VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Thjesht një gazetar

                                                                                      

E Premte, 04.26.2024, 07:10pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
Thjesht një gazetar
E Djelë, 04.19.2009, 08:15am (GMT+1)


1. Qysh kur kam filluar të mendoj, kam menduar se do të jem një gazetar. Nuk ishte një zgjedhje. Asgjë nuk kam vendosë unë. Gazetaria ka vendosë për mua. Dhe ky është një prej shumë fateve të mia, teksa kujtoj se gjithçka që kam bërë, e kam prej një aleati që më ka ndejë përherë pranë: rastit. Emilio Cecchi-t duhet t'ia di ndërkaq, për këshillën që mbeti më e çmueshmja e karrierës sime: "Mos harro se gazetarët janë pak si gratë e rrugës: sa kohë që janë, e çojnë shumë mirë dhe madje mund të bëhen dikush. Problemi është kur iu kërcen në krye që të futen në dhomën e pritjes...".

Mjerisht nuk e kam ndjekë përherë këtë këshillë, por ajo më ka ndihmuar për të mos synuar kurrnjiherë me u kapë shumë lart, e vetmja vlerë që më ka njinjisuar si gazetar.

E kam kaluar thuajse krejt shekullin tim duke ushtruar një profesion, i cili më ka mundësuar, madje më ka bërë, që të ndodhem midis fakteve, në marrëdhënie me thuajse të gjitha figurat, të cilat kanë sunduar, dhe që të njoh shumë zhvillime që Historia nuk i ka regjistruar. Por ky jam dhe ky dua të mbetem: thjesht një gazetar, një dëshmitar i kohës sime, i lindur më 1909 në Fucecchio, në një shtëpi të madhe e ndërtuar mbi një kodrinë dhe e rrethuar prej një kopshti, të cilit i rri pezull në tri kate, me plot portokalle, limoj dhe ullinj.

Në gjimnaz isha i zoti në italisht, në latinisht, në greqisht, dhe sidomos në histori: të gjitha këto, lëndë që do të më shërbenin kur do të bëhesha gazetar. Përkundrazi, babai im, i formuar prej një edukimi të fortë karduçian, mendonte për mua që të bëhesha diplomat. Në familje, pasioni im i pandalshëm për gazetarinë më qe pranuar vetëm në ditën kur hyra në "Corriere della Sera", që konsiderohej një shemër e shtetit edhe si trashigimi milaneze, pa harruar rregullsinë e pagesave të saj. Por në shtëpi engjëlli ishte "Nazione". Një ditë i çova gjyshit tim një numër të "Frontespizio", revista e Bragellini-t, i cili kishte pranuar një shkrim timin për Bajronin dhe për katolicizmin. "Me të vërtetë, - më thoshte, - e ke stofin e gazetarit...". Por gjyshi im merrte "Nazione"-n dhe duke pëshpëritë nën zë, thoshte: "Gazetarë janë vetëm këta të cilët shkruajnë këtu".

