E Premte, 05.10.2024, 03:57pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
LAJMI I FUNDIT
 
PRESIDENTI TOPI: BASHKËPUNIMI MES SHUMICËS DHE OPOZITËS ËSHTË VETËM RIFILLIMI I KTHIMIT NË NORMALITET
E Enjte, 12.29.2011, 06:04pm (GMT+1)

E enjte, 29 Dhjetor 2011

Armand Mero | Tiranë

Zëri i Amerikës: Zoti President, faleminderit për këtë intervistë në fund të këtij viti. Do të doja ta nisja me një pyetje që përmbledh zhvillimet që ka pasur 2011-ta, një vit i vështirë politikisht, por duket se këto javët e fundit ka një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës, të paktën për disa çështje. A mund të themi se ajo që kemi kaluar këto dy vitet e fundit është lënë pas shpine, apo ngërçi politik është tejkaluar?

Presidenti Bamir Topi: Unë ndaj të njëjtin mendim me ju që viti 2011 u karakterizua nga episode absolutisht të pakëndshme, që u shkaktuan, sipas meje, nga mungesa e komunikimit politik, nga konfliktualiteti politik, dhe ajo mungesë bashkëpunimi, që nuk është e natyrshme në një vend demokratik. Unë gjithmonë kam shpresuar, dhe tek e fundit, e shohim të realizuar, që ka një rivendosje të komunikimit, të dialogut. Çështja e produktit është sërish çështje e vullnetit të forcave politike parlamentare. Fakti që janë ulur për të diskutuar për reformën zgjedhore, fakti që janë miratuar disa ligje, të cilat nuk mendoheshin që të aprovoheshin në Parlament, tregon se gjërat kanë filluar të rivijnë në normalitet. Është vetëm një rifillim i këtij kthimi në normalitet. Duhet të presim për të parë vazhdimësinë e angazhimit dhe detyrimit që kanë partitë politike për të mos krijojuar pengesa të kësaj natyre, sepse vërtetë dialogu apo debati politik mund të kenë emocione politike, por mbrapa vendimmarrjeve parlamentare, ka çështje shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë me shtetin, kanë të bëjnë me institucionet, kanë të bëjnë me funksionimin e disa strukturave, të cilat janë me rëndësi të jashtëzakonshme për demokracinë. Kam parasysh këtu jo vetëm atë që pamë të miratohet si Institucioni i Avokatit të Popullit, që është jo vetëm një institucion i rëndësishëm në demokraci, por është institucioni që mendohet se është më drejtpërdrejt dhe më afër qytetarëve. Por besoj edhe në momente të tjera që kanë të bëjnë me Gjykatën Administrative. Unë uroj dhe shpresoj që në vijim të këtij komunikimi dhe bashkëpunimi, palët të gjejnë vullnetin për ta miratuar, sepse është një nevojë e domosdoshme e sistemit gjyqësor në Shqipëri, por dhe e nevojës së qytetarëve, biznesit, për ta ndarë nga ajo mori çështjesh që gjykata, apo sistemi i drejtësisë, kanë qenë të detyruara t'i trajtojë në mënyrë shumë komplekse.

Zëri i Amerikës: Zoti President, vendi kaloi këtë vit edhe një proces mjaft të rëndësishëm siç ishte ai i censusit. Kanë dalë rezultatet e para që sigurisht janë rezultate paraprake, por tregojnë që numri i shqiptarëve që banojnë në Shqipëri është ulur. Pra, kemi sërish, edhe në këtë 10-vjeçar ka pasur një ikje. A është diçka për t'u shqetësuar?

