VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Kryeministri fton socialistët t'i bashkohen projektit të Shqipërisë evropiane

                                                                                      

E Shtunë, 05.04.2024, 03:02am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 
Kryeministri fton socialistët t'i bashkohen projektit të Shqipërisë evropiane
E Martë, 06.16.2009, 08:00am (GMT+1)

 

 

Kryeministri Berisha u prit dje me një atmosferë madhështore në qytetin e Bajram Currit, ku përveç hapjes së fushatës përuroi edhe disa vepra të rëndësishme publike për zonën. Dhjetramijëra qytetarë janë mbledhur të hënën paradite në qendër të qytetit të Bajram Currit për të marrë pjesë në mitingun e Partisë Demokratike, ku Kryeministri i vendit dhe njëkohësisht kryetari i kësaj force poltike, Sali Berisha mbajti fjalën përshëndetëse. Flamuri amerikan, ai i Bashkimit Evropian, ai kombëtar dhe i PD-së dhe muzika e këngës "Shqipëria po ndryshon", tashmë e kthyer në një himn, prej orëve të para të mëngjesit kanë mbushur sheshin kryesor të qytetit verilindor të Bajram Currit. Nuk mungojnë në këtë ambient festiv dhe grupet e valleve, të veshur me kostumin tradicional të zonës. Mitingu i PD-së është hapur me një koncert festiv të këngëtarëve të njohur të muzikës së lehtë shqiptare. E para është ngjitur në skenën e improvizuar në qendër të qytetit Çiljeta, për të vijuar më pas me grupin nga Tetova "Elita 5", Soni Malaj, Elvana Gjata, etj. Bajram Curri është një qytet alpin i Shqipërisë, qyteti më verior ndërtuar në vend të fshatit të dikurshëm me emrin Kolgecaj. Është një qytet kufitar me Kosovën, me të cilën lidhet përmes pikës së Qafë Morinës, e ndërtuar sipas parametrave bashkëkohorë nga firma "Geci". Por për më shumë ajo ka afruar Bajram Currin me Kosovën me 20 kilometra nga të dy anët. Rrethi i Tropojës, me qendër Bajram Currin, dallohet për pikën turistike të Valbonës, vendit kur verës kanë nisur të kalojnë pushimet mjaft turistë të huaj. Duke përshëndetur në mënyrë vëllazërore mijëra banorë të Tropojës të mbledhur në sheshin qendror të qytetit, kreu i qeverisë tha se përulej me nderimin më të thellë para qytetarëve të Tropojës, para qëndresës, mbështetjes dhe kontributit të tyre në historinë e vendit dhe kombit. "Unë jam sot midis jush, para së gjithash për të shprehur krenarinë time të madhe, krenarinë time të pakufishme, për ju dhe se jam njeri prej jush. Sikundër dua t'u siguroj ju, se kudo që unë ndodhem në Tiranë, apo në metropolet e Evropës dhe të botës, në çdo vend, në çdo takim, mendja ime çdo ditë, qindra herë në ditë, vjen tek ju, vjen këtu në Tropojë, vjen në këtë vend më të dashurin për mua mbi këtë dhe. Malësia e Gjakovës është djepi, vendi ku kam lindur dhe jam rritur dhe kjo mjafton për ta dashur atë, edhe sikur qindra e qindra vite t'i kem", u tha kryeministri mijëra qytetarëve të entuziazmuar të mbledhur në sheshin qendror të qytetit verilindor. Por për mua, vijoi më tej ai, Malësia e Gjakovës është shumë më tepër se sa kaq; ajo është vendi i universitetit tim të parë, të fëmijërisë time të hershme, vendi i universitetit në të cilin unë mësova dijet e të gjitha dijeve, mësimin e të gjitha mësimeve, universiteti që më mëkoi me mësimin e madh, se dashuria për vendin, se dashuria për kombin, se dashuria për ju, është dashuria e të gjitha dashurive, është dashuria më e madhe, se kjo dashuri është gurra e pashtershme, është burimi më i fuqishëm, i frymëzimit, i fuqisë së njeriut, është sekreti i pamposhtjes së tij. Kjo dashuri, vijoi më tej kreu i qeverisë, është busulla, është udhërrëfyesi, që i tregon njeriut vendimet që duhet të marrë, qëndrimet që duhet të mbajë, vlerësimet që duhet të bëjë. "Librat e universitetit tim të fëmijërisë në Tropojë, nuk ishin të shkruara në letra apo pergamenë, por ato ishin të mishëruara në ninulla, në këngë, në legjenda, në gjokset tuaja mbi topat e armiqve, në fshatra të djegura, në foshnjet e ekzekutuara në djep apo në barkun e nënës, në shpërnguljet masive nga 1870-1998, ato ishin të shkruara në sakrificat mbinjerëzore tuajat për liri dhe dinjitet kombëtar, në përpjekjet tuaja madhore, për të mbetur të lirë në trojet tuaja", u shpreh më tej numri një i ekzekutivit. Gjyshërit, stërgjyshërit, baballarët tanë, vijoi më tej Berisha, por dhe ju këtu, ishit në krye të përpjekjeve për liri, dinjitet dhe bashkim kombëtar në çdo kohë të historisë, që ishte kaq e padrejtë dhe e pandershme me ju, historisë që u soll me ju si njerkë e keqe, ju e trajtuat atë si shtrigë, i qëndruat sy më sy, e përzutë atë. "Ju, malësorët e Malësisë së Gjakovës, nga viti 1870 deri më sot qëndruat në të gjitha kryengritjet, luftërat për liri, dinjitet e bashkim kombëtar. Ju u dogjët, u shpërngulët, por kurrë nuk u dorëzuat. Që nga 1870 deri më 1912, ju ishit djepi më i fuqishëm i kryengritjeve të mëdha të Kosovës, të cilat sollën pavarësinë e Shqipërisë, por me një padrejtësi më të madhe të kohërave, shkëputën Tropojën nga Kosova, Kosovën nga Shqipëria", vlerësoi kreu i qeverisë, duke theksuar se fuqitë e mëdha të asaj kohe vendosën kufirin mbi trupin e kombit, por nuk e vendosën kurrë atë, mbi shpirtin e tij, i cili qëndron i bashkuar.

 

Distanca Tropojë-Tiranë do të shkurtohet me 110 km

 

Tropoja, gjatë Luftës së Dytë Botërore u shndërrua në mbartjen më kryesore të lëvizjes çlirimtare në Kosovë. Gjatë takimit me banorët e Tropojës, kryeministri Berisha e vuri theksin në kontributin e madh që ka dhënë kjo zonë në mbrojtje të vlerave kombëtare dhe luftës për liri. Ju këtu në Bujan, u tha Berisha mijëra qytetarëve të Tropojës, gjatë luftës firmosët aktin madhor historik, të referendumit të Kosovës, faktikisht aktin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve të firmosur nga shqiptarë, nga serbë, nga malazezë, nga të gjithë ata që luftonin për liri në këto treva. "Historia kurrë nuk do t`ua harrojë këtë. Sërish, Enver Hoxha, Josif Broz Tito do ta hidhnin poshtë atë. Ata vërtetë do të vendosnin një kufi në shpirtin, në zemrën e kombit, por nuk do ta ndanin kurrë, shpirtin e këtij populli, ndaj dhe ju me dashurinë më eprore për Tropojën, për vendin, për Kosovën, për Shqipërinë ia dolët që në vitin '98-'99 ta shndërroni këtë trevë në bazën kryesore të lëvizjes çlirimtare të Kosovës. "Ju, për lirinë e saj pranuat çdo sakrificë, ju derdhët gjakun e djemve tuaj për lirinë e saj, ndaj dhe sot mblidheni në këtë shesh më krenarë, më të lumtur se kurrë, se ne, qytetarët e malësisë së Gjakovës, qytetarët shqiptarë, kemi fituar luftën, kemi fituar luftën finale, Kosova është e lirë, Kosova është e pavarur. Shqipëria është në NATO. Kufijtë do t'i rrafshojmë me projektin tonë evropian", u shpreh më tej Berisha, duke i ftuar banorët e Tropojës që të vazhdojnë mbështetjen në projektin e dytë për Tropojën europiane, Shqipërinë europiane. "Tropojë evropiane për ju dhe për mua do të thotë që ju, qytetarë të kësaj treve, të udhëtoni kudo në rrugë të standardeve evropiane. Kam ardhur sot këtu për t'u dhënë fjalën, se nuk do të ketë rrugë të paasfaltuar në këtë vend. Kam ardhur këtu për t'u dhënë fjalën se 4 vitet që vijnë distancën tuaj me Tiranën do të afrojmë së paku 110 km. Kam ardhur këtu që të zotohem para jush se do të bëj çdo gjë që Alpet, pasuria përrallore e Tropojës dhe e Shqipërisë, të shndërrohet në një të mirë, në një vlerë, për secilin prej jush dhe mbarë shqiptarët, me rrugë të asfaltuara, në të dy drejtimet", u zotua më tej kryeministri.

