E Hënë, 04.29.2024, 11:11am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
NJË PYETJE PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS - A E NJIHINI MARIE LOGORECIN?!
Nga Dr. PËRPARIM KABO

E Premte, 07.05.2013, 06:50am (GMT+1)



A e njihni Marie Logorecin?!Ndoshta iu duket pa kuptim kjo pyetje, zoti President i Republikës, sepse Ju nuk mund të njihni këdo dhe gjithkënd, por ja që kjo pyetje bën sens. Bëhet fjalë për një personalitet të skenës dhe të ekranit, për një artiste të madhe që ndërtoi artin e saj unikal dhe ndikoi thekshëm në pasurimin e kulturës shqiptare. Identiteti kombëtar është pasuri e vyer, është "gurë themeli" që nuk mund të shkulet e më keq akoma, të hidhet si pa të keq rrëpirave të kohëve pa emër, pa kontribute dhe pa personalitete. Heshtja ndaj atyre që e ushqejnë dhe pasurojnë kulturën kombëtare nuk është kulturë në përgjithësi dhe as institucionale në veçanti. Nëse një artiste luan tek "Hamleti" Gertudën, gruan që pushteti e ka shtënë në luftë me vetveten dhe është gjetur në kurthin pa rrugëdalje, ky rol është besim i regjisorit në aftësitë dhe formimin e aktores. Dhe Gertuda jonë Zoti President Bujar Nishani, është Marie Logoreci. Nëse rolin e Bernarda Albës në veprën e F.G. Lorkës e ka luajtur e para Marie Logoreci në historinë e teatrit tonë, pasi më vonë është interpretuar edhe nga aktore të tjera; kjo dëshmon se ndërtimi i asaj figure të "gruas së zezë", të ftohtë, e tronditëse deri në tallazime shpirtërore; që shërbeu edhe si model referimi në aspektin interpretativ, ia dedikojmë Marie Logorecit tonë të paharruar, që në datën 19 të qershorit 2013 mbushi plotë 25 vite që është ndarë nga jeta. Ajo vajzë shkodrane që lindi në vitin e largët 1920, e bija e zanatçiut Palok Çurçia dhe gruas së tij të amël Roza, një shtëpiake e devotshme.
E nëse dëshirojmë të imagjinojmë një "borgjeze kapriçoze, të rafinuar dhe me një petk kamuflazhi, me pellgje të ndenjura të urrejtjes brenda personalitetit të saj, deri në një lloj racizmi" është figura e personazhit Alisa Lengton tek pjesa teatrore "Rrënjët e Thella", që u realizua në skenë nga Marie Logoreci. Është joshëse në skenë ky tip gruaje hipokrite e djallëzuar dhe "marifetçeshë" që i luan gurët në passhpinë dhe që të dhuron një buzëqeshje të "ngrohur" në pasinqeritetin e saj, si edhe është personazhi Kristina Paderas, tek vepra skenike "Komploti i të dënuarve", realizuar nga Marie Logoreci. Tek kryevepra e Shilerit "Intrigë e dashuri" ky manifest i dinjitetit dhe lirisë, ku njeriu ndeshet me autoritetin dhe absurditetin imponues të forcës së pushtetit, që verbërisht mendon se ka nën zotërim dhe dashuritë e gëzimin njerëzor, krahas personaliteteve të skenës, luan edhe Marie Logoreci në rolin e Lady Milford. E të interpretosh tek veprat teatrore të Shekspirit, Molierit, Lorkës, Shilerit, Gorkit do të thotë që të kesh brenda teje një plazmë krijimtarie, që lëviz në një reliev ku takon gjithçka nga universaliteti i gruas dhe kontributet e saj në historinë shoqërore.

