E Djelë, 04.28.2024, 08:19pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
LAJMI I FUNDIT
 
U NDA NGA JETA SHKRIMTARI DHE DIJETARI I MADH GJERGJ ZHEJI
E Premte, 06.11.2010, 06:31am (GMT+1)

 

 

Mësuam me hidhërim të thellë, ndarjen nga jeta të mësuesit dhe pedagogut, shkrimtarit dhe përkthyesit, studiuesit të shquar të letërsisë e kulturës sonë kombëtare, njërit prej emrave madhorë të letrave bashkëkohore shqipe, njeriut të dashur, bashkëshortit, mikut të elitës intelektuale dhe lexuesve e studiuesve shqiptarë, Gjergj Zheji. Duke u ndarë prej nesh, Gjergj Zheji lë në kulturën shqiptare thesarë të çmuar, në të cilët skaliti emrin dhe veprën e vet të shumanshme. I jashtëzakonshëm rezulton sot kontributi tij si mësues i të gjitha niveleve, - Tiranë, Krujë, Berat etj., si pedagog në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, si pedagog dhe rektor i Akedemisë së Arteve të Bukura etj.

Gjergj Zheji me talentin e tij spikati si krijues, duke i dhënë lexuesit shqiptar vepra që ruajnë ende vlera të rralla, që nga kryeveprat e letërsisë për fëmijë, prej tyre Pupagjeli do të mbetet ngaherë personazhi i dashur për fëmijë, deri te romanet aq popullorë, si Muret e Krujës, Rusha etj.

Madje edhe në krijimtarinë për fëmijë ai do të mbetet një emër i pazëvendësueshëm, por njëkohësisht ai kontribuoi në këtë fushë, duke sjellë në gjuhën shqipe kryevepra të kësaj letërsie si: Aventurat e Çipolinos, Aventurat e Heklbert Finit etj.

Gjergj Zheji, njihet dhe vlerësohet si kritik letrar dhe i kulturës shqipe, si ndër themeluesit e teorisë së metrikës shqipe, modernizuesi i lëndës së folkloristikës shqiptare, studiues i autorëve të Rilindjes Kombëtare, të atyre të periudhës së letërsisë shqipe midis dy luftërave dhe asaj bashkëkohore etj. Por, Gjergj Zheji dha kontribut të çmuar edhe në reformën shkollore dhe atë universitare të 20 viteve të fundit, në veçanti në unifikimin e programeve shkollore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Gjergj Zheji do të lexohet dhe rilexohet prej shqiptarëve anembanë edhe për kryeveprat e letërsisë botërore që shqipëroi mjeshtërisht në gjuhën shqipe, nga Platoni tek Eugene Ionesco, nga Aleksandër Pushkini te Artur Schopenhaueri, nga Jean-Paul Sartre-i te Mark Twain-i, Ibsen, deri tek shkrimet filozofike të Benedetto Kroce-s pak vite para se të ndahej nga ne.

Gjergj Zheji shënoi një kontribut të dalluar qytetar edhe me përfshirjen në proceset demokratizuese dhe ato të hapjes europiane të kulturës shqiptare gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, duke dhënë një shembull të qytetarisë aktive në botën demokratike.

Ndaj ne miqtë e tij, familja, kolegët, bota shqiptare akdemike e më gjerë, ndonëse nuk do të takohemi fizikisht me të paharruarin Gjergj Zheji, do ta kemi atë pranë nesh përgjithmonë, sepse emri dhe vepra e tij janë e do të jenë të pranishme në shkolla, auditore e bibliotekat e shqiptarëve, duke vazhduar të komunikojë me miqtë, kolegët, studentët dhe lexuesin.

Prof. Dr. Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërisë

Ismail Kadare

Sabri Hamiti

Ferdinand Xhaferaj, ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve

Myqerem Tafaj, ministër i Arsimit dhe Shkencës

Suzana Turku,

Aurel Plasari

Petrit Malaj

Teodor Laço

Jorgo Bulo

Donika Omari

Rifat Teqja

Avni Mula

Gaqo Çako

Zhani Ciko

Limoz Dizdari

Thoma Gaqi

Shaqir Rexhvelaj,

Mark Marku

Një erudit që i iku Shqipërisë. Brezat e tanishëm dhe ata të ardhshëm kanë nevojë për të

Zheji i dha forcë përkthimit, krijoi gjuhën e artit, gjuhën e romanit

Shkrimtar, përkthyes, studiues i letërsisë dhe kulturës shqipe, Gjergj Zheji, vlerësohet si një personalitet që ka vënë disa gurë themeli në ndërtesën e kulturës shqiptare.

"Nuk kam dhënë aq sa kam dashur, por jo se nuk kam dashur unë, por sepse nuk kam mundur", është shprehur në një nga intervistat e tij të fundit për një të përditshme shqiptare, Gjergj Zheji, i cili mbylli sytë sot në moshën 84-vjeçare. Në fakt, shumë vite të jetës së Gjergj Zhejit, përkuan me regjimin komunist kur ishte shumë e vështirë të thoshe ato që mendoje. Por edhe në atë kohë, Gjergj Zheji pati guximin të thoshte shumë....

"Gjergj Zheji ka dhënë kontribut në fushën e kritikës shqiptare, në një kohë kur kritika ishte e kufizuar. Shkrimet kritike të Gjergjit dalloheshin për përpjekjet për të emancipuar dhe për t'u shpëtuar skemave dhe diktatit ideologjik të kohës", tha për ATSH-në akademiku Jorgo Bulo, i cili ka bashkëpunuar gjatë me profesor Zhejin. Kështu, përpiqej e punonte profesor Zheji edhe pse regjimi i kapi me "gabime" dhe dy-tre romane, mes të cilave dhe "Mosha e burrave", e cila siç është shprehur ai "është diskutuar në atë kohë në ambiente frike". Por, Gjergj Zheji nuk ishte vetëm një romancier e kritik letrar i madh.... Ai i dha forcë përkthimit, krijoi gjuhën e artit, gjuhën e romanit. Ndër veprat e përkthyera prej tij përmenden "Rinoceronti" nga Eugene Ionesco, "Përrallat e Car Sulltanit" nga Aleksandër Pushkin, "Metafizika e dashurisë" nga Artur Shopenhauer, "Ekzistencializmi është humanizëm" i Zhan Pol Sartit, "Aventurat e Hekelber Finit" i Mark Tuein, një vepër që i ka kushtuar më shumë mund nga të gjitha. Mbi të gjitha, Gjergj Zheji ka veçuar përkthimin e veprës së Platonit "Republika", që e ka bërë të shohë realitetin me sy tjetër.

Një kontribut të jashtëzakonshëm zënë veprat e tij studimore për folklorin, sepse ai e cilësonte atë filozofinë e popullit shqiptar. Ndërsa tregon për bashkëpunimin me profesor Zhejin, akademiku Jorgo Bulo ndalet tek përgatitja për veprën e plotë të Çajupit. "M'u desh të punoja me Profesor Gjergj Zhejin, sepse ai ishte i pari studiues që realizoi një monografi për jetën dhe veprën e Çajupit. Kam bashkëpunuar shpesh herë me të dhe i jam mirënjohës për ndihmën që më ka dhënë", tregon akademiku Bulo, i cili edhe 10 ditë më parë ishte përpjekur të fliste për të njëjtën arsye me Profesor Zhejin, por mori përgjigjen se "ai po ikën". E ndërsa rreket të kujtojë çdo bashkëpunim me profesorin, Jorgo Bulo thotë se, Gjergji ishte i gatshëm për t'i ndihmuar njerëzit dhe studiuesit e rinj... Autor i studimeve për Çajupin, për folkorin, i një varg studimesh kritike, emri i Gjergj Zhejit është ngulitur dhe në ato pak studime për metrikën shqipe dhe që sipas Prof. Bulo "kanë një vlerë të padiskutueshme". Sa shumë gjëra të tjera kishte për të thënë.... Në intervistën e fundit kishte treguar, se kishte shumë dorëshkrime, por nuk e dinte sa do të jetonte që të shikonte ndonjë prej tyre të botuar. I kishte mbetur peng folklori, që ishte pak i studiuar, sikurse kishte peng dhe rishikimin e letërsisë. Pothuajse kishte përfunduar dhe romanin dyvëllimësh "Sëmundja e lirisë". Ishte duke përgatitur një libër me kujtime rreth familjes së tij të madhe, fshatit Zagori, vendlindjes së tij, një zonë që shquhej për kulturë. Do të rrëfente për prindërit, vëllanë Petro Zheji, studiues e përkthyes, motrën, Vera Zheji, po aq e njohur për zërin e saj në radio...Gjergj Zheji është një erudit që i iku Shqipërisë. Brezat e tanishëm dhe ata të ardhshëm kanë nevojë për të, pasi siç shprehet Jorgo Bulo "është e ardhmja që ka nevojë për të shkuarën, ka nevojë për traditën... dhe këtu vepra e Gjergj Zhejit dhe shumë aktorëve të tjerë të jetës kulturore shqiptare ka krijuar një traditë, pa të cilën nuk mund të ecet përpara". Duke perifrazuar Platonin, Naim Frashëri ka thënë: "Të mëdhenj janë ata që thanë të parët, ata që kanë dhënë kontributet e para jo ata që thanë të shumët. Më vonë mund të thuash më shumë, por rëndësi ka ai që thotë i pari diçka". Dhe këta janë ata që kanë vënë gurët e parë në themelet e kulturës sonë moderne..., mes të cilëve dhe Gjergj Zheji.