 

Rama i dha "Çelësin e Artë" himnizuesit të barbarive serbe mbi shqiptarët

 

Kryeministri siguroi banorët e Tropojës dhe të mbarë Shqipërisë se katër vitet që vijnë do të jenë vitet e transformimit të madh. Ne, u shpreh ai, e bëmë Shqipërinë anëtare të NATO-s, ne do ta përgatisim Shqipërinë për anëtare të BE-së, ne do të fitojmë lirinë e lëvizjes, ne do të lemë mbrapa në rroga dhe pensione qytetarët e 6 vendeve anëtare të BE-së. Berisha u bëri thirrje fermerëve të mrekullueshëm të Malësisë së Gjakovës të hartojnë projekte për plantacionet e gështenjave dhe kumbullave, të cilat janë ndër më të mirat në Ballkan dhe qeveria do t'i financojë ato. "Ju garantoj se qeveria ime do të financojë çdo projekt që ju do të paraqisni. Ju garantoj se Tropoja, Malësia e Gjakovës, e tëra do të jetë nën ujë, me kushtin e vetëm që ju t`i ktheheni traditës suaj të mrekullueshme, ujdisë së ujit, traditë e cila është nga më të shkëlqyerat, ta menaxhoni, ta ndani, ta përcaktoni me ujdi të plotë", vijoi kryeministri. Duke u ndalur në rebelimin komunist të '97, kryeministri tha se kjo ishte periudha më e vështirë në gjithë historinë e Tropojës, pasi ajo evidentoi një urrejtje primitive kundër qytetarëve të kësaj zone. "Në të gjithë historinë tuaj, ju keni qëndruar si viganë. Kanë kaluar pushtime, ju jeni matur me to, kanë djegur sërish jeni kthyer, ju kanë përzënë sërish keni ndërtuar. Për mua dhe për ju, '97 është periudha më e dhimbshme në tërë historinë e Tropojës, sepse me një urrejtje primitive ndaj kontributit tuaj, bandat u veshën me pushtet dhe ekzekutuan djemtë e Tropojës", tha më tej kryeministri, duke shprehur bindjen se atë që historia u rezervoi pushtuesve, atë që historia u rezervoi keqbërësve, do u rezervojë edhe autorëve të '97-ës në Tropojë. Në këtë kontekst, kryeministri i bëri thirrje sërish kryetarit të PS-së, Edi Rama, t'u kërkojë falje qytetarëve të Tropojës për ato që partia e tij shkaktoi në '97. Kreu i qeverisë i sugjeroi Ramës që para se të kërkojë votën e socialistëve të Tropojës, të heqë çelësin e artë të kryeqytetit të shqiptarëve nga gjoksi i himnizuesit të masakrave serbe në Kosovë. "Para pak javësh, këtu erdhi kryetari i Partisë Socialiste, i cili në fakt është njëqind herë më i lidhur me 99-shat e lejeve të ndërtimit, se sa me socialistët e Shqipërisë. Edhe njëherë ju përgëzoj për shpirtin e hapur që tregoni. Do t`i them zotit Rama të vish sa herë të duash në Tropojë. Të kërkova që t`i kërkosh ndjesë Tropojës për ato që i bëtë në vitin 97, nuk e bëre këtë, sepse nuk njeh ti me arrogancën tënde, me prepotencën e trashëguar, ndjesën dhe faljen njerëzore. Por unë tani nuk të them më që të kërkosh falje. Ajo që të kërkoj është kjo, që para se t`u drejtohesh qytetarëve të Tropojës, socialistëve të Tropojës për votën, duhet të heqësh Çelësin e Artë të Bashkisë, çelësin e artë të kryeqytetit të shqiptarëve që vendose mbi gjoksin e himnizuesit të masakrave serbe mbi vëllezërit në Kosovë, famëkeqit Bregoviç", u shpreh Berisha, duke paralajmëruar se nëse Rama nuk do ta bëjë një gjë të tillë, atëherë Këshilli Bashkiak do të kërkojë një mocion mosbesimi ndaj tij. "Nuk mundesh ti të përdorësh çelësat e kryeqytetit të mbarë shqiptarëve për armiqtë e egër të tyre, për ata që u kënduan këngë dhe himne barbarëve serbë, të barbarive serbe mbi shqiptarët e Kosovës", u shpreh më tej kreu i ekzekutivit në takimin me qytetarët e Tropojës. Më pas, ai ftoi socialistët e Tropojës dhe të mbarë Shqipërisë që më 28 qershor të votojnë duke pyetur atdhetarinë e tyre, të votojnë për Tropojën europiane dhe për Shqipërinë europaine dhe jo për sekserët e lejeve të ndërtimit dhe '99-shat e Ramës. "Ju ftoj vëllazërisht të merrni pjesë në votime, i ftoj socialistët e Tropojë dhe të mbarë Shqipërisë që në 28 qershor le të votojnë, duke pyetur atdhetarinë e tyre, të votojnë për Tropojën europianë, për Shqipërinë europiane, le të votojnë për shtëpitë e tyre, për veten e tyre dhe dua t`i siguroj se respekti i Sali Berishës për ta është me dhjetëra e dhjetëra herë më i madh se respekti i Edi i Ramës", u shpreh kryeministri, duke nënvizuar se projektin europian dëshiron ta ndajë dhe ta bëjë realitet me çdo shqiptar.

 

Rruga Tropojë-Valbonë merr emrin e Heroit legjendar të Demokracisë

 

Gjatë vizitës në Tropojë, kryeministri Berisha inauguroi përfundimin e një segmenti rrugor prej 13 kilometrash në Komunën Margegaj, pjesë e rrugës që lidh qytetin e Tropojës me grykën e Valbonës dhe fshatrave përreth. Duke e cilësuar rrugën si një ndër më të bukurat e Shqipërisë, kryeministri tha se kjo rrugë, për cilësitë e veçanta të saj, do të mbajë emrin e Heroit të Tropojës dhe mbarë shqiptarëve, Azem Hajdarit. Duke përgëzuar ndërtuesit e saj, kreu i qeverisë kërkoi që rruga të pasqyrojë në tërësinë e saj, të gjithë bukurinë mahnitëse të zonës nëpër të cilën kalon. "Sot, ne inauguruam 13 kilometrat e para të njërës prej rrugëve më të bukura të Shqipërisë, që do të mbajë emrin e Heroit legjendar të Tropojës dhe mbarë shqiptarëve, të viganit liberator, të të pavdekshmit, Azem Hajdari. Kam vendosur t'i jap këtë emër kësaj rruge për të nderuar mikun tim, një simbol që në një aspekt i afrohet shumë atij. Ai dhe lëvizja që ai udhëhoqi ishte lëvizja më e bukur në historinë kombëtare të shqiptarëve dhe rruga është një rrugë shumë e bukur, kalon në një terren shumë të bukur, kalon në mjedis madhor, ndaj unë për të nderuar Azemin, për të nderuar pavdekësinë e tij, kjo rrugë do të mbajë emrin Azem Hajdari", u shpreh kryeministri Berisha, ndërsa duke përgëzuar ndërtuesin i kërkoi atij që rruga deri në Valbonë dhe Rroganë të jetë një dekoracion tërësor, të shprehë dhe të pasqyrojë, në ndërtimin, arkitekturën dhe paraqitjen e saj, të gjithë bukurinë mahnitëse, të Valbonës, Dragobisë, të kësaj zone. "Kështu që të vazhdojmë të përfundojmë rrugën më të bukur që kemi ndërtuar ndonjëherë, për të nderuar edhe mikun tonë", tha kreu i qeverisë, duke iu referuar Azem Hajdarit. Kryeministri kërkoi nga përfaqësuesit e pushtetit lokal, plotësimin e rrugës me të gjitha parametrat bashkëkohore, europiane. Në disa pjesë të veçanta të rrugës, kryeministri kërkoi që në formën e një dekoracioni të shkruhet "Azem, ti je gjallë". Gjithashtu, ai tha se shumë shpejt do të shtroheshin dhe asfaltoheshin edhe disa rrugë të tjera shumë të rëndësihme si rruga deri në Ballaban, rruga në Curraj të Epërm, rruga Rroganë-Theth, duke bërë kështu që Alpet të jenë të arritshme nga të dyja anët.

 

Kryeministri përuron ujësjellësin e ri, investim me vlerë 363 milion lekë

 

Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e ndërtimit të rrjetit të jashtëm, të ujësjellësit të qytetit të Bajram Currit, me vlerë 363 milion lekë. Kryeministri tha se me ndërtimin e këtij ujësjellësi zgjidhet përfundimisht problemi i furnizimit me ujë të pijshëm 24 orë, për zonën e Bajram Currit dhe të disa fshatrave përreth. "Ky është ujësjellësi i ri, i cili do të furnizojë qytetin, shpresoj edhe Bujanin, edhe pjesën e Cernicës. Është një ujësjellës, i një burimi që është thellë në Alpe dhe që ka ujin e cilësisë më të mirë, është me rrjedhje të lirë dhe jo me pompë, siç është ujësjellësi ekzistues, i cili ka një shpenzim të madh të pompës, por ka edhe përmbajtje të lartë kalciumi. Ky ujësjellës zgjidh problemin e furnizimit me ujë 24 orë", tha kreu i qeverisë, duke vlerësuar se kompania ka bërë një punë shumë të mirë, është një kompani serioze, e cila po punon dhe, me sa duket, do të përfundojë në të njëjtën kohë edhe rruga dhe ujësjellësi.

