E Djelë, 04.28.2024, 10:29pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
ULIKSI DHE HEDONI PËR BEKIMIN - HESHTJA SI PROTESTË
E Enjte, 06.17.2010, 02:45pm (GMT+1)

Bekim Fehmiu

"Është ndarë nga fjalët që për aktorin janë më të fuqishmet dhe mjeti më i mirë. Është ndarë prej tyre dhe i ka shndërruar në heshtje, në protestë, me ç'rast Hamleti do të thoshte... 'Ka mbetur heshtja'", thotë Uliksi, i biri i legjendës së filmit, Bekim Fehmiu. Ndërkaq, i biri më i ri, Hedoni, ka deklaruar se dëshira e babait të tij ishte që Lumbardhi i Prizrenit të jetë varri i tij.

Uliks Fehmiu: Emrat që flasin

Që të flas për babanë tim, Bekimin, së pari do të duhet të flas për gjyshin tim, Ibrahimin, i cili ka lindur më 1892 në Gjakovë, në një familje tregtare dhe arsimore. Shkollën Normale dhe Medresenë e kishte kryer në Shkup. Biografi a e gjyshit shkurtimisht mund të tregohet edhe përmes emrave që ua kishte lënë fëmijëve të vet, duke u përpjekur që ata t'i kishin vetëm me kuptime shqiptare, e në asnjë mënyrë arabe ose turke.

Vajza më e madhe quhej Besa, fjalë e nderit, betim dhe një lloj shenje mbrojtëse e shqiptarëve; Shpresa do të thoshte shpresë në ditë më të mira për popullin shqiptar; Bashkim, djali i parë, në kuptimin e bashkimit të shqiptarëve; Arsim, arsimimi i popullit; Fatmir, fat i mirë për popullin; Bekim, babai im, donte të thoshte bekimi i popullit; Afërdita, agimi është afër për popullin shqiptar dhe Luljeta, lulja e jetës.

Ibrahim Fehmiu me pushkë dhe libër ishte dora e djathtë e patriotit të shquar Bajram Curri, i cili kishte luftuar kundër pushtimit turk në vitin 1912. Si një ndër mësuesit e parë shqiptar, i kushtohet arsimimit të popullit të tij dhe hapjes së shkollave nëpër Kosovë dhe Shqipëri. Për këtë shkak, pushteti serbo-malazez e dënon me vdekje.

Në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë, ndiqet si ithtar i Bajram Currit dhe Fan Nolit. Gjyshin e ndiqte edhe Mbreti Ahmet Zogu, duke vënë një çmim shumë të lartë dukatësh për kokën e tij. Më 1929 kapet dhe izolohet në Valevë. Në atë kohë familja e tij jetonte në Gjakovë, kurse dy vite më vonë të gjithë së bashku deportohen në Sarajevë, ku, përveç tre fëmijëve të lindur, në botë vijnë edhe bijtë: Fatmiri, Arsimi dhe babai im, Bekimi.

Në vitin 1939, pas okupimit të Shqipërisë nga Italia, ata shkojnë në Shkodër, ku gjyshi bëhet drejtor didaktik i shkollave fillore dhe lind edhe vajza e tij më e vogël, Afërdita.

Pas rënies së Mbretërisë Jugosllave më 1941, familja kthehet në Prizren, ku ai e vazhdon punën e tij edukative dhe patriotike. E burgosin edhe gjermanët. As në kohën e Jugosllavisë së re nuk mbyllet golgota e familjes Fehmiu. Gjyshin e burgosin dhe pas procesit të montuar ai dënohet. Pas daljes nga burgu në vitin 1951 ai vdes.

Gjyshja ime, Hedija, ishte e lindur në Gjakovë më 1908, e cila e kishte përcjellë vazhdimisht gjyshin në rrugën e vuajtjeve të tij jetësore dhe babai im mendon se akoma nuk ka gjetur fjalë të mjaftueshme për t'i përshkruar të gjitha vuajtjet e nënës së tij dhe të familjes Fehmiu. Gjenerata e babait tim Bekimit, është gjenerata e parë në historinë e Kosovës që është shkolluar në Artisti i madh, që nga gjysma e shekullit XX e deri më sot, pas Aleksandër Moisiut, është i pari aktor shqiptar me këtë famë ndërkombëtare.

