VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Kryeministri apel demokratëve dhe socialistëve të bashkohen me projektin e Shqipërisë Europiane

                                                                                      

E Martë, 05.07.2024, 06:21am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 
Kryeministri apel demokratëve dhe socialistëve të bashkohen me projektin e Shqipërisë Europiane
E Enjte, 06.18.2009, 09:19am (GMT+1)

 

 

 

Kryeministri Berisha në kuadër të fushatës elektorale zhvilloi një takim entuziast me banorë të Laprakës. Shefi i qeverisë premtoi se për mandatin e ardhshëm janë gati projekte dhe financime për të sjellë ujin e pijshëm në çdo familje shqiptare. Duke u shprehur mirënjohjen më të thellë dhe nderimin më të madh për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë qeverisë banorët e këtyre zonave, kryeministri Berisha garantoi se në katër vitet e ardhshme qeveria do të investojë dhe do të bëjë çdo gjë për të ndryshuar për mirë jetën tyre. "Ne takohemi si qytetarë të një vendi, që pret i sigurt liberalizimin e plotë të vizave, gjatë vitit të parë të mandatit të dytë", u shpreh shefi i qeverisë, duke shtuar se Shqipëria pas katër vitesh reforma është në krye të rritjes ekonomike në Europë në kohën e krizës më të thellë. Kryeministri renditi investimet që janë kryer nga qeveria që drejtoi gjatë katër viteve, e cila investoi 7.5 miliard lekë, duke theksuar se qeveritë socialiste investuan 2.5 miliard lekë. "Ne, në katër vite, kemi investuar tre herë më shumë se socialistët", theksoi kryeministri, ndërsa garantoi se katër vitet që vijnë në këtë zonë do të investohet në mënyrë që çdo metër linear rrugë e saj të jetë e asfaltuar, që banorët e kësaj zone të kenë ujë 24 orë dhe shkolla më të mira. "Çdo i ri dhe e re e kësaj zone dhe mbarë Shqipërisë që dëshiron të ndjekë shkollën e mesme, të ketë të gjitha kushtet për të. Çdo i ri dhe e re e kësaj zone dhe mbarë Shqipërisë që dëshiron të ndjekë universitetin, ta ndjekë atë", tha kreu i ekzekutivit, ndërsa prezantoi prejektin e qeverisë për katër vitet e ardhshme. Në katër vite, tha ai, ne krijuam 80 mijë vende pune, ndërsa në katër vitet që vijnë, ne do të krijojmë 160 mijë vende të reja pune. "Ne kemi gati 5.6 miliard euro investime në 104 hidrocentrale, në 6 parqe industriale, në 4 parqe energjetike, janë gati projektet për asfaltimin e të gjitha rrugëve të Shqipërisë, janë gati projektet dhe financimet për të sjellë ujin e pijshëm në çdo familje shqiptare kudo që ndodhet", u shpreh kreu i qeverisë, duke garantuar 450 familje që vuajnë një situatë të vështirë strehimi se qeveria do të ndërtojë banesa sociale dhe do të zgjidhë përfundimisht problemin e tyre. Shefi i qeverisë ftoi qytetarët e Laprakës që më 26 qershor të jenë të gjithë në Sheshin "Skënderbej" për të festuar fitoren e madhe, për të rikthyer 22 marsin e lavdisë elektorale të PD-së.

 

Socialistët nuk i lidh asgjë me Edi Ramën

 

Kreu i qeverisë u bëri thirrje dje të gjithë socialistëve të Laprakës që të bashkohen me projektin e Shqipërisë europiane, me ëndrrën europiane. "Kjo është ëndrra më e bukur e çdo shqiptari dhe ne duhet ta ndajmë këtë të mirë të madhe me çdo shqiptar, kudo që ndodhet", tha kryeministri, duke ftuar socialistët të bashkohen me këtë projekt, pasi kryetari i tyre me një akt të pashembullt në historinë e demokracisë europiane dhe botërore iu thotë socialistëve dilni në garë dhe për vete ia mbath. "Ky zotëri ka dy vjet që u thotë socialistëve shqiptarë ejani përtej të majtës e të djathtës dhe ata e kanë dëgjuar me durim, por tani, kur gjërat dalin në dritën e diellit, ai tregoi se nuk ka as të majtë e as të djathtë, por vetëm 99-sha. Prandaj iu bëj thirrje që të gjithë së bashku të bëjmë atë që bëri Kashari para disa muajve, që e nxori të pestin, e la te 99-shat e tij", u shpreh kryeministri. Duke u ndalur në projektet për këtë zonë gjatë katër viteve të ardhshme, shefi i qeverisë garantoi se këto katër vjet vendi do të ketë kushte jetësore të ngjashme me ato të qytetarëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian në paga e pensione. "Ne do të parakalojmë 6 vende anëtare të BE-së në këtë drejtim", u shpreh kryeministri, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të marrim letërnjoftimet e reja edhe këto dy ditë që kanë mbetur, në mënyrë që të paraqitemi të gjithë në votime dhe të votojmë 10-ën. Ne jemi 10-a, tha kryeministri, fëmijët tanë janë 10-a, familjet tona janë 10-a, qyteti juaj është 10-a.

 

Modeli Rama në Bashkinë e Tiranës, modeli i korrupsionit

 

Socialistëve të Tiranës u takon të nxjerrin nga skena politike kryetarin e tyre burracak, i cili fshihet pas karriges së Bashkisë. Gjatë një takimi me banorët e Njësisë Bashkiake nr. 7 në kryeqytet, kryeministri Berisha e vuri theksin në refuzimin e Ramës për të kryesuar listën e kandidatëve të PS-së për zgjedhjet e qershorit. "Edi Rama, me një akt të pashembullt në historinë e demokracisë europiane dhe botërore iu nisi ju në fushatë elektorale dhe për vete ia mbathi prapa karriges së kryetarit të Bashkisë. Edi Rama ka dy vjet që iu thotë ju se do iu çoj përtej të majtës dhe të djathtës, dhe tani kur gjërat dolën në dritë të diellit doli se fjala ishte as për të majtën, as për të djathtën, por për 99-shat e tij, për lejet e ndërtimit. Fjala ishte për ata, të cilëve Edi Rama u jep 70 përqind të lejeve të ndërtimit të kryeqytetit, fjala ishte për ata, me të cilët Edi Rama ndan me dhjetëra e dhjetëra kate ndërtimesh në Tiranë, fjala ishte për 99-shat që mbajnë peng planin urbanistik të Tiranës, fjala ishte për modelin më të korruptuar ndër 3-4 modelet më të korruptuara të planetit në lejet e ndërtimit", tha kryeministri Berisha, duke nënvizuar se socialistët e Tiranës nuk e meritojnë një kryetar të tillë. "Ju të nderuar socialistë, nuk e meritoni këtë, ndaj le të bashkohemi të gjithë dhe atij t'i rezervojmë së shpejti daljen nga politika dhe bashkia. Zoti Edi Rama u thotë qytetarëve shqiptarë se mua më ka votuar Tirana dhe nuk mund të iki. Tre javë rresht i kërkova që të ndryshojmë ligjin dhe e bëra këtë për të respektuar socialistët, në qoftë se të votojnë shqiptarët rri dhe kryeministër dhe kryetar bashkie. Nuk ia mbajti, se e di mirë që Tirana nuk ia fal atij kurrë mbajtjen peng të planit të përgjithshëm rregullues të qytetit. Tirana nuk ia fal kurrë atij që 70 përqind të lejeve të ndërtimit i marrin vetëm dy kompani, e Eftimit dhe e Shkrelit të tij, më të cilët ndan dhe gjobit ndërtuesit shqiptarë", nënvizoi më tej kreu i qeverisë, duke shtuar se Rama nuk e njeh modelin e shqiptarit. "Ti u përket atyre që katër vite më parë, nga mëngjesi deri në darkë u thoshin të tjerëve se shoqëria shqiptare është e korruptuar. Shoqërisë shqiptare t'i marrësh të keqen ti, është nga më të pastrat", tha kryeministri, duke replikuar në distancë me kryetarin e PS-së.