 

 

Kryeministri kërkoi mbështetjen e banorëve të Kukësit për vijimin e reformave

Berisha: Kukësi jo më një rreth i izoluar, por nyje kryesore e transportit të kombit

 

Kryeministri Berisha zhvilloi një tubim madhështor në qytetin e Kukësit, nga ku kërkoi mbështetjen e qytetarëve kuksianë për projektin e Shqipërisë europiane, për vazhdimin e reformave të thella në katër vitet e ardhshme. Në fjalën e tij të mbajtur para banorëve të Kukësit, të cilët kishin mbushur Sheshin historik "Hasan Prishtina", kryeministri u shprehu atyre mirënjohjen më të thellë, nderimin më të madh, për mbështetjen e jashtëzakonshme që burrat e gratë e këtij rrethi, djemtë e vajzat e tij, i dhanë Partisë Demokratike dhe qeverisë. Kryeministri Berisha tha para banorëve të Kukësit, se Shqipëria është e gatshme për liberalizimin e plotë të vizave gjatë vitit të parë të mandatin të dytë. "Të gjithë në këtë shesh, të gjithë burrat e gratë, djemtë e vajzat e këtij rrethi kanë sot të drejtë të shohin njëri-tjetrin drejt e në sy, të krenohen me njëri-tjetrin, sepse përpjekja e tyre mbi një shekull për Kosovën e lirë e të pavarur, mbështetja e tyre e madhe dha kontributin e vet dhe sot, në këtë shesh, takohemi pasi Kosova është bërë e lirë, është bërë e pavarur. Ne takohemi në këtë shesh, pasi çamë malin e Thirrës, për të shënuar kështu bashkimin gjeografik dhe shpirtëror të kombit shqiptar", u shpreh kryeministri Berisha, duke iu referuar ndërtimit të korridorit gjigand që lidh shqiptarët. Ai theksoi se, rruga e kombit është rruga e të gjitha rrugëve, por edhe sikur fare të mos i shërbente tjetër kujt, tha kryeministri përveçse juve, ajo rrugë ai vlente njëqind dhe njëmijë herë të ndërtohej, për t`i afruar qytetarët e Kukësit me dy orë e më shumë me kryeqytetin. Gjithashtu ai theksoi se, kjo rrugë duhej të ndërtohej për t'u shpërblyer banorëve të Kukësit pranverën e vitit '99, kur ata mbrojtën nderin e kombit shqiptar, mbrojtën nderin e qytetërimit perëndimor. Kryeministri iu drejtua qytetarëve kuksianë, të cilët hapën zemrat e votrat për 200 mijë shqiptarë nga Kosova. "Kurrë historia e kombit nuk do ta harrojë fisnikërinë tuaj. Ndaj atyre që deklarojnë se rruga nuk do të lidhë Prishtinën me Tiranën do t'u them se jeni thjesht gënjeshtarë të mjerë, por edhe sikur rruga të lidhte vetëm Kukësin me Tiranën, çdo kuksian e meritonte atë", u shpreh shefi i qeverisë, duke shtuar se, Kukësi nuk është më një rreth i izoluar, por nyje kryesore e transportit të kombit shqiptar dhe se ky qytet është buzë një horizonti të madh.

 

Armiqësia e Ramës ndaj Durrës-Kukës, armiqësi ndaj gjithë kombit

 

Armiqësia e vazhdueshme e Edi Ramës ndaj projektit të shekullit Durrës-Kukës, nuk është vetëm armiqësi ndaj demokratëve të këtij qarku, por dhe ndaj socialistëve dhe kombit në tërësi. Gjatë takimit me qytetarët e Kukësit, kryeministri Berisha, duke ftuar socialistët e Kukësit që të mbështesin projektin e Shqipërisë europiane u kujtoi atyre se, kur në sheshin e këtij qyteti vërshonin lotët e dhimbjes të vëllezërve kosovarë, Rama i jepte çelësin e Tiranës himnizuesit të masakrave serbe mbi shqiptarët. "Mos harroni se kur në këtë shesh vërshonin lotët dhe dhimbjet e vëllezërve tanë kosovar, një njeri u thurte këngë e hymne barbarive serbe mbi shqiptarët dhe ky është Goran Bregoviçi. Edi Rama në mënyrë të pafalshme tre vite më parë i vendosi në gjoks çelësin e Bashkisë së Kryeqytetit. Ndaj bashkohuni me ne, për Kukësin europian, për Shqipërinë europiane. Bashkohuni me ne, sepse me ne, ju jeni dhjetra herë më afër se sa me Edi Ramës dhe 99-shat e tij", u tha kryeministri Berisha socialistëve të Kukësit. Duke u ndalur në disa nga arritjet e qeverisë në mandatin që u mbyll, premtoi se mandatin e ardhshëm kjo qeveri do të bëjë më shumë për Qarkun e Kukësit. "Mos harroni, se së bashku u anëtarësuam në NATO. Ne së bashku dyfishuam pensionet dhe rrogat, ne së bashku ndërtuam rreth 6 mijë kilometra rrugë, ne së bashku rindërtuam rreth 1012 shkolla. Ne së bashku kemi të mira të përbashkëta, ne së bashku kemi të ardhmen tonë. Le ta ndajmë së bashku këtë të ardhme dhe të ecim përpara", tha kryeministri Berisha. Ai renditi një sërë investimesh në këtë rreth ku janë në ndërtim e sipër apo për t'u ndërtuar 20 hidrocentrale të reja, ndër të cilat Skavica, një prej më të mëdhenjve në Shqipëri. "Kukësi ka rezervat ndër më të mëdhatë minerare të vendit. Kukësi ka potenciale ndër më të mëdhatë turistike. Dua t'i them zotit Rama, që erdhi këtu e derdhte lot krokodili, se me paratë e rrugës do të asfaltoheshin rrugët e Kukësit, zoti Rama duhet ta mësosh se rrugët e këtij qarku po asfaltohen të gjithë, duhet të mësosh se rruga Sopot-Krumë-Kukës është e tëra në ndërtim, se më 1 korrik hapet tenderi për lotin e parë Krumë-Kukës, se më 1 korrik hapet tenderi për lotin e parë, Kukës-Shishtavec", u shpreh kryeministri, ndërsa garantoi banorët e Shishtavecit për ndërtimin e rrugës dhe hapjen e doganës për ta shndërruar këtë zonë në një nga epiqendrat e mëdha turistike të vendit. Duke iu referuar investimeve në rrugët rurale, kreu i qeverisë theksoi se, rruga për në Kalanë e Dodës po ndërtohet me standardet më të mira. Shefi i qeverisë bëri me dije projektin më madhor për mandatin e dytë qeverisës për Qarkun e Kukësit në katër vitet që vijnë, duke nënvizuar se në këtë qark nuk do të ketë asnjë metër rrugë të paasfaltuar. "Katër vitet që vijnë, ne takohemi me Europën, si qytetarë që do t'i kemi të gjitha rrugët e asfaltuara, si qytetarë që do eksportojmë energji në rajon dhe Europë. Si qytetarë që do të kemi 24 orë ujë në shtëpitë tona, si qytetarë që do të paguheni me rroga dhe pensione më mirë se 6 vende anëtare të Bashkimit Europian. Si qytetarë, ku fëmijët tanë do të mësojnë në shkollat më moderne, të sëmurët tanë do të kurohen në spitalet më moderne, ky është Kukësi europian, kjo është Shqipëria europiane", tha kryeministri Berisha gjatë prezantimit të projektit të Partisë Demokratike për mandatin e ardhshëm.

 

Emigrantët të kthehen të votojnë për standardet europiane

 

Nga Sheshi 'Hasan Prishtina' shefi i qeverisë u bëri thirje djemve, vajzave, burrave dhe grave të Kukësit dhe të mbarë Shqipërisë, që janë në emigracion të kthehen në Shqipëri me 28 Qershor dhe të votojnë për Shqipërinë e standardeve europiane. Kryeministri i cilësoi emigrantët si kontributorë të mëdhenj të ndryshimit të Shqipërisë. Shefi i qeverisë i kërkoi voton kësaj kategorie, duke i premtuar se me votën e tyre Shqipëria do të bëhet më shpejt europiane siç e duan ata, siç e do i gjithë kombi shqiptar. Duke u ndalur në pajisjen e qytetarëve me letërnjoftimet elektronike, kryeministri Berisha u bërri thirje të gjithë banorëve të Kukësit, që të pajisen me dokumentet e reja të identitetit. "Qytetarë dhe qytetare të Kukësit dhe të mbarë Shqipërisë, po ju bëj një thirrje vëllazërore dhe tre ditë që kanë mbetur për të aplikuar; merrini të gjithë letërnjoftimet e reja, sepse ato janë dëshmia më moderne e identitetit në Europë. I merrni ato t'i tregojmë Europës dhe botës se ky është standardi i qytetarëve të Kukësit dhe të gjithë Shqipërisë. I merrni ato të votoni më 28 Qershor, në mënyrën më të lirë, me dokumentat më moderne", tha kryeministri Berisha. Në fund të fjalës së tij, kryeministri u bëri thirrje kuksianëve që me 28 Qershor të gjithë të votojnë numrin 10 në fletën e votimit, sepse 10-ta është Shqipëria europiane, është Partia Demokratike, është Europa.

