjatë dhe ishte i vendosur në realizimin e asaj çka dëshironte. Ndaj i kthen shpinën Komitetit Ekzekutiv dhe ngjit shkallët e Komitetit të Partisë. Për fat, sekretari i parë edhe pse ishte më partiak u tregua më njerëzor.

- A është fjala për spital, do të ndihmojmë me gjithë qejf. Të nesërmen e adresuan të shkonte në zonën e Ostrenit, ku gjeti 30 specialistë duarartë, që për një muaj e gjysëm, lartësuan atë godinë madhështore katërkatëshe...

Edhe me kaq sa thamë, paçka se nuk i thamë të gjitha, të ngjan sikur me doktor Elezin nuk krenohet vetëm Puka, por akoma edhe më shumë fisi i tij... Madje, duke menduar që fama e tij e ka bërë të njohur këtë fis në gjithë trevën. Por, nuk është plotësisht kështu. Elezi është veçse një vazhdues i denjë i këtij fisi të njohur ndër vite...

Gjyshi i tij, Rexhepi që ka jetuar 105 vjet, mbahet mend si një burrë fjalëpak, por shumë i mençur që respektohej dhe dëgjohej nëpër kuvende. E kush më shumë se ai mund ta niste misionin e pajtimit të gjaqeve. Para 300-400 vjetësh ky fis kishte ardhur nga Shkreli i Kosovës, pikërisht për këtë arsye. Me dhjetra janë familjet që ai ka pajtuar. Tregojnë se vinin e merrnin edhe nga trevat e tjera të Veriut. Dy ditë rrugë bëri për të vajtur në Shtiqën të Kukësit, ku e kishte thirrur një miku i tij, i cili kishte rënë në gjak me një fis tjetër. Pasi u nderua si mysafir i veçantë dhe i respektuar, Selmani, i pari i fisit, i thotë se:

-Faqja e zezë Rexhep miku, por jemi zënë për pyllin...

Nuk e la të vazhdonte më plaku i mençur. Por për të kryer sa më shpejt dhe saktë misionin që i ishte besuar, godet në shenjë me fjalën e parë.

- Po pse more Selman vëllai, plak dushku më bëre?!

I prekur në sedër dhe duke reaguar se disa rrënjë lisa nuk mund të barazoheshin me ata djelmosha të fisit që kishin zënë shtigjet për t'u vrarë, pa zbardhur dita, Selmani u çon haber djemve të lënë pusitë dhe të vinë në shtëpi. Para se t'i servirnin ushqimin e mëngjesit, Selmani u bëri shenjë trimave të tij të shkonin dhe të përqafonin Rexhepin, njeriun që me një fjalë, zgjaste një jetë. Por më interesante se gjithë ato ndodhi që dëgjuam për Rexhepin është udhëtimi drejt Iballës së largët. Një natë i shfaqet në ëndërr se Hoxha i Iballës ka lënë një vajzë jetime... Kaq mjaftonte për të mos e mbajtur më vendi, por të bënte gati kalin dhe të nisej për udhë. Në të gjithë zonën e Pukës ishte i njohur Hoxha i Iballës, njihej në gjithë Veriun si një burrë i mençur, zemërbadhë dhe shërbëtor i zellshëm i Perëndisë. Kishte mbaruar Universitetin në Stamboll, por i ktheu krahët këtij shkëlqimi, për vendlindjen. Ashtu sikur dhe i ishte shfaqur në ëndërr Rexhepit, ai vërtetë kishte lënë një vajzë jetime. Takohet me të afërtit që e kishin rritur, dhe pasi u tregon arsyen e vajtjes nuk vonon dhe u thotë se unë këtë vajzë e dua për djalin tim, Rustemin. Pas një viti, Fatimja jetime 15-vjeçare, hyn nuse në këtë fis të nderuar. Kjo jetime më pas do të bëhej një nënë e lumtur, duke lindur katër fëmijë një prej të cilëve është Elezi. 95 vjet lumturoi kjo nënë.

