Poeti i mirënjohur Hasan Qyqalla është autori i disa vëllimeve poetike, si
"Dua të vdes shqip", "Robi i lirisë", "Prekja e
ëndrrës", "Arkeologji e shpirtit", "Meshari modern",
bashkautor me z. N. Lulaj "Trinomi i lirisë", ndërsa kohët e fundit
ka botuar antologjinë "Një shekull drite", me poezi nga 100 poetë nga
Diaspora me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë. Z.Qyqalla dallohet për
aktivitetet kulturore së bashku me shkrimtarët e Diasporës në Gjermani si dhe
ka fituar respektin e shumë lexuesëve, kritikëve dhe simpatizantëve nëpërmjet
poezive dhe shkrimeve të ndryshme.
Për më shumë po ju lemë të ndiqni bisedën:
Z.Qyqalla ju keni kohë që shkruani dhe botoni në shtypin e Diasporës dhe në
Mëmëdhe, cilat janë temat më me interes që ju trajtoni për publikun?
Paraprakisht, më lejoni t'ju falënderoj për vëmendshmërinë tuaj në emër të
Asociacionit tonë, pra Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë
në Gjermani dhe në emrin tim personal. Tani siç e dini edhe vetë si krijuese që
jeni padyshim, muza vjen si reflektim i ndjeshëm shpirtëror! Prandaj, këtë
ndjesi perpiqem që përmes poezis të konfiguroj në vargje, gjithnjë duke pasë
parasysh elementet formuese si parakusht, si figuracioni, metafora,
alegoria,...etj., që padyshim janë pjesë përbërëse e artit krijues. Ndaj edhe
tematika është e larmishme, por kujtoj padyshim se malli për Tokën, Ashtin,
Rrënjen, Gjakun e Gjuhën janë të shenjta për krijuesin mërgimtar. Natyrisht e
shenjtë është edhe vetë koncepti i fjalës DASHURI, siç e them edhe tek poezia ime
"Njohja me Elin nga Çamëria", se si në gjuhën shqipe, në asnjë gjuhë
nuk tingëllon! Pra, nuk kam profilizim të kufizuar apo fiksuar motivesh!
Ju drejtoni Lidhjen e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në
Gjermani, mund të flisni për disa nga aktivitetet kulturore që zhvilloni atje
dhe sa ndikojnë ato tek brezi i ri që po rritet aty?
Tani të flas për aktivitet tona që nga themelimi është një kronologji
voluminoze, thënë sinqerisht. Megjithatë, do të përpiqem të apostrofoj disa
sosh, bazuar në peshën dhe natyrën që ngërthrjnë më vete. Siç, bie fjala
Festimi i "100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës", Takimet letrare
tradicionale "Azem Shkreli", "Pavarësia e Kosovës", që të
dyja me karakter garues, Dita e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë "28
Nëntori" (që këtë vit shekullor jubilar, arritëm të nxjerrim edhe Antologjinë "Një
shekull dritë", përfshirë 100 poetë nga mërgata gjithandej, deri në
Amerikë, Kanada, Zelandë e Re), Përvjetorët e rënjes së "Vëllëzërve
Gërvalla e Kadri Zeka",... e gjer tek heronjtë e dëshmorët e luftës së
fundit në Kosovë, mbase shumë mërgimtar u kthyen dhe luftuan, disa edhe ranë në
Altarin e Lirisë, si Komandant Sali Çeku, Agim Ramadani,... etj.! Natyrisht,
gërshetimi i aktiviteteve tona është ngushtë i lidhur me shkollat shqipe, me
Mësimëdhënësit, ku organizojmë "Orë Letrare", gjithnjë duke pasë parasysh
moshën e tyre, promovime librash dedikuar gjeneratës karshi nivelit klasor e
moshës. Pastaj, nxënësit poezitë që parapëlqejnë i zgjedhin, i mësojnë me
ndihmesën e prindëve dhe arsimtarëve, dhe dalin e recitojnë në Manifestimet
tona. Do cituar këtu se kemi edhe krijuesit e parë të gjeneratës së tretë,
kujtoj gjithnjë falë dhuntisë së lindur, guximit dhe përkrahjes e bashkëpunimit
frytëdhënës.