 

 

 

Kreu i qeverisë u zotua para qytetarëve të Pukës se mandati i dytë do të jetë mandati i punësimit

Rama, fushatë me 99-shat dhe sekserët e lejeve të ndërtimit

 

Kryetari i Partisë Socialiste po e bën fushatën e tij elektorale i shoqëruar nga një grup sekserësh të lejeve të ndërtimit, të cilët po këndojnë në mbarë vendin këngët e varfërisë. Gjatë një takimi me qytetarët e Pukës, kryeministri Berisha u bëri thirrje atyre të bashkohen me projektin e Shqipërisë europiane. "Ju bëj thirrje që të bashkohemi në 28 qershor. Edi Rama, me një grup sekserësh të lejeve të ndërtimit, po këndon anembanë vendit këngën e varfërisë. Ne rrisim rrogat, ata betohen se shtohet varfëria, ne dyfishojmë pensionet, ata betohen se jemi më të varfër, ne dyfishojmë ndihmën ekonomike, ata derdhin lot krokodili se po rritet varfëria, ne krijojmë 80 mijë vende pune, ata deklarojnë se po rritet papunësia. Deklarata të tilla kanë si qëllim të shkelmojnë mbi mundin tuaj, mbi djersën tuaj, mbi rezultatet e punës sonë të përbashkët", u tha kryeministri qytetarëve të Pukës. Duke pohuar se ende ka varfëri, kryeministri garantoi se do ta luftojë këtë fenomen dhe në katër vitet e ardhshme pensionet dhe rrogat do të jenë më të larta se në 6 vende anëtare të Bashkimit Europian. Ai theksoi se, varfëria luftohet me punë dhe në katër vitet që vijnë qeveria do të krijojë 160 mijë vende të tjera puna. Kreu i qeverisë shprehu kënaqësinë që në këto katër vite qeveria e shndërroi në realitet ëndrrën e saj atlantiste. "Duke ardhur këtu te ju, në një rrugë që e kam bërë me qindra e qindra herë, sot e gjeta atë më të mirë se kurrë, ashtu siç ju e meritoni. Në këto katër vite ne ndërtuam dhe rindërtuam 5900 kilometra rrugë, ndërtuam rrugën e të gjitha rrugëve, korridorin e kombit, rrugën Durrës-Morinë-Prishtinë. Në këto katër vite, çdo pensionist i fshatrave të Pukës gjen pensionin e tij të dyfishuar, mësuesit e këtij rrethi gjejnë rrogat e tyre të dyfishuara, infermierët dhe mjekët e këtij rrethi dhe mbarë Shqipërisë gjejnë rrogat e tyre të dyfishuara", u shpreh më tej Berisha, duke nënvizuar se katër vitet që kaluan ishin vitet e përpjekjes së përbashkët për të ndryshuar jetën e çdo qytetari. "Katër vjet më parë, arsimi shqiptar shkretohej çdo ditë e më shumë, sot, profesioni i nderuar i mësuesit, misioni i tij, janë ndër më të preferuarit dhe të kërkuarit në Shqipëri", nënvizoi më tej ai, duke shtuar se këto katër vite në Pukë janë shumëfishuar investimet, janë ndërtuar 11 ujësjellës e kanalizime, janë rindërtuar e ndërtuar 7 shkolla, 18 ambulanca, si dhe një seri rrugësh dhe urash në mbarë vendin. Gjithashtu, ai garantoi se katër vitet që vijnë, qeveria e PD-së çdo komunë të këtij rrethi dhe çdo komunë të Shqipërisë do ta lidhë me rrugë të asfaltuara me rrugët kombëtare. Kryeministri theksoi se, çdo fshat i Pukës dhe çdo fshat i Shqipërisë do të lidhet me rrugë të asfaltuara me qendrën e komunës. "Ne zotohemi se mandati i dytë do të jetë mandati i punësimit. Në katër vite, ne do të krijojmë 160 mijë vende të reja pune. Janë për t'u ndërtuar në Pukë e në mbarë Shqipërinë qindra e qindra hidrocentrale, janë për t'u ndërtuar mijëra e mijëra kilometra rrugë, janë për t'u ndërtuar e rindërtuar mbi 1000 shkolla të vendit, mijëra ujësjellës në mbarë Shqipërinë. Biznesi shqiptar do të njohë vitet më të fuqishme, më të lulëzuara të tij", theksoi Berisha, duke shtuar se lufta kundër varfërisë është dhe mbetet objektivi më madhor. "Për mua, varfëria është i vetmi armik që unë njoh mbi tokë. Unë jam i bindur se, së bashku me ju, me mund dhe me djersë, ashtu siç nxorrëm 400 mijë shqiptarë nga varfëria, në katër vitet ardhshme ne do t'i japim përgjigje përfundimtare varfërisë së tejskajshme", theksoi kryeministri, duke shtuar se në katër vitet e ardhshme nuk do të ketë shqiptar që do të marrë nën 2 dollarë në ditë, pavarësisht nga statusi i tij.

 

Në katër vitet e ardhshme Puka do të shndërrohet në një kantier ndërtimi

 

Në katër vitet që vijnë, qeveria e djathtë do të ketë si prioritet të saj edhe rritjen e investimeve në qytetin e Pukës, duke e shndërruar kështu në një kantier të vërtetë ndërtimi. "Puka do të jetë një kantier i vërtetë ndërtimi. Minierat, ujërat, pyjet e saj, do të shndërrohen në pasuri, në radhë të parë për ju, për begatimin tuaj. 28 qershori po afrohet dhe unë ju bëj thirrje të gjithëve ju, të gjithë qytetarëve të Pukës; këto tre ditë vraponi të merrni letërnjoftimet e reja, ai është dokumenti më modern në Europë. Me këtë dokument, ne kemi shansin e madh të barazohemi me qytetarin e vendit më të zhvilluar të Europës dhe botës, me këtë dokument kemi shansin e madh të votojmë si qytetarë të lirë të një vendi të lirë, anëtar të NATO-s, qytetarë të një vendi që, gjatë vitit të parë të mandatit të dytë, presim të lëvizim të lirë në mbarë Europën", tha kryeministri. Në mënyrë miqësore kryeministri u bëri thirrje të gjithë socialistëve apo simpatizantëve të ndonjë partie tjetër të votojnë Partinë Demokratike si të vetmen forcë ku ata mund të gjejnë zgjidhjen e problemeve të tyre. "Unë kërkoj nga ju që të mendoni vetëm një moment se me cilin e ndjeni veten më afër, me Edi Ramën apo me Sali Berishën. Kam bindjen më të thellë se secili prej jush, në rast se mendon për veten, për fëmijët, për Pukën dhe Shqipërinë, e ndjen veten dhjetëra herë më afër me Sali Berishën sesa me Edi Ramën. Së bashku ne na bashkon ëndrra jonë europiane, si projekti më i bukur, më dinjitozi, më madhështor, për ne dhe fëmijët tanë. Ne që bëmë realitet ëndrrën atlantike, ne do të bëjmë realitet dhe ëndrrën europiane. Ju duam edhe ju, duam çdo shqiptar", tha kryeministri.

 

Refuzimi i Ramës për të kandiduar, akt paburrërie totale

 

Kryeministri Berisha ftoi dje qytetarët e Pukës dhe mbarë qytetarët shqiptarë që të mbështesin projektin e Shqipërisë së standardeve europiane. Kreu i qeverisë u bëri apel të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike, të votojnë numrin 10 në fletën e votimit si alternativën e vetme për arritjen e këtyre standardeve. "Le të bashkohemi për të vazhduar ndryshimin, le të bashkohemi për Pukën europiane, për Shqipërinë europiane. Në 28 qershor, votoni 10-ën, 10-a është më e mira, 10-a është Puka europiane, 10-a është Shqipëria europiane, 10-a është Partia Demokratike", u shpreh kreu i qeverisë në një takim entuziast me qytetarët e Pukës. Me Sali Berishën, vijoi ai gjatë takimit me qytetarët pukjanë, iu bashkon dashuria për Pukën, respekti për njëri tjetrin, dashuria për Shqipërinë. "Me Edi Ramën juve iu ndan Çelësi i Artë i Bashkisë së Tiranës në gjoksin e himnizuesit të masakrave serbe mbi shqiptarët, Bregoviçit. Me Sali Berishën juve iu bashkon pensioni juaj i rritur dhe që do të rritet edhe më shumë, shkollimi më i mirë i fëmijëve tuaj, iu bashkon lufta kundër krimit dhe korrupsionit, iu bashkon përpjekja jonë titanike për ëndrrën tonë europane". Duke iu referuar refuzimit të Ramës për të kryesuar listën e kandidatëve të PS-së, kryeministri tha se Rama me një akt paburrërie totale, nuk vuri veten në krye të socialistëve, por iu tha: ecni para, sepse unë nuk vij në krye tuaj. "Ai në thelb, nuk iu do, ai prej kohësh iu ka zëvendësuar ju me 99-shat, me të cilët ndan lejet e ndërtimit dhe pret gjobat e ndërtuesve. Ky është shkaku kryesor, që ai nuk kandidon në krye të listës", u tha Berisha socialistëve të Pukës dhe mbarë Shqipërisë, duke theksuar se kjo thirrje nuk duhet të keqkuptohet. "Ju votoni të lirë, votoni për atë që doni, por unë, në emër të interesave tuaja, nuk e lija dhe nuk e lë dot pa iu bërë juve thirrje këtu në Pukë, në Tropojë, në Sarandë, në Vlorë, në Gjirokastër, në mbarë Shqipërinë", nënvizoi më tej kryeministri.

