E Shtunë, 04.27.2024, 08:36pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
KANUNI ISHTE I KTHJELLËT, NUK LINTE VEND PËR INTERPRETIME
Nga ALEKSANDËR MEKSI

E Martë, 03.12.2013, 04:53pm (GMT+1)




Sot është e vështirë të ndjekësh vërshimin e botimeve, në rrymën e të cilit humbasin edhe veprat më të mira. "Kanuni i krahinës së Bendës" është njëra prej tyre - një thesar i traditave të popullit tonë, që e ka hulumtuar me një punë të madhe në fshatrat e Bendës vite më parë, studiuesi krutan Haxhi Goci. Benda është një krahinë nevralgjike, që lidh jo vetëm krahinat e Shqipërisë së Mesme, por edhe ato të veriut me të jugut. Prandaj nuk është vështirë të dallosh interferencat me kanunet e tjera, por sigurisht zotëron origjinaliteti. Sepse ka shumë fakte, tradita dhe zakone specifike për krahinën, që janë ende të pranishme dhe që koha nuk i ka zvetënuar.

Krahina e Bendës përfshin fshatrat e Malësisë së Tiranës, ato prapa maleve dhe të Martaneshit. Benda ka në veri Qafë- Shtamën; nga perëndimi rrethin e Krujës, shpinën e Malit të Dajtit e atij të Linzës; në jug zonën e Shëngjergjit; ndërsa në lindje, Malin me Gropa e atë të Xibrit. Shtrirjen e saj në shekujt XVI-XVII na e japin relacionet e të dërguarve të Vatikanit që vizitojnë dhe përmendin peshkopatën e Bendës (Bendense) me qendër në Moisit dhe fshatrat Shëngjergj, Shënmëri, Shëngjin, Façesh, Mëner, Bruz, Shënpal, Derje, Kumardh, Xibër, Gur i Bardh, Martanesh, Bastar. Vepra është një traktat, sa juridik, aq edhe historik, që vjen me shtresëzime nga thellësitë e shekujve, një dëshmi e gjallë e traditave zakonore, mënyrës së jetesës dhe marrëdhënieve brenda bashkësisë, zhvillimit ekonomik, të drejtës së pronës private e përcaktuar me rreptësi etj. Por njëherazi është pasqyrë e psikikës së kombit, pra edhe një vepër sociologjike. Nenet e këtij Kanuni, të ilustruara me shembuj nga jeta, që mbaheshin në gojën e pleqve, janë të kthjella dhe nuk lënë vend për interpretime të ndryshme, madje kur duhej zgjidhje për ndonjë rast, ishte Kuveni ai që jepte zgjidhje në frymën e Kanunit. Në këtë mënyrë ai paraqitet si një tërësi e kompletuar, një rregullator i jetës së Shqipërisë mesjetare, pasqyrues i zakoneve dhe normave morale e juridike që i përgjigjet një etape të caktuar të zhvillimit të shoqërisë, etapës së degradimit të rendit fisnor, të shpërbërjes së tij.

