VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Bijtë e etërve që u rikthyen në Qytetin Studneit ngjanin si mbeturina të ushtrive të shpartalluara të kthyera në Vaterlonë e tyre

                                                                                      

E Martë, 05.07.2024, 11:46am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 
Bijtë e etërve që u rikthyen në Qytetin Studneit ngjanin si mbeturina të ushtrive të shpartalluara të kthyera në Vaterlonë e tyre
E Mërkurë, 06.17.2009, 07:28am (GMT+1)

Në Sheshin "Demokracia" të tejmbushur nga mijëra të rinj, kryeministri Berisha ironizoi mitingun e tre javëve më parë të kryetarit të PS, Edi Rama, i cili çeli fushatën, duke shkelur në këtë shesh me këmbët e nomenklaturës së regjimit më të egër komunist. 19 vjet më parë, u shpreh kryeministri, në këtë shesh u ndesh Davidi dhe Koliadin, ndërsa tre javë më parë në këtë shesh u shfaqën bijtë e etërve të diktaturës që me gishtin si mbeturinat e ushtrive të shpartalluara rikthehen në Vaterlonë e tyre. "Po i them sot z. Rama, ja ku jam me këta studentë, do ta kthejmë fitoren e 22 marsit të '92 në fitoren e thellë të 28 qershorit", u shpreh kryeministri, ndërsa u premtoi studentëve se qeveria do të bëjë gjithçka për lëvizjen e tyre të lirë në mbarë Europën. Ai vlerësoi se, rinia shqiptare sot është gjenerata më e lumtur, pasi ajo nuk ka njohur censurën e lirive dhe të drejtave, ajo nuk ka njohur pasojat e izolimit të thellë. "Sot, ja ku jemi sërish këtu, por ju që jeni sot këtu, jeni gjenerata më e lumtur e shqiptarëve, jeni gjenerata e lirisë. Ju nuk përjetuat asnjë ditë tmerrin e mungesës së lirive, ju nuk përjetuat asnjë ditë pasojat e izolimit të thellë, ju nuk përjetuat mjerimin skllavërues që përjetuan gjenerata para jush. Ju jeni qytetarë në NATO, ju jeni anëtarë, të cilët Shqipërisë do t'i jepnin shpejtësi të papara në rrugën e zhvillimit. Historia e njerëzimit provon se ëndrra e lirisë është forca më e fuqishme e transformimeve që vijnë sot, është më e madhe, më e fuqishme", tha kryeministri. Ju, tha ai, jeni zemra dhe mendja, ata të cilët do ta shndërroni ëndrrën me shpejtësi në realitet, imagjinata juaj, horizonti juaj nuk njohu trysni dhe diktatura, por liri dhe vetëm liri. Më tej, kreu i qeverisë shqiptare ka bërë një pasqyrë të të gjitha hapave që janë ndërmarrë në katër vitet që shkuan. Ndërsa ka vlerësuar si arritje të paparashikuara anëtarësimin e vendit në NATO, aplikimin e vendit për statusin e kandidatit në BE, arritjet në luftën antikorrupsion, lartësimin e vendit në krye të Europës për rritjen ekonomike etj, kryeministri Berisha ka konfirmuar se të tjera sfida akoma edhe më të mëdha e presin Shqipërinë në katër vitet që vijnë. "Katër vitet që shkuan, me idealet tuaja europiane ne morëm mbështetjen, u anëtarësuam në NATO, ne udhëtojmë tashmë si vend anëtar i NATO. Katër vitet që shkuan, me reforma të thella ne ia dolëm të vendosