VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Kryeministri inauguron terminalin e depozitimit të karburanteve, në Vlorë, një investim me vlerë 57 milionë euro

                                                                                      

E Shtunë, 04.27.2024, 07:55pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 
Kryeministri inauguron terminalin e depozitimit të karburanteve, në Vlorë, një investim me vlerë 57 milionë euro
E Enjte, 06.04.2009, 07:16am (GMT+1)

 

 

 

 

Një vepër e rëndësishme publike i shtohet synimit të qeverisë për ta shndërruar Shqipërinë në një superfuqi të vërtetë energjetike në rajon. Kryeministri Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e inaugurimit të terminalit të depozitimit të karburanteve, i ndërtuar nga Petrolifiera Italo-Albaneze, në Pyllin e Sodës, në Vlorë, një investim me vlerë 57 milion euro. Me inaugurimin e kësaj vepre, kryeministri Berisha vlerësoi se qyteti i Vlorës, por dhe Shqipëria, ka tashmë terminalin më të ri dhe më modern në të gjithë Mesdheun, standardet e të cilit janë nga më të lartat. "Sot, qyteti bëhet me terminalin më të ri dhe më modern të Mesdheut, me një port të standardeve më të larta. Në strategjinë e qeverisë time për të shndërruar Shqipërinë në një superfuqi energjetike rajonale, ky është një diamant i vërtetë", është shprehur kryeministri. Duke vlerësuar këtë projekt jetik për vendin, kryeministri Berisha ka shprehur përgëzimet e tij për themeluesit e kompanisë Petrolifera dhe për punën e bërë në realizimin e këtij investimi. Kryeministri ka shprheur ndaj tyre mirënjohjen e tij të thellë për besimin e dëshmuar ndaj qeverisë shqiptare për të realizuar këtë vepër, të cilën e vlerësoi të shkëlqyer. "Së pari, dëshiroj të përshëndes shumë përzemërsisht zotin dhe zonjën Ottolenghi, themeluesit e kompanisë Petrolifera. Dua t'i shpreh atyre mirënjohjen më të thellë, sepse me një akt besimi madhor vendosën këtu një projekt të shkëlqyer, një ëndërr tyren të mrekullueshme. Dua të falenderoj mikun tim Adolfo Urso, ambasadorin e Italisë në Tiranë z. Saba D'Elia, drejtorin e Petrolifera Italo-Albanese Guido Ottolenghi dhe të gjithëve ju, për praninë në këtë ngjarje, e cila është e një rëndësie jashtëzakonisht të madhe për Vlorën, këtë qytet me pozicionin gjeografik ndër më të rëndësishmit në të gjithë rajonin", është shprehur kryeministri. Më tej, ai ka vlerësuar se Vlora është një pozicion i lakmueshëm si Port i Europës në Ballkan. Ai shprehu falenderimet për të gjithë ekipin që punoi për realizimin e këtij projekti, duke nënvizuar këtu përkushtimin për finalizimin e kësaj vepre brenda standardeve. "Në rast se Shqipëria ka një pozicion shumë të lakmueshëm si port i Evropës drejt Ballkanit dhe anasjelltas, Vlora është krahu më perëndimor i kësaj porte. Vlorën e ndajnë nga bregu tjetër vetëm 90 kilometra. Unë dua të falenderoj me mirënjohje z. Guido Ottolenghi, i cili me një integritet të madh dhe me një përkushtim të shkëlqyer ka këmbëngulur në këtë projekt duke kaluar vështirësi jo të pakta. Gjithashtu, dua të falenderoj ekipin e tij, punëtorët, inxhinierët dhe drejtuesit, sepse sot ata i bëjnë Vlorës dhe gjithë Shqipërisë një dhuratë të jashtëzakonshme", vijoi më tej kryeministri. Gjithashtu, ai vuri në dukje se Vlora me portin e saj energjetik i përmbush të gjitha detyrimet e mëdha të energjisë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë Ballkanin. "Vlora pa portin e saj energjetik është një qytet vetëm i kohërave të shkuara, ndërsa Vlora me portin e saj energjetik përmbush të gjitha detyrimet e mëdha që ka jo vetëm ndaj qarkut të saj apo jugut të Shqipërisë, por edhe ndaj gjithë Shqipërisë dhe Ballkanit", vlerësoi kryeministri.

