VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Kryeministri kërkoi një kontratë të re me gjirokastritët për arritjen e standardeve europiane

                                                                                      

E Martë, 05.07.2024, 06:05am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 
Kryeministri kërkoi një kontratë të re me gjirokastritët për arritjen e standardeve europiane
E Shtunë, 06.20.2009, 09:05am (GMT+1)

 

 

 

Investimet në Gjirokastër në katër vitet e fundit janë 20 herë më të larta se në tetë vitet e qeverisjes së mëparshme. Gjatë një takimi me banorët e Gjirokastrës, kryeministri Berisha theksoi se gjatë këtyre katër viteve në këtë zonë janë investuar 6.2 miliard lekë, kundrejt gjithsej 800 milion lekëve të investuara në tetë vitet pararendëse. "Në Gjirokastër dhe në komunat e saj u ndërtuan 23 ujësjellës dhe 34 rrugë. Qendra historike e Gjirokastrës po ripërtërihet me shpejtësi në kuadrin e shpalljes së saj trashëgimi botërore kulturore. Në bashkëpunim me UNESCO-n, qeveria shqiptare ka investuar rreth 200 milion lekë dhe iu garantoj se do t'i rikthejmë të gjithë gjallërinë që ka pasur dhe meriton të ketë. 120 milion lekë u investuan në nënstacionin dhe linjën 20 kilovolt, duke i siguruar Gjirokastrës në këtë mënyrë një furnizim stabël me energji elektrike", u shpreh kryeministri, ndërsa theksoi se fermerët e Gjirokastrës janë subvencionuar nga kjo qeveri 33 herë më shumë se nga qeveritë e mëparshme. "Autostrada Gjirokastër-Tepelenë, një investim prej 20 milion euro, është një nga rrugët më të bukura të Shqipërisë. Autostrada Kardhiq-Delvinë, një investim prej 1.5 miliard lekë, po ikën me shpejtësi", vijoi më tej kreu i ekzekutivit në një takim entuziast me banorët e Gjirokastrës. Duke shprehur kënaqësinë për këtë takim pas arritjeve thelbësore, kreu i ekzekutivit premtoi se në katër vitet e ardhshme reformat do të thellohen më tej, duke patur si horizont Shqipërinë europiane. "Takohemi sot në këtë shesh pas një përpjekjeje të madhe katërvjeçare, në të cilën ne ia dolëm të lartësojmë emrin e Shqipërisë, të nxjerrim Shqipërinë në krye të rritjes ekonomike në Europë, të nxjerrim Shqipërinë në vend të dytë në botë për klimën e biznesit, ta rendisim atë më të mirën në rajon në luftën kundër korrupsionit. Por, para të gjithash, të dyfishojmë pensionet dhe rrogat e ulëta të mbi 250 mijë shqiptarëve, të dyfishojmë rrogat e mësueseve të fëmijëve tanë, të infermierëve dhe mjekëve, të investojmë në rrugët dhe sheshet e këtij vendi në 5900 kilometra rrugë, në 720 ujësjellës, 1012 shkolla të ndërtuara apo të rindërtuara", tha kreu i qeverisë.

 

Distanca Gjirokastër-Tiranë do të shkurtohet me 100 km

 

Kryeministri Berisha kërkoi dje një kontratë të re katër-vjeçare me banorët e Gjirokastrës për ta sjellë qytetin e tyre dhe mbarë Shqipërinë në standardet më të mira europiane. Kreu i qeverisë premtoi infrastrukturë moderne, duke u zotuar se Boshti i Jugut është projekti i të gjitha projekteve në mandatin e ardhshëm. "Brenda këtij mandati, distanca Gjirokastër-Tiranë do të shkurtohet me së paku 80 deri 100 kilometër. Ju do të arrini në Tiranë në një kohë dy herë më të shkurtër sesa sot. Gjirokastra europiane dhe Shqipëria europiane, për mua dhe për ju do të thotë të keni ujë 24 orë jo vetëm në qytet, po në çdo fshat të Gjirokastrës dhe në çdo fshat të Shqipërisë", u shpreh më tej kreu i ekzekutivit. Ai tha se, siç kjo qeveri përmbushi zotimin për të lënë prapa errësirën nga ndërprerjet e energjisë, do të lërë mbrapa njëherë e përgjithmonë ndërprerjet e ujit në shtëpitë e shqiptarëve. "Gjirokastër europiane dhe Shqipëri europiane do të thotë që qytetarët e Gjirokastrës dhe të mbarë Shqipërisë të shpërblehen me pensionet dhe projekti është ky: pensione më të mëdha se pensionet e gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe paga më të mëdha se ato të gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Gjirokastra europiane dhe Shqipëria europiane do të thotë që fermerët e Gjirokastrës të subvencionohen. Unë iu jap fjalën atyre se do të financoj çdo projekt të tyre pa asnjë kufizim, në kultura bujqësore, në frutikulturë dhe blegtori", u shpreh kryeministri. Gjirokastra europiane dhe Shqipëria europiane, shtoi më tej ai, nuk mund të jetë kurrë e tillë pa një fshat europian. "Ndaj dhe ne do të vendosim nën ujë Gjirokastrën dhe mbarë Shqipërinë. Garantoj fermerët e kësaj zone dhe të gjithë fermerët shqiptarë, se projektet më gjigante të ujitjes do të realizohen në katër vitet që do të vijnë. U kërkoj të gjithë qeveritarëve vendorë, që ashtu siç punuam bashkë për rrugët dhe do të asfaltojmë çdo rrugë, ne do të punojmë së bashku për të garantuar vaditjen e të gjithë tokave shqiptare kudo që janë", tha Berisha, ndërsa ftoi socialistët e Gjirokastrës të bashkohen me ëndrrën europiane, pasi ky është projekti më i mirë për çdo shqiptar. "Le të ndajmë së bashku përpjekjet për këtë projekt, ky është projekti më i mirë për fëmijët tanë. Ndaj dhe ne, ashtu siç realizuam projektin e anëtarësimit tonë në NATO, le të realizojmë edhe projektin e Gjirokastrës dhe Shqipërisë europiane", u shpreh më tej Berisha.

