VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Studimet e Koço Tashkos në universitetin e HarvarditNga Efthim Dodona

                                                                                      

E Premte, 04.26.2024, 01:56pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

Studimet e Koço Tashkos në universitetin e Harvardit

Nga Efthim Dodona


E Hënë, 09.07.2009, 09:15am (GMT+1)

 

Universiteti i Harvardit është i pari dhe më i njohuri, i themeluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 24 tetor 1636. Fama e tij lidhet dhe me mbarimin në këtë universitet të shtatë presidentëve të Amerikës, si edhe i përgatitjes së shumë personaliteteve të njohura në fushën e drejtësisë, letërsisë, ekonomisë, të artit të qeverisjes, të shkencës dhe fushave të tjera. I themeluar nga pelegrinët anglezë, që vinin pareshtur në këtë Tokë të Re të begatë dhe të virgjër, në traditën e saj dhe në strukturën mësimore ka si bazë përvojën e universiteteve angleze, e cila ruhet edhe sot. Pikërisht në këtë universitet të njohur kanë ndjekur studimet edhe disa shqiptarë, dosjet e të cilëve janë në arkivat e tij dhe për t'i hapur ato, sipas rregullit të shkollës, duhet të kalojnë 80 vjet! Kam pasur rastin fatlum që të hap ato dosje shqiptarësh, të cilat plotësonin kushtet e vjetërsisë 80-vjeçare. Ata janë: Fan Noli, i cili u diplomua në Harvard më 1912; Faik Konica, i cili pas diplomimit në Dizhon të Francës më 1895 fitoi Masterin në Arte (Master of Arts) më 1912; Kostë Çekrezi, i cili fitoi diplomën më 1918; Loni Kristo, i cili u regjistrua në vitin 1918 dhe pasi kreu vitin e parë, nuk e vazhdoi më; i pesti shqiptar i Harvardit është Koço Tashko, i cili e mbaroi atë. I gjashti është Daniel Constant Levis, i cili u regjistrua më 1922, por për arsye shëndetësore nuk i përfundoi dot. Këta janë gjashtë shqiptarët, dosjet e të cilëve i kam mbi tryezën e punës. Për shqiptarët e tjerë, për të hapur dosjet e tyre duhet të kalojnë 80 vjet.

 

1. Prejardhja

 

Koço Tashko, pinjoll i familjes së madhe dhe të njohur me prejardhje nga Frashëri, është fëmija i parë i Thanas Tashkos, familja e të cilit zbriti në Korçë nga fundi i shekullit 19 dhe prej andej u nis për në Misir (Egjipt), ku u vendosën në qytetin Fajum. Këtu Thanasi ka qenë pronar i hotelit "Karoon". Ai është shquar për punë të palodhur atdhetare në shërbim pavarësisë së Shqipërisë, ka ndihmuar bashkatdhetarët që ndodheshin atje dhe këtë veprimtari e pasqyronte në gazetën "Shkopi", e themeluar prej tij.

Mendjemprehtësia, shkëlqimi mendor, gojëtaria dhe mendimet filozofike për natyrën janë cilësi natyrore që kanë lidhje edhe me lartësitë malore. Frashëri është një vend i thepisur malor, me male të larta gëlqerore dhe me humnera përrenjsh që kanë gërryer në një formacion gjeologjik të veçantë që quhet flish (flysch). Pikërisht ky reliev, si kudo gjetkë, ka kushtëzuar botën organike bimore dhe shtazore, bimët dhe kafshët i janë përshtatur këtij mjedisi, ku kanë mbijetuar. Edhe qeniet njerëzore kanë përballuar e mbijetuar këtë reliev të vështirë. Pasi në këtë reliev u formua njeriu, karakteri dhe prirjet e tij, ishte po ky njeri që iu kthye kushteve natyrore, i studioi ato dhe mbijetoi. Mbijetesa u përballua me mendjemprehtësi dhe ata e mprehën mendjen në ranorët e flishit. Pikërisht këtu midis malesh është ngritur fshati Frashër me filozofë të mëdhenj, i cili u bë qendra e trevës së vet dhe hyri në lidhje dhe me qendrën e Perandorisë Osmane e gjetkë. Në Frashër kanë bashkëjetuar të dy besimet, besimi i krishterë dhe mysliman. Nga këta të fundit dolën mendimtarë të mëdhenj, por mëmat dhe gratë e tyre, për shkak të kufizimeve që u kishte vënë feja, kanë qenë më pak të dala, më të mbyllura, më të prapambetura. Në familjet e krishtera, midis burrave të shtëpisë dhe grave ka pasur më shumë barazi, gratë kanë qenë më të lira, janë veshur më shumë sipas kohës, fytyra e tyre ka qenë gjithnjë e zbuluar, kur vinte miku, ato janë ulur së bashku me të në sofrën apo tryezën e ngrënies. Ky është një problem i madh shoqëror, që ka kërkuar dhe përsëri kërkon një shpjegim që mund dhe duhet të fillojë nga gjeologjia me kushtet natyrore, relievin dhe me përshtatjen e njerëzve ndaj këtyre kushteve.