 

Në tetë vjet qeverisje, PS braktisi investitorët e huaj

 

Kryeministri Berisha theksoi dje se prioriteti i kësaj qeverie është dhe do të jetë mbështetja e fuqishme ndaj investitorëve. Në këtë kuadër, ai ka theksuar se Partia Socialiste në tetë vjet qeveri braktisi dhe la pas dore investitorët e huaj, duke i shkaktuar një dëm të madh mbarë vendit, duke u përkujdesur vetëm për interesat vetiake. Më tej, ai theksoi se terminali në Vlorë është një nga dëshmitë më të mëdha që tregon bashkëpunimin e qeverisë me investitorët e huaj për t'i dhënë vendit vepra jetike e madhore. "Zoti Guido Ottolenghi, ju në fjalën tuaj thatë se keni punuar me katër qeveri për këtë projekt, por dua të saktësoj se tre prej tyre kanë qenë qeveri socialiste dhe vetëm njëra ka qenë qeveri demokrate. Në qoftë se në një hark kohor prej tetë vitesh punove me tre qeveri socialiste, ky nuk ishte faji ynë, por kjo vjen sepse socialistët në traditën e tyre të përjetshme kudo që ndodhen, në emër të popullit, më shumë se për çdo gjë tjetër kujdesen për karrigen e tyre", tha kryeministri. Në vijim, ai vuri në dukje përkujdesjen e qeverisë ndaj investitorëve të huaj me qëllim zhvillimin dhe modernizimin e vendit. "Ndaj, më vjen shumë mirë që së bashku, me një bashkëpunim luajal dhe të ngushtë, përfundojmë këtë vepër të madhe dhe një nga investimet më të mëdha në këto katër vite në Shqipëri, me vlerë 57 milion euro", vijoi më tej kryeministri. Ndër të tjera, ai vlerësoi se terminali i ri është një nga investimet më jetike dhe më të domosdoshme për qytetin e Vlorës dhe të gjithë vendin. Ai vlerësoi kontributin e drejtorit të Petroliferës për kontributin e dhënë për qytetin e Vlorës, i cili ka transportuar dhe transferuar në plazhin e këtij qyteti mbi 100 mijë m3 rërë, për ta bërë atë një plazh shumë më të mirë.

 

Vlora është shndërruar në një park të mrekullueshëm energjetik

 

Kryeministri tha se, falë punës së çmuar nga Petrolifera, Vlora është shndërruar në një park energjetik të mrekullueshëm. "Ky është një nga investimet më jetike dhe më të domosdoshme për Vlorën dhe për vendin. Dua të theksoj se z. Guido Ottolenghi ka bërë përpjekje të mëdha dhe e ka ndihmuar shumë qytetin e Vlorës. Ka transportuar dhe transferuar në plazhin e këtij qyteti mbi 100 mijë m3 rërë, për ta bërë atë një plazh shumë më të mirë. E ka shndërruar këtë zonë në një park të mrekullueshëm energjetik. Dua t'u bëjë të ditur qytetarëve të Vlorës se kjo ditë shënon edhe diçka tjetër shumë të rëndësishme për qytetin: largimin përfundimtar të një rreziku permanent që përbënte shkarkimi i gazit në portin e tyre. Ky ishte absolutisht një nga proceset më të rrezikshme në Shqipëri, por sot e tutje ky rrezik merr fund. Ne kemi një miqësi dhe një bashkëpunim të gjatë", tha më tej kryeministri. Gjithashtu, ai theksoi se qeveria është përpjekur të zgjerojë marrëdhëniet në ato fusha ku ishim më mbrapa dhe në ato fusha që ishin jetike për marrëdhëniet mes dy vendeve tona. "Dua që t'ia përcjellësh mikut tonë të përbashkët, kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, se kjo pranverë mund të quhet pranvera e investimeve të mëdha italiane në Shqipëri. Katër vite më parë kam zhvilluar një vizitë në Itali. Ambasada italiane dhe Instituti për Tregtinë e Jashtme më organizuan një takim të shkëlqyer me investitorët italianë atje. Katër vjet më parë unë iu premtova atyre se do të bëj çdo gjë që të rikthejë besimin e tyre te Shqipëria. Dhe cili është realiteti sot? Sot është një realitet, të cilin unë në parashikimin tim më optimist nuk guxoja ta deklaroja katër vite më parë", tha kryeministri, ndërsa theksoi se vetëm gjashtë muajt e fundit qeveria ka nënshkruar me kompanitë më të mëdha italiane investime që i kalojnë 3.6 miliard euro, si dhe janë në përgatitje e sipër kontrata me disa miliard euro të tjera.

