VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - SUPERTITANIKUProzë nga QERIM SKËNDERAJ

                                                                                      

E Hënë, 04.29.2024, 05:16pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
SUPERTITANIKU
Prozë nga QERIM SKËNDERAJ

E Enjte, 09.11.2014, 02:39pm (GMT+1)


Ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeç kur i thanë se në kinema shfaqej "Titaniku". Së bashku me një shok të klasës nxitoi për atje. Siguruan biletat dhe u futën në hollin e kinemasë. Pasi u hodhën një sy të shpejtë reklamave, u sistemuan në vendet e tyre që gjendeshin diku nga mesi i sallës. Sinjali i fikjes së dritave i kujtoi se do të fillonte filmi. Ia ngulën sytë ekranit. Disa fusha të mbjella me pambuk dhe zëri patetik i spikerit e mbushën bezen e bardhë me një dokumentar për "arritjet e larta në bujqësinë socialiste".
"Obobo, kush pret edhe 20 minuta", i pëshpëriti Iliri shokut në krah.

Në moshën e tyre zor se mund të gjeje ndonjë burim informazioni për "Titanikun", kështuqë të dy i kishte mbërthyer një kuriozitet i madh. Si do të ishte anija gjigande që kishte përfunduar në fund të oqeanit?

Perfundimi i dokumentarit dhe shfaqja me shkronja të mëdha TITANIC, vendosi qetësi të plotë. Me sa dukej, në sallë kishin ardhur më të dhimbsurit e ngjarjes titanike. Por mund të thuhej dhe ndryshe. Vetë ngjarja prodhonte të tillë dhimbje, sa mund të shkrinte edhe zemrat e ndërtuara prej "guri".

Iliri doli nga kinemaja i veshur kokë e këmbë me ngjarjen tragjike. Në trurin e tij të ri, por të etur për të mësuar gjëra me vlerë, Titaniku zuri një hapsirë të konsiderueshme. Natyrisht, një tragjedi e atyre përmasave linte gjurmë në ndërgjegjen e çdo njeriu dhe do të largohej andej, kur ky të largohej nga jeta. Por tek Iliri nuk ishte vetëm ana tragjike që do ta mbante ngërthyer fortë pas ngjarjes.

Fantazia e tij kurioze për të dalë nga kufijtë e shtetit të izoluar, dalloi edhe plotë gjëra të tjera tek ai film. Me kalimin e viteve, kur të bëhej më i pjekur e më i ndërgjegjshëm për ato që mësonte, do ti rikthehej sa e sa herë "Titanikut" të famshëm. Më vonë do të kuptonte se nuk kishte parë thjeshtë një film që përfundoi në tragjedinë më të tmerrshme detare deri në atë kohë. Në përmbajtjen e atij filmi zbuloi, ose më mirë konkretizoi shumë gjëra të tjera që librat e sidomos propaganda ia kishte deformuar deri në shëmti.

Shteti, të cilit i përkiste, nga propaganda zyrtare, cilësohej si një shoqëri pa klasa. Ose, siç konkretizohej në sloganet e përditshme, përbëhej nga dy klasa mike, (puntorët dhe fshatarët) si dhe nga shtresa e inteligjencës. Iliri shpesh ngatërrohej me këtë përkufizim, nuk e gjente të saktë në realitetin që shikonte. Ai ishte dakord me pjesën e parë të emërtimit si një shoqëri pa klasa. Përderisa të gjithë jetonin në të njëjtën mizerje, nuk mund të bëhej fare fjalë për dallime klasore. Dallimi ishte tjetër. Ndarja në qytetarë dhe fshatarë. Këtu po, kishte një dallin që ai e kishte vënë re. Qytetarët vishnin këpucë, fshatarët opinga. Të parët hanin bukë gruri, të dytët misri. Por duke qënë se fshatarët zinin tetëdhjetë përqind të popullsisë, shteti i tyre mund të emërtohej pa asnjë lloj dyshimi si shoqëri fshatare. Edhe Iliri andej kishte ardhur në kryeqytet, nga fshati.

Për herë të parë klasat e vërteta të një shoqërie i pa tek "Titaniku". Atje po. Ishin ndarë në kate sipas pasurisë dhe rendësisë: Aristokratët, kapitalistët, puntorët. Kurrë më parë nuk kishte parë një ndarje të tillë të dallueshme, përveçse në librat perëndimorë. Klasin e çdo klase e tregonte klasi i njerzve. Ndërsa klasin e shoqërisë e tregonte ajo anije, që Iliri e identifikonte me shtetin që e kishte ndërtuar. Ishte për këtë arsye që imazhet e saj nuk i shqiteshin nga mendja. Në to shihte një copëz "Perëndim" që ia kishin mohuar.
Gjithçka që i dha ekrani i vogël i kinemasë mori përmasat e një bote të tërë të panjohur më parë. Një botë krejt tjetër nga ajo që i servirte masmedia e vendit të tij. Nuk ishte thjeshtë luksi i anijes apo i veshjeve të njerzve ato që e befasuan. Mbi to qëndronte sjellja e tyre, paraqitja gjatë njohjeve të reja, lëvizjet, mënyra e të ngrënit, respekti ndaj femrës, orkestra, vallëzimi. Dalloi diçka magjike në të gjitha këto. Diçka jashtzakonisht qytetare që të ndan si me thikë nga prapambetja, nga vendet provinciale të paemancipuara. Të gjithë këta elementë i mungonin vendit të tij. Koha kalonte, ai rritej dhe nuk po dallonte asnjë prej tyre në rrethin e njerzve të qytetit. Prandaj i ishte fiksuar transoqeaniku i famshëm me të gjithë shkëlqimin e tij marramendës.

