Në foto: Liri Kazazi duke dhënë intervistën
E bija e Jup Kazazit tregon për jetën e të atit, ithtarit të qëndresës
antikomuniste shqiptare dhe aktivitetin e tij si kryetar i Ballit Kombëtar për
zonat e Veriut të Shqipërisë. Dy kryengritjet e bujshme, ajo e Reçit dhe e
Postribës, momentet pa rrugëdalje deri te vetëvrasja e Jupit gjatë tentativës
së komunistëve për ta arrestuar në vendin ku qëndronte i fshehur. Si i shpëtoi
Liri Kazazi me të vëllain internimit disavjeçar për shkak të dajës, pediatrit
të njohur Selaudin Bekteshi, nevojën e të cilit e kishin të gjithë pushtetarët
komunistë sa herë fëmijët e tyre sëmureshin.
Edhe pse vetëm një fëmijë pesë vjeç, ajo e ka të fiksuar në memorien e saj
ditën kur disa burra të panjohur e të veshur rëndë tërhoqën zvarrë nëpër
shkallët e shtëpisë nënën e sëmurë Nasibe, që në ato momente digjej nga
temperatura. Kishin ardhur për t'i marrë, ashtu me rrobat e trupit e për t'i
dërguar në kamp internimi, për shkak se i ati, Jup Kazazi, njeriu që kishte
dalë kundër regjimit fashist, tashmë i ishte kundërvënë atij komunist.
Kryengritjet e njëpasnjëshme, të cilave iu veshën bilance tragjike me njerëz të
vdekur, shumë të pushkatuar, dhe të tjerë të internuar më pas, kishin vetëm një
qëllim: çlirimin e vendit nga pushtuesit fashistë, dhe më vonë rrëzimin e
komunizmit në vend. Misioni i të atit të Lirisë ishte i qartë, ndonëse pasojat
e vërteta do i vuante e gjithë familja dhe fisi Kazazi. 69- vjeçarja rikujton
pjesë të historisë së luftës dhe aktivitetit politik të të atit, ndërsa e quan
veten me fat, për shkak se së bashku me të vëllain, Hamzën, ata i shpëtuan
internimit disavjeçar. Si mbesa e Selaudin Bekteshit, pediatrit të njohur që
këqyrte gjendjen shëndetësore të të gjithë fëmijëve të pushtetarëve komuniste
nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Adil Çarçani, ajo i shpëtoi internimit. Me
ndërhyrjen e dajës, nevojën e të cilit e kishin përveç shoqërisë dhe gjithë
funksionarët e pushtetit popullor, Liri Kazazi për herë të parë në jetën e saj
u ndje e privilegjuar. Edhe pse kohë më pas e persekutuan me punën në Roskovec,
heqjen nga arsimi dhe përfshirjen si punëtore dispeçerie në kryeqytet.
Jo rastësisht quheni, Liri...
Liria, dalë gjatë viteve të studimit në shkollën Pedagogjike.
Lindja ime përkoi me periudhën kur babai po organizonte luftën e famshme të
Reçit në Malësinë e Madhe. Ishte viti 1943, dhe kur im atë doli hapur në luftë
kundër fashizmit gjatë pushtimit italian, përmes një lajmësi të zonës, atij i
thonë që Nasibeja lindi vajzë. Edhe pse kundër pritshmërive të tij për një djalë,
ai ishte shprehur përpara burrave të fshatit dhe atyre që ishin mbledhur për të
qenë pjesëmarrës në luftën e Reçit, se ne për liri kemi dalë, ndaj dhe vajza
ime do të mbajë emrin Liri (qan). Emri im, jo vetëm në kuptimin etimologjik,
vjen si një simbolikë e veçantë, që pagëzoi luftën e famshme të Reçit, ku
qindra burra të Veriut të Shqipërisë, e kryesisht Malësisë së Madhe, u
organizuan për të luftuar pushtuesin italian, mandej për t'u futur në Shkodër
me qëllim çlirimin e qytetit.
PYETJE: Na tregoni pak për babain tuaj, si nisi aktiviteti i tij antifashist e më pas
aktivizimi me Ballin?