 

Shqipëria, vend i besimit të madh për investitorët italianë dhe botërore

 

Shqipëria është bërë vend i besimit të madh për investitorët italianë dhe ata botërorë. Kryeministri Berisha vlerësoi se, ashtu siç pritej dhe ashtu siç duhej, investimet italiane janë në krye të këtij procesi jetik për Shqipërinë. Ai ka vënë në dukje se këto investime janë të shpërndara në fusha të ndryshme, por mbi të gjitha janë në fushën e energjetikës. Kryeministri shprehu bindjen se në vitet që vijnë këto investime do të shumëfishohen. Gjithashtu, kreu i qeverisë shprehu garancinë e tij ndaj investitorit të huaj se do të gjejnë tek qeveria shqiptare çdo reformë që do të lehtësojë biznesin e tyre. "Unë kam besim të madh se gjatë viteve që vijnë këto investime do të shumëfishohen. Premtimi im para investitorëve italianë dhe atyre të mbarë botës është se ky vend do të ndërmarrë çdo reformë, çdo ligj dhe çdo vendim për t'u bërë vendi më miqësor dhe më i përshtatshëm për investimet e huaja në Evropë", tha kryeministri. Duke vlerësuar se qeveria shqiptare ka shënuar hapa të mëdha në përmirësimin e klimës së biznesit, kryeministri tha se sot Shqipëria është vendi me barrën fiskale dhe me koston e prodhimit më të ulët në Evropë, por ambiciet e qeverisë janë shumë më të mëdha.

 

 

Zv/ministri italian për Ekonominë vlerësoi se Shqipëria po ndryshon çdo ditë në të gjitha drejtimet

Urso: Reformat e thella të qeverisë "Berisha" po ndryshojnë Shqipërinë

 

Zëvendësministri për Zhvillim Ekonomik i qeverisë italiane, Adolfo Urso, vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, si dhe kontributin personal të kryeministrit Berisha në këto reforma. I pranishëm në inaugurimin e terminalit të ri në qytetin e Vlorës, zv/ministri italian për Ekonominë vlerësoi se Shqipëria po ndryshon çdo ditë në të gjitha drejtimet. "Shqipëria është duke ndryshuar. Ajo do të ndryshojë edhe më shumë, do të ndryshojë me punën e shqiptarëve dhe me ndihmën e investitorëve të huaj", u shpreh ai. Duke iu referuar inaugurimit të sotëm të terminalit të depozitimit të karburanteve, Urso u shpreh se kjo vepër bën që qyteti i Vlorës, i cili vite më parë identifikohej si qyteti i trafiqeve, sot të jetë qyteti i ndryshimeve të mëdha dhe që i ofron investitorëve të huaj mundësi të mëdha dhe siguri për investimet e tyre.

