VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - EDHE SHQYP NA THANË SE ZOTI PËR SHQYPTARË SHQYPNINË E FALIPoezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

                                                                                      

E Djelë, 04.28.2024, 02:19pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

EDHE SHQYP NA THANË SE ZOTI PËR SHQYPTARË SHQYPNINË E FALI

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)


E Mërkurë, 10.19.2011, 12:29pm (GMT+1)

 

Gjuha Shqipe

Porsi kanga e zogut t'verës,
qi vallzon n'blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t'detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â' gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po; â' e ambël fjala e sajë,
porsi gjumi m'nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhè ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubinit,
ka'i bien qiellvet tue flutrue
n't'zjarrtat valle t'amëshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis',
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s'ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja,
flet e t'veten e lèn mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat tona
qi prej djepit na kanë thânun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhânun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t'enden stina e moti,
do ta gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vete, po pik' mâ para,
n'agim t'jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp mâ s'pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n'dorë t'shqyptarëvet,
kah kanë dekë kta për dhè të't'Parvet.
Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi'i rruzllim mbretnin s'i a, xûni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t'drisë e diellit rrota,
kanë me kênë ndera e trimnive.
Pra, shqyptarë çdo fès qi t'jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t'uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t'jetë jeta,
por për tê gjithmonë punoni;
pse, sa t'mbani gjuhën t'uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s'huej,
Nper gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç'fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n'za, sikurse jini.
Prandaj, pra, n'e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t'brohrisim:
Me gjuhë t'veten rrnoftë Shqypnia!

--

Shqypnia

Edhè hâna do t' a dijë,
Edhè dielli do t' két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija 'i vend nuk ká !
Fusha t' gjâna e kodra t' blera,
Zijes s' mnershme larg kû âsht droja,
Me gaz t' vet ktû i veshë Prendvera,
Si t' Parrizit t' larmet shtroja.
Nën nji qiellë përherë t' kullueme,
N' rreze e n' dritë përshkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme
Si vigâj shtiellen n' ajrí.
Ke ato bjeshkë e ke ato male
Kroje t' kjarta e t' cemta gurra,
Tue rrëmbye npër mriza hale,
Gurgullojn npër râjë e curra.
Mbi ato male e bjeshkë kreshnike
Léjn mande' ata djelm si Zâna,
Armët e t' cillvet, përherë besnike,
Janë përmendë ndër fise t' tana.
Atje léjn, po Toskë e Gegë,
Si dý rreze n' flakë t' nji dielli:
Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë,
Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.
Oh! Po, e din i prûjtë anmiku,
Se âsht rrfé zogu i Shqyptarit,
Rijtun gjakut kah çeliku
N' dorë t' ktij shndritë për vend t' të Parit.
Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kanë mûjtë me pá
Se sa forca e pafrigueshme
N' turr t' Shqyptarit pît ka rá.
Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka' i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmben kû e thrret Lirija.
Lume e shé para atij ngelin,
I a lshojn udhën dete e male;
Mbretënt fjalën s' mund t' i a shkelin,
Turrin ferri s' mund t' i a ndalë.
Shkundu pluhnit, prá, Shqypní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n' gjí,
Nuk mund t' quhesh, jo, robneshë.
Burrë Shqyptár kushdo i thotë vetit,
Qi zanát ka besë e fé,
Për Lirí, për fron të Mbretit
Me dhânë jetën ka bâ bé.
Sy për sy, po, kqyr anmikun;
Përse djemt, qi ti ke ushqyue,
S' i ka pá, jo, kush tue hikun:
Friga e dekës kurr s' i ka thye,
Kaq të bukur, kaq të hieshme
Perëndija t' fali i Amshueshëm,
Sá 'dhe deka âsht për tý e shieshme:
N' gjí t' and vorri âsht i lakmueshëm.
Po, edhè hâna do t' a dijë,
Edhè dielli do t' két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija 'i vend nuk ká !
Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Për jetë t' jetës të rrnoftë tý ndera.

