BARDHYL ÇAUSHI
Dita e dhjetë majit 1999 duhej te ishte një ditë kur lulet shumëngjyrëshe të
mbushnin fushat e kodrat e Gjakovës; kur lumi Erenik, i gufuar nga ujërat e
dëborës, që po shkrinte majave të Malit të Zhurit, nga Jabllanica e Mali i
Kosnicës, të rridhte madhërishëm drejt jugut, për t'u derdhur në Drinin e
Bardhë; ose kur bilbilat të mbushnin ajrin me meloditë e tyre mahnitëse. Por
jo. Në Gjakovë, dhe në të gjithë Kosovën, askush nuk ua kishte ngenë këtyre
mrekullive të stinës më të bukur të vitit. Pushtuesi serb e kishte kthyer të
gjithë Kosovën në fushë beteje, i kishte vënë zjarrin dhe, në vend të
cicërimave të shpendëve, dëgjoheshin krismat e armëve vrastare të fashistëve të
Millosheviçit.
Edhe profesor Bardhyli, si një përfaqësues i lartë i inteligjencës kosovare dhe
i forcave kundërshtare të pushtuesve gjakatarë, ndodhej në radhët e para të
rezistencës. Ai, në përpjekjet e tij për të ngritur sa më shumë njerëz në luftë
dhe për të mbajtur lart moralin e popullit të Gjakovës, nuk pranoi të largohej
nga qyteti për të shpëtuar jetën e vet. Prandaj, atë ditë të zezë,
paraushtarakët serbë, të cilët kishin dit që e kërkonin, pasi i dogjën
shtëpinë, e nuhatën vendin se ku ndodhej, ndoshta edhe me ndihmën e ndonjë
spiuni vendas, që për fat të keq nuk kanë munguar kurrë t'u shërbejnë
pushtuesve dhe, pasi shqyen derën e shtëpisë së lagjes Çabrat, derdhën mbi të,
dhe mbi kunatin që e shoqëronte, Bashkim Domin, të gjithë breshërinë e
urrejtjes që u ishte grumbulluar gjatë dekadave të veprimtarisë patriotike të
Bardhylit.
Ai ra heroikisht, ashtu siç edhe kishte jetuar. Ra nga dora gjakatare e atyre
pushtuesve që i kishin varur gjyshin, luftëtar të lirisë, në v. 1913 të
shekullit XX. Të atyre që e kishin përndjekur Bardhylin gjatë gjithë jetës për
shkak të dashurisë që ushqente ai për popullin e vet, për Atdheun e tij,
Kosovën dhe Shqipërinë.
Profesor Bardhyli, duke ecur me kokën lart e me mendje të ndritur, nëpërmjet
shumë peripecive e pengesave që pushtuesit serbë i vinin rrugës së tij, kishte
arritur deri në detyrën e nderuar të dekanit të Fakultetit Juridik të
Universitetit të Prishtinës.
Ndeshja e parë me forcat e errëta të pushtimit ndodhi kur, duke qenë kryetar i
Gjykatës Komunale të Gjakovës, në v. 1969, në një darkë familjare këndoi një
këngë popullore të vjetër, e cila tallte Car Nikollën e Malit të Zi, ku thuhej,
midis të tjerave: "...Car Nikolla kryelopa, s'merret Shkodra me dy topa". Spiuni
i ndodhur ne atë tubim, lajmëroi atje ku paguhej dhe, Bardhylin, pasi e
paralajmëruan, e shkarkuan nga kryetar gjykate.
Në këtë periudhë të vështirë për jetën e tij, kur ishin hapur fjalë se Bardhyli
do të arrestohej, i ndodhi një episod shumë domethënës.
Kohë më parë, në një gjykim, Bardhyli kishte dënuar një fshatar, për një
shkelje ligjore që ai kishte bërë. Fshatari i mençur shqiptar, jo vetëm që nuk
ia kishte marrë për keq dënimin, por, kur dëgjoi se Bardhylin po e kërcënonin
serbët, i shkoi një ditë dhe i trokiti në portë të shtëpisë. Bardhyli doli dhe,
kur pa fshatarin që dikur e kishte pas dënuar, shtangu. Fshatari që vuri re
ngurrimin në sytë e të zotit të shtëpisë, ndërhyri menjëherë duke i thënë:
"Zotni gjykatës. Më ka ra në vesh se po të kërcënojnë shkiet. Nëse do të kesh
nevojë për ndihmën teme, do të jem gjithmonë përkrah teje, të të mbroj, qoftë
edhe me jetën teme. Ti po e din se prej kah jam unë dhe më thirr. Hajt mirë
mbetsh". Kjo sjellje fisnike, tipike kosovare e fshatarit, e shastisi aq shumë
Bardhylin, saqë me zor arriti t'i thoshte: "T'u rrit ndera".
