E Djelë, 05.19.2024, 06:14pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
ORHAN JEGENI - TË EKZEKUTUARIT E AMBASADËS SOVJETIKE, ULËRIMA DHE TMERR TEKSA JEPNIN SHPIRT
Nga FATOS VELIU

E Martë, 10.30.2012, 12:01pm (GMT+1)



Situata e tensionuar solli momentin e jashtëzakonshëm deri në urdhrin e papritur të Mehmet Shehut për ekzekutimin e të gjithë të arrestuarve si të dyshuar të ngjarjes. Konkretisht, nëpërmjet shkrimit të mëposhtëm lexuesi do të njihet me historinë se si ndodhi në të vërtetë ajo ngjarje e rëndë dhe dëmet e papërfillshme që shkaktoi në ambasadën e kuqe. Çfarë ndodhi me dëshmitarët e rastit dhe angazhimi i madh i forcave speciale të ndërhyrjeve sekrete.
Kërkesa e Mehmet Shehut për ta konsideruar ngjarjen një atentat të pastër politik dhe urdhri i tij për pushkatimin e të gjithë të ndaluarve si të dyshuar, etj.
Gjithçka e rrëfen në intervistën e këtij numri, vetë Orhan Jegeni, i cili në listën e të ekzekutuarve ka pasur dy xhaxhallarët e tij, pikërisht Myftar dhe Gafur Jegenin.
Por Orhan Jegeni është dhe personi që ka gjetur varrin e përbashkët të ngjarjes së 26 shkurtit të '51-shit. Këtë ai e arriti pas konsulencave të shumta me fshatarët e zonës ku ka ndodhur ekzekutimi, nga të cilët ka mësuar edhe ngjarjet rrëqethëse se si kanë shoqëruar marrjen e jetës së të dyshuarve. E pikërisht tashmë këto rrëfime dhe këto dëshmi zoti Jegeni i vë në dispozicion të lexuesit të gjerë dhe të vetë historisë së çuditshme të shtetit tonë.
- Orhan Jegeni rrëfen të panjohurat e ngjarjes makabër të ndodhur në shkurtin e '51-it pas thyerjes së xhamave të ambasadës sovjetike, ku nga plumbat e mesnatës së 26 shkurtit buzë lumit Erzen, u goditën dhe dy xhaxhallarët e tij, të cilët ishin pikërisht kunetërit e vetë Haxhi Lleshit.
- Dëshmia befasuese e Orhan Jegenit, i cili është pikërisht personi që ka gjetur varrin e përbashkët të 22 qytetarëve të Tiranës dhe që ka mësuar makabritetin me të cilin është shoqëruar.
- Ekzekutimi i njerëzve, të cilëve atë mesnatë u është marrë jeta nën klithmat rrëqethëse të dëgjuara nga fshatarët.
Ai sjell dëshminë befasuese mes deklaratës së faktuar, se varri dhe vendi i ekzekutimit të 22 qytetarëve të dyshuar si atentatorë të ambasadës së Stalinit, ka qenë hapur më shumë se dy ditë para ndodhjes së shpërthimit të bujshëm.
- Cilët ishin ushtarët dhe makina misterioze që çanin shkurret dhe hapën gropën e mistershme në pyllin e dendur anë lumit Erzen, plot dy ditë para ngjarjes së ambasadës.
- Si u përzgjodhën mes 100 qytetarëve të izoluar gjatë natës në bodrumet e Ministrisë së Brendshme, 22 emrat të cilëve do t'u merrej jeta me plumb pas koke, ndanë Urës së Beshirit të ndodhur në periferinë e Tiranës.
- Momenti i ekzekutimit, kur në errësirën e natës çuan te varri i hapur më parë plot 24 persona, mes të cilëve dhe dy kunetërit e Haxhi Lleshit, që ishin pikërisht xhaxhallarët e Orhan Jegenit.
- Urdhri i sekondave të fundit për të hequr nga pushkatimi dy prej tyre, ku njëri ishte kushëriri i të shoqes së Prokurorit të Përgjithshëm, Siri Çarçani.