--

28 Nanduer 1913

Oj Zanë, t'këndojm... t'vajtojm, deshta me thanë;
Pse sot ditë kangët s'asht për mue e tye.
Po ç'gzim kjo ditë ne mundet me na dhanë,
Kur, qe; mbas nji motmoti q'iu pëlqye
Europës shqiptarin zot n'shpi t'vet me lanë
E kujt pose Hyut, n'këtë jetë mos me i shërbye,
Shqiptari i ndam' prap me vedvedi gjindet
E shk'asht ma zi, prej vedit edhe s'bindet...
............................................................................
Flamuri kombtar nuk ka ç'ka ban nder ne,
Po kje se dashtni nuk kem' për Atdhe!
E, drue dashtni për Atdhe nuk ka shqiptari;
Me gjasë, s'çan krye shqiptari për komb t'vet,
As për at gjuhë të ambël qi i la i Pari,
As pse Shqipnia n'vedi u ba sot shtet;
Pse e shoh se veç atje ku xhixhllon ari
Pa frymë e tue dihatë vrap ai nget,
Si Krishtin shiti Juda Iskarjot,
Drue Adheu ndër ne po shitet për një zallotë...
A thue mos fola keq?... Po lypi t'falun,
Përse ktu vetë me fue nuk due kërkëndin,
E pse asht mirë fjalën n'zemër t'fryt m'e ndalue,
Por ai, qi të liruem me e pasë s'don vendin,
A prej së tjerëve s'don me ia lshue rendin
A thue ai s'asht Judë? Po, kambë e krye Iskariota!,
E pra kso nipash ka edhe shum Kastriota...
E po për ata qi detyrë e nder harrue,
Qi marrë e turp kaherë flakërues mbas shpinet,
M'visar t'Atdheut me t'huej shkojn tue tregue
Kush ndyet mbas Frankut rrejtë, kush mbas stërlinet
Kush pse dinari tepër i ash lakmue.
E Atdheun' prej t'huejsh me e qitun duen bashtinët,
Thue edhe për ta ndokuj do t'i vijë çuda,
Kur them se nuk janë tjetër veçse Juda?...
Po, Juda janë e gjinde janë tradhtarë.
Mori
M'kamë kryekungujt prej si u vunë,
Duel padija n'krye të vendit;
Njerzt e kënuen u poshtnune,
Metën t'urtit jashtë kuvendit.
Duel me faqe t'bardhë trathtari,
Shpirt e fis qi ka kuletën;
U ndëshkue pa dhimë Shqyptari,
Qi për fis nep gjan e jetën.
Shqynis zani atbotë i humi,
T'huejt mi qafë i a vunë themrën,
E e mloj skami, terri e gjumi,
Djelmt e vet i a lnurën zemrën.
E Shqyptarët jo veç s'e nisen
Për kto punë përjashta Momin.
Por ma fort, medje, e konisen.
Msue gjithmonë me ndërue llomin...
E njikshtu, qitash, njaj i cilli
S'e la mrendë e detit vala,
S'e la ferri, toka e qilli,
N' Shqypni majet porsi njala.

--

Shqypnisë

T'falem, Shqypni, ti i shpirtit tem dishiri!
I lum njimend jam un n'gji tand tue rrnue,
Tue gzue t'pamt tand, tue t'hjekë atë ajr t'kullue
Si Leka i Madhi e Skandërbegu i biri
Kje i Lumi vetë, qi mue m'dërgo ksi hiri
Për nën qiellë tande t'kthielltë un me u përftue.
Malet e hjedhta e t'blerta me shikjue,
Ku Shqypnija e Burrit s'dron se i qaset niri.
Ktu trima lejn gjithmonë, pse ti je nana
E armvet n'za, qi shndrisin duert e t'lumit,
Kah des për ty i rrebtë e trim si zana:
Eden n'Balkan ti je; ti prej t'Amshumit

--

Kënga e Parë (Cubat)

Gjendja historike e vjetit 1858 dhe plani i poemit. Turqija nisë të ligështohet. Popujt e Ballkanit i dalin doret. Shqiptarët zgjohen: mendojnë edhe ata të fitojnë lirinë. Ndeshen me nji anmik tjetër. Knjaz Nikolla i Malit të Zi synon të shtijë në dorë pjesën veriore të Shqipnisë, i nxitun dhe i mësuem nga Cari i Rusisë. Ky i shkruen nji letër tanë dredhì e përkëdhelje Krajl Nikollës: i premton bukë e fishekë, mjaft që mos ta làjë Turkun të qetë. Letrën ia ep lajmëtarit (kasnecit) të vet, i cili mbas nji udhëtimi të gjatë, kapet në Cetinë, ku edhe dorëzon shkresën. Knjazi e këndon me vëmendje. Menjiherë çon e thërret serdarin e Vasoviç-it, Vulo Radoviç-in. Mbasi e merr me të mirë e ngarkon të formojë nji çetë cubash dhe me ta të biejë në Vraninë, për me plaçkitë e për me vrà.

C U B A T
Ndihmò, Zot, si m'kè ndihmue!
Pesëqind vjet kishin kalue
Çëse të buk'rën ketë Shqipni
Turku e mbate në robnì,
krejt tu' e là t'mjerën në gjak, (5)

frymën tue ia xanun njak,
e as tu' e lanë, jo, dritë me pà:
kurr të keqen pa ia dà:
rrihe e mos e lèn me kjà:
me iu dhimbtë, po, minit n' murë, (10)

me iu dhimbtë gjarpnit nën gurë!
Veç si 'i dèm, vu n'lavër spari,
qi, ka' e vret zgjedha e kulari
kah nuk bàn m'e thekë strumb'llari,
s'ndigjon me tërhjekun m'pluer: (15)

e tue dhanë kryq e tërthuer,
tu' i dhanë bulkut shum mërzì,
me u vu s' ryset për hullì
e as me shoq ai pendë me shkue:
kështu Shqiptarët, të cilt mësue (20)

s'din' me ndejë rob nën zgjedhë t'huej,
pagë e t'dheta me i là kujë:
por të lirë me shkue ata motin,
veç mbi vedi tue njohtë Zotin,
e as kurrkujë n' këto troje t' veta (25)

mos me i bà kurr tungjatjeta,
n'braz me Turk kurr nuk kanë rà
e as kurr pushkën s' ia kanë dà;
por t'janë grì me tè e t'janë vrà,
si me kenë tu' u vrà me Shkjà (30)

