SHBA SYNON INTEGRIMIN E BALLKANIT NË NATO - PËRFSHIRË KOSOVËN DHE SERBINË
E Djelë, 03.22.2015, 10:37am (GMT+1)
"SHBA synon integrimin e gjithë kombeve ballkanike në NATO, përfshirë Kosovën dhe Serbinë". Kështu deklaroi diplomati amerikan Scott Lang, para studentëve të Fakultetit për Shkenca Politike dhe Diplomaci të Universitetit AAB, në ligjëratën me temë "Politika e jashtme amerikane".
Ai theksoi se SHBA po ndjek me vëmendje dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe se, SHBA përkrah anëtarësimin në Bashkimin Evropian të të gjitha kombeve ballkanike. Lang përmendi se Kroacia para se të bëhej vend anëtar i BE-së u anëtarësua në NATO së bashku me Shqipërinë dhe se vendi i tij ka raporte të mira me Serbinë, edhe në nivelin ushtarak.
Diplomati Scott Lang iu shmang përgjigjes direkte në pyetjen e një studenti, nëse Amerika përkrah apo jo kërkesën e serbëve që Asociacioni i Komunave Serbe të ketë kompetenca ekzekutive, duke thënë se SHBA do të pranojë marrëveshjet që i nënshkruajnë të dyja qeveritë, duke nënkuptuar këtu qeveritë e Kosovës dhe Serbisë. atsh
www.voal-online.ch
|