VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - DJEMTË E FSHATIT TIM LOZIN TAVËLLNga ANDON ANDONI

                                                                                      

E Premte, 04.26.2024, 08:36am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
DJEMTË E FSHATIT TIM LOZIN TAVËLL
Nga ANDON ANDONI

E Mërkurë, 10.08.2014, 11:01am (GMT+1)


Në fshatin tim, Ziçisht, një fshat me emër të madh, jo vetëm sipas meje që e dua dhe më drithërohet shpirti për të tani që jam larg, por dhe për shumë e shumë të tjerë që e kanë parë dhe vizituar, djemtë e fshatit kanë filluar lozin tavëll ditën për diell. Atje tek sheshi përpara lumit, herë e ngrenë zërin dhe herë në një qetësi sa dëgjohen zaret që rrokullisen mbi tavëll. Të rinj. Të bukur. Të ushqyer mirë. Nuk bëjnë asgjë më shumë sesa vrasin kohën sa më shumë të jetë e mundur. Fshat me emër ky i yni, që ia patën bërë edhe më të njohur, që në kohëra, njerëz si kryepeshkopi Evllogj Kurilla, i nipi i tij Kostë Çekrezi, diplomat, botues dhe gazetar, studiuar në Harvard, Kostë Kollumbi, konsulli ynë në Odesë në kohën e Qeverisë së Lushnjës, shkrimtarë e njerëz të tjerë të ditur e të letrave, vëllezërit ministra në periudhën e socializmit, Llambi e Mihallaq Ziçishti, dhe deri tek deputeti ynë i sotëm, doktor Ylli.

Si kudo, edhe në fshatin tim njerëzia punojnë ditë e natë arave dhe pemëtoreve. Se fshati im ka pasur dhe ka një tokë dhe klimë ku mollët starkinge dhe belfjore mbajnë emër në gjithë Devollin. Kanë dalë ata më të zotët si Dhimitri, që në skërkat e korijen mbi fshat, atje ku njëherë e një kohë mërzenin tufat e dhive, ka ngritur, si i thonë me thonj, një bahçe me mollë që ia kanë zili edhe fusharakët. Nëpër tri mëhallat e vjetra janë ngritur e rindërtuar shtëpitë... por prej ziçishtarëve të ikur nëpër botë. Usta Jovani i ka gdhendur gurët, jo vetëm të qosheve dhe të fasadës, por të gjitha muret, nga themelet e deri tek streha e çatisë, - ashtu sikundër nuk e bënin dot edhe më mjeshtrit në kohën e shkuar. Sot fshatit i kanë ikur larg shumica e djemve dhe burrave, në Tiranë e Korçë, në Greqinë fqinjë dhe deri në Amerikën e largët. Njerëz të ikur, por që nuk e lanë fshatin në baltë, por kthyen kokën pas, si në të sotmen, ashtu edhe në të shkuarën. Kështu bënë Kostë Çekrezi dhe Vasil Xhaçka, djem asokohe, që me iniciativën e tyre shtruan të gjitha rrugët e fshatit me kalldrëm në pranverën e 1926-ës. Që nga hyrja e fshatit, tek mulliri i xha Pandos e deri tek kisha e Shën Marisë dhe Shënkollit, në rrugën e Moravës.

Por veç, për ata djem e çupa që jetojnë sot në fshat, këto që them e shkruaj, edhe për të mirat e begatitë e fshatit tim, janë fare të largëta, sikur s'kanë ndodhur kurrë. Ditët për këta të fundit janë si të mugëta dhe të vrenjtura. T'i kërkosh nëpër ara, me bagëti e punë, i gjen farë rrallë. Madje edhe atëherë i bëjnë punët rrëmbyer, yrja-topyrja, sikur të mos jenë të tyret mall e gjë. Se kjo rini e fshatit tim e ka syrin nga metropoli dhe përtej. Të gjithë kanë hapur "Facebook" dhe nxjerrin në të foto të bukura dhe gaz e hare. Ca me kitara dhe ca me të shtruar nëpër qejfe e ahengje. Sa për punët, i bëjnë tash e gjithë kohës, pleqtë e plakat e mbetura në fshat, shumica gjyshër të tyre.