E prandej si pat fillue
Turkut Ora m' iu ligështue,
e nisë pat m' iu thy' atij hovi,
m' qafë përditë tu' i mbetë Moskovi:
e ato fiset e Ballkanit, (35)

zunë me i dalë dore Sulltanit,
nisë Shqiptarët kanë me u mendue,
si Shqipninë me e skapullue
zgjedhet t' Turkut : qi si motit
n' ato kohët e Gjergj Kastriotit, (40)

krejtë e lirë kjo t'ishte, e askujë
n'daç t'jetë Krajl a Mbret i huej,
me i bà kurr mà tungjatjeta,
kurr me i là mà pagë e t'dheta:
edhe Flamuri i Shqipnisë, (45)

si fletë Engj'lli t'Perëndisë,
si ajo flaka e rr'fesë zhgjetare,
me u suvalë prap n'tokë shqiptare.
Kur qe ai Knjazi i Malit t'Zi,
Knjaz Nikolla, 'i gërxhelì: (50)

gërxhelì, por belaçì:
na dyndë top, na dyndë ushtrì
edhe del e bjen n'Shqipnì,
për me shtrue këto bjeshkë e vërrì,
shka merr Drinin për s'të gjatit (55)

der' n' Kalà të Rozafatit,
ku ai me ngulë do' "trobojnicën",
do' m' ia vu Shkodrës "kapicën":
me bà Shkodrën Karadak,
mbasi 'i herë ta kisht' là n'gjak! (60)

Ka ndejë Turku e këqyrë haru,
pika-pika lotët tu'i shkue,
kah s'ka Shkjaut si me i qindrue;
se Moskovi e ka rrethue:
ka Stambollën muhasere! (65)

Bàjnë shtatë Krajlat muzhavere
Shoq me shoq, tue shartue zì
-si ata e zeza m'i pastë mb'lue!-
për të buk'rën këtë Shqipnì,
si m'ia lëshue n'dorë Malit t'Zì. (70)

M'kambë Shqiptarët atëherë t'janë çue.
Sa mirë n'armë na janë shtërngue!
T'fortë kanë lidhë nji besë të Zotit,
si të Parët ua lidhshin motit
n'ato kohë t'Gjergj Kastriotit: (75)

me 'i kambë mbathë e tjetrën zbathë,
gjanë e gjallë pa grazhd mbyllë n'vathë,
diku ngranë, diku pa ngranë,
harrue grue, motër e nanë,
sy'n agzot, zemrën barot, (80)

e si ai plajmi me furì,
t'kanë rrà ndesh Malit të Zì,
për t'gjatë t'Cemit n'atë kufì,
ku edhe trimat t'janë përlà:
t'janë përlà Shqiptarë e Shkjà, (85)

ballë për ballë ata tu'u vrà,
fyt-a-fyt, ofshè! tu' u prè:
tue mbetë shakull përmbi dhè,
mish për shpez e kaçubeta,
gjithku kje ajo pika e djalit, (90)

gjithku kjenë sokola malit,
pa kjà m'ta as nanat e shkreta.
Veç se, po, me parzme t'veta
Aty Shkjaut sulmin kanë thye.
Mbasi Shkjaut sulmin kanë thye, (95)

bàjnë kuvend Shqiptarët n'mjet vetit
e 'i fjalë t'madhe çuekan Mbretit:
se jo veç qi Knjaz Nikollës
nuk i lajnë kurr pagë e t'dheta,
porsè as Mbretit të Stambollës (100)

s'duen me i bà mà tungjatjeta,
e se dore duen me i dalë:
se Shqipninë nuk po e kisht' falë
Perëndia për çerkez,
Turq, manovë, likurazez; (105)

por për do sokola mali,
qi "Shqiptarë" bota po i quete,
për ta gëzue këta djalë mbas djali,
der' qi jeta mos t'u shuete.
Turku fjalën e ka ndì': (110)

se ç'asht mbushë ai me mënì!
Se edhe lëshue ç'ka mbi Shqipnì,
gjallë Shqiptarët ai me i përpì!
Por Shqiptari gjallë s'përpihej,
e as me u shkelë, besà, s'po lihej, (115)

kur po i mbushej mendja e vet,
për Shqipnì me bà gajret,
n' dashtë ta mësyjnë Krajl edhe Mbret.
Edhe kështu t'janë kapërthye
grykë për grykë Turq e Shqiptarë, (120)

pa dhimbë krenash tue u thye
si me thye kunguj npër arë.
T'iu dha zjarm atëherë Ballkanit,
Shkjau: kah drote se Shqipnia
Nji herë shkëputë dore s' Sulltanit, (125)

mà s'do t'bite n'kthetra t'tija,
si atij hangër ia kisht' palla:
merr e mësynë m'Turk fulikare,
e si derrat me çakalla
t'janë mbërthye, t'janë kapërthye: (130)

haju, ngaju, çaju, vraju,
m' pushkë e m'top gjueju batare,
gjaku rrëmbè npër rrahe e qare,
e npër fusha e npër gajusha,
der'qi s'mbramit, n'p'r' atë zhumhùr, (135)

zgjedhë s' Turkut pështoi Shqipnia
e duel m'veti si dikùr:
si premtue kisht'Perëndija;
por si dashtë, besà, lum vëllau,
s'do t'kisht' pasë as Turku, as Shkjau. (140)