 

Në katër vitet e ardhshme, 160 mijë vende të reja pune

 

Krijimi i 160 mijë vendeve të reja të punës, rritja e pagave dhe pensioneve, lëvizja e lirë dhe lehtësimi i klimës së biznesit do të jenë disa nga piketat kryesore të programit qeverisës të Partisë Demokratike për katër vitet e ardhshme. Gjatë një takimi me banorët e Njësisë nr. 7 në kryeqytet, kreu i ekzekutivit tha se pasuritë përrallore që Zoti i dha këtij vendi dhe kësaj toke, do të shndërrohen në vlera për veten, për fëmijët, për kombin. "Ky projekt do të bëjë të mundur që ta bëjmë Shqipërinë zonjë të vërtetë, ashtu siç shqiptarët kanë ëndërruar që nga lindja deri më sot", tha kryeministri, duke ftuar të gjithë qytetarët që më 26 qershor, të gjithë të këndojnë fitoren në Sheshin "Skënderbej". Ai u bëri thirrje të gjithë të pranishmëve që të votojnë dhjetën, e cila përkon me Partinë Demokratike në fletën e votimit. "Më 28 qershor votoni veten tuaj, ju jeni 10-a, fëmijët tuaj janë 10-a, familja juaj është 10-a, qyteti juaj është 10-a, Partia Demokratike është 10-a, Shqipëria është 10-a, Europa është 10-a, ndaj dhe të gjithë shqiptarët do votojnë 10-ën", tha kryeministri. Duke u ndalur në arritjet e këtyre katër viteve, kreu i qeverisë tha se kjo qeveri ia doli të ndryshojë Shqipërinë, ta anëtarësojë atë në NATO. Ne, vijoi më tej ai, ia dolëm të lartësojmë emrin e vendit tonë dhe të dalim në krye të rritjes ekonomike në Europë, në kohën e krizës më të thellë ekonomike europiane dhe botërore. "Ne ia dolëm të ngjitemi në vendin e dytë më të mirë në botë për klimën e biznesit. Ne ia dolëm bashkërisht të shembim sistemin e kleptokracisë, të ndërtojmë rreth 6 mijë kilometra rrugë në mbarë vendin, të ndërtojmë korridorin e kombit, të ndërtojmë apo rindërtojmë 1012 shkolla, të shtrijmë internetin në çdo shkollë për fëmijët tanë, të krijojmë 80 mijë vende pune, të nxjerrim nga varfëria 400 mijë shqiptarë. Ne ia dolëm të vëmë në lëvizje mekanizmin e fuqishëm të legalizimeve në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë. Ata që u përpoqën të na fusin shkopinj nën rrota në këtë proces, dështuan me turp njëherë e përgjithmonë", tha kryeministri. Projekti ynë, tha kryeministri, është madhështor, është projekti i Shqipërisë europiane, projekti më i bukur për fëmijët tanë, për veten tonë, për vendin tonë. Ne, tha më tej kreu i qeverisë, bëmë realitet ëndrrën atlantiste të shqiptarëve, ne do të bëjmë realitet me shpejtësinë më të madhe ëndrrën tonë europiane.

 

 

Banorët e Kasharit i dhanë mësimin e turpit Edi Ramës

 

Kryeministri Berisha shprehu dje, mirënjohjen ndaj qytetarëve të Kasharit, që disa muaj më parë i dhanë mësimin e turpit që meritonte kryetarit të PS-së, Edi Rama, duke e renditur kandidatin e tij të katërtin në zgjedhjet për kryetarin e kësaj komune. Ai tha se, qytetarët e Kasharit i treguan atij që nuk njeh asnjë lloj morali, se me Kodin Moral nuk mund të tallet dhe nuk mund të manipulojë kurrë. "Unë kam edhe një mirënjohje tjetër të veçantë për ju, që nuk do jua harroj ndonjëherë. Ishit ju, qytetarë të kësaj komune, që disa muaj më parë i dhatë turpin që meritonte Edi Rama. Në fakt, ky zotëri që nuk i ka për asgjë turpet njerëzore, duhet ta dijë mirë se më keq sesa të kanë zhveshur lakuriq qytetarët e Kasharit, nuk të ka zhveshur njeri dhe nuk e ke zhveshur ndonjëherë veten tënde. E nxorët të katërtin dhe e turpëruat, sepse i treguat atij se me Kodin Moral të shqiptarëve nuk mund të tallesh kurrë dhe nuk mund ta manipulosh kurrë", u shpreh kreu i qeverisë gjatë një takimi entuziast me banorët e Kasharit. Ai shprehu kënaqësinë, që në këtë komunë janë investuar 20 miliard lekë, janë ndërtuar 40 kilometra rrugë, duke nënvizuar se sikur 400 km rrugë të ishin ato do të asfaltoheshin gjatë katër viteve të ardhshme. Më tej, kryeministri tha se, Kashari do të shpallet bashki. "Ju jeni komunë me 2 mijë biznese, ju jeni më të urbanizuar se një pjesë e mirë e lagjeve të Tiranës, sepse kryetari atje ka vetëm qendrën dhe për të tjerat nuk pyet. Por shikoni se si punon qeveria vendore këtu. Edhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës ia kemi rritur fondet, ia kemi 5 fishuar fondet", tha kryeministri, duke nënvizuar se Rama nuk ka përdorur fondet për rrugët e Tiranës, por për interesat e tij. Duke kërkuar mbështetjen e banorëve të Kasharit, kryeministri tha se me këtë besim që do t`i jepet, qeveria e PD-së do të ndërtojë në mandatin e saj të dytë projektin më të bukur, projektin e Kasharit europian, projektin e Shqipërisë europiane. "Jam këtu për t'u zotuar se, ju dhe mbarë shqiptarët, me këtë projekt, do të kenë kushte jetese të barabarta me qytetarë të një numri të caktuar vendesh anëtare të Bashkimit Europian, se ju do të merrni rroga dhe pensione më të larta se në 6 vende anëtare të BE-së, se ju do të keni standarde më të larta të arsimit dhe të shërbimit shëndetësor, infrastrukturën më moderne, kushtet më të mira për biznesin", u shpreh kryeministri, duke nënvizuar se kjo mazhorancë realizon ato që premton. "Ne premtojmë dhe realizojmë atë që premtojmë. Projekti europian nuk është një projekt i thjeshtë, por absolutisht ne që arritëm në katër vite të dyfishojmë pensionet, ne që arritëm të asfaltojmë rreth 6 mijë kilometra rrugë në këtë vend, të ndërtojmë korridorin e kombit", tha Berisha, duke shtuar se kjo qeveri që nxori Shqipërinë në krye të rritjes ekonomike, do ta shndërrojë në realitet ëndrrën europiane.

 

Rama hodhi në garë socialistët, vetë u fsheh poshtë tavolinës

 

Kreu i qeverisë u bëri thirrje dje të gjithë socialistëve të Kasharit, që të mbështesin projektin për Shqipërinë europiane si një nga projektet më të mira për çdo qytetar shqiptar. "Ju bëj thirrje të gjithë socialistëve të Kasharit që le të bashkohen me ne, sepse projektin europian ne e duam për të gjithë. Ajo është ëndrra më e bukur e çdo shqiptari, por është edhe projekti më i merituar për çdo shqiptar, për çdo fëmijë e familje shqiptare", u shpreh kreu i ekzekutivit, duke u bërë thirrje socialistëve të bashkohen me projektin europian, sepse kryetari i tyre me një vendim të pashembullt në historinë e demokracisë europiane i nxori ata në garë, ndërsa vetë u fsheh poshtë tavolinës. "Le të bashkohen me ne, sepse kryetari i tyre, me një vendim të pashembullt në historinë e demokracisë europiane dhe botërore, ju thotë juve dilni në garë, kurse vet fshihet pas tavolinës. Ky zotëri, të nderuar socialist, që ka dy vjet që u thotë "përtej të majtës dhe përtej të djathtës" dhe ju, me shumë të drejtë, prisni se çfarë do të dalë, por në fund nuk doli as e majta e as e djathta, por 99-shat e lejeve të ndërtimit. 99-shat ai le t'i mbajë për vete, ndërsa ne le të bashkohemi në projektin tonë, sepse me votën tonë më 28 qershor ne do t'u dëshmojmë shqiptarëve, Europës dhe botës, se jemi burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat, që do të ndërtojmë me mund, djersë dhe përkushtim Shqipërinë europiane", u shpreh kreu i qeverisë, duke ftuar të gjithë qytetarët që më datën 26 qershor, të marrin pjesë në tubimin madhështor në Sheshin 'Skënderbej', për të kënduar fitoren, për të festuar fitoren. "Ju bëj thirrje gjithashtu, të merrni të gjithë letërnjoftimet dhe në datën 28 qershor, të votoni 10-ën, 10-a është më e mira, secili prej jush është 10-a, 10-a janë fëmijët tuaj, familjet tuaja, 10-është Kashari, 10-a është Shqipëria, 10-a është Europa blu", tha më tej Berisha, duke shprehur nderimin dhe mirënjohjen e thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme që banorët e Kasharit i dhanë qeverisë së PD. "Unë shpreh kënaqësinë që mblidhemi së bashku në këtë shesh, pasi në katër vite kemi realizuar ëndrrën tonë atlanciste, jemi bërë anëtarë të NATO-s, jemi qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, pasi kemi vendosur Shqipërinë në krye të rritjes ekonomike në Europë, në kohën e krizës më të thellë ekonomike globale, pasi kemi bërë Kasharin, Tiranën, Shqipërinë, vendin më tërheqës për investimet e huaja", u shpreh kryeministri, duke nënvizuar se në katër vite janë krijuar mbi 80 mijë vende pune, ndërsa Kashari numëron sot mbi 2 mijë biznese.