Futja e besimit mysliman në trojet shqiptare në kohën e Perandorisë Osmane u ndesh me një nënshtrojë (substrat) të përbashkët të kulturës materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve. Në këtë formim kulturor ka pasur rol ndikues të rëndësishëm edhe ndërtimi gjeologjiko-gjeomorfologjik. Pra ky shtrat gjenetik përbën themelin e shpjegimit edhe të shoqërisë shqiptare. Përqafimi i besimit tjetër mysliman ndikoi edhe në ritet e vjetra që vinin nga koha e lashtë. Gruaja u kufizua në shoqëri dhe familja mori tipare patriarkale dhe ashtu siç formohet stalaktiti, kristal për kristal, ashtu dhe ky besim hyri dalëngadalë dhe u deshën shumë vjet që, megjithëse nënshtroja ishte dikur e përbashkët, pjesa myslimane filloi të përndryshohet, të marrë tipare të reja të ngjashme, dhe të ndryshme.

Në kohën e Perandorisë Osmane u vendos një strukturë tjetër administrative me termat e saj: bakshish, ryshfet, kadi etj. Në këtë administratë u punësuan njerëz të vendit dhe më lehtë për të gjetur punë e kishte pjesa myslimane. Pjesës tjetër, asaj që vazhdoi të praktikonte ritet e vjetra, iu desh të mbijetojë nëpërmjet dijes dhe punës.

Gjeologu me çekiç në dorë ecën çdo ditë 15-20 km, vëzhgon shkëmbinjtë, mbledh fosilet, kundron fshatra të ndryshme, hyn nëpër shtëpitë e banimit dhe njihet me traditën e tyre të gatimit dhe të riteve e dokeve që kanë ardhur nga lashtësia. Këto doke kanë pësuar dhe dallime e ndryshime nga njëri vend në tjetrin dhe gjeologu padashur është bërë edhe etnograf, folklorist, ka dëgjuar legjendat e treguara nga pleqtë e fshatit që vinin si mysafirë në çadrën e gjeologut.

Banorët e Frashërit kanë qenë në lidhje shoqërore, fetare dhe martesore me të gjitha popullsitë e trevave rreth e rrotull, madje edhe nga krahinat që janë mjaft larg. Kur u dogj për herë të parë Voskopoja më 1769, një pjesë e banorëve të saj u vendosën në fshatin Frashër, sepse kanë pasur lidhje të vjetra martesore dhe fetare. Ata zunë vend në anë të fshatit, atje ku edhe sot quhet "Mëhalla e voskopojarëve".