Se s'ka dashtë Turku lirì,
ma merr mendja; veç un s'dij
Knjaz Nikollës kah gjith kjo zemër
ardhë i paska, qi nën themër
rob Shqiptarët po don me i shtrue, (145)

edhe atë tokë ai me pushtue,
për të cilën vetoi motit
shpata rr'fè e 'i Gjergj Kastriotit?
E qi s'paska dert aspak,
se Shqipnì dhe Karadak (150)

krejt me atë punë po i làte n'gjak?
Zemra i ardhka prej Moskovit!
N'Petrograd Cari i Moskovit
Nji bè t'madhe po e kisht' bà:
m' e ndie plak e kalamà: (155)

se ai natë t'madhe s'do t'kremtote,
se ai kumbarë as krushk s'do t'shkote:
gostë as darsëm nuk do t'ngrifte,
s'do t'u late as s'do t'u krifte,
as s'do t'dilte n'log t'kuvendit, (160)

për pa i hi Stambollës përmbrendit,
për pa këcye mbi post të Mbretit,
me u bà zot i tokës e i detit;
edhe Europës tregun m'ia prè,
mos m'e lanë me shitë, me blè, (165)

mos m'e lanë me çilë kund punë;
por me bà qi ajo përdhunë,
për me çue 'i grimë bukë te shpija,
rob të ngelte n'kthetrat t'tija,
n'ato kthetra me gjak zhye, (170)

mësue gjithmonë n'gjà t'huej me gërrye!
Por, pse ishte 'i skile e vjetër,
si për fjalë ashtu për letër,
mos m'iu gjetë kund nji shoq tjetër,
ai po e dite mirë e hollë, (175)

se isht' do punë me hi n'Stambollë:
se isht'do punë Turkun me e thye,
pa sharrue vetë mbrendë me krye.
Prandej xèn ai me trillue,
m'shpinë Shkjeninë Turkut m'ia lëshue: (180)

m'ia lëshue m' shpinë Shkjetë e Ballkanit,
qi me i qitë këta punë Sulltanit;
me i qitë punë këta 'i herë mà para
me trazime e punë t'pambara,
e mandej vetë prej Rusiet, (185)

si harusha prej pusiet,
me i rà Turkut fulikare,
m'zhbì n'vend, m' e qitun fare;
për pa bà me mend pleqnì,
se me atë punë botën unjì (190)

mujte ndoshta, m' e pështjellë n'zì
Kur ketë punë e ka pleqnue,
ka marrë trimi e n'odë ka shkue,
ka ndejë n'tryezë e asht vu me shkrue,
me u shkrue miqve kah Serbia, (195)

kah Zagrebi e kah Sofia
me lidhë besën shkaf asht Shkjà,
mbi Budin, m'çanak-kalà,
edhe tok këta ndërmjet vetit
mos m'ia dà të keqen Mbretit; (200)


por m'e nxitë, por m'e mërzitë,
m'iu vardisë si 'i ditë për ditë,
herë për shtek, herë për kufì,
tash me peng tash me pleqnì,
por gjithmonë, po, pa kanu, (205)

veç si t'mujnë n'teposhtë m'e vu.
Mbasandej, ky zogu i Shkinës,
merr e i shkruen Knjazit t'Cetinës,
merr e 'i letër, ia angllatisë,
me dredhì tue ia qindisë: (210)

Ti, qi jè qaj Knjaz Nikolla,
falmëshëndet Cari i Rusisë,
se zà t'madh për ty kam ndie
qi jè trim e gërxhelì,
qi jè burrë e kuvendtàr, (215)

me ta drashtë hijen anmiku,
por, me gjasë, kjo fjalë s'isht' gjà;
pse qe ti m'atë rrasë Cetine
më kè ndejë me 'i gjysmë opinge,
e jè bà, po, gazi i dheut, (220)

tue mërzitë miq e kumbarë,
veç e për bukë thatë në gojë.
Mje sa Turku, përbri tejet,
dredhun çallmën m'vetull t'synit,
derdhë shallvarët ai pala-pala, (225)

rrin e ban kokrrën e pallës,
e as m'e pà ti s'mund ta shofish
përmbas kodrës së pilafit
Po a thue, t'la ty kamba e dora,
ase ngjitë jè ndoshta n'rrogë, (230)

jo se hi kè bulk n' e huejën,
qi s'po ndihesh kund për s'gjalli?
Mo', bre burrë, se nuk ka hije
Urtë me ndejë Cubi i Cetinës,
edhe n'shpì me e shkuem ai motin, (235)