" Më lejoni të ritheksoj, nisur edhe nga pyetja që ju bëni, që vazhdimisht unë kam apeluar për nevojën e realizimit të censusit. E them këtë për të kundërshtuar disa insinuata që janë bërë në momente të caktuara, duke aluduar që Presidenti ka qenë kundër procesit të censusit. Fakti që Presidenti e ka dekretuar ligjin pa asnjë lloj mëdyshjeje, tregon që vullneti i Presidentit ka qenë dhe është që procesi i censusit të realizohet, natyrisht të realizohet mbi bazën e Kushtetutës, të ligjit, por edhe të një metodike. Unë besoj që ajo që është realizuar, tani është në dorë të institucioneve të specializuara. Unë nuk besoj që është momenti tani që të bëj analiza të pjesshme. Fakti që ky proces vazhdon të përpunohet, dhe vetëm një pjesë e censusit ka dalë në pah, unë do të preferoja që të bëja një koment të plotë, në çastin kur institucionet e specializuara, do të bëjnë përfundimet e tyre për të na dhënë mundësinë që edhe analiza të mos jetë e pjesshme, por të jetë komplekse. Unë kurrsesi nuk do të mendoja që procesi i censusit të deformohet nga pasione apo nga këndvështrime politike. Çështja e censusit është një çështje që vjen, sikurse thashë, mbi bazën e ligjit dhe të një metodike që unë shpresoj që të jetë shkencore dhe reale".

Zëri i Amerikës: Zoti President, ju folët për insinuata. Këto insinuata nuk kanë qenë ndaj jush vetëm për censusin, kanë qenë edhe për shumë çështje të tjera. Doja t'ju pyesja, pas pesë vitesh, si e ndieni veten kur shihni se dera e Partisë Demokratike ju është mbyllur?

Presidenti Bamir Topi: Së pari, unë do të thoja që kam ardhur në Presidencë duke zbatuar një detyrim kushtetues, për të lënë pozicionin që unë kam pasur në Partinë Demokratike. Së dyti, pavarësisht se cila do të jetë e ardhmja e individit Bamir Topi, unë nuk mendoj që demokracia dhe demokratët ndodhen vetëm nëpër institucione. Demokratët janë në terrenin shoqëror, janë në terrenin publik, ata i takojmë çdo ditë. Dhe unë do të thoja që nuk shkon shumë ai termi i përdorur, pasi në demokraci çdo individ e ka terrenin të hapur. Vetëm atëherë, kur ne do të arrijmë standardet më të larta të demokracisë, atëherë do të kuptojmë që demokracia, qoftë edhe politika, qoftë edhe biznesi, qoftë edhe cdo veprimtari tjetër jetësore, është një çështje konkurence reale. Le t'ia lëmë perspektivës për të vlerësuar e për të gjykuar ecurinë e secilës karrierë, qoftë kjo individuale, por qoftë edhe në grup!

Zëri i Amerikës: Zoti President, do t'ju pyesja, në këndvështrimin tuaj, a ka hapësira të mjaftueshme në skenën politike shqiptare për një forcë politike që të imponohet, sepse ka shumë parti politike, por përvojat kanë treguar se përveç dy të mëdhajave, deri diku LSI-ja, nuk është se kanë pasur ndonjë fat mjaft të madh?

Presidenti Bamir Topi: Nisur nga pozicioni që kam, nisur edhe nga aludimet e shumta që mund të ekzistojnë, nisur edhe nga insinuatat, nuk besoj që intervista e sotme do të plotësojë kërkesën për të dhënë një përgjigje në funksion të kësaj që pyesni. Është një temë shumë e rëndësishme, por që kërkon një moment tjetër për t'u diskutuar, sepse sigurisht që ka argumente, edhe pro, edhe kundër. Duhet të ketë një debat më profesional dhe besoj se askush nuk duhet të orientohet, sikurse thashë, nga vullnete të deformuara politike, për t'i përcjellë në publik ashtu sic I kërkon një individ i caktuar. Unë besoj që është një temë e rëndësishme që nuk i shkon për shtat kësaj interviste që po realizojmë sot.

Zëri i Amerikës: Zoti President atëhere po ndalemi në diçka konkrete. Së fundmi pati, para disa javësh përplasje mes jush dhe mazhorancës për kandidaturat e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ajo që do të doja të pyesja unë është: përse ju propozuat dy persona që vinin pikërisht nga Partia Demokratike? Aq më tepër dy persona që njihen si miq apo të afërt me ju?