U shkollua në gjuhën amtare që nga shkolla fillore deri në maturën e gjimnazit. Pas gjimnazit babai bëhet anëtar i dramës shqipe të Teatrit Krahinor, si teatër i vetëm profesional në Kosovë. Akademinë Teatrore në Beograd e regjistron në vitin 1956, në klasën e profesorit të njohur Mate Millosheviç.

E jep provimin pranues dhe pranohet si student i saj, me kusht që të mësonte gjuhën serbo-kroate. Teatri i Prishtinës ia ndan bursën e studimeve, por mallkimin që i kishin bërë "zotat " e politikës ndaj familjes Fehmiu, bie edhe mbi kokën e babait tim. Pas dy muajve i ndërpritet bursa.

Duke falënderuar rektorin e Akademisë së Poetëve, Dushan Matiqit, i ndahet bursa për shkollim deri në fund të studimeve. Shpejt mëson serbokroatishten dhe gjatë vitit 1960 bëhet anëtar i rregullt i teatrit më të mirë të vendit, Teatrit jugosllav të Dramës.

Deri në ditët e sotme, profesorët e Akademisë e përmendin babain tim si shembull i një talenti të jashtëzakonshëm dhe si një student i vyeshëm, që edhe unë, si student i të njëjtin fakultet, i kam dëgjuar disa herë ato lëvdata që i bëheshin babait tim. Deri në vitin 1987, kur jep dorëheqje nga Teatri jugosllav i Dramës, ai kishte luajtur mbi 40 role të llojllojshme teatrore, nga të cilat kishte interpretuar role të mesme dhe kryesore, duke hyrë këtu edhe "Atelia 212".

Në dy pjesë teatrore ishte asistent i regjisorit Millosheviç, për "Riçardin e tretë" dhe "Zbulimin" e Dobrica Qosiqit. I realizon filmat: "Klakson", "Roj", "Vitet e nxehta", "Protesti", "Depsi", "Pavle Pavlloviq" etj. Pas suksesit të madh të filmit "Mbledhësit e puplave", në regjinë e A. Petroviqit, ku luan rolin e romit Boro i bardhë (filmi fiton dy shpërblime në Festivalin e Kanës-Francë 1967 dhe nominohet edhe për "Oskar"), fillon karriera e tij internacionale, duke u bërë ylli i parë botëror nga hapësirat tona dhe nënshkruan një kontratë disavjeçare me producentin Dino De Laurentis.

Ai bëhet krenaria e ish-Jugosllavisë. Kryesisht xhironte në Europë, SHBA, Amerikën Jugore, Afrikë dhe Azi. Luajti në gjuhën shqipe, serbokroate, maqedonishte, rome, turke, spanjolle, angleze, frënge dhe italiane. Spektatorët edhe sot i shikojnë fi lmat dhe teleseritë në të cilat luajti ai, siç janë: "Odisea" e Homerit, me Irena Papasin, "Aventurierët", ku luajti rolin kryesor të Daksit (plejbojin Porfi ro Rubiroze), "Dezertor" me Xhon Hjustonin, Riçard Krenën, Rikardo Montalbanin, Çak Konorsin, Vudi Stroudin etj.

Në "Shtatorin e zi" me Robert Shoun, Marta Kelerin... në "Libera dashuria ime", me Klaudia Kardinalen, në "Sallon Kiti" me Ingrid Tulin, Helmut Berger dhe të tjerë. Që ta fitonte rolin me buxhet të lartë në filmin "Aventurierët", në regjinë e Luis Xhilbertit, duhej që ta zotëronte gjuhën angleze në një afat vetëm prej 10 javësh, gjë që pati sukses. Rolin e fitoi në vitin 1968, po atë vit kur u linda edhe unë.

Që t'u paraqitej të ftuarve, si ylli i ri i filmit "Aventurierët" me yjet më të mirë të filmit: Olivia de Hevilend, Ana Mofo, Kendis Bergen, Ernest Borgnin, Fernando Rej, Alen Badel, Rozano Brazi, Sharl Aznavur etj., për nder të babait tim ishte organizuar një pranim madhështor në hotelin "Pjer" të Nju Jorkut, në të cilin ishte paraqitur me veshje kombëtare shqiptare. Xhiroi mbi 50 filma, në të cilët luante kryesisht role kryesore.

Në shenjë proteste, për shkak të propagandës antishqiptare dhe urrejtjes ndaj popullit të tij, babai im më 1987-n në mënyrë demonstrative e lëshon pjesën teatrore "Madam Kolontajn", ku luan Stalinin dhe Leninin dhe përshëndetet publikisht me veprimtarinë artistike në ish-Jugosllavi. Roli i fundit që luajti për televizionin italian ishte Shën Josifi në fi lmin "Fëmija i emëruar Jezu" në regjinë e Franko Rosit, i cili është shfaqur edhe në televizionin amerikan.