Shumë frashërllinj kanë zbritur në Korçë, kur ky qytet nisi të merrte pamjen e një qyteti të kohës, me rrugë të drejta të shtruara me kalldrëm, me shtëpi të bukura dykatëshe të rrethuara me kangjella, ku lulëzoi jeta qytetare me administratën e vet, gjyqet etj. Korça u bë qendër e rëndësishme e të gjithë Shqipërisë juglindore. Atëherë dhe Përmeti ka pasur lidhje me Korçën, e cila u bë qendra e mjeshtërve artizanalë në të gjithë këtë trevë: këpucarë, rrobaqepës, hekurxhinj, llamarinistë, qilim- dhe shajakpunues, gurgdhendës etj. Kur erdhën frashërllinjtë në Korçë, me mendjen dhe aftësitë e tyre zunë pikat kyçe të administratës, të drejtësisë dhe të arsimit. Botës së artit frashërllinjtë i kanë dhënë shtytje dhe cilësi të re. Foqion Postoli, shkrimtar i njohur me "Lulen e Kujtimit", i cili është marrë si korçar, në të vërtetë ka qenë me prejardhje nga Frashëri. Kolegu dhe miku im, Alfred Frashëri, tani së fundmi ka shkruar në vitin 2007 librin "Frashëri", ku ka trajtuar ndër të tjera edhe lëvizjet e frashërllinjve në vend e gjetkë.

Pikërisht në Korçë erdhën edhe Tashkot, njëri prej tyre, Thanasi, u martua me zonjushën Eleni Zografi, nga një familje e njohur korçare.

 

2. Fëmijëria dhe shkollimi

 

Koço Tashko ka lindur më 14 korrik 1899 në Fajum të Egjiptit, ku i ati, Thanasi, kishte një hotel. Ai këtu ka kryer mësimet e para të shkollës fillore. Kur mbushi moshën 11-vjeçare, për mësimet e mëtejshme u regjistrua në Kolegjin Protestant të Sirisë (Syrian

Protestant College), të cilin e vazhdoi për katër vjet deri në vitin 1915.

Në dosjen e Harvardit është dëftesa e tij me lëndët që ka dhënë për çdo vit, ndër të cilat anglishtja (si gjuhë e shkollës amerikane), arabishtja (si gjuhë e vendit e Sirisë) dhe lëndët me formim të përgjithshëm: algjebër, gjeometri, histori e lashtë, qeverisje, fizikë dhe dy vitet e fundit ai bën gjermanisht. Në një dokument tjetër të vitit 1927, kur i kërkohet se çfarë shkolle kishte mbaruar, ai përgjigjet: "Universitetin amerikan. (Departamentin Përgatitor), Bejrut, Siri, deri në vitin 1915."

Në vitin 1915 ai shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pikërisht në shtetin Ohaio, në qytetin Tifin, ku për dy vjet, 1915-1916, 1916-1917, vazhdoi studimet në shkollën e mesme në Akademinë e Haidelbergut (Heidelberg Academy).

Në vitin shkollor 13 shtator 1917- 22 maj 1918 ai regjistrohet në kolegjin e Haidelbergut (Heidelberg College) për një vit. Kjo shkollë i lejoi atij për të vazhduar studimet universitare.

 

A. Shkollimi i tij në universitetin e Harvardit

 

a. Viti i parë, 1918-1919

 

Në dosjen "Tashko", që ndodhet në këtë universitet, janë të gjitha dokumentet e shkollimit të mëparshëm, të cilat i përshkruam më sipër. Kur paraqitet në Harvard për t'u regjistruar, ai plotësoi formularin e zakonshëm për t'ia paraqitur Komisionit të Pranimit, ku ka shënuar emrin e tij, të prindërve, Thanas dhe Eleni, ka dhënë adresën e tyre në hotelin "Karon" (Karoon), Fajum, Egjipt, si edhe ka treguar shkollat dhe lëndët që ka dhënë para hyrjes në universitet. Formularin ai e ka plotësuar më 15 korrik 1918 dhe më 24 korrik të këtij viti i erdhi kjo përgjigje nga sekretari i universitetit: "I dashur zotëri, jam i gëzuar t'ju them që mund të pranoheni në Harvard këtë vjeshtë si Student i Paklasifikuar (Unclassified Student).