Presidenti Bamir Topi: Unë nuk do ta konsideroja atributin që ka Kryetari i Shtetit për ta ndarë një pozicion me shokë e me miq. Absolutisht! Por ka qenë vlerësimi im, vlerësim që qëndron edhe në këtë moment që po diskutojmë për të dyja kandidaturat, sepse së pari Presidenti ka të gjithë atributin kushtetues për të bërë vlerësimin e parametrave ligjorë që duhet të ketë kandidati për të shkuar atje. Që prej momentit kur kandidati i plotëson këto standarde, këto kërkesa, atëherë çdo njeri ka të drejtë të konsiderohet si i përshtatshëm, për të realizuar një garë të caktuar. Aq më tepër që të dyja kandidaturat kanë të njëjtën staturë politike dhe unë do të thoja se kanë demonstruar më shumë se sa një impenjim politik, një impenjim qytetar, kanë dëshmuar karakter dhe aftësi për të realizuar një detyrë të caktuar. Fakti që diferenca nuk u bë nga Presidenti, por u bë nga Parlamenti për këto dy kandidatura, që kishin të njëjtën staturë, ju problemin ose shpjegimin duhet ta kërkoni atje. Unë kam pasur dhe vazhdoj të kem respekt për të dyja kandidaturat, për të cilat jam motivuar për t'ia propozuar Parlamentit për të qenë në krye të institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ky në fakt është një institucion që ka mjaft rëndësi në luftën kundër korrupsionit, sepse është ai që kontrollon administratën. Ndërkohë fenomeni i korrupsionit është mjaft i pranishëm në Shqipëri. Shqipëria, në klasifikimin e "˜Transparency International" humbi tetë vende. Pse po ndodh kjo? Flasim për reforma që realizohen, hartohen strategji, por çfarë e ushqen këtë fenomen që i bën këto reforma dhe këto ndërhyrje të padobishme?

Presidenti Bamir Topi: Së pari unë do të thoja që partitë politike parlamentare duhet të jenë në unison kur vjen çështja për të realizuar reforma dhe procedura që do të luftojnë këtë sëmundje, e cila po kthehet në një sëmundje kanceroze për institucionet dhe shoqërinë shqiptare. Pra këtë e shikojmë në fusha të ndryshme dhe unë besoj se nuk ka gjë më të rëndësishme se sa partitë politike. Ekspertët duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht për të qenë, sikurse e thashë në një front jo vetëm për ligjet, por edhe për zbatimin e ligjit. Dhe për këtë unë besoj se duhet të ndërgjegjësohen të gjitha institucionet. E kam thënë dhe e them edhe sot këtu: veprimi i parë, që është shumë domethënës, duhet të vijë nga vetë politikanët, nga përfaqësuesit e institucioneve, nga gjyqtarët, nga prokurorët, për të lënë përfundimisht imunitetin e tyre, për të qenë njësoj së bashku me qytetarët. Dhe pastaj, në rast se do të ketë një frymë të tillë bashkëpunimi, ku ligji të jetë ai që duhet të mbizotërojë dhe ku të mos ketë asnjë lloj shansi për ta pasur ndërhyrje, të cilësdo natyre, unë besoj që Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të zhvillojë një betejë shumë të suksesshme ndaj korrupsionit.

Zëri i Amerikës: Megjithatë duket se pikërisht ky mungon, ndëshkimi. Flitet shpesh dhe në raportet ndërkombëtare tanimë përdoret termi "pandëshkueshmëri". Rastet që kanë kaluar, të paktën në Gjykatën e Lartë ku kanë pasur çështje eksponentë dhe funksionarë të lartë, kanë lënë shumë për të dëshiruar. Nuk është se e kanë forcuar besimin tek sistemi i drejtësisë. Ju vetë, a ndieni njëfarë përgjegjësie, duke qenë se mjaft anëtarë të kësaj Gjykate ju vetë i keni emëruar?

