VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Madona: Elvis është mbreti, unë jam mbretëresha e muzikës pop

                                                                                      

E Shtunë, 04.27.2024, 01:03am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
Madona: Elvis është mbreti, unë jam mbretëresha e muzikës pop
E Shtunë, 03.21.2009, 02:54pm (GMT+1)

Ikonë e pakundërshtueshme prej më shumë se njëzet vjetësh, nga lartësia e 50 viteve, nuk e ndjen as për së largu perëndimin e saj. Gjithmonë në paraprirje të kohëve, këngëtarja superyll e muzikës pop, nisur nga një qendër e vogël e Midwest, mund të flasë për një bilanc të pasur, një rrugë të gjatë, një koleksionim fitoresh, gëzimesh e suksesesh, por edhe ndrydhjesh, dhimbjesh e përplasjesh. Ja si e shikon veten përmes dritash dhe hijesh Madonna e sotme:

 

DRITAT E SAJ:

1. AMËSIA: "Prej kur jam bërë nënë, jeta ime ka filluar nga e para. Amësia më ka bërë, në sytë e shumëkujt, më të respektueshme. Fakti është që jam gjithnjë tunduese. Jam gjithnjë e njëjta, tekembramja, dhe nuk ka askënd më sexy se një nënë."

2. FATMIRËSIA: "Jam vërtetë një njeri me fat! Dhe sot ndjehem më e realizuar se kurrë në jetën time.

3. MUZIKA: "E kam vërtetë muzikën në gjak. Derisa të mos ik prej kësaj bote, do të kem gjithmonë disi patjetër të bëj me muzikën."

4. JETA PRIVATE: "Jeta ime artistike është pabesueshmërisht e rëndësishme, por jeta ime private është edhe më e dashur. Për mua është tejet e rëndësishme të jem nënë, të kem miq, të kem një marrëdhënie...sepse nuk i dihet kurrë se çfarë do të ndodhë."

5. PRINDËRIT: "Për mua parajsa ishte të flija mes babait dhe nënës, në shtratin e tyre. Nëna ime kishte një këmishë nate prej mëndafshi lejla. Më kujtohet se kur përvidhesha mes tyre, nëna më ngjeshte tek këmisha e natës dhe mua më zinte gjumi."

6. KATOLICIZMI: "Kur isha e re, isha fetare, në mënyrë pasionante, prej adoleshenteje. Për mua Krishti ishte si një yll kinemaje, ishte i parapëlqyeri im absolut. Kam dashur ta pagëzoj Lourdes në ritin katolik. Për mua feja përfaqëson njëfarë oazi të mbrojtur, ku është ruajtur ndjesia e bashkësisë."

7. KËRKIMET TUAJA SHPIRTËRORE: "Është sikur të jem në udhëtim, në kërkim të përgjigjeve. Kam studiuar budizmin dhe në njëfarë mënyre e praktikoj, e besoj. Kabbalah (misticizmi hebraik ) është magjepsës, një vizion krejt i ri."

8. ADHURUESIT: "I adhuroj ata që më kanë mbetur besnikë qysh nga fillimi, në çaste të mira e të këqija, kur as unë nuk e dija saktësisht se çfarë isha duke bërë."

9. VENDI JUAJ NË HISTORINË E MUZIKËS POP: "Elvis është mbreti e unë jam mbretëresha. Ditëlindja ime përkon me përvjetorin e vdekjes së Elvisit ? Disa mendojnë se kam lindur për të qenë në lartësinë e emrit tim. Si mund të isha e ndryshme nga ç'jam kur kam emrin Madonna ? Ose do të bëhesha murgeshë, ose kjo që jam. Nuk do të jem e kënaqur derisa të jem e famshme si Jezui."

10. VESHJET: "Vishem si të dua: është një nga anët e mia më të mira si njeri i famshëm, bashkë me faktin se e gjej gjithmonë një tavolinë të rezervuar në çdo restorant."

11. YOGA: "Nuk di të përshkruaj sa i madh është ndikimi i saj në jetën time. Më ka dhënë një mori gjërash: ndjesinë e drejtpeshimit, përqëndrimit, qetësisë. Mund të them se ajo bën mirë në të gjitha rrafshet. Në atë fizik, domosdo. Më pëlqen të kem një trup të shkathët, dhe joga ta bën të mundur të lëvizësh me lehtësi, e edhe në një mënyrë të pëlqyeshme për syrin e të tjerëve. Pastaj joga të jep zgjuarsi. E bëj për një orë e gjysmë përditë, dhe ua këshilloj të gjithëve."

12. RUAJTJA E FORMËS: "Ndjehem më në formë tani se kur ishte njëzet vjeçe. Gjithmonë më ka pëlqyer të jem në formë dhe energjike. Por është edhe dashuria ajo që më mban në formë."