Kanuni, si vepër është unike, kompozuar me rreptësi shkencore, ndarë në kapituj funksionalë me rreth njëqind zëra e shumë nënzëra, ndahet në përputhje me përmbajtjen në tri pjesë. Pjesa e parë ka disa kapituj të vendosur plot kuptim në radhë nga autori: Shpia - ku trajtohen sipas Kanunit vetë shtëpia, pozita dhe pjesëtarët e familjes; Fisi me pjesëtarët e vet; Lindja, martesa dhe vdekja, ku trajtohen zakonet dhe rregullat për to. Pjesa e dytë ka për subjekt: Prona dhe trashëgimia, Detyrimet. Ndërsa pjesa e tretë trajton: Dëmet, Fajet, Ndëshkimet, Miku, Qeverisja, Gjykimet e Pajtimi. Mjaft me kuptim është që zëri i parë është "Shtëpia" dhe i fundit "Nderimi" për të vjetrit, dy shtyllat e shoqërisë shqiptare të kohës. Në Kanun spikasin cilësi të mira të shqiptarit, si shpirti i drejtësisë, besa, mikpritja, humanizmi, nderi dhe dinjiteti, ndjenja e solidaritetit, respekti për njerëzit dhe pronën etj. Por nuk është vështirë të kuptosh se kanunet kanë qenë edhe një sfidë ndaj pushtuesit; populli jetonte me ligjet e veta dhe nuk nënshtrohej. Të bëjnë përshtypje zgjidhjet inteligjente, vendimet e drejta të pleqësisë së katundeve apo bajraqeve për çdo situatë apo konflikt sado të koklavitur që të ishin. Me interes të veçantë janë komentimet dhe shënimet për disa nene që shquhen për interpretime të drejta dhe thellësi gjykimi shkencor. Këto i bëjnë të kuptueshme, jo vetëm për specialistët, por edhe për lexuesin e thjeshtë.
Haxhi Goci (1923-1993), intelektual me formim të gjithanshëm, pedagog i historisë, drejtues i arsimit në rrethin e Krujës, studiues folklori, por edhe krijues i mirëfilltë letrar, kudo që punoi e drejtoi, edhe pas kaq vitesh, kujtohet me respekt dhe dashuri prej ish-nxënësve të tij, bashkëqytetarëve, prej të gjithëve atyre që e njohën. Por respektin më të madh ia siguron vepra e tij e gjithanshme, që në radhë të parë evokon traditat më të mira dhe figurat e shquara të historisë së Krujës dhe rrethinave të saj, të ngjarjeve me peshë në të gjithë historinë e Shqipërisë. Ndër punimet dhe botimet e tij po përmendim: "Madhështia e Skënderbeut përmes gojëdhënash e toponimesh". "Kruja dhe monumentet e saj historike - dëshmi e një qytetërimi të lashtë", "Emri Ilir në një mbishkrim të Kurbinit", "Vështrim në zonat etnografike të Krujës", "Kruja në mesin e vitit 1912", e dhjetëra studime të tjera që, po të përmblidheshin e të botoheshin, do të ishin një vlerë tjetër e shkencave historike dhe albanologjike dhe do të ndriçonin përmasa të tjera të intelektualit. "Kanuni i krahinës së Bendës", mbetet vepra më e mirë e Haxhi Gocit dhe që padyshim futet në veprat e shquara albanologjike; ai është një vepër cilësore sa dhe kanunet e tjera të botuara deri tani. Mbledhja dhe sistemimi i një vepre të tillë ka kërkuar punë të madhe hulumtuese dhe seleksionuese për vite të tëra (1960-1985). Për dy dekada ai shkeli çdo fshat, hyri shtëpi më shtëpi, bisedoi me shumë njerëz, regjistroi zakone dhe ngjarje, rregulla që rrokin të gjitha sferat e jetës dhe midis mijëra skedave përzgjodhi ato më të vlefshmet që ne sot i kemi në dorë, falë përkujdesit të familjes, që siç thotë mbështetësi i botimit të librit, poeti-biznesmen Ferik Ferra: "Një thesar juridik vihet para nesh, i ruajtur me skrupolozitet, përdorur nëpër kohëra, për të kundruar jetën e maleve e t'fushave të Bendës së Skënderbeut, ashtu siç i ruajtën këngët, doket e traditat deri në shekujt e vonë, ashtu siç u ruajt ky thesar që sot u vihet në duar studiuesve." Duhet vlerësuar gjithashtu dhe botimi dinjitoz i shtëpisë botuese OMBRA GVG, me një paraqitje vlerësuese të monografisë dhe që mundëson lexim të këndshëm të saj.