Por tani, pa dorën e rinisë, kanë filluar të zhbëhen ato që i quajmë pjesë e sinore sociale të të gjithë fshatit... rrugët e kalldrëmta janë prishur nëpër mëhalla dhe kanë dalë gurët e paktë, të mbetur që nga koha kur rëndonin nëpër to qerret dhe zetorët e kooperativës. Ato rrugë, tani kanë mbetur një përparim dhe zhvillim për të gjitha njëqind shtëpitë e fshatit tim... vetëm nëpër fotografitë e kohës. Ato kalldrëme me gurë të lëmuar i pat ndërtuar e tërë rinia e fshatit, me djersën e ballit dhe me paratë që dërguan emigrantët e Greqisë dhe të Amerikës. Për pesëdhjetë vjet ato mbetën pjesa më e bukur dhe më funksionale e fshatit. Rrugë që nuk të shkelte këmba kurrë në baltë. Të pesta çezmat e famshme, që nga ajo e kishës dhe deri tek ajo e Pecanëve, janë tharë dhe shkatërruar krejt; kanë mbetur vetëm gurët e latuar dhe mbishkrimet e viteve kur u ndërtuan që nga 1897-ta e këtej...
Por, ja që djemtë e fshatit tim, as që duan t'ia dinë se ato rrugë, çezma, ara e lëndina, kroje e vreshta tani presin prej tyre. Pleqtë s'mund të maten me mundin e ndërtimit të tyre.

Rrinë aty pranë lumit dhe lozin tavëll dhe poker. Njëherë e një kohë, ai lumë që iu shkonte për krah ziçishtarëve ishte krenaria e të gjithëve. Ishte një lumë me ujë që gurgullonte dhe e niste udhën që nga mali i Moravës dhe shkonte fushës së Devollit, duke lagur brigjet dhe arat me ujë të bollshëm e të pastër. Edhe sot të njëjtën rrugë bën, por veçse është fryrë dhe dendur nga mbeturinat, plehrat, qeset e plastmasit dhe plehu i bagëtive, që nga derrat dhe lopët e pakta.

Dhe fshati im rri e pret me sytë nga qielli për të nisur shirat e rrëmbyera të pranverës a të vjeshtës, që t'i ndihnë të lajnë lumin dhe brigjet. Gjithnjë e pamundur. Se rinia e fshatit tim rri e lot tavëll atje pranë lumit.

Më dhemb shumë ai lumë. Jemi larë në beharet e ngrohta në atë pak ujë që rridhte prej malit dhe kam në hatër burrat, kur ndihnin më të vjetrit për t'i ngritur prita dhe grazhde me dhé e shkurre që ta bënin më të qetë dhe më të shtruar atë lumë. Dhe, falë punës së palodhur, ia dilnim që ne djemuria e kohës të laheshim beharit plot diell. Mbi të ia nisnin këngës së trokashkës pesë mullinj, brenda dhe në të dalë të fshatit... Tani nuk kanë mbetur as gurët prej gjurmëve të tyre. Si e qysh, vërtet që janë ngritur mullinj me korrent, që bluajnë bereqet sa për të gjithë mullinjtë e fshatit tim, por askush prej tyre, si i thonë fjalës, nuk kërkonte bukë. Prapë njerëzit e fshatit tim iu vunë kazmën dhe iu morën gurët për shtëpi, haure e plevica. Dhe u grindën dhe u mëritën ca e ca për mullinjtë e rrëzuar, për qoshet e gurët e çezmave, për arrat (ne i quajmë kacka) e thara, për jazin e këputur dhe rremën e lumit të shkulur (të gjitha këto janë të të gjithëve), për një pëllëmbë tokë që iu shkonte në sinor... vend e truall ka sa të duash fshati im, për ata që banojnë atje dhe për të tjerë që iu ka mbetur vetëm mbiemri dhe toponimet e arave dhe livadheve.... Por, ata që duhet të marrin përsipër t'i zgjidhin këto mëri dhe të shkojnë përpara, të rinjtë, nuk kanë nge! Lozin tavëll dhe poker atje në shesh të fshatit, tek dyqani i Bakos.