Ajo ndërtoi artin e saj unikal, ashtu si edhe ndodh me artistët e shquar që shndërrohen në institucion, ato dhe ata që nuk imitojnë dikë tjetër, veç se në ecurinë e tyre shpërfaqen një personalitet në rritje që, hap pas hapi ndërton parime unikale në ndërtimin e figurës, ravijëzon tipare krejt të veçanta e specifike në lojën skenike, në komunikim e gjestikulacion dhe në teatër është me vlerë themelore, në zërin dhe fjalën artistike. Marie Logoreci ngjizi në një uniformitet homogjen karakterin dramatik me gjallërinë e lëvizjes, duke ditur të ndërtoi tiparet e individit dhe tipologjisë sociale të personazhit konkret. Ajo kishte aftësi që të derdhte një temperament shpërthyes të transmetuar falë një vokali të ngrohtë, me begati intonative të zërit skenik. Akustika e zërit të saj ishte sonorike, me një vibrim emocional, me ngarkesë logjike të fjalës dhe shprehjes që drithëronte spektatorin. Duke mbajtur në konsideratë edhe rolet nga dramaturgjia shqiptare, si Fatimja tek "Halili dhe Hajrija", gruaja e regjur me intrigat e oborrit, Lokja tek "Toka Jonë", e Kolë Jakovës ku ajo jep me një vërtetësi drithëronjëse nënën malësore, që ka derte nga braktisja dhe poshtërimi, por s'e fsheh në shaminë e shpirtit fisnikëri nderi dhe dinjiteti. Vetëm ato fjalë nga shpirti saj, "jam nana jote bir" na kanë mjaftuar breza të tërë spektatorësh për të kuptuar se sa e thellë është dashurina e nënës dhe sa e gjorë dhe fatale është qoftë edhe e përkohshme pezmi heshtja apo përbuzja e nënës. Marien e kemi si Tringa tek "Shtatë Shalianët", si Marie tek "Përkolgjinajt", si Gjela tek "Përmbytja e madhe, si Nëna tek Cuca e Maleve; etj. Kështu mund të kuptohet se universaliteti artistik i Marie Logorecit në skenën teatrore, lidhet me fatin e njeriut-nënë dhe grua. Ajo ka sjellë me art dhe estetikë shpirtin e njeriut, me dhimbjen e brengën, me ankthin e pasionin, me marrëzinë e cmirën, me xhelozinë e dashurinë pasionante, me ëndërrimin e butësinë, me tolerancën e grykësinë, me urrejtjen e dështimin, me pafuqinë e shpresën dhe me fisnikërinë sublime të nënësisë së paqtë dhe shpirtmadhe. Relievi i saj karakterialo-teatror është befasues, pasi Marie Logoreci ka interpretuar tipe të ngjashme, por edhe karaktere krejt të kundërta e të largëta si tip social dhe fizionomi antropomentale.

Marie Logoreci ishte dhe Gertruda dhe Loke. Një thyerje të tillë në plazmimin e karaktereve e realizojnë vetëm artistet e mëdha me diapazon të gjerë përjetimesh dhe me një shumëplanësi shprehjeje të ekspresivitetit skenik.

Ajo, e madhja Logoreci, ose Tushi si e quanin që në fëmijëri dhe si e thërrisnin gjithnjë në rrethin e saj familjar, kishte rrënjë, kishte themel, kishte brumë familjar tek njerëzit e saj, por dhe atje ku hyri nuse, tek "Porta e madhe e Logorecëve"! Maria kishte djalë halle Ndre Mjedën, por tek u martua me ekonomistin e zotë Kol Logoreci që kishte studiuar në Vjenë në shkollë të mesme dhe në universitet, ajo pati nderin e fatin dhe përgjegjësinë të hynte nuse në shtëpinë e Mati Logorecit, atit të Kolës, gjuhëtarit të shquar me kontribute të vyera e të begata në fushën e gjuhësisë dhe albanologjisë.

Kur kishte ikur nga Shkodra, Maria kishte qënë vetëm 17 vjeçe dhe me vete kishte marrë edukatën e urtësinë familjare, "Eposin e veriut" të dëgjuar nga malësorët që kishin bujtur në shtëpi të të atit për halle e nevoja, për ndonjë shërbim apo për të kaluar natën. Vatra familjare kishte skalitur dashurinë për epizmin. Vajza e bukur dhe e gjallë kishte marrë në këtë ikje të fatit dhe karrierës edhe mandolinën. Fëmijëria e saj si nxënëse në shkollën fillore "Motrat Stigmatine", ku jepej edhe edukatë fetare, u ushqye më shumë nga kënga, vizatimi, instrumenti muzikor kitara dhe mandolina.