13. RRITJA: "Kam mësuar të bëj lëshime. Jo për dobësi, po e kam kuptuar se mund t'i bindësh njerëzit edhe pa i terrorizuar apo shokuar, ka mënyra më inteligjente. Mendoj se jam rritur kur e kam kuptuar këtë gjë."

14. VIZIONI PËR VETEN: "E konsideroj veten një eksperiment personal. Jam vepra personale imja e artit."

15. TRIMËRIA: "Më mirë të jetosh një vit si tigre se njëqind vjet si dele."

16. DASHURIA E VËRTETË: "Jam romantike dhe besoj në dashurinë e vërtetë, në gjetjen e shpirtit binjak."

27. ROLET IMPENJATIVE: "Do të kërkoj të bëj vetëm të tilla në të ardhmen. Nuk do të jem gjithmonë e bukur, është një realitet që duhet përballur."

18. SEAN PENN: "Ndjehem e nderuar që e kam njohur. Është një njeri pabesueshmërisht inteligjent. Edhe pse gjërat nuk kanë funksionuar në martesën tonë, nuk jam penduar për martesën, edhe pse ka zgjatur pak."

19. CARLOS LEON: "Isha vërtetë e dashuruar. Nuk është e vërtetë thënia se e kam takuar në rrugë dhe e kam zgjedhur hamshor. Me atë kam pasur një marrëdhënie që ka zgjatur dy vjet. Kemi mbetur miq të mirë. Lourdes është një fëmijë e lindur nga dashuria. Gjëja e fundit që do të doja, është që ime bijë të rritet pa baba. Unë jam rritur pa nënë dhe e kuptoj ç'do të thotë."

20. BABAI JUAJ, SILVIO CICCONE: "Shkojmë shumë mirë kohët e fundit. Tani ka një vreshtë në Miçigan. Babai nuk është një njeri që flet kollaj, dhe kjo më ka bërë të vuaj. Ai nuk komunikon kurrë plotësisht. Tani i kuptoj sakrificat që ka bërë për t'i rritur gjithë ata fëmijë. Është një njeri i rreptë, por baba i dashur. Nuk e kam kuptuar derisa jam bërë me fëmijë. Kam shumë respekt për babain, e sidomos kam gjithmonë nevojë për miratimet e tij, edhe kur nuk e dëgjoj."

21: TË JESH 48 VJEÇE: "Ka çaste kur mendoj se jam kaq e vjetër, por tani jam shumë më e realizuar se dhjetë vjet më parë."

 

HIJET

 

1. VDEKJA E NËNËS: "Fakti që jam rritur pa nënë (vdiq më 1963 nga tumori i gjirit ) ka mbjellur te unë një frikë të vërtetë nga ndjenjat. Nuk dua të vuaj, nuk dua të mbetem sërish e pa dikë që më do."

2. FAMA: "Është si një drogë. Mbush një hapësirë brenda teje. Ta jep përshtypjen se je realizuar, ndërsa në të vërtet ndodh e kundërta. Fama të konsumon, të raskapit dhe më në fund të zbraz."

3. TË JESH IKONË E MUZIKËS POP: "Do të thotë që nuk mund të shëtis me fëmijët e mi apo të bëj gjëra të tjera të thjeshta. Nuk mund t'i bëj gjërat që i konsiderojnë të githë normale.

Kjo e përcakton edhe banesën e plot gjëra të tjera. Nuk mund t'i marr vendimet në mënyrën siç e bëjnë të gjithë. Duhet të përballem gjithmonë me një mori gjërash."

4. DUHANI: "Është një ves i pahijshëm, e di. Pastaj mua më duhet të kem shumë kujdes për pejzat (kordat ) e mia zanore."

5. DROGAT: "Nuk marr droga. Nuk kam marrë kurrë. Të gjitha ndjesitë që mendohet se t'i japin drogat siguria dhe energjia mund t'i gjej natyrshëm brenda vetes sime."

6. PAGJUMËSIA: "Vuaj nga pagjumësia por nuk marr kurrë tableta (hapje ). Pi çaj mali."

7. PASIGURIA: "Mendoj se përballja ime më e madhe është me pasigurinë. Ndeshem me të njëzet e katër orë në ditë, shtatë ditë në javë."

8. FRIKA: "Nëse kam frikë të bëj diçka do të thotë se duhet ta bëj."

9. GUZHINA: "Nuk di absolutisht të gatuaj. Jam gjithmonë në pritje të dikujt që më merr jashtë për darkë."

10. FILOZOFIA E TAVOLINËS: "Jam vegjeteriane (bimore )."

11. SHTATLARTËSIA: "Kam dëshiruar gjithmonë të jem më e gjatë. Jam një metër e 63 centimetër, që është shtatlartësi mesatare. Është shpirti ai që nuk më lë të ndjehem asnjëherë mesatare."

12. BRITNEY SPEARS: "Sulmet kundër saj janë vërtetë të liga. Nuk dua tjetër për të veçse ta përkrah dhe ta lavdëroj. Më kujtohet se kur isha në moshën e saj ndjehesha e mjerë, e ligë, hutaqe, e pasigurtë."