 

Minoriteti dhe emigrantët do të votojnë për PD-në më 28 qershor

 

Në një takim madhështor me qytetarët e Gjirokastrës kryeministri Berisha ftoi minoritetin grek në këtë zonë të votojnë Partinë Demokratike, ndërsa u bëri thirrje të gjithë emigrantëve shqiptarë të vijnë e të votojnë më 28 qershor. Ai garantoi banorët e Gjirokastrës se, në katër vitet që vijnë investimet do të jenë së paku 15 herë më të mëdha se ato të katër viteve që shkuan. "Unë iu jap fjalën se nuk do të jetë e largët dita kur bijtë tuaj, bijtë e Gjirokastrës dhe të mbarë Shqipërisë që punojnë sot në tokat e vendeve të tjera, të vijnë në Shqipëri, të punojnë në shtëpitë e tyre, të mbrothësojnë në shtëpinë e tyre", u shpreh kryeministri, ndërsa shprehu mirënjohjen për mundin dhe djersën e emigrantëve shqiptarë. Ai garantoi qytetarët e Gjirokastrës se brenda vitit të parë të mandatit tjetër do të lëvizin pa viza në BE. Duke e vënë theksin në rëndësinë e votës së emigrantëve, kryeministri shprehu sigurinë për shndërrimin e Shqipërisë në katër vitet e ardhshme. "Në këtë vend nuk do të ketë rrugë të paasfaltuara, në këtë vend do të ketë ujë 24 orë dhe Shqipëria do të jetë vend lider për investimet e huaja në rajon. Vetëm Vjosa me 8 hidrocentralet e saj dhe hidrocentralet e tjera do të punësojnë dhjetëra mijëra punonjës të Gjirokastrës dhe të mbarë Shqipërisë", u shpreh më tej kreu i qeverisë, ndërsa ftoi qytetarët e Gjirokastrës të votojnë numrin 10 në fletën e votimit.

 

 

Kryeministri garantoi banorët e Përmetit, Këlcyrës dhe Ballabanit për asfaltimin e rrugës Berat-Këlcyrë

Infrastruktura moderne, projekti i PD-së për Përmetin europian

 

Kryeministri Berisha ftoi dje qytetarët e Përmetit të mbështesin vijimin e ndryshimit, përpjekjen e Partisë Demokratike për Përmetin europian, për Shqipërinë europiane. Në një takim entuziast me banorët e Përmetit, kreu i ekzekutivit theksoi se projekti për Përmetin europian konsiston në ndërtimin e një infrastrukture moderne në këtë rreth në të gjitha drejtimet, nga Tre Urat në Çarshovë dhe tek Ura e Leklit. Kreu i qeverisë theksoi se, projekti i kësaj rruge është në përfundim dhe sapo të përfundojë do të fillojë ndërtimi i saj në disa lote, për ta përfunduar në kohë sa më të shkurtër dhe për ta bërë atë një nga arteriet më të rëndësishme të juglindjes së vendit. Gjithashtu, kryeministri garantoi banorët e Përmetit, Këlcyrës dhe Ballabanit se rruga Këlcyrë-Berat do të asfaltohet e tëra, pavarësisht nga ndërtimi i Boshtit të Jugut. "Një vit më parë, unë kam pritur një përfaqësi të qeveritarëve tuaj vendorë dhe në atë takim u thash se Boshti i Jugut ka përparësi. Por tani, ne jemi në gjende t'i bëjmë të dyja, të bëjmë Boshtin e Jugut, por njëkohësisht të asfaltojmë dhe rrugën Këlcyrë-Berat. Ndërtimi i saj ka filluar nga Berati dhe po bëjmë projektin për të filluar edhe nga Këlcyra. Përmeti evropian është Përmeti një kantier i vërtetë ndërtimi", u tha kryeministri qytetarëve të shumtë, që kishin mbushur sheshin qendror të qytetit juglindor. Duke shprehur kënaqësinë për këtë takim me banorët e Përmetit si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, kreu i ekzekutivit tha se me këtë u arrit ëndrra e rilindësve tanë. "Iu përshëndes vëllazërisht, iu shpreh kënaqësinë dhe krenarinë e madhe që sot takohemi së bashku pasi me përkushtimin, mundin dhe djersën tonë, ne ia dolëm të bëjmë realitet ëndrrën e madhe të shqiptarëve, ëndrrën e Sami Frashërit, ta vendosim Shqipërinë në gjirin e kombeve të më të lira dhe më të fuqishme të botës, në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Shqipëria Zonjë ishte ëndrra e rilindësve tanë. Shqipëria sot është anëtare e NATO-s", u shpreh Berisha, duke shprehur kënaqësinë që Shqipëria renditet sot vendi me rritjen ekonomike më të lartë në Europë, duke qenë një vend me trashëgimi më të madhe të varfërisë dhe të mjerimit. "Ne ia dolëm të rrisim të ardhurat për frymë nga 2500 në 4200 dollarë, ia dolëm të rrisim rrogat dhe pensionet në vend më shumë se në çdo vend tjetër të kontinentit, ia dolëm të ndërtojmë 6000 kilometra autostrada dhe rrugë në mbarë Shqipërinë, ia dolëm të ndërtojmë apo rindërtojmë gjysmën ose 1012 shkolla të vendit, të shtrijmë internetin në të gjitha shkollat për fëmijët tanë", tha kryeministri, duke nënvizuar se në këto katër vite kjo mazhorancë dëshmoi se, jo në pak raste të pamundurën e bëri të mundshme. "Për shumë e shumë dyfishimi i pensioneve për të gjithë fermerët në mbarë vendin ka qenë i pamundur, por sot është realitet, për shumë e shumë dyfishimi i rrogave të mësuesve ka qenë i pamundur, por sot është realitet, për shumë e shumë anëtarësimi në NATO ka qenë i pamundur, sot është realitet, korridori i kombit ka qenë i pamundur, sot është realitet", u shpreh kryeministri, duke nënkuptuar se në të njëjtën mënyrë siç mund të duket i pamundur anëtarësimi në BE, ai do të shndërrohet në realitet brenda një kohe të shkurtër.

 

Në mandatin e dytë, investimet në Përmet do të rriten 20 herë

 

Kaskada e Vjosës do të shndërrohet në një burim të rëndësishëm për punësimin e banorëve të Përmetit. Gjatë takimit me banorët e Përmetit kreu i qeverisë i informoi ata se, qeveria ka përfunduar të gjitha studimet dhe së shpejti do të nxjerrë në treg kaskadën e Vjosës për tetë hidrocentrale, ndër më të rëndësishmit për Shqipërinë. "Kaskada e Vjosës është kaskada më e lakmueshme në biznesin botëror për hidrocentralet. Janë me dhjetëra kompani botërore që kanë treguar interes për të. Unë iu garantoj se do të ndërtojmë tetë hidrocentrale, Përmetin do ta ruajmë dhe do të respektojmë të gjithë mjedisin e Vjosës", u shpreh kreu i qeverisë gjatë takimit me banorët e Përmetit. Ai tha se projekti i PD-së për Përmetin europian është respektimi i madh i banorëve të këtij qyteti, ndërsa garantoi se në mandatin e ardhshëm qeveria do të financojë çdo projekt, pa kufizim që fermerët e Përmetit do të paraqesin për vreshta dhe për kulturat e tjera dhe çdo projekt për nxitjen e prodhimit dhe përpunimit të prodhimeve. "Përmeti europian dhe Shqipëria europiane është për mua dhe për ju, qyteti dhe vendi i qytetarëve dhe pensionistëve që neve paguajmë", tha Berisha, ndërsa ripërsëriti vendosmërinë për vazhdimin e politikave për rritjen e pensioneve dhe pagave. Ne, vijoi ai, iu garantojmë ju, banorëve të Përmetit dhe të fshatrave të tij se çdo komunë e këtij rrethi do të lidhet me rrugën kombëtare me rrugë të asfaltuara dhe çdo fshat do të lidhet me qendrën e komunës. Kryeministri theksoi se, përfundimi i infrastrukturës moderne në zonën turistike të ultësirës perëndimore brenda 2010 do t'i lërë vendin investimeve në zonat turistike malore për t'iu kthyer bredhit të Oktrovës, Nemërçkës, Tomorit, Çajupit e Alpeve. "Qeveria do të bëjë që malet tona të flasin për ne në mbarë Europën dhe botën. Këtu përpara kam një listë të gjatë investimesh që janë bërë në këtë rreth, të cilat tregojnë se janë bërë 7 herë më shumë investime se sa në tetë vitet e qeverive socialiste. Iu garantoj se në katër vitet që vijnë, investimet në këtë rreth do të jenë së paku njëzet herë më shumë se këto që bëmë ne në këto katër vite që shkuan", garantoi kryeministri banorët e Përmetit.