Botime të tilla nuk janë të rëndomta, sepse nxjerrin në dritë disa të vërteta të patjetërsueshme, madje disa nome të këtij Kanuni veprojnë edhe sot dhe zhvillimi nuk i ka ndryshuar. Sepse, ato përbëjnë tiparet thelbësore të shqiptarit, të pandryshueshme, si: kultura e lashtë popullore në të gjitha aspektet e jetës, që përbëjnë qytetërimin shqiptar, që edhe pse i padokumentuar me shkrime, përsëri ka qenë i pranishëm nëpër shekuj.
Në botimin e Kanunit janë përjashtuar të drejtat dhe detyrat e institucioneve fetare. Mundet që ka qenë koha kur dyzimet fetare, kur pushtuesi me forma nga më të ndryshmet u imponohej të pushtuarve për të pranuar fenë e tyre, ose, autori i ka lënë jashtë ato paragrafë sepse ishte koha kur diktatori kishte vendosur të bëhej vetë zot dhe kishte dhënë urdhrin "për të djegur me zjarr dhe me hekur çdo mbeturinë fetare".
Ndryshe nga ligjet e sotme, çdo nen i Kanunit i referohet një rasti nga jeta, të cilat janë tepër shprehëse dhe shmangin arbitraritetin, vendimet e njëanshme sipas interesave të një pale a të një individi. Në plan krahasues; kanunet, sa afri, aq edhe ndryshime kanë midis tyre. Kjo vjen nga specifikat e veçanta që ka çdo krahinë, sepse ato (kanunet) janë produkt i Mesjetës dhe, komunikimi, marrëdhëniet, ishin aq fluide saqë shumica e njerëzve lindnin dhe vdisnin pa e kapërcyer fshatin dhe bajrakun; sot, në kohën e internetit, duken të pakonceptueshme. Botimi i kësaj pasurie të madhe të kombit u shtohet kanuneve të tjera të njohura për publikun dhe studiuesit, duke mundësuar studimin krahasues të tyre, nxjerrin në pah të përbashkëtat dhe veçantitë. Studimi i tyre do të ndihmojë për të kuptuar drejt të drejtën zakonore shqiptare dhe të mos ngatërrojmë përdorimin e rremë të tyre për punë të mbrapshta sot.

Kanuni, ngërthen në vetvete 25 vjet punë të autorit (1960-1985). Kjo vepër e vyer e kulturës sonë popullore, një kontribut në tërësinë e kanuneve të krahinave të ndryshme që kanë arritur deri në ditët tona, na sjell edhe një herë në mendje pedagogun gojëmbël të historisë, drejtorin e shkollës së mesme të vetme të qytetit, Haxhi Gocin. Askush nuk shkroi më shumë dhe më mirë për Krujën dhe njerëzit e saj sesa ai. Ndoshta do të ishte e arsyeshme që krutanët e sotëm të bënin një gjest mirënjohjeje: Emrin e tij ta mbante një shkollë a një institucion kulturor. Në të vërtetë, Haxhi Goci prej vitesh nuk ka nevojë për asgjë, kurse krutanët do të kenë nevojë gjithnjë për të!


ALEKSANDËR MEKSI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
RRËFIMI PËR TË VËRTETAT E HIMARËS I BËN MIRË ÇDO HIMARIOTINga ALEKO LIKAJ (03.12.2013)
Njeriu dhe….NjerëzorjaKIRURGU I FAMSHËM AMERIKAN DORIAN J. WILSONNga ZEQIR LUSHAJ (03.12.2013)
MBESA IME DORELË MBUSHI 10 VJET…(Ose: Në vend të një libri të dytë, shkruar për të)Nga MURAT GECAJ (03.11.2013)
RRUGËTIMI BIBLIK I FISIT ETNO-HISTORIK TË KRASNIQESNga RAMIZ LUSHAJ (03.11.2013)
ERIC HAMP, ALBANOLOGU AMERIKAN I HARVARDIT MË 2008 - TANI E BESOJMË ILIRISHTEN (03.11.2013)
NE KRIJUESIT E KEMI ARRITUR BASHKIMIN KOMBËTAR, TANI I MBETET POLITIKËSKEZE KOZETA ZYLO - Bisedë me shkrimtarin nga Kosova, z.HASAN QYQALLA, Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë në Gjermani (03.10.2013)
U NDJEFSH SI MBRET, ZEQIR LUSHAJ!-Urim për ditëlindje-NGA DRITA LUSHI (03.09.2013)
CILA ASHT NANA SHQIPTARE?NANA LULË… “NËNA SHQIPËRI”(Pllakat nga Fritz Radovani, 2012) (03.08.2013)
Gëzuar 7 MarsinUNË, MËSUESI I RI-Sa herë kaloj, në lagjen Bahçallek- (Kujtime…, rreth 50 vjeçare)Nga ZEQIR LUSHAJ (03.07.2013)
NË KUJTIM TË DESHMORIT TË KOSOVËS PROFESOR BARDHYL ÇAUSHINga GURI SHYTI (03.06.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]