tue u ndeshë npër furka t'gravet!..
Po a s'ta mbushë synin Shqipnia,
me ato male të madhnueshme,
me ato fusha të blerueshme,
qi kurrkund s'jè kah orvate, (240)

me ia shkye 'i skundillë për veti?..
M' tè, krah-thatë, e mos rri fjetun!
Pse pa luejtë ti kambë e dorë,
s't' ndihmon Zot as i Shën Nikollë:
Por ti luej, nafaka luej, (245)

ka pasë thanë ai burri i huej;
sa për bukë e për fyshekë,
piqu n'mue, se t'i qes vetë;
edhe kësulën vène n'sy,
se të nget Mbreti i Stambollës: (250)

nuk ta là me t'prekë me pupël -
Letrën kështu Cari e ka shkrue,
edhe mirë e ka palue,
e e ka mbyllë me dyllë të zi;
ia ka dhanë kasnecit t'rì, (255)

me ia çue Knjazit n'Mal t'Zì.
Letrën n'gjì ka qitë kasneci,
ka thekë kambët ai sa mund heci:
ka lanë mbrapa fushë e zalle
kapërcye ka bjeshkë e male, (260)

edhe dalë ka lum e shè:
ka shtegtue për ujë e dhè,
der'qi'i ditë, tue marrun dielli,
në Cetinë ka behë ai filli:
shtjerrë opangat, grisun setrën; (265)

Knjazit n'dorë ku ka dhanë letrën,
me dyllë Cari si e kisht' mbshilë.
Ka marrë Knjazi edh' e ka çilë,
e ka çilë edh' e ka këndue,
tri herë rresht ai e ka këndue, (220)

tri dit rresht edh' e àsht mendue;
mbasandej ai fjalë ka çue
njatij Vulo Radoviçit,
kërkserdarit t'Vasoviçit,
qi me dalë me rà n'Cetinë, (225)

pa këqyrë shteg, pa këqyrun stinë:
me flut'rue si gjeraqinë,
për me u pjekë me "Gospodarin".
Njeky Vuloja Serdari
Kisht' pasë kenë nji trim i çartun: (280)

m'e pasë randë toka m'e bartun.
Pa tè prè kund s'ishte marrë,
pa fjalë t'tij ngarkue s'ishte marrë,
pague s'ishte varrë as gjak,
s'kishte vu nuse duvak, (285)

as s'isht' dà gjyqë a pleqnì.
Pse edhe Turku i Malit t'Zì
po e kisht' pasë shqipe mbi kry',
mos m'e lanë me pà me sy.
-Se edhe 'i punë, ky zogu i Shkinës, (290)

po e kisht' bà m'atë udhë t'Cetinës.
Paska marrë e shi në rrugë
Për tërthuer shtrika nji stugë,
edhe i çueka fjalë tërthores,
qi shka àsht Turk i Cernagores, (295)

mos me mujtë m'e shkapërcye,
për pa là 'i dukat për krye -
Bre! kish' kenë edhe 'i farë burri,
larg e larg me i dajtun turri.
Fëtyra e tij porsi duhia, (300)

syni i tij, tanë zjarm e shkëndia;
vet'llat trashë ngèrthye kulàr,
porsi lesh derrit bugàr;
vesh e m'vesh dega e mustakut,
si dy korba lidhë për lakut; (305)

edhe i mbrrijte kryet në trà:
burrë i atillë me sy me u pà.
Veshë e mbathë e m'armë shtërngue,
kishe thanë se àsht lè drangue.
Se këtè Knjazi fort e dote, (310)

fort e dote edhe e ndigjote;
pse edhe i urtë ai kishte ndodhë,
me ia prè mendja fort hollë.
Prandej Knjazi i çueka fjalë
Në Cetinë për ngut me dalë. (315)

Edhe Vulja bjen n'Cetinë,
pa këqyrë shteg, pa këqyrun stinë,
tue flut'rue si gjeraçinë.
N'atë Cetinë kur Vulja zbriti,
atè Knjazi mirë e priti, (320)

mirë e priti e n'odë e qiti,
i qiti duhan e kafe,
edhe nisi kështu t'bajë llafe: -
Ku jè, Vulo, eh kopilane!
Se ti ujk, po, né na u banè, (325)

ke s'po duke kah Cetina,
ku kè miq e probatina,
qi s'të ndërrojnë me sy të ballit?
Po, a kè mujtë? a kè farë hallit?
Si po t'shkon n'Vasoviq moti? (330)

Për jetë tande ! si do' Zoti,
merr e i thotë Vulo Serdari;
pse sivjet, lum "Gospodari",
nuk ka pasë toka valigë,
e ka ardhë nji kohë e ligë, (335)

sa nuk dij si ka m'iu bà,
për me pështue do rob e gjà,
pse edhe buka asht tue na lànë.
Hajt, eh qè'! Knjazi i ka thanë.
Se s'po gjenë cubi me ngranë. (340)

