SHBA - Kryeministri Edi Rama konsideron se flamuri shqiptar i shpalosur mbrëmjen e djeshme në Beograd nuk mund të konsiderohet një provokim, në një fushë futbolli të mbushur me flamuj të Serbisë dhe tifozë që thërrisnin në kor "Vritini shqiptarët". Në një intervistë për "Zërin e Amerikës", shefi i qeverisë shqiptare tha se incidenti në stadiumin e Beogradit "ishte një fatkeqësi e madhe për sportin më popullor në botë, por ishte një shfaqje plotësisht e dënueshme dhune dhe racizmi".
Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, para se të
flasim për vizitën tuaj apo zhvillimet e tjera në Shqipëri, 24 orëshi i
fundit është mbizoturuar nga lajmet dhe komentet për ndeshjen e
mbrëmshme Serbi - Shqipëri, ndërprerja e së cilës është cilësuar si një
ngjarje e rëndë. Ju si e shihni atë që ka ndodhur?
Kryeministri Edi Rama: Në radhë të parë më lejoni që
të jem krenar edhe në rastin që ju më jepni për të komunikuar për të 24
orët e Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe për atë që ç'ka na dhuruar dje
djemtë e kombëtares të cilët përsa kohë pati futboll praktikisht ishin
superior me lojë dhe me raste. Kështu që përsa i takon Shqipërisë, përsa
na takon ne shqiptarëve besoj që s'kemi asnjë lidhje me çfarë ndodhi që
ishte një fatkeqësi e madhe për sportin më popullor në botë por që
ishte edhe një shfaqje jashtëzakonisht e shëmtuar dhe plotësisht e
dënueshme dhune dhe racizmi.
Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, rreth ndeshjes
nuk kanë munguar as komentet e politikanëve. Kryeminsitri serb është
cituar sot të ketë thënë se ... dhe po citoj ... "shpalosja e flamurit
në ndeshjen e së martës në Beograd, ishte një aksion i organizuar dhe
provokim i rëndë politik .... apo se "synimi i ekstremistëve shqiptarë
ishte që të shkelin krenarinë e serbëve, por ne e ruajtëm fytyrën".
Ju keni planifikuar një vizitë në Beograd javën e ardhshme, a mendoni
se ngjarja e mbrëmshme mund të hedhë hije mbi axhendën e vizitës tuaj, a
pritet të ndikojë ajo gjatë vizitës tuaj?
Kryeministri Edi Rama: Së pari dua të ndaj me ju
momentin e futjes në ekran të flamurit fluturues të cilin unë e ndoqa
bashkë me një grup njerëzish këtu në Harvard që ishin nga shumë vended
he ajo shfaqje provokoi hilaritet, në kuptimin të gjithë qeshën dhe iu
duk diçka e bukur. Pra larg zonës së nxehtë të urrejtjes, larg zonës së
nxehtë të historive të së shkuarës, askush nuk u ndje i provokuar nga
shfaqja e këtij flamuri në atë moment. Por fatkeqësisht siç e thatë edhe
ju deri dhe autoritetet më të larta serbe thonë se janë ndjerë të
provokuar. Dhe përsëri kjo është thjesht dhe vetëm për të shprehur
keqardhjen e thellë që shfaqja e një flamuri në fushën e futbollit, në
një fushë ku kishte mijëra flamuj serbë, të mund të përdoret si një
alibi për gjithë atë që ndodhi, që nga minuta kur u këndua himni ynë
kombëtar dhe gjithë stadium ulërinte "vritini shqiptarët" deri në
minutën kur djemtë tanë dolën nga stadium nën një trysni të madhe
psikologjike përveçse edhe nën një dhunë të pashembulltë anti-sportive.