Klodi Shehu

Presidenti Topi ngushëllon familjen e studiuesit dhe përkthyesit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në një mesazh ngushëllimi drejtuar familjarëve të studiuesit dhe përkthyesit Gjergj Zheji, i cili ndërroi jetë dje në moshën 84-vjeçare, thekson se Gjergj Zheji gjithë jetën dhe veprën e tij ia përkushtoi përmbushjes së misionit fisnik e patriotik të përkthimit dhe promovimit të gjuhës dhe kulturës së kombit shqiptar. "Kjo figurë e shquar dhe me vlera unikale në përkthimin, hulumtimin dhe studimin rrënjësor të kryeveprave të letërsisë dhe gjuhësisë botërore përçoi tek lexuesit dhe studiuesit e kësaj fushe, me një ndjenjë të lartë profesionalizmi dhe besnikërie, vlerat më të spikatura të gjuhës shqipe dhe letërsisë globale", thuhet në këtë mesazh.

Kreu i Shtetit, Bamir Topi, vlerësoi se "me humbjen e Gjergj Zhejit, letërsia dhe gjuha shqipe e lëvruar, humbën një ndër kolosët e saj, kolegët një ndër pikat kryesore të referimit akademik dhe njerëzor dhe familja njeriun më të shtrenjtë". Personaliteti i kulturës shqiptare, Gjergj Zheji, ka dhënë kontribut të rëndësishëm në disa fusha, dhe ka qenë i pari studiues që ka realizuar një monografi për jetën e Andon Zako Çajupit. Në punën e tij spikasin studimet për metrikën shqipe, me një vlerë të padiskutueshme, studimet për folklorin, një varg shkrimesh kritike. Ndër veprat letrare të përkthyera nga Gjergj Zheji, dhe që mbahen mend nga lexuesi shqiptar, përmenden "Rinoceronti" nga Eugene Ionesco, "Përallat e Car Sulltanit" nga Aleksandër Pushkin, "Metafizika e dashurisë" nga Artur Shopenhauer, "Ekzistencializmi është humanizëm" i Zhan Pol Sartit, "Aventurat e Hekelber Flintit" i Mark Tuein, etj. Ai ka dhënë një kontribut të madh në hartimin e shumë librave të Antologjisë së Letërsisë bashkëkohore shqiptare e më gjerë, deri te Leximi Letrar.

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KËSHTU NDEROHEN HERONJTËNga FRANK SHKRELI (06.10.2010)
THAÇI PO PËRMBYLLIM "PAVARËSINË E MBIKQYRUR", PRISHTINA PËRGJEGJËSE PËR PROCESET (06.09.2010)
KOSOVA E SERBIA TË VENDOSIN VETË PËR BISEDIMET (06.09.2010)
TRINIA KFOR, KLARKU, KOSOVA Nga SKËNDER BUÇPAPAJ (06.09.2010)
SHQIPTARO-AMERIKANI EMIN EGRIU FLET EKSKLUZIVISHT NË ARB-TV NË BOSTON PËR GARËN E TIJJA PSE VENDOSA TË KANDIDOJ PËR NË KONGRESIN AMERIKAN (06.09.2010)
ZËVENDËS SEKRETARI AMERIKAN I SHTETIT XHEMS STAJNBERG THOTË SE QËNDRIMI AMERIKAN MBI STATUSIN E KOSOVËS SË PAVARUR NUK DO TË NDRYSHOJË (06.09.2010)
KFOR 11 VITE GARANTUES I PAQES DHE SIGURISË NË KOSOVË (06.08.2010)
BILL CLINTON NË KRYE TË OFENSIVËS PËR NJOHJEN E KOSOVËS (06.08.2010)
GAZETARJA LEGJENDARE HELEN THOMAS DEL NË PENSION PAS DEBATEVE MBI KOMENTET E SAJ MBI IZRAELIN (06.08.2010)
BERISHA: RAMIZ ALIA TË PËRGJIGJET PËR MASAKRËN E TIVARITBERISHA: PS VOTO HEQJEN E IMUNITETIT TË DEPUTETËVE (06.07.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
KLIKONI NË WWW.VOAL.CH - ZËRIN E SHQIPTARËVE NË NJË DIZAJN TË RI - WWW.VOAL.CH  -  VOAL
80 TË RINJ AMERIKANË E MBAJTËN PARA KUVENDIT KONCERTIN ME KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
80 AMERIKANË KËNDOJNË SOT PARA KUVENDIT TË SHQIPËRISË KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
PROTESTA SOT NË SHKUP - TË DORËHIQET QEVERIA NË TËRËSI
NËNKRYETARI I PARLAMENTIT EVROPIAN KËRKON DORËHEQJEN E GRUEVSKIT
DEPARTAMENTI AMERIKAN I SHTETIT - NDJEKIM NGA AFËR SITUATËN NË MAQEDONI
MAQEDONIA NGRE TRIDHJETË AKUZA PËR TERRORIZËM
LUBOMIR FËRÇKOSKI - QEVERIA NË SHKUP PO NXIT TENSIONET NDËRETNIKEFërçkoski - Konflikti në Maqedoni s'ka të bëjë me “Shqipërinë e Madhe”
MANIFESTIM SPONTAN NË TIRANË 'KUMANOVË NUK JE VETËM'
MUSTAFA - 700 SHQIPTARË NGA MAQEDONIA JANË ZHVENDOSUR NË PRESHEVË

 
VOAL
[Shko lart]