E Premte, 04.26.2024, 07:21pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
SELIM KOCA VEPRIMTAR DHE MËRGIMTAR SHUMËVJEÇAR - U PËRBALL ME TROTURAT, POR ASNJËHERË NUK U DORËZUA NDAJ UDBASHËVE
Nga XHAFER LECI

E Djelë, 05.12.2013, 09:39am (GMT+1)




Atdhetari Selim Koca, Gjermani Horb am Neckar, prill 2013

Pyetje: Baci Selim , para se të flasim për demonstratat e vitit 1981, 1990-të Luteni të prezantoheni për lexuesit e gazetës "Bota sot" dhe të na flisni pak për biografinë Tuaj deri më sot, si e kaloni në Kosovë?
S.Koca:
Fillimisht, mirë se keni ardhur këtu në Horb të Gjermanisë, në shtëpinë e dhëndrit tim Shkëlzen Elshani. Ju falënderoj shumë për këtë vizitë që më keni bërë, më keni nderuar dhe gëzuar shumë se ju dua prej kur ju njoh më 1981, ty Xhafer Leci dhe Nami Ramadanin. Jam i lindur më 1935, në fshatin Polac të komunës së Skënderajt. Gjyshi im Selimi e ka pasur dajë, pra ishte nip i viganit Shaban Polluzha. Ndërsa baba im Kajtaz Koca ka qenë stërnip dhe bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës, për disa vjet, nëpër shumë beteja, si në Drenicë, Kosovë dhe rajonin e Sanxhakut të Novi Pazar-it - Tregu i Ri. Pas përfundimit të LDB-re baba Kajtaz, bënte jetë kaçakësh me disa bashkëluftëtarë, si me Ali Fazlinë, Isë Zymberin (nipi i Ahmet Delisë) dhe djalin e Isës, Seferin. Isën e dënuan dhe e dërguan në burgun e Mitrovicës së Sremit, atje po vuanin burgun edhe Elmi Zariqi e Murtez Zuka. Gjatë tentimit për arratisje nga burgu Elmi Zariqi vritet në vend, kurse Murtez Zuka dhe Isë Prekazi arrin të largohen nga burgu, nuk e di sa muaj ka zgjatur rrugëtimi i tyre vetëm natën, dihet se ditën kanë pushuar e fjetur me rend nëpër male, duke e ruajtur-kujdestaruar njëri tjetrin. Me të arritur në Rashkë afër Novi Pazarit, bien në pritë - pusi, plagosët Murtez Zuka, të cilin përsëri e kthejnë në burgun e Mitrovicës së Sremit. Ndërsa Isa Prekazi, arrin të largohet dhe pas disa ditësh arrin në Prekaz. Isa disa muaj ka bërë jetë kaçakësh, duke e ditur që Kajtaz Koca disa herë kishte kaluar kufirin`, duke përcjellë shokë në Shqipëri, e porositë Shaban Fazlinë dhe Ilaz Halimin që të shkojnë te Kajtazi dhe t`i luten atij që ta përcjell edhe Isë Prekazin për Shqipëri. Kajtazi u thotë se duhet të presin për disa ditë, sepse është bërë një plan edhe për largimin e disa burrave të tjerë. Pas disa ditësh Kajtaz Koca e njofton Isën se është koha për udhëtim për Shqipëri. Isa vjen bashkë me Shaban Fazlinë dhe Ilaz Halimin, njëherësh i njofton gjerësisht për arratisjen e tij nga burgu. Sherif Terstena atë ditë ishte mysafir në shtëpinë tonë.
