VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa V

                                                                                      

E Shtunë, 05.04.2024, 11:24pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa V
E Mërkurë, 01.13.2010, 04:32pm (GMT+1)

 

Pjesa V e romanit

 

ALBERTINA IA TREGON FRIDOLINIT ËNDËRRËN E SAJ PLOT VORBULLA TUNDIMESH

 

Ishte ora katër e mëngjesit kur ai ngjiti shkallët e shtëpisë së tij. Shkoi më parë në studio, e vuri me kujdes kostumin në një dollap dhe ngaqë donte të shmangte trembjen e Albertinës, i hoqi këpucët dhe veshjet para se të hynte në dhomën e gjumit. E ndezi pa zhurmë llampën që e kishte mbi komodinën e tij. Albertina flinte pa asnjë lëvizje, krahët e kishte të kryquar prapa zverkut, buzët i kishte gjysmë të hapura, të shoqëruara me hije dhimbjesh; ishte një fytyrë e panjohur për të. U përkul mbi ballin e saj, që u tund menjëherë a thua se ai e kishte prekur, tiparet e saj u shtrembëruan çuditërisht; dhe menjëhershëm, gjithnjë në gjumë, shpërtheu në një të qeshur kaq të shfrenuar saqë Fridolini u shastis. Pavetëdijshëm e thirri në emër. Si përgjigje ajo qeshi prapë në një mënyrë krejtësisht të çuditëshme, pothuaj të ligë. Fridolini i thirri edhe njëherë dhe më fort. Tani Albertina i hapi sytë, ngadalë, me zor, dhe me shikim të ngulur, a thua se nuk e njihte.

 

"Albertina!" i thirri ai për të tretën herë. Vetëm atëherë duket se ajo erdhi në vete. Shikimi i saj shprehte mbrojtje, frikë dhe madje terror. E ngriti krahun lart, pa kuptim dhe krejt e dëshpëruar, goja i mbeti e hapur.

 

"Çfarë po të ndodh?" e pyeti Fridolini me frymën e mbajtur pezull. Dhe ngaqë ajo vazhdonte ta shikonte e terrorizuar, shtoi si për ta qetësuar: "Albertina, jam unë."

 

Albertina mori frymë thellë, deshi të qeshte, i lëshoi krahët e vet të zbrisnin mbi mbulesën e krevatit dhe si nëpër ëndërr pyeti: "Është ditë tashmë?"

 

"Pas pak," iu përgjigj Fridolini. "Ka kaluar ora katër. Kam hyrë në shtëpi në këtë çast." Ajo heshtte. Ai vazhdoi : "Këshilltari bashkiak ka vdekur. Ishte duke dhënë shpirt kur unë arrita, dhe natyrisht nuk mund... t'i lija vetëm familjarët."

 

Ajo pohoi me kokë, por u duk sikur e kishte dëgjuar apo e kishte kuptuar më parë këtë fjalë tashmë, sytë i mbante të ngulur sytë tek ai si nëpër zbrazëtirë. Dhe atij ia la përshtypjen, sado e pakuptimtë mund t'i dukej në ato çaste një ide e tillë, se Albertina duhej të ishte në dijeni të të gjitha aventurave të tij të asaj nate. U përkul mbi të dhe ia preku ballin. Ajo u drithërua lehtas.

 

"Çfarë ke?" e pyeti ai përsëri.

 

Albertina vetëm e tundi ngadalë kokën. Fridolini ia kaloi dorën mbi flokët. "Albertina, çfarë po të ndodh?"

 

"Kam parë ëndërr," tha ajo indiferente.

 

"Çfarë?" pyeti ai ëmbëlsisht.

 

"Oh, plot gjëra. Nuk arrij t'i kujtoj mirë."

 

"Ndoshta arrin t'i kujtosh."

 

"Ishte gjithçka rrëmujshëm...dhe kam gjumë. Edhe ti duhet të kesh gjumë, apo jo?"

 

"Aspak gjumë, Albertina, ndoshta nuk do të fle më. Ta dish mirë se kur vij kaq vonë në shtëpi...gjëja më e mirë është të ulem menjëherë në tavolinë...bash në këto orë të mëngjesit..." E ndërpreu mendimin. "Por gjithsesi a nuk dëshiron të ma tregosh ëndërrën tënde?" Dhe qeshi disi thatë.