 

Kreu i qeverisë garantoi banorët e Saukut se do të kenë furnizim pa ndërprerje me ujë të pijshëm

Berisha: PD avokate e pronave, Rama po tenton grabitjen e tokave në Sauk

 

Në një takim elektoral me qytetarë të Saukut, kryeministri Berisha ka shprehur dje, garancinë e tij se Partia Demokratike do të jetë avokatja mbrojtëse e pronave të qytetarëve, duke mos lejuar që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, të prekë edhe sikur një centimetër. Ai theksoi se e vetmja mënyrë ligjore për legalizimin do të përdoret është ajo e miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, çka është përdorimi i letrave me vlerë dhe shpërblimi i saj me vlerën e plotë të tregut. "Por, ju, banorë të Saukut, përballeni me trysninë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili lakmon pronat tuaja, lakmon tokat tuaja. Ndaj unë jam sot këtu për t'ju dhënë fjalën se do të jem avokati kryesor i pronave tuaja dhe se, Edi Rama nuk do të mund të prekë as edhe një metër katror, përveçse, duke e shpërblyer atë me vlerën e plotë të tregut", u shpreh kreu i qeverisë. Duke iu referuar shqetësimeve që ka marrë nga qytetarët e Saukut për problemin e furnizimit me ujë të zonës, kreu i qeverisë i garantoi ata se, brenda gjashtëmujorit të parë të vitit që vjen, banorët e Saukut do të kenë infrastrukturë të plotë ujore, çka nënkupton ujë pa ndërprerje. Gjithashtu, kreu i ekzekutivit premtoi rindërtimin dhe ndërtimin e të gjitha shkollave me përparësi të madhe. "Ju përshëndes përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë time që takohemi sot në këtë shesh, pas katër vitesh, në të cilat ne realizuam një nga ëndrrat më të mëdha, më të bukura të shqiptarëve, anëtarësimin e vendit në NATO. Takohemi sot, pasi me mundin dhe djersën tonë, ne ia dolëm që Shqipëria të ngjitet në krye të rritjes ekonomike në kohën e krizës më të thellë në Europë dhe në botë", u shpreh Berisha gjatë takimit me banorët e Saukut, duke shtuar se në katër vite kjo qeveri ia doli që bizneset që ishin vetëm 40 mijë katër vjet më parë, sot të jenë 102 mijë të tilla në Shqipëri. Më tej, ai vlerësoi se në katër vjet, falë përkushtimit të saj kjo qeveri ia doli ta shndërrojë Shqipërinë në një vend lider në thithjen e investimeve të huaja. Vetëm 6 muajt e fundit, tha ai, Shqipëria ka firmosur mbi 5 miliard euro investime në hidrocentrale, porte, miniera, parqe energjitike, etj. Në katër vite, tha kryeministri, ne punësuam rreth 80 mijë shqiptarë dhe kemi hedhur bazat, në katër vitet që vijnë, për punësimin e më shumë se 160 mijë shqiptarëve. Gjithashtu kryeministri theksoi se, në katër vite qeveria dyfishoi pensionet e të gjithë fermerëve të Shqipërisë dhe u rritën 50-70 përqind pensionet e tjera. Kreu i qeverisë ka vlerësuar se vetëm në Sauk, qeveria ka investuar për rrugën rreth 1.3 milion euro. Në këtë kuadër, kryeministri tha se qeveria në këtë zonë ka investuar në rrjetin energjitik të zonës 1.5 milion euro, ka investuar për infrastrukturën e ujësjellësit 160 milion euro.

 

Projekte gjigante për të realizuar objektivat e saj për punësimin

 

Kryeministri Berisha vlerësoi se realizimi i objektivit të qeverisë për të rritur masivisht numrin e punësimit në vend e ka bazën në projektet gjigante, që qeveria do të startojë me nisjen e mandatit të dytë të saj. "Punësimi është krye-objektivi i programit të qeverisë sime me të gjitha projektet e mëdha që kemi para. Me 6 parqet e mëdha industriale, me mbi 104 hidrocentrale, me dhjetra fabrika, e parqe të tjera, unë ju garantoj se në katër vjet do të punësohen 160 mijë qytetarë. Sikundër, gjatë këtij mandati, ne do të bëjmë që çdo qytetar shqiptar me ndihmë ekonomike, të marrë më shumë se 60 dollarë në muaj. Do të bëjmë që të gjitha rrogat e pensionet tuaja të jenë më të mëdha se ato të qytetarëve në 6 vende anëtare të Bashkimit Europian. Ju bëj thirrje që, në 28 qershor, ju, që katër vite më parë gjunjëzuat "mamutin" e korrupsionit dhe që unë nuk jua harroj kurrë këtë, të ripërtërini besimin ndaj meje", tha kryeministri.

 

Qeveria, gati projektin për urbanizimin e Saukut

 

Në katër vitet e ardhshme, qeveria do të investojë për të realizuar urbanizimin total të Saukut. Kryeministri Berisha vlerësoi dje, se në katër vitet që vijnë qeveria do të asfaltojë të gjitha rrugët e kësaj zone. "Ju jap fjalën, se në Sauk do të bëhet urbanizimi total, se në Sauk, nuk do të lë metër katror të paasfaltuar, se në Sauk, do të sigurojmë ujë 24 orë, se në Sauk, Bashkia e Tiranës nuk do të mund të prekë asnjë metër katror, përveç se me vlerën më të madhe të tregut, për ndërtimin e unazës së re. Ju bëj thirrje socialistëve të Saukut, që katër vite më parë mund të mos kenë votuar për ne, bashkohuni sot me ne. Bashkohuni me ne, sepse me ne ju bashkon ëndrra atlantiste që ne shndërruam në realitet, anëtarësimi në NATO", u shpreh kryeministri. Ai theksoi se, të gjithë qytetarët shqiptarë i bashkon me PD lëvizja e lirë, që ne do të garantojmë brenda vitit të parë të mandatit të dytë, dyfishimi i pensioneve për të gjithë fermerët, rritja e tyre me 50-70 përqind për të tjerët, vendimi për të parakaluar 6 vende anëtare të BE-së për sa i përket rrogave dhe pensioneve. "Me ne ju bashkon lufta jonë e pamëshirshme kundër varfërisë dhe nxjerrja e 400 mijë shqiptarëve nga varfëria. Me ne ju bashkon projekti europian i Saukut, Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Me Edi Ramën nuk ju bashkon asgjë dhe unë jua them këtë me bindjen më absolute", vijoi më tej kryeministri.

 

Rama, zhgënjimi i madh për socialistët

 

Duke iu drejtuar socialistëve të mbarë Shqipërisë, kryeministri theksoi dje se, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk është gjë tjetër përveçse një zhgënjim total për ta. Kryeministri bëri një analizë të shkurtër të qëndrimeve të Ramës ndaj të gjitha proceseve të nisura nga kjo qeveri në mbrojtje të interesave qytetare, duke evidentuar se në secilën prej tyre kryetari socialist ka votuar kundër. "Socialistë të Saukut dhe të mbarë Shqipërisë! A nuk ishte Edi Rama që votoi çdo ditë në Parlament kundër rritjes së pensioneve tuaja? A nuk ishte Edi Rama në muajin prill që filloi t'u bjerë sirenave, duke thënë; mos rrit rrogat dhe pensionet se kështu po thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar? A nuk ishte Edi Rama që u thoshte pronarëve shkoni tek partia juaj? Të gjithë socialistët pronarë të vijnë te partia jonë. A nuk ishte Edi Rama që qytetarëve që prisnin legalizimin, disave prej tyre u thoshte eskimezë, të tjerëve çeçenë? Ndërsa tani del dhe u thotë se do të krijojë komitetin e shpëtimeve. Komitetin e mashtrimeve do të krijojë", nënvizoi më tej kreu i ekzekutivit, duke garantuar se të gjitha legalizimet do t'i bëjë kjo qeveri. Kryeministri theksoi se, ishte Edi Rama ai që në mënyrë të turpshme përpjekjen e ndershme për t'u dhënë vlerë letrave me vlerë, për të njohur detyrimin ndaj tyre, i quajti një bllof ato, në një kohë kur 500 mijë shqiptarë kanë të drejtë t'i shesin ato dhe të marrin para prej tyre. Ndërkohë, tha kryeministri, që 600 mijë qytetarë të tjerë kanë të drejtë t'i blejnë ato dhe të lehtësojnë barrën e pagesës së legalizimit. "Atëherë le ta pyesim pak; zotëri, t'i nuk je për rritjen e pensioneve, t'i nuk je për rritjen e rrogave, t'i nuk je për letrat me vlerë. Por për çfarë je? T'i je për lejet e ndërtimit", iu drejtua Berisha kreut të PS-së. Duke ftuar qytetarët e Saukut që të marrin pjesë masivisht në votime, kreu i ekzekutivit u bëri thirrje atyre që të verifikojnë të afërmit e tyre, nëse i kanë marrë letërnjoftimet elektronike për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit. Letërnjoftimet e reja, tha kreu i qeverisë, janë dëshmitë më moderne të identitetit në Europë, ato na barazojnë me të gjithë qytetarët europianë. Këto letërnjoftime, vijoi Berisha, janë gjithashtu të domosdoshme për të dëshmuar se, në 28 qershor do të zhvillojmë zgjedhjet më të bukura, zgjedhjet më të mira, zgjedhjet më të lira në historinë e këtij vendi.