Vitet e moshës nuk e zbehën "Titanikun" në trurin e Ilirit. Ai rrinte atje si një gjë që nuk harrohet, që herë pas here të zgjon dëshirën për ta kujtuar, për tu marrë me të, për të mbushur fantazinë me atë që të mungon. Kur muri u rrëzua dhe shteti i "humbi" kufijtë e izolimit të verbër, Iliri ishte në kulmin e pjekurisë. Sapo kishte kaluar të dyzetat. Nuk kishte moshë për aventura, për t'i rënë detit "me pashë" të mbrrinte në "tokën e premtuar". As që i shkonte mendja të rrezikonte në udhëtme klandestinësh ku vdekja të kërcënonte në çdo hap. Si njeri që i bindej ligjit, e mori punën shtruar. Pasi siguroi gjithëçka të nevojshme për një leje disamuajore në vendet e Perëndimit, u nis. Ishte udhëtimi i parë që bënte jashtë kufijëve. Avioni i linjës ajrore Shqipëri Itali e ndali në Romë.

Eh...Roma! Kishte lexuar shumë për të, kishte dëgjuar shumë, por ishte gjë tjetër ta shihje. Një mpleksje historish e bukurish të shkëpusin nga realiteti e të çojnë në një botë luftrash dhe arti, ku arritjet e njeriut të magjepsin. Të magjepsin me dashuri e dhimbje, me lumturi e vuajtje. Iliri lexoi bukur të pashkruarën, dhe pa me sytë e mendjes të padukshmen. Ndërsa klasat e "Titanikut" të ndara në kate sipas pasurisë, ishin evidente në çdo rrugë, në çdo shesh, në çdo restorant, në çdo hotel.Vetë Roma ishte një muzé i jetës njerzore ku ishin stampuar të gjitha shtresat. Brënda Koloseut dhe Vatikanit ishte regjistruar gjithë historia e vjetër dhe e re e një populli të lashtë me gjurmë të thella në qytetrimin europian.

E la Romën një ditë pranvere dhe e shtyu udhëtimin drejt perëndimit. Përballë i doli Parisi. Ky qytet nuk e kishte lënë asnjëherë të qetë edhe atëhere kur mendonte se nuk do të arrinte kurr ta shihte me sy. E kishte "shqetësuar" me Muzeun e Luvrit me Kullën Ejfel, me Harkun e Triumfit, me "Notre-Dame de Paris" të Viktor Hygoit etj. Eh çfarë qyteti! Çfarë shkëlqimi. I mbështetur në kangjellat e ballkonit më të lartë të kullës së famshme, sodiste një mrekulli të paparë. Një simetri gjeometrike të përsosur, një bukuri arkitektonike të pashoqe, një natyrë ngjyrash të paarritshme. Iu duk sikur fluturonte mbi to si mbi një parajsë toksore. Njerzit që shikonte përreth ishin domethënia më e saktë e parmbajtjes së fjalëve "zonjë" dhe "zotëri".

Nga Parisi u spostua në Berlin. Në Berlinin e murit te ndarjes. Në Berlinin e murit të rrëzuar. Në Berlinin e ndarjes dhe bashkimit të dy botëve. Edhe aty shkëlqim. Një shkëlqim i bukur që tenton të zbardhë errësirën e përbotshme shkaktuar nga shqiponja e zezë me kryqin e thyer në kthetra. Dhe ia ka dalë. Errësira nuk duket më, por hija e saj është aty. Davaritet nëpër dritë si diçka që nuk fshihet lehtë nga memorja e popujve. Por ka një gjë tjetër që ta rrëmben vëmendjen: disiplina e hekurt, rregulli shembëllorë dhe një ligj që nuk fal. Të tria këto ia kanë zbardhur faqen Berlinit, e kanë kthyer në simbol të ndërtimit funksional të një shteti.