Kjo ngjarje, përpos shpirtit të gjerë dhe patriotizmit të fshatarit, tregon
edhe një karakteristikë themelore që e përshkonte si një fill i kuq të gjithë
jetën e Bardhylit: të qenit i drejtë.
Bardhyli kishte mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Shkup, kishte kryer studimet
pasuniversitare në Zagreb dhe kishte mbrojtur gradën e doktorit në Fakultetin
Juridik të Zagrebit. Drejtësia në kuptimin e plotë e të gjithanshëm të kësaj
fjale, nuk ishte vetëm një profesion për Bardhylin, ishte një thirrje e
brendshme e shpirtit, ishte një pasuri që ai e mbartte brenda vetes, të cilën
edhe e përjetësoi me studimet e tij në atë fushë. Kudo ku punoi, në fillim si
gjykatës, apo si asistent e pastaj pedagog i të drejtës romake dhe në fund
dekan i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, ai nuk pushoi së
qeni i drejtë në gjykim e në veprim, pra u jepte njerëzve drejtësinë që vetë e
kishte me shumicë, pasi, siç thotë shkrimtari dhe filozofi Leo Buskalja: "Nuk
mund t'i jepni askujt atë që nuk e keni".
Ishte kjo arsyeja që u zgjodh kryetari i parë i Shoqatës së Juristëve të Kosovës,
në krye të së cilës zhvilloi një veprimtari të gjerë dhe shumë të suksesshme
për shërimin e plagës shekullore midis shqiptarëve, gjakmarrjes, si pajtues
gjakesh në Gjakovë e rrethina. Ai pajtoi shumë familje që ishin "në gjak" me
njëra-tjetrën. Kjo veprimtari e vazhdueshme e tij bëri të forcohej më tej
kohezioni midis shqiptarëve, gjë që dha ndihmesën e vet në atë që kulmoi me
kryengritjen e armatosur të viteve 90 të shekullit XX, për të fituar lirinë e
pavarësinë. Kjo veprimtari e profesor Bardhylit dhe shokëve të tij, binte ndesh
me synimet e shovinistëve serbë, të cilët mundoheshin të nxitnin me të gjitha
mjetet armiqësinë dhe dasitë midis shqiptarëve për t'i sunduar më lehtë.
Patriotizmi i tij i paepur u shpreh edhe në luftën që bëri ai, së bashku me intelektualë
të tjerë kosovarë, për domosdoshmërinë që, në Universitetin e Prishtinës, të
zhvilloheshin mësimet në gjuhën e njësuar shqipe, në Kongresin përcaktues të së
cilës, në v. 1972, qe pjesëmarrës, si një nga të dërguarit e Akademisë Kosovare
të Shkencave.
Përpos dhuntive të tjera, profesor Bardhyli kishte tiparet dalluese të një
shkencëtari. Ai ishte vëzhgues i vëmendshëm, hulumtues i thellë e skrupuloz dhe
përgjithësues me shokë të rrallë. Ai, pas hulumtimesh të gjata, që në v. 1970,
shkroi studimin e parë të tij me titull "Shkurorëzimi për shkak të jetës së
padurueshme bashkëshortore", të cilin e botoi në revistën "Përparimi" Nr. 6 të
atij viti. Por pasioni i tij i vërtetë shkencor ishte studimi i zakoneve dhe
traditave të popullit shqiptar. Në shumë nga shkrimet e tij të mëvonshme ai,
teksa botonte hulumtimet e tij në fushën e autonomisë së vullnetit e të drejtës
civile, e tregoi veten si një analist i thellë i kësaj fushe, gjë që u
konkretizua në disa artikuj mbi të drejtën e parablerjes, mbështetur në të
drejtën zakonore shqiptare, kontratën e dorëzanisë, të huas dhe të shitblerjes
në të drejtën romake. Ai u dallua edhe në fushën e besës së dhënë dhe mbajtjes
së saj, mbajtjen e fjalës dhe premtimit, fenomene të cilët i shikonte si
vazhdimësi të prejardhjes iliro-shqiptare, fusha këto, që, ndonëse të rrahura
edhe nga studiues të tjerë, panë tek profesor Bardhyli një qasje të re e të
veçantë.
