VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - GJARPËR NË GJI…Tregim nga QAZIM D. SHEHU

                                                                                      

E Premte, 04.26.2024, 04:10am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
GJARPËR NË GJI…
Tregim nga QAZIM D. SHEHU

E Premte, 09.26.2014, 10:58am (GMT+1)


Ajo hapi derën dhe para meje u shfaq një vajzë e gjatë. Hutimi që ndjeva atë çast duke më dhënë një pafuqi vlerësimi për momentin, më cyti ndjesinë se ajo ishte më e gjatë se ç`duhej. Ishte një ndjesi që provohet pasi rrimë kohshëm në errësirë, e kur dalim në diell, papritur sytë na lbyren, duke dashur minuta për të rimarrë veten. Flokët e saj m`u dukën si të mbushura me ajër, ndërsa lëkura e bardhë e pahitur nga agimet boreale  sikur bëhej një me sytë e kaltër, shprehës, sy pakëz të zmadhuar, unikë. E mbi të gjitha gjinjtë e mëdhenj, gjysmë e më tepër zbuluar, që jepnin përshtypjen sikur sfumonin gjithçka, brenda asaj lartësie estetike. Në qafën e saj varej një zinxhir i trupëzuar, me lakadredha, në formën dhe imazhin e gjarprit. Sugjestioni qe i fortë, sa gati m`u duk një gjarpër i vërtetë, po shpejt e mblodha veten. Mbase vajza nga ky gjarpër siguronte mbrojtjen nga syri i keq, ose paprekshmërinë e saj. Gjarpri e kishte futur koken midis gjinjve të saj, hidhte helm aty, apo thithte nektar, ketë s`munda ta perceptoj si duhet. Veçse ky mendim më dha paturpësinë ti ngul sytë në vijën magjike që ndan dy rruzuj të ëmbël, të ngrohtë dhe tejtronditës. Nganjëherë mosha diferencuese njejtësohet, kur tromaksemi para bukurive të tilla. Por duke menduar se mos gjarpri merrte forcë nga aty, për një moment braktiste gjithçka dhe turrej drejt meje, me një pezmatim të lehtë i ula sytë përdhe, si i zënë në faj. Kur i ngrita sërish, pashë se gjarpri rrinte aty, i qetë, i patrazuar, pinte bardhësi me të cilën s`kish të ngopur. Në atë përqafim të mistershëm, vajza, siç mendova, duhej të ndjehej mirë, mbase ndjenjat e saj të njelmëta duhej të kishin nevojë për tmerrin që shkakton ky imazh.

Kam parë gjithnjë gjatë muajit maj, vajza, gra me moshë mesatare, plaka të vlugta, që nxjerrin me krenari pranverore format e trupit, duke e rënduar qafën dhe gushën me lloj lloj zinxhirësh, duke u kujtuar kufirin e artë të një lirie të lejuar, por një varësegjarpër të tillë s`kam parë, që të imitojë në një perfeksion mobil gjarprin e vërtetë. Kureshtimi im nga gjarpërinjtë gjithnjë zgjerohet në kufijtë e një tmerri. Fishkëllima e tyre nëpër zhurishte apo trumza, inati që ndjenin kur në hurdhat e ujit nuk gjenin bretkosa, lënia e lëkurës nëpër ferra, vijnë si një imazh trallisës që nga fëmijëria, nuk mësohem dot me këtë gjarpër formal që është futur midis gjinjve në një qetësi absolute, i pashqetësuar në verbërinë e vet joshëse.

Kur vajza më pyeti ç`kërkoja, unë kisha harruar, ndaj i lypa asaj një minutë kohë të mblidhja veten se vija nga një rrugë e gjatë. Ajo më tregoi një kolltuk, ku mund të ulesha e të qetësohesha, për këtë nuk harrova t`i shpreh një falenderim të lehtë, si të vetmen elegancë që kish mundur të plasariste murin e paturpësisë sime. Vajza lëvizi pak trupin sikur gjarpri ta kishte pickuar, trokiti takat si gozhdë që donin të mbërthenin vetminë dhe hutimin tim, pastaj u thith nga një koridor i gjatë, ngjeshur me një trysni të ftohtë, neutrale, që vinte nga autoriteti i panatyrshëm i zyrave serioze.