- Situata rrëqethëse e ekzekutimit, mes britmave lemeritëse të dëgjuara deri në shtëpitë e afërta të fshatarëve të zonës.

Zoti Jegeni, nga numri i kaluar i kësaj interviste juve u shprehët, se keni krijuar bindjen dhe keni faktet e padiskutueshme se gjithçka që ka të bëjë me ekzekutimet e ngjarjes së ambasadës sovjetike në shkurtin e vitit 1951, ka qenë një truk i paramenduar...
Po, po, nuk ka diskutim. Nga numri i kaluar besoj se ju solla fakte që mendoj se janë të padiskutueshme dhe absolutisht bindëse. Ku ka fakt më të madh se kur të them, se gropa, vendi i ekzekutimit është hapur dhe janë vënë rojet para se të ndodhte shpërthimi.
Ju kuptova për sa më thoni, por unë kam një paqartësi që ka shumë rëndësi.
Ju thatë se keni fakte, se gjithçka që do të ndodhte në atë buzë lumi në periferi të Tiranës, pikërisht në zonën e Urës së Beshirit në 26 shkurtin e vitit 1926, ka qenë e parapërgatitur dhe se varri ku do të ekzekutoheshin të dyshuarit e bombës së ambasadës ishte hapur më parë se të ndodhte ngjarja për të cilën ata do të akuzoheshin.
Unë ju kuptoj për sa më flisni zoti Jegeni, por nuk e di nëse më siguroni se jeni i mirinformuar për këtë fakt kaq shokues?
Jam shumë i mirinformuar dhe këtë do jua faktoj. Jo vetëm kaq, por do ju faktoj se ata njerëz, mes të cilëve edhe dy xhaxhallarët e mi që s'kishin ngacmuar në këtë jetë as një mizë, kanë vdekur të lemerisur. Do ju faktoj dhe do ju tregoj me fakte të padiskutueshme, se janë arrestuar mbi 100 qytetarë për dy ditë dhe nga bodrumet e Ministrisë së Brendshme ditën e fundit u përzgjodhën saktësisht 24 vetë për t'i ekzekutuar te varri që ishte hapur në datën 18 shkurt për të akuzuarit e ngjarjes që do të ndodhte në darkën e 19 shkurtit. Di edhe këtë i nderuar gazetar, që në çastet e fundit, kur do t'u merrej jeta në mënyrën më të ulët të ndjesisë njerëzore, se dy prej tyre i kanë hequr nga plumbi dhe i kanë rikthyer në Tiranë. Njëri prej tyre ju thashë se ishte kushëriri i parë i të shoqes së Prokurorit të Përgjithshëm, Siri Çarçani, ndërkohë që për tjetrin nuk e di se kush ka ndërhyrë. U shpreha se ajo që ndodhi ishte një truk, për faktin tjetër se një muaj pas atij makabriteti kanë arrestuar si të akuzuar tre të tjerë, por për kohën që ka kaluar mua s'më kujtohen emrat, se është një kohë shumë e gjatë në distancë. Por gjithsesi, jua shpreha dhe nga numri i kaluar i kësaj interviste, se mbaj mend që njëri prej tyre ka qenë oficer dhe ishte pikërisht shefi i teknikës autotraktore të Ministrisë së Mbrojtjes andej nga Peza e Vogël, ndërsa një tjetër ishte krutan. Por nga sa të them, rëndësi ka fakti që u arrestuan dhe u ekzekutuan tre të tjerë, ndërkohë që askush s'e vuri ujin në zjarr që një muaj më parë ishin ekzekutuar plot 22 persona, - se dy u shpëtuan në çastet më kritike.
Ju kuptoj qartë për sa flisni, se këto u shpjeguan edhe në intervistën e numrit të kaluar. Do të doja të dija për bindjen tuaj për varrin e hapur para ngjarjes, nëse do të arrini të më jepni argumente, pasi e konsideroj një fakt shumë të çuditshëm dhe tepër të rëndësishëm?