Si shkrimtarë në mërgim keni lidhje me shkrimtarët vendas apo të qytetit ku
jetoni në Gjermani?
Arti është shtegu më i përshtatshëm që përmes kësaj mjeshtërie arrihet të
pasqyrohet kultura e një kombi. Prandaj edhe iu qasëm këtij organizimi (me në
krye Z. Martin Çuni), mbase artisti i njohur Gjelosh Gjokaj citon: "Nëse
perëndimi ka hapëruar shumë në zhvillimin teknologjik, në fushën e artit mund
t'i bëjm karshillëk"! Tashi jo në kuptimin e deshifrimit negativ, por më
tepër senzibilizues e intensifikues pra, drejt shtrirjes së bashkëpunimit e
integrimit të artit modern. Gadishmëri e vullnet bashkëveprimi kemi nga dy
palët dhe jo vetëm pamje episodike apo skenare, por të thelluara e
frytëdhënëse. Do veçoja këtu shkrimtarin (tani të ndjerë) Jens Hagen, i cili
edhe pse në karrocë paraplegjikësh, dha një kontribut të çmuar në fushën e
bashkëpunimit dhe organizimeve të përbashkëta. Tani më tradita vazhdon,
gjithësesi.
Le të hidhemi tek poezia, një gjini që kuptohet se e keni shumë për zemër, kur
keni filluar të shkruani dhe cila është poezia juaj e parë?
Tani më ktheni në moshën e mrekullueshme dhe kam emocione, më besoni. Natyrisht
flas me shumë pasion e nostalgji karshi emocionalitetit të paevitueshëm, siç
thashë më parë, mbase poezia ime e parë ishte për kryepersonazhin e jetës së
çdo fëmiu, pra Mamasë. Ndjenja e thellë më zhyti në kujtime dhe gjurmoja
"dhuratën" madhore që të ndjehej Mamaja e gëzuar, dhe kështu m'erdhi frymëzimi
të shkruaj vargje (pasi kisha shkruar qysh në ciklin e ulët, por më mugonte
guximi ta dërgoja për botim) për "8 Marsin", pra me rastin e Festës
së Nënave, siç njihej në atë kohë. Kujtoj edhe sot kur e shkrova poezinë
pasdarke, dhe të nesërmen shpejt e postova për në Revistën "Shëndeti".
Pikërisht në fillim të muajit Mars doli numri i Revistës "Shëndeti", dhe
aty gjej poezinë time "8 Marsi", në vitin 1976...! Ndjehesha se isha më i
lumturi i botës ato çaste, por këtë buqetë emocionesh shpejt i ndava me Mamanë,
e cila kujtoj si më përqafoi fortë.
E mori Revistën dhe ua tregonte njerëzve të fisit dhe gjithë atyre që na vizitonin,
që e ka ruajtur n'arkë me teshat e nusërisë deri sa në luftën e fundit iu dogj,
bashkë me shtëpinë dhe shumë krijime poetike... Prej atëherë kam botuar
vazhdimisht në Revistat e asaj kohe, si në "Zëri i Rinisë", "Bota e
Re", "Pionieri", "Fjala", "Jeta e Re"...etj!
Ju jeni djalë Kosove, keni jetuar nën terrorin serb, si e përjetoni 5 vjetorin
e Kosovës dhe a mendoni se një ditë do të bashkohen të gjitha trojet shqiptare?
Cilat janë disa nga përjetimet tuaja të luftës për Kosovën martire?