Shkrimtari dhe producenti italian, Francesko Skardamalia, kishte thënë: "Bekim Fehmiu është i vetmi aktor internacional nga vendet lindore komuniste, i cili xhiroi në Perëndim gati njëzet vite, duke e depërtuar perden e hekurt, deri në paraqitjen e Gorbaçovit dhe rrëzimin e Murit të Berlinit". Filmin e fundit "Xhingis Kani" e ka realizuar në vitin 1992 në regjinë e Ken Anakinit dhe në produksionin amerikano-italian.

Pas Aleksandër Moisiut, aktorit nga gjysma e shekullit 20, babai im është aktori i parë internacional shqiptar në gjysmën e dytë të shekullit 20. Rënia e Jugosllavisë, lufta e tmerrshme vëllavrasëse, shkatërrimi i Vukovarit, bombardimi i Dubrovnikut, rrethimi shumëvjeçar i Sarajevës, lufta në Kosovë, bombardimi i RS të Jugosllavisë, kanë bërë që babai im të tërhiqej edhe më tepër.

Është ndarë nga fjalët që për aktorin janë më të fuqishmet dhe mjeti më i mirë. Është ndarë prej tyre dhe i ka shndërruar në heshtje, në protestë, me ç'rast Hamleti do të thoshte... "Ka mbetur heshtja".


Hedoni: Babai do të prehet në Lumbardh të Prizrenit

"Ai jetoi si samuraj dhe vdiq si një samuraj! Babai im shkoi me stil të madh, ashtu sikurse edhe jetoi. Unë jam i trishtuar sepse më mungon, por jam njëkohësisht i lumtur për shkak të tij... Kjo ishte dëshira e tij, dhe unë me gjithë zemër e respektoj dhe e mbështes".

Kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetën beogradase "Alo!", Hedoni, i biri i legjendës së filmit, Bekim Fehmiu, i cili të martën pasdite bëri vetëvrasje.

Në heshtje, gati vjedhurazi ka vendosur për këtë veprim. Është shtrirë në heshtje në shtrat, dhe vendosi që në vete të shtjerë me armë. Bekimi, më të dashurve tij ua la një letër lamtumirëse, në të cilën për herë të fundit i porositi se i do, por edhe i luti ta kuptojnë.

Biri më i ri i Fehmiut ka thënë në një intervistë për "Alo!" se dëshira e babait të tij ishte që Lumbardhi i Prizrenit të jetë varri i tij.

"Gjithmonë i ka thënë nënës se kur të vijë ai moment, hiri i tij të shpërndahet në Lumbardhin e Prizrenit. E ka dashur atë qytet, ishte shtëpia e tij të dytë. Është shpërngulur aty nga vendlindja e tij, Sarajeva. Pasi të përfundojë kremacioni, ne do të shkojmë atje për ta përcjellë në banesën e përjetshme", tregon dëshirën e familjes së tij, Hedoni.

Ai ndau kujtimet për babain e tij nga ditët e tij të fundit.

"Ai gjithmonë ka thënë që nëse nuk është vital, energjik me trup dhe shpirt, nuk dëshiron të jetojë. Dhe, nëse diçka e tillë i ndodh, do të shtie me një plumb në ballë! Ne gjithmonë nuk e kemi marrë seriozisht, duke menduar se është tepër romantik, por ai ka qenë gjithmonë konsekuent! Vitin e kaluar ka humbur dy motrat, për të cilat është shqetësuar. I ka parë se si vyshken sikur bimët, të vetëdijshme se jeta të cilin e kishin dashur ka kaluar, por nuk ka mundur t'u ndihmojë", thotë Hedoni.

Dhe, ai mban mend dëshirën e pashuar të babait të tij për jetën, e cila në fund të shkurtit u zhduk pothuajse brenda natës.

"Deri para katër muajsh, nuk ka pasur njeri më vital se ai. Kur vija nga rruga, m'i merrte çantat e mia dhe vetë i bartte deri në katin e nëntë. Është kënaqur. Pastaj, pësoi një goditje në tru dhe çdo gjë ndryshoi. Ai ishte i pafuqishëm, u plak pothuajse brenda natës. Lëvizte dobët, fliste dobët, nuk ishte më i njëjti njeri, dhe këtë e ndjente. Nuk e ka dashur një fund të tillë...", kujton Hedoni.