Për të plotësuar dëshirën e babait tim, u diplomova për drejtësi në Firence një vit përpara dhe me një punë diplome për reformën elektorale të fashizmit, në të cilën, edhe pse me distinktivin e GUF-it në xhaketë, këmbëngulja se nuk ishte fjala për një reformë elektorale, por vetëm për heqjen e zgjedhjeve. Munda ta bëja falë mësuesve të mi fiorentinë, Calamandrei-t, Finzi-t, Cammeo-t: antifashistë, të cilët, për të vazhduar qenë të detyruar t'i blatonin besim fashizmit. Dhe kur përfundoje me "njëqindedhjetë të epërme", mund të përfitoje edhe nderin e shtypit, nëse nuk do kishe frikë se mund të bije në sy të ndonjë jerarku. Duke përfituar prej kënaqësisë së babait tim, u paraqita për të kërkuar të më financonin një stazh, siç thuhet sot, për në Grenoblë, dhe mora një bursë studimi të përfituar prej asaj "njëqindedhjetë të epërme". Synimi ishte për të mësuar sa më mirë gjuhët për të tejkaluar kështu konkursin e caktimit për në karrierën diplomatike, së cilës unë vetë nuk kisha asnjë dëshirë që t'i kushtohesha. Por as Grenobli, as Sorbona, as Kembrixhi nuk ishin për mua vetëm shkolla të gjuhëve. Ishin zbulimi i një sistemi shkollor eficient dhe në shërbim të një kulture për të mirë të qytetarit, krejtësisht e kundërt me atë që kishim ne. Kultura italiane është mafioze, sepse lind në pallat, në shërbim të princit. Princi ndërron vend, në vend të tij vjen Grandduka, Papa ose Partia. Por kultura mbetet baza e dijeve për fillimet e formimit dhe vazhdimësinë e të formuarit. Nuk përkujdeset për kolektivitetin as për misionin që duhet të zhvillojë: që është mbrojtja e diturisë te njerëzit e zakonshëm, duke iu folë me gjuhën e tyre. Me shumë pak përjashtime, edhe fakulteti i drejtësisë fiorentine mu duk menjëherë një lloj farishteje e bizantinizmit më të keq, i përkushtuar për të mbarështrue vetëm dëshirat e intrigantëve. Një herë shkova për të dëgjuar kampionin e oratorisë gjyqësore: Carnelutti-n. Isha së bashku me një vajzë; ëndërronim të martoheshim. I thashë: "Vetëm një gjë të kërkoj: të marrësh një revole dhe të më qëllosh, nëse një ditë do të më dëgjosh të flas në këte mënyrë. Betoju." Ajo u betua, por ne nuk u martuam.

Docenti im i së drejtës romane ishte një djalë shumë i ri, Giorgio La Pira. Herën e parë që erdhi në leksion, qe i veshur me sandale, edhe pse ishte nëntor, dhe roja e universitetit e bllokoi në hyrje duke e marrë për një tip kapriçioz: "Ej ti, ku kujton se po shkon kështu?"- i tha. Simbas La Pira-s asnjë prej teorive për shtrembërimet e kodeve juridike, duke futur atje përcaktime kur origjinali është skalitë prej shekujsh, nuk janë të vlefshme. "E mandej, - e pyeti njeri prej nesh, - kur gjendet ky shtrembërim, çka duhet bërë?" "I duhet falur Shën Marisë", - përgjigjej ai me një buzëqeshje të lumtur. Kur u bë kryetar i bashkisë së Firences, aplikoi edhe vetë po ato kritere për mbarështrimin e bilancit komunal. Nëse ndodhej para një dështimi, e kalonte për llogari të Shën Marisë dhe kështu rifillonte tjetrin. Për vete nuk mori asgjë dhe vdiq si përherë, si njeriu me sandale.

Në Grenoblë, asnjeri prej mësuesve nuk ishte një zbulues i shkencës së tij. Por ajo që përditë shfaqnin para nesh ishte krejt e qartë dhe të tërhiqte aq shumë falë tregimit plot gjakim të tyre. Me shumë prej tyre kisha marrëdhënie edhe jashtëshkollore: takime në kafe, shëtitje, madje edhe diskutime të forta. E gjithë kjo më falte mrekullinë e çlirimit prej asaj dròje, prej së cilës asokohe unë përshkohesha.. Kur mbas gjashtë muajve u ktheva në Firence, isha një njeri tjetër, isha njeri. U regjistrova në shkencat politike dhe shoqërore, që për të diplomuarit në drejtësi kërkonte vetëm shtatë provime shtesë. Por mbi gjithçka unë dëshiroja gazetarinë dhe madje e kërkoja edhe me një farë kryelartësie.

E fillova te "Selvaggio" e Maccari-t, një gazetë e vogël që kishte nja 500 kopje, por që përshkohej prej humoreve më turbullues të kohës. Fashistët e "Selvaggio"-s ishin të parët që do ta thyenin korin e përshtatjes me regjimin. Maccari, si Longanesi me "Italiano"-n e tij, në të vërtetë te fashizmi shihte një lloj ekologjie "ante litteram" që mund të ruante traditën kulturore italiane nga njollosja me modernitetin.