 

Socialistët të votojnë projektin për të ardhmen më të mirë të familjeve të tyre

 

Kreu i qeverisë u bëri thirrje socialistëve të Përmetit të mbështesin dhe të votojnë projektin më të mirë për të ardhmen e tyre. Duke i ftuar ata të bashkohen me projektin e Përmetit europian dhe Shqipërisë europiane, kreu i qeverisë tha se ky është projekti i zhvillimeve të mëdha. "Dua të shfrytëzoj rastin nga ky shesh t'u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Përmetit, t'u bëj thirrje socialistëve të Përmetit, një thirrje miqësore, bashkohuni me ne. Bashkohuni me ne në projektin e përbashkët për Përmetin europian, për Shqipërinë europiane. Bashkohuni me ne në këtë projekt se ky është projekti i zhvillimeve të papara ndonjëherë për Përmetin dhe Shqipërinë, i Vjosës me tetë hidrocentrale, i infrastrukturës më moderne të turizmit malor, i pensioneve më të larta se në gjashtë vende anëtare të Bashkimit Europian", u shpreh kryeministri. Ai ftoi socialistët të bashkohen me projektin e Shqipërisë europiane, sepse kjo mazhorancë do ta ndajë me secilin shqiptar këtë projekt. "Ne e meritojmë të gjithë projektin europian. Ne meritojmë ta shohim realitet ëndrrën europiane. Ndaj le të bashkohemi dhe më 28 qershor të votojmë me maturi, të votojmë si qytetarë të lirë, të votojmë me letërnjoftimet e reja, të trokasim në dyert e Europës, të inaugurojmë projektin tonë me votën tonë të lirë", tha kreu i ekzekutivit, ndërsa u bëri thirrje të gjithë banorëve të Përmetit, pavarësisht bindjeve politike, të votojnë numrin 10 në fletën e votimit, për të zgjedhur të ardhmen më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre.

 

Boshti i Jugut, përparësia kryesore e projektit të PD-së në mandatin e dytë

 

Tepelena do të jetë një nga epiqendrat kryesore të transportit në jugun e Shqipërisë. Kështu u shpreh dje kryeministri Berisha gjatë një takimi që zhvilloi me banorët e Tepelenës në qendër të këtij qyteti. Kryeministri garantoi qytetarët e Tepelenës për ndërtimin e shpejtë të Boshtit të Jugut gjatë mandatit të dytë. "Unë jam sot këtu për t'ju garantuar se Boshti i Jugut do të jetë projekti numër një i qeverisë time dhe se gjatë këtij mandati distanca juaj me Tiranën do të shkurtohet së paku gjysmë për gjysmë. Sikundër dua të garantoj të gjithë banorët e këtij rrethi, që të gjitha komunat e tij do të lidhen me rrugët kombëtare me rrugë të asfaltuara dhe të gjithë fshatrat e komunës do të lidhen me qendrën e saj me rrugë të asfaltuara. Gjatë mandatit që vjen, përfundon jo vetëm Boshti i Jugut, por edhe autostrada Tepelenë-Levan", u shpreh kryeministri, ndërsa kërkoi votën dhe mbështetjen e tepelenasve për projektin europian të qytetit të tyre. Kjo zonë, vijoi më tej kreu i qeverisë, ka në projektin e saj europian gjithashtu ndërtimin e së paku tetë hidrocentraleve në kaskadën e Vjosës. "Përmetarët e tepelenasit do të jenë të parët që do të përftojnë nga ndërtimi i tyre. Gjithçka është bërë gati, kompanitë më serioze të botës kanë përfunduar të gjitha studimet. Janë me dhjetëra kompani të mëdha botërore, që kanë treguar interesin maksimal për kaskadën e Vjosës. Menjëherë pas zgjedhjeve, kjo kaskadë e mrekullueshme do t'i ofrohet tregut botëror. Tepelena dhe tepelenasit në projektin europian do të kenë zhvillimin e potencialeve turistike në të gjitha zonat e saj, sikundër dua t'ju premtoj të gjitha komunave malore se përveç Boshtit të Jugut ne do të asfaltojmë të 70 kilometrat e rrugës Berat-Këlcyrë", u shpreh kreu i qeverisë në një takim entuziast në Tepelenë. Ai shprehu kënaqësinë që takohet me banorët e Tepelenës pas një sërë arritjesh në katër vitet e mandatit të parë. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë evidentoi anëtarësimin në NATO, rritjen e pagave dhe pensioneve, renditjen e vendit në krye të listës së Europës për rritjen ekonomike dhe nxjerrjen e mbi 200 mijë shqiptarëve nga varfëria. Kreu i ekzekutivit garantoi se rritja e mirëqenies për çdo qytetar shqiptar do të jetë e ndjeshme gjatë katër viteve të ardhshme.

 

Vota për PD, votë për rritjen e pagave dhe pensioneve

 