Pranimi në universitet ishte një gëzim i madh për të dhe për prindërit e tij. Pyetjes së dhjetë: Për çfarë jeni i interesuar? Ai i përgjigjet: "Për histori, për qeverisje (administrim-government) dhe ekonomi, sidomos këto dy të fundit." Pyetjes tjetër: Pse dëshironi të hyni në Harvard? Ai përgjigjet: "Për dy arsye; e para: cilësia e lartë e mësimdhënies, e cila do të bëjë që t'i shërbej sa më mirë vendit tim (Shqipërisë). E dyta: Fama e Harvardit më jep shpresë për të realizuar ambiciet e mia dhe kjo famë do të ndikojë më shumë se çdo gjë tjetër te bashkatdhetarët e mi." Në fund shton: "Qëllimi im është të përgatitem mirë për qeverisje dhe ekonomi, që të më bëjë të aftë të përmbush detyra të larta në qeverinë shqiptare."

Në tryezën e punës sime kam të gjitha dokumentet që lidhen me studimet e Koço Tashkos në Universitetin e Harvardit, ato janë origjinale dhe një burim arkivor i dorës së parë. Në shumë shkrime të këtij karakteri, autorë të ndryshëm e kanë të lehtë të përdorin shprehjen "Mbaroi shkëlqyeshëm universitetin e ... ose gjimnazin e ...". Kjo shprehje tingëllon bukur dhe krijon efekt, por a është vërtet kështu? Këta studiues a i kanë parë dokumentet e shkollimit?

Duke shqyrtuar një për një këto dokumente, të cilat ndodhen në dosjen "Tashko", del qartë se cilat janë notat që ai ka marrë për çdo lëndë dhe vështirësitë që ka hasur duke rrezikuar edhe mbarimin e shkollës. Duke i lexuar dokumentet e "Dosjes" së Harvardit, jam njohur me të gjithë ecurinë e tij në shkollë. Koço Tashko u bë për mua më i afërt, më i dashur. Figura e tij u lartësua më shumë, sepse ai i ka përballuar të gjitha vështirësitë dhe ka arritur të përfundojë shkollën e të marrë diplomën në vitin 1921.

Koço Tashko është pranuar në Universitetin e Harvardit në shtator të vitit 1918. Pasi kaloi një vit, Komisioni i Pranimit, nëpërmjet sekretarit Hart, i dërgoi një letër, ku i thotë që ai ka marrë nota të pakënaqshme, sidomos në semestrin e dytë dhe pikërisht në lëndët: Ekonomi 2b=E, Qeverisje 17=D, Astronomi B=D(1/3 e kursit), Psikologji AA=C(1/3 e kursit), duke i theksuar se nota C është e kënaqshme, nota D është e pakënaqshme, por kaluese, kurse nota E është ngelëse, kështu që tani për tani ai konsiderohet "Student në provë", prandaj ai duhet që në tri lëndët e ardhshme të sigurojë të paktën 3 nota C dhe një notë D. (Theksojmë se nota A është shkëlqyeshëm dhe nota B quhet shumë mirë). Në fund të letrës thuhet: "N.q.s notat tuaja nuk janë të paktën dy C dhe një D, atëherë lidhja Juaj me shkollën mund të ndërpritet.?

Për këto rezultate të pakënaqshme njoftohet kujdestari (tutori) i tij, si dhe ai vetë, të cilit i thuhet se Komisioni i Pranimit e kishte vënë atë në rezervë: "Në mënyrë që t'Ju hiqet rezerva, Ju duhet të siguroni një minimum prej tri notash C dhe një notë D... përndryshe lidhja Juaj mund të ndërpritet." Në fund të letrës është shtuar: "Nëse mendoni se unë mund t'Ju ndihmoj, ju lutem më thoni. Ju uroj sukses dhe një kthim sa më të shpejtë në një pozicion më të mirë." Nga ana e tij, kujdestari i zotit Tashko, zoti Royal Clude Agne, më 21 prill 1919 i ka dërguar këtë letër sekretarit të Harvardit: "I dashur zoti Gallishaw, mua më është kërkuar, me anë të letrës suaj të jap disa sqarime për studentin tim Koço Tashko dhe të tregoj gjendjen e tij në të cilën ndodhet. Ju mbase e dini që z. Koço Tashko është një shqiptar, i cili ka qenë në Amerikë për më pak se 4 vjet. Përparimi i tij ka qenë i shpejtë, madje më se i shpejtë, po të kemi parasysh prej nga është nisur. Ai është mjaft i lidhur me shtëpinë, i ati i ka vdekur (më 1915-ed), posa i biri mbërriti në Amerikë dhe ai merret dhe më çështjet kombëtare shqiptare. Babai i z. Tashko ishte një udhëheqës kombëtar largpamës dhe i përkushtuar, shqiptarët e Bostonit po presin që djali i tij të bëhet një nga liderët e tyre në Shqipërinë e Re. Paqartësia e së ardhmes së Shqipërisë përbën një shqetësim të madh për Kostandinin. Djali nuk është në asnjë mënyrë bukëshkalë, është i çiltër në punën e tij. A do të keni mundësi ta thërrisni në zyrën tuaj për një bashkëbisedim?"