13. VAJZËRIA: "Humbja e vajzërisë sime ? E kam menduar si një mjet për qëllimet e karrierës. Dhe nuk doja që edhe ai të ishte fillestar. Doja të mësoja shumë të panjohura, dhe unë nuk kam durim për gjëra të tilla."

14. INTERVISTAT: "Po të varej nga unë, nuk do të jepja kurrë intervista. Mendoj se janë: së, pari të mërzitshme, sepse më duhet të shpjegoj për të kushedisatën herë ato që bëj; së dyti, nuk më pëlqen t'i flas botës për jetën time private."

15. THE GRAMMY MUSIC AWARDS:  "Më është dashur të pres "vetëm" gjashtëmbëdhjetë vjet për ta fituar një. Edhe pse më duket marrëzi të dekretosh cili është personi që ka regjistruar në një vit albumin më të mirë. Është gjithçka krejt subjektive."

16. TELEVIZIONI: "Nuk dua që fëmijët ta shikojnë, sepse nuk dua të bëhen teledipendentë: jam e bindur se televizioni i shndërron në krijesa pasive. Por nuk është e lehtë t'i bindësh fëmijët të mos shikojnë televizor. Do të doja që t'ia zhvillonte imagjinatën atyre."

17. CENSURA: "Nuk shikoj kurrë MTV, është plehnajë. Ka ndaluar shumë nga këngët e mia si Justify e Erotica."

18. TRADHTIA: "Nuk i kam shkuar kurrë në takim një burri të martuar."

19. KRITIKAT: "Njerëzit priren të jenë shumë më tepër kritikë kundër atyre që kanë arritur suksese të mëdha në fushën e tyre. Nuk duhen marrë seriozisht."

20. PAPARACËT: "Pajtohem plotësisht me faktin se kur jeni një njeri i famshëm duhet të përballesh me fotografët. Ajo që nuk mund ta toleroj është kur dhunohet dhe shfrytëzohet jeta private e fëmijëve të mi."

21. PENSIONI: "Nuk mund ta përfytyroj veten pa punuar. Gjithsesi do të vazhdoj të ndryshoj, të rritem, të interesohem për gjëra të ndryshme. Nuk mund të mendoj që të mos jem kreative. Nuk mund të jetoj pa krijuar. Nuk e di se çfarë do të bëj, por diçka do të bëj. Kurrë nuk do të dal në pension!"

22. SPITALET ANGLEZE: "Janë arsyeja pse e kam lindur Rokon në Los Anxhelos. Kam pasur ndërlikime, por janë zgjidhur menjëherë. Spitalet angleze janë të vjetra, në stilin viktorian. E pastaj është e sikletshme të shkosh tek mjeku në një vend që nuk është yti. E dua Anglinë, por dua edhe funksionimin e gjërave."

23. TABLOIDET ANGLEZE: "Oh, Zot i Madh, në gazeta nuk shikohet tjetërgjë vetëm gra nudo!"

24. VËRSHIMI I ADHURUESVE: "Adhuruesit janë duke u bërë përherë e më agresivë. Nuk më lënë të qetë. Këndojnë dhe luajnë në instrumente tek dera e shtëpisë. Porositin pica e m'i dërgojnë. E trembin time bijë. Dalin para veturës dhe të detyrojnë të hysh në shtëpi nga dera e prapme. Ma bëjnë jetën të pamundur."

25. PARAJA: "Gjithmonë kam thënë se dua të jem e famshme; nuk kam thënë kurrë se dua të jem e pasur. Paraja nuk është e rëndësishme. Aq më shumë para të kesh, aq më shumë probleme do të kesh. Jeta ime ishte më e thjeshtë kur nuk kisha para."/Elida BUÇPAPAJ
Elida Buçpapaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Të gjithë ia kanë frikën trupit të Merilin Monrosë (03.15.2009)
Duke qenë e vërtetë me veten Xhudi Foster e kalon provimin e pyetjeve për yjet (03.12.2009)
Badi Holli një ndër legjendat e muzikës amerikane (03.09.2009)
Eva Mendes bukuria kubane harkuar mbi dy brigjet e Amerikës (03.04.2009)
Automobilit të garës (02.27.2009)
Themelimi dhe Manifesti i Futurizmit (02.25.2009)
100 vjetori i futurizmit ose primitivëve të një ndjeshmërie të re (02.23.2009)
Shën Valentini: Dalldia e Mbretit Henri VIII në letrat dërguar Anë Boleinit (02.14.2009)
Shën Valentini: Google Earth porosit ta festojmë në ishullin që ka formën e zemrës (02.14.2009)
Shën Valentin: Kur dy shpirtëra e gjejnë njëri tjetrin lidhja e tyre fillon mbi tokë dhe vazhdon përherë në qiell (02.12.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]