Kryeministri Berisha deklaroi dje gjatë një takimi me qytetarët e Tepelenës se praktika e qeverisë së tij është ndërtimi i rrugëve të reja të shkurtra, por edhe mosbraktisja e rrugëve të vjetra e të stërgjatura. Ai premtoi rindërtimin e të gjitha rrugëve, në mënyrë që vendi brenda një periudhe 3-vjeçare të ketë rrjetin rrugor më modern sipas standardeve europiane. "Brenda vitit 2010 mbaron edhe rruga Kardhiq-Delvinë, në të cilën po punohet edhe më shpejt, daljen në Sarandë do ta keni shumë më të shkurtër", u tha kryeministri qytetarëve të Tepelenës. Ai u premtoi fermerëve dhe blegtorëve të kësaj zone se, gjatë mandatit të dytë qeveria do të financojë absolutisht çdo projekt të tyre në blegtori apo bujqësi. Në këtë mandat, tha Berisha, ne kemi investuar në Tepelenë rreth 11 miliard lekë, kundrejt 2.5 miliard që kanë investuar socialistët në tetë vitet e qeverisjes së tyre. "Por unë jam këtu për t'u zotuar përpara jush se në mandatin që vjen, në Tepelenë do të investohen jo 5 herë më shumë se në mandatin e tyre, por 15 herë më shumë se në mandatin tim të parë. Fermerëve dhe qytetarëve të Tepelenës iu premtoj se gjatë mandatit të dytë pensionet e tyre do të rriten më shumë dhe do të parakalojnë pensionet e 6 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, po kështu edhe pagat", tha kryeministri, ndërsa u drejtoi një thirrje vëllazërore qytetarëve të Tepelenës, që pavarësisht bindjeve të tyre politike të bashkohen me ëndrrën europiane për të ardhmen e familjeve të tyre dhe të fëmijëve të tyre. "Ne që shndërruam në realitet ëndrrën atlantiste, ne do të shndërrojmë në realitet edhe ëndrrën europiane. Vota për Tepelenën europiane, për Shqipërinë evropiane, është para të gjithash votë për rroga dhe pensione më të larta, për ujë 24 orë në shtëpitë tuaja, për infrastrukturën më moderne, është votë për fermerët e zhvilluar, është votë për të ardhmen më të mirë, më të bukur, tuajën dhe të fëmijëve tuaj", tha Berisha duke ftuar tepelenasit të votojnë numrin 10 në fletën e votimit më 28 qershor. Gjithashtu, kryeministri i ftoi qytetarët e Tepelenës të jenë të pranishëm në Sheshin "Skënderbej", më 26 qershor për të kënduar dhe për të firmosur fitoren.

 

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës mban peng planin urbanistik si hakmarrje ndaj kryeqytetasve për rrëzimin e komunizmit

Fati i Ramës njësoj si i Ramiz Alisë, më 28 qershor firmoset fundi i karrierës së tij politike

 

Kryeministri Berisha deklaroi dje gjatë një takimi tepër entuziast me banorët e Njësisë nr. 8 në Tiranë se, Edi Rama po mban peng planin urbanistik të Tiranës si shenjë hakmarrëse ndaj sulmit të qytetarëve të Tiranës ndaj Ramiz Alisë. Duke shprehur mirënjohjen e thellë ndaj banorëve të kësaj njësie për mbështetjen e fuqishme që ata i dhanë Partisë Demokratike në përmbysjen e regjimit komunist, kreu i qeverisë paralajmëroi fundin politik të Ramës më 28 qershor, njëlloj si fundi i Ramiz Alisë në fillim të viteve '90. "Ashtu si Ramiz Alia, të njëjtin fund do të pësojë edhe zoti Rama, i cili në 28 qershor firmos fundin e karrierës së tij politike. Edi Rama në planin e përgjithshëm urbanistik mendon se mund të hakmerret për Ramiz Alinë kundër jush. Harroje. Fatin e Ramizit do të kesh edhe ti. Të paktën Ramizi hyri në garë dhe pati Vaterlonë këtu, kurse atij s'ia mban as në garë të futet. Edhe ai firmos në 28 fundin e karrierës së tij politike", u shpreh kryeministri në një takim tepër entuziast me banorët e Njësisë nr. 8 në qendër të kryeqytetit. "Me shumë emocion, me shumë mirënjohje, unë dua të përulem para jush. Pasion i pamposhtur i vlerave të demokracisë, ju qëndruat që në ditët e para të kalimit të Partisë Demokratike në krye të përpjekjeve të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, në mbrojtje të vlerave të saj. Këtu, në këtë lagje diktatura mori goditjen fatale", tha kryeministri. Ai garantoi banorët e kësaj njësie bashkiake dhe të gjithë banorët e Tiranës se, kjo mazhorancë nuk do të lejojë më që Rama në postin e kryetarit të Bashkisë të tentojë të ndëshkojë qytetarët e Tiranës, duke i lënë pa plan urbanistik, duke nënvizuar se ky plan është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e qytetit. "Edhe njëherë dua të theksoj qëndrimin e Edi Ramës ndaj këtij territori se me planin e përgjithshëm urbanistik ka vendosur t'ju ndëshkojë. Ta harrojë se mund t'ju ndëshkojë, absolutisht ju do të keni planin tuaj urbanistik, do ta bëni ju së bashku me Sali Berishën. Ndaj dhe ne nuk hakmerremi ndaj njeriu, por nuk e pranojmë hakmarrjen. Hakmarrja është element primitiv dhe ne nuk e pranojmë atë ndaj asnjë njeriu", u shpreh kryeministri, duke iu referuar neglizhencës totale të Bashkisë së Tiranës ndaj banorëve të Njësisë nr. 8.

 

Në katër vite qeveria e PD hodhi bazat për Shqipërinë europiane

 

Anëtarësimi në NATO, aplikimi për statusin e kandidatit në BE, reformat dhe progresi i tyre, rritja e pagave dhe pensioneve, rritja ekonomike, rehabilitimi i infrastrukturës në katër vite janë baza e qeverisjes së djathtë për ndërtimin e Shqipërisë europiane në mandatin e dytë qeverisës. Në vijim të takimit të tij me banorët e Njësisë nr. 8 kryeministri Berisha bëri një bilanc të sukseseve të qeverisë në katër vitet e mandatit të parë të saj. "Vij tek ju gjithashtu me krenari të madhe se takohemi këtu si qytetarë të një kryeqyteti të një vendi anëtar të NATO-s. Pra, takohemi këtu pasi ëndrrën tonë atlantiste e kemi shndërruar në realitet. Takohemi këtu sot së bashku pasi me përpjekje të mëdha, me djersë, punë, përkushtim ia dolëm ta ndryshojmë në katër vjet emrin e Shqipërisë për mirë, imazhin e saj. Ia dolëm ta kthejmë Shqipërinë në një vend shprese, në një vend gëzimi për shqiptarët në mbarë botën. Ia dolëm në katër vjet që së bashku ky vend të ngrihet në krye të rritjes ekonomike në Europë, një nga vendet me rritje më të shpejtë në botë", u shpreh kreu i qeverisë, duke nënvizuar dyfishimin e të ardhurave për frymë në katër vjet, dyfishimin e pensioneve dhe rrogave të ulëta dhe rritja e të tjerave me 50-70%. Në katër vjet, vijoi më tej Berisha, e bëmë Shqipërinë vend lider për investimet e huaja, në katër vjet, para shqiptarëve dhe mbarë botës, ne po ndërtojmë në këtë vend një nga infrastrukturat më moderne në rajon dhe më gjerë. "Në katër vite, ne hodhëm bazat e Shqipërisë europiane, aplikuam për vend anëtar në Bashkimin Europian", tha kreu i ekzekutivit, duke nënvizuar prioritetin madhor, atë të lëvizjes së lirë brenda vitit të parë të mandatit tjetër. "Në katër vitet që vijnë, ne zotohemi të punësojmë 160 mijë shqiptarë. Ku e bazojmë ne këtë? Ne jemi ata që punësuan në këto katër vite 80 mijë shqiptarë. Ne jemi ata që me klimën që krijuam bëmë që bizneset nga 40.000 të arrijnë në 102 mijë në mbarë Shqipërinë. Ne bëmë këto katër vite që të dalim në krye, jo vetëm për rritjen ekonomike, por për thithjen e investimeve të huaja. Shqipëria, që i merrte me pikatore investimet, vetëm vitin e fundit ka firmosur mbi 5 miliard euro kontrata hidrocentrale, parqe industriale, porte, aeroporte e dhjetëra e dhjetëra kontrata të tjera", tha kryeministri.

