E Premte, 05.10.2024, 10:09am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
HISTORIA E SHALUAR NGA HIJA
Cikël poetik nga ANTON PAPLEKA

E Premte, 12.05.2014, 11:14pm (GMT+1)

 
NË LABIRINTIN E POEMËS

Atë ditë që hyra në labirintin e Poemës
Nuk e dija se aty brenda
Më kishte zënë pritë Minotauri
Kam vite që udhëtoj
Pa mundur ta gjej derën për të dalë së andejmi

As Minotaurin nuk e kam takuar ballë për ballë
Vetëm ia kam dëgjuar nga larg
Bulurimat e llahtarshme...

Më kot ëndërrova
Më kot prita
Të takoja Arianën
Që do të më jepte fillin shpëtimtar

Tashti jam i bindur
Se jetën do ta ngrys
Duke u vërtitur në labirintin e Poemës

Tingujt e fundit që do të dëgjoj
Do të jenë bulurimat e llahtarshme të Minotaurit
Që përplasen pas mureve...

PËRRALLË PËR VIJËN DHE PËR HIJEN

Vija, vija
Ku të përgjon hija

Hija e tokës
Të godet prapa kokës

Agsholit i pushoi zemra
Mbeti i varur si kufoma e të arratisurit
Në telat me gjemba...

Nuk përgjigjet as vija, as hija
Tokën e kokën i rrëmbeu mëmëlubia

Në hullitë e kujtesës djalli mbjell
Farë ëndrrash të këqija

Rreth plepit plim me harabela
Tërhuzen e hingëllijnë njëqind pela

Vija të thyera
Ku ngecën shpresat e fyera
Lulëkuqet e shqyera

Vija, vija
Shina të ndryshkura ku rrokulliset historia

Historia
E shaluar nga hija
Natë e ditë çukërmon te vija...

HIJA E NJË ZOGU

Më rrëshqet mbi fytyrë hija e një zogu
Që gjakon të m'i çukitë sytë

Nuk ia dal mbanë ta përzë këtë zog
Që quhet kohë

Njëra flatër e tij është prej flake
Flatra tjetër e tij është prej hiri

Nuk e di si të shpëtoj nga hija e tij
Nga sqepi i tij i përgjakur

Krrokamat e tij mbushin heshtjen
Në bjeshkë e në vërri

Dielli nuk pranon të më falë një rreze
Për t'ia ngulur si shigjetë në zemër

Më rrëshqet mbi fytyrë hija e një zogu
Që të m'i çukitë sytë...

KRIMI I BERTOLT BREHTIT

Një natë prej netësh
Për shkak të pagjumësisë
Ose për shkak të asaj dehjeje që quhet frymëzim
Dramaturgut gjerman Bertolt Brehti
Iu duk vetja taumaturg
Dhe nga mendja e tij sajoi një përbindësh
Që e pagëzoi Arturo Ui

Së pari ky përbindësh i urryer
U hodh në sulm dhe pushtoi teatrot
Kudo nëpër botë
Duke korrur duartrorkitje të pafundme
Për vete dhe për babanë e tij
Dramaturgun gjerman Bertolt Brehti

I pakënaqur nga sukseset që arriti
Arturo Ui braktisi librat ku banonte
Braktisi edhe skenat e teatrove
Dhe zbriti në botën reale
Ku solli në jetë bij dhe nipër

Pasardhësit e Arturo Ui-së
Kolonizuan mbarë botën
Themeluan parti politike
Fituan fushatat e zgjedhjeve
U kurorëzuan kryeministra, presidentë
U adhuruan si zota nga turmat e fanatizuara
Madje ata shkruan libra si stërgjyshi i tyre
Dramaturgu gjerman Bertolt Brehti

Popujt e shtypur nga tirania e llahtarshme
E pjellës së urryer të Arturo Ui-së
E mallkuan nga zemra
Atë krimimel që u bë taumaturg
Dramaturgun gjerman Bertolt Brehti
Që solli në jetë këtë murtajë të zezë
E cila bëri kërdi në planetin tonë...

Për fat të keq
Ky lloj përbindëshi nuk rrezikohet të shfaroset!

VDEKJA ËSHTË PIKËRISHT KJO GJË

Në tryezën time gjeta një zarf
Ku ishte shkruar adresa e një poeti
Të vdekur disa muaj më parë
Dhe unë thashë me vete
Se vdekja është pikërisht kjo gjë:
Adresa e një miku të vdekur
Të cilit nuk mund t'i shkruash më

Ti nuk mund t'i çosh askund
Kartolina
Mesazhe të gjata, të shkurtra apo të koduara...