Janë të ruajtura diku tek 20 vizatime që flasin për një shpirt të butë dhe delikat, ku spikat harmonia e ngjyrave dhe një dritë optimiste në shikimin e objekteve dhe natyrës. Ajo vajzë shkodrane, që e nisi karrierën si këngëtare në "Radio Tirana" që në 1945, Zoti President i Republikës, Bujar Nishani, këndonte atje kënga shkodrane e të Shqipërisë së Mesme, por dhe këngë partizane në një emision të drejtpërdrejtë për rreth 20 minuta.

Ajo mori një vit mësim për kanto nga këngëtarja lirike dhe pedagogia Jorgjie Truja, në kohën kur u hap Liceu Artistik. Vetëm në vitin 1947 interpretimi në të kënduar tërhoqi vëmendjen e drejtuesve të "Teatrit Popullor" që e ftuan të kalonte atje si aktore. Nga një studio e mbyllur ku emetohej vetëm zëri, tanimë në një skenë të hapur ku do ta shihnin e dëgjonin çdo mbrëmje të shfaqjes publiku kryeqytetas. Ai po rreshtohej me bashkëthemeluesit e "Teatrit Popullor" në Shqipëri.
Ndrojtja për këtë hap u kapërcye fal kulturës, civilitetit e vizionit që mbretëronte në ambientin familjar ku kishte hyrë si nuse.

Logorecët përmenden qysh në vitin 1300 si Logoreseos."Altissima quaeque flumina minimo sono labuntur", - thonin latinët, që do të thotë "Lumenjtë e thellë rrjedhin pa zhurmë", - njerëzit që bëjnë vepra të mëdha nuk bëjnë bujë dhe zhurmë. Në atë ambient intelektual Maria kishte dëgjuar nga i vjehrri, personaliteti Mati Logoreci, të flitej për marrëdhëniet dhe ide-shkëmbimet e tij me Fishtën, Koliqin, Çabejin, Xhuvanin e Luigj Gurakuqin, por edhe me Mjedën në një kohë kur askush nuk mund të hamendësonte që Maria, kushërira e Ndreut do të bëhej nusja e djalit të Matisë. Ky ambient vlejti si një universitet kulture për Marien, e cila blatoi në një të vetme, kujtesën e saj të shkëlqyer me kulturën e begatë dhe shqiptarinë. Marie Logoreci kishte një aftësi recitimi të rrallë. Recitonte vargje të tëra nga Omeri prej kryepoemave të njerëzimit, "Iliada" dhe "Odisea", që ishin shndërruar në qiellin e saj të brendshëm, si kozmogoni arti dhe rrëfenje. Kjo kishte bërë që edhe pas disa dekadash Maria mbante mend tekste të pjesëve që kishte luajtur. Kultura e gjerë e bën njeriun komunikativ, social dhe të preferuar në ambientet shoqërore. Porse një grua artiste me kulturë që kishte interpretuar edhe në filmin "Skënderbeu" qysh në 1953, në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër "Fëmijët e saj", si dhe në filmin "Tana", për të kulmuar tek "Toka Jonë", kjo artiste pra, është pjesë e historisë së artit, e historisë së kulturës kombëtare, e historisë së nderit të kombit. Kjo artiste ishte një grua me njohuri të gjithanshme, që dialogonte me bujari dhe shprehte begati në arsyetimet e saja.

Marie Logoreci harmonizonte temperamentin me tiparet e nurit të saj të natyrës njerëzore, forcën e shprehjes me thellësinë e përjetimit psiko-emocional, pjekurinë artistike që u ndërtua hap pas hapi në punën me ajkën e aktorëve të teatrit dhe regjisorëve më në zë në kohëra, me forcën shprehëse që vinte si një pathos me thellësi ndjeshmërie.

Gjuha e saj skenike ishte e veçantë, unikale, tejet muzikore, logjike, e ndjerë, përjetuese e përthithëse. "Veprimtaria është një sjellje shoqërisht e njohur me një qëllim të caktuar, rezultate të së cilës janë ndryshimet përkatëse shoqërisht të dobishme", - shkruante Erich Froom.