 

Ajo iu përgjigj: "Gjithsesi më duhet të jem e shtrirë pakëz pranë teje."

 

Fridolini nguroi për një çast, pastaj bëri si deshi ajo dhe u shtri përbri saj. Por u kujdes mirë të mos e prekte. Një teh shpate na ndan, mendoi ai, duke iu kujtuar se kishte bërë një herë tjetër, në një rast të ngjashëm, të njëjtin konstatim gjysmëtallës. Heshtnin, qëndronin të shtrirë me sytë gjysmë të hapur, duke ndjerë ndërsjelltas afërsi-largësinë mes tyre. Pas njëfarë kohe ai e mbështeti kokën mbi krahun e vet, e vrojtoi bukur gjatë, a thua se po arrinte të shikonte përtej tipareve të jashtme të fytyrës së saj.

"Ëndërra jote!" tha ai sërish pas një çasti, dhe qe u duk sikur ajo mezi e kishte pritur këtë nxitje. Albertina ia zgjati njërën dorë atij; ai ia mori në dorën e vet dhe, sipas zakonit, më shumë me neveri se me dëshirë, ia mbante të shtrënguara si duke luajtur gishtërinjtë e saj të hollë. Por ajo filloi:

 

«A të kujtohet ajo dhoma në vilën e vogël mbi Wörthersee, ku isha me prindërit e mi verën e fejesës sonë ?»

 

Fridolini tundi kokën në shenjë pohimi.

 

«Kështu filloi ëndërra: hyra në atë dhomë nuk e di mirë se ku...si një aktore që ngjitet në skenë. E dija vetëm që prindërit janë në udhëtim dhe më kanë lënë vetëm. Kjo gjë më habiste, ngaqë të pasnesërmen ne e kishim dasmën. Por veshja e nusërisë ende nuk më kishte arritur. Apo ndoshta gabohesha? E hapa dollapin për t'u qartësuar, në vend të veshjes time të nusërisë ishin dëngje të tëra me gjithfarë rrobash, më mirë me thënë kostume, nga ato që shikohen në opera, luksozë, orientalë. Cilën prej atyre duhej ta vishja për dasmën?-mendoja unë. Por ja që, aty për aty, dollapi është mbyllur ose është zhdukur fare, nuk më kujtohet më. Dhoma ishte e ndriçuar e tëra, por përtej dritares ishte natë...Në njëfarë kohe je zhdukur ti, kishe ardhur nëpër det shoqëruar me plot anije me vela njëdirekëshe, i shikoja tek largoheshin nëpër errësirën e thellë...Kishe veshur rroba të shtrenjta pre ari dhe mëndafshi, kishe në ije një jatagan argjendi dhe më more përkrahu për të më çuar jashtë nëpërmjet dritares. Në këtë çast isha edhe unë e veshur hatashëm, si një princeshë, po rrinim në natyrë në dritën e qiellit dhe një mjegull e hollë na arrinte deri në nyjet e këmbëve. Pejsazhi ishte ai të cilin ne e njohim: nga njëra anë liqeni, në sfond malet, i shikoja edhe vilat, dukeshin sikur kishin dalë nga një arkë kukullash. Por ne të dy ishim pezull në ajër, jo, fluturonim sipër mjegullës, dhe unë mendoja: ky, pra, është udhëtimi ynë i martesës. Pak më vonë nuk fluturonim më, ecnim nëpër shtegun e një pylli, atë që të çon në Elisabethhöhe dhe përnjëherësh u gjendem në lartësinë e malit, në njëfarë lirishtë të qarkuar nga tri anë me pyll, ndërsa prapa nesh lartësohej një mur të thikët shkëmbor. Por sipër nesh ishte një qiell i yjesuar kaq i kaltër dhe kaq i pakufi saqë nuk mund të përfytyrohet kurrsesi në realitet, dhe ai ishte tavani i dhomës sonë të martesës. Më shtrëngoje mes krahëve dhe më doje pafundësisht."

 

"Edhe ti, shpresoj," tha Fridolini me një buzëqeshje të padukshme të ligë.