Në kolltukun shpëtimtar vrisja mendjen pse vajza u tregua aq e sjellshme, e sakaq u kujtova se duhej të takoja Inën, një ish të vluarën time që nga koha kur ishim studentë. Nga koridori vërshonte një qetësi e thellë,e unë po shpëtoja nga ngufosja pak nga pak, ndonëse e ndieja veten si në një kllapë përpise. Po Ina çfarë do të ketë vënë në qafën e saj? Në ato kohë qafa e saj i ngjante një tubi të hollë qelqi që mund të thyhej nga çasti në çast. I përsërisja vazhdimisht një poezi spanjolle: Gusha jote vajzë, është aq e bukur, hijeshi, sa duket nëpër të uji që ti pi... Ky varg i pëlqeu shumë, por pas ca kohe ato bënë një efekt të kundërt. Ina filloi të mbulojë gushën me rruaza të ndryshme, pispillosja dhe irealiteti kozmetik mbase qenë shkaku që e larguan nga unë, ndoshta pse dikush tjetër mund t`ia kishte pëlqyer më shumë këtë.

Papritur vajza doli. Por ajo nuk e kishte më gjarprin rreth qafës. Ajri i flokëve kishte ikur ndërsa sytë e kaltër ishin nuancur në gri. Vajza kishte veshur një jelek tjetër, me një prerje rrethore deri në fyt, gjarpri ose ishte mbuluar, ose ishte mbyllur diku në ndonjë sirtar. I drejtoi syte nga unë sikur unë të isha fajtor për këtë, po shpejt e ktheu kokën në anën tjetër me një egërsim të panevojshëm i cili vinte nga fakti se gjysmënudizmi i saj ishte zhdukur për shkakun tim.

Më pëlqente të mendoja se vajza e kishte ndjerë adhurimin tim dhe kaq. Dhe sapo besoj, e kuptova këtë, e pyeta për Inën. Njoh një Inë, tha ajo, po ju kush jeni? I tregova emrin tim, ajo rrudhi buzët dhe shkoi sërish në koridor. Mbase do t`i fliste Inës se aty në koridor ndodhet një hutaq i estetikës verbuese, një njeri që këndellet shpejt nga bukuritë.

Ndryshe nga sa kisha menduar vajza erdhi shpejt, për çudi bëri sikur s`më pa, hyri në një derë përballë, duke u përkulur pak. Në atë çat dhoma m`u duk me syrin e ciklopit Polifem që gëlltit shokët e Odisesë. Sikur të isha unë dele dhe ajo vajza të futej poshtë meje. Mendime budallaqe, mërmërita me vete, duke menduar se përqasje të tilla s`hynin aspak në këtë situatë.

Vajza vonohej, unë po mendoja për të, jo aq për bukurinë e saj sa për faktin se ajo s`më tha gjë për Inën. Papritur vajza doli. I hodha një vështrim horizontal. M`u duk tjetërsoj, flokëshprishur, jelekun e kishte zbërthyer, gjoksi i bardhë ndriste si i vrarë. Me siguri kishte ndodhur diçka. Fustanin e kishte me rrudha dhe mua mu duk sikur ishte lagur.

Më falni, e pyeta, ju s`më thatë gjë për Inën... Zotëri, ajo Inë që kërkoni nuk është më. Dhe i dha trupit një vrik të menjëhershëm po nga xhepi i jelekut gjarpri ra në dysheme. M`u duk si gjarpër i ndonjë hipnotizuesi, ose një gjarpër i ngordhur nga inati i vetvetes, se s`kish mundur të ruante asgjë...

QAZIM D. SHEHU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
POEZI NGA JOHN KEATSI përktheu: FASLLI HALITI (09.26.2014)
PSEUDOBLEPSICikël poetik nga ALI M. LAJÇI (09.25.2014)
30 POEZI TË RRUSTEM GECIT - TË ZGJEDHURA NGA LIBRAT 'KANUNI POETIK' DHE 'HEROIKA' (09.25.2014)
CËRRIKU I KIN DUSHITTregim nga ALEKO LIKAJ (09.24.2014)
PO UNË JAM ÇAM, MËSUES!Tregim nga NAMIK SELMANI (09.24.2014)
POEZI TË ZGJEDHURA NGA GIORGIO CAPRONI DHE FRANCO FORTINIPërktheu: FASLLI HALITI (09.23.2014)
TAKIM ME NJË TË VDEKUR*Tregim nga PËRPARIM HYSI (09.23.2014)
Lexim i pesë veprave me poezi të Daut Maliqit, nga Dardana AJRGJAKU I TOKËS SIMEEsé nga RRUSTEM GECI (09.23.2014)
DY POETË, DY POEZIPërkthime nga FASLI HALITI (09.22.2014)
Figura shkrimtarësh të njohur REXHEP HOXHA, KLASIKU I LETËRSISËNga RRUSTEM GECI (09.22.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]