Pasi me nënën e tij ka gjetur trupin e pajetë të babait të tij mbi krevat, Hedoni thotë se kanë përjetuar një "tobogan të ndjenjave".

"Nga ai shok, trishtim, dhimbje e deri te vetëdija se kishte kërkuar ashtu dhe për këtë shkak nuk duhet të vuajnë. Mund të flas për një vit, për të treguar se për çfarë do ta mbaj në mend. Ka aq shumë! Ai ishte një njeri i rrallë", thotë Hedoni.

Lajmi tragjik e ka gjetur një trashëgimtar tjetër të Bekimit, të birin Uliksi, në Amerikë.

"Ai ishte në shok më të madh! Nuk ishte pranë tij dhe nuk e dinte se çfarë po ndodhte", thotë Hedoni, i cili kishte dalë në aeroport për ta pritur të vëllain.
E festoi qetë ditëlindjen e fundit

Aktori legjendar më 1 qershor, dy javë para se vendosi të largohet nga kjo botë, mbushi 74 vjet.

"Ditëlindjen e kaluar e festoi qetë... Sikur nuk pat më fuqi", kujton Hedoni, duke shtuar se babai i tij kohët e fundit mezi lëvizte.


Prishtinë: Humbja e një aktori të papërsëritshëm

Vdekja e aktorit Bekim Fehmiu ka pikëlluar të gjithë shqiptarët; ata e perjetojnë si humbje të një njeriu që i bënte të ndjehen krenarë, thonë përfaqësuesit e komunitetit të artistëve në Kosovë.

Bekim Fehmiu ndërroi jetë në moshën 74-vjeçare në Beograd. Policia dyshon të ketë kryer vetëvrasje.

Regjisori Isa Qosja thotë se vdekja e Fehmiut shënon humbjen e një aktori të papërsëritshëm.

"Lajm i rëndë... shumë i rëndë, për komunitetin dhe për Kosovën në përgjithësi, për njerëzit e Kosovës. Megjithatë, ishte krenari kur e dëgjonim emrin e tij në skenën ndërkombëtare... dhe me arsye të madhe, sepse Bekimi Fehmiu ishte një figurë e pazakontë, e veçantë, një figurë artistike, i papërsëritshëm".

"Në disa filma ka lënë freski të vërteta. Është një humbje tejet e madhe për të gjithë. Kishte shumë energji, shumë vullnet, shumë fuqi artistike dhe ja... përfundoi në mënyrë shumë tragjike, shumë të rëndë... e habitshme për mua", shprehet Qosja.

Edhe regjisori Ekrem Kryeziu e quan humbje të rëndë vdekjen e aktorit Bekim Fehmiu.

"Lajmet e këqija nuk të kursejnë... e ndjeva veten shumë keq, për arsye se u shua një yll i kinematografisë së Ballkanit. Ka qenë dhe do të ngelë i freskët në mendjen time. Shumë njerëz tonë të mëdhenj i kanë ofruar shumë, tepër botës... E vërtetë... është katapultuar aq shpejt në orbitë, saqë i ka marrë rrënjët me vete. Ai i ka marrë rrënjët me vete dhe i ka takuar gjithësisë", deklaron Kryeziu.

Lajmi për vdekjen e Bekim Fehmiut është një kumt i zi, thotë dramaturgu dhe publicisti Haqif Mulliqi.

"Është një kumt i zi, të cilin nuk do të kisha dëshirë ta dëgjoja asnjëherë. Bekimin e kam njohur shumë mirë dhe nga afër. Është shuar një prej artistëve më të mëdhenj shqiptarë të shekullit 20, i cili, objektivisht, na ka bërë të ndjehemi krenarë që jemi shqiptarë dhe, jo rrallë, ka qenë edhe frymëzim për të gjithë artistët shqiptarë, kudo që kanë jetuar".

"Nuk duhet harruar se Bekim Fehmiu është zhvilluar në një rrethanë krejtësisht të pamundshme për t'u zhvilluar një artist shqiptar. Kishte sfida të mëdha në jetë...", thotë Mulliqi.

Bekim Fehmiu, gjatë karrierës së tij, nuk ka luajtur në ndonjë film në gjuhën shqipe. Por, përfaqësuesit e komunitetit të artistëve në Kosovë thonë se, pavarësisht nga ky fakt, ai njihet si aktor që ka shpërthyer kufijtë nacionalë për t'ia falur artin botës.