Presidenti Bamir Topi: Unë së pari dëshiroj të them që Presidenti respekton pavarësinë e sistemit gjyqësor. Pra, ka një procedurë kushtetuese që e detyron dhe i jep mundësi Presidentit që të propozojë kandidaturat për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, por është Parlamenti ai që jep pëlqimin. Pra është një procedurë që e ndan Institucioni i Presidentit dhe Institucioni i Parlamentit. Unë, përsa i përket mënyrës apo performancës së secilit gjyqtar, pastaj është një çështje që kalon përtej mundësisë së Presidentit, për të kontrolluar një institucion të caktuar. Këtë unë mund ta vërtetoj me atë që ndodh në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë është një organ kolegjial që vjen dhe formohet si trupë nga institucione të ndryshme: vjen nga Parlamenti, vjen nga Konferenca Gjyqësore. Aty është Presidenti, është Ministri i Drejtësisë, është Kryetari i Gjykatës së Lartë, pra është një trupë mjaft komplekse. Dhe disa çështje, për të cilat Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka marrë një pozicion të caktuar, prapë ka qenë pjesë e gjykimit nga sistemi gjyqësor dhe posaçërisht nga Gjykata e Lartë. Dhe asnjëherë, ndonëse disa vendime të Gjykatës së Lartë kanë qenë ndryshe nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ne nuk e kemi pasur atë shans, atë luks, sepse nuk ta lejon pikërisht ndarja dhe balancimi i pushteteve që të bëjmë komente për vendimet e Gjykatës së Lartë. I takon çdo gjyqtari, i takon trupës, organizimit, moralit dhe integritetit të çdo gjyqtari që të jetë konform me detyrimin ndaj ligjit, por edhe me moralin si gjyqtar. Dhe besoj që kjo është një çështje që i takon moralit të shoqërisë që të gjithë të bëjmë të mundur, qoftë si institucione, qoftë si aktorë të drejtëpërdrejtë të sistemit të drejtësisë, qoftë edhe njerëzit e thjeshtë në public, që të ushtrojnë një presion të gjithanshëm, për të minimizuar të gjitha ato fenomene që sot njihen me emrin korrupsion.

Zëri i Amerikës: Zoti President, një pyetje të fundit në fakt. Sot, problemi numër një në botë është kthyer ekonomia, kriza që ka goditur disa vende, Evropën, por edhe Shtetet e Bashkuara. Sipas jush, a ka vend për t'u shqetësuar në Shqipëri? A është qasja e duhur ajo me të cilën Shqipëria po përballet me këtë situatë?

Presidenti Bamir Topi: Ne e ndjekim situatën. Sigurisht që shifrat janë gjithmonë ato, tek të cilat ne duhet të orientohemi. Unë si President, patjetër që kam edhe këndvështrime të tjera që vijnë edhe nga problemet që ka në shoqëri. Pra, unë praktikisht mendoj se mënyra e sjelljes së institucioneve shqiptare ndaj krizës globale ka qenë e duhura. Nga ana tjetër, duhet parë me shumë interes edhe niveli ekonomik i mjaft familjeve, të cilat realisht kanë problemet e tyre, vështirësitë e tyre. Kështu që besoj, kur flasim për ekonominë, duhet të flasim në mënyrë më komplekse, por gjithsesi, sikurse thashë, shifrat e paraqitura, edhe të certifikuara nga institucione ndërkombëtare, bëjnë të mundur për të thënë që krahasimisht me atë që shohim, Shqipëria është në një pozicion ku patjetër duhet të ndihemi mirë, relativisht mirë, por me vëmendjen për të përballuar atë situatë që vjen, edhe nga situatë ekonomike në vendet fqinje, por sikurse thashë, për të parë edhe pak më gjerë situatën sociale ku mjaft familje, vërtetë e shikojmë, e ndiejmë, e dëgjojmë, edhe nëpër intervista të drejtëpërdrejta, ndihen në vështirësi ekonomike.

Zëri i Amerikës: Zoti President, cili do të ishte urimi juaj për shqiptarët, duke qenë se është edhe urimi i fundit si President, të paktën siç e keni kumtuar edhe vetë?