 

Kreu i qeverisë ftoi banorët e Vorës që të mos i japin asnjë votë atij që përdori shpirtrat e të vdekurve për interesat personale

Qeveria e PD investoi 38 herë më shumë në Vorë se sa PS

 

Qeveria e Partisë Demokratike investoi në Vorë 38 herë më shumë se qeveritë socialiste, duke ndërtuar 26 kilometra rrugë, 10 ujësjellës, 3 shkolla dhe rindërtuar rrjetin elektrik. Gjatë një takimi me qytetarët e Vorës, kreu i qeverisë u zotua se kryetarin e Bashkisë së Vorës, të cilin e vlerësoi si një nga qeveritarët vendorë më të aftë dhe më të përkushtuar të vendit, do ta ndihmoj në çdo projekt. Këtu tek ju, u tha Berisha qytetarëve të Vorës, këto ditë inaugurojmë së bashku bypass-in e Vorës, një nga rikonstruksionet më të rëndësishme të metropolit të Shqipërisë. "Qeveria ime do të urbanizojë tërësisht Bashkinë tuaj, do të asfaltojmë çdo pëllëmbë rruge të kësaj bashkie. I garantoj fermerët e Vorës, se do të subvencionoj çdo rrënjë ulliri që ata do të mbjellin, pa asnjë kufizim. I garantoj ata, se do të subvencionoj të gjitha imputet dhe akcizën e naftës për sipërfaqet e mbjella. Do të financoj çdo projekt të tyre për nxitjen e prodhimit", u zotua më tej kreu i qeverisë. Ne që dyfishuam pensionet tuaja, vijoi më tej kryeministri, ju garantoj se do t'i barazojmë ato me qytetin, ju garantoj se ato do të jenë më të larta se ato të qytetarëve, jo vetëm të 2 vendeve anëtare të BE-së, siç janë tani, por të 6 vendeve anëtare të BE-së. Më tej, kryeministri ftoi të gjithë qytetarët e Vorës pa dallime partiake të bashkohen me projektin e Shqipërisë europiane. "Me ne ju bashkon ky projekt i mahnitshëm, për ne dhe për fëmijët tanë. Me ne, ju bashkon rritja e pensioneve dhe rrogave, me ne, ju bashkon urbanizimi i plotë i Vorës dhe mbarë Shqipërisë, me ne ju bashkon infrastruktura moderne për Vorën dhe Shqipërinë. Me Edi Ramën u ndajnë njëmijë e një gjëra dhe nuk ju bashkon asgjë me të, nuk ju bashkon asgjë me moralin e tij, me cinizmin e tij, me arrogancën e tij", nënvizoi kreu i ekzekutivit gjatë takimit me banorët e Vorës. Duke iu referuar ngjarjes tragjike të Gërdecit, kryeministri tha se, qeveria qendrore dhe ajo vendore bënë çdo përpjekje për t'i dhënë asaj zone pamjen që ka sot. "Drejtësia shqiptare shpresoj dhe do të thotë fjalën e saj për gjithçka", ndërsa kujtoi një nga momentet më të paprecedenta të keqpërdorimit të jetës së qytetarëve për fushatë elektorale nga 99-shat e Ramës. "Ky moment nuk është ai kur njerëzit e tij në media zgërdhiheshin nga qejfi, sepse dilnin nga flakët kufomat e qytetarëve të kësaj zone. Jo. Ky moment nuk është ai, kur bridhnin shtëpi më shtëpi për të blerë dëshpërimin e qytetarëve dhe për t`i nxjerrë ata në rrugë. Jo. Ky moment ka ndodhur në këtë fushatë elektorale. Një natë që nuk do ta harroj kurrë, në një debat televiziv midis deputetëve të Durrësit, grupi i 99-shave të Edi Ramës brohorisnin në sallë "Gërdec, Gërdec, Gërdec", u shpreh kreu i qeverisë, duke paralajmëruar Ramën se me 99-shat e tij me këta naziskinë që i lejojnë vetes të brohorasin për shpirtrat e vdekur është i zhveshur nga çdo moral njerëzor. "Ti nuk ke moral dhe je i zhveshur nga çdo moral njerëzor, je më lakuriq sesa ke dalë në plazhet e botës. Ndaj dhe asnjë votë për të", u tha më tej kryeministri qytetarëve të Vorës. Ai theksoi se, kjo qeveri do të vazhdojë të shkojë drejt Europës, do të liberailzojë plotësisht vizat brenda vitit të parë të mandatit tjetër, pasi projektin e Shqipërisë europiane e mbështet gjithë Europa, e cila 10 ditë më parë u vesh blu ashtu sikurse do të votojnë edhe qytetarët shqiptarë. Më pas, kreu i ekzekutivit ftoi të gjithë banorët e Vorës që më 26 qershor të marrin pjesë në festën e fitores së madhe në Sheshin 'Skënderbej' dhe më 28 të marrin pjesë masivisht në votime.

 

Mamurrasi dhe Mati rikonfirmojnë mbështetjen e fuqishme për projektin e Shqipërisë europiane

Rama refuzon përfshirjen në listë se nuk ka asgjë të përbashkët me PS

 

Kryeministri Berisha theksoi dje se kryetari i PS, Edi Rama, nuk pranon ta përfshijë veten e tij në krye të listës zgjedhore të PS-së, pasi ai nuk ka asgjë të përbashkët me këtë parti dhe nuk mund të përfaqësojë socialistët e vendit, por vetëm ata persona të Bashkisë së Tiranës që janë të lidhur ngushtë me të për afera me lejet e ndërtimit. "E vërteta me Edi Ramën është se ai nuk pranon të vendoset në krye të listës, ai nuk ka asgjë të përbashkët me ju, ai iu ka zëvendësuar ju me 99-shat e tij, iu ka zëvendësuar me ata, me të cilët ndan lejet e ndërtimit", u tha kreu i qeverisë socialistëve të Mamurrasit, ndërsa i ftoi të mbështesin projektin për Shqipërinë e standardeve europiane. Më 28 qershor, u shpreh kreu i qeverisë, votoni 10-ën, pasi ajo është e ardhmja juaj europiane. Ai ftoi të gjithë qytetarët, që ende nuk kanë një dokument për të votuar, të marrin letërnjoftimet e reja. "Thirrja ime për ju është që në 28 qershor të dalim të gjithë në votime, të votojmë në mënyrën më të qytetëruar. Në 28 qershor do të jenë 500 vëzhgues nga mbarë bota. Ju bëj thirrje të votojmë me maturi të plotë, ju bëj thirrje ju demokratëve të Mamurrasit, por edhe të mbarë Shqipërisë të mos lejoni asnjë votim familjar, sepse kjo dëmton votimet, të votojmë si qytetarë europianë, Europa duhet të bindet se ne votojmë të lirë, votojmë sipas rregullave, votojmë sipas standardeve", vijoi më tej kryeministri. Duke e vënë theksin në dëmtimin që mund të shkaktojë votimi familjar për imazhin e zgjedhjeve, kreu i qeverisë tha se secili duhet të votojë veçmas, në mënyrë që të realizohen zgjedhjet më të bukura në historinë e këtij vendi. "Së fundi, socialistëve të Mamurrasit iu bëj thirrje të bashkoheni me ne, me ne iu bashkon ëndrra juaj europiane, me ne iu bashkon ëndrra atlantiste që shndërruam në realitet, me ne iu bashkon dyfishimi i rrogave dhe pensioneve, me ne iu bashkon Shqipëria me infrastrukturë moderne, ndaj dhe iu ftoj që të votojmë të gjithë", tha kreu i qeverisë, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje.

 

Qeveria 2 miliard lekë për rrugën Fushë Krujë-Mamurras-Milot

 

Në vijim të turit të tij elektoral, kryeministri Berisha është ndalur paraditen e djeshme në Mamurras, ku kërkoi mbështetjen e banorëve të këtij qyteti për projektin europian të vendit. Duke shprehur kënaqësinë për këtë takim të zhvilluar katër vjet pas arritjeve të mëdha, kreu i ekzekutivit kërkoi votën e qytetarëve të Mamurrasit për të mundësuar lëvizjen e lirë në mbarë Europën brenda një viti dhe për të përgatitur vendin për në BE në katër vitet e ardhshme. "Takohemi sot në këtë shesh si qytetarë të një vendi që brenda viti të parë të mandatit tonë të dytë do të lëvizë i lirë në mbarë Europën, pa viza. Takohemi si qytetarë që kemi aplikuar për vend anëtar në BE. Takohemi sot, pasi në 4 vite ia dolëm të dyfishojmë pensionet e Mamurrasit dhe të mbarë Shqipërisë. Ia dolëm në 4 vite të ndërtojmë në Shqipëri mbi 5900 km rrugë, ndër të cilat rrugën e të gjitha rrugëve, korridorin e kombit", tha kryeministri, duke shprehur bindjen se në katër vitet që vijnë së bashku me qytetarët shqiptarë, qeveria do të ndërtojë Shqipërinë europiane. "Kërkoj votën tuaj, për t'i dhënë pamjen tërësore europiane vendit. Jam këtu për t`u zotuar se do të financojmë çdo projekt të kësaj bashkie për të ndryshuar për mirë jetën tuaj. Brenda pak kohësh fillon rindërtimi i rrugës Fushë Krujë-Mamurras-Milot. Projekti i saj përfundoi. Në buxhetin e shtetit janë vendosur 2 miliard lekë për rindërtimin e plotë të saj, sikundër do të asfaltojmë rrugët e të gjitha fshatrave të kësaj bashkie, do t'i lidhim ato me qendrat e komunës", vijoi më tej kreu i ekzekutivit. Ai garantoi se, në Mamurrasin europian, në Shqipërinë europiane, çdo qytetar do të ketë ujë të pijshëm 24 orë. Ai nënvizoi se, projekti i kësaj qeverie synon dhe garanton që 4 vitet e ardhshme, qytetarët shqiptarë të kenë rroga dhe pensione më të mëdha se qytetarët e 6 vendeve anëtare të BE-së. Më tej, numri një i ekzekutivit garantoi se qeveria do të financojë çdo projekt të fermerëve të Mamurrasit për rritjen e prodhimit në frutikulturë, në bimë arash dhe do të subvencionojë të gjitha imputet dhe akcizën e naftës për çdo sipërfaqe të mbjellë. "Do të krijojmë hapësira të mëdha për tregun, do të nxisim agrobiznesin. Rritja e madhe e prodhimit bujqësor është një nga qëllimet tona më madhore të projektit tonë. Punësimi është kryefjala e programit tonë të ardhshëm. Në 4 vjet, ne do të garantojmë punësimin e 160 mijë qytetarëve shqiptarë. Ne kemi të gatshme për investime mbi 6 miliard euro, në 104 HEC, në 4 parqe energjetike, në 6 parqe industriale, në mijëra e mijëra kilometra rrugë, në porte, aeroporte, shkolla, kanalizime që do të ndërtohen në 4 vitet që vijnë", vijoi më tej kryeministri.