Komisioni i Pranimit e mori parasysh kërkesën e kujdestarit të tij dhe më 26 maj 1919 njoftoi se ishte e mjaftueshme që të jepte tri lëndë. Më 26 qershor të vitit 1919, sekretari i shkollës i dërgoi këtë letër: "I dashur z. Tashko, më vjen keq t'Ju them se notat e këtij viti kanë qenë të pakënaqshme dhe në kuadrin e të gjitha notave që ke marrë që kur je regjistruar, nuk mund të them se janë të mjaftueshme që Ju të fitoni një diplomë në Harvard. Nëse Ju nuk i përmbushni kërkesat e regjistrimit për t'u pranuar në Harvard, lidhja Juaj me këtë universitet do të ndërpritet." Atij i këshillohet që të ndjekë një kurs plotësues në Shkollën e Verës (Summer School) pranë Universitetit të Harvardit, për të përmirësuar përfundimet e notave të tij. Me një shkrim të bukur, të drejtë dhe shumë të lexueshëm, më 10 shtator të vitit 1919 Koço Tashko i dërgoi këtë letër sekretarit të shkollës: "I dashur zotëri, e mora letrën tuaj të 26 qershorit, ku Ju më njoftuat se marrëdhëniet e mia me kolegjin e Harvardit janë ashpërsuar disa ditë para fillimit të Shkollës Verore... Znj. McDonald më tha se, nëse unë ndjek në Shkollën Verore dy lëndë të plota dhe ajo shtoi se, nëse marr një notë C ose më tepër në një nga këto lëndë, atëherë pozita ime me Harvardin do të përmirësohet. Unë po vazhdoj Shkollën Verore duke ndjekur lëndët Administrim 1(Government 1) dhe Ekonomi A. Në Administrim unë kam marrë notën B, ndërsa në Ekonomi notën D. Kur takova profesorin e lëndës, z. Lincoln, ai më tha se puna ime në atë lëndë ishte pak më poshtë se C, kështu që unë shpresoj që këtë sezon të marr C. Për sa i përket notës sime në Administrim, për sezonin e dytë kam besim se do të vijojë të jetë e kënaqshme. Tani po Ju drejtoj këtë lutje, që të merrni parasysh punën e bërë gjatë kësaj vere dhe ta përfshini atë në rezultatet e mia të vitit të fundit, në mënyrë që kështu të përmirësohet pozita ime ndaj Kolegjit të Harvardit."

Në fund të letrës ka theksuar: "Kam besim që vitin tjetër nota B do të jetë më e zakonshme për mua."

Duke parë përfundimet e notave në Shkollën Verore, sekretari i saj e njoftoi se ai ka fituar kreditë e mjaftueshme: "Komisioni i Pranimeve Ju jep lejen për t'u regjistruar, tani për tani si i Paklasifikuar me kushtin që në çdo moment, nëse notat në Harvard do të bëhen të papëlqyeshme, Ju do të çregjistroheni menjëherë."

Kështu Koço Tashko u regjistrua në vitin e dytë.

