VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Të jetosh me Atdheun, me vetvetenNga KLITON NESTURI

                                                                                      

E Premte, 05.17.2024, 06:03am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

Të jetosh me Atdheun, me vetveten

Nga KLITON NESTURI


E Hënë, 10.26.2009, 02:47pm (GMT+1)

 

 

 

* * *

Atdheu shpesh është si revolucioni. Ai i ha bijtë e tij. Nuk është vetëm vrasja klasike, ajo me armë apo varja në litar, por vënia përballë identitetit, njerëzve të dashur, emocioneve të përjetuara, mallit, trishtimit, dashurisë apo urrejtjes kur ke jetuar në gjirin e tij. E kur je larg, atdheu nëpërmjet kontakteve dhe memories t'i shpërfaq ato sërish. Ky është revolucioni që ndodh brenda teje, i cili të përtyp vazhdimisht, deri në frymën e fundit. Kurdoherë, kudo që të shkosh. Atdheu është "mallkimi" të cilin e ke gjithnjë me vete. Ky ishte mendimi i parë që m'iu ndërmend tek sa mora në duar librin "Frika nga Atdheu", të poetit të munguar, por jo të harruar Skënder Buçpapaj. Dhe kur përballesh me botimin më të ri të një poeti me të cilin je përballur në faqe gazetash, revistash e librash mjaft vite më parë, e para që të shtyn drejt veprës së sapo dalë në treg, është kureshtja për të parë ndryshimin e formës, stilit dhe gjetjeve. Është dëshira për t'u përballur me të renë, befasinë dhe sfidën. Në një mënyrë a në një tjetër, leximi i një vepre është sfida mes autorit dhe lexuesit, ku njëra palë kërkon të imponohet, ndërsa tjetra të kënaqet dhe në fund të japë gjykimin mbi këtë "betejë".

 

Mendimi i mësipërm  m'u vërtetua qysh në leximin e parë të himnit " Përgjëratë: Udhës për tek nëna". Në leximet e mia, qysh herët kam ndeshur poezi dhe krijime të dedikuara Nënës, nga autorë të ndryshëm, por asnjëherë nuk jam përballur me një dedikim kaq origjinal sesa ky: një himn, një këngë vajtimi, një vajtim fisnik për humbjen, por për më shumë për pengun e pamundësisë për t'u ndodhur pranë saj në çastin e mbramë apo edhe përcjelljen e fundit. Nënat janë të shenjta. Gjatë gjithë jetës ato i shoqëron një dyzim i bukur; ato janë sa qenie njerëzore, po aq edhe hyjni apo perëndi. Të gjithë bijtë dhe bijat komunikojnë me to jo vetëm me fjalë dhe gjeste, por edhe nëpërmjet kodeve dhe simboleve të ndryshme. Kur duam të flasim me to, por nuk mundemi që t'u gjendemi apo  t'i kemi pranë, të vijmë apo të shkojmë, ne komunikojmë me to nëpërmjet kodeve. Kjo na e lehtëson disi shpirtin, e përcjell brengën dhe e afron edhe më shumë gëzimin.

Nëna është kudo, në përcjelljet dhe pritjet e shpeshta, në çdo kënd të shtëpisë, në mes të jetës. Ajo është ura lidhëse me historitë e vjetra dhe gjëmat e reja, është gazi dhe hareja. Fryma, psherëtima, zëri i saj, dora mbi sup a mbi ballë janë gjithnjë pranë edhe kur je me kilometra larg. Ajo është institucioni njerëzor i shndërruar në Perëndeshë. Në këtë përsiatje Skënder Buçpapaj nuk rreket të krijojë ligjëratën e tij, mes formave dhe figurave letrare. Përkundrazi, rrëfimi i tij është i brendshëm, i shtruar, si burimi i ujit të kristaltë që del nga zemra e malit.

"Udhës për tek nëna" është një himn dhimbjeje e respekti për perëndeshën Nënë, e njëkohësisht edhe një monument dashurie.