Kosova është histori e dhimbshme, histori e gjakut, e varreve, e dhunës,
terrorit që Serbia për tentativë kishte zbatimin e skriptës së famshme gatuar
nga Akademia serbe, të shfarosjes kombëtare, siç pasoi ekspansionizmi politik i
viteve të 90 ta. Do lë modestin anash këtu për hir të respektit ndaj lexuesve,
gjithësesi dhe sinqeitetit që kërkon pyetja juaj. Menjëherë pas përfundimit të
Luftës së 45 tës, gjithë mashkujt e Fisit tonë nga mosha 15 vjeçare,
burgosen, torturohen e maltretohen nëpër burgjet serbe... Bie fjala Kryegjyshi i
Fisit Ramiz QYQALLA, përjetoi tortura anomalie me tërë Familjen..., dhe tradita
vazhdon kur në vitin 1979 burgoset çuni i Kryegjyshit Sylejmani, i cili
besnikërisht vazhdon hapërimin e gjurmëve të Babait. Prandaj ishim në
shënjestër të pushtetit Serb, por edhe po aq të vendosur të marshojmë shtigjeve
të paraardhësve tanë, dhe asnjëherë nuk ndaluam, por sfiduam dhe sakrifikuam me
gjithë bashkëkombasit tonë, siç e dini edhe ju. Ndërkaq kisha edhe dy vllëzër
të kycur në radhët e UÇK së, bile vëllai i madh edhe raportonte nga vatra e
luftës, deri sa humbën pa gjurmë e pa nishan, siç thot populli!!! As për
Prindër nuk kishim ndonjë lajm! Veç pas tre muaj kuptuam se, më në fund kishin
depërtuar dhe vendosur në Strugë, falë një Familje shumë bujare e patriotike
shqiptare. Përjetime të hidhura përjetuam mjaft, por padyshim më i rëndi ishte
lufta heroike e Komandantit Adem Jashari deri në flijim, (bashkë me Familjen)
që dëshmoi se gjakimi për Liri s'ka të ndalur. Pra një vdekje krenare, siç e
them edhe në ca vargje... Ndërkaq unë isha angazhuar në ndihmesë të Shtabit
Emergjent këtu në Gjermani. Prandaj konstatoj bindshëm e fuqishëm se Mërgata
ishte gjenerator i mbijetesës në Kosovën e okupuar, qoftë me mjete materiale,
logjistikë e gjer në mobilizim.
Thënë të drejten, ne që atëherë nisëm Manifestimin poetiko letrar me karakter
garues "Pavarësia e Kosovës" në Koblenz (që ceka më lart dhe tani më është
tradicional), ndërkaq sot kur presim të Festojmë 5 vjetorin e Pavarësisë së
Kosovës, bëmë një projekt më kompleksiv e përmbajtësor me pjesëmarrës me nga
2-3 përfaqësues të Asociacioneve simotra nga krijuesit në mërgim gjithandej.
Kërkuam edhe subvencionim nga Ministria e Diasporës së Kosovës, por kërkesës
sonë iu përgjegjën me shumë sombolike... Prandaj jemi ende në pritje, mbase
dëshira dhe ambicijet qëndrojnë drejt realizimit sa më bujshëm e të gëzoj
epitetin jubilar. E sa i përket bashkimit kombëtar, ne krijuesit e kemi arritur
këtë, mbase mbetet që platformën e bashkimit Kombëtar ta bëjnë politikanët... Por
një gjë mos të harrojmë se "Arti i prinë politikës", dhe s"˜ka si të jetë
ndryshe, jam i bindur këtu shumë.
Nje gjetje tejet e arrire është dhe titulli i antologjisë "Trinomi i
Lirisë" me bashkautor shkrimtarin z.Neki Lulaj, si i përzgjidhni poezitë
për t'i botuar në antologji?
Tani të jem i sinqertë me ju, ideja e titullit ishte e mikut tim, bashkautor z.