 

Vota e socialistëve për Ramën, për interesat e sekserëve të ndërtimit

 

Çdo votë e socialistëve për Ramën nuk do të shkojë për interesin e socialistëve, por për interesat e sekserëve të lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës. Gjatë takimit me qytetarët e Matit, kreu i qeverisë kërkoi një bashkim të mbarë qytetarëve shqiptarë për ta çuar Shqipërinë në vendin që ajo meriton. "Socialistë të Matit, iu bëj thirrje që të mos jepni asnjë votë për Edi Ramën, sepse Edi Rama, ky burracak nuk ia mbajti të dalë në shesh, nuk ia mbajti të dalë në krye të listës tuaj dhe u fut nën tavolinën e kryetarit të Bashkisë. Ai e bëri këtë, sepse nuk ka pikën e respektit për ju, e bëri këtë sepse ai nuk ka interes tjetër, përveç lejeve të ndërtimit, ai e bëri këtë se iu ka zëvendësuar ju me 99-shat e tij, të cilët i ka sekserë të lejeve të ndërtimit, ndaj bashkohuni me ne në projektin europian. Vota juaj për Sali Berishën, vota juaj për ndryshimin e Shqipërisë, është votë për pensionet tuaja, për rrogat tuaja, për bizneset tuaja, për shkollat e fëmijëve tuaja, është votë për Matin europian, është votë për Shqipërinë europiane, është votë për ju, për fëmijët tuaj, për familjen tuaj, për të ardhmen", u shpreh kryeministri. Më tej, ai u ndal në procesin e pajisjeve të qytetarëve me kartat e identitetit, duke i ftuar ata që të marrin letërnjoftimin e ri. "Kam një thirrje vëllazërore për ju, këto dy ditë pyesni çdo mik, çdo shok, çdo familjar, çdo të afërm, nëse e ka marrë apo jo letërnjoftimin e ri. Nëse jo, le të shkojë ta marrë. Letërnjoftimi është dëshmia më moderne e identitetit tonë të plotë", theksoi kreu i qeverisë. Ai ftoi të gjithë matjanët që më datën 26 qershor në orën 19:00 të jenë në Sheshin "Skënderbej", në sheshin e fitores për të mbështetur Matin europian, Shqipërinë europiane. "Iu bëj thirrje ju, socialistëve të Matit, të gjithë matjanëve të bashkohen me ne, në ëndrrën tonë më të bukur, në projektin tonë europian", tha kryeministri. Ne, u shpreh ai, që bëmë realitet ëndrrën atlantiste të shqiptarëve, ne do të bëjmë realitet ëndrrën europiane të shqiptarëve. Të gjithë matjanët, vijoi kryeministri, pavarësisht bindjeve politike, demokratë, socialistë, apo të bindjeve të tjera, kanë një projekt dhe ky është projekti europian.

 

Investimet në Mat, 30 herë më shumë se gjatë qeverisjes socialiste

 

Kryeministri Berisha e konsideroi dje qytetin e Matit si një perspektivë të axhendës së qeverisë për projektet energjetike. Gjatë takimit të tij elektoral në këtë qytet, kryeministri shprehu garancinë se qeveria në mandatin e dytë do të investojë për ndërtimin e një sërë Hec-esh në këtë zonë. "Në këtë rreth janë kontraktuar 4 Hec-e, por disa të tjera janë në punim e sipër. Rrethi juaj ka një perspektivë në axhendën energjetike, ndërkohë korridori Rrëshen-Klos është një tjetër vepër madhore. Në 4 vitet që vijnë Mati i urbanizuar, Mati europian, matjanët me furnizim 24 orë ujë të pijshëm kudo që ata janë. Këto janë premtimet tona", tha kryeministri gjatë një takimi entuziast me banorët e Matit. Duke bërë një bilanc të investimeve që qeveria ka bërë në këtë zonë, kryeministri Berisha theksoi se në këtë rreth, në bashki, në komuna, në fshatra, qeveria që ata votëbesuan ka investuar 18, 3 miliard lekë, ka investuar 30 herë më shumë se qeveria socialiste. Në këtë rreth, tha kryeministri, janë ndërtuar rreth 20 rrugë, në bashkinë Klos, në Ulëz, në Komsi, në Bazë, në Derijan, në Macukull, etj, janë ndërtuar 12 ujësjellës dhe kanalizime, janë ndërtuar apo rindërtuar 21 shkolla, nga të cilat gjimnazi "Pjetër Budi" i Burrelit, shkolla 9-vjeçare në Klos, në Lis, në Macukull, Guri i bardhë, etj. Janë investuar dhjetëra herë më shumë në ambulanca e qendra shëndetësore, dhjetëra e dhjetëra herë më shumë, në projektet e fermerëve të Matit. "Por unë jam sot këtu t'u bëj thirrje të vazhdojmë ndryshimin për Matin europian, për Shqipërinë europiane, premtimet e mia për ju janë fillimi brenda këtyre dy javëve i rrugës së Urakës, Qafë Buallit, në të gjithë gjatësinë. Rrugën do ta ndërtojmë me shpejtësinë më të madhe, ju do të keni një nga rrugët më të bukura, më të mira në Shqipëri. Së dyti, unë iu premtoj se të gjitha fshatrat e Matit do të lidhen me rrugë të asfaltuara, me qendrat e komunave dhe të gjitha komunat do të lidhen me rrugë të asfaltuara me rrugën kombëtare", tha kryeministri. Gjithashtu, ai shprehu garancinë ndaj pensionistëve se në 4 vitet e ardhshme pensionet e tyre do të jenë më të larta se në 6 vendet anëtare të BE-së. Kryeministri tha se rrogat do të jenë më të larta, se të 6 vendeve anëtare të BE-së. "Iu premtoj fermerëve të Matit se toka e tyre do të vendoset e tëra nën ujë. Ne do të investojmë për përpunimin e perimeve, për agrobiznesin, do të subvencionojmë për imputet dhe naftën për sipërfaqet e mbjella", tha më tej kryeministri.

 

Kryeministri zhvilloi një miting mjaft entuziast me banorët e Ishmit dhe Sukthit

Programi i Ramës përtej të majtës dhe të djathtës, 99-shat e lejeve të ndërtimit

 