LIRI KAZAZI: Babai im ka vepruar në legalitet gjatë qëndresave të tij antifashiste, ndërsa
kur doli hapur kundër komunizmit, ai u zhvendos tërësisht në ilegalitet. I
nevojitej tashmë kjo lëvizje, sepse gjithë kohës ishte i shënjestruar për t'u
arrestuar apo për t'u vrarë. Nuk besoj se ka shkodran të moshuar, që nuk e
kujton figurën e babait tim, që është ngjitur nëpërmjet një peme dhe ka grisur
flamurin italian që ishte vendosur në krah të Bankës së Napolit në qendër të
Shkodrës, në vitin 1939. Prej asaj dite, nisën me radhë protestat qytetare.
Ndërsa, gjatë kësaj kohe ishte Xhevat Korça, intelektuali nacionalist në
mbrojtje të interesave të vendit, që i kërkon babait tim të pranojë një post
ministror që t'i shërbente Shqipërisë. Ishte një periudhë afatshkurtër
angazhimi i tij në këtë detyrë në Ministrinë e Ekonomisë, edhe pse arsimimi i
Jupit ishte i vyer në këtë drejtim. Pas studimeve të larta për Ekonomi në
Beograd, kohë kur edhe e arrestojnë me pretekstin e aktivitetit antisllav, ai
tregohet i vendosur dhe sërish rifillon studimet me dy vëllezërit e tij, këtë
herë në Torino të Italisë. Në këtë kohë, ishte Mithat Frashëri që i propozon
detyrën e kryetarit të Ballit Kombëtar për zonat e Veriut, detyrë të cilën ai e
pranon menjëherë.
PYETJE: Një moment historik për t'u shënuar në aktivitetin politik e luftarak të babait
tuaj ka qenë edhe lufta e Reçit. Pse kërkohej "koka" e Jup Kazazit pas kësaj
lëvizjeje?
LIRI KAZAZI: Lufta e Reçit në Malësinë e Koplikut u organizua në vitin 1943 gjatë pushtimit
italian. Ishte babai që mblodhi rreth tij 500 veta, ndërsa vetë qëndroi në krye
të kësaj lufte që synonte çlirimin e Veriut të Shqipërisë e mandej gjithë
vendit nga pushtuesit fashistë. Ishte mirëfilli një kryengritje e armatosur.
Urdhrin e arrestimit të babait e kam gjetur të shkruar në Arkivat e Shtetit,
njëherësh edhe në raportin e Ministrisë së Brendshme dhe të prefektit të
Shkodrës, që kërkonin me çdo çmim kapjen e bandave rebele të Jup Kazazit, Llesh
Marashit dhe Xhemal Bushatit. Në këtë kryengritje janë bashkuar ballistë,
legalistë dhe shumë fshatarë të zonës. Ndërsa, rreth 1000 ushtarë italianë kanë
sulmuar nga toka dhe nga ajri për të eliminuar babain. Synohej që pas kësaj
kryengritjeje organizatorët të futeshin në Shkodër për të çliruar qytetin.
PYETJE: Vazhdimisht flitet për kryengritjen e famshme e Postribës, a synonte ajo vërtet
rrëzimin e pushtetit komunist?
LIRI KAZAZI: Zanafilla e kësaj kryengritjeje është gjatë diktaturës komuniste, më 9 shtator
të vitit 1946. Kjo cilësohet si lëvizja e parë antikomuniste në Europën
Juglindore pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë lëvizje bilanci ishte edhe më
tragjik, me 21 të vrarë gjatë përleshjeve, 19 të tjerë të pushkatuar pa gjyq,
shumë burgime e internime të mëvonshme. Sërish, në themel të lëvizjes ishin
interesat nacionaliste kombëtare kundër sistemit komunist. Dokumentet urgjente
kërkojnë kapjen e babait, sepse kjo kryengritje ishte nga më të bujshmet e
ndodhura asokohe, që synonte rrëzimin e pushtetit komunist.
(siper nga e majta ne te djathte) 1. Hamza Kazazi i Shkodrës është stërgjyshi i
Lirisë. Ai ka qenë udhëheqës i kryengritjes antiosmane të Shkodrës në vitin
1835. Portreti i tij është cilësuar si fotografia e parë e realizuar nga Pjetër
Marubi . Përveç vlerës historike, fotoja ka edhe vlera kulturore pasi dëshmon
stilin e të veshurit të një myslimani, me fustanellë të bardhë e të gjatë dhe
armët e ngjeshura në brezin me qylaf dhe xhufkë. 2. Jup Kazazi 3. Nasibe
Kazazi, nëna e Lirisë, e motra e Selaudin Bekteshit, pediatrit të njohur jo
vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë 4. Jup Kazazi me dy vëllezërit e tij,
gjatë studimeve për Ekonomi në Torino të Italisë
PYETJE: Si përfundoi i vetëvrarë Jup Kazazi?
