E Djelë, 05.05.2024, 04:46pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

NJI LULE VJESHTET

Poemë nga GJERGJ FISHTA (1971-1040)


E Enjte, 02.09.2012, 03:35pm (GMT+1)

N'atë rrahe t'dekne mbrenda vorrit t'errshem

Tash pluhën je. Ata dy sy t'janë errun,

Ku qiella prirej me sa hana e diella

Terthores s'epër m'sharte vrejn t'njerzimit!

T'janë sosun fjalët e ambla e plot urti,

E ai za t'asht kputë, i cilli bite m'zemër

Si kumbë liret t'tingllueshme, qi prej s'largut

Ndihet tue ra, kur dora e prekë e msueme!

Ehu! po; "deka, qi baras m'derë t'pellazvet

Trakllon, si m'trinë t'kolibavet," ku i vorfni

Me lot njomë bukën, ty edhe ajo ke dera

T'traklloi, e ti kalove porsi voesa

E natës kalon, kur dielli vjen me shndritun

Mbi kobe t'dheut. Sot përmbi vorr t'kanë bijtun

Hithat e madergona! 'I kryq dullijet,

Qi e përshpirtshme nji dorë ta vu te kryeni,

Ndër to ka hupë, as tjetër send trishtimin

E vorrit nuk ta zbutë, posë va'it t'trishtueshëm

Të hutit t'natës, qi nëpër curra t'malit

Dhimbshem në rreze t'hanës rrin tue gjimue! . . .

Njai grumbull gursh, qi m'vorr t'randon përsypri,

Vetë gjaksorit t'pashpirt, qi mbyti nierin,

Lugat i duken, n'hikë kah t'bjen nget vorrit,

Edhe t'përqethët atë botë i shkon n'për zemër.

Po, a thue, krejt deka n'asgjasend t'përpini

E, posë se do kocijsh edhe 'i grusht pluhen,

Nuk t'la tjetër? Jo! N'prehen t'Amëshuemit

Pjesa ma e mira e jotja ka flutrue

Me gzue n'dritë t'qiellvet, ku pushon dishiri

I nierit t'drejtë, si drita m'sy kthiellun

Po, po, se përtej vorrin shpirti i nierit

Gjallon për jetë! Njeky mendim i ambël

Deken e zbutë e vorrin ban t'pëlqyeshëm,

Kur zemrën fa'i s'e grisë. Prej ktij mendimi

As vetë per ty s'lotova shum, kur ndjeva

Se diqe: se n'ma t'mirën lule t'motit

E lae ti ketë shkreti, ku shuen e Drejta

E paudhnija, ku sundon mizore;

Ku i zhyemi m'vese sod me dorë dhunuese

Vesin shinon me Theta t'zi, e selija

M'rrashta t'përgjakshme t'njerzvet m'kambë, ku mbahet.

Ehu! po, se shpirti i yt, kulluet si rrezja

E diellit, qi përfton lulet e erandshme,

Kur bora dehet, s'mujt me e bajtë qelbsinen

E randë t'ktij sheklli t'zi; por fletët i rrahi

Kah jeta e dytë, ku Njai qi rruzullimin

N'themel e dridhë veç me 'i vetimë t'qerpikut:

Amshon n'lumni shka Atij t'i ket përgja.

S'kje toka, jo, për ty kje qiella!

E tash, qi vetë jam tue ravisë kto karta,

Ti, kushedi, n'per vrrije t'amëshueme

Shkon tue kërkue për lila e drandofille,

Qi s'dijn me u veshkë e ndreqë me ta kunora,

Për me u lulzue mandej ndër t'zjarrtat valle,

Qi nëpër vrrije rrijn tue kndue t'Parrizit:

Ku, fletët e arta bashkë kryqzue me Engjuj,

Kndon Zotit lavde n'për ylbera t'qiellit:

A, marrë krejt n't'pam t's'hyjnueshmes faqe t'Zotit,

Porsi m'pasqyrë t'kulluet skjyrton shestimin

E rruzullimit, vu prej s'eprës Mende,

E cila n't'kenun sendet thirri t'tana

Prej hijevet t'kthellueshme t'asgjasendit,

Kur bani Ajo furin me heshtë t'thellimit,

E me 'i fuqi t'pamatne prapi terrin

E pakthellimit, qi atje n't'skajshmet megje

T'ktij sheklli ndihet mnershëm tue gjimue,

Kah për ledhe plandoset t'rruzullimit,

E aty, n'atë dritë plot ambelcim dashtnijet,

Qi porsi lum i kjartë prej Atit t'Dritvet

Gjithkah dikohet nepër verë t'Parrizit,

Shpirtent e lum krejt m'rreze tu' i pershi,

T'kthiellta ti i prirë t'vërtetat, t'cillat Hyji

Desht t'muzta nierit ma ia lanun t'shkrueme

Nder fletët t'hyjnueshme t't'amëshuem Ungjillit.

Oh! sa e sa herë, kur n'mbrame shuen natyra,

E tjetër s'ndihet, veç se rryma e prronit,

Qi përmallshëm gurgllon n'per rrajë e curra

Un', lodhë mbi letra t't'dijshëmvet t'kahmotit,

Mbas t'cillvet fjalën rrij tue lmue shqyptare,

Dal në dritsore me kundrue shatorren!

Qi i Lumi t'kthielltë ia vuni rruzullimit,

E kqyri hyjt, qi, thue, se njaq sy Zotit

Flakojn mbi dhe "” kushdi, për me felgrue

Nierin, qi egrue ma fort prej mnerës s'territ

Përbluen punë t'mbrapshta: "” e atë botë mendoj për ty.

E, ku ta shoh ma t'flakshmen tue xhixhllue

Nji hyll, aty selin' un' tham me vedi,

Ti do ta kesh, e syt m'atë hyll pa da

I nguli, e m'bahet si me t'pa. Me emën

Un t'thrras atëbotë n'per terr. Nji vaj bylbylit,

Qi përmallshëm ndër gemba rrin tue kja

Fatin e vet, e ndoshta, zojt e dashtun,

Jehonë m'i bahet t'grishunit; e m'duket

Se bisedoj me ty! . . . Nuk dekka i miri,

Jo kurr; e sidomos nja', i cili ti zemër

E len mbrapa m'e ankue. Prej vorrit t'errshëm,

Gjumin e dekës ku ai ban, na i flet mendimit,

Ambel edhe na nzitë kah punët e mbara,

E n'mende tonë gjallon. "” Kur Aleksandri

Prej Bregut t'Matës ngallnjyes u kap ke vorri,

Ku shuen idhnimi i Prisit t'Mirmidonvet,

Qi atje nën She vorfnoi me aq djalë Ekuben,

Iu ndez aty flakë zemra kah lumnija.

Mbi njatë vorr, po, u betue me ngulë flamurin

N'skaj t'dheut, e prej selis' me i zhdrypun mbretent;

E atëherë përpara tij tanë bota shuejti.

Mue edhe, qi sheklli e nji dishir lirijet

T'thepisne raven m'ia kanë shtrue gjallimit,

Mue, po, edhe zemra mbi vorr tand t'përvujtun

M'ndezet kah punët e mbara e kah burrnija.

Përmbi vorr tand, po, xa të fortë me e mbajtun

Besen e dhanme "” e miqasin e zanme;

Për fe e për atme n'ball me i dalë rrezikut:

Të ligshtit dorën me ia njitë e t'fortin

Mos me e gledhue; kur t'jet me u thanë e drejta,

Mos me i shmangë syt' prej cakut, n't'cillin mendja

Dishron me u kapë, as kurr mos me u ligshtue

Ndër sa t'vishtira, qi t'na sjellin motet.