 

"Besoj se se ti më do edhe më pafundësisht," iu përgjigj me seriozitet Albertina. "Por, si të ta shpjegoj...pavarësisht pafundësisë së përqafimit, ngazëllimi ynë ishte shumë melankolik, si një mishërim i një dhimbjeje të domsdoshme. Pas një çasti u bë natë. Livadhi ishte i ndritshëm dhe shumëngjyrësh, pylli gjithkund rreth e rrotull ishte i larë në vesë, dhe në faqet e shkëmbit fërgëllonin rrezet e diellit. Por për ne tashmë kishte ardhur ora që të ktheheshim prapë në botë, midis njerëzve. Por kishte ndodhur diçka e tmerrëshme. Veshjet tona na e kishin lënë shëndetin. U përfshiva nga një tmerr i pashoq, provoja një ndjesi turpi përvëluese deri në rrënim të brendshëm dhe në të njëjtën kohë provoja inat kundër teje, a thua se ishe ti i vetmi përgjegjës i hatasë; dhe të gjitha ato ndjesi: tmerri, turpi, inati nuk ishin të krahasueshme në pafundësinë e tyre me asnjë ndjesi që kisha provuar deri atëherë nga zilja e zgjimit. Ti ndërkaq, i vetëdijshëm për fajin tënd, ia more vrapit ashtu siç ishte për të zbritur në luginë e për të marrë diçka për të veshur. Kur m'u zhduke nga sytë, sikur u ndjeva disi më e lehtësuar. Nuk më mungoje aspak, nuk merakosesha për ty, isha e kënaqur pse kisha mbetur vetëm, rendja e lumtur nëpër livadh dhe e këndoja një melodi të dëgjuar në ballon me maska. Kisha një zë të mrekullueshëm dhe doja të më dëgjonin edhe atje poshtë në qytet. Nuk e shikoja qytetin, por dija për ekzistencën e tij. Ishte shumë poshtë meje, rrethuar nga mur i lartë; ishte një qytet fantastik të cilin nuk arrij ta përshkruaj. Nuk ishte qytet oriental, nuk ishte as qytet antik gjerman dhe gjithsesi ishte paksa njëri dhe paksa tjetri, sidoqoftë ai ishte një qytet i varrosur prej kohësh dhe përgjithmonë.

 

Përnjëherësh e pashë veten të shtrirë në livadh nën dritën e diellit, shumë më bukur se kam parë ndonjëherë në realitet. Dhe teksa isha ashtu, doli nga pylli një zotëri, një djalosh në një veshje me ngjyra të hapura, modern, ngjante disi, tani po e kujtoj, me atë djaloshin danez për të cilin të kam folur dje. Shkonte rrugës së tij, u mjaftua vetëm duke më përshëndetur me kokë shumë sjellshëm kur më kaloi pranë, u drejtua shumë shpejt për tek muri shkëmbor dhe e kqyri me shumë vemendje, a thua se hamendej ta gjente mënyrën për ta kapërcyer. Por njëkohësisht të shikoja edhe ty. Nëpër qytetin e varrosur rendje nga njëra shtëpi tek tjetra, nga dyqani në dyqan, një çast vrapoje poshtë nën strehët e ndërtesave, një çast tjetër vrapoje nëpër njëfarë pazari turk dhe i bleje për mua gjërat më të shtrenjta që i gjeje: kostume, të brendshme, këpucë, stoli ; dhe i vije të gjitha në një çantë prej lëkure të verdhë, të vogël, por që zinte shumë. Por ishe gjithnjë i pasuar nga një masë e madhe njerëzish, të cilën nuk arrija ta shikoja, i dëgkoja vetëm piskamat e tyre kumbuese e kercënuese. Dhe ja ku u shfaq ai tjetri, danezi i cili pak më parë qe ndalur te muret shkëmbore. Vinte prapë nga pylli drejt meje, e dija se për të ardhur deri aty e kishte kaptuar botën e tërë. Dukej si të ishte një tjetër, por prapë se prapë ishte ai. U ndal si herën e parë tek shkëmbinjtë, u zhduk prapë, pastaj u rishfaq nga pylli, u zhduk, u rishfaq ; skena u përsërit dy herë, tri herë, njëqind herë. Ishte gjithnjë po ai dhe gjithnjë dikush tjetër, më përshëndeste me kokë sa herë që më kalonte pranë, më në fund u ndal, m'i nguli sytë në mënyrë hetuese, unë qesha shfrenueshëm, ashtu si nuk kam qeshur kurrë në jetën time, ai i zgjati krahët drejt meje, tani doja të ikja, por nuk arrija, dhe ai ra pranë meje, në livadh.»