 

Çdo votë për të pabesin Ndoka, votë për Ramën

 

Kryeministri Berisha u kërkoi ndjesë qytetarëve të Vaut të Dejës për aleancën me Partinë Demokristiane të drejtuar nga Nard Ndoka, duke e përforcuar këtë me thënien se nuk i duhet dhënë besë të pabesit. Ai theksoi se, çdo votë për Nard Ndokën është votë për Edi Ramën, duke iu referuar bashkimit të votave të demokristianëve të Ndokës me Grupin socialist në Kuvend. "Siç e dini, Sali Berisha sa herë gabon, kërkon ndjesë. Nuk mund të mos iu kërkoj ndjesë, pasi katër vite më parë kam ardhur këtu dhe ju kam thënë se vota për Nard Ndokën, është votë për Sali Berishën. Ndërsa sot iu kërkoj ndjesë dhe iu them se vota për Nard Ndokën është votë për Edi Ramën. Sikundër, qenka e vërtetë vëllezër se, çdo gjë në këtë botë mund të bësh, por nuk i duhet dhënë besë, të pabesit", u shpreh kreu i qeverisë, ndërsa u bëri thirrje banorëve të Vaut të Dejës që të marrin pjesë masivisht në votime. Kryeministri i garantoi ata për mbështetje të plotë dhe totale për çdo projekt të kësaj bashkie, të fshatrave përreth të Vaut të Dejës europian dhe të gjithë Shqipërisë. Ndërsa vuri në pah progresin e bërë nga qeveria në këto vite, kryeministri ftoi qytetarët e Vaut të Dejës që t`i bashkohen programit të Partisë Demokratike për të vazhduar ndryshimin dhe zhvillimin e vendit. Kryeministri vlerësoi se në katër vitet që vijnë, në këtë bashki, në fshatrat përreth dhe në mbarë fshatrat e Shkodrës, nuk do të ketë rrugë e rrugicë të paasfaltuar. "Jam këtu para jush për t'ju dhënë fjalën se ne do të subvencionojmë naftën e imputet e saj për qindra sipërfaqe të mbjella, do të financojmë frutikulturën, ullirin dhe të gjitha kulturat bujqësore që ju do të mbillni për interesat tuaja. Pensionet e fermerëve të kësaj zone dhe të mbarë Shqipërisë do të jenë të barabarta me pensionet e qyteteve dhe më të larta sesa pensionet e fermerëve në 6 vende anëtare të Bashkimit Europian", vijoi më tej kryeministri.

 

Shqiptarët i ndan nga Edi Rama çelësi i Bashkisë për Goran Bregoviç

 

Qytetarët shqiptarë i bashkon me Partinë Demokratike besimi që Europa ka tek kjo qeveri, ndërsa i ndan një hendek i thellë me Edi Ramën, i cili nderoi himnizuesin e masakrave serbe mbi shqiptarët në Kosovë. Gjatë takimit me banorët e Vaut të Dejës kreu i qeverisë tha se, socialistët shqiptarë me Edi Ramën nuk i bashkon asgjë, përkundrazi i ndan çelësi i Bashkisë që kryebashkiaku Rama i dhuroi njërit prej njerëzve më të implikuar në masakrat që Serbia për vite me radhë ushtroi ndaj kosovarëve. "Me Edi Ramën iu ndan çelësi i Bashkisë në gjoksin e Goran Bregoviçit, himnizuesit të masakrave të serbëve mbi kosovarët. Me Sali Berishën iu bashkon rritja e madhe e rrogave dhe pensioneve, iu bashkon besimi që Europa ka tek unë dhe qeveria ime, iu bashkon interesi juaj më i mirë. Ku është Edi Rama, të nderuar socialistë të Vaut të Dejës? Ai nuk ka pranuar t'ju udhëheqë ju, ai nuk ka pranuar të vendosë emrin në krye tuaj, ndonëse është kryetari juaj. Ai iu ka zëvendësuar ju me 99-shat, me të cilët ndan lejet e ndërtimit dhe pazaret e fëlliqura të Bashkisë së Tiranës", u shpreh kreu i qeverisë, duke ftuar qytetarët shqiptarë që në ditët që kanë mbetur të shkojnë dhe të aplikojnë për dokumentet e reja të identitetit. Kryeministri tha se, me këto dokumente Shqipëria barazohet me qytetarët e vendeve më të zhvilluara të Europës. "Merrni letërnjoftimet, sepse ato do t'ju duhen për dhjetëra e dhjetëra përdorime, merrni letërnjoftimet, në mënyrë që të votojmë me dinjitet të plotë, si qytetarë të një vendi të lirë. Ju adresohem sot, në mënyrë të veçantë, socialistëve të Vaut të Dejës. Mendoni për një moment se me cilin e ndjeni veten më afër; me Sali Berishën apo me Edi Ramën. Me Partinë Demokratike dhe Sali Berishën iu bashkon, së pari, ëndrra juaj europiane, si projekti më i bukur dhe më madhështor për të gjithë shqiptarët dhe fëmijët e tyre, me Sali Berishën iu bashkon përpjekja e tij e madhe dhe dashuria e tij për këtë vend", vijoi më tej kryeministri. Ne, vijoi më tej ai, premtuam integrimin e Shqipërisë në NATO dhe sot ëndrra atlantike e shqiptarëve nuk është më ëndërr, por është realitet, sot Shqipëria është vend aplikant në BE. "Ne premtuam dyfishimin e pensioneve, premtuan dyfishimin e rrogave të mësuesve, të infermierëve dhe mjekëve dhe sot ky premtim është një realitet. Ne premtuam mbështetjen për fermerët shqiptarë dhe sot qeveria ime financon çdo projekt të tyre, që ka si qëllim nxitjen e prodhimit. Ne premtuam përmirësimin e klimës së biznesit, reforma të thella dhe sot Shqipëria është vendi lider për thithjen e investimeve të huaja", nënizoi më tej kryeministri, duke shtuar se në bashkinë e Vaut të Dejës ndërtohet një nga hidrocentralet më të mira, më të bukura, më të rëndësishme të vendit.

 

 

 

Kryeministri paralajmëroi qytetarët e Fushë-Arrëzit se çdo votë për Edi Ramën është votë për kthim mbrapa

Rama, korrupsion edhe me listën e deputetëve Ndue Kola pagoi gjysëm mln euro për kandidimin

 

Lista e kandidatëve për deputetë e Partisë Socialiste nuk përbëhet nga njerëz, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre për këtë parti, por nga njerëz të cilët e kanë paguar me miliona euro vendosjen e emrit në listë. Gjatë takimit me qytetarët e Fushë-Arrëzit, kryeministri Berisha ka theksuar se kandidati për deputet i PS, Ndue Kola, i ka paguar kryetarit të Partisë Socialiste gjysmë milioni euro për t'u përfshirë në listën e socialistëve për zgjedhjet e 28 qershorit. Ai theksoi se, çdo votë për Edi Ramën është votë për kthimin mbrapa. "Këtu në Pukë garojnë 2 deputetë; garon Ndue Paluca, i cili pret ta sillni në Parlament me votën tuaj, me besimin tuaj, me shpresën tuaj, që ai t'ju shërbejë ashtu siç ju ka shërbyer. Garon edhe një tjetër, Ndue Kola, i cili i pagoi Edi Ramës gjysmë milioni euro për mandatin e tij. Asnjë votë Edi Ramës. Kam një thirrje vëllazërore për ju, por këtë thirrje e kam veçanërisht për të gjithë socialistët e Fushë-Arrëzit dhe të mbarë Shqipërisë. Para se të hidhni votën, mendoni për një moment se me cilin ndiheni më afër, me Sali Berishën apo me Edi Ramën. Unë kam bindjen më të thellë se ju jeni dhjetëra herë më afër me mua, sesa me Edi Ramën. Ju jeni më afër me mua, sepse së bashku ne kthyem në realitet ëndrrën më të bukur atlanciste, bëmë Shqipërinë anëtare të NATO-s, së bashku i kemi të gjitha garancitë të kthejmë në realitet ëndrrën europiane të të gjithë shqiptarëve", u shpreh Berisha, duke shprehur bindjen se socialistët e Fushë-Arrëzit dhe mbarë Shqipërisë ndihen më afër me të se me Edi Ramën, pasi sot çdo i moshuar në fshat merr dy herë më shumë pension se katër vite më parë, në qytet 50 deri në 70 përqind më shumë. "Pra, unë e mbaj fjalën time. Ju ndiheni shumë më afër me mua, sesa me Edi Ramën, sepse ju jeni atdhetarë, sepse ju e doni Pukën, e doni Fushë-Arrëzin, e doni Shqipërinë", u shpreh më tej kryeministri.