Komplimentin e parë që do të merrja për një shkrim timin, do të ma bënte Mussolini. Ishte një ditë vere e vitit 1934. Duçja ishte në "Sala del Mappamondo". Nga porta e hyrjes deri te tryeza e tij përballë, prej aty ku ai hynte, ishin e pakta tridhjetë metra. Ishte një mizanskenë për të sugjestionuar vizitorët, të cilët mbasi kishin bërë përshëndetjen romane, për t'u afruar duhej të kalonin krejt të pambrojtur këte rrugë të shkurtër që nën vështrimin e tij të dukej e pafund. Churchill-i më ka treguar se në vizitën e tij e tij të parë në Palazzo Venezia, ishte ndalë te dera duke pritur që Mussolini të çohej për ta pritur. Veprim që Duçja po mendohej shumë për ta bërë. "E atëherë?", pyeta unë. "U afrova unë, por ngadalë".

Atë ditë pra, unë isha me të gjithë grupin e "Universale"-s, një revistë e Berto Ricci-t, sepse Duçja e kishte ftuar gjithë ekipin. Mussolini ishte veshur në të bardha, por pa harruar këmishën e zezë. U ngrit dhe na kaloi radhazi, i rëndë, disi i zymtë, duke na pyetur si quheshim njeri mbas tjetrit. Kur dëgjoi emrin tim, rrudhi pak ballin dhe tha: "Më duket se kam lexuar një shkrim tuajin kundër racizmit". Pohova me krye. "Bravo!", - më tha, duke më matur me shikim nga poshtë lart: "Racizmi, është punë biondinësh". E kishte fjalën për gjermanët, dhe për rastësi unë isha biond si gruri. Mandej, i kënaqur për shakanë, shpërtheu në një të qeshur. Qeshëm të gjithë.

Unë kisha hyrë te "Universale" më 1932, i tërhequr prej Diano Brocchi-t, një sindikalist i ri i cili kishte qenë skuadrist, ndonëse për fashizmin ushqente një mosinteresim të qartë, sidomos në aspektin social. Kur njoha Ricci-n, ai ishte 27 vjeç, katër më tepër se unë. Me fashizmin qe lidhur vonë, në '30-tën, mbas një të kaluare prej militanti anarkist. Jipte matematikën në një shkollë në Prato, ishte i martuar me një djalë dhe e përjetonte ideologjinë e re me përkushtim reformisti, paksa për zakon të kërkesave shkencore dhe më shumë për të shlyer të kaluarën të cilën e quante një gabim të mëparshëm. Ricci qe i vetmi mëkues karakteri që unë të kem gjetë në një Vend ku karakteri ishte e vetmja lëndë e cila merrej pa asnjë lloj provimi. Falë tij, që i qëndronte besnik parimeve, por pa u përkujdesë për ideologjitë, u mësova për të mbajtë një largësi prej ideve, çka më lejonte që të veproja gjithmonë me pastërti. Sepse parimet mbesin ndërsa idetë përkundrazi, ndërrojnë me njerëzit për hir të marrëveshjeve të radhës. Përvetësimin e një koherence e kam mësuar t'ua rezervoj vetëm vlerave bazë, në të cilat një njeri duhet të frymëzojë drejtimin e tij: detyrimin për të qenë i ndershëm, i sinqertë, kurajoz, i përgjegjshëm. Por në planin e ideve, janë mû ndershmëria, sinqeriteti dhe kuraja që më kanë detyruar t'i ndërroj ato sa herë që jam gjetur përballë mashtrimeve të dukshme ndaj tyre dhe ndaj meje.

E përzgjodhi për botim dhe e përktheu: BESNIK DIZDARI

Indro Montanelli


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Shkencëtarët: Ja si do të jetë bota pas 50 vjetësh (04.16.2009)
Inva Mula kulmi i një karriere dhe humbja e një dashurie (04.11.2009)
Dëshmia e një spiuni (04.07.2009)
Elë Mëkferson, Trupi që Flet, bëhet sot dyzet e pesë (45) vjeçe (03.29.2009)
Monika Beluçi tregon cilat janë dhjetë komandementet e joshjes së saj (03.24.2009)
Monika Beluçi tregon cilat janë dhjetë komandementet e joshjes së saj (03.24.2009)
Madona: Elvis është mbreti, unë jam mbretëresha e muzikës pop (03.21.2009)
Të gjithë ia kanë frikën trupit të Merilin Monrosë (03.15.2009)
Duke qenë e vërtetë me veten Xhudi Foster e kalon provimin e pyetjeve për yjet (03.12.2009)
Badi Holli një ndër legjendat e muzikës amerikane (03.09.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]