Sherifi u tha Shaban Fazlisë dhe Ilaz Halimit në rast se: do t`i ndodhte Isës diçka gjatë qëndrimit të tij këtu ju mund të kërkoni tek Kajtaz Koca e, në rast se neve do të na ndodhte diçka e keqe, atëherë ne do të kërkojmë nga Ju. Në atë kohë ishte e natyrshme që për njerëzit që nuk njiheshin mirë në mes vete të jepej dhe të kërkohej besë. Isa u përgjigjët: "Jam nip i Ahmet Delisë, kurrë nuk kam prerë dhe nuk e pres njeri në besë!!! Pas disa ditësh për Shqipëri nisën këta burra: Isa Prekazi, Sherif Terstena, Aziz Zhilivoda- Krasniqi, Bali Beqiri dhe Shefqet Meça,i cili ende jeton në Elbasan. Me një rast më tregonte se si e kanë bërë atëherë udhëtimin për në Shqipëri, "sa herë që pushonim, të gjithë i lenim armët grykë me grykë, vetëm Isa asnjëherë nuk e largonte armën nga prehri i vet". Pas një kohe Shaban Fazlia dhe Ilaz Halimi u burgosën dhe pas trysnive që iu bënë atyre, pranuan se Isën e kishin dërguar tek Kajtaz Koca. Në atë kohë Polaci ka qenë komunë me stacion policor. Zyrtarët e UDB-së Hamzë Llugiqi dhe Ahmet Zhegra e dërgojnë ofiqarin malazez tek Kajtaz Koca, me porosinë se Kajtazi duhet të vijë në komunë me pretekst se i janë ngatërruar do dokumente. Kajtazi posa hynë brenda në komunë në përcjellje të ofiqarit, policia e UDB-ës e përgatitur mirë me shpejtësi e kapin dhe lidhin Kajtazin, dhe dërgojnë në Skenderaj.
Menjëherë fillojnë ta pyesin për Isa Prekazin. Kajtazi e vëren se policia ishin të informuar mirë dhe pranon se e ka ndihmuar Isën për largimin-udhëtimin e tij në Shqipëri. Kajtazin e maltretojnë deri në alivanosje, por asgjë dhe për askënd tjetër nuk ka pranuar se dinë diçka. Kajtaz Koca më 1952 dënohet me 8 vjet burg, për pjesëmarrje në luftë dhe për përcjelljen e Isës në Shqipëri. Pas 10 muaj nën hetime, maltretime, fizike e psikike në qeli, e dërgojnë në Goli Otok. Pas një viti, më 1953, burgoset një kushëri i Kajtaz Kocës, i cili i pranon të gjitha ato që i ka ditur duke thënë: se edhe i biri i Kajtazit, Selimi i dinë këto të gjitha. UDB-a më burgosën disa herë nga disa ditë dhe në prezencën e kushëririt tim më maltretuan. Kushëriri thoshte: "Selimi i di të gjitha". Edhe pse i dija të gjitha dhe isha i ri 17-vjeçar, jo vetëm se nuk pranova asgjë, por u thashë atyre se: "Ky kushëriri im nuk di asgjë dhe veç për të shpëtuar vet, apo nga frika po gënjen" Shefi i UDBsë së Skenderajt njëfarë Popoviç, iu tha policëve: " Lirone Selimin se ky qenka i ri dhe sikur të dinte diçka më shumë do të tregonte, nuk do të mundte t`u përballonte gjithë këtyre torturave pa treguar". Tito me një rast amnistie për të burgosurit edhe babës Kajtaz i falën 3 vjet burg dhe Ai ka vuajtur vetëm 5 vjet burg, por shumë të rënda. "Ju jeni më të ri se unë, po ju them se më 1945, mbaj mend se me mijëra patriotë luftëtar të NDSH-së, cilët e luftuan okupatorin serbosllav, në Kosovë dhe vise tjera të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë janë pushkatuar, dënuar me burg të rëndë dhe maltretuar e terrorizuar fizikisht e psikikisht. Shumë prej tyre kanë kaluar kufijtë dhe janë strehuar në shumë vende të botës, por as atje si kanë lënë rehat komunistët e Titos dhe të Enver Hoxhës", - na thotë baca Selim.

Pyetje: A ka marrë pjesë ndokush nga familja juaj në luftën e fundit 1998-1999?
S.Koca:
"Po, djali i vëllait tim Haradinit, Ilaz Koca, i cili ka ushtruar në Shqipëri më 1991 dhe më 1998-99, me shumë shokë, ka luftuar kundër pushtuesit".