 

Fushë-Arrëz, qeveria e PD investoi 6 herë më shumë se qeveria e mëparshme

 

Kryeministri rikonfirmoi qëndrimin se gjatë vitit të parë të mandatit të dytë të kësaj qeverie, shqiptarët do të lëvizin pa viza në hapësirën e Bashkimit Europian. Kreu i qeverisë theksoi se, në këto katër vite kjo qeveri, besimin dhe votën e qytetarëve të Fushë-Arrëzit është përpjekur ta shndërrojë më mirësi për çdo qytetar. "Shpreh kënaqësinë dhe krenarinë time që sot bashkohemi në këtë shesh, të gatshëm për lëvizjen e lirë, pa viza, në mbarë Europën, brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë. Këto katër vite, besimin tuaj, votën tuaj, ne jemi përpjekur ta shndërrojmë në mirësi për çdo shqiptar, në nder për çdo shqiptar, në dinjitet për çdo shqiptar. Në këto katër vite të mandatit tonë të parë, ne jemi përpjekur të ndryshojmë për mirë jetën e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë", u shpreh kreu i qeverisë, duke nënvizuar se vetëm në këtë qytet qeveria ka investuar 6 herë më shumë se sa tetë vite të qeverisjes socialistes. Kryeministri vlerësoi përfundimin e projektit për unazën e re të qytetit, ndërsa garantoi se mandatin e dytë, qeveria do të asfaltojë çdo rrugë të Fushë-Arrëzit, Pukës dhe të mbarë Shqipërisë. "Dua t'ju premtoj me solemnitet banorëve të Iballës, se rruga e tyre është dhe do të mbetet përparësi madhore e qeverisë sime, por edhe shkurtimin e distancës suaj me Tiranën. Kështu që një nga rrugët e reja do të jetë lidhja juaj me autostradën Durrës-Kukës, me korridorin e kombit. Për qytetarët shqiptarë, mandati ynë i dytë ka këto objektiva madhorë: së pari, ujë të pijshëm 24 orë në çdo familje shqiptare. Katër vite më parë, ne ju premtuam se do të linim pas terrin dhe errësirën dhe sot Shqipëria ka 24 orë drita dhe do të ketë gjithë kohës. Ne ju premtojmë ujë të pijshëm 24 orë dhe ju garantoj se cilido që të jetë çmimi i këtij premtimi, ne do ta bëjmë atë realitet. Nuk mund të jemi qytetarë europianë nëse rubinetet e shtëpive tona nuk kanë ujë", vijoi më tej kryeministri.

 

Rritja e pagave dhe pensioneve do të vazhdojë edhe gjatë mandatit të dytë

 

Potencialet e mëdha të vendit, qeveria e Partisë Demokratike në mandatin e saj të dytë do t'i shndërrojë në vlera për të gjithë qytetarët shqiptarë. Kreu i ekzekutivit garantoi qytetarët e Fushë-Arrëzit se qeveria do të vijojë të respektojë politikën e saj të rritjes së pagave dhe pensioneve, duke bërë të mundur që Shqipëria të parakalojë 6 vende anëtare të Bashkimit Europian. Gjithashtu, ai e vuri theksin edhe në një nga problemet e mprehta sociale, siç është punësimi, duke nënvizuar se hapja e vendeve të reja të punës mbetet përparësia madhore e programit katërvjeçar të PD-së. "Në Europë nuk mund të ndihesh europian, në rast se nuk ke punë. Ju garantoj se punësimi juaj dhe i gjithë shqiptarëve mbetet përparësia më madhore e qeverisë sime në katër vitet që vijnë. Në Pukë dhe në mbarë Shqipërinë janë të gatshme për t'u ndërtuar qindra hidrocentrale. Pasuritë tuaja, minierat tuaja, pyjet, potenciali turistik, gjatë katër viteve që vijnë do të shndërrohen me shpejtësi në vlera për ju, për mbarë Shqipërinë. Në Europë nuk shkohet me xhepa bosh. Unë ju jap fjalën se, ashtu siç dyfishova pensionet e të gjithë fermerëve shqiptarë, ashtu siç rritëm pensionet në qytet 50 deri në 70 përqind, ashtu siç dyfishuam rrogat e mësuesve, të infermierëve, të mjekëve, së bashku do të vazhdojmë t'i rrisim ato për të dalë përpara pensioneve dhe rrogave të 6 vendeve anëtare të BE-së", u shpreh kreu i qeverisë në një takim entuziast me qytetarët e Fushë-Arrëzit. Ai theksoi se, katër vitet që vijnë do të jenë vitet e Fushë-Arrëzit europian, Shqipërisë europiane. Në këto katër vite, tha kryeministri, do të krijohen 160 mijë vende pune. Ne, vlerësoi ai, kemi në proces e sipër dhe kanë nisur investimet e mbi 5 miliard euro në fushën e energjisë dhe në fusha të tjera. Ai tha se, më 28 qershor shqiptarët votojnë për ëndrrën europiane, për shndërrimin e saj në realitet. Ju, iu drejtua kryeministri banorëve të Fushë-Arrëzit, votoni për infrastrukturën moderne të qytetit tuaj dhe të Shqipërisë, votoni për rrogat dhe pensionet, për shërbimin cilësor shëndetësor dhe shkolla moderne, votoni për punësimin tuaj, votoni për një luftë të egër që do t'i bëjmë së bashku varfërisë. "Zotohem para jush se në katër vitet që vijnë nuk do të ketë qytetar shqiptar që të marrë nën 2 dollarë në ditë. Ne që nxorëm 400 mijë shqiptarë nga varfëria, ne do t'i japim varfërisë goditjen më fatale në mbarë Shqipërinë", vijoi më tej kryeministri.

 

Kënga e Ramës, shëmbëlltyrë e kushtrimeve të çetnikëve serbë

 

Qeveria do të thellojë luftën kundër varfërisë, duke i dhënë kështu këtij fenomeni goditjen finale. Pikërisht është kjo luftë që bashkon Partinë Demokratike me mbarë qytetarët shqiptarë për arritjen e standardeve më të larta europiane. Gjatë takimit me banorët e Fushë-Arrëzit, kryeministri theksoi se shqiptarët me Edi Ramën nuk i bashkon asgjë, por i ndan dhënia e Çelësit të Artë të Tiranës famëkeqit Bregoviç, i cili u thuri lavde masakrave serbe në Kosovë. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se edhe vetë kënga e fushatës së Ramës ka një ngjashmëri të madhe me kushtrimet e çetnikëve serbë, që kryen masakra në Kosovë ndaj popullsisë shqiptare. "Me Sali Berishën ju bashkojnë projektet mbarëkombëtare, ndërsa me Edi Ramën ju ndan Çelësi i Artë i Bashkisë së Tiranës, që e vendosi në gjoksin e himnizuesit të masakrave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, famëkeqit Bregoviç. Ndaj dhe kënga e tij 'Çohu, Çohu' është si himnet e çetnikëve serbë. Ne ju duam ju, ne duam çdokënd, ne duam që në projektin tonë europian të jenë të gjithë aktorë, të firmosin të gjithë më 28 qershor", u shpreh kryeministri. Duke iu referuar fitores së thellë të së djathtës për zgjedhjet e Parlamentit Europian, kreu i qeverisë tha se qeverinë demokratike të Sali Berishës e mbështesin drejtuesit më të lartë të Europës. "Europa është tashmë blu dhe qeverinë demokratike të Sali Berishës e mbështet Brukseli, Parisi, Berlini, Roma, e mbështesin 24 vende të Bashkimit Europian, që një javë më parë votuan Qendrën e Djathtë, votuan partitë simotra të PD-së", nënvizoi më tej numri një i ekzekutivit. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, pavarësisht bindjeve politike, që të bashkohen me përpjekjen e ndershme për luftën kundër varfërisë. "Demokratë e socialistë dhe të çfarëdo bindjeje politike. Me Sali Berishën ju bashkon përpjekja jonë e ndershme për të luftuar varfërinë. Në katër vite ne nxorrëm nga varfëria 400 mijë shqiptarë dhe në katër vitet që vijnë do t'i japim varfërisë goditjen më fatale", u shpreh më tej Berisha, duke shprehur bindjen se 28 qershori do të përsërisë fitoren e 22 marsit të vitit 1992. Në rast se në 22 mars '92, u shpreh ai, ishte vetëm shpresa e ideale, sot jemi krejt tjetër, sot janë realizuar ëndrrat më të mëdha. "Katër vitet që vijnë do të kapim një horizont tjetër më të madh. Ndaj ju ftoj të gjithëve që, në 28 qershor të votoni 10-ën, sepse dhjeta është secili prej jush, është çdo shqiptar, 10-a është e vërteta, 10-a është Fushë-Arrëzi, 10-a është Partia Demokratike, 10-a është Shqipëria, 10-a është Europa", vijoi më tej kryeministri.