 

b. Viti i dytë, 1919-1920

 

Duke parë përfundimet e semestrit të parë, del se studenti Koço Tashko nuk po ndiqte rregullisht lëndët që do ta profilizonin në Ekonomi, prandaj Komisioni i zgjedhjes së fushës të specializimit, më 29 janar të vitit 1920, me anë të një letre i ka theksuar se ai nuk po ndiqte lëndët për Ekonomi, megjithëse "Ju e keni kërkuar vetë që të studioni në këtë degë." Brenda kësaj shkrese Koço Tashko me dorën e tij i ka kthyer këtë përgjigje: "Sepse dua të ndryshoj fushën kryesore nga Ekonomi në Administrim."

Gjatë këtij viti ai dha këto lëndë: Administrim 3,6; Ekonomi 5a, 5b; Frëngjisht 1; Filozofi B, C, 18.

Më në fund Komisioni i zgjedhjes së fushës së specializimit, më 14 shkurt 1920, "e miratoi ndërrimin e fushës së specializimit nga Ekonomi në Administrim" dhe i tregoi se çfarë provimesh duhej të jepte. Në fund ai Komision ka shtuar: "Kur të kalosh dhe Filozofinë B, C, 18; atëherë numri i provimeve do të jetë i plotë." Ndërkohë, për të përfunduar vitin akademik 1919-1920, përveç lëndëve të mësipërme, ai duhej të jepte dhe1/2 e lëndës Hartim anglisht me notën mbi D. "Ju duhet të jepni provim gojor në frëngjisht dhe gjermanisht."

Bordi Administrativ, më 29 shtator 1920, i ka dërguar një letër zotit Tashko, ku e ka njoftuar se ai i plotëson kushtet për t'u pranuar si "Senior". Termi "Senior" në universitetet amerikane jepet kur studentit i duhet një vit, dhe ky është viti i fundit për të marrë diplomën, termi tjetër "Junior" i jepet studentit që i duhen dy vjet, ndërsa termi "I Paklasifikuar" (Unclassified) i jepet studentit që është gjithmonë në mbikëqyrje për përfundimet e notave të tij. Pra, pranimi "Senior" i Koço Tashkos dëshmon se ai si student fitoi një cilësi të re: ishte kandidat real për fitimin e diplomës. Megjithatë në letër i është theksuar: "Ju regjistroheni "Senior" me rezervë, nëse Ju nuk kaloni provimin me gojë. Nëse një nga provimet tuaja nuk është i kënaqshëm, Ju do të çregjistroheni."

Pasi kaloi provimin me gojë, më 22 tetor 1920, u njoftua nga sekretari se "tashmë nuk jeni më "I Paklasifikuar"; "dhe në këtë mënyrë u mbyll viti i dytë 1919-1920.

 

c. Viti i tretë dhe i fundit, 1920-1921

 

Edhe gjatë këtij viti ka një lidhje të vazhdueshme midis sekretarit dhe vetë studentit diplomant, herë me letra, herë duke u takuar në zyrë. Gjatë verifikimit të notave doli se për të plotësuar pikët e plota, ai duhej të merrte dhe gjysmë pike "për të përmbushur kushtet" për fitimin e diplomës. Më në fund sekretari, më 23 shkurt të vitit 1921, i dha këtë njoftim: "Unë vërtetoj që Kostandin Athanas Tashko ka plotësuar kërkesat për të fituar Bakeloreatin në Shkencë (Bachelor of Science) në kolegjin e Harvardit."

 

Fitimi i diplomës

 

Një dokument i thjeshtë, shumë i thjeshtë, përfaqëson diplomën e tij, që e mori më 28 shkurt 1921, në profilin S. B (Science Bachelor) dhe në fund firma e tij, ashtu siç duket në fotokopje.