 

Ajo heshti. Fridolini e kishte gojën të tharë, nëpër terrin e dhomës vërejti se Albertina e mbante fytyrën si të fshehur mes duarve.

 

"Një ëndërr e çuditshme," tha. "Ka mbaruar tashmë?" E ngaqë ajo bëri me shenjë se jo: "Atëherë vazhdo."

 

"Nuk është kaq e thjeshtë," ia ktheu Albertina. "Gjëra të tilla pothuaj nuk mund të thuhen me fjalë. Pra...kisha përshtypjen se po përjetoja një varg të panumërt ditësh e netësh, nuk ekzistonin as koha, as hapësira, nuk gjendesha më në lirishten e ngujuar mes pyllit dhe shkëmbit, por në një rrafshinë të gjerë e të pakufi, mbuluar me lule shumëngjyrëshe, e cila shtrihej në të gjitha anët e horizontit. Ndërkaq, prej shumë kohësh e çuditëshme kjo "prej shumë kohësh!" nuk isha më vetëm me atë njeri në livadh. Por nuk mund të thoja a ishin më shumë se tri, dhjetë apo një mijë çifte, nëse i shihja ato apo jo, nëse ishte vetëm ai burrë aty apo ishin edhe plot të tjerë. Prapë se prapë, ashtu si ajo ndjesia e mëparshme e tmerrit kjo ndjesi kapërcente gjithçka që ne mund të përfytyrojmë kur jemi zgjuar, prandaj nuk mund të të ketë sigurisht asgjë në jetën tonë të vetëdijshme që mund të ngjasojë me qetësinë, lirinë dhe lumturinë të cilat i kam provuar në atë ëndërr. E megjithatë ty nuk të harroja për asnjë çast. Po, të shikoja, të pashë kur të kapën ushtarët, më duket se kishte edhe priftërinj; dikush, një burrë gjigantesk, t'i lidhi duart, e dija se do të merrje dënimin. E dija pa provuar mëshirë as terror, me gjakftohtësi absolute. Të çuan në një oborr, njëfarë oborri kështjelle. Tani qëndroje atje me duart lidhur prapa shpine dhe ishe lakuriq. Dhe ashtu si të shikoja unë ty, ndonëse gjendesah tjetërkund, ashtu më shikoje edhe ti mua, e shikoje edhe burrin që më mbante midis krahëve, i shikoje të gjitha çiftet e tjera, atë det të pafundëm lakuriqësie që shkumëzonte rrotull meje dhe në të cilin unë dhe burri që më mbante midis krahëve ishim vetëm një valë mes valëve. Ndërkohë që ishe në oborrin e kështjellës, në një dritare të lartë në harkun sipër çadrave të kuqe u shfaq një femër e njomë me një kurorë në kokë dhe me një pelerinë të purpurt. Ishte atje princesha e atij vendi. Të dha një shikim të ashpër dhe hetues. Ishe vetëm, të tjerët, të cilët për më tepër ishin aq të shumtë, rrinin mënjanë, të mbështetur pas mureve, ndjeja një murmuritje, një gurgullimë e ankthshme dhe e mbushur me paralajmërime rreziku. Në atë çast princesha doli në hajat. Të gjithë heshtën dhe pricesha ta bëri një shenjë, sikur të fonte të ngjiteshe bashkë me të, e kuptova se ajo ishte e gatshme të të falte. Por ti nuk e vure re shikimin e saj ose nuk doje ta vije re. Për një çast, gjithnjë me duar të lidhura, por i mbështjellë me një pelerinë të zezë u gjende përpara saj, jo në një sallë por pezull, si të thuash, në ajër. Princesha mbante në duar një pergamenë, mbante në dorë dënimin tënd me vdekje, ku ishin shënuar edhe fajet e