 

Ottolenghi: Ndërmarrjet më të fuqishme të Europës sytë nga Shqipëria

 

Drejtori i Petrolifera Italo-Albanese, Guido Ottolenghi, vlerësoi dje se falë terminalit të ri në qytetin e Vlorës, i cili do të ketë efekte të dobishme në të gjithë tregun energjetik shqiptar, pasi është investimi i parë në këtë sektor që ndjek standardet më të përparuara evropiane, do të bëjë që ndërmarrjet ndërkombëtare t'i kthejnë sytë nga Shqipëria. Sipas tij, një tjetër efekt pozitiv i këtij investimi do të jetë edhe hapja e vendeve të reja të punës. Ottolenghi i shprehu mirënjohje qeverisë shqiptare dhe institucioneve të tjera në vend për mbështetjen që kanë dhënë në realizimin e kësaj vepre. Ai ka vlerësuar se Shqipëria, falë investimeve madhore, po ndryshon dhe po zhvillohet. Gjithashtu, ai ka vënë në dukje se sistemi financiar në Shqipëri po ofron produkte të përparuara, të cilat sigurojnë projekte dinamike. "Vendi juaj po ndryshon, infrastruktura po përmirësohet, qeveria dhe administrata publike po bëhen gjithnjë e më dinamike. Sistemi financiar ka evoluar shumë dhe shumë banka ndërkombëtare veprojnë sot në Shqipëri, duke ofruar produkte gjithnjë e më të përparuara. Në Shqipëri ne kemi njohur shumë njerëz të ndershëm dhe të aftë, me eksperiencë dhe vizion, të cilët do ta çojnë përpara këtë vend. Shqipëria ka hyrë në NATO dhe së shpejti do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian", u shpreh ai.

 

Shqipëria së shpejti vendi me konkurrencën më të lirë në Europë

 

Qeveria do të ndërmarrë në vijimësi reforma të thella në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit për investitorët e huaj. Kryeministri Berisha shprehu dje bindjen se Shqipëria shumë shpejt, falë këtyre reformave do të shndërrohet në vendin me konkurrencën më të lirë në Europë. "Ne, së shpejti do të jemi vendi me konkurrencën më të lirë në Evropë. Ky është premtimi ynë. Do të jemi vendi i praktikave më liberale. Shqipëria nuk ka nevojë të ecë përpara, ajo ka nevojë të vrapojë, të vrapojë apo dhe të fluturojë, sepse është një vend me kohë të humbur. Dhe Shqipëria në të vërtetë është në vrapim", ka vlerësuar kryeministri. Më tej, ai ka vlerësuar se vetëm një vit më parë Shqipëria njohu një rritje ekonomike me 8%, e cila është konsideruar si rritja më e lartë ekonomike në Europë. Gjithashtu, ai bëri të ditur se, edhe pse të gjitha vendet më të zhvilluara në botë dhe në Europë po vuajnë nga pasojat e rënda të krizës financiare, Shqipëria e vlerësuar sipas institucioneve më prestigjoze ndërkombëtare, ka një rritje të lartë ekonomike. "Vitin 2008, Shqipëria e mbylli me një rritje ekonomike tetë përqind, me rritjen ekonomike më të lartë në Evropë. Dhe sërish, në një kohë krize globale, rritja jonë ekonomike është më e larta në Evropë, sipas institucioneve ndërkombëtare", është shprehur kryeministri. Ai ka vlerësuar se, kjo ndodh jo sepse Shqipëria është një ekonomi e shkëputur, pasi edhe Shqipëria është pjesë e ekonomisë botërore, por ndodh sepse qeveria ka vendosur standardet më liberale, duke krijuar klimën më të favorshme për biznesin. "Nuk them se jemi bërë parajsa e investimeve, sepse parajsa është qiellore dhe nuk them se nuk ka vështirësi. Zoti Guido Ottolenghi i njeh shumë mirë këto vështirësi, por ju them se suksesi është i sigurtë dhe do të jetë gjithnjë e më i sigurtë", vijoi më tej kryeministri.