Neki LULAJ, (që shfrytëzoj rastin ta përshëndes), që e mbështeta, ndërkaq
pregatitjen gjer në shtyp e bëra unë. Përsa i përket përzgjedhjes, kujtoj se kemi
bërë përpjekje të respektojmë normativin artistik. Sa ia kemi dalur këtej,
mbetet që fjalën e vet ta thotë lexuesi dhe kritika letrare! Megjithatë, ne ia
dolëm të kujtojmë Jusufin, Kadriun e Bardhin në 30 të vjetorin, me 30 krijues
nga mërgata jonë, që bëri jehonë edhe në Prishtinë, Pejë gjersa e veçanta
ishte: në Koblenz prania e vajzës së Jusufit, Donikës kur edhe e shpallëm
Antarë Nderi (post mortum) Jusuf Gërvallën", pastaj promovimi në Teatrin e
Pejës në prani të Kryetarit të Komunës, Dr. Ali Berisha, gruas së Jusufit, Z.
Suzana Gërvalla dhe shumë personaliteteve të shquara kombëtare. Pastaj vizita
që i bëmë Vendlindjes dhe Kullës së Jusufit në Dubovik, dhe përjetimeve e
kujtimeve që shpalosi Z. Suzana Gërvalla me atë rast.
Si mendoni per institucionet e arsimit në Kosovë dhe Shqipëri në lidhje me
librat qëbotohen nga shkrimtarët e Diasporës?
Nuk kanë qasje serioze thënë të drejten, megjithatë mbetet vetëm për të
shpresuar... kur dihet se kemi krijues të talentuar e dëshmuar tani, por edhe
mjaft degjenerime vlerash e zgjebosje "poetike"! Prandaj kujtoj se
është koha e fundit që kritika e mirëfilltë të sistemojë e strukturoj vlerat
dhe antivlerat!
Kohët e fundit ju keni botuar antologjinë "Një shekull dritë" me
përmbledhje të 100 poezive nga 100 poetë të Diasporës dhe u vlerësuat nga
shoqata e shkrimtarëve "Petro Marko" në Vlorë dhe kryetari i
Bashkisë, cilat janë disa nga mbresat tuaja për Vlorën e Flamurit?
Thënë troç përjetimet nga pritja, organizimi dhe atmosfera festive (e tëra
mveshur, stolisur kuq e zi, që nga hyrja sikur na bëhej se edhe retë ishin kuq
e zi, edhe vetë ajri i freskët detar) ishin si shishe oksigjeni për ne, si një
konservat kur i dhuron gjak të sëmurit dhe lëmeket aty për aty. Fjala
përshëndetëse e Nënkryetarit të Bashkisë së Vlorës, e Kryetarit të Klubit të
Shkrimtarëve "Petro Marko" z. Myrteza Mara, e Kryetarit të Klubit të
Shkrimtarëve Shqiptarë në Greqi, z Thanas Jani, e shumë krijuesve e
personaliteteve të shquara të kulturës sonë kombëtare do të ngelen gjatë nëkujtesën
tonë.
Me këtë rast do falënderuar edhe Ministrin e Diasporës së Republikës së
Kosovës, z. Ibrahim MAKOLLI, i cili veç subvencionimit të Antologjisë ishte edhe i
pranishëm me rastin e promovimit.
Faleminderit dhe Shumë urime z.Qyqalla!
Ishte kënaqësi për mua e nderuara zonja Zylo të jem i përzgjedhuri juaj për
intervistim. Porosia ime për mërgimtarët gjithandej është: të ruajmë,
kultivojmë e intensifikojmë kulturën tonë kombëtare, të shpalosim thesaret
tona, aty ku jetojmë e veprojmë, pa harruar gjenin, mbase nuk thuhet kot se:
"shpirti i një kombi është gjuha që e flet"!
Ju falemminderit e shëndet!
4 Shkurt, 2013
Staten Island, New York