tua dhe arsyet pse ti ishe dënuar. Të pyeti fjalët gjithsesi nuk i dëgjoja dhe prapë se prapë i kuptoja se ishte e gatshme të bëhej e dashura jote, në atë rast do të shfuqizohej dënimi yt me vdekje. E tunde kokën në shenjë mohimi. Unë nuk u mrekullova aspak, veprimi yt ishte një kundërveprim krejtësisht normal, nuk mund të ishte ndryshe, përderisa ti duhej të më qëndroje besnik në përjetësi, me çdo kusht dhe përballë çdo rreziku. Atëherë princesha i lëkundi supet e veta, bëri një shenjë të papërcaktuar dhe papandehur u gjendën në një tunel; kamxhikë të fuqishëm vërtiteshin mbi ty, por nuk i shikoja ata që të goditnin. Gjaku rridhte si nga burimet prej trupit tënd, e shikoja tek rridhte, isha e vetëdijshme për mizorinë time çka num më habitte. Pastaj t'u afrua princesha. Flokët e lëshuara i binin mbi trupin lakuriq, e mbante në dorë kurorën e saj princërore dhe ta zgjaste ty që ta merrje...e dija se ishte vajza daneze e plazhit të cilën e kishe parë një mëngjes siç e kishte bërë nëna mbi taracën e një barake. Nuk foli asnjë fjalë, por prania e saj, sidomos heshtja e saj donin të dinin nëse ti dëshiroje të bëheshe burri i saj, duke u bërë kështu edhe princi i atij vendi. E ngaqë ti prapë nuk pranove, papritmas ajo u zhduk; po unë shikoja se ishin duke ngritur një kryq për ty, jo në oborr të kështjellës, jo, në livadhin e pafund të mbuluar me lule, ku unë prehesha në krahët e të dashurit tim, midis shumë çifteve të tjera të të dashuruarve. Të shikoja tek ecje vetmitar nëpër rrugët e qytetit antik, pa asnjë mbikqyrje, por e dija se rruga jote ishte nën vemendje dhe çdo ikje ishte e pamundur. Pastaj po ngjiteshe nëpër shtegun e përpjetë të pyllit. Të shikoja e pezmatuar, po nuk vuaja aspak. Trupi yt ishte i mbuluar me shirita të përskuqur nga rrahjet me kamxhikë, të cilat nuk rridhnin më gjak. Po ngjitesha përpjetë pyllit, shtegu zgjerohej, pylli hapej në të krahët, dhe tani ishe në skajin fundor të livadhit në një largësi të pafundme, të papërfytyrueshme. Megjithatë më përshëndetje me sytë e qeshur, sikur doje të më thoshje se e kishe përmbushur dëshirën time dhe po më sillje gjithçka që mua më duhej: rroba, këpucë, stolira. Por unë e konsideroja sjelljen tënde të marrë tej mase e të pakuptimtë, e tundohesha të tallesha me ty, të të poshtëroja ty, pikërisht sepse, që të ishe besniku im, kishe hedhur poshtë dorën e një princeshe, kishe përballuar torturat  dhe tani ngjiteshe kalamendas përpjetë për t'u përballur me një vdekje të tmerrëshme. Rendja drejt teje, edhe ti ecje gjithnjë e më përngutshëm fillova të qëndroj pezull në ajër, edhe ti po fluturoje; por papritur e pakujtuar nuk u pamë më, e dija: e kishim humbur njëri-tjetrin. Atëherë më lindi dëshira që të paktën t'i dëgjoje të qeshurat e mia teksa të kryqëzonin. Dhe kështu shpërtheva në të qeshura, me gjithë fuqinë e me gjithë frymën që kisha. Me këto të qeshura jam zgjuar...Fridolin."