Kryeministri Berisha në vijim të fushatës elektorale u ndal në Ishëm, ku u premtoi banorëve të zonës se janë përgatitur disa miliardë euro investime. Si në të gjithë komunat e vendit, shefi i qeverisë iu zotua banorëve të Ishmit se qeveria në mandatin e dytë do të financojë me përparësi të madhe çdo projekt të komunës. Kryeministri u tha banorëve se gjatë mandatit të ardhshëm do të bëjë për ta ujësjellës, kanalizime, shkolla, qendra shëndetësore. Ai u premtoi banorëve të Ishmit, të cilët kishin mbushur sheshin për të dëgjuar programin e Partisë Demokratike për zonën e tyre, se do të financojë çdo projekt për nxitjen e prodhimin bujqësor, do të financojë çdo projekt për përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore, sikundër do të financojë inputet për kulturat bujqësore si dhe naftën për sipërfaqe të mbjella. Ne iu garantojmë, vijoi më tej shefi i qeverisë, se në mandatin e ardhshëm do të ketë pensione të barabarta me qytetin. Duke u kujtuar se në katër vite qeveria e Partisë Demokratike i dyfishoi ato dhe pas katër vitesh pensionet e fshatit do të kapin nivelin e pensioneve të qytetit dhe do të jenë më të larta se pensionet e qytetarëve në gjashtë vende anëtare të Bashkimit Europian. Kryeministri u bëri thirrje banorëve të Ishmit të bashkohen së bashku në projektin e Ishmit europian, të Shqipërisë europiane. "Projekti i Ishmit europian është realisht një nga projektet ndoshta më madhore në Shqipëri, pasi potenciali juaj turistik është një potencial i jashtëzakonshëm për t'u zhvilluar. Shumë shpejt në këtë zonë janë të përgatitura jo një, por disa miliarda euro investime", tha kryeministri duke ftuar socialistët e Ishmit që të mbështesin projektin e standardeve europiane. "Përse iu kërkoj unë atyre të bashkohen me ne? Të bashkohemi, sepse projekti i Shqipërisë europiane, i Ishmit europian është projekti më i bukur, është ëndrra e çdo shqiptari", theksoi shefi i qeverisë duke nënvizuar se askush tjetër nuk mund ta bëjë realitet këtë projekt. "Të bashkohemi, sepse projekti ynë ka të bëjë me rrogat dhe me pensionet tuaja. Të bashkohemi edhe për faktin se njeriu që duhet t'ju udhëhiqte juve sipas rregullit të demokracisë, pasi ju bëri thirrje juve një vit rresht përtej të majtës dhe të djathtës, u fut nën tavolinë dhe nuk doli kurrkund", tha kryeministri duke iu referuar refuzimit të Ramës për të kryesuar listën e kandidatëve të PS-së. Kreu i qeverisë tha se socialistët që pyesnin se cili ishte programi përtej të majtës dhe të djathtës në këtë fushatë kuptuan se ky program ishin 99-shat e Ramës. "Faktikisht thirrja e tij përtej të majtës dhe të djathtës ishte as me të majtën as me të majtën, por me 99-shat e tij. Prandaj le të bashkohemi në këtë projekt të madh të përbashkët. Të mirën ta ndajmë me njeri-tjetrin, djersën ta derdhim së bashku", nënvizoi më tej kryeministri. Ai ftoi banorët e Ishmit të marrin pjesë në votime por u bëri thirrje atyre që të distancohen nga votimi familjar. "Unë kam një lutje për ju, të mos votojmë si familje e tërë. Të shkojmë bashkërisht në qendrat e votimit, por të votojmë një nga një, sepse votimi në grup na i nxin zgjedhjet para gjithë Europës. Ne duhet t'i tregojmë Europës se ne, si europianë që jemi, votojmë njësoj si ju", u shpreh kryeministri duke i ftuar qytetarët e Ishmit të votojnë blu njëlloj si europianët. "Europa votoi blu, ju votoni blu", tha kryeministri, duke u bërë thirrje banorëve të Ishmit të votojnë 10-ën në fletën e votimit.

 

Rama nisi socialistët në zgjedhje, vetë u fsheh poshtë karriges së Bashkisë

 

Në zonën e Sukthit janë investuar 1.750 miliard lekë, kundrejt zero investime të socialistëve katër vite më parë. Gjatë një takimi me qytetarët e Sukthit, kreu i qeverisë tha se në këtë zonë janë ndërtuar disa rrugë, shkolla dhe qendra shëndetësore, ndërsa premtoi se gjatë katër viteve që vijnë, Sukthi do të ketë urbanizim të plotë. "Në këtë bashki, në qytet dhe fshatrat përreth, nuk do të ketë asnjë metër rrugë të paasfaltuar. Në këtë bashki do të ketë shkolla të reja kudo, ku ato nevojiten, do të ketë ujë 24 orë për banorët e saj. Ashtu siç lamë mbrapa terrin elektrik, do të lëmë totalisht pas edhe mungesën e ujit. Sukthit do t'i ndërtojmë unazën", premtoi kreu i qeverisë ndërsa garantoi fermerët e kësaj zone se gjatë mandatit të dytë do të rindërtohet plotësisht sistemi vaditës dhe do të subvencionohen të gjitha projektet e tyre për nxitjen e prodhimit, inputet dhe akciza e naftës për sipërfaqen e mbjellë. "Iu premtoj pensione të barabarta me qytetin dhe më të larta se në 6 vende anëtare të BE-së. Ky është Sukthi europian. Sukthi europian është Sukthi i qytetarëve që gëzojnë kushte jetese, transport, infrastrukturë dhe prodhim të standardeve europiane", u shpreh kryeministri duke shtuar se kërkon votën e banorëve të Sukthit pikërisht për realizimin e këtyre standardeve. Kreu i qeverisë ftoi të gjithë socialistët e Sukthit të mbështesin projektin europian duke shpjeguar se ky është një projekt për të gjithë shqiptarët e ndershëm, projekti më i mirë për ta e fëmijët e tyre. Kryetari juaj, u tha më tej Berisha socialistëve të Sukthit, në një akt të pashembullt të historisë së demokracisë dhe pluralizmit, pasi iu nisi juve në betejë, vetë ia mbathi dhe u fut nën tavolinën e Bashkisë. "Të bashkoheni me ne sepse Edi Rama, pasi shëtiti poshtë e përpjetë nën sloganin përtej të majtës e përtej të djathtës dhe ju po prisnit se çfarë do të dilte, në skenë nuk na doli as e majta e as e djathta, por 99-shat", u shpreh më tej numri një i ekzekutivit. Ai tha se 99-shat janë një soj kameleonësh pa ngjyrë, që kanë vetëm një ngjyrë, atë të lejeve të ndërtimit. "Ata kanë ngjyrën e pazarit të korruptuar të lejeve të ndërtimit. Ndaj le të shkojmë së bashku drejt Sukthit europian, drejt Shqipërisë europiane". Kryeministri ftoi djemtë, vajzat, burrat dhe gratë e Sukthit, që në datën 26 qershor të gjithë në Sheshin "Skënderbej" për të festuar fitoren e madhe të 28 qershorit. "Në datën 28 qershor, të merrni të gjithë pjesë në votime, të votojmë 10-ën sepse 10-a jemi ne, Sukthi është 10-a, Durrësi është 10-a, Partia Demokratike është 10-a, Shqipëria është 10-a, Europa është blu, Europa është 10-a", nënvizoi kreu i ekzekutivit gjatë një takimi entuziast me banorët e Sukthit.

 

 

Nd/Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Filip Gordon, tha se buxheti parashikon fonde të konsiderueshme për Ballkanin

Administrata Obama: Rritje të ndihmës për konsolidimin e përparimit në Shqipëri

 

Administrata Obama do të vazhdojë rritjen e ndihmës ndaj Shqipërisë për konsolidimin e mëtejshëm të progresit të shënuar gjatë viteve të fundit. Ndihmës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Filip Gordon, duke folur për ndihmën amerikane në Ballkan tha se "buxheti për vitin 2010 për këtë rajon reflekton një ribalancim që vazhdon të ruajë fonde të konsiderueshme për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, Bosnje Hercegovinën dhe Serbinë. Do të ketë rritje të ndihmës për konsolidimin e përparimit në Shqipëri dhe Maqedoni", tha Gordon. Duke folur para nënkomisionit për Europën në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongres, Ndihmës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë bëri një ekspoze të politikave të administratës së Presidentit Barak Obama në Europë, ku theksoi se një nga përparësitë më të rëndësishme të administratës do të vazhdojë të jetë projekti historik amerikan për të ndihmuar në përhapjen e stabilitetit, sigurisë, mirëqenies dhe demokracisë në gjithë Europën dhe Euroazinë. Gordon tha se për pjesën më të madhe të kontinentit, vizioni për një Europë të bashkuar, të lirë dhe në paqe, është kthyer në realitet. Shumë vende të Europës Qendrore dhe Lindore, tha ai, janë anëtarë të NATO-s dhe Bashkimit Europian, por zoti Gordon shtoi se ende nuk është përfunduar ky proces për përhapjen e këtij vizioni dhe mirëqenieje në Jug dhe Lindje të Evropës. "Vetëm me veprime kolektive, ne do të vazhdojmë të bëjmë përparim në këtë drejtim", tha ai. Duke folur për objektivat e administratës së Presidentit Obama në Ballkan, zoti Gordon tha se Shtetet e Bashkuara po tregojnë një rigjallërim të rolit udhëheqës në rajon, ku "mbi një dekadë pas ndërhyrjeve perëndimore, forcat e demokracisë, hapjes dhe botës moderne, ende përballen me nacionalizmin etnik të së kaluarës dhe intolerancën". Në bashkëpunim me partnerët europianë, tha zoti Gordon, ne po intensifikojmë angazhimin me udhëheqësit e rajonit dhe po bëjmë thirrje për reforma që do t'i çonin vendet e tyre drejt vlerave europiane. "Administrata jonë i kushton një rëndësi të madhe përfundimit të misionit të integrimit të plotë të rajonit të Ballkanit në komunitetit euro-atlantik. Megjithatë, mbetet ende shumë për t'u bërë për të garantuar një të ardhme paqësore dhe të begatë për rajonin", theksoi Gordon. Ndihmës Sekretari i Shtetit tha se suksesi i Kosovës si një vend i pavarur mbetet një faktor me rëndësi kritike për stabilitetin e Ballkanit. Zoti Gordon tha se vendi i ri ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në 16 muajt që kur shpalli pavarësinë dhe theksoi se kjo pavarësi është e pakthyeshme. "Udhëheqësit e Kosovës po i përmbushin angazhimet për të ndërtuar një demokraci shumë-etnike, me masa mbrojtëse të gjera për serbët e Kosovës dhe pakicat e tjera. Qeveria ka treguar se Kosova ka vullnetin dhe aftësitë për të luajtur një rol konstruktiv si një anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar. Sigurisht që shumë punë mbetet për t'u bërë. Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin Kosovën, ndërsa ajo dyfishon përpjekjet për të ndërtuar aftësitë qeverisëse, për të zhvilluar një ekonomi të fortë dhe për të krijuar ambjentin e përshtatshëm për investimet, si edhe të vazhdojë me ritme energjike krijimin e një demokracie të konsoliduar dhe shumë-etnike", tha ai. Zoti Gordon e mori detyrën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Europën dhe Euro-Azinë muajin e kaluar, duke zëvendësuar në këtë detyrë zotin Daniel Fried. Nga viti 2000 në vitin 2009, ai ishte ekspert në Institutin Brookings. Më parë, ai ka shërbyer në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të ish-Presidentit Klinton. Ai ishte një nga këshilltarët kryesorë për Europën gjatë fushatës presidenciale të zotit Obama.