 

Ekonomia shqiptare, një nga më të preferuarat për biznesin italian

 

Kryeministri Berisha shprehu dje mirënjohjen e tij të thellë për qeverinë italiane, ambasadën e Italisë në Shqipëri për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Shqipërisë në investimin e shumë projekteve madhore dhe jetike. "Dua t'ju shpreh një falenderim të veçantë ju dhe gjithë ekipit të ambasadës italiane në Tiranë, sepse pa punën, pa angazhimin dhe pa përkushtimin tuaj, këto rezultate do të ishin të pamundura. Dua të informoj publikun se 95 përqind e korrespondencën time të shpeshtë me mikun tim Saba D'Elia lidhet me biznesin. Ndërsa marrëdhëniet tona politike janë të shkëlqyera. Miku im, Adolfo Urso, i jam shumë mirënjohës qeverisë tuaj dhe mikut tim Silvio Berluskoni, për mbështetjen e gjithanshme që i keni dhënë dhe i jepni Shqipërisë, për solidaritetin e jashtëzakonshëm që i keni dëshmuar vendit tim, por edhe për kënaqësinë shumë të madhe që sot Shqipëria të shndërrohet në një nga vendet më të preferuara të biznesit italian në Evropë dhe në botë. Dua t'ju falenderoj sërish z.Guido Ottolenghi, sepse ju keni treguar cilësi shumë të larta, keni punuar me një përkushtim shumë të lartë, me kompetencë dhe me një gjakftohtësi të veçantë. Ju keni nderuar prindërit tuaj, vendin tuaj dhe Vlorën, gjithashtu", ka vlerësuar kryeministri.

 

Politika e PS përbëhet nga përbaltja e projekteve jetike për vendin

Kryeministri Berisha dënoi dje tentativat e Partisë Socialiste për të përbaltur projektin jetik të sapoinauguruar, terminalin e ri në qytetin e Vlorës, duke theksuar se qeveria do të vijojë projektet e saj të zhvillimit të vendit, duke i lënë opozitës të merret me truke dhe trillime. Ai theksoi se, me anë të këtij projekti qeveria i jep qytetit të Vlorës portin energjetik më modern të Mesdheut, me standardet më të larta të sigurisë dhe pastërtisë. "Para se të vija këtu mora vesh se krijuan sërish historinë e orës së Presidentit Bush. Pak më tej kanë hedhur ca naftë, për të prishur syrin e keq, por ne do t'ua lëmë atyre këto truke dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë vepra si kjo. Le t'u lëmë atyre histori të tilla të turpshme, le t'ia lëmë ato atyre që i stisin. Ndërsa ne i ofrojmë qytetit të Vlorës portin energjetik më modern të Mesdheut dhe një port të standardeve më të larta, të sigurisë dhe të pastërtisë më të madhe. Edhe një herë ta gëzojë Vlora, ta gëzoni ju, ta gëzojë familja Ottolenghi dhe të gjithë së bashku", tha kryeministri. RD

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Programi elektoral i Polit të Lirisë (06.03.2009)
Liberation: Një vështrim nga Shqipëria (06.03.2009)
The Muslim News: Njiheni pavarësinë e Kosovës (06.02.2009)
Autostrada Durrës-Kukës-Prishtinë, fitore kombëtare (06.02.2009)
Ne fituam lirinë nga krimiNga Arben IMAMI (05.30.2009)
Audry Glover: Le të lemë faktet të flasin (05.30.2009)
600 turistë nga Izraeli do ta vizitojnë Veriun e Shqipërisë gjatë verës 2009 (05.29.2009)
Topalli ftesë grave për t'u bërë pjesë e projektit të madh të Shqipërisë që po ndryshon (05.29.2009)
Bruno Vespa vlerësime pozitive për gazetarinë artin dhe kulturën shqiptare (05.29.2009)
Rama: Për mua pushteti nuk ka kuptim pa realizuar qëllimet e përbashkëta (05.28.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]