 

Rama votoi kundër rritjes së pagave dhe pensioneve

 

Opozita e udhëhequr nga Edi Rama ka tentuar që me votën e tij kundër të pengojë çdo ligj, që kishte si qëllim rritjen e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë. Duke iu referuar votës kundër të Ramës për rritjen e rrogave dhe pensioneve, kryeministri Berisha tha se është një rast i paprecedent që një kryetar opozite të kërkojë varfërimin e qytetarëve të vendit të tij. Ai garantoi gjatë takimit me banorët e Njësisë nr. 8 në kryeqytet se politika e rritjes së pagave dhe pensioneve, është një politikë që do të vijojë edhe në mandatin e dytë. Unë, tha kryeministri, dhe qeveria e ardhshme do të bëjmë çdo gjë që ju të merrni më shumë se qytetarët e gjashtë vendeve anëtarë të Bashkimit Europian. Ne e meritojmë. "Ne vuajtëm shumë nga varfëria, vuajtëm shumë nga skamja dhe me shpejtësi duhet të shkëputemi, të ecim drejt mirëqenies. Në të gjitha këto përpjekjet tona për të ndryshuar gjendjen, në përpjekjet tona për të nxjerrë 400 mijë shqiptarë nga varfëria nëpërmjet dyfishimit të pensioneve, nëpërmjet dyfishimit të ndihmës ekonomike, Edi Rama votoi gjithmonë kundër. Votoi kundër uljes së taksave, votoi kundër rritjes së pensioneve, kundër rritjes së rrogave", kujtoi kryeministri. Ai u bëri thirrje socialistëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë të bashkohen me projektin e PD për ëndrrën europiane. "Jemi burra dhe gra që duam që këtë ëndërr ta ndajmë me çdo shqiptar. Duam që këtë ëndërr të bukur, madhështore, më të mirën për vete dhe për fëmijët tanë, ta gëzojnë mbarë shqiptarët. Besoni tek ne se ne bëmë realitet ëndrrën atlantiste dhe e bëmë atë me ndershmërinë tonë, me punën dhe djersën tonë të përbashkët. Edhe ëndrrën europiane, ne do ta bëjmë realitet shumë shpejt nga çfarë mendojnë të tjerët", tha kryeministri. Ai i ftoi qytetarët që më 26 qershor të gjithë të bashkohen në Sheshin "Skënderbej", në mënyrë që Tirana të njohë manifestimin më madhështor në tërë historinë e saj, të kthejë 22 marsin e vitit 1992, ditën e lavdisë elektorale. "Në datën 28 qershor të marrim pjesë të gjithë në votime. Të votojmë si qytetarët europianë, të trokasim me votën tonë të lirë në dyert e Shqipërisë europiane. Në 28 qershor le të votojmë duke kënduar, le të votojmë dhe ta prijmë me të madhe. Ne do të fitojmë. Votoni 10-ën. Të gjithë ju votoni 10-ën, sepse në fakt ju jeni 10-a. 10-a është më e mira, 10-a është fëmija juaj, 10-a është familja juaj, 10-a është lagjja juaj, 10-a është Shqipëria. 10-a është Partia Demokratike, 10-a është Europa blu që mezi po pret Shqipërinë blu", vijoi më tej kryeministri.

 

 

Mijëra qytetarë të Kolonjës dhe të Leskovikut mbushin sheshet e qyteteve në mbështetje të Shqipërisë europiane

Berisha: Europa pret fitoren e PD në zgjedhjet e 28 qershorit

 

Europa pret që shqiptarët të votojnë projektin e Partisë Demokratike dhe që numri 10 në fletët e votimit të jetë fitues. Gjatë një takimi entuziast me banorët e Leskovikut kryeministri Berisha i ftoi ata të mbështesin projektin e Shqipërisë europiane, duke shprehur bindjen se njerëzit e mençur si populli i Leskovikut bashkohen me projektet e mëdha. "Iu ftoj të gjithëve, që në datën 28 qershor të shkojmë në votime. Le të votojmë duke kënduar, të votojmë me qytetarinë më të madhe, le të trokasim ne, me votën e lirë, me letërnjoftimet e reja, në dyert e Europës, si një komb i përgatitur për Shqipërinë europiane, për Leskovikun europian", u shpreh kreu i qeverisë, duke nënvizuar se 28 qershori është festë e mbarë shqiptarëve, është 22 marsi i ri, i ëndrrës europiane, është fitorja e çdo shqiptari, është fitorja e Leskovikut, është fitorja e mbarë Shqipërisë. "Europa blu pret me padurim Leskovikun blu, Shqipërinë blu, më 28 qershor. Votoni 10-tën, 10-ta jeni ju, 10 janë fëmijët tuaj, 10 meriton Leskoviku, 10 meriton Shqipëria, 10 pret Europa nga ne", u tha kryeministri mijëra qytetarëve të Leskovikut të mbledhur në sheshin qendror. Ai u bëri thirrje miqësore të gjithë socialistëve të Leskovikut të bashkohen me këtë projekt, që ka të bëjë me pensionet, me pagat, me shkollimin e fëmijëve, është një projekt që ka të bëjë me dinjitetin e Leskovikut dhe të gjithë Shqipërisë, është një projekt që PD kërkon ta ndajë me të gjithë qytetarët. "Ju jeni vetë dëshmitarë, që ne i rritëm pensionet e fermerëve, i dyfishuam ato, tani kemi 2 objektiva për këtë qëllim, barazimin e tyre me pensionet e qytetit dhe rritjen e tyre në nivele më të larta se pensionet e fermerëve të 6 vendeve anëtare të BE-së. Iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Leskovikut që të bashkohen me ne në projektin e Leskovikut europian, të Shqipërisë europiane", vijoi më tej kryeministri. Ai theksoi se, në katër vitet që vijnë Leskoviku do të ketë një nga infrastrukturat rrugore më të mira në Shqipëri dhe në rajon. "Së dyti, zotimi ynë para fermerëve të Leskovikut në respekt të traditës së tyre të shkëlqyer është të subvencionojë çdo rrënjë vreshti apo hardhie që ju do të mbillni, në traditën tuaj më të madhe të verërave më të mira, në Shqipëri dhe në Ballkan. Për ju nuk ka kuota, nuk ka kufizim, mbillni sa të doni, ne do t'u subvencionojmë", u tha kryeministri banorëve të Leskovikut. Gjithashtu, ai theksoi se qeveria do të financojë përpunimin e rrushit, duke bërë thirrje që të bëhen gati projektet për fabrika vere, apo destinacione të tjera, pasi qeveria do t`i financojë ato, në mënyrë që prodhimet e kësaj treve të njihen kudo, si prodhime të shkëlqyera që janë. Kreu i qeverisë premtoi se në mandatin e dytë qeveria do të garantojë ujë pa ndërprerje për qytetin e Leskovikut e mbarë Shqipërinë.