Po, po! se pre' atij vorri kam me shkepun

Hovin kah punët e mdhana. Ai kryq dullijet,

Mneren e vorrit qi ta zbutë, ai qanderr

Ka me m'kenë ndër salvimet: Engjlli i Zotit,

Qi rojës besnik fuqit t'i pruen mizore,

Gjumin e dekës në vorr mos me t'turbllue,

Der qi të shkimen n'qiellë e hana e dielli

E t'ngele moti e sheklli mbarë t'rroposet,

E t'vijë dita e gjyqit t'rruzullimit,

Ai ka për t'm'kenun zana. E atëherë pa u tutun

Zhgjetat e prehta e t'zjarrta kah me i prehun,

Ai kundra vesit do t'ia lshoj njerzimit:

Atë herë un kangët kam me i ndërtue kreshnike,

Me t'cillat botës un do t'ia la të shkrueme

Se shka viejn armët besnike n'dorë t'shqyptarit.

E me kangë t'mija 'i përmendar t'madhnueshëm

M'vorr tand kam për t'ndërtue, të cillin motit

Me fletë të ngrita kot ka për ta rrahun;

Pse, si curr, qi n'mjes t'detit rreh tallazi,

Edh' ai njashtu do t'jesë ndër gjire t'motit

Qi bumbullojn mbi faqe t'rruzullimit.

Atëherë prej bjeshkvet kanë me u djergun zanat

E me të njoma vjollca e drandofille

Vorrin kanë me t'vallue, e kanë me rritun

Me shum kujdes për qark selvija t'blerta;

E shtektarit mundqar, qi n'ato hije

Ka me xanë vend, me ndalë pak gja t'dihamet,

Kanë me i kallzue se sa pjesë qiellet vrani

Deka n'atë vorr. E atë botë i largë shtektari

Të lehtë dhen ka me t'urue, e t'paqta e t'buta

Shinat e borën: e, kur n'male t'veta

T'dredhojë ke stani, fmis' ka me i kallzue

Shka ndjeu për ty. E fmija e tij aso bote

Emnin tand kanë për t'kndue, e vrrini e bjeshka

Gjithmonë i ri, tue njehë furit e mnershme,

Ambël prej emnit tand kanë me jehue.

Me majë t'briskut kanë me shkrue mbi lisa

Me shkrola t'njohtne veç e prej barivet:

Kanë me u rritë lisat, përse spata as reja

S'e prekin tanden, ku asht ravisë aj emën:

E tu'u rritë lisat kanë me u rritun shkrolat;

E kshtu ma t'kjarta mbas disa qindvjetve

Nipat ma t'vonët me i këndue, e emni

Sa t'bjerë dielli tokës ka me t'u kndue.

GJERGJ FISHTA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KËNGA E SPRASME E BALËSPoemë nga GAVRIL DARA I RIU (1826-1885) (02.09.2012)
VEÇ PËR TY ME ZOTIN FLASPoezi të zgjedhura nga ALI ASLLANI (1884-10966) (02.06.2012)
SE ASGJË NUK VLEJNË MOTET SA VLEN ÇASTI MAGJISTARPoezi të zgjedhura nga ALEKSANDËR STAVRE DRENOVA - ASDRENI (1872-1947) (02.04.2012)
PERËNDI NË KËTE JETË ËSHTË DASHURIA VETËPoezi të zgjedhura nga ANDON ZAKO ÇAJUPI (1866-1930) (02.02.2012)
ANDEJ GJITHNJË AKULL KËNDEJ GJITHNJË ZJARRPoezi të zgjedhura nga JUSUF GËRVALLA (1945-1982) (01.27.2012)
KOMEDITË NË SIRTAR TË HEKURAN ZHITITNga MEXHIT PRENÇI (01.21.2012)
PËRKTHIMI NË ANGLISHT I KADARESËNga DAVID BELLOS, Observer (01.18.2012)
RONITJA E PEMËVE TË THATA FILLON NGA MAJAEse nga THANI NAQO (01.14.2012)
MË E RËNDËSISHMJA NUK DO TË THUHET KURRËCikël poetik nga ANTON PAPLEKA (01.11.2012)
NË 70 VJETORIN E LINDJES FLET SHKRIMTARI I MIRËNJOHUR SAZAN GOLIKU"JU TREGOJ UDHËTIMIN TIM ME LETËRSINË"Intervistoi DRILONA NOKSHIQI (01.08.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lart]