Pa diskutim, madje ju thashë se do t'ju jap shumë më tepër jo vetëm fakte, por edhe shumë hollësi të panjohura më parë nga opinioni, mbi atë makabritet që ka ndodhur në atë vend me shkurre, në mesnatën e zezë pis të 26 shkurtit të vitit 1951. Ato i di mirë, se kam pasur dy xhaxhallarët e mi dhe për këtë akt kam kërkuar me vite. Kam gjetur njerëzit që dinë të gjithë ngjarjen dhe kanë dëgjuar gjithçka ndodhi atë natë. Atyre njerëzve ua kanë marrë jetën në një mënyrë shumë barbare. Britmat dhe gulçimat e tyre janë dëgjuar gjatë.
Madje në mëngjes, si i kanë mbuluar me dhé në një varr të përbashkët, ka pasur shumë gjak rreth vendit ku u bë ekzekutimi, aq sa kur dolën bagëtitë e fshatarëve për në kullotë, nuk i afroheshin vendit, por vrapuan të trembura.
Pse?
Se bagëtitë, kur ndjejnë erën e gjakut, largohen shumë. Por te ai vend i ekzekutimit që ishte bërë gjatë asaj nate bagëtitë largoheshin me vrap dhe nuk kalonin aty. Por ka pasur edhe një rast tjetër që lidhet me atë vend, kur traktori i kooperativës, teksa shkulte trungjet dhe rrënjët e lisave të ndodhur aty për të hapur tokë të re, ka nxjerrë edhe trupin e njërit prej të vrarëve. Traktoristi, kur pa kufomën që tërhiqej nga plugu, ka rënë në gjendje të fikëti, nga që s'e përballoi dot psikologjikisht skenën.
E shikoj që po më sillni dëshmi të jashtëzakonshme, por doja të ripërsërisja pyetjen time, se ku i keni saktësuar dhe mësuar kaq hollësisht këto fakte, pasi dihet se këto kanë ndodhur në misterin më të madh?
Unë kam kërkuar shumë për të gjetur varrin dhe kam arritur që, pas shumë përpjekjesh ta gjeja. Ishte varri i përbashkët që ishte hapur atëherë. Por bashkë me varrin unë gjeta dhe dëshmitë e përjetuara nga fshatarët e zonës. Ata kanë treguar që nga momenti i hapjes së shkurreve dhe bërjes së varrit të madh dy ditë para shpërthimit dhe deri te urdhri i dhënë në fshat nga operativët e Sigurimit që atë natë të mos dilte njeri jashtë. E kështu, ndërsa kam kërkuar eshtrat e xhaxhallarëve, kam gjetur njerëzit okularë që kanë parë ngjarjen. Km gjetur personin që kishte shtëpinë afër dhe dëgjonte klithmat, ashtu siç kam gjetur traktoristin që më tregoi se si plugu i tij shkuli një kufomë, etj, etj.
Ajo zonë, ishte vend ekzekutimi?
Po, po. Aty ka qenë vend ekzekutimi, se kur unë kërkoja varrin e të ekzekutuarve të shkurtit të 51-shit, kam gjetur shumë varre dhe kemi njoftuar të afërmit.
Ishte pëllëmbë e skelet, si i thonë fjalës.
Ku është saktësisht, kjo zonë që ju theksoni?
Sa kalon Urën e Beshirit, ecën paksa dhe pas kësaj kthehesh djathtas, derisa arrin buzë lumit. Në atë kohë që bëheshin ekzekutimet, ajo zonë buzë lumit ishte mbushur me shkurre dhe gërxhe, si dhe trungje rrepesh dhe dushqesh. Vendasit e quajnë zabel. E pikërisht aty hapej vendi dhe bëhej ekzekutimi. Për rastin në fjalë unë ju tregova se fshatarët që më rrëfyen varrin më kanë dëshmuar se kur ishte punuar dhe kush kishte punuar, duke më thënë se rruga e makinës që do të çonte të dënuarit ishte përgatitur mes pyllit para se të ndodhte shpërthimi.
Më thoni si arritët konkretisht deri te dëshmitë dhe te vendi i ekzekutimit?