 

Nis ndërtimi i rrugës Leskovik-Tre Urat, investim 800 mln lekë

 

Kryeministri e nisi vizitën e tij në Leskovik me inaugurimin e fillimit të punimeve për rrugën Leskovik-Tre Urat, një investim ky me vlerë 800 milion lekë. Pas prerjes së shiritit të këtij aksi rrugor mjaft të rëndësishëm për zonën, kreu i qeverisë theksoi se mandati i dytë do të jetë mandati i plotësimit të standardeve europiane, për anëtarësimin e vendit në BE. "Jemi mbledhur dhe herë të tjera në këtë shesh, por kësaj radhe jemi ndryshe, jemi qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, jemi qytetarë të një vendi që ka aplikuar për të qenë anëtar i Bashkimit Europian, jemi qytetarë të një vendi që brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë do të lëvizim të lirë në mbarë Europën. Leskoviku është vërtet një nga qendrat më të largëta nga kryeqyteti, por është një qendër me potenciale të mëdha zhvillimore", tha kryeministri. Duke vlerësuar inaugurimin e fillimit të punimeve të rrugës së Tre Urave, kryeministri vlerësoi se vetëm në këto katër vjet qeveria ka investuar në Leskovik 749 milion lekë, kundrejt 240 milion lekëve të investuara në tetë vite të qeverisjes socialiste. Kryeministri garantoi se këto investime në 4 vite që vijnë do të jenë së paku 10 herë më të mëdha. Së pari, tha kryeministri, në infrastrukturën rrugore, kam ardhur sot t'ju garantoj se aksi rrugor, Kolonjë-Leskovik do të rindërtohet i tëri, me parametra europiane, se aksi rrugor Leskovik-Përmet, do të rindërtohet i tëri, në parametra europianë. "Sapo inauguruam këtu rrugën e Leskovik-Tre Urat, të standardeve më të mira europiane me vlerë 800 milion lekë", vijoi kreu i ekzekutivit, duke nënvizuar se investimet për një infrastrukturë moderne do të jenë prioriteti kryesor i mandatit të dytë.

 

Investimet në Kolonjë, 4 herë më shumë se gjatë qeverisjes socialiste

 

Kryeministri Berisha përcolli dje mesazhin e fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit për qytetarët e Kolonjës. Duke e ndalur turin e tij elektoral fillimisht në qytetin e Kolonjës, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e tij për t'i takuar kolonjarët si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, aleancës më të fuqishme që kohërat kanë njohur. "Takohemi sot në këtë shesh pasi me mundin, djersën, përkushtimin tonë ia keni dalë të lartësojmë emrin e Shqipërisë, ta nxjerrim atë në krye të rritjes ekonomike në Europë, ia kemi dalë në 4 vite të dyfishojmë pensionet, për të gjithë fermerët e Kolonjës dhe të mbarë Shqipërisë, të rrisim pensionet në qytet 50 deri në 70%, ia kemi dalë të dyfishojmë pagat e mësuesve të fëmijëve tanë, infermierëve, mjekëve, por mbi të gjitha ia kemi dalë të investojmë anekënd vendit, të ndërtojmë në Kolonjë dhe në mbarë Shqipërinë 5900 km rrugë, të ndërtojmë dhe të rindërtojmë 1012 shkolla, të ndërtojmë dhe të rindërtojmë mbi 720 ujësjellës, ia kemi dalë të faktojmë shqiptarëve aty ku jetojmë se qëllimi ynë është Shqipëria europiane, Kolonja europiane", është shprehur kryeministri. Më tej, ai ka vlerësuar se vetëm në mandatin e saj të parë qeveria ka investuar në rrethin e Kolonjës 3.1 miliard lekë, në një kohë që socialistët në tetë vite pushtet investuan vetëm 820 milion lekë. "Këto 4 vite, në rrethin tuaj janë investuar 3,1 miliard lekë, ndërkohë që në tetë vite, socialistët investuan 820 milion lekë, pra kemi investuar rreth 4 herë më shumë. Unë jam sot këtu për t'u zotuar para jush, se 4 vitet që vijnë do të investojmë 10 herë më shumë në rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkollat tuaja. Sapo ka përfunduar projekti për rindërtimin e rrugës Kolonjë-Leskovik, iu garantoj se tërë rruga do të rindërtohet. Së shpejti, do të fillojnë punimet për unazën e qytetit tuaj", u shpreh kryeministri. Gjithashtu, ai theksoi se të gjitha komunat e Kolonjës do të lidhen me qytetin me rrugë të asfaltuara. Numri një i ekzekutivit tha se, të gjitha fshatrat e këtij rrethi do të lidhen me qendrën e komunës me rrugë të asfaltuara dhe të gjitha shtëpitë e këtij rrethi dhe të mbarë Shqipërisë, do t'u garantohet uji 24 orë, gjatë mandatit të ardhshëm. "Mandatin tonë të dytë ne duam të përgatisim Shqipërinë dhe Kolonjën për anëtarësim të plotë në BE. Projekti ynë është ambicioz, por është real. Ne që bëmë realitet ëndrrën atlantiste të shqiptareve, ne do të bëjmë realitet ëndrrën europiane të shqiptarëve. Ne që dyfishuam pagat e ulëta dhe pensionet, garantojmë se në 4 vitet që vijnë, ato do të rriten deri sa ne të parakalojmë rrogat dhe pensionet e 6 vendeve anëtare të BE", vijoi më tej kryeministri.

 

PD, 16 herë më shumë subvencione për fermerët se sa tetë vite qeverisje të PS

 

Partia Demokratike në këto 4 vite ka subvencionuar fermerët e Kolonjës 16 herë më shumë se sa Partia Socialiste. Gjatë takimit me banorët e Kolonjës, kryeministri Berisha shprehu garancinë se këto subvencione do të shumëfishohen dhe se qeveria në mandatin e saj të dytë do të subvencionojë imputet që fermerët përdorin për prodhimin bujqësor, si dhe akcizën e naftës për sipërfaqen e mbjellë. Ai tha se, qeveria do të subvencionojë çdo projekt për rritjen e prodhimit, përpunimin dhe tregtimin e tij. Kryeministri ftoi socialistët e Kolonjës që të bashkohen me projektin e përbashkët për Shqipërinë europiane, duke nënvizuar se integrimi në Europë nuk ka dallime partiake. "Ne iu respektojmë ju dhe duam që bashkërisht të ndajmë këtë projekt të madh, më të mirin për ju dhe për fëmijët tuaj. Iu bëj thirrje gjithashtu të bashkohemi edhe për faktin se kryetari juaj nuk iu do dhe nuk iu respekton juve", tha kryeministri, ndërsa shtoi se në historinë e pluralizmit europian dhe botëror nuk ka ndodhur kurrë që një kryetar partie t'u thotë mbështetësve të tij, shkoni përpara ju, se pas vij unë. "Nderi dhe detyra e kërkon të dalë vetë në ballë, të ndajë fatin me ta. Ndaj dhe ne iu duam ju, le të bashkohemi në këtë ëndërr së bashku. Vota juaj për Partinë Demokratike është votë për projektin europian, është votë për pagat, është votë për pensionet tuaja, është votë për shkollat e fëmijëve tuaj, është votë për Kolonjën europiane, për Shqipërinë europiane", u shpreh kryeministri, ndërsa ftoi socialistët e Kolonjës që të votojnë 10-tën më 28 qershor, sepse 10-ta është e ardhmja europiane.