LIRI KAZAZI: Babain nuk e njoha kurrë, sepse angazhimi i tij ishte i tillë që thuajse gjithë
kohës qëndronte në mal ose i fshehur. Mbaj mend që shoqet e shkollës më
përbuznin sa herë që përmendej emri i babait tim, më shikonin ndryshe... Kur
shkoja në shtëpi, vrapoja te gjyshja dhe e pyesja se ku ishte babi, ajo më
përgjigjej se kishte ikur larg, por do të vinte sërish. Ishte 17 shtatori i
vitit 1946, kur babai ndërmori vendimin pa kthim. U bë shumë i vështirë
qëndrimi në mal i tij, pasi gjithë kohës ishte i kërkuar për ta arrestuar ose
vrarë. Një fshatar në zonat përreth Shkodrës e kanë pushkatuar vetëm sepse i
dha një gotë me qumësht babait, ndërsa një djalë të ri, banor të Postribës, e
kanë torturuar duke i shkulur dhëmbët një nga një, vetëm që të tregonte se ku
fshihej Jupi. Meqenëse u bë e pamundur arratia e përjetshme, babai vendosi të
futej sërish në Shkodër, ashtu i veshur si katundar, i parruar dhe i hipur mbi
një gomar. Fillimisht u strehua në shtëpinë e dajës së tij, por përmes
informatorëve e spiunëve të zonës u zbulua shpejt vendqëndrimi. Pasi rrethuan
shtëpinë dhe Jupi bëri rezistencë për disa orë, nuk pranoi të binte në dorë të
komunistëve, dhe në katër të mëngjesit ka vrarë veten.
PYETJE: Ç'ndodhi më pas me familjen tuaj?
LIRI KAZAZI: Pas kryengritjes së Postribës, në shtëpi erdhën njerëz të armatosur të
Sigurimit që donin të na internonin. Mamaja ishte e sëmurë rëndë, por mbaj mend
që ata donin ta merrnin me dyshekë siç ishte, por ajo u tregoi raportin
shëndetësor të doktor Shirokës që e kishte operuar dhe theksonte që ishte jo
mirë nga gjendja shëndetësore. Aty për aty, një nga oficerët e Sigurimit thotë
nëpër dhëmbë që mos na vdes rrugës... Ndaj, pasi e tërhoqën zvarrë deri te
shkallët e shtëpisë, e lanë. Nëna vuajti shumë, punoi gjithë jetën si punëtore
krahu përkrah burrave në fabrikën e tullave në Shkodër, në fermë gjithashtu.
Ndërsa, për të na shpëtuar mua dhe vëllain, Hamzën, vendos të na dërgojë tek i
vëllai në Tiranë.
PYETJE: Daja juaj, Selaudin Bekteshi, ishte mjeku pediatër që vizitonte të gjithë
fëmijët e udhëheqjes. A ishte privilegj të njiheshe si mbesa e tij?
LIRI KAZAZI: Nuk ishte vetëm privilegj, ishte fat i madh në rastin tonë. Vetëm se isha mbesa
e tij, unë dhe im vëlla i shpëtuam internimit. Daja im ishte mjeku i famshëm,
pediatri që vizitonte të gjithë fëmijët e ish-bllokmenëve, duke nisur me
fëmijët e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Adil Çarçanit etj. Duke ia pasur
nevojën, sa herë që u sëmureshin fëmijët, ata mundoheshin ta trajtonin mirë
Selaudinin. Por, edhe pse u shpëtuam vuajtjeve të mundimshme nëpër kampe
internimi, sigurisht që jeta ime nuk ishte si më parë. Kisha një biografi të
keqe për shkak të babait. Kur mbarova shkollën pedagogjike, më dërguan për punë
në Roskovec. Më pas, me ndërhyrjen e dajës, ai së bashku me nënën, Nasibenë,
bënë një kërkesë me shkrim që të punoja në Tiranë. Edhe pse u vendosa në
kryeqytet, sërish më hoqën nga arsimi dhe u detyrova të punoja si punëtore
dispeçere për vite me radhë. Përveç vuajtjeve dhe humbjes së babait, figura e
të cilit sot më shfaqet si mirazh, gjithë familja dhe fisi ynë Kazazi janë nga
më të goditurat prej diktaturës komuniste.