Pyetje: Kur keni ardhur në Gjermani?
S.Koca:
"Në Gjermani kam ardhur dhe kam filluar të punoj nga viti 1970 dhe deri më 1980 kam punuar në disa firma, ndërsa 21 vitet e fundit kam punuar në firmën "Mercedes - Benz" në Sindelfigen.
Pas 31 vjet pune të rregullt, në moshën 65 vjeçare, jam pensionuar. Menjëherë po sa jam pensionuar, jam kthyer në vendlindjen time, aty ku jetoj, në Drenas. Jam kthyer në Kosovë, sepse, aty flitet shqip, ku bukës i thonë bukë, e ujit ujë. Për mua nuk ka vend më i mirë se vendlindja ime, aty është rritur e zhvilluar trupi im, gjithmonë mendjen e kam pasur tek vendlindja, atje janë varret e prindërve, gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë, atje kemi derdhur gjakun tonë për lirinë e Kosovës. Për mua nuk është ushtar i lirisë vetëm ai që ka kapur pushkën në dorë, por ushtarë janë të gjithë ata që kanë kontribuar e ndihmuar luftën tonë çlirimtare, me mjete materiale dhe forma tjera".

Pyetje: Kur keni filluar të angazhoheni, punoni për çështjen tonë kombëtare?
S.Koca:
"Unë për çështjen kombëtare jam frymëzuar dhe kam mësuar nga baba im Kajtazi dhe atdhetari i madh Ajet Haxhia e burra tjerë, qysh në moshën time rinore, kur në odën tonë flitej për luftërat kundër Serbisë, e cila me dhunë e kishte pushtuar Kosovën dhe vise tjera shqiptare. Në vitet 1980-ta jam inkuadruar dhe kam marrë pjesë në shumë demonstrata e protesta, të cilat organizoheshin atëherë për kërkesën tonë të drejtë Kosova Republikë e tjerë. Për herë të parë jam informuar nga Nuhi Sylejmani për pjesëmarrje në demonstratën e 15 majit 1981, e cila qe mbajtur në München, në përkrahje të kërkesave studentore të Prishtinës për Republikën e Kosovës. Këtë demonstratë e patën organizuar vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe prej atëherë kur më nuk jam nda nga shokët".

Ata që përçan grupet pas ekzekutimit të vëllezërve Gërvalla dhe K.Zeka po përçajnë edhe sot popullin

Nga e majta: Nami Ramadani, Selm Koca dhe Xhafer Leci, Horb am Neckar, prill 2013

"Të gjithë e dimë se pas ekzekutimit të vëllezërve Gërvalla dhe K.Zeka, pati përçarje të mëdha në mes grupeve organizative, përçarësit e
atëhershëm, ishin po të njëjtit përçarës edhe gjatë luftës së fundit 1998,1999, dhe të njëjtit vazhdojnë të jenë përçarës të popullit tonë edhe sot e kësaj dite""
, thotë baca Selim

Pyetje: Kush i organizonte demonstratat në Gjermani, Zvicër e vende tjera?
S.Koca:
"Në Gjermani i organizonin vëllezërit Gërvalla, kurse në Zvicër i organizonte Kadri Zeka me Hasan Malën, Saime Isufin e të tjerë. Kurse pas vrasjes të Gërvallajve...

Pyetje: Kush ishin shokët Tuaj me të cilët keni bashkëvepruar atëherë?
S.Koca:
"Nami Ramadani, Mejdi Rexha, tash i ndjerë, Remzi Ademi, tash hero i Kosovës, Hafiz Gagica, Faridin Tafallari, Nuhi Sylejmani, Shaban Bobaj, Enver Ismajli, Taip Toska, Xhafer Leci, Shaban e Ismet Klaiqi, Abdullah Prapashtica, Osman Osmani, Faton Topalli, Esat Dushica, Islam Rafuna, Tefik Kallaba, Murat Kryeziu e tjerë që nuk do të thotë se i kam harruar, por për momentin nuk po më kujtohen".