 

Pioneri i Edi Ramës falsifikon një sërë dokumentash për të mundësuar përfshirjen e anëtarëve të partisë së tij si vëzhgues

Mashtruesi Veliaj kamuflon vëzhguesit e G99 në Shoqatën për Kulturë Demokratike

 

Dështon tentativa për të prishur imazhin e zgjedhjeve parlamentare në sytë e ndërkombëtarëve, pas humbjes së thellë që pritet të pësojë Partia Socialiste e Edi Ramës. Paniku i humbjes së zgjedhjeve nga e majta, ka detyruar Erion Velinë së bashku me shpurën e tij që të gjejë mënyra nga ma të ndryshmet për t'i nxjerrë zgjedhjet me probleme. Lëvizja MJAFT e drejtuar ligjërisht nga Veliaj, kandidat i G99 në të gjitha qarqet, dështoi të merrte kontrollin e 2500 vëzhguesve të pavarur. Por kjo nuk e dekurajoi pionerin e ri të Edi Ramës, i cili falsifikoi një sërë dokumentash për të bërë të mundur që vëzhgues të ishin zyrtarë të lartë të partisë së tij. Lëvizja 'Zgjohu' denoncoi dje skemën më të fundit të mashtrimit të Erion Veliajt me MJAFT-in në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kreu i kësaj lëvizjeje, Altin Goxhaj, denoncoi Shoqatën për Kulturë Demokratike, e cila kishte fshehur në dokumentat e saj të gjithë dokumentacionin e Lëvizjes MJAFT, një akt i pastër mashtrimi i kësaj shoqate për të fshehur parregullsitë dhe manipulimet e Erion Veliajt. Lëvizja Zgjohu denoncoi publikisht faksimilet e vëzhguesve të G99 të fshehur pas Mjaft, e cila vetë është fshehur pas Shoqatës për Kulturë Demokratike. Avokat Altin Goxhaj, denoncoi 3 faksimile dokumentash ku emra të themeluesve të G99 janë në listat e vëzhguesve të Mjaft të rrëzuara nga KQZ dhe të rifshehur në listën e vëzhguesve të Shoqatës për Kulturë Demokratike. Këto praktika mashtrimi, tipike për Velinë dhe MJAFT, kanë implikuar tashmë të gjithë listën e vëzhguesve vendorë dhe numri i njerëzve të G99 i fshehur në listën e Shoqatën për Kulturë Demokratike është më i madh se 99 vetë. Dy emrat tipikë që u morën shembull sot, janë Mariol Spaho dhe Klaudio Hyseni, emrat e të cilëve ndodhen në 3 lista; në listën e anëtarëve themelues të Partisë G99 të depozituar pranë Gjykatës Tiranë (të firmosur para noterit Mimoza Sadushaj në 11 Shkurt 2009) ndodhet emri Klaudio Hyseni dhe Mariol Spaho. Të dy këta emra ndodhen edhe në listën e MJAFT të depozituar ditë më parë pranë KQZ-së, përkatësisht në dt. 29 Maj. Po ashtu, po këta dy emra ndodhen edhe në listën e kërkesës së Shoqatës për Kulturë Demokratike të depozituar në dt. 12 Qershor 2009 pas dështimit të MJAFT për t'i futur si vëzhgues të vetët. Lëvizja 'Zgjohu' prej javësh ka denoncuar mashtrimin e Veliajt dhe Maznikut me dorëheqjen e tyre të 23 Shtatorit 2007, një dorëheqje që ska ndodhur kurrë, të paktën jo për gjykatat dhe llogaritë bankare. Në të vërtetë, Erion Veliaj dha një dorëheqje të sforcuar nga Drejtor Ekzekutiv në Shkurt 2009, vendin e të cilit e zuri bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, Arbjan Mazniku, i cili u emërua Anëtar i Bordit të Drejtorëve së bashku me kandidaten tjetër të G99, Milva Ekonomin, për të mbajtur nën kontroll të plotë MJAFT-in si një thes financiar jetik për interesat private dhe politike të Veliajt. Vetë dokumentat që denoncoi Lëvizja 'Zgjohu' vërtetojnë se, Erion Veliaj në shkurt 2009 ka drejtuar Mbledhjen e Bordit të MJAFT, ndërkohë vetëm një javë më parë, Milva Ekonomi dhe Arbjan Mazniku, drejtuan mbledhjen e Qendrës MJAFT. Dorëheqjet e tyre nuk kanë ndodhur kurrë. Dokumentat që janë çuar në Gjykatën e Rrethit Tiranë janë një mashtrim i pastër. Çdo kërkesë për dorëheqje që dërgohet në Gjykatë shoqërohet me Proçesverbalin ku deklarohet dorëheqja, por një proçesverbal i tillë nuk ekziston, sepse Milva Ekonomi dhe Arbjan Mazniku, nuk kanë firmosur ndonjëherë ndonjë proçesverbal mbledhjeje. G99 nuk ka asnjë shans që të heqë dorë nga MJAFT, sepse MJAFT është thesi i parave të ambasadave që financojë në mënyrë krejtësisht të paligjshme G99 jo vetëm për legjislacinin shqiptar, por edhe për atë të shteteve të huaja. Synimi më i fundit i Erion Veliajt është manipulimi i proçesit të vëzhgimit zgjedhor në favor të interesave të padronit Edi Rama, këtë javë janë përdorur njëra pas tjetrës të gjithë skemat dhe praktikat e mashtrimit pranë KQZ-së. Këto skema mashtrimi i denoncuan prej ditësh nga Lëvizja ZGJOHU në KQZ dhe një apel iu dërgua edhe Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë dhe vetë institucioneve ndërkombëtare. Kjo solli që KQZ të rrëzonte çdo kërkesë të MJAFT për hir të faktit, se ajo figuronte ende e drejtuar nga kandiatët për deputetë në G99 dhe Partinë Socialiste. Për këtë arsye, MJAFT në bashkëpunim me Shoqatën për Kulturë Demokratike kanë mashtruar në dt. 12 Qershor 2009 KQZ-në, duke fshehur listën e vëzhguesve të Veliajt në listën e Shoqatës për Kulturë Demokratike. Të gjithë emrat e vëzhguesve të G99 të caktuar nga Arbjan Mazniku dhe Milva Ekonomi, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor janë fshehur në listën e Shoqatës për Kulturë Demokratike, pasi u zbuluan kur ishin në listën e MJAFT. Tashmë është e qartë, se MJAFT është vetëm një maskë e Erion Velisë së G99, për të thithur fondet e ambasadave për të financuar imunitetin e tij përballë drejtësisë shqiptare. Tashmë fjalën e ka KQZ, e cila duhet të marrë një vendim nëse do të lejojë shkeljen e ligjit nga Shoqata për Kulturë Demokratike, e cila po ndihmon Erion Velinë dhe Milva Ekonomin dhe Arbjan Manzikun dhe Elisa Spiropalin, që të kenë më shumë se një vëzhgues pranë qendrave të votimit, dhe mbi të gjitha të manipulojnë të gjithë paanësinë dhe pavarësinë e monitorimit të procesit zgjedhor.

