VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Një nga librat më të bukur të poezisë shqipeNga Qazim D. Shehu

                                                                                      

E Djelë, 05.05.2024, 12:43am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

Një nga librat më të bukur të poezisë shqipe

Nga Qazim D. Shehu


E Hënë, 01.11.2010, 11:12am (GMT+1)

 

  

Skënder Buçpapaj, ashtu si Martin Camaj, është një  poet i rëndësishëm  i letërsisë shqipe, si ai  merguar në Europë dhe rikijuar Atdheun përmes metaforash të dhimbjes.  Atje ai  e tjerr këtë kulturë  duke rritur shtatin e veprës së vet, me  një emancipim të vetëdijshem e  modern të verbit poetik. Po ashtu si Martin Camaj, Buçpapaj është poeti që nuk e harron  rrënjen e malësorit shqiptar, veçse ia forcon  më shumë  filizat kësaj rrënje në truallin prej nga vjen, duke i dhënë një frymë të përbotshme dhimbje. Në kushtet e qarkullimit dhe çngjyrosjes së kulturave të vogla nga agresiviteti i kulturave të mëdha; mprihet gjithnjë e më tepër shtytja per forcim të identitetit, apo pervijimit  dhe rritjes së rratheve të kujtesës, të cilat për Buçpapajn janë të pacenueshme.

 

" Frika nga Atdheu" është një metonimi kontekstuale e gjërë, që buron nga dhimbja e mergimit, nga fati ekzistencial i sferave shpirtërore.  Pikërisht kur autori nuk mund të marrë pjesë në ndarjen e fundit me Nanen, ajo merr  trajtat e një  drame vertikale të individit shqiptar, të dëshpëruar thellësisht  prej izolimit, e vetizolimit  per fajin e imponuar nga vetja e nga të tjerët. "Frika nga Atdheu" është një metonimi paradoksale duke pasur parasysh faktin se Atdheu është kult pa sllogan, ai është "fryma e shpirtit të gjyshërve" siç  do të thoshte dikur Dritero Agolli. Atdheu është pjesa e ngulitur historike në përpjekjet titanike që kanë bërë brezat për mbrojtjen e tij si ekzistencë fizike dhe si frymë.

 

 Buçpapaj e shtrin tekstin poetik në ideotematikë më të gjërë, duke shtjelluar motivin ekzistencial të njeriut të sotëm që buron nga Atdheu, i frikës, i cili vjen nga përballja e individit të drobitur shqiptar prej peshave diktatoriale me një botë sfiduese të realiteteve të reja, tranzitive.

 

2

 

Motivi i ikjes "ku njeriu kërkon të hedhë diku peshën e tepërt" , thiç thotë Kadare-, "po nuk e hedh dot", është motiv qënësor në poezinë e librit i cili mbartet si motiv i dhimbjes përsonale dhe universale. Si poet më shtrirje të gjerë të vargut, me zgjidhje të goditur, Buçpapaj e shtrin motivin në tërë gjërësinë e tij, duke e mbushur poezinë me çaste të jetuara përsonalisht ose që jehojnë në kujtesën e tij të fortë, si çaste të përvijura  në  vendlindjen e tij, apo diku nëpër botë ku  poeti udhëton shpesh.

 

Buçpapaj e shtrin dhe e tematizon frymëzimin e tij për vendlindjen  aq sa të duket se kjo "frikë nga Atdheu", është  dashuria  tij   në epiqëndër të vibracioneve intelektuale, emocionale  në botëndodhjen e stuhishme,  e të qetë, ku qëndron dashuria për Atdheun në trajtën më fine të ndertuar nga një poet europian si Buçpapaj, me natyrë,  bar, gjeth, lule, shkrepa e pyje, të cilat  shpalosen në qiell  si xhubletë, me  borë, me pisha, ujëvara, femijëri dhe rini.

 

 

 Aq shumë ngjyroset emocionalisht poezia e S.Buçpapajt me vendlindjen, Tropojën  e tij të dashur,  sa të duket se po të mos kishte këtë largësi  me të  s'do të shtjellohej një spektër kaq i përmalluar,  një dridhje kaq vibrante  e poseduese e ndjenjës  dhe kjo është e kuptueshme për një poet të përmasve të tilla.

Largësia krijon mall, sidomos largësia që krijohet nga njëmijë e një rrethana jashtë tij.Si poet i vizatimit të imët dhe vibrant të peizazhit ai e zgjedh mirë  fjalën, krijon lehtësisht e vetvetishëm detajin që i buron nga shpirti, duke ruajtur   kompakësinë  energjike të shprehejs poetike,  në një nivel të epërm  të realizimit estetik.