Pyetje: Si dhe kur jeni njoftuar me organizatorët e demonstratave?
S.Koca:
"Po i kam njohur të gjithë ata që i përmenda më herët. Më 28 nëntor 1981 nga vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla qe organizuar një manifestim në Mundelsheim afër Heilbronn-it për pavarësinë e Shqipërisë, më duket se edhe ti, Xhafer dhe Namiu keni pas marrë pjesë. Me atë rast pata biseduar me Jusuf Gërvallen, të cilit i tregova se jam i biri Kjataz Kocës, mik i Ajet Haxhisë, Aziz Zhilivodës, Sherif Tërstenës etj. Jusufi më tha: "Ajet Haxhiun duhet ta ruajmë". Me këtë rast Jusufin e ftova të vijë si mysafir tek unë, në banesën time e të bisedojmë. Ai më tha kësaj here nuk kam kohë, jam duke e pritur vëllanë tim Bardhin kemi do punë".

Pyetje: A e keni njohur dhe a keni biseduar ndonjëherë me Kadri Zekën?
S.Koca: "Po e kam njohur dhe kam biseduar me Kadriun. Ai ishte i urtë, i qetë dhe i dëgjonte me kujdes shokët kur fliste me ta. I kam takuar babën dhe vëllezërit e Kadri Zekës, Pajazitin-Ziti, Shaipin dhe Taipin kur patën ardhur për varrimin e Kadriut dhe Gërvallajve, më 1982 në Stuttgart. Tash kur dëgjova se paska ndërruar jetë Taip Zeka, m'u dhimb shumë, ngushëllime të gjithë atyre që janë për krye shëndosh. Verës kur të vish për pushime në Kosovë, më lajmëro Xhafer dhe shkojmë bashkë, për të pame në familjen Zeka". ( Nëse jemi shëndosh e mirë, pa tjetër
baci Selim).

Pyetje: Më 1982 pas atentatit kur UDB-a ekzekutoi vëllezërit Gërvalla dhe K.Zeka, flitej dhe shkruhej se kishte shumë përçarje në mes disa grupeve të organizatorëve, por edhe në mes të disa individëve, si e komentoni Juve këtë?
S.Koca:
" Të gjithë e dimë se pas ekzekutimit të vëllezërve Gërvalla dhe K.Zeka, pati përçarje të mëdha në mes grupeve organizative, përçarësit e atëhershëm, ishin po të njëjtit përçarës edhe gjatë luftës së fundit 1998,1999, dhe të njëjtit vazhdojnë të jenë përçarës të popullit tonë edhe sot e kësaj dite".

Pyetje: Cilat ngjarje të viteve 1980-ta i konsideroni si më të rëndësishme?
S.Koca:
"Koncerti i Ansamblit Shota, që ishte organizuar nga konsullata e Stuttgart-it, në nëntor 1981, në Sindelfingen, ju kujtohet ty, Xhafer dhe Namiut, kur Bardh Gërvalla me shokë e prishëm koncertin, sepse në Kosovë derdhej gjaku, neve nuk na interesonin koncertet. Ju kujtohet edhe juve kur Bardhi e shokë të tjerë i shkruam parullat "Kosova Republikë" në Autobusët e ardhur nga Kosova...