 

Vangjush Dako ofendon dhe shan banorët e Lagjes nr. 15 në zonën e Spitallës

 

Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako nuk lejon që një pjesë e banorëve të Lagjes nr. 15 në zonën e Spitallës në Durrës të furnizohen me ujë të pijshëm. Një konflikt banal që ka degjeneruar në sharje dhe ofeza në adresë të banorëve të Lagjes nr. 15 është zhvilluar 2 ditë më parë, ku protagonist kryesor i ngjarjes në fjalë është kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Një iniciativë e nisur nga ana e banorëve të Lagjes nr. 15 për të shtrirë një rrjet tubi, i cili do të mundësonte furnizimin me ujë të kësaj zone ka hasur kundërshtimin e kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Ndërsa banorët kishin disa orë që punonin në vapë ka zbritur në zonë Policia Bashkiake, e cila ka filluar menjëherë të zbrapsë banorët, të cilët kërkonin të drejtën e tyre për t'u furnizuar me ujë. Fillimisht, policët bashkiakë janë konfliktuar me banorët, duke i ofenduar dhe sharë me shprehje fyese. Nga vëzhgimi në terren është vënë re një komunikim i vazhdueshëm i policëve bashkiakë me kreun e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Fyerja e Vangjush Dakos drejtuar banorëve të Spitallës tregon dhe njëherë panikun e humbjes dhe integritetin e përfaqësuesve të Edi Ramës. Ardhja në zonë e kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka acaruar situatën, ku menjëherë sapo ka zbritur nga makina luksoze së bashku me dy nënkryetarët e Bashkisë së Durrësit, Adrian Çela dhe Zhuljen Varfaj, i është drejtuar banorëve të zonës me shprehje nga mw ofendueset. Degjenerimi i situatës që për një vijë uji të mbërrijë në një lagje të Durrësit gjithë administrata e Bashkisë nuk mund të shpjegohet ndryshe sesa me koston politike që mbart sjellja e krerëve të Bashkisë së Durrësit. Një rekord që do të mbahet mend në politikën shqiptare është ofendimi dhe përbuzja që kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, iu drejtua banorëve të Spitallës, "juve (banorëve) është për t'ju q... robt". Menjëherë njëri nga banorët i drejtohet, duke i kujtuar se është kryetar Bashkie, por Vangjusha Dako, siç i thërriti një tjetër banor, vazhdon dhe ripërsërit shprehjen disa herë dhe disa herë të tjera. Indinjimi i banorëve ishte i madh dhe gjakrat u acaruan më shumë. Situata mund të degjeneronte në ndonjë konflikt, i cili do të mbahej mend gjatë në historinë e vendit, por gjakftohtësia e banorëve dhe nevoja e tyre për një sens mirëkuptimi nuk lejoi që situata të kthehej në favor të kryebashkiakut Dako.

 

 

E djathta europiane vë në dispozicion 40 kamionçina që reklamojnë arritjet e qeverisë

 

PPE: Projekti i Shqipërisë europiane e bën Berishën një partner të madh për Europën

Partitë Popullore Europiane kanë zgjedhur një mënyrë të veçantë për të shprehur mbështetjen e tyre të fuqishme ndaj Partisë Demokratike dhe arritjeve të qeverisë "Berisha" gjatë këtyre 4 vjetëve dhe fitoren për një mandat të dytë. E djathta europiane ka nisur drejt Shqipërisë 40 kamionçina, të cilat reklamojnë arritjet e qeverisë "Berisha", të cilat do të udhëtojnë në mbarë vendin. Ministrja e Integrimit, njëkohësisht zëdhënësja e fushatës së PD-së, Majlinda Bregu dhe kandidati i Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës, Tritan Shehu, pritën mëngjesin e djeshëm në sheshin e trageteve në Durrës përfaqësuesin e së djathtës europiane, Mirco Belotti, i cili, në emër të Partive Popullore Europiane, PPE, e cila fitoi shumicën dërrmuese të vendeve në Parlamentin Europian, shprehu mbështetjen në këto zgjedhje ndaj Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe kreut të saj, Sali Berisha. 40 kamionçina të mbuluara me postera dhe logo të fushatës së PD që zbritën nga trageti "Adriatica", do të lëvizin nëpër të gjitha qytetet e Shqipërisë gjatë këtyre 10 ditëve, të shoqëruara edhe nga aktivistë të Partisë Demokratike dhe anëtarë të forumit rinor të PD-së. Belotti ka vlerësuar se kjo nismë është një mënyrë e veçantë e zgjedhur prej Partive Popullore Europiane, për të bërë fushatë, për të reklamuar arritjet e qeverisë "Berisha" gjatë këtyre 4 vjetëve dhe premtimet për mandatin e ardhshëm. "Kjo është një mbështetje për mikun tonë të PD-së, Berisha, me këtë tipologji komunikimi, sigurisht të veçantë të këtij lloji në Shqipëri. Është një mbështetje e rëndësishme, për një partner tonin të rëndësishëm, që është Berisha dhe Partia Demokratike", është shprehur Belotti për mediat, duke sqaruar se e djathta europiane është e njëjtë me atë shqiptare përsa i përket linjës dhe programit. "Projekti për një Shqipëri europiane e bën liderin e PD-së, Berisha, një partner të madh, për këtë arsye e kemi mbështetur në gjithçka dhe për gjithçka", theksoi më tej Belotti, duke folur në emër të Partive Popullore Europiane.

 

 

Bregu: Heqja e vizave, realitet në vitin e parë të mandatit të dytë

 

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, i është përgjigjur dje interesit të gazetarëve nëse është e mundur që shqiptarët të lëvizin pa viza në BE brenda një viti. Në këtë kontekst, Bregu ka theksuar premtimin e qeverisë për heqjen e vizave në vitin e parë të mandatit të dytë qeverisës, duke theksuar se kjo është koha në të cilën ky premtim do të bëhet realitet. "Vizat me vendet e BE-së do të hiqen brenda vitit të parë të mandatit të dytë, premtim ky që besoj se nuk keni dyshim për ta diskutuar më, siç e shihni sot kanë mbërritur nga fondacioni pranë Partive Popullore Europiane, Fondacioni i Studimeve Politike për Ballkanin dhe për Europën Juglindore, jo pak, por 40 kamionçina, të cilët do të jenë gjatë këtyre 10 ditëve në gjithë Shqipërinë për të shprehur mbështetjen e së djathtës europiane ndaj të djathtës shqiptare. Kjo është përgjigjja më e mirë për të gjitha premtimet tona", është shprehur ministrja Bregu. Më tej, ajo ka vlerësuar se partitë e djathta europiane kanë fituar në 24 vende të Bashkimit Europian, ndërkohë që një pjesë e madhe e vendeve të BE-së drejtohen sot nga kryeministra të qeverive të djathta. Bregu shprehu besimin e saj se vota djathtas në Europë, do të reflektohet me votë djathtas edhe në Shqipëri.

 

 

Komuna Hajmel, Topalli premton punësim përmes çeljes së bizneseve të reja

 

Komuna Hajmel ka qenë ndalesa e radhës për nënkryetaren e PD, Jozefina Topalli, e cila në një takim të përzemërt me banorët e kësaj zone ka premtuar se nxitja e prodhimit vendas do të jetë një nga prioritet e kësaj qeverie. Topalli ka prezantuar disa nga prioritetet e qeverisë "Berisha" për mandatin e ardhshëm. Ato do të jenë, rritja e investimeve në bujqësi, infrastrukturë dhe punësimi nëpërmjet çeljes në bizneseve të reja. Duke u ndalur shtëpi më shtëpi në fshatrat e zonës, Topalli mori falenderimet e banorëve për mbështetjen që, sipas tyre, qeverisja e djathtë ka dhënë për fermerët dhe blegtorët. Banorët u shprehën se kjo mbështetje ka qenë nxitje për punën e tyre dhe, rrjedhimisht, ka ndikuar në rritjen e prodhimit dhe mirëqenies për familjet. Gjatë këtyre takimeve, Kryetarja e Kuvendit përuroi fillimet e punimeve të rrugës së fshatit Nshan të komunës Hajmel, si dhe vizitoi një fabrikë të prodhimit të mallrave për eksport, ku janë punësuar rreth 350 gra dhe ku vetëm gjatë vitit të fundit janë punësuar edhe 120 punonjës të tjerë. Topalli vizioi të gjitha repartet, duke falenderuar drejtuesit e kësaj sipërmarrjeje të rëndësishme, të cilët i garantoi se në katër vitet e ardhshme, do të bëhet më shumë për të lehtësuar procedurat për hapjen e bizneseve të reja, duke mundësuar kështu edhe rritjen e numrit të të punësuarve. Disa nga banorët e fshatrave me bindje të majtë thanë se, duke parë seriozitetin e punës së qeverisë "Berisha" dhe ndryshimin e nisur, do të votojnë për Partinë Demokratike, pasi kështu, sipas tyre, do të jetë e sigurtë e ardhmja e fëmijëve. RD

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Haradinaj kritikon qeverinë për menaxhim joligjor të buxhetit të Kosovës (06.17.2009)
Legaliteti premton çarmatosjen e popullsisë pas 28 qershorit (06.17.2009)
Bijtë e etërve që u rikthyen në Qytetin Studneit ngjanin si mbeturina të ushtrive të shpartalluara të kthyera në Vaterlonë e tyre (06.17.2009)
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 15 nëntor (06.16.2009)
Agim Çeku: Malazezët e Kosovës të njihen si komunitet më vete (06.16.2009)
Kryeministri fton socialistët t'i bashkohen projektit të Shqipërisë evropiane (06.16.2009)
Berisha në Greqi i ftuar në përurimin e muzeut të ri të Akropolit (06.15.2009)
Berisha bëri sot miting në Tropojë (06.15.2009)
Kryeministri Berisha kërkoi votën e qytetarëve të Kombinatit për horizontin e ri të integrimit (06.14.2009)
Berisha çon në këmbë qytetarinë shkodrane dhjetëramijë në shesh për vijimin e ndryshimit (06.12.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]