 

Duke qënë poet i dedikimit  të vlerave përkushtuese, stimuluar nga një fantazi ndiesore e begatë, ai pikturon vendlindjen dhe krejt botën në mënyrë moderne, ashtu sic kishte bërë më parë edhe i madhi Martin Camaj dhe shumë poetë të tjerë europianë.

 

3

 

Noshta spikamën  më të madhe ky libër e ka në këtë tipar, ku vendlindja nuk kalon vetëm me një nocion etnohistorik, po bëhet bartëse, shkas psikomotorik  që vë në levizje një gamë pështjelluese ndjenjash, vuajtjesh  e përvuajtjesh , mallkimesh, e përmallimesh, pengjesh drithëruese  që tani s'mund të korrigjohen më.

 

Jashtë konceptit të një dekoracioni poetik, autori mbart gjithçka përmes unit të tij, sepse vendlindja është bartëse e tipareve të njeriut dhe anasjelltas, njeriu kishte dashur me e përsosë të parën si pjesë të vetës, e pasi nuk ka mundur,  i është larguar  me ndjenjen e një pengu, si për një njeri të cilin ke dashur ta ndihmosh, e kur s'ke patur çfarë të bësh më, je larguar me peshën e pamundësisë së përjetshme.

 

Padyshim, ashtu si Martin Camaj, autori nuk e harron identitetin e njëkohësisht nuk ndalet aty.  Në kohën e globalizmit fleksibël, ku fjala qarkullon me një një dinamizëm vibrant, ai ka ditur të përfitojë nga kultura dhe verbi europian nga edukimi i tij i plotë dhe elitar prej 14 vitesh në perendim. Veshja e shpirtit shqiptar  me rrobën e fjalës europaine  e bën poezinë e tij moderne, të vecantë dhe  tejet të realizuar. Kështu fjala e kulturuar dhe fine, masa e të shprehurit,  përdorimet gjuhësore pa tepri, eksplorimet  me mënyrat e ndertimit të frazës poetike, eksperimentimet  në lojrat e ndertimit të strofave dhe fjalëve, janë tipare stilistike  të një poeti me penë të kulturuar, me njohje të thellë  e të shumanshme të poezisë europiane dhe botërore .

Imazhet konkrete të figurave të poezisë së tij nuk mbartin vetëm efektin e një konstatimi të thjeshtë,  ato përhapen  si drita e një fantazie poetike  në vlim të përhershëm sipër globit, me një lehtësi të paimagjinueshme dhe bukuri të rrallë, çfarë e bën Buçpapajn një poet të nivelit europian dhe botëror.  

 

 

4.

 

Poeti ka një ritëm dhe tendencë të hapjeve përfytyruese, cka sigurohet edhe prej një tonaliteti intelektual të poezise së tij, si një poet tashmë i formuar me kulturën europaine dhe botërore, por duke ruajtur   berthamen  e vjeter të artit të tij të madh.

 

Dihet se Skender Buçpapaj është shfaqur si një individualitet i spikatur  i poezisë shqipe,  qysh në vellimin e tij të  parë "Zogu i Bjeshkes ", kur autori ishte vetëm 20-vjeç. Ai është çmuar gjithnjë nga kritika jonë si një ndër poetët më të shquar shqiptarë.

 

Dy krijimet më të bukura, që do t'i quaja poema të shkurtra sintetike, janë "Poema per Nanen" dhe "Shkumbinin." Poema per Nanen, shkruar me një varg të çliruar, i ngjet një monologu të dhimbshem, të dashurisë me të lartë njerëzore, ku vargu hapësinor del natyrshem i tillë përmes një mendimi të thjeshtë e të thellë meditues, e lirik deri  në skajshmeri. Poema per Shkumbinin shkruar me një abstragim terheqës, mbart mesazhin e ndarjes dhe bashkimit, të ecjes, të luftes per identifikimin në kahje të kundert të harreses. Sipas poetit, Shkumbini është lumi që zoti e krijoi të parin në këtë botë, dhe  si i tillë  ai mbart  ëndërrën dhe dramën  e njerëzimit për të ecur përpara, duke lënë pas të kaluarën.