Marie Logoreci ka qenë shoqërisht e dobishme, por dhe vazhdon të jetë sa herë që shohim filmat apo pjesët teatrore ku ajo ka interpretuar.
Unë besoj se nga kjo dobi keni përfituar edhe Ju Zoti president sepse kur keni qenë djalosh i ri iu ka interesuar dhe keni shijuar filmin shqiptar dhe vajtjen në teatër, aso kohe kur ende Marie Logoreci "Artiste e Popullit" ngjitej në skenë.

Me vdekjen e të shoqit, asaj i mbetën tri dashuri. Teatri që e bëri të dashur dhe të paharruar për publikun dhe të vyer për kujtesën artistike. Dashuria për djalin frutin e vetëm të martesës dhe dashurinë për natyrën, lulet dhe kafshët shtëpiake. Të gjitha spërkateshin me aromën e muzikës. Ky udhëtim vazhdoi deri sa në 19 qershor 1988 ajo mbylli sytë në "aktin e saj të fundit në skenën e jetës". U mbushën 25 vite nga ajo ditë, dhe shume heshtje institucionale ka ndaj këtij personaliteti. Pse? Unë nuk e di! Unë di me siguri që në bordin e "Teatrit Kombëtar" ku unë bej pjesë, personalisht me rastin e 100 "Vjetorit te Pavarësisë" propozova, duke gjetur dhe mirëkuptim në bord që Marie Logoreci të nderohet me titullin e lartë "Nderi Kombit". I nderuar zoti President! Ka tituj që nderojnë njerëzit, por ka personalitete që nderojnë titujt. Maria Logoreci është e tillë. Nëse dikush apo disave nuk u pëlqen kultura e gegënisë sonë fisnike (unë jam jugor, por e adhuroj atë) si dhe katolicizmi roman, sepse shumë pak artistë apo shkencëtarë të këtij besimi fetar janë nderuar ndër vite, atëherë për ta dhe në respektin tuaj Zoti President, do të citoja Goethen: "Europa - thoshte Goethe - është krijuar nga pelegrinazhi, gjuha e nënës së të cilit ka qenë kristianizmi".

Ja përse iu pyeta Zoti President Bujar Nishani, a e njihni Marie Logorecin? Nëse po. Atëherë gjithë ç'kam shkruar për të në këta rreshta, le t'u ndihmojë në bindjen e publikut që me dekret të veçantë dhe në respekt të tyre, Ju ta shpallni pas 25 vitesh të ëngjellëzimit të saj, Marie Logorecin, me titullin e lartë "Nderi Kombit"!

Unë fola dhe shpëtova shpirtin tim!


Dr. PËRPARIM KABO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DYSHIME PËR VARREZË MASIVE ME TRUPAT E SHQIPTARËVE NË BOR TË SERBISË (07.05.2013)
SHBA - SHTETASIT E RINJ BËNË BETMIN (07.05.2013)
PAS KROACISË, I GJITHË BALLKANI NË BEÇdo vend që lidh veten me këtë bashkim çon përpara kauzën e paqesNga JOE BIDEN, nënpresident i Shteteve të Bashkuara (07.04.2013)
POLITIKANI KLAS, ME BRUMË E FRYMË EUROATLANTIKENga RAMIZ LUSHAJ (07.04.2013)
PHILIP REEKER PREJ SOT VIZITË TREDITORE NË KOSOVË (07.04.2013)
O KAPITEN! KAPITENI IM!Nga UOLLT UITMAN, përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ (07.04.2013)
NICK BURNS - MARRËVESHJA KOSOVË-SERBI HAP NË RRUGËN E DUHUR, NDONËSE NUK SHKON DERI ATY KU TË GJITHË NE DO TË DËSHIRONIM (07.03.2013)
AUTOSTRADA NUK I RRITI SHKËMBIMET TREGTARE KOSOVË-SHQIPËRI (07.03.2013)
PRESIDENTI OBAMA KTHEHET NË UASHINGTON PAS TURNEUT NË AFRIKË (07.03.2013)
DY DATA ME RËNDËSI HISTORIKE 1990-07-02 DHE 1990-09-07 QË ME KRENARI U SHËNUAN DHE PËRKUJTUAN NË ZVICËRFotoreportazh nga ABAS FEJZULLAHI (07.03.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]