Në tremujorin e parë të vitit 2015, janë diagnostikuar rreth 190 raste të reja të të prekurve me kancer. Këtë e bën të ditur Ekrem Hyseni, ushtrues detyre në Institutin Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
"Me analizën që e kemi bërë, në tremujorin e parë të këtij vitit,
numri total i rasteve të reja është 190 të prekur me kancer. Ky numër,
nëse e krahasojmë me dy vitet paraprake, është pothuajse i njëjtë. Nuk
kemi shtim të dukshëm të të prekurve me sëmundjen e kancerit", thotë Hyseni.
Bazuar në të dhënat e fundit rreth incidencës dhe vdekshmërisë së
lartë në mbarë botën nga kjo sëmundje, zyrtarë në Ministrinë e
Shëndetësisë në Kosovë, kanë miratuar Planin Nacional për Kontrollin e
Kancerit, i hartuar nga Bordi Nacional për Kontrollin e Kancerit të
Kosovës.
Ky plan, sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, ka për qëllim zvogëlimin
e incidencës së kancerit, ku objektiv kryesor ka parandalimin, zbulimin
e hershëm dhe skriningun, diagnostikimin, trajtimin specifik
multidisiplinar, trajtimin paliativ dhe rehabilitimin e pacientëve të
prekur.
Ndërkaq, në lidhje me furnizimin me terapi dhe atë se cilat janë
listat e pritjes së pacientëve në Institutin Onkologjik, Hyseni tregon
më shumë:
"Aktualisht, Instituti Onkologjik ofron shërbimin e
radioterapisë, kimioterapisë dhe terapisë invasive. Furnizimi me
citostatikë është i mirë dhe nevojat e pacientëve mbulohen nga 85 deri
në 90 për qind. Lista e pritjes në radioterapi mund të them se është
anuluar. Kemi të bëjmë vetëm me një listë të planifikimit. Dhe, kjo
listë nënkupton që çdo pacienti i bëhet plani se kur duhet të fillojë
terapinë dhe zgjat më së shumti deri në tri javë".
Shërbimi i kimioterapisë në fillim të vitit është karakterizuar me
mungesa të mëdha të citostatikëve, por përmirësimi ka filluar në muajin
shkurt dhe pastaj ky përmirësim ka vazhduar, bën të ditur Hyseni.
Ndryshe, në tremujorin e parë të vitit 2015, në Institutin e Onkologjisë, janë ofruar 21. 752 shërbime shëndetësore.
Ndërkaq, në Organizatën Botërore të Shëndetësisë thuhet se shpenzimet
spitalore të barit të kancerit janë duke dëmtuar edhe ekonomitë e
vendeve më të pasura dhe janë përtej mundësive të vendeve në zhvillim,
si dhe po krijojnë barrë të papërballueshme për sistemet e kujdesit
shëndetësor.
Në Shoqatën e onkologëve në Kosovë thonë se janë shumë faktorë që ndikojnë në rritjen e numrit të të prekurve me kancer.
Arben Bislimi, kryetar i Shoqatës së onkologëve, jep më shumë hollësi:
"Duke e pasur parasysh që popullata në Kosovë është në moshë të
re, mund të themi se kemi një rritje indikative të rasteve me kancer në
vend. Faktorët janë të ndryshëm, duke filluar nga mënyra e jetës, si
ushqyeshmëria, faktorët gjenetikë si faktorë shumë të rëndësishëm,
pastaj ambienti i ndotur etj".
Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se për këtë vit janë ndarë 5 milionë euro për trajtimin e sëmundjeve malinje. Valbon Krasniqi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, shpjegon:
"Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet programit të veçantë ndan
mjete të caktuara për trajtimin e pacientëve që vuajnë nga sëmundjet
malinje. Vitin e kaluar janë shpenzuar rreth 7 milionë euro për këtë
sëmundje. Ndërkaq, për këtë vit në bazë të planifikimit që ka bërë
Instituti Onkologjik, janë ndarë 5 milionë euro për citostatikë".
"Ne besojmë se me planifikim të mirë dhe shfrytëzim racional të
citostatikëve, e edhe të përshkrimit me protokolle të veçanta, do të
arrijmë t'i mbulojmë deri në 90 për qind të rasteve", thotë Krasniqi.
Rastet më të shpeshta të diagnostikimit të tumoreve, janë ato të
tumoreve të gjirit. Në tremujorin e parë të vitit 2015, nga 190 raste të
reja të diagnostikuara me kancer, prej tyre 52 janë tumore të gjirit,
35 tumore të sistemit respirator, 32 tumore të traktit gastroendestinal,
39 tumor e traktit urogjenital dhe tumore gjinekologjike dhe 32 tumore
të sistemeve të tjera, bëjnë të ditur zyrtarë shëndetësorë. rel