Pyetje: A mund të ma përshkruani rastin e Koncertit "Shota" organizuar për 29 nëntor 1982 nga konsullata e Jugosllavisë në DGBHaus në Stuttgart të Gjermanisë?
S.Koca:
" Për prishjen e këtij organizimi kanë pas organizuar Xhafer Durmishi e Hafiz Gagica. Organizatorët e Klubit jugosllav "Hasan Prishtina"në Stuttgart, po sa përshëndetën konsullin Voja Lupertiq, mysafirët dhe të tjerë. Në mënyrë të organizuar filluam të brohorisim parullat "Kosova Republikë".
I pari me karrige isha unë, Selim Koca, që sulmova konsullin Voja Lupertiq.
Në këtë përleshje u lënduan 14 veta, duke përfshirë këtu edhe konsullin e personat tjerë zyrtarë të konsullatës, dhe disa shqiptarë anëtarë të kryesisë të Klubit "Hasan Prishtina". Unë u largova menjëherë nga vendi i ngjarjes, askush nga shokët nuk tregoi se më ka njohur. Disa shqiptarë, anëtarët të kryesisë të Klubit "Hasan Prishtina", edhe pse na njihnin, nuk treguan, ndërsa disa të tjerë i kërcënuam për hakmarrje, nëse tregojnë për kënd do nga neve, pjesëmarrësit në përleshje dhe prishje të koncertit... Në paraburgim, në mungesë të dëshmive, u mbajtën vetëm dy ditë këta: Nami Ramadani, Shaban Bobaj, Mejdi Rexha, Kolë Paloka, Jusuf Prokshi etj. Ndërsa 5 javë në paraburgim nën hetime u mbajtën: Remzi Ademaj, Mejdi Bytyçi, Hafiz Gagica, Murat Kryeziu, Hasim Mjaku dhe disa të tjerë, që nuk po më kujtohen emrat e tyre. Me këtë rast për lirimin e tyre janë dhanë 45 mijë DM (marka gjermane) për avokatët. Edhe Xhafer Leci për këtë rast me 5 shokë të vet kanë kontribuar me nga 100 DM, të cilat i ka pranuar Nami Ramadani. Faridin Tafallari për nevoja të shpejta ka marë një kredi nga banka, dhe pas grumbullimit të hollave nga shumë shokë, Faridinit i janë kthyer të hollat e veta".

Pyetje: Në vitin 1984 tri grupe, njëri nga Stuttgart-it me rrethinë, nga Düseldorf-i dhe Zvicra, keni vizituar Shqipërinë, kush e organizoi këtë udhëtim?
S.Koca:
"Këtë udhëtim e pati organizua, përmes Ambasadës të Shqipërisë në Vjenë të Austrisë, Faridin Tafallari. Nuk i kam njohur mirë dhe nuk më kujtohen kush ishin ata të Düseldorf-it, dhe Zvicrës. Nga Stuttgart-i udhëtuam: Selim Koca, Nami Ramadani, Faridin Tafallari, Murat Kryeziu, Vedat Salihu, Fetah Jashari ishte edhe një Hamit me bashkëshorten Nexhmije, nuk më kujtohet mbiemri i tyre.
Me familje familjet udhëtuan: Nami Ramadani, Faridin Tafallari, Murat Kryezi dhe Vedat Salihu".

Pyetje: Si e bëtë udhëtimin, sa ditë dhe ku u vendoset, ndenjët në Shqipëri?
S.Koca:
"Nga Stuttgart-i deri në Vjenë udhëtuam me vetura tona private, ndërsa nga Vjena për Tiranë fluturuam me avion. Në Aeroportin e Rinasit na pritën dy autobusë me përcjellës, na vendosën në Durrës, në Hotel "Durrës". Për këto dy javë vizituam disa qytete dhe kala nga Shkodra në Krujë e deri në Vlorë. Ne grupi nga Stuttgart-it kemi qenë 16 veta, kishim 4 shoqërues, dy nga këta më kujtohen, Sylejman Krasniqi dhe Petrit Sinani".

Pyetje: Si ju dukej Shqipëria atëherë, kënd takuat atje nga njerëzit që ju dëshironit t´i takoni, si p.sh. gruan Suzanën dhe fëmijët e Jusuf Gërvallës, atdhetarin Ajet Haxhia etj.?
S.Koca:
"Shqipërinë e donim si vendin tonë të shqiponjave, ishte po ajo Shqipëri si e pamë të gjithë në vitet 1990-ta. E kemi takuar zonjën Suzana Gërvalla, me fëmijët e Saj. Rastësisht takova Ganiun, të birin e Isa Prekazit, stërnip i Mehmet Delisë.
Gani Prekazin e pyeta për Ajet Haxhin dhe e luta të ma jap numrin e telefonit të tij. E thirra bacin Ajet dhe i tregova përmes telefonit se jam i biri Kajtaz Kocës, dhe se kam dëshirë ta takoj... Ajeti më tha: "Selim, nëse je besnik e burrë, si baba yt, Kajtazi, po vij, nëse jo, nuk po vij". Ju përgjegja: " Nuk e di baci Ajet a jam i zoti si baba, apo jo? Ajeti erdh dhe u gëzova shumë që e takova pas aq shumë vitesh".