 

* * *

Ku është poeti? Ku ndodhet ai? Njeriu që nuk ka dëshirë të lexojë gazeta të mbushura me lajme të çfarëdoshme, (shpesh herë të kota e bajate), apo që s'dëgjon radio (të mbushura më së shumti me këngëtarë që nuk dinë të këndojnë), apo thjesht për tekë, nuk ka dëshirë të shoh edhe televizor, kërkon të gjejë vendndodhjen e poetit përmes vargjeve të shkruara, jetës dhe emocioneve të hedhura mbi letër.

Me këto mendime nis leximin e ciklit "Agon nata". Stepem që në nisje. Poeti qenka fshehur në vendlindje, atje mes lëndinave, pyjeve, shtëpisë së fëmijërisë, në Tplan, mes bukurisë se lumit, rendjes pas dritës, lojës me dëborën dhe sfidave me ujqit gjithashtu. Aty janë lulet dhe e shituara e natës. Thua, vërtetë këtu është fshur poeti që prej kaq kohësh? Po, or miq! Si një njeri i padukshëm, ai vjen herë pas here dhe rikthehet ethshëm në shtëpi, prek dhe ndien çdo gjë, çdo virtyt, çdo emocion, bashkëbisedon me të shkuarën, jeton me të tashmen dhe thellë brenda vetes beson në të ardhmen e bukur. Vendlindja është për Skënder Buçpapajn një këngë që të frymëzon për të krijuar këngë të reja për të, të cilat poeti i shpërndan kudo ku sot mund të mbërrijë forca e tij e komunikimit, në faqe librash a në sajte interneti në mbarë botën.

Në poezitë e këtij cikli, por edhe të atyre të mëpasmë, ndihen elementet e lumit, dritës, lules, qumështit, etj. Pra, ndihet etja, dëshira dhe dashuria për jetën. Si çdo krijues i trevës së veriut shqiptar, edhe Skender Buçpapaj shfrytëzon deri në maksimum leksikun e  zonës ku ai është rritur e ngjizur si poet, duke na dhënë në poezitë e tij format e një pasurie të madhe gjuhësore, të një burimi që nuk shteron. Fjala e tij është e rëndë dhe gjithnjë ajo ka një peshë të madhe, duke ruajtur bukurinë e saj në formën origjinale, në gegërishten autoktone (jo të bastarduar) që siç shprehej edhe Kostandin Kristoforidhi, ka një pasuri të madhe dhe të rrallë fjalësh dhe shprehjesh. Skënder Buçpapaj është një poet modern, i cili e pasuron vazhdimisht gjuhën shqipe me thesare gjuhësore, duke bërë kështu një shërbim të çmuar ndaj nesh e brezave pasardhës, në lidhje me identitetin e gjuhës shqipe.

 

* * *

"Frika nga atdheu" është një tjetër cikël i gjatë, dhe së bashku me atë "Agon nata", përbejnë edhe shtyllat kryesore të këtij vëllimi. Por, ndërsa tek cikli i mëparshëm poetin e shihnim të pandashëm nga vendlindja, këtu ndeshim një poet të dyzuar ndërmjet vendlindjes dhe metropoleve. Jeta e tij tashmë shkon sa nga njëra tek tjetra, për t'u rikthyer sërish në drejtimin nga u nis. Kjo ikje-ardhje sa fizike aq edhe shpirtërore, sjell para nesh refleksione të matura, thirrje të shqetësuara, çaste dëshpëruese, gëzime, drama dhe hallakama.

"Korba lashë atje / Korba gjeta këtu"

Atje është vendlindja, këtu është metropoli. Metropoli në sytë e poetit është i rrejshëm, i pisët, i paidentiteshëm. Në "Faunë tiranase", Buçpapaj jep pasqyrën reale dhe të trishtë të Tiranës, larg rreshtave të shkruar nga kronikanët rozë, larg romantizmave dhe tam-tameve shurdhuese, hosanave dhe hipokrizive. Poeti është qytetar i cili prek dhe ndjen realitetin me sytë e mendjes dhe të shpirtit.