 

Pas poezisë së Dritero Agollit për këtë lumë, "Shkumbini dhe unë" kjo mbetet poezia me e bukur në letersinë shqipe për ndonjë lumë, shkruar në një rrafsh modern, me një simbolikë të hollë, ku vargjet mbartin kuptime shumështresore. Poema per Shkumbinin është bartëse e dilemave të njeriut, ecjendaljeve të medha, e nderfutjes dhe shkrirjes në botën e madhe, ashtu si Shkumbini futet në det. Disa poezi të librit kanë një element të fuqishem të satirës së hollë. Në se marrim poezinë  "Faunë tiranse"  vëmë re një enumeracion me detaje realiste, gati balzakjane. Edhe poezia tjeter "Alushani, Balushani",etj e mbart këtë. Janë poezi ku konkretesia dhe përgjithësimi ecin permes vendosjeve dhe zhvendosjeve të ideve, mendimi guxues ecen në shinat e paradokseve idhnake, duke na dhënë një kornizë disproporcionale në permasa të kohës sonë. Në poezitë e tjera me anë të përseritjes dhe refrenit poeti siguron ritmin si "Korbi i zi me thanë në gojë", ose alternimet dhe aliteracionet "Mnera të merr sytë me i pa",  "Prapa qiellit" etj, marrin efekte kumbuese me trajten e lojës poetike. Libri "Frika nga Atdheu" dallohet për agresivitetin e butë gjuhësor, këndeveshtrime të holla të motivit, detajet impresionuese dhe të shumta, forcen e fjales prapa së cilës s'është zor të kuptosh shpirtin e një poeti të vertetë që vuan intelektualisht dhe e ndjen të nevojshme të shprehë ndjenjat dhe mendimet në lartesinë e një poeti me individualitet të spikatur duke shenuar një kulm në vitet e fundit  në tëresinë e librave të rrafshtë poetikë që botohen.Vellimi në fjalë mbetet një realizim pas një heshtje të gjatë të poetit, cka deshmon se poezia duhet të botohet kur ajo shpreh dhe thotë, gjë që ndodh me poetët e medhenj si Bucpapaj, të cilët nuk e masin poezinë nga sasia e librave, por nga detonimet e ndjenjave dhe mendimeve. Poezia e Skender Buçpapajt ndërton me lexuesin një rrafsh komunikimi intelektual permes shprehjes të disa të vertetave të perjetshme, sic janë brenga, malli, dashuria per vendlindjen etj, jo vetem si ekzotikë, ankthin ekzistencial, dilemat, friken dhe drojen, dehjen nga hapesirat europjane; ajo shpreh peisazhin  urban dhe metropolitan të botës, dridhjet e holla intime permes një dendurie gjuhesore që arrin masen e perpikte të shprehjes.    
Qazim D. Shehu


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PËRGJËRATË: UDHËS PËR TEK NËNAKushtuar Gjylë Buçpapajt (1918-2007)Nga Skënder BuçpapajUa kushtoj këtë poemë veç nënës time, të gjithë nënave dhe bijve që kanë përjetuar çka kemi përjetuar ne të dy (12.31.2009)
KAM ZGJEDHUR VUAJTJEN TIME, KAM JETUAR ËMBËLSITË E MIA, EDHE PSE RINIA SI ËNDËRRAT MË ËSHTË TRETURPoezi nga OSKAR UAJLLD (Oscar Wilde, 1854-1900) (12.25.2009)
KA VALLË NJË KRUA ZEMRA JOTE E VOGËL, KU LULE TË DRUAJTURA LËSHOJNË GONXHE?Poezi nga EMILY DICKINSON (1830-1886) (12.16.2009)
POEZIA ZVICERANEPërkthime nga ANTON PAPLEKA (12.05.2009)
NDALO,PRA,MOS VALLËZO ME NGUTJE,KOHA ËSHTË E PAKËT, MUZIKA NUK ZGJAT SHUMË Poezi nga JORGE LUIS BORGES (11.20.2009)
FJALA ËSHTË ANA TJETËR E HESHTJES, ZJARRI ËSHTË ANA TJETËR E AKULLITPoezi nga PABLO NERUDA (11.10.2009)
VACLAV HAVEL: LETRA OLLGËS DËRGUAR NGA BURGU (10.31.2009)
SHPRESË, JE JETA TI DHE NUK JE ASGJËJAPoezi nga CESARE PAVESE& (10.11.2009)
NJË QIELL I BAKËRT TUAF I MEKUR KU HËNA SHFAQET PËR TË LINDUR DHE VDEKURPoezi nga Paul Verlaine (1844-1896) (09.20.2009)
Lirika të Johann Wolfgang von GoethePërktheu nga gjermanishtja Prizren Buçpapaj (06.24.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]