Ata që e drejtonin LDK-në nuk kanë qenë njerëz të UDB-së, as funksionarë të ish- sistemit komunist

Dr.Ibrahim Rugova, në mes të Hafiz Gagicës dhe Hazir Krasniqit

Pyetje: Me kë krejt u takua Ajet Haxhia, çka biseduat dhe a kishte ai ndonjë porosi për shokët e organizatës në Gjermani e në Zvicër?
S.Koca:
Ajet Haxhia nuk pranoi të bisedojë me askënd, përpos me mua, që më njihte si fëmijë dhe babën tim, Katazin, si bashkëveprimtar dhe vendas. E vetmja porosi nga Ajeti ka qenë: "Përshëndeti shokët dhe thuaju të gjithë të bashkuar ta vazhdoni rrugën e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës!".

Pyetje: Pasi u kthyet nga Shqipëria në Gjermani, a të pyeti ndokush nga shokët, organizatorët, e demonstratave se si e kaluat në Shqipëri, me kë u takuat atje dhe çka biseduat?
S.Koca:
Pas kthimit tonë në Gjermani më kanë pyetur disa shokë si dukej Shqipëria? Të gjithëve u kam thënë mirë shumë, sepse ne e donim vendin tonë. Ndërsa nga organizatorët e demonstratave më ka pyetur vetëm intelektuali, ish i burgosuri politik, Xhafer Shatri, se me kë jemi takuar në Shqipëri nga intelektualët? Shatrit i tregova se vetëm unë kam biseduar me Ajet Haxhinë dhe se porosia e tij ishte të gjithë së bashku të ndjekim rrugën e Jusufit, të Bardhit dhe të Kadriut. Kaq.

Pyetje: Baca Selim edhe Ju jeni njëri ndër dhjetëra e qindra bashkëveprimtarë të çështjes sonë kombëtare, që për afër 20 vjet, deri në çlirimin e Kosovës, në qershor 1999, nuk e keni shkelur tokën e Kosovës martire, sepse okupatori serb ju kishte në regjistrin e ndjekjes, për t'ju burgosur. Si i kaluat ato vite në mërgim, të ndarë nga më të dashurit tuaj?
S.Koca:
Ato 20 vjet kanë qenë të rënda, sepse ndarja nga familja, nga farefisi, nga miqtë e nga shokët dhe nga vendlindja jonë Kosova, ishte e dhimbshme, por ne ndiheshim krenarë, sepse punonim për çlirimin e vendit tonë. Obligimi dhe dashuria për atdheun tonë ka qenë në rend të parë. Ne, disa mërgimtarë, kemi qenë të gatshëm edhe jetën ta japim për çlirim e atdheut. Kjo vendosmëri bënte që ne të mos mërzitemi, por të qëndrojmë stoikë para detyrave tona kombëtare. Baba im, Kajtazi, ka qenë një antikomunist ka luftuar dhe ka punuar për atdhe, pa ideologji, i tillë kam qenë edhe unë.