As me avionë
As me postë elektronike
As me ëndrra paralajmëruese
Asnjë nga mesazhet e tua
Nuk do të mbërrijë tek i vdekuri
Komunikimi me të është po aq i pamundur
Sa me një galaktikë të largët në qiell

Vdekja e një njeriu është pikërisht kjo gjë:
Gjasmimi i Atlantidës që u fundos
Në humbëtirat e detit!

MUND TË NDODHË SI NË ËNDRRA

E bukura syrin si yll
Kur e çel e kur e mbyll
Si hëna që ndrit në pyll...

(Nga një lirikë shqiptare)

Mund të ndodhë si në ëndrra
Të takosh një yll në rrugë
Ti mund t'i thuash : Mirëdita!
Si një kalimtari që e ke njohur diku
Dhe për çudinë tënde ylli mund të buzëqeshë

Mund të ndodhë si në ëndrra
T'i mbushësh sytë me vezullimin e një ylli
Dhe ta ndiesh veten sikur ke pirë
Disa gllënjka verë rituale
Në kupën e kaltër të qiellit të natës

Mund të ndodhë si në ëndrra
Të soditësh një yll që ndrit
Dhe të vësh re se rrezet e tij
Janë qerpikët e syve që i çel e i mbyll
E bukura me emër ylli

Mund të ndodhë si në ëndrra
Të takosh një yll në një rrugë
Dhe falë këtij takimi të pandehësh
E në vend të një rruge të zakonshme
Ti ecën në kalldrëmin e Udhës së Qumështit...

SYTË E TU

Yjtë më të mëdhenj më vështrojnë me sytë e tu.
- Pablo Neruda

Duke parë sytë e tu, them me vete
Se sy të tillë janë yje që kanë zbritur
Nga qielli i kaltër
Për të zënë vend në fytyrën tënde

Sytë e tu janë dy burime
Ku dita vjen të pijë
Për të shtuar dritën e saj

Duke parë sytë e tu, mendoj me drithërimë
Se po t'i mungonin këto ninëza të ndritshme
Kjo botë e zymtë, e mbuluar nga smogu
Do të ishte humbëtirë e errët
Natë dimri pa hënë e pa yje...

Por ja ku i hapin qepallat
Sytë e tu që qeshin
Dhe bota i ngjan horizontit në ag
I ngjan qiellit në muzg
Kur ia behin yjtë e parë

Dita është më shumë ditë
Nata nuk mund të jetë plotësisht natë
Aty ku qeshin sytë e tu
Binjakë të yjve që ndizen në qiellin e paanë..

SIMPLEGADET E MIA

Malet e larta
Rreth luginës ku kam lindur
Ishin Simplegadet e mia

Më vonë
Ato male të larta që preknin qiellin
I kam ngatërruar në fantazinë time prej fëmije
Me malet magjike të përrallave
Që hapeshin e mbylleshin vetëtimthi

Duke kaluar nëpër qafat e atyre maleve
Duke u larguar nga lugina ku kam lindur
Nuk e gjeta dot Bashkën e Artë
Dhe brigjet e Kolkidës
U zhdukën para meje si brigje ëndrrash...

Jam i trishtuar
Që nuk munda ta shtie në dorë Bashkën e Artë
Po kam një besim të patundur
Se edhe më i trishtuar do të isha
Po të mos kisha kaluar përtej Simplegadeve të mia:
Malet e larta rreth luginës ku kam lindur
ANTON PAPLEKA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MUSTAFA GREBLLESHI E MALLI PËR TIRANËN (12.05.2014)
ME KRIJUE NË SHQIPNI NJI RRYMË JETE SHPIRTNORENga At ANTON HARAPI (12.05.2014)
ISMAIL KADARE - HISTORIA E VERTETE E RAMIZE GJEBRESE (12.04.2014)
VENDI I SHQIPONJAVEProzë nga QERIM SKËNDERAJ (12.03.2014)
POGANIKUKujtimit të Orhan Jaupllarit*Tregim nga PËRPARIM HYSI (12.03.2014)
LUIGJI LOREKIO DHE DE RADA, PËRKTHIMI I PARË NË SHQIP I DANTESNga MOIKOM ZEQO (12.02.2014)
MUZG NË MALEPoezi të reja nga QAZIM D. SHEHU (12.02.2014)
DËGJOVA NJË ZË NË ZËMËRCikël poetik nga PANO TAÇI (12.02.2014)
JAM FUNDOSUR NË ËNDRRËN TIMEADEM ZAPLLUZHA, Katër poezi nga libri “Mbi flokët e ullukëve" (12.01.2014)
VESHUR ME TRILLIN E POETIKËS SË VARGUTPër librin”Zhveshur” të Sinan KërpaçitNga QAZIM D.SHEHU (12.01.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lart]