 

B. Vitet e para pasuniversitare

 

Në dosjen "Tashko", përveç dokumenteve që shqyrtuam më sipër, ndodhen disa letërkëmbime që ai ka pasur me sekretarinë e shkollës. Pas ngjarjeve të mëdha që lidhen kryesisht me veprimtarinë e madhe politike dhe shoqërore të Federatës Panshqiptare "Vatra" dhe veçanërisht me Fan Nolin, si bashkëpunëtor i afërt i tij. Kjo kohë përkon sidomos me mbarimin e diplomës (shkurt 1921). Këto ngjarje historike të mëdha që nga Kongresi i Lushnjës dhe deri në fund të vitit 1924 janë njohur mirë nga studiuesit e historisë shqiptare. Por në "dosje" ndodhen disa letra dhe një formular i plotësuar prej tij, kur Koço Tashko vjen në Amerikë, pas dështimit të Lëvizjes së Madhe fanoliane dhe kërkon të hyjë në punë.

Po paraqesim këto dokumente sipas radhës kohore.

Më 8 shtator 1927 i ka dërguar dekanit një vërtetim se ai ka mbaruar Harvard 1921 SB. Gjithashtu në "Dosje" ndodhet një letër, dërguar më 12 shtator 1927 Zyrës së Kuadrit për mësimdhënie në universitetin e Harvardit: "I dashur zotëri, unë jam nga Kolegji i Harvardit dhe kam mbaruar më 1921. Nëse vendet për mësimdhënie në frëngjisht dhe gjermanisht janë të lira, unë do të dëshiroja të isha një kandidat. Ju lutem më dërgoni formularin për ta plotësuar.....".

Sekretari i ka dërguar më 16 shtator 1927 këtë përgjigje: "Mora letrën tuaj të 12 shtatorit ku Ju shprehni dëshirën që të jepni mësim në frëngjisht dhe gjermanisht. Po Ju bashkëngjis një formular për t'u regjistruar, të cilin duhet ta plotësoni dhe të ma ktheni sa më shpejt që të jetë e mundur. Sikundër Ju e kuptoni, është shumë vonë për këtë sezon dhe nuk ka shumë mundësi që të zini vendin e punës për të cilin jeni i interesuar. Por po Ju siguroj se do t'Ju kem parasysh për ndonjë situatë të papritur, meqë ne mendojmë se e keni kualifikimin e duhur".

Koço Tashko ka plotësuar formularin në të cilin jepen përgjigje për një sërë pyetjesh për të parë, nëse kandidati për mësimdhënie i plotëson kushtet ose jo. Përveç të dhënave që lidhen me ditëlindjen dhe vendlindjen, del dhe veprimtaria e tij gjatë kohës shkurt 1921, kur ai mbaroi Harvardin deri më 17 shtator 1927, ditën që mbushi këtë formular. Megjithëse ky interval kohor përgjithësisht njihet, Koço Tashko me dorën e tij ka dhënë datat e sakta. Gjatë kohës që ai ka studiuar në Harvard, i është dhënë bursë nga bashkatdhetarët e tij të Federatës Panshqiptare "Vatra". Pyetjes se, ku keni punuar? Kur? Sa kohë? I është përgjigjur: "Kam udhëtuar shpesh, kur isha i ri. Që nga 1921 kam qenë një vit në Itali, Shqipëri dhe Egjipt (1921-1922) dhe nëntë muaj në Austri, Gjermani dhe Francë (1925-1926)".

Në formular ai ka shënuar lëndët që ka dhënë në Universitetin e Harvardit me notat përkatëse dhe emrat e profesorëve, si edhe ka treguar emrat e profesorëve të jashtëm ose të personave të tjerë që janë përkujdesur për të. Ndër të tjerë ai ka shënuar: "Kryepeshkop Fan. S. Noli, 30 Kreuzgasse, Vjenë XVIII". Kur i kërkohet se çfarë librash apo artikujsh ka shkruar, përgjigjet: "Një artikull në revistën mujore "Current History" në Nju-Jork, i cili ka dalë në qershor të vitit 1924. Kur isha Nënkonsull në Nju-Jork kam shkruar një sërë artikujsh. Tani po bëj përpjekje për t'u bërë shkrimtar i pavarur."

- Je i martuar?

- Jo.

- Pi duhan?

- Po.

- Gjendja fizike?

- E mirë.

- Lartësia?

- 5 ft. 3 ½, ( rreth 1.63 m).

- Pesha?

- 135 lbs (rreth 61 kg).

- Çfarë sporti ushtron?