Regjisori Qosja thotë se aktori Bekim Fehmiu ka lënë gjurmë të pashlyera në kinematografinë e rajonit dhe të Evropës.

"Ai ka lënë mbresa dhe ka treguar fuqinë artistike, figurën... Ka treguar portretin e njeriut tonë, një portret që është vështirë ta gjejmë si të tillë. Kjo është ajo që ka rëndësi për ne. Fatkeqësisht, s'kemi pasur rastin që ta kemi në një projekt tonin. Fatkeqësisht... nuk kemi pasur mundësi", thotë Qosja.

Ngjashëm shprehet edhe regjisori Kryeziu:

"Arti është arti i botës. Me këtë, në njëfarë mënyre, neve na ka madhëruar, sepse në këtë orbitë që nuk është më kombëtare, në orbitën e yjeve të botës, e kemi edhe ne një njeri që e ka pasur zemrën shqiptare, por që, fatkeqësisht, nuk ka pasur rol në gjuhën shqipe. Bekimi ka qenë një fanar, drejt të cilit ne jemi orientuar".

Dramaturgu Mulliqi e vlerëson aktorin e ndjerë si një figurë që do të shërbejë si model për aktorët e ardhshëm.

"Do të pretendohet për vite e dekada, që të arrihet në atë nivel nga secili artist, jo vetëm shqiptar, por edhe ballkanas. Në fakt, madhështia e Bekimit ishte se ai ishte shqiptar, por përgjithësisht u ka takuar të gjitha kulturave të tjera, ku ka participuar, dhe ato kanë qenë të shumta", thekson Mulliqi.

Bekim Fehmiu ishte aktor dhe personalitet i respektuar në gjithë Ballkanin dhe më gjerë. Mbështetës ka pasur dhe ka edhe në Beograd, ku ka kaluar pjesën më të madhe të jetës.

Në vitin 1987 filloi heshtja e madhe e Bekim Fehmiut. Dramaturgu beogradas, Gorqin Stojanoviq, që gjatë gjithë këtyre viteve ishte afër Fehmiut, në këtë temë thotë:

"Në vitin 1987, në kohën e histerisë antishqiptare që zhvillohej, ai tha se më, jo vetëm që nuk do të aktronte, por as nuk do të paraqitej në opinion. Shi për këtë ai nuk vinte as në premierat tona", thotë Gorqin Stojanoviq.

Filip David, letrar dhe recensent i librave të Bekim Fehmiut, deklaron:

"Sa u përket njohjeve me regjisorët dhe aktorët më të njohur botërorë, ne këtu as që e kemi ditur madhështinë e tij. Bekim Fehmiu ka qenë absolutisht në kulmin e kinematografisë botërore. Ai ka pasur role të tilla, por edhe ka njohur personalitete të niveleve të tilla". (http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
BEKIM FEHMIU, NJËRI PREJT SHPIRTËRAVE MË TË MIRË TË ARTIT, DO TË VARROSET NË PRIZRENNga FLORI BRUQI (06.16.2010)
SCARLETT JOHANNSON ËSHTË VLERËSUAR PËR DEBUTIN NË TEATRIN BROADWAY (06.15.2010)
QINDRA SHQIPTARË TË ANËS SË MALIT NË PARKUN ROOSEVELT NË NEW YORKFotoreportazh nga KËZE KOZETA ZYLO (06.13.2010)
JETA VAZHDON...Nga PATRICK MOORE (06.08.2010)
KUR VRITET GAZETARI VRITET DHE LIRIA(Pesë vjet pa Bardhyl Ajetin)Nga AGIM GASHI (06.06.2010)
MOS E PUSHKATONI FJALËN E LIRË ! Nga KËZE (KOZETA) ZYLO  (06.05.2010)
A MJAFTON NJË E-MAIL QË AL GORE DHE GRUAJA E TIJ T'U SHPJEGOJNË MIQVE FUNDIN E MARTESËS SË TYRE (06.03.2010)
ZBULOHET TESTAMENTI NGA GAZETA BRITANIKE E SË DIELËS "NEWS OF THE WORLD" (05.31.2010)
SHBA: DITA E TË RËNËVE, NJË MOMENT PËR TË NDERUAR ATA QË BËNË SAKRIFICËN SUBLIME (05.30.2010)
KA VDEKUR AKTORI DENNIS HOPPER (05.30.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]