 

Heshti dhe qëndroi pa lëvizur. As ai nuk bëri asnjë lëvizje dhe nuk foli. Çfarëdo fjale që ai të thoshte do të kishte tingëlluar në atë çast fyese, poshtëruese, burracake. Aq sa më shumë ajo vazhdonte me tregimin e saj, aq më shumë qesharake dhe boshe i dukeshin aventurat e tij, të paktën deri në atë pikë që ato kishin arritur, dhe u përbetua t'i çonte deri në fund të gjitha, duke ia treguar asaj pastaj të gjitha besnikërisht dhe duke u hakmarrë kundër asaj gruaje të pabesë, të pashpirt dhe tradhtare, e cila e kishte shpalosur në ëndërr natyrën e saj të vërtetë, dhe të cilën në atë çast besonte se e urrente më thellë sesa e kishte dashur ndonjëherë në jetën e tij.

 

Atëherë u kujtua t'i shtrëngonte më shumë në duart e veta gishtërinjtë e asaj, dhe, ndonëse ishte i vendosur ta urrente atë grua, ndjente nëpërmjet gishtave të saj të hollë, të ftohtë dhe aq familjarë një dlirësi të pandryshuar, bërë tashmë vetëm pakëz më e dhimbshme; dhe instinktivisht, pothuaj kundër vullnetit të tij, para se t'i largonte nga duart e veta atë dorë aq familjare, e preku ëmbëlsisht me buzët e tij.

 

Albertina nuk i hapte ende sytë, Fridolini pati përshtypjen se ajo buzëqeshte me një pamje lumturie të shpërfytyruar e të pafajshme në fytyrën e saj dhe provoi një dëshirë të pashpjegueshme për t'u përkulur mbi Albertinën e për ta puthur mbi ballin e zbehtë. Por e mblodhi veten, duke e nderë se ajo gjendje e tij shpirtërore buronte nga lodhja shumë sfilitëse pas atyre ngjarjeve tronditëse të orëve të fundit; në atmosferën mashtruese të dhomës martesore ajo lodhje ishte shndërruar në dlirësi dërmuese.

Gjithsesi, sido që ndihej ai në atë çast, çfarëdo vendimi do të kishte marrë në rrjedhën e orëve të pritshme, urdhëri urgjent i çastit ishte: të strehohej, së paku për njëfarë kohe në gjumë dhe në harrim. Edhe natën pas vdekjes së nënës së tij ai kishte fjetur, kishte mundur të flinte thellë dhe pa ëndërra, atëherë pse vallë nuk do t'ia arrinte tani? U shtri ngjitur me Albertinën e cila iu duke se ishte e përgjumur. Një teh shpate midis nesh, mendoi ai prapë. Dhe pastaj: shtrirë pranë e pranë si dy armiq vdekëtarë. Por ishin vetëm fjalë.
Përktheu Elida Buçpapaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa VI (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa VII (01.13.2010)
Një nga librat më të bukur të poezisë shqipeNga Qazim D. Shehu (01.11.2010)
PËRGJËRATË: UDHËS PËR TEK NËNAKushtuar Gjylë Buçpapajt (1918-2007)Nga Skënder BuçpapajUa kushtoj këtë poemë veç nënës time, të gjithë nënave dhe bijve që kanë përjetuar çka kemi përjetuar ne të dy (12.31.2009)
KAM ZGJEDHUR VUAJTJEN TIME, KAM JETUAR ËMBËLSITË E MIA, EDHE PSE RINIA SI ËNDËRRAT MË ËSHTË TRETURPoezi nga OSKAR UAJLLD (Oscar Wilde, 1854-1900) (12.25.2009)
KA VALLË NJË KRUA ZEMRA JOTE E VOGËL, KU LULE TË DRUAJTURA LËSHOJNË GONXHE?Poezi nga EMILY DICKINSON (1830-1886) (12.16.2009)
POEZIA ZVICERANEPërkthime nga ANTON PAPLEKA (12.05.2009)
NDALO,PRA,MOS VALLËZO ME NGUTJE,KOHA ËSHTË E PAKËT, MUZIKA NUK ZGJAT SHUMË Poezi nga JORGE LUIS BORGES (11.20.2009)
FJALA ËSHTË ANA TJETËR E HESHTJES, ZJARRI ËSHTË ANA TJETËR E AKULLITPoezi nga PABLO NERUDA (11.10.2009)
VACLAV HAVEL: LETRA OLLGËS DËRGUAR NGA BURGU (10.31.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]