Pyetje: Për periudhën 1980, 1990 ka edhe shumë për t`u thënë. Kalojmë pak tek ndryshi ndryshimet e mëdha të viteve 1990-ta, si u inkuadruat, u anëtarësuat në radhët e LDK-së, me iniciativën e kujt u bënë organizimet për themelimin e Degës në Gjermani, nëndegëve dhe të këshillave, përkatësisht aktiveve të LDK-së?
S.Koca:
Sa më kujtohet mua këtu në Gjermani u angazhua Hafiz Gagica me Shaban Bobajn dhe shokë të tjerë. Me themelimin e Degës së LDK-së, më 5 maj 1990, në Esslingen-Zell, shumë shpejt u themeluan shumë këshilla- aktive dhe nëndegë. Më vonë nga këto kuvende u zgjodh një kryesi e Degës për të gjithë Gjermaninë. Edhe ne këtu, në Sinelfingen, më 1990, themeluam këshillin tonë. Shokët, me aklamacion, më zgjodhën për kryetar dhe në këtë detyrë punova me përkushtim një mandat 4-vjeçar. Kisha shokë të mirë, të gjithë punonim pa u lodhur fare, disa kishim përvojë për organizime nga vitet 1980-ta, disa të tjerë u kyçën për herë të parë në organizime, por të gjithë punonin mirë dhe shumë. Dua të përmend të gjithë ata shokë që punuan bashkë, edhe nëse e harroj dikë, të më falë, se pa qëllim të keq. Kemi bashkëpunuar shkëlqyeshëm me Shaban Bobajn, Enver Ismajlin, Enver Sinanin, Zenel Vatovcin, Osman Desku, Musa Morina, Visar Krasniqi, IImi Voli e shumë të tjerë. Kemi bashkëpunuar ngushtë edhe me Nëndegën e Baden-Württemberg-ut dhe Degën e LDK-së në Gjermani. Ishin njerëz të mirë dhe atdhetarë të devotshëm. Shumë nga ata punonin natë e ditë, si: Hafiz Gagica, Sali Çekaj, Hazir Krasniqi, Shaban Bobaj, Xhafer Leci, Nezir Fejzaj, Faridin Tafallari, Emrush Lokaj, Dan Gashi, Smajl Çekaj, Osman Doda, Shefki Jakupi, Immer Ukaj, Avdi Kadrijaj, Rexhep Daka, Selim Limani, Nail Rexha, Tefik Kallaba, Lekë Preçi, Mejdi Laçaj, Agim Kamberaj, Naim Zogaj, Qemajl Morina tash i ndjer, Abaz Imeri, Emin Demaj, Hasan Hajdari, Mentor Thaqi, Fatmir Bajraj, Imer Matoshi, Ilmi Neziraj, Ajet Mehmeti, Ruzhdi Veseli e shumë e shumë të tjerë, ndërsa me gazetarin Idriz Zeqiraj, në vitet e `90-a, kur raportonte nga Gjermania për misionin e Radio Kosovës në Zagreb dhe në Radiotelevizionin Shqiptar (RTSH), në Tiranë.

Pyetje: Shumica e ish-veprimtarëve të viteve të 1980-ta, u inkuadruan në LDK, por nga ta pati një numër të vogël që nuk pranuan të anëtarësoheshin në radhët e LDK-së, me pretekstin se drejtuesit e Kryesisë Qendrore të LDK-së, kishin qenë anëtarë të LKJ. Cili është mendimi Juaj për këtë qëndrim të tyre?

S.Koca: Ata nuk kishin të drejtë aspak, sepse ata që e drejtonin LDK-në, ishin të pastër si loti në sy. Nuk kanë qenë njerëz të UDBsë, as funksionar të ish- sistemit komunist jugosllav, por ishin arsimdashës, pra atdhetar. Akademikët Fehmi Agani, Idriz Ajeti, Mark Krasniqi, Gazmend Zaimi e shumë të tjerë kanë qenë themeluesit e Universitetit të Prishtinës, pra themeluesit e zemrës, dijes, kulturës, të zhvillimit të
ekonomisë, infrastrukturës dhe industrisë të Kosovës. Pra, këta që përmenda bashkë me dr.Ibrahim Rugoven, Sabri Hamitin, Nexhat Dacin e shumë intelektualë të dëshmuar kombëtarisht, i prinin popullit drejt çlirimit dhe lirisë të Kosovës e viseve tjera shqiptare. Vetëm spiunët e UDBsë mund të flasin keq për këta burra intelektualë e atdhetarë që përmenda e shumë të tjerë që nuk i përmenda".