Se s'po gjenë skyfteri mish.
Se ti e nxjerrë korën dy fish!.
Mjaft t'i biesh ndo'i vendit prè,
se po e ban me lopë e qè,
sa me mbajtë njerztë e kujrisë, (345)

jo se mà gjindën e shpisë.
A din shka, Vulo Serdari,
ndiej shka t'thotë ty "Gospodari":
pështilli bashkë nja disa cuba:
t' idhtë si gjarpni ndër kaçuba, (350)

t'lehtë e t'shpejtë si gjeraçina:
edhe lëshoj ti kah Vranina,
për me vrà ata e për me prè,
për me djegun gur e dhè,
mbrendë tue vjedhë e tue plaçkitë, (355)

tue grabitë e tue robitë,
n'daç me natë e n'daç me ditë;
se un prandej të kam çue fjalë,
der' n'Cetinë nji herë me dalë,
pse dishka mue tash m'ka këcye, (360)

prap me Turk me u kapërthye:
prap me Turk, po, na me u vrà.
Pse edhe as hije, thom, nuk kà,
urtë ma ndejun Turk e Shkjà.
E kështu, tue ligjërue, (365)

krye më krye tue bisedue,
hollë e gjatë e ka qortue,
si me u sjellë e si me u mprue,
për m'e là Vraninën n'gjak.
E si vesht janë marrë me fjalë, (370)

Knjazi n'bukë atè e ka ndalë,
edhe falë i ka do pare;
e i ka falë nji "xheverdare",
krejt n'argjand kondakun ngrì,
mos m'e gjetë shoqja n'Mal t'Zi: (375)

m'e drashtë vjerrun në sërgjì,
jo mà n'krah të nji luftarit,
jo mà n'krah t'Vulo Serdarit,
qi isht' me brè hekur me dhambë!
Atëherë Vulja àsht çue në kambë: (380)

ka bà Knjazit "tungjatjeta",
edh' àsht nisë malit përpjeta,
udhës me mend ai tue përblue,
si Vraninën me shkretnue,
Knjazi ashtu si e kisht' qortue. (385)

 

--

Dëshmorëve

O ata t'lumtë, qi dhanë jetën,
o ata t'lumtë, qi shkrinë vehten,
qi për Mbret e vend të Parëve,
qi për erz e nderë t'Shqiptarëve
derdhën gjakun tue luftue,
porsi t'Parët u pa'n punue!
Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina,
but u kjofshin moti e stina,
ak'lli, bora e serotina:
e der' t' këndojë n'mal ndo' i Zanë,
e der' t' ketë n' detë ujë e ranë,
der' sa t'shndërisin diellë e hanë,
ata kurr mos u harrojshin,
n'kangë e n'valle por u këndojshin.
E njaj gjak, qi kanë dikue,
ban, o Zot, qi t'jesë tue velue
për m'ia xe zemrën Shqiptarit,
për kah vendi e gjuha e t'Parit!

--

Çohi të Dekun

E n'kjoftë se lypet prej s'hyjnueshmes Mni,
Qi flije t'bahet ndo'i shqyptar m'therore,
Qe, mue tek m'kini, merrni e m'bani fli
Për shqyptari, me shue çdo mni mizore. -
Oh! edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rroftë,
E nami i sajë përjetë u trashigoftë!
Po: rrnoftë Shqypnija! E porsi krypa n'Dri
E porsi krandja e that n'nji flakada,
U shoftë me arë, me farë me mal e vrri
Kushdo shqyptar, qi s'brohoritë me za,
Kushdo shqyptar, qi s'brohoritë me uzdajë:
Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i sajë!

--

Fragment i Zgjedhur

N'mos i paça mendt mbi hatull,
Mali i Zi e ka i vorr n'shpatull.
Venu shej ti fjalve t'mija,
Pse do t'vijë po lum zotnija,
Koha n't'cilën Shqyptarija,
Zojë n'vetvehte ka me dalë,
Por m'fal faj'n ti për këtë fjalë:
Mal i Zi ma s'ka me pasë,
Serbi vëlla do ta humbasë,
Pa kqyre t'drejtë paa kryre arsye,
Serbin shqype ke mbi krye.
Ka me t'lanë ky i ditë pa sy,
Thellë n'rrashte, po t'ue t'i gërrye,
Se kshtu ecte në shekull lodra,
Ulu maje e çohu kodra...

--

Kënga e Dymbëdhjetë (Marash Uçi)

Amanet un'jam t'u lanë
Me ruejtë gjanë, me kqyrun sta'n,
Armët e mbushme mos me i dhanë,
Me shokë tuej kurr mos m'u xanë,
Mos m'u xanë, as mos m'u nga
Pse n'ditë t'gushtë këta u gjinden vlla
Si me pushkë ashtu me uha.
T'huejn me fjalë mos ta poshtroni;
Bukën para, por t'ia shtroni
N'Shqiptari si a kenë zakoni:
Me i besue, mos i besoni!
Edhe n'mend kinje nji fjalë:
Zemrës s'frytë me i lanun dalë;
Fjalët për pajë kurr mos me i dalë,
Ujit turbull mos me i ra,
Mos me dalun n'va t'pa va;
Me iu ruejtun shakës turbueme,
Me iu ruejtë, po, grues së lshueme;
Vendin tuaj m'e dashtë përore,
Me ruejtë besë, mos me çartë ndore.