Pas viteve '90-të, pra kur filloi iniciativa e lirë dhe kur filluan të merrnin jetë bizneset private, unë krijova një kantier inertesh, të cilin e vendosa në zonën që po ju tregoj, pra shumë afër vendit të ekzekutimit. Aty sigurisht u krijua një mundësi për punësim të fshatarëve të zonës. Kuptohet që të gjithë nuk mund të merreshin në punë, por gjithsesi ishte një mundësi më shumë në zonë. Pas kësaj unë isha shumë i preferuar aty. Njerëzit tregoheshin dashamirës në ftesat e përditshme që më bënin në lokalet e fshatit. Kjo sillte biseda të larmishme, se në ato kafet karakteristike ishte si zakon që mblidheshin shumë njerëz, të cilët bënin biseda të zgjeruara dhe lëvronin gjithfarë temash.
Ju nuk e dinit fare se ku ishin ekzekutuar xhaxhallarët e tu?
Jo, nuk e dija. Aty doli biseda, jo vetëm për ata për të cilët unë isha i interesuar, por edhe për shumë të tjerë. Ishin ato biseda dhe dëshmi origjinale të atyre fshatarëve, që unë jam shokuar. Pra aty unë mësova për shumë të tjerë që ishin pushkatuar kriminalisht në atë anë lumi, mesnatave të zeza.
E vërteta është se historitë ishin rrëqethëse.
Ishit i bindur në vërtetësinë e tyre?
Patjetër, se kur ata thoshin se aty te rrëza e asaj qershisë është ekzekutuar një grup në këtë apo atë datë, ne interesoheshim dhe gjenim varrin, i cili ishte ekzaktësisht aty. Pas kësaj ne shikonim datën e ekzekutimit apo muajin dhe sipas saj bënim dallimin se kush në të vërtetë ishte pushkatuar në atë vend.
Konkretisht, mund të më tregoni ndonjë rast para se të shkonit te varri masiv i 22 viktimave?
Do të tregoj rastin e parë se si mësova se ajo zonë ishte zonë që kishte pasur pushkatime. Pas kësaj unë u nisa të kërkoja xhaxhallarët, pra 22 të pushkatuarit e 26 shkurtit të '51-shit, që ju fola më lart.
Konkretisht, ndërsa ishim në një lokal të ndërtuar në një zonë të gjelbër, kuptohet lokal fshati ku pinim nga një gotë raki apo nga një birrë, njëri prej bashkëbiseduesve se si u kujtua dhe tha fare rastësisht: Këtu ka qenë vend ekzekutimi. Dhe unë menjëherë u bëra i interesuar, se kisha hallin tim, pasi kisha kohë që kërkoja gjurmët e xhaxhallarëve të mi. I thashë se, si ishte vend ekzekutimi dhe nga e dinte? Aty për aty pastaj, më treguan rastin e ekzekutimit të Liri Gegës, Dali Ndreut dhe Petro Bullatit.
Si u kujtuan të tregonin pikërisht këta emra dhe s'u kujtuan për të tjerë, kur dihej nga ata se ajo zonë ishte me shumë të ekzekutuar?
Treguan për ata, se qenkëshin ekzekutuar shumë afër lokalit ku ne pinim kafen apo gotën e rakisë. Por çdo grup ekzekutimi kishte historinë e vetë rrëqethëse, të cilën njerëzit nuk e dinë akoma, se çfarë kanë hequr ata për të dhënë shpirt.
Konkretisht?
Për rastin që po të tregoj, fshatarët më rrëfenin se para se t'i ekzekutonin, në darkë i kishte njoftuar operativi i zonës, që e quanin Major Zoto, që të mos dilnin jashtë atë natë. Kuptohej mesazhi, - se tashmë ata ishin mësuar me këto lloj parullash, - se do kishte ekzekutime. Kështu kishin bërë ekzekutimet e personave të lartpërmendur, pra Lirinë, Daliun dhe Petron. Pas kësaj, ata i kishin mbuluar në një gropë të përbashkët dhe u kishin hedhur pak dhé mbi vete. Por gropa e ndodhur shumë afër lumit ishte shumë e cekët. Pas kësaj mbi ta kishin vënë shkurre e ferra për ta maskuar, por që gjithsesi gropa ishte shumë e cekët. Në mëngjes, kur fshatarët kishin dalë nga shtëpitë për punët e përditshme, kishin konstatuar se Dali Ndreu ishte përmendur, pasi nuk kishte vdekur dhe kishte dalë prej grope duke u tërhequr zvarrë dhe ashtu duke u zvarritur kishte arritur te një pellg uji anash lumit të rrjedhshëm. Ishte një rrëkezë e vogël që gjarpëronte paralelisht me lumin. Aty, me kokën mbi atë pellg uji, ai kishte dhënë shpirt.