Në këtë cikël, poezitë e Skënder Buçpapajt shtrihen në gjerësi temash, aspak si fantazi të çartura, por si përjetime të vet poetit. Në "Pa", ai është udhëtari që s'ka patur kurrë prehje në një vend, e që vazhdimisht u lutet të tjerëve që të mos e presin: "Frika nga atdheu" është pengu të cilin nuk duam që ta kemi më me vete, kur jetojmë larg tij. Kjo poezi, sa e bukur dhe e trishtë, është akti i parë që shoqëron shqiptarët në dramën e madhe të shkëputjes nga identiteti, një satirë, por edhe njëkohësisht një vajtim për ketë mbrapshtësi të marrë. Kjo dramë, ndeshet edhe në poezi të tjera. Poetit i dhemb shpirti ndërsa ndeshet shpesh me këtë fenomen. Kaq poshtë ka rënë krenaria? Por janë "Plepat" dhe "Retë" të cilat na sjellin mallin për vendlindjen dhe dëshirën për të shkuar drejt saj. Është e thjeshtë të emigrosh diku, por shumë e rëndë të vdesësh i mërguar.

"Udhëtar

Varri i mërgimtarit dallohet lehtë

Nga ferrat, kashtrojat, hithërat

Sipër tij.

 

Udhëtar

Ferrat, kashtrojat, hithrat

Janë duart e mërgimtarit

Të harruara jashtë varrit.

 

Mos iu afroni

Varrit të mërgimtarit në dheun e huaj

Duart e tij do t'ju kapërdijnë"

"Varri i mërgimtarit në dhe të huaj"

 

Për Skënder Buçpapajn mërgimi është një dramë e lodhshme, ndaj edhe për t'i shpëtuar asaj, ai niset për të ardhur në vendlindje. Ajo është për të shpirti, kënga, brenga dhe gëzimi. Është jeta.

 

Edhe ciklet e tjera "Rima", "Shkumbini", "Ritme", "Moj e mira" dhe "Cikël më vete", veç kolorit që sjellin në veprën "Frika nga atdheu", sjellin edhe poezi të ndërtuara dhe të shprehura në forma të larta artistike, çka dëshmojnë se me gjithë mungesën e gjatë në botimin e veprave, Skënder Buçpapaj, vazhdon të mbetet një poet modern, i konsoliduar në artin që ai krijon. Ciklet e këtij libri janë secili një yll, që së bashku krijojnë një konstelacion, brenda së cilit ka shumë dhimbje, por edhe shumë dashuri; ka trishtim, por mbi të gjitha ka jetë. 

Natyrisht, jo të gjitha poezitë në këtë vepër mund të konsiderohen kulme. Edhe ato që nuk mund të cilësohen kulme, përcjellin gjendjen dhe emocionet e poetit. Sekush bën gjykimin e tij, për x apo y poezi, e në fund për të gjithë veprën e lexuar. Çdokush duhet të pranojë se cili ka fituar në këtë "sfidë", autori apo ftohtësia e lexuesit. Mbi gjithçka, krahas lexuesit, i takon kritikës që të shprehë gjykimin e saj të hollë dhe racional për këtë vepër, për këtë rikthim të poetit të munguar Skënder Buçpapaj. Çdo poet i vërtetë është një Qesar. Edhe Skënder Buçpapaj po ashtu. Le t'i japim atij kurorën që i takon.
Kliton Nesturi


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Del në qarkullim kundërbiografia e Sarah Palin (10.24.2009)
Musiné Kokalari bllokohet në Gjirokastër (10.23.2009)
Saramago polemizon me Kishën (10.22.2009)
DITA E VRASJES SË AZEMITROMAN nga ILIRJAN SADIKAJ (Pjesa I) (10.19.2009)
DITA E VRASJES SË AZEMITROMAN nga ILIRJAN SADIKAJ (Pjesa II) (10.19.2009)
DITA E VRAJSES SË AZEMITROMAN nga ILIRJAN SADIKAJ (Pjesa III) (10.19.2009)
SHBA: Revista "People" mbush 35 vite në treg (10.19.2009)
Kathrin Schimdt fitoi çmimin gjerman për librin 2009 (10.18.2009)
Gjiganti Niçe, filozofi që i sundoi dy shekuj (10.15.2009)
Pit Doherti ka vështirësi në rrugët e frymëmarrjes (10.14.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]