Pikërisht në kërkim të rrugës së drejtë të çlirimit të popullit të tij,
profesor Bardhyli u përfshi edhe në politikën kosovare. Ai ishte ëndërrues dhe,
siç thotë Oskar Ualdi: "Ëndërrues është ai njeri që di ta gjejë rrugën e tij,
qoftë edhe i vetëm, në dritën e hënës, dhe dhuntia e tij është se e sheh agimin
shumë më përpara se të tjerët".
Vetëm se ai kurrë nuk e pa hyrjen në politikë atë si një rrugë për t'u
pasuruar, apo për të bërë karrierë, por "për të parë agimin" e lirisë. Ngjarjet
politike, që patën vend në fillim të viteve 90 në Kosovë, i hoqën cipën e hirit
atij zjarri përvëlues, që prej kohësh digjej brenda tij, ashtu si në të gjithë
patriotët kosovarë, dhe zgjuan tek Bardhyli trashëgiminë e gjyshit të
masakruar.
Profesor Bardhyli u përfshi në radhët e LDK dhe në udhëheqje të saj, duke
drejtuar degën e Gjakovës të kësaj force politike. Ai, në kuadër të LDK-së,
luftoi me të gjitha forcat dhe aftësitë e tij organizative e intelektuale, si
një lider i vërtetë politik e atdhetar, për krijimin dhe forcimin e një shteti
me baza të shëndosha të Republikës së ardhshme të Kosovës. Ishte pikërisht në
krye të këtyre detyrave fisnike kur u zbulua dhe dha jetën i përshkuar nga
plumbat e fashistëve të Millosheviçit.
Armiqtë serbë, sikur të donin ta çonin deri në fund veprën e tyre makabre,
ashtu siç veprojnë të gjitha diktaturat dhe diktatorët, përfshi edhe diktaturën
moniste shqiptare, deshën të zhduknin edhe kufomën e Bardhylit teksa e
degdisnin kushedi se ku, nëpër humbëtirat serbe. Vetëm me këmbënguljen e
familjarëve të profesor Bardhylit dhe me ndërhyrjen e qeverisë së Kosovës e të
KFOR-it u bë e mundur që, në fund të shtatorit të v. 2005, eshtrat e tij të
ktheheshin për t'u prehur në tokën amë, së cilës ai iu përkushtua deri në
vetëmohim. Gjatë rivarrosjes, në varrezat e posaçme të dëshmorëve të Gjakovës,
një turmë madhështore ishte mbledhur për t'i dhënë lamtumirën e fundit. Gjatë
ceremonisë folën shumë bashkëluftëtarë e bashkëpunëtorë të profesor Bardhylit,
ndër të cilët dallohej, profesor Fatmir Sejdiu, President i atëhershëm i
Republikës së Kosovës, njëkohësisht dhe ish-student e, më vonë, koleg i
profesor Bardhylit.
Ndonëse gjatë kremtimeve të pesë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së
Kosovës, me sa më kujtohet, emri i Bardhyl Çaushit nuk u përmend, ai është
dekoruar me "Medaljen e artë të Pavarësisë", me "Medaljen e Artë "Mësues i
merituar" dhe me Medaljen e Artë Presidenciale të Meritave". Banorët e
Gjakovës, teksa do të kalojnë në njërën nga rrugët kryesore të qytetit të tyre,
që mban emrin e profesor Bardhylit, do ta kenë gjithmonë në sy, në mendje e në
zemër.
Shkruesi i këtyre radhëve nuk është as gjakovar dhe as kosovar, por nga Vlora e
Labërisë. Vlora dhe Gjakova janë dy nga trevat shqiptare, të cilat, ndonëse
larg njëra-tjetrës, i bashkon një lidhje e fuqishme, që është patriotizmi i
tyre i flaktë, besnikëria, trimëria dhe çiltëria përpara Atdheut dhe njerëzve.
Këto tipare e përshkonin jetën e profesor Bardhylit, prandaj, ky shkrim i
kushtohet kujtimit të tij të përjetshëm.
Tiranë shkurt 2013