Çfarë kishin bërë fshatarët kur e kishin gjetur?
Ata menjëherë kishin njoftuar Majorin e Ministrisë së Brendshme që kishte në administrim zonën, pra Major Zoton siç jua shpjegova, dhe ky menjëherë kishte marrë masat për njoftim dhe rivarrosje të tij.
Dhe që këtej u nisët ju, nga historitë, për të gjetur 22 të ekzekutuarit, 2 prej të cilëve ishin xhaxhallarët tuaj?
Nga sa më thanë në lidhje me ekzekutimet, unë mora shkas të pyes dhe të mësoj gjithçka që lidhej me ngjarjen e ambasadës. Shansi ishte se kryepunëtori që kishim ne në firmën e inerteve që kishim hapur, në kohën e ekzekutimeve në fjalë kishte qenë Kryetar Këshilli. Në s'gaboj quhej Kadri Hysi, ka vdekur tashmë.
Ju ndihmoi Kadriu, pra ish-Kryetari i këshillit?
Ky Kadriu na ndihmoi të identifikonim mbi 10 vende ekzekutimesh, që do të thotë dhe vende varrimi. Kemi njoftuar familjarët dhe ata i kanë zbuluar. E vërteta është se i kanë gjetur saktësisht aty ku kanë thënë fshatarët. Ndërsa kërkoja ekzekutimin e shkurtit të '51-shit ku kisha xhaxhallarët, Kadriu më çoi te një kushëriri i tij, që e kishte pasur shtëpinë shumë afër vendit të ekzekutimit. Ai na ka treguar llahtarinë.
Pse, çfarë ju tregoi?
Më treguan se atë natë u njoftuan të mos dinin nga shtëpitë. Por ata e dinin tashmë se për se flitej, aq më shumë që kishte dhe një zonë që ishte vënë në ruajtje me roja të armatosura. Por atyre nuk ua kishte marrë mendja se do të ishin plot 22 persona. Ai plaku që ishte kushëri i Kadriut, na tregoi se atë natë ka dëgjuar të bërtitura të forta, të cilat, pas shkrepjes së vazhdueshme të armës pushonin një nga një. Por të bërtiturat ishin rrëqethëse. Ishte një traumë e vërtetë.
Ishin të bërtiturat e 22 të ekzekutuarve të ambasadës apo të dikujt tjetër?
Pikërisht ata, se ne shkuam ku tha ai dhe hapëm vendin dhe gjetëm skeletet, saktësisht 22 persona. Pra sinjali dhe rrëfimi ishin shumë të sakta. Shtëpia e tij ishte shumë afër vendit. Mbaj mend që ai plaku tregoi se, në fund ka dëgjuar klithmat e gjata të një femre që nuk jepte shpirt dhe ulërinte me sa zë kishte, me një zë të ngjethur dhe të çjerrë. Nga historia kuptova se ai ka qenë zëri rrëqethës i Sabiha Kasimatit, se ajo ishte e vetmja femër mes grupit prej 22 personash të të ekzekutuarve. Duhet ta kesh dëgjuar emrin e saj, se ka qenë akademistja e parë shqiptare. Dhe këtë e vërtetuam se, kur hapëm gropën ku më treguan fshatarët, në fund ishte skeleti i një gruaje, që sigurisht ishte i Sabihasë. Madje mësova akoma një tjetër ngjarje, se kur fshatarët u çuan në mëngjes dhe nxorën bagëtitë, nga ai drejtim bagëtitë u trembën dhe nuk afroheshin.
Pse?
Sepse era e gjakut përbën frikë për bagëtitë dhe ato nuk afroheshin, por u shpërndanë të trembura. Fshatarët e kuptuan dhe e mësuan se për kë bëhej fjalë, se ishte ekzekutuar aty, aq më shumë që u ndeshën edhe me një fenomen akoma më makabër të atij varri.