Iliri po shijonte i dehur bukuritë e "Perëndimit". Po i shihte me sy, po i prekte me dorë, po i jetonte magjishëm e nuk ngopej së pari e mësuari për "çuditë" e dritës "që lind ku perëndon". Nga Berlini iu drejtua Londrës, kryeqytetit mbretëror me "oborrin" më të bukur në botë. Kur u gjend pran kullës së sahatit "Big-Ben", iu duk si të ishte në bashin e "Titanikut", në gabinën e drejtimit të tij. Mjegulla e dendur nuk ia kufizoi aspak vështrimin për të lexuar një "Supertitanik" që niste nga Londra e përfundonte në Romë. Në udhëtimin e tij të gjatë, ai kishte ecur mbi këtë anije luksoze. Kishte hipur në Romë, ku ishte fundi i anijes së famshme, kishte kaluar në Paris e Berlin ku ishte mesi vezullues i saj dhe kishte mbrritur në Londër, në kullën e ndërtimit dhe drejtimit të transoqeanikut. I rrëmbyer nga ato që pa gjatë udhëtimit po ndërtonte me mendje "Supertitanikun" real mbi të cilin lundronte Europa Perëndimore. Në imagjinatën e tij mori përmasa një lundrues gjigand me tre kate. Në çdo kat ishte vendosur popullsia e vendeve të ndryshme ndarë në klasa sipas nivelit ekonomik. Në katin e parë qëndronte Italia, Spanja dhe Portugalia. Në katin e dytë Franca, Gjermania, Zvicra, Belgjika dhe Hollanda. Në katin e tretë Anglia së bashku me vendet e veriut perëndimor si Danimarka etj.

Ishte e para herë që Iliri i dha kuptim përmbajtjes së emrit të vetë. I mahnitur nga ajo që shihte, po i prishej mendja të mos rikthehej në atdhe. Një mik i tij, sistemuar familjarisht në Paris, mori përsiper të gjitha përgjegjesitë për ta bërë me dokumenta franceze. Kur gjithçka përfundoi me sukses u ndje i lirë për të punuar e jetuar në qytetin e ëndrrave të rinisë. Pas 20 vjet punë e përpjekje ia doli të siguronte një vend në katin e parë të "Supertitanikut". Atje vuri re, se në këto vite, ishin futur shumë qytetar të gjysmës tjetër të kontinentit. Të gjithë vinin nga vendet e lindjes europiane. Shtyheshin fuqishëm për të siguruar një vend, qoftë edhe të ngushtë, gjithmonë brenda hapsirës së katit të parë. Kjo bëri që qytetarët italian dhe spanjoll të ngjisheshin në një kat më lart dhe një pjesë e atyre të këtij kati, të sistemoheshin në katin e tretë ku ishin anglezët, danezët etj. Gjithsesi në të dy katet e larta qëndrimi ishte shumë më i lirë se në të parin ku vazhdonte hyrja pa u ndalur.

"Supertitaniku" ështe vendosur në port, gati për t'u nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të prekur ëndrrën amerikane. Do të ndjekë të njëjtën linjë dhe të njëjtin drejtim që ndoqi para një shekulli kur u përplas në mënyrë fatale me ajzbergun kryeneç. Teknikisht transoqeaniku i ri është shumë modern dhe nuk rrezikohet nga asnjë fatkeqësi natyrore. Nuk mund ta përmbysin as dallgët e furtunave më të forta, e s'mund ta çajnë as ajzbergët e permasava gjigande. Ai vetë është një supergjigand që i sfidon me lehtësi të dyja. Rrezik mbetet vetem një: fundosja nga mbingarkesa e pasagjerëve. Është parashikuar për të trasportuar vetëm gjysmën e kontinentit. Tani do të nis lundrimin me katin e parë nën ujë nga mbipesha. Ka ndezur motorrët. Ndërkohë ka lindur një polemikë midis konstruktorve. Një pjesë shpreh dyshimin se ngakesa e dyfishtë mund ta zhytë drejtë thellësisë duke pësuar fatin e të parit. Të tjerët, e shohin me indiferentizëm këtë gjykim. Kostruksioni i supergjigandit e ka parashikuar atë. Nëse kalohet limiti i thellësisë së fudosjes, automatikisht hapen dy portat e mëdha të katit të parë. Bëhet shkarkimi i mbingarkesës dhe rimbyllen përsëri në mënyrë automatike. Pra supergjigandi do të mbrrij në SHBA, por pa ngarkesën e katit të parë. U takon pasagjerëve të këtij kati të zgjedhin...


Firenze 2005

QERIM SKËNDERAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SHKRIMTARI XHAVIT KRYEZIUEse nga libri në dorëshkrim, „Një jetë domëthënëse“ kushtuar intelektualëve të RoganësNga RRUSTEM GECI (09.10.2014)
SI KUDOPoezi nga FASLLI HALITI (09.10.2014)
INTERVISTË ME PROFESOR DOKTORE KLARA KODRANga ALBERT ZHOLI (09.10.2014)
JAM KRENARE - JAM SHQIPTARE!Poezi nga ERIOLA MARGJEKA (09.09.2014)
S'KA SI LOJA E BUZËVECikël poetik nga FASLLI HALITI (09.08.2014)
NJË FUNDVERE I TRISHTËNga ALEKO LIKAJ (09.06.2014)
SYTËProzë nga DRITA LUSHI (09.06.2014)
FRIKA E 'SHPËRBËRJES'Prozë nga QERIM SKËNDERAJ (09.04.2014)
ËNDRRAT E NDEZURA NË PRITË NA RRINË...Cikël poetik nga QAZIM SHEHU (09.04.2014)
'SHAKAXHIU'Tregim nga PËRPARIM HYSI (09.02.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]