 

Vendimi për dhënien e një kredie të butë për projektin pritet të merret në muajin shtator

Emiratet e Bashkuara Arabe do të financojnë rrugën Tiranë-Elbasan

 

Emiratet e Bashkuara Arabe shprehën mbështetjen e plotë për të financuar rrugën e shkurtër Tiranë-Elbasan nëpërmjet një kredie të butë. Gjatë një takimi që zhvilloi me homologun shqiptar Basha, ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah bin Zayed Al Nahyan, tha se procedurat do të kalojnë shumë shpejt në procedurat përkatëse dhe në shtator do të merret një vendim për financimin e këtij projekti. "Realizimi i këtij projekti ka domethënie të madhe. Sapo të marrim vlerësimin teknik të saj, procedurat përkatëse do të kalojnë në instancat e duhura shumë shpejt dhe besoj që deri në takimin e Komisionit të Përbashkët në shtator do të marrim një vendim lidhur me financimin e saj. Këtë e them me bindje edhe si anëtar i bordit të Bankës Abu Dabi për Zhvillim", tha ministri i Jashtëm i Emirateve gjatë konferencës së përbashkët me homologun Basha. Ndërtimi i kësaj rrugë është i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Emiratet e Bashkuara, u shpreh me tej ai, duke iu referuar lehtësive që realizimi i këtij projekti do të krijojë për të nxitur investimet e Emirateve të Bashkuara, në veçanti ato të lidhura me Zonën Ekonomike të Elbasanit. Në këtë kuadër, ministri Basha i dorëzoi homologut të tij edhe dosjen që Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka përgatitur për Zonën Ekonomike të Elbasanit, ish-Metalurgjiku. Gjatë kësaj vizite, ministri emiratas shoqërohej nga përfaqësues të korporatave dhe agjencisë së investimit të Emirateve te Bashkuara Arabe, të cilat renditen ndër investitorët e parë të huaj në botë. Gjatë takimit, homologët theksuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve të bashkëpunimit që ekzistojnë midis dy vendeve tona. Basha shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke nënvizuar faktin se Emiratet e Bashkuara Arabe ishin i pari shtet arab që njohu Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran më 14 tetor 2008. Dy ministrat diskutuan mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, shkëmbimin e vizitave në nivele të larta, ngritjen e komisioneve të përbashkëta të bashkëpunimit, si dhe për forcimin e dimensionit ekonomik në të gjitha fushat. Gjithashtu, dy homologët u angazhuan për nënshkrimin e disa marrëveshjeve në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjes së investimeve, si dhe për të krijuar të gjitha lehtësirat e nevojshme për rritjen e kontakteve të ndërsjella dhe praninë e theksuar të investitorëve emiratas në Shqipëri. Kreu i diplomacisë së Emirateve u shpreh se, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë interes të veçantë edhe për fushat energjetike, bujqësore, portuale, turizmit, petrokimike etj. Në këtë kuadër, ministri Basha theksoi potencialin e Zonës Ekonomike të Elbasanit për punësimin, prodhimin dhe krijimin e një tregu të veçantë në rajon e më gjerë. Ministri Basha e informoi homologun e tij mbi lehtësirat që Shqipëria paraqet për investitorët e huaj, kuadrin jashtëzakonisht të lehtësuar fiskal, paketën Shqipëria "1 Euro", të cilat janë të vlefshme si për bujqësinë, ashtu edhe për industrinë. Al Hayan falenderoi homologun shqiptar për pritjen e ngrohtë që iu rezervua atij dhe delegacionit që e shoqëronte dhe vlerësoi arritjet e Shqipërisë në drejtim të realizimit të reformave që e afrojnë atë me BE-në, si dhe çmoi rolin dhe qëndrimin konstruktiv të Shqipërisë në rajon. Ai e siguroi homologun e tij shqiptar për mbështetjen e fortë dhe ndihmën e mëtejshme që vendi i tij do të vazhdojë t'i ofrojë Shqipërisë dhe shtimin e investimeve të Emirateve të Bashkuara Arabe në Shqipëri.

 

 Al Nayhan: Shqipëria përbën një mundësi ideale investimi për vetë pozicionin e saj të favorshëm

 

Kryeministri Berisha ftoi investitorët e Emirateve të Bashkuara Arabe të shfrytëzojnë lehtësirat e krijuara për të investuar në Shqipëri. Gjatë një takimi që zhvilloi me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, kryeministri Berisha i shprehu Sheikut Abdullah Bin Zayed Al Nahyan mirënjohjen për miqësinë midis dy shteteve, si dhe për njohjen e Kosovës. Kreu i qeverisë u shpreh se, kjo vizitë ishte shumë e rëndësishme për marrëdhëniet bilaterale. Kryeministri e njohu ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe me reformat e suksesshme dhe zhvillimet në Shqipëri, si ndërtimi i portit më të madh në Mesdhe, zhvillimi i infrastrukturës, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, etj. Kreu i qeverisë ftoi investitorët arabë të investojnë në Shqipëri, duke siguruar se qeveria e tij do të bëjë të gjitha përpjekjet për të lehtësuar këto investime. Kryeministri theksoi se, Shqipëria është një vend i vogël, i cili ka potenciale të mëdha për investime në industrinë minerare, energjinë hidrike, turizëm, agrobiznes, etj. Në këtë kuadër, të dy personalitetet ranë dakord të intensifikojnë takimet, si dhe për krijimin e një komisioni të përbashkët për arritjen e një marrëveshjeje mbi taksimin e dyfishtë, nisjen e marrëveshjeve ekonomike dhe tregtare, etj. Sheiku Abdullah Bin Zayed Al Nahyan shprehu kënaqësinë për vizitën e tij në Shqipëri, duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve. Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe shprehu gjithashtu gatishmërinë e vendit të tij për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve. Sheiku Abdullah Bin Zayed Al Nahyan vlerësoi se, Shqipëria përbën një mundësi ideale investimi për investitorët e Emirateve të Bashkuara Arabe, për vetë pozicionin e saj të favorshëm gjeografik, si dhe për klimën e mirë të biznesit që kanë krijuar reformat e qeverisë së kryesuar nga kryeministri Berisha.