Askush nuk merret me tokat dhe të mbjellat, përveç tre miqve të mi dhe kolegë me mua njëkohësisht: mësuesit të fshati, polic Petraqit dhe priftit, papa Viktori.

Sigurisht që lexuesi im do mendojë të kundërtën e asaj që shkruaj, se, gjersa punët e fshatit iu kanë mbetur pleqve dhe atyre dy-tre kategori nëpunësish, që duhet të merren me tjetër gjë, të jenë barinjtë e njerëzve dhe të shpirtrave, por jo të dhenve e dhive, puna është bërë për të ardhur keq.

Komuna është larg dhe kryeplaku i fshatit, burrë që do të bëjë diç për vete dhe për të tjerët, nuk ka as akte ligjore e nënligjore për të qenë një i tillë dhe, aq më keq të këtë ndonjë fond në dorë për të rregulluar rrugë e çezma në këto njëzetekatër vite demokraci.
Here-herë, kur mblidhen në ndonjë festë të fshatit, të ardhurit që larg, përtej detit dhe oqeaneve, hedhin me zemër ide dhe dëshira për të rregulluar fshatin, por tek ne sot, kur djemtë e kanë mendjen tek pokeri dhe tavlla, më vështirë bëhen bashkë idetë, le pastaj edhe ndihmat në para dhe materiale?!
Thua të jenë të vetmit këta djemtë e fshatit tim, me këtë sëmundje pokeri dhe tavlle dhe të tjerët, anë e kënd Devollit, janë krejt ndryshe?
Nuk di të them, se mua të mitë më dhembin më shumë, pa edhe nëpër fshatra të tjera nuk kam parë, dhe le të rrëfejnë vetë ata për të rinjtë e tyre. Veç di që të gjithë e mbajnë syrin nga udha me asfalt. A thua do t'i nisë dot larg ajo udhë? Gjersa mendjen dhe dorën e mbajnë, jo tek shata dhe lopata, por tek zaret e tavllës, uroj t'i nxjerrë të fituar ajo udhë. Sa për fshatin im Ziçishtin, ka ende pleq e plaka që mbahen të fortë.

ANDON ANDONI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
LUIGJ GURAKUQI - ZADHANËSI I IDEALEVE KOMBTARE, SHEMBËLLTYRA E VIRTYTIT POLITIK, FRYMËZUES I KULTURËS E I QYTETNIMIT EVROPIANNga KOLEC ÇEFA (10.08.2014)
RINGRITJA E PD APO 20% I PDNga LORISA YLLI (10.07.2014)
ME SHOKUN E RINISË, GJETO VOCAJ, PAS 60 VJETËSH…Mbresa nga MURAT GECAJ (10.07.2014)
NJË LETER E SHKURTËR PUBLIKE Z. NAIM TËRNAVES!Nga AGIM GASHI (10.06.2014)
A DO MUND TË HAPEN KISHA SHQIPTARE NË BALLKAN?Nga QAZIM TEPSHI (10.06.2014)
SI TË BËHEMI FOLËS TË MIRË TË GJUHËS SHQIPENga PETRIT MALUSHI (10.04.2014)
DERI KUR DO TË LEJOJNË ANËTARËSIA E LDK-së SJELLJET E DËMSHME TË KRYETARIT MUSTAFA DHE KLANIT TË TIJ?Opinion nga SAIM TAHIRAJ (10.04.2014)
SHQIPËRI - QEVERITARËT, MILIONA PËRFITIME TË PAMERITUARA SHTESË NË BORDE DHE KOMISIONE (10.04.2014)
JETA E ARBEN RISTANIT NË QELINË E BURGUT 313 (10.02.2014)
ARBEN RISTANI KA QENË AVOKAT I ILIR HOXHËS KUNDËR SALI BERISHËS (10.01.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]