--

Shqipnia e Lirë

Do t'valvitet m'Kaçanik
M'Kaçanik, po, do t'valvitet
Kuq e zi Flamuri i shqyptarëvet,
Përse toka, shqyp ku flitet,
Ajo vetë asht, qi prej t'Parvet
Trashigim na e kemi pasë:
Mbrendë i huej, jo, ma s'do t'shklasë,
Posë atëherë, kur vjen për mik.
Jo, po: na sod ktu sundojm;
Ktu s'hecë fjala e tjetër kuej;
Gjall Lirin' na nuk e lshojm,
S'njohim mbret as krajl të huej.
Zoti n'qiell e na mbi tokë:
Me gjithkënd vllazën e shokë,
Por se i cilli m'cak të vet.
Prande i huej, n'andërr m'e pa
Se vjen kurr e shklet ndër ne,
Drue se keq kishte me i ra;
Pse shqyptarët kanë ba nji bè
Bè të madhe ata kanë ba:
Për Shqypni në luftë me rra,
Me rra n'luftë me krajl e mbret,
E kur bjen në luftë shqyptari
Lidhë me besë ai ndërmjet veti,
E din hasmi se aty pari
Shungullon toka e gjimon deti:
Se bijn krenat fushës s'mejdanit.

--

Burrnija

Qitë dhambët përjashta, por si lata t'prehta
Zgavërr kërrçikët e plasarit shtanguem,
Kosën pështetun përmbi kocka t'ngrehta
T'cepit t'shpulpuem,
Atje n'moje t'mjerueme t'rruzullit,
Zymtë e me i hije t'trishtueme, t'përmnershme
Lshue krahëve' i havër t'zezë, si re thellimit,
Rrin Deka e tmerrshme.
Prej avisit t'humnerëve t'zgavrueme
Kthellët në rrashtë të thatë, plot mizori,
Të hapët tërthoren e natyrës s'krijueme
Kundron në mni,
E idhtë asa' i kërcënohet. Nji t'përqethët
Acar, at botë, natyrës i shkon, n'për tejza,
Amull të cilët mbrendë ia ngurron të njethët
E jetës ndër fejza.
Me u zbe nisë rrezja shi n'krue t'vet shkëlqyeshëm
Bres dryshku njeshet, n'atë shauret mbi rrota
Së moknes s'rrokullis e boshtit rryeshëm
I vjen rreth bota.
Felgruemun njerzit nën tjara struken;
Për nën kunora pshtimin ato lypin!
Depërtojnë retë e nalt kah qiella zhduken;
N'andrra t'dheut zdrypin.
Por kot. Mizore ajo kosë t'vet ka sjellë,
Shungllon thellimi për nën kupë t'Empirit;
Gjarpër rrufeja lvitet nëpër qiell
E nën kambë të nierit.
Kthellë shpërthe gjini i tokës. Tue bulurue
Gugson vullkani zhari, flakë e shkndija;
Tallaz m'tallaz nis deti me gjimue,
Ulëron stuhia.
E para dekës, atë herë, bijnë rob e mbreta;
Shkrehen mbretni, qytet kulm rroposen;
Shuhen krenija, po, dhe shkimet jeta
Ka' ajo sjell kosën.
T'poshtrat me t'eprat vise pshtiellen n'vaj,
E mnert kah kosa cepit t'dekës të shkulet;
Kah m'kërdhokla londit kërçiku i saj
Shekulli përlulet.
Vetëm s'përkulet para Dekës njai trimi,
N'zemër t'cilit nuk randojnë punë t'liga,
E që s'e ndalë ku atë ta lypë perlimi (detyra)
As paja as friga.
Për nën mburojë t'ndërgjegjes s'vet t'kullueme;
Atje n'kufi t'Atdheut ase n'truell
T'elterit shenjtë, pa u tutë, ai dekës s'shëmtueme
I rrin kundruell.
Përpara tijë shkon moti t'uj u endun:
Vjen fati i nierit tu u terrnue pa da;
Tash mreten n'burg, tash shkartha n'fron t'përmendun
Kanë për t'u pa.
Por, ngulë ai synin n'ideal t'naltueshëm,
Si' i kep, qi vala smundet n'det m'e e lkundun,
Sido qit t'dajë ndeshtrasha e dheut t'mjerueshëm,
Ngelë n'vend pa u tundun.
Jo po: as n'flakë t'armëve nuk veton ai sye,
As buzës humnerës nuk i dridhet themra:
Sheklli, po, mbarë me pasë për t'u shpërthye
S'i ban lak zemra.
Rekton mbarë jeta për nën fyell t'kërçik'e
Të dekës s'shëmtueme, s'përmnerëshme mizore:
Vetëm BURRNIJA - një BURRNI çelike
Asaj i rrshet dore.