 

 Borchard: Gjermania, mbështet reformat e shpejta të qeverisë shqiptare drejt BE

 

Gjermania i konsideron si pozitive reformat e shpejta të ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të integrimit të vendit në Bashkimin Europian, duke shprehur mbështetjen e saj të fuqishme në avancimin e mëtejshëm të këtyre reformave. Ambasadori i Republikës së Gjermanisë në Shqipëri, Bernd Borchardt, deklaroi dje nga Elbasani se qeveria gjermane ka inkurajuar reformat e shpejtuara që ka ndërrmarë Shqipëria për t'u anëtarësuar në BE, reforma, të cilat janë kryer në masën dhe kohën e duhur. Ambasadori Borchardt ishte i ftuar special në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan për leksionin me temë "Integrimi i Ballkanit Perëndimor, perspektivat drejt Bashkimit Europian". Në fjalën e tij të rastit ambasadori Borchardt nënvizoi se në këto dy vitet e fundit, Shqipëria ka pësuar ndryshime të mëdha, duke përmendur këtu dhe masat për lehtësimin dhe liberalizimin e vizave. "Ju jeni ata që do të prezantoni Shqipërinë në BE dhe unë iu siguroj që do të jetë një nga gjërat më të mrekullueshme që do të keni", tha ambasadori Borchardt, duke iu drejtuar studentëve të pranishëm. Gjithashtu, ai vuri në dukje mbështetjen që qeveria gjermane ka dhënë për Shqipërinë, duke nënvizuar se Gjermania është përkrahësi më i fortë i Shqipërisë në integrimin e saj, por transformimi dhe progresi vjen nga të rinjtë, shpejtësia dhe qeveria varet sërish nga të rinjtë. Ai u bëri thirrje shqiptarëve që të shkojnë të votojnë në 28 qershor. Duke u ndalur tek perspektivat e rajonit, ambasadori Borchardt deklaroi se perspektiva e Ballkanit perëndimor është në familjen e Komunitetit Europian. Ky takim u zhvillua në kuadër të strategjive të auditoreve të hapura që ka nisur Universiteti "A.Xhuvani" në këtë vit akademik, ku prezantohen leksione me tematika në interes të të rinjve studentë. Në auditorin e djeshëm ishin të pranishëm studentë të Fakultetit të Shkencave Humane dhe rektori i universitetit, Liman Varoshi.

 

 

Topalli, takime intensive me qytetarët në Pukë

 

Kryetarja e Kuvendit, njëherazi dhe nënkryetarja e PD-së, në vijim të fushatës elektorale zhvilloi takime shtëpi më shtëpi e dyqan më dyqan në qytetin Pukës, pjesë e Qarkut Shkodër. "Më shumë investime në infrastrukturë, në bujqësi, rritje të pensioneve dhe favorizim biznesi", premtoi për mandatin e ardhshëm kryeparlamentarja Topalli.

Në bisedat me studentë, zonja, pensionistë, drejtues të biznesit të vogël e të madh, Topalli tha se në katër vitet e ardhshme do të rriten investimet në infrastrukturë, më shumë investime në bujqësi e më shumë mundësi punësimi për të rinjtë e Pukës. Ajo theksoi se, rrugët e të gjitha fshatrave do të lidhen me komunat, do të rritet granti për fshatin e do të investohet në sistemin e ujitjes. Kryetarja e Kuvendit theksoi se, pensionet e fshatit do të barazohen me pensionet e qytetit si dhe do të rritet asistenca sociale. Gjatë qëndrimit në Pukë, Kryetarja e Kuvendit, vizitoi dhe mjediset e një fabrike të një prej markave më të njohura të këpucëve në Europë, një biznes që kishte mundësuar punësimin e mbi 100 vajzave e grave. Në bisedat me punonjëset e fabrikës, nënkryetarja e PD-së premtoi se, më shumë biznese do të hapen, më shumë vende pune do të krijohen për djemtë dhe vajzat e Pukës, por edhe në të gjithë Shqipërinë dhe çdo investitor i huaj do të investojë në Shqipëri pa paguar taksa për pesë vjet.

 

 

Topi dekoron me "Medaljen e Artë të Shqiponjës", gjeneralin turk

 

Presidenti Topi, dekoroi dje me "Medaljen e Artë të Shqiponjës", Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, Gjeneral Ilker Bashbug. Kjo medalje i dorëzohet gjeneralit turk me motivacionin "Për kontribut të çmuar në transformimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe anëtarësimin e saj në NATO". Duke shprehur mirënjohjen për medaljen, Gjenerali turk, Bashbug u shpreh se, "dekorimi me 'Medaljen e Artë të Shqiponjës' më bën të ndihem më i obliguar për të rritur në një nivel më të lartë marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Forcave tona të Armatosura". Ai theksoi se, Shqipëria ka një vend të veçantë në zemrën e çdo turku, në zemrën e popullit turk. "Medalja juaj është një mesazh i veçantë, të cilin unë do ta përcjell në mënyrën më të mirë", tha Gjenerali Bashbug. Ai vlerësoi reformat e kryera gjatë viteve të fundit në strukturat e mbrojtjes të Shqipërisë, por dhe në fuqizimin e modernizimin e Forcave të Armatosura. Në këtë drejtim, Gjenerali turk shprehu bindjen për vijimin e bashkëpunimit me strukturat përkatëse shqiptare, sidomos përsa i përket ruajtjes së paqes dhe qëndrueshmërisë në Afganistan dhe në misionet e tjera paqeruajtëse. Presidenti Topi vlerësoi bashkëpunimin me palën turke në fushën e mbrojtjes, si dhe kontributin e Turqisë në modernizimin dhe realizimin me sukses të reformave në Forcat tona të Armatosura. Ai vlerësoi mbështetjen e fuqishme të Turqisë, një prej vendeve më të konsoliduara ushtarakisht, në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si një tregues konkret e i rëndësishëm i nivelit të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve tona. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Maksim Malaj, Ambasadori i Turqisë në Tiranë, përfaqësues të ambasadës turke në vendin tonë, drejtues të lartë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.RD

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Kanë vazhduar edhe sot polemikat në mes AAK dhe PDK (06.19.2009)
Kryeministri apel demokratëve dhe socialistëve të bashkohen me projektin e Shqipërisë Europiane (06.18.2009)
Haradinaj kritikon qeverinë për menaxhim joligjor të buxhetit të Kosovës (06.17.2009)
Legaliteti premton çarmatosjen e popullsisë pas 28 qershorit (06.17.2009)
Bijtë e etërve që u rikthyen në Qytetin Studneit ngjanin si mbeturina të ushtrive të shpartalluara të kthyera në Vaterlonë e tyre (06.17.2009)
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 15 nëntor (06.16.2009)
Agim Çeku: Malazezët e Kosovës të njihen si komunitet më vete (06.16.2009)
Kryeministri fton socialistët t'i bashkohen projektit të Shqipërisë evropiane (06.16.2009)
Berisha në Greqi i ftuar në përurimin e muzeut të ri të Akropolit (06.15.2009)
Berisha bëri sot miting në Tropojë (06.15.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]