Pyetje: Çfarë ndryshime keni vërejtur nga organizimet e viteve 1980-ta, nëse krahasojmë aktivitetet, demonstratat, ndihmat etj. të viteve 1990-ta?
S.Koca:
Kërkesat ishin të njëjta, Kosova Republikë, liri, pavarësi... por nga ana tjetër kishte një dallim të madh. Në demonstratat e viteve 1980-ta kemi marrë pjesë 500 deri në 3 mijë veta, kurse në këto të viteve të 1990-ta, merrnim pjesë me dhjetëra mijëra e deri në 100 mijë veta, si në demonstratën e vitit 1995 në Bonn të Gjermanisë. Të gjithë e dinë në mërgim dhe në Kosovë, se LDKja ka qenë si hambar, më e fuqishme se gjiganti Trepça e Mitrovicës, ka ndihmuar, arsimin, shëndetësinë, luftën dhe gjithçka që ka pasur nevojë populli ynë".

Pyetje: Pse organizimet e LDK-së u bënë kaq të fuqishme dhe të pranueshme për popullin tonë, si në Kosovë ashtu edhe në mërgim?
S.Koca:
Dikush mund të thotë për shkak të ndryshimeve të sistemit komunist dhe ardhjes së demokracisë, etj. Por unë mendoj ndryshe, ja disa fakte të pamohueshme, në krye të popullit tonë erdhën njerëzit e duhur dhe shumë të besueshëm, të cilëve u printe i madhi dr.Ibrahim Rugova, Fehmi Agani etj. Ne kishim edhe disa subjekte tjera minore, të cilat nuk kishin kapacitet për udhëheqjen e popullit".

Pyetje: Pse nuk kishin suksese në organizime edhe tjerat subjekte si LDK-eja, për shembull kur dihet se LPK-eja kishte një përvojë të madhe organizimi?
S.Koca:
Këtu në Gjermani një njeriu që përpiqet ta quaj veten çlirimtar të Kosovës... Ishte njeriu që pak kush i besonte për shkak të kaluarës së tij të dyshimtë, dhe ai nuk kishte besim e as kapacitet ta drejtojë as katundin e vet e lëre më Kosovën. Këtij
njeriu i quajtur I.K. kurrë nuk ia kam dhënë as nuk ia kam hëngër bukën. Kurrë nuk i jam afruar të bisedoj me të, siç kam biseduar me shumë veprimtarë të tjerë, që kam përmend gjatë kësaj bisede".

Pyetje:Cila është porosia e juaj për opinionin?
S.Koca:
Populli shqiptar vetëm i bashkuar mund të arrijë qëllimet e veta, dhe këtë duhet ta bëjnë liderët e të gjitha partive shqiptare në të gjitha trojet tona.

XHAFER LECI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PROTESTA TË SHQIPTARËVE NË LUGINËN E PRESHEVËS (05.11.2013)
MBRESA NGA NJË 'DITË E KULTURËS' NË POGRADEC…-Për shkollat dhurohen libra, kushtuar Petro N.Luarasit-Nga MURAT GECAJ (05.11.2013)
SHBA - PAS EVAKUIMIT U RIHAPËN ZYRAT E SHTËPISË SË BARDHË (05.11.2013)
10 MAJ 1933 - DJEGIA E LIBRAVE NË GJERMANI (05.11.2013)
LETRA E SIMON JUBANIT - JU TREGOJ TORTURAT DHE PROVOKIMET E VDEKJES NË BURGUN E BURRELIT!Arkivi i Ministrisë së Brendshme (05.11.2013)
EKLIPS TEPËR I RRALLË I DIELLIT (05.11.2013)
NJË VARËSE ME PORTRETIN E SKËNDERBEUT NË MUZEUN BRITANIK, LONDËR... (I plotësuar)Nga ILIR SECI (05.10.2013)
New York Times - SI TË SHËROHEN PËRGJITHNJË PLAGËT E BALLKANIT? (05.10.2013)
ZËRI I AMERIKËS 70 VJET NË SHËRBIMIN SHQIPNga KËZE KOZETA ZYLO (05.10.2013)
LUGINA E PRESHEVËS - TË KRIJOHET ASOCIACIONI I KOMUNAVE SHQIPTARE (05.10.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]