Çfarë fenomeni?
Pas pak kohësh, për punët e bujqësisë ishte vendosur të shkuleshin rrënjët dhe trungjet e pemëve, në mënyrë që të hapeshin toka të reja. Një traktorist punonte me traktorin e tij, kur kishte kaluar padashur mbi varrin e bërë pak ditë më parë. Ai nuk e kishte ditur se pikërisht aty kishte qenë varri. Plugu i traktorit kishte hyrë te gropa dhe kishte tërhequr trupin e Sabihasë. Traktoristi, kur e pa, u tmerrua dhe menjëherë kaloi në gjendje të fikëti.
E kontaktuat traktoristin?
Më çuan te ai dhe e pyetëm. Ishte shumë i trembur nga ajo ngjarje edhe pse kishin kaluar vite të tëra, se ishte pas '90-ës kur e pyetëm.
Ai fillimisht na tha se s'dinte gjë, pastaj na tregoi historinë. Ishin shumë rrëqethëse të gjitha. Kam jetuar kohë të tëra me atë lloj tragjedie. Ishin momente të padëshirueshme dhe shumë të dhimbshme. Por në bazë të këtyre dëshmive ne e gjetëm saktësisht varrin dhe u njoftuan familjarët, e më pas i kemi çuar te varrezat e kombit. Pra gjithçka u vërtetua me faktin që varret të gjitha, jo vetëm këto, i kemi gjetur saktësisht sipas historive të fshatarëve dhe ishin shumë të besueshme, se pas '90-ës tregoheshin nga të gjithë njëlloj. Në lidhje me britmat e dëgjuara, u binda se shtëpia e kushëririt të ish-Kryetarit të Këshillit ishte shumë afër varrit masiv të gjetur nga ne dhe ashtu siç tha ai, në fund ka bërtitur fort një grua, që siç e vërtetuam ishte Sabiha Kasimati. Ajo kishte qenë në fund, që, kur ishte shkulur nga traktori ishte rivarrosur prapë në të njëjtin vend. Pra aty ishin plot 22 kufoma në një varr të përbashkët. Ishin përçudnuar dhe në varr duke i hedhur si qen. Ç'të të them! E dhimbshme, por e vërtetë. Në fund të fundit, kjo është historia jonë.


FATOS VELIU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ORHAN JEGENI - NGJARJA MË 1951 NË AMBASADËN SOVJETIKE - EKZEKUTOHEN DY KUNETËRIT E HAXHI LLESHITNga FATOS VELIU (10.30.2012)
ORHAN JEGENI - VAJZA E SAMI FRASHËRIT KA NDALUAR FORCËRISHT ARDHJEN E ESHTRAVE TË TË ATIT NË SHQIPËRINga FATOS VELIU (10.29.2012)
ZJARRI NË RTK SHKATËRROI ARKIVIN 1999-2004 (10.29.2012)
RITA ORA IA PREZANTON BOTËS KOSOVËN (10.28.2012)
NJË VEND PËR NËNË TEREZËN NË KATEDRALEN E UASHINGTONIT (10.28.2012)
ORHAN JEGENI - KRUSHQIA MES FRASHËRLLINJEV DHE TOPTANËVENga FATOS VELIU (10.27.2012)
BASHKIA E UASHINGTONIT FESTON DITËN E ILIR ZHERKËS (10.27.2012)
Një jetë luftë, një shekull Pavarësi (5)NANË - TEREZA, NANA E GLOBIT!Teksti: ZEQIR LUSHAJ, Këndojnë: Dida-Çela-Kovaçi (10.27.2012)
BAJRAKTARËT DHE ÇAUSHËT ZYRTARË TË BESIMIT ISLAM NË KOSOVË - SKANDAL PËR VENDIN!Nga LUAN (ASLLAN) DIBRANI (10.26.2012)
AKADEMI PERKUJTIMORE PER VELI SELIMIN ME MOTON 'Ditët e mërgimtarit'Fotoreportazh nga AGIM GASHI (10.26.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]