 

 

 

Kreu i qeverisë tha se kryetari i PS i ka zëvendësuar socialistët e vërtetë me sekserët e lejeve të ndërtimit

Berisha: Socialistët më afër projektit për Shqipërinë europiane se sa pranë Ramës

 

Kryeministri u bëri thirrje dje nga Cakrani të gjithë socialistëve në mbarë vendin që t'i bashkohen kësaj mazhorance për të vazhduar së bashku rrugën drejt Bashkimit Europian. Kryeministri theksoi se, socialistët shqiptarë nuk mund ta gjejnë më veten e tyre tek Partia Socialiste, pasi Edi Rama i ka zëvendësuar ata me 99-shat dhe sekserët e lejeve të ndërtimit. "Ju bëj thirrje socialistëve të Cakranit dhe të gjithë qytetarëve të Cakranit, të bashkohen me ne, sepse projekti ynë është më i shkëlqyeri për ta dhe fëmijët e tyre. Projekti ynë është Cakrani europian, është Shqipëria europiane. Projekti ynë është rritja më e madhe e pensioneve dhe parakalimi i pensioneve të 6 vendeve anëtare të BE-së. Projekti ynë është infrastruktura më e re dhe më moderne në Evropë për të gjithë Shqipërinë. Projekti ynë është projekti i pesëfishimit të rrënjëve të ullinjve në Mallakastër dhe në mbarë Shqipërinë", tha kryeministri. Ai theksoi se, projekti i kësaj qeverie është projekti i punësimit të 160 mijë shqiptarëve dhe qindra e qindra veprave të mëdha, të hidrocentraleve, porteve, aeroporteve, kanalizimeve, ujësjellsave, pra ky projekt fton çdo shqiptar që ta votojë atë. "Dua t'u them socialistëve të Cakranit se, në rast se ju mendoni me gjakftohtësi do të gjeni veten më afër me Sali Berishën se sa me Edi Ramën. E them këtë, sepse për herë të parë në 18 vjet, për herë të parë në historinë e Europës, në historinë e demokracisë, se demokracia është kontribut i të gjitha forcave, i rolit të tyre, pra për herë të parë në historinë e demokracisë lideri i PS-së, pre i lejeve të ndërtimit dhe i disfatës, nuk pranon t'ju udhëheqë ju. Zoti Rama nuk pyet për ju, ai iu ka zëvendësuar ju me 99-shat e tij, me 99-shat sekserët e lejeve të ndërtimit, se përndryshe zoti Rama do të ndante me ju fatin e zgjedhjeve, por ai nuk do të ndajë fatin e zgjedhjeve me ju. Bashkohuni me ne, nuk do të ketë të humbur në këto zgjedhje", vijoi më tej kryeministri.

 

Kryeministri inauguron rrugën Cakran-Fier, 300 milion lekë investim

 

Gjatë vizitës në Cakran të Fierit, kryeministri Berisha inauguroi fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Cakran-Fier, me gjatësi 14.7 kilometra dhe vlerë rreth 300 milion lekë. Gjatë një takimi të përzemërt me banorët e Cakranit, kryeministri Berisha theksoi se, ky takim zhvillohet në një kohë kur shqiptarët brenda vitit të parë të mandatit të dytë, do të fitojnë të drejtën për të lëvizur të lirë, në mbarë Evropën. "Takohemi së bashku edhe për një ngjarje lokale, shumë të rëndësishme, për inaugurimin e fillimit të punimeve, për ndërtimin e rrugës Cakran-Fier. Ky është investim prej rreth 300 milion lekë dhe do t'i japë rrugës parametrat dhe standardet e një rruge kombëtare", tha kryeministri, ndërsa vlerësoi se Cakrani dhe Mallakastra në projektin e kësaj qeverie janë nga zonat më të rëndësishme të vendit. Kështu, kryeministri vlerësoi se gjatë mandatit të dytë, Mallakastra do të ketë një nga rrjetet infrastrukturore më të mira në Shqipëri. Kryeministri garantoi se do të ndërtohet rruga tjetër Frakull-Cakran, e cila është një premtim i dhënë për Komunën e Frakullës dhe qeveria do ta ndërtojë me përparësi të madhe. Gjithashtu, kryeministri garantoi se kjo zonë do të jetë ndër përfituesit më kryesorë të projektit të ullirit, projekt i cili do të jetë ndër më kryesorët në 4 vitet që vijnë, projekt në të cilin në mbarë Shqipërinë synohet mbjellja e mbi 20 milion rrënjë ullinj. "Unë uroj nga zemra që ju me tokën e mrekullueshme që keni për ullirin, të mbillni 10 milion rrënjë ullinj, vetëm ju si Mallakastër. Unë dua t'u garantoj ju, se do të subvencionojmë çdo rrënjë ulliri, që ju do të mbillni. Cakrani ka një problem serioz për të zgjidhur dhe ky është problemi i vaditjes. Jam këtu, për t'u dhënë fjalën, se ne do të rindërtojmë tërësisht sistemin e vaditjes të Cakranit dhe të mbarë Shqipërisë. Sikundër, dua t'u bëjmë thirrje ju që shoqata e vaditjes duhet të funksionojë me seriozitetin më të madh, sepse është interesi juaj më jetik. Ne do të rikthejmë të gjithë sistemin ujitës të Mallakastrës. Mirëmbajtja do të jetë vepër e juaja", vijoi më tej kryeministri.

 

Investimet në Cakran 11 herë më të mëdha se gjatë qeverisjes socialiste

 

Kreu i qeverisë shprehu dje bindjen se, më 28 qershor banorët e Cakranit do të votojnë për projektin e Shqipërisë europiane. Duke prezantuar kandidatin e PD-së për këtë zonë, ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, kryeministri premtoi se të gjitha projektet e tij, projektet e qytetarëve, do të kthehen në realitet dhe do të kenë një avokat të shkëlqyer në Parlamentin shqiptar. Duke iu referuar ish-deputetit Blendi Klosi, që ka përfaqësuar këtë zonë në legjislaturën e mëparshme, kreu i ekzekutivit tha se qytetarët e kësaj zone nuk mund të votojnë më ata burra që rrahin gratë nëpër diskoteka. "Edhe ai tjetri ishte mallakastriot, por problemi i tij ishte se rrihej nëpër diskoteka. Ai e kishte këtë problem, e kishte këtë sëmundje, ndaj dhe ai e kuptoi që ju, ata burra që i rrahin nëpër diskoteka, nuk mund t'i votoni më", u shpreh kreu i qeverisë gjatë takimit me banorët e Cakranit, ndërsa premtoi se gjatë mandatit të dytë do të shënohet barazimi i pensioneve të fshatit me ato të qytetit. "Besoj se ju keni bindje të madhe, keni bindje të plotë, se ne e mbajmë fjalën. Ju kam premtuar katër vjet më parë dyfishimin e pensioneve, sot të gjithë fermerët e Shqipërisë, plot 170 mijë fermerë, marrin një pension dy herë më të lartë, se pensioni që merrnin katër vite më parë", tha kryeministri. Gjithashtu, ai premtoi se nuk do të ketë qytetar shqiptar, në çfarëdo situate që të ndodhet, i papunë, në ndihmë ekonomike, apo tjetër, që të marrë nën 2 dollarë në ditë. "Ky është premtimi im. Shpreh kënaqësinë që këto katër vite ne kemi investuar në Cakran 11 herë më shumë se sa qeveritë socialiste. Por unë jam këtu për t'u zotuar para jush, që ne do të investojmë në këtë komunë dhe do të asfaltojmë të gjitha rrugët e fshatrave të Cakranit. Do të ndërtojmë apo rindërtojmë të gjitha shkollat e Cakranit dhe të mbarë Shqipërisë. Do të çojmë ujë për 24 orë, në çdo familje të Cakranit dhe në mbarë Shqipërinë", vijoi më tej kryeministri.