Unë mendoj që edhe në këtë rast ne si shqiptar duhet të ndjehemi mirë që
nuk kemi asnjë lidhje me çka u shfaq në formën e vet më të egër dhe më
negative si një shëmbëlltyrë e të shkuarës që jemi të vendosur ta lëmë
mbrapa dhe që ne e dënojmë duke qënë të bindur se futbolli nuk mund të
bëhet instrument i politikës dhe se politika e shteteve nuk mund të
udhëhiqet nga çfarë ndodh në një fushë futbolli.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeminister, shtypi
ndërkombëtar sot, duke iu referuar burimeve nga Serbia, thotë se vëllai
juaj është arrestuar dje përkohësisht nga policia serbe dhe më pas është
liruar, i dyshuar për lidhje me objektin fluturues. Cili është komenti
juaj?
Kryeministri Edi Rama: Përsëri keqardhje dhe përsëri
shprehje e një ndjenje mjaft keqardhëse për të gjithë ata që janë bërë
pjesë e këtij manipulimi që nuk tregon asgjë tjetër veçse përpjekjen për
t'u kacavjerrë dhe për t'u kapur pas një alibie tërësisht të montuar
dhe për ta përdorur atë më kot si një gjethe fiku për të fshehur
lakuriqësinë me të cilën u shpalos dje në stadium urrejtja e të shkuarës
dhe ajo urrejtje që praktikisht e ka penguar boll rajonin tone që të
shkojë përpara. S'ka agjë të vërtetë në gjithë këtë por ka vetëm një
argument më shumë për të vërtetuar se sa larg realitetit dhe se sa larg
qëllimeve tona të përbashkëta ishte ajo çfarë u shfaq dje dhe ajo çfarë u
komentua sot fatkeqësisht edhe nga autorite të larta në Serbi. Por
Shqipëria dhe shqiptarët nuk do të bien në këtë nivel. Shqipëria dhe
shqiptarët janë të vendosur të jenë modeli i paqes, të jenë modeli
frymëzues i të vështruarit nga e ardhmja, të jenë lokomotiva e
transformimit të rajonit tonë nga një arenë luftrash, gjakderdhjesh,
konfliktesh, urrjetjeje 100 vjet me radhë në një oaz bashkëpunimi dhe
zhvillimi ekonomik dhe social për të gjithë popujt tanë.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, le të
ndryshojmë temë dhe të ndalemi te zhvillimet në vendin tuaj. Është
mbushur tashmë viti që qeveria juaj erdhi në pushtet por klima politike
në vend pak ka ndryshuar. Ju keni sot një shumicë dominuese në parlament
dhe ndonëse jeni shprehur pozitivisht për rolin që duhet të luajë
opozita, ka kritikë që thonë se ju nuk keni bërë një përpjekje serioze
për të siguruar bashkëpunimin e saj. A mendoni se reformat në Shqipëri
mund të ecin pa një bashkëpunim me opozitën dhe si mund të arrihet ai?
Kryeministri Edi Rama: Unë mendoj që reformat në
Shqipëri nuk do të ndalen, por sigurisht që nuk e ve në diskutim që
bashkëpunimi me opozitën për reformat e mëdha të modernizimit të shtetit
është një element i dosmosdoshëm dhe absolutisht evropianizues për
politikën shqiptare. Thënë kjo, unë besoj se opozita i ka pasur dhe i ka
të gjitha hapësirat e nevojshme për të luajtur rolin e saj. Ndërkohë,
unë sigurisht që i mirëkuptoj edhe kritikat ndaj nesh edhe pse nuk jam
dakord me to.
Zëri i Amerikës: Zoti Rama, ju jeni shprehur në
favor të një reforme në drejtësi, e cila duhet të bëhet bashkë me
opozitën, por ndërkohë ju keni ngritur një komision hetimor për
shkarkimin e kryetarit të KLD-së, veprim i cili shihet nga opozita si
përpjekje për të vënë nën kontroll këtë institucion qendror të
drejtësisë. Cili është komenti, reagimi juaj për këtë rast?
Kryeministri Edi Rama: Unë nuk komentoj opozitën;
unë jam i mandatuar për të drejtuar qeverinë dhe qeveria flet me punë.