Presidenti Bamir Topi: Unë, së pari do të uroja të gjithë shqiptarët, kudo ku jetojnë, të kenë shëndet, të kenë harmoni familjare, të kenë harmoni mes njëri-tjetrit! Do t'u uroja institucioneve që të bëhen më të forta! Do t'i uroja politikës që të jetë më bashkëpunuese! Dhe do ta konsideroja vitin 2012 si një vit të jashtëzakonshëm për shqiptarët në 100-vjetorin e Pavarësisë. Është një vit i mbushur me mundësi të mëdha për veprimtari, sepse çdo figurë që ka kontribuar në historinë njëqindvjeçare të Shqipërisë, ka nevojë të merret në konsideratë. Çdo ngjarje ka nevojë që të ekspozohet tek brezat e rinj. Njëqind vjet për një komb, patjetër që janë mjaft të rëndësishme, por duhen parë edhe momente, të cilat kanë nevojë që të vendosen në piedestal. Nga çasti i Pavarësisë deri në çastin e mundësisë së madhe për integrim në Bashkimin Evropian, nga çasti i Pavarësisë deri në këtë çast, kur ne gjykojmë se jemi një vend më shumë se kurrë, edhe juridikisht pranë Evropës, mendoj që është çast që duhet të ekspozohet para shqiptarëve, sepse të gjithë kanë nevojë edhe për çaste të bukura në jetën e tyre. Problemet që vijnë nga debatet e ashpra politike, patjetër që duhet të mbizotërohen nga ngjarje pozitive dhe kjo i jep vitit 2012 një shans shumë të madh për të qenë një vit optimist.

(http://www.voanews.com/albanian)

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
QEVERIA - PA ARSYE PËR SHQETËSIM (12.29.2011)
KEQQEVERISJE TOTALE NË 2011ën (12.29.2011)
KURTI: NJË QEVERI E MBRAPSHTË DUHET TË SHKARKOHET (12.29.2011)
DREWS: VETËM NË VERI ËSHTË SITUATË E KEQE (12.29.2011)
Presidenti Topi merr mesazh nga Shenjtëria e Tij, Papa Benedikti XVIPAPA BENEDIKTI XVI: URIMET MË TË MIRA PËR PAQE DHE PËRPARIM PËR VITIN E RI 2012, VIT I 100  VJETORIT TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË (12.29.2011)
SHENJA POZITIVE PËR EKONOMINË AMERIKANE (12.29.2011)
VV PARALAJMËRON BLLOKIMIN E VENDKALIMEVE KUFITARE (12.28.2011)
SHQIPTARËT NË VERI TË MITROVICËS BLLOKOJNË RRUGËN (12.28.2011)
SHQIPTARËT PROTESTOJNË PËR FLAMUR NË TUZ (12.28.2011)
SHTEPIA E BARDHË KËRKON RRITJEN E KUFIRIT TË BORXHIT (12.28.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
KLIKONI NË WWW.VOAL.CH - ZËRIN E SHQIPTARËVE NË NJË DIZAJN TË RI - WWW.VOAL.CH  -  VOAL
80 TË RINJ AMERIKANË E MBAJTËN PARA KUVENDIT KONCERTIN ME KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
80 AMERIKANË KËNDOJNË SOT PARA KUVENDIT TË SHQIPËRISË KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
PROTESTA SOT NË SHKUP - TË DORËHIQET QEVERIA NË TËRËSI
NËNKRYETARI I PARLAMENTIT EVROPIAN KËRKON DORËHEQJEN E GRUEVSKIT
DEPARTAMENTI AMERIKAN I SHTETIT - NDJEKIM NGA AFËR SITUATËN NË MAQEDONI
MAQEDONIA NGRE TRIDHJETË AKUZA PËR TERRORIZËM
LUBOMIR FËRÇKOSKI - QEVERIA NË SHKUP PO NXIT TENSIONET NDËRETNIKEFërçkoski - Konflikti në Maqedoni s'ka të bëjë me “Shqipërinë e Madhe”
MANIFESTIM SPONTAN NË TIRANË 'KUMANOVË NUK JE VETËM'
MUSTAFA - 700 SHQIPTARË NGA MAQEDONIA JANË ZHVENDOSUR NË PRESHEVË

 
VOAL
[Shko lart]