 

Rezultati i 28 qershorit, ndëshkim shembullor për Ramën

 

Kryeministri theksoi nga Ballshi se, rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit ku Partia Demokratike do të fitojë bindshëm një mandat të dytë qeverisës do të jetë njëkohësisht një ndëshkim shembullor për kreun e PS, Edi Rama. "Nga ky shesh kam një thirrje miqësore për socialistët e Mallakastrës, për të gjithë socialistët shqiptarë, le të bashkohemi në projektin e Shqipërisë evropiane. Ky projekt bazohet në disa norma, në disa standarde, në një moral të caktuar. Ky projekt bazohet në mbajtjen e premtimeve, por para së gjithash projekti i Shqipërisë evropiane është projekti i çdo shqiptari, është projekti më i bukur, që çdo shqiptar ka në mendjen dhe zemrën e tij, për fëmijët dhe veten e tij", u shpreh kryeministri. Ai u bëri thirrje qytetarëve të Mallakastrës dhe mbarë Shqipërisë pavarësisht bindjeve politike, që të bashkohen me këtë qeveri që anëtarësoi Shqipërinë në NATO, që bëri realitet ëndrrën atlantiste të shqiptarëve, me këtë qeveri që do të ecë e sigurt drejt Bashkimit Evropian. "Edhe njëherë le të bëjmë thirrje mbarë qytetarëve shqiptarë, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, të bashkohen me ne. Socialistëve të Mallakastrës dhe të mbarë Shqipërisë, me zemër të hapur ju them që ju jeni dhjetëra herë më afër me Sali Berishën, se sa me Edi Ramën, për të cilin ju thjesht jeni numra pa vlerë. Sepse Edi Rama nuk guxon të dalë në krye, nuk di t`u udhëheqë. Dhe kjo vetëm e vetëm për shkak të frikës dhe të tmerrit që ai ka nga rezultati i zgjedhjeve, nga vendimi i Tiranës për t'i dhënë ndëshkimin shembullor. Socialistë të Mallakastrës dhe të mbarë Shqipërisë, hapni sytë se Edi Rama ju zëvendësoi ju me 99-sha. Për ju është Shqipëria, për ju është Evropa. 99-shat kanë vetëm një ideal, lejet e ndërtimit, sekserët e lejeve të ndërtimit, ndaj dhe njëherë ju bëj thirrje, merrni letërnjoftimet e reja. Votoni më 28 qershor, votoni 10-ën, 10-ta është ajo që ju meritoni, 10-ta është më e mira, 10-ta është më e vërteta, 10-ta është Shqipëria, 10-ta është Evropa, është Mallakastra, është Shqipëria", vijoi më tej kryeministri.

 

Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë sfidoi krizën globale

 

Shqipëria ndryshe nga vendet më të zhvilluara të botës, falë reformave të suksesshme fiskale njohu një rritje të madhe ekonomike, duke sfiduar krizën e rëndë financiare që përfshiu Europën e mbarë botën. "Ne ia dolëm ta vendosim Shqipërinë në orbitën e rritjes së shpejtë ekonomike. Shqipëria për dy vite me radhë, në kohën e krizës më të madhe, që bota ka njohur që nga vitet 1930, qëndron në krye të rritjes ekonomike në Evropë. Unë vij sot tek ju, sërish për të kërkuar besimin tuaj, të cilin ju ftoj ju ta bazoni në premtimet e mbajtura", tha kryeministri gjatë takimit me qytetarët e Ballshit. Ai theksoi se, në katër vjet qeveria ia doli që ta shndërrojë Shqipërinë në një nga vendet më të rëndësishme të rajonit e më gjerë. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi anëtarësimiin në NATO, aplikimin për në BE, si dhe një sërë progresesh të tjera që nuk janë shënuar ndonjëherë në historinë e shqiptarëve. "Ne takohemi sot, pasi me punën, me mundin dhe djersën tonë dhe ndihmën e miqve tanë, ia dolëm që Shqipëria të bëhet e përshtatshme për të aplikuar për vend anëtar në BE. Ne ia dolëm, që sot të jemi të gatshëm, që brenda vitit të parë të mandatit të dytë, të lëvizim pa viza dhe të lirë në mbarë Evropën, ia dolëm së bashku të dyfishojmë pensionet e të gjithë fermerëve të Mallakastrës dhe të mbarë Shqipërisë dhe të rrisim 50 deri në 70% pensionet e qytetit, të dyfishojmë rrogat e mësuesve të fëmijëve tanë dhe të infermierëve. Ia dolëm të ndërtojmë dhe rindërtojmë në mbarë vendin 5900 km rrugë, 1012 shkolla, 720 ujësjellësa dhe dhjetëra e dhjetëra vepra të tjera", tha kryeministri. Ai theksoi se, vota e qytetarëve shqiptarë më 28 qershor duhet të jetë për Shqipërinë europiane. "Projekti i Shqipërisë evropiane, është projekti më ambicioz që ne kemi ndërmarrë ndonjëherë, por është një projekt që do t'ia dalim së bashku plotësisht", tha kreu i qeverisë. Ne, vijoi ai, që anëtarësuam Shqipërinë në NATO, ne mundet dhe do të anëtarësojmë Shqipërinë në BE. "Projekti i Shqipërisë evropiane nënkupton që ju qytetarë të Mallakastrës dhe të mbarë Shqipërisë të udhëtoni në rrugë të standardeve evropiane, kudo që ju jetoni. Unë ju premtoj banorëve të kësaj treve, që të gjitha komunat e saj dhe çdo komunë e Mallakastrës do të lidhen me boshte kombëtare, me rrugë kombëtare, me rrugë të asfaltuara dhe çdo fshat i këtyre komunave do të lidhet me rrugë të asfaltuara, me qendrën e komunës", vlerësoi kryeministri, duke e vënë theksin në faktin, se në katër vite u asfaltuan mbi 5900 km rrugë.

Shqiptarët, standarde të njëjta me qytetarët europianë

Kryeministri garantoi se mandati i dytë qeverisës do të jetë mandati ku të drejtat e qytetarëve shqiptarë do të jenë të të njëjtit nivel dhe standard me ato të qytetarëve të Bashkimit Europian. "Ky mandat i dytë i qeverisë do të jetë mandati i ujit të pijshëm. Unë zotohem para jush, se siç harruam së bashku kohën e ndërprerjes së energjisë elektrike, do të harrojmë së bashku, gjatë këtij mandati, kohën e mungesës së ujit në shtëpitë tona, do të çojmë ujin në çdo familje shqiptare 24 orë. Projekti i Shqipërisë evropiane është projekt, i cili nënkupton që ju të keni kushte jetese njësoj si qytetarët e BE-së. Unë natyrisht nuk mund të angazhohem, se do të keni kushtet e jetesës së francezëve, gjermanëve, italianëve apo anglezëve, por zotohem se së bashku, brenda 4 viteve ne do të kemi kushtet e jetesës, rrugë më të mira se 6 vende anëtare të BE-së, të cilat vetëm pak vite me parë kanë qene me dhjetëra e dhjetëra herë më të zhvilluara se ne", tha kryeministri. Ai u premtoi fermerëve të Mallakastrës, se ky 4-vjeçar që vjen mbi të gjitha do të jetë 4-vjeçari i tyre. Kryeministri garantoi se, qeveria do të subvencionojë çdo rrënjë ulliri që ata do të mbjellin. "Në projektin e qeverisë sime për 20 milion rrënjë ullinj, unë të parën llogaris Mallakastrën. Unë uroj që ju fermerët e Mallakastrës të mbillni 10 milion rrënjë ullinj dhe të gjitha ato rrënjë më rrënjë, ne do t`ua subvencionojmë", tha kryeministri.

 

Projekti i PD për Shqipërinë europiane, projekti që meriton çdo shqiptar

Projekti i Partisë Demokratike për Shqipërinë europiane është projekti që meriton çdo shqiptar. Kryeministri theksoi se, ashtu siç kjo qeveri realizoi premtimin për anëtarësimin në NATO, premton Europën dhe do ta bëjë atë realitetet, ashtu si edhe lëvizjen e lirë. "Ju premtuam dyfishimin e pensioneve, e bëmë realitet; ju premtuam rrugën, e bëmë realitet, gjithçka ju premtojmë, do ta bëjmë realitet. Ndaj dhe le të bashkohemi që të rikthejmë Shqipërinë në 22 marsin e vitit '92, në 22 marsin e ëndrrave tona të mëdha, e aspiratave tona demokratike. Ne që realizuam ëndrrën euroatlantike, do të realizojmë ëndrrën europiane, të punojmë së bashku, të bashkohemi", u tha kryeministri banorëve të Cakranit. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve për t'u pajisur sa më shpejt me letërnjoftimet e reja elektronike, duke u barazuar kështu për dokumentet e identitetit, me qytetarët e vendeve më të zhvilluara europiane. "Sot, në Europë dhe në botë, nuk ka letërnjoftim më modern, se letërnjoftimi i shqiptarëve. T'i merrni letërnjoftimet edhe për t'i faktuar Europës dhe botës se ne votojmë me dokumentet më moderne, se jemi të përkushtuar për zgjidhje të lira, të ndershme. Ne jemi të vendosur që në mënyrën më serioze të takojmë Europën", vijoi më tej kryeministri. RD

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Berisha në Greqi i ftuar në përurimin e muzeut të ri të Akropolit (06.15.2009)
Berisha bëri sot miting në Tropojë (06.15.2009)
Kryeministri Berisha kërkoi votën e qytetarëve të Kombinatit për horizontin e ri të integrimit (06.14.2009)
Berisha çon në këmbë qytetarinë shkodrane dhjetëramijë në shesh për vijimin e ndryshimit (06.12.2009)
Bashkohen subjektet politike demokristiane (06.11.2009)
Emigrantët mund të kthehen për votimet (06.11.2009)
Kryeministri inauguron fillimin e rrugës Divjakë-Pushimi i Shoferit në Lushnjë (06.11.2009)
LDK në proces të reformimit të gjithanshëm (06.10.2009)
Kryeministri Berisha tha dje në Peqin se vendet e reja të punës janë kryefjala e programit elektoral të PD (06.10.2009)
Opozita bashkohet rreth datës së zgjedhjeve (06.09.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]