--

Gomari i Babatasit (metamorfoza)

Ju rrugaca sallahana
vagabonda shakllabana
rricna t'ndyet, mikrobe të kqi
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhè
der kur ju, tu tallë npër ne,
do t'na qelbi fis e atdhè?
Ah! Bre ju..nuk dij shka u kjoftë,
se tash ma jemi tue u njoftë,
se kush jini e shka jini
se kah shkoni e se kah vini
plang e shpi se kah i kini
e sa pare u ban gjaku:
se për ju, po, duhet laku,
për me u vjerrë o kund m'do i shpat!
Deri dje, pa kmishë mbi shtat,
me 'i gjysmë setre t'pa astar,
lshuemum krahve kalavar
e me 'i komçë t'njtitme nën grykë:
pantallonat me "gjyslykë"
kto edhe lidhun me nji spagë:
shtatit rreshke e ba saragë,
t'tanë gordec e berbalec
pa ndo 'i msim, pa ndonji dije,
me 'i fillore a nji iptadije,
erz e shpirt qitun nën themër:
turq a sllave a grek me zemër,
falun barkut veç Shqipnisë,
si ajo marrja e t'gjith njerzisë...
tuj u shite ju për gjithë treg,
sod na mbahi "Skandërbeg",
e ngërdhucë, goditë, limue,
rrue, qethë, pipirique,
tash n'"smoking", tash në "bon-jour"
ju, qi dje s'kishit as ushkuer
me lidhë brekët me nder me thanë
m'sahan t'huej gjithmonë me ngranë,
rrugën krejt na e keni zanë,
ke na shkoni pash e m'pash,
edhe besa me "gulash"
me "afishe" e me "sultjash",
me "kjumshtuer" e me "ashurè",
"kosha gjelash" si kubure,

"tarator", "pilaf me kos",
"mish me qepe" e "majdanos"
"shish qebap", "brizholla viçi",
"kunguj t'mbushum", "kuzuici",
"kabuni"- e "mualebi".
Barku sod ju rri ju kodër,
kargatisë e bamun lodër:
der sa ata burrat e dheut,
qi për jetë e nderë t'Atdheut
kane ra n'luftë si shqipe t'leta,
kanë shkri gja e shpija t'veta,
kanë tuj dekë rrugave unit,
me iu dhimbë gurit e drunit.
Përse, po, kta matrahulla,
kta shqiptarë, shqiptarë kah ksula,
n'vend qi ju me u vu n'konop,
a se brinjt m'jau zbru me shkop,
a, mos tjetër, me u ngushtue
me xjerrë zhuri kund m'ndo 'i prrue
për me shtrue ndo 'i rrugë të shtetit
a me dlirë ndo 'i skelë detit,
lavjerre buzësh, harru si viça
kqyrin m'ju si t'ishi ogiça,
për me u pri udhës s'qytetnisë
e me i sjellë t'marën Shqipnisë.
Ani kush, pra, me i pri kombit:
ju, do pyka bijtë prej llomit
qi "shqiptarë" vedit i thoni,
jo pse ju Shqipninë e doni,
jo pse ju ndo 'i send kuptoni
shka asht Atdheu e shka asht Liria,
shka asht Vllaznija a Parasija,
Përparimi e Qytetnia,
por veç pse ende der më sot
nji tyran s'po e gjeni dot,
nën kambë t'cillit ju me u shtrue,
se un ma tash ma jam regjë me jue,
e jau njof shpirtin der m'palc,
pleh i ndytë me u bartun n'shalc
e me u qitë jashta Shqipnije.

GJERGJ FISHTA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
VALLËZIM ME FLAKËNFragment nga romani "Salla me hijet prej letre" i PETRAQ RISTOS (10.12.2011)
SAPUNI "LEDI MAKBETH"Poezi nga ISMAIL KADARE (10.11.2011)
BARI DHE LULET ISHIN GRI, POR AROMA ISHTE E GJELBËRKatër poezi nga TOMAS TRANSTRÖMER përkthyer nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.07.2011)
NJË LIS PASQYROHET NË LOTIN E QIELLITPoezi nga MILLOSH GJERGJ NIKOLLA - MIGJENI (13 tetor 2011- 26 gusht 1938) (10.02.2011)
SE TË VAJTI JETA BRENGË E LOTLirika nga JORGO BLLACI (1938-2001) (09.30.2011)
VARGJE PËR PËRBINDSHAT E TRAZICIONITPoezi nga ELIDA BUÇPAPAJ (09.29.2011)
DUKE PRITUR KRYQËZIMIN TIMCikël poetik nga FERIDE PAPLEKA (09.22.2011)
ORANZHPoezi nga ELIDA BUÇPAPAJ (09.17.2011)
ÇDO FJALË DI DIÇKA TË RRETHIT VICIOZ Fjala e mbajtur me rastin e marrjes së çmimit Nobel nga HERTA MÃœLLER (09.13.2011)
SY TË FTOHTË KRENARË KUGUARËSH OSE UJQËRISH ME SHIKOJNË TEK ULEM DHE NGJITEMPoezi nga GARY SNYDER (09.12.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]