- Tenis, basketboll, skermë, futboll. Jam marrë edhe me teatër.

- Ke kryer ushtrinë?

- Jo, por në vendin tim jam marrë me organizimin dhe problemet strategjike të ushtrisë për vendosjen e kufijve të Shqipërisë 1921-1922.

- Me çfarë pune merreni tani?

- Shkrimtar i lirë, jam botues i një gazete të re deri më 20 gusht 1927.

Kjo është gazeta "Idealisti" numri i parë i së cilës ka dalë më 7 gusht 1926 dhe vazhdoi deri më 20 gusht 1927.

Kryeartikujt e saj janë shkruar nga vetë Koço Tashko dhe komenti rreth tyre përbën një objekt tjetër trajtimi dhe studimi. Pyetjes se, çfarë pune keni kryer deri tani? I përgjigjet, 21 mars 1921-22 janar 1922 kam qenë sekretar privat i Fan Nolit (35 $...). Nënkonsull i Shqipërisë në Nju-Jork (22 janar 1922-dhjetor 1923) 220 $ në muaj dhe qiraja. Ligjvënës (23 dhjetor-maj 1924) 35 $ dhe dieta, Konsull i Shqipërisë në Nju-Jork (qershor 1924-qershor 1925) 280$ në muaj dhe qiraja. Botues (gusht 1926-gusht 1927) pa pagë.

Më 20 shtator 1927, Sekretari i shkollës e njoftoi se kërkesa e tij për punë u regjistrua. Ju duhet të sillni një fotografi. Dhe ai e dorëzoi këtë fotografi, e cila ndodhet në dosjen "Tashko".

Më 22 shtator Sekretari i shkollës i kërkoi mendim kujdestarit, si dhe Fan Nolit e profesorëve të tij.

Mjaftohem të përmend vetëm rekomandimin e Fan Nolit, shkrimi i tij shumë i dashur për mua është i njohur prej kohësh: "Unë e njoh z. Kostandin Athanas Tashko, Nënkonsull i Republikës së Shqipërisë në Nju-Jork...... Është njeri (burrë) me karakter, i ndershëm, i besueshëm, i aftë, aq i mirë sa një i krishterë. Vjenë 20 tetor 1927."

 

***

 

Këto janë dokumentet që ndodhen në dosjen "Tashko".

Jeta e tij është jeta e një idealisti, e një ëndërrimtari. Ai që në vitin 1918 është shprehur: "T'i shërbej sa më mirë atdheut...." Me këtë frymë dhe përkushtim ai themeloi gazetën "Idealisti" (gusht-1926, gusht-1927), ku ka paraqitur publikisht pikëpamjet e tij për një Shqipëri demokratike. Jeta e tij është e larmishme. Krahas realizimit të dëshirave, jeta e tij u bë më vonë një kalvar i vërtetë.
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Tish Daija i veçanti...!Nga Skifter Këlliçi (09.05.2009)
Durrës-Kukës me kapacitet të plotë brenda datës 10 shtator (09.04.2009)
Intervistë me myftiun Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës (09.03.2009)
100 vjet më parë u mblodh Kongresi i Elbasanit (09.02.2009)
Shoqëruesja e dytë e Miss Universe 2009 Marigona Dragusha u prit nga kryetari i Prishtinës Isa Mustafa (08.31.2009)
Petro Cani kirurgu shqiptar që kreu transplantin e veshkës më 1954Nga Prof Dr Lluka Heqimi (08.31.2009)
Shiroka-Pula: Gjermania është shtet strategjik dhe i rëndësishëm për Kosovën (08.30.2009)
Prona te i zoti jo vetëm për zonën turistike të bregdetit, por kudo ku është shkelurNga Rrapo Hajredin Danushi (08.29.2009)
Kejnsianizmi "edhe" i Berishës "edhe" i Metës fitues përballë "përtej" të Majtës së Edi RamësNga Altin Goxhaj, drejtor i ZMK-së (08.28.2009)
Maqedonia dhunon shqiptarët, Tirana e Prishtina heshtinNga Kim Mehmeti (08.28.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]