Puna e qeverisë janë reformat, janë vendimet, janë hapat në të cilat
duhet udhëhequr vendi, ndërsa puna e opozitës është sigurisht të flasë.
Zëri i Amerikës: Një çështje tjetër e mprehtë në
Shqipëri që ka lindur kohët e fundit ka qenë edhe ajo e Bankës së
Shqipërisë. Lidhur me guvernatorin e ardhshëm, ju keni deklaruar se keni
patur një bashkëpunim mjaft të mirë me presidentin Bujar Nishani. Por, a
mendoni se rrezikohet një ngërç në këtë pikë, duke qenë se Presidenti
ka hapur një konkurs për guvernatorin e ardhshëm, ndërkohë që sipas
ligjit, guvernatori duhet të zgjidhet ndër anëtarët e Këshillit
Mbikqyrës?
Kryeministri Edi Rama: Nuk dua të predikoj të
ardhmen, dua vetëm të uroj dhe të besoj se bashkëpunimi me Presidentin
do t'i japë Shqipërisë së shpejti guvernatorin e duhur për Bankën e
Shqipërisë.
Zëri i Amerikës: A pritet ky guvernator të jetë i huaj apo shtetas shqiptar, sepse edhe për këtë ka patur debate?
Kryeministri Edi Rama: Për mua, e rëndësishme është
që guvernatori i Bankës së Shqipërisë të jetë në lartësinë e një sfide
të madhe për ta nxjerrë Bankën e Shqipërisë nga kriza që kaloi më të
pavarur, më të fortë dhe pa dyshim edhe më largpamëse dhe të sigurtë.
Unë besoj se paragjykimi lidhur me nënshtetësinë nuk na ndihmon por na
pengon, ndërkohë që, pa as më të voglin dyshim, duke vendosur
standardin, sigurisht që ne jemi të hapur qoftë për kandidat të huaj
qoftë për kandidat shqiptar, nëse ka të tillë që e përmbushin këtë
standard.
Zëri i Amerikës: Zoti Rama, ka një debat kohët e
fundit në Tiranë lidhur me përgjime të kryera nga SHISH, të cilat dolën
në dritë pas një kontrolli të ushtruar nga disa deputetë të parlamentit.
Çfarë ka ndodhur në të vërtetë me përgjimet?
Kryeministri Edi Rama: Nuk kam asnjë koment për këtë çështje.
Zëri i Amerikës: Është hera e dytë që ju thoni nuk
keni koment, por ndërkohë shtypi dhe vetë deputetët tuaj kanë nxjerrë
emra dhe madje në nivele të larta drejtuese në Shqipëri që mendohet se
janë përgjuar. Në qoftë se ka shkelje ligjore, si do të veproni ju?
Kryeministri Edi Rama: Nuk kam asnjë koment për këtë çështje.
Zëri i Amerikës: Zoti Rama, ju ndodheni prej dy
ditësh në Boston, me ftesë të një prej universiteteve më prestigjiozë të
botës, atij të Harvardit. Cili është synimi i kësaj vizite?
Kryeministri Edi Rama: Ne jemi këtu sepse ne
bashkëpunojmë me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar të Universitetit të
Harvardit, një qendër me prestigj botëror, që na shoqëron në piketimin e
hapave për reformat rrënjësore në funksion të rritjes ekonomike, të
mirëqënies socials dhe të transformimit të Shqipërisë në vendin që të
gjithë duam, në një shtet modern dhe në një realitet funksional.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, ju faleminderit për kohën që shpenzuat për ne sot.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit juve për
mundësinë që më jepni dhe dua ta mbyll duke i parë në sy të gjithë
shqiptarët dhe duke u përsëritur që të jemi të gjithë krenarë për
skuadrën tonë kombëtare, të jemi të gjithë krenarë që sot në Ballkan ne
bëjmë diferencën. Le t'ja lëmë të shkuarën të shkuarës dhe të mos
kthejmë kokën pas, por të shikojmë përpara, pa rënë pre e çfarëdo
provokimi apo e çfarëdo shfaqjeje që vjen nga e shkuara.