Mrekullia e tretë që hedh shkëlqim, mbi Rexhepin u zbulua para katër vjetësh. Një miku i doktor Elezit në Romë kishte blerë një libër kujtimesh që kishte për autor kreun e Kishës Katolike të Brazilit. Një kapitull i tij kishte një tregim të jetuar që titullohej "Krishtlindje në luftë". Ngjarjet zhvilloheshin në vitet e luftës në një zonë veriore të Shqipërisë. Një nga personazhet kryesore mbante mbiemrin Selimi. Miku italian kishte kujtuar mbiemrin e shokut të vet dhe i telefonon pa ditur se do i shkaktonte surprizën e madhe se ai ishte pikërisht gjyshi i vet, Rexhepi. Kush është ngjarja? Në fund dhjetori të vitit 1943, nëpër Fushë-Arrëz kalon një batalion gjerman. Pjesë e tij ishin edhe disa ushtarë italianë që ishin kapur rob nga nazistët. Në një moment të përshtatshëm, tre italianë duke shfrytëzuar errësirën devijojnë rrugë dhe fshihen. Më pas, trokasin në një shtëpi ku derën e hap Rexhepi. Nuk kaloi gjatë për të ndjerë qetësi dhe siguri, italianët e frikësuar në këtë familje malësore. Aq sa pas një ore, ata i luten për të kryer rritin e Krishtlindjes, duke u lutur për Krishtin. Me gjithë shpirt i respektoi Rexhepi që ata të gëzonin. Aq sa dhe ata vetë harruan se po festonin në një familje myslimane. Dhe jo vetëm kaq. Të nesërmen, Rexhepi i veshi si malësorë prej Puke dhe i orientoi në drejtim të Shkodrës. Për fat, ata do të mbërrinin shëndoshë e mirë në Itali. Më pas, njëri prej tyre kishte emigruar në Itali për të mbërritur pas disa vjetësh në krye të Kishës Katolike të Brazilit. Pikërisht, autori i atij libri me kujtime...

Në atë kohë kur Elezi ishte pedagog në Fakultetin e Mjekësisë shkonte shpesh te shokët e vet, në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë. Një ditë si me humor u kishte thënë:

- Do më lini akoma beqar mua?- dhe sytë i kishte përqendruar te nja katër vajza që qeshnin me njëra-tjetrën. E bën më serioze shakanë dhe kërkon të dijë diçka më shumë për to. Edhe pse mësoi se të katra ishin shumë mirë me mësime, sytë i ngelën te ajo dibranja. Jo thjesht pse ishte gjysëm nga veriu, por, sepse iu duk më e shkathta. Fjalët dhe xhestet e saj shkaktonin të qeshura të shpeshta te shoqet e saj. I la një ndjesi magjike ajo vajzë...

Pa kaluar java, gjen çastin dhe ia shpreh ndjesinë që kishte filluar ta linte pa gjumë... As që ia kishte bërë tërt syri studentes së vitit tretë, për t'i thënë prerazi pedagogut të Mjekësisë, që mos më tako më për këtë problem. Shqetësimi im është shkolla!

Por paskej qenë e shkruar që edhe në këtë rast, fati të ishte në krah të doktorit...

Pas tre muajsh, studentja e Historisë shtrohet në spital për shkak të një bronkopneumonie... Ishte shtangur atë ditë, kur kishte hyrë në dhomat e të sëmurëve dhe kishte parë të shtrirë në krevat atë vajzë. Ditët në vazhdim, shërohej studentja dhe përkeqësohej doktori... Një rast i artë ky për të mbyllur një plagë të vjetër të djaloshit pukjan. Më pas, edhe Yllka ndjente më shumë qetësi nga fjalët e doktorit se sa ilaçet e spitalit. Kështu nisi ajo jetë e lumtur që nuk do zbehej asnjë ditë, në ndjesi, pastërti dhe dashuri. Bashkëshortë, por dhe miq të mirë që do të frymëzonin dhe mbështesnin njëri-tjetrin në udhën e realizimit të synimeve të tyre. Për të arritur në një moment aq shumë të dëshiruar për të qenë të denjë, të barabartë dhe krenarë. Tashmë të dy bashkëshortët janë profesorë në fushat e tyre përkatëse. Elezi në Mjekësi dhe Yllka në Etnokoreografi. Dhe përsëri meritë ka Puka. Se vërtetë në ato shtatë vjet, doktor Elezi u lodh duke punuar dhe arriti të skalisë emrin e tij në ballë të Spitalit të Pukës, por edhe Yllka ka bërë jo pak për të ndriçuar dhe nxjerrë në dritë vlerat e pasura të folklorit dhe etnokoreografisë së kësaj zone. Gati në të gjitha festivalet folklorike kombëtare që ka konkuruar Ansambli i Pukës është nderuar me çmime. E në këto arritje dhe suksese pjesën e vet ka edhe Yllka. Ashtu sikurse kostumet popullore të kësaj treve kanë zënë vendin e merituar edhe në saj të propagandimit dhe studimit që ka bërë profesoresha e nderuar, e cila prej shumë vjetësh ka punuar në Institutin e Kulturës Popullore. Ka pak kohë që ka përfunduar studimin me shumë vlerë 'Veshjet popullore të Pukës", mbështetur mbi vlerat e 19 lloje kostumesh të gjetura në këtë zonë. Ky material do të zërë vend të rëndësishëm, në vëllimin III, të korpusit të veshjeve popullore shqiptare që do të dalë së shpejti nga botimi.

Ky çift i përsosur bashkëshortësh nuk kishte si të mos lindnin dhe edukonin edhe fëmijë të mbarë. Dy vajza, dy dritë sysh kanë qenë frymëzimi dhe motivimi i lumturisë së përditshme familjare. Brikena ka mbaruar shkëlqyeshëm Fakultetin e Mjekësisë dhe tani shërben si mjeke okuliste në Tiranë. Si për të mos i mjaftuar ky shkëlqim studimi disa vjeçar, ajo është specializuar edhe katër vjet të tjera në Tiranë si dhe është kualifikuar në Budapest të Hungarisë dhe Oslo të Norvegjisë. Duke patur përherë inkurajues dhe mbështetës kryesor, bashkëshortin Arturin, reumatolog në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza".

Jo më pak ka ecur edhe vajza e dytë e çiftit Selimi, Denada. Pas përfundimit të Fakultetit Juridik në Shqipëri ajo kreu studimet e larta edhe në Kanada për Shkencat Politike Juridike. Si të ishin në një garë të heshtur mes motrash, edhe kjo i përfundon ato me rezultate të shkëlqyera. Tashmë punon në Bankën Mbretërore të Montrealit në Kanada.

Prisnim që doktor Elezi të lëshonte pshërtima malli dhe dhembshurie për largësinë e vajzës së tij, por tjetër gjë dëgjojmë. E ka peng që vajza e tij, Denada aq e zonja në profesion shërben në një vend të huaj. Një shqetësim që kërkon ta ndjejnë të gjithë shqiptarët. Akoma më shumë ata, që janë larguar nga Atdheu i tyre. Ja pse pret të gëzohet dy herë në ditët që vijojnë... Për ardhjen e të bijës pranë familjes, por edhe të shansit që ajo mund t'i krijojë vetes për të bërë emër dhe famë aty ku ka lindur. E ku ka më mirë se sa t'i shërbesh atdheut tënd. Mirësi që bashkëkombasi yt ta kthen dhjetë fish në mirënjohje, respekt dhe emër. E kush më shumë se sa doktor Elezi duhet besuar për të vërtetën e kësaj thënie të vyer.

Prof. Dr. ELEZ SELIMI

Ka lindur në qytetin e Fushë-Arrëzit më 04.12.1940.

Kreu shkollën fillore në qytetin e lindjes, shkollën 7-vjeçare në Shkodër dhe shkollën e mesme në Tiranë.

1956-1961 Fakultetin e Mjekësisë.

1961 - 1964 Bashkëpunëtor Shkencor i Fakultetit të Mjeksisë.

1964 - 1974 Shef Shëndetësie dhe

Shef i Repartit të Patologjisë në Pukë.

1974 - 1975 Pedagog në Katedrën e Terapisë Hospitalore.

1976 - 1986 Përgjegjes i Specialitetit të Pneumologjisë

1986 - 1999 Shef i Klinikës së Pneumologjisë.

1961 - 1964 Specializim në fiziopatologji

1967 - 1970 Specializim në sëmundje të brendshme

1975 - 1976 Specializim në pneumologji

1989 Kualifikim në Kubë

1998 Kualifikim në Francë

1999 Kualifikim në Itali

Detyrat dhe funksionet

- Shef Shërbimi i Pneumologjisë

- Shef i Katedrës Pneumologji, Gastrolopatologji - Radiologji

- Shef i Klinikës Pneumologjisë

- Zv/Drejtor shkencor i Spitalit Universitar të Mushkërive

- Anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit Mjekësisë

- Anëtar i Akademisë së Shkencave të New Yorkut

- Anëtar i Shoqatës Pneumologëve Europian (ERS)

- Anëtar i Shoqatës AIPO Itali (Shoqata e pneumologëve të spitaleve të Italisë)

- Kryetar i Shoqatës së Pneumologëve të Shqipërisë.

REZULTATE NË PUNË

-Themelues i specialitetit të Pneumologjisë në vitin 1976

-Drejtues i këtij specialiteti nga viti 1976 e në vazhdim.

-Ka aplikuar për herë të parë në Shqipëri elektroforezën e proteinave më 1962.

-Drejtues i grupit studimor të Epidemiologjisë së hipertensionit arterial në Shqipëri, gjatë të cilit u depistuan 84 000 persona, në grup mosha të ndryshme të popullsisë.

-Ka aplikuar ekzaminimet funksionale pulmonare për herë të parë në Shqipëri, më 1976.

-Ka aplikuar për herë të parë në Shqipëri, studimin me izotope radioaktive të mushkërive, si Shentigrafinë pulmonare dhe gjurmimin e metastazave kanceroze në kancerin pulmonar. Këto metoda aplikohen me sukses për diagnozën e sëmundjeve pulmonare që nga viti 1977.

- Ka hartuar protokollet diagnostike dhe kurative të disa sëmundjeve pulmonare si: tromboembolive pulmonare, tuberkulozit pulmonar, kancerit pulmonar, bronkiteve kronike, sarkoidozës etj.

8. Ka marrë pjesë në kongrese ndërkomnëtare me referime për Tromboembolitë pulmonare te gratë gjatë përdorimit të kontraceptivëve.

BOTIME

- Sëmundjet e mushkërive 1998

-Pneumologjia në pyetje kuic 2003

- Hepatitet eksperimentale 1961

- Sëmundja Hipertonike 1980

- Programi i kontrollit të tuberkulozit në Shqipëri

(me bashkëautor) 2002

- Spok (Sëmundja pulmonare obstructive kronike

(me bashkëautor) 2002

- Infeksioni HIV dhe mushkria në botim

- Hipertensioni arterial parësor pulmonar

Agron Sejamini


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Skënder Luarasi figurë emblematike e kulturës shqiptare (09.09.2009)
Letërsia e gjuhë së ndaluarNga Ismail KADARE (09.08.2009)
Kongresi i Elbasanit, vepër me rëndësi për historinë e arsimit dhe të gjuhës shqipeNga Prof Dr Avzi Mustafa (09.07.2009)
Studimet e Koço Tashkos në universitetin e HarvarditNga Efthim Dodona (09.07.2009)
Tish Daija i veçanti...!Nga Skifter Këlliçi (09.05.2009)
Durrës-Kukës me kapacitet të plotë brenda datës 10 shtator (09.04.2009)
Intervistë me myftiun Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës (09.03.2009)
100 vjet më parë u mblodh Kongresi i Elbasanit (09.02.2009)
Shoqëruesja e dytë e Miss Universe 2009 Marigona Dragusha u prit nga kryetari i Prishtinës Isa Mustafa (08.31.2009)
Petro Cani kirurgu shqiptar që kreu transplantin e veshkës më 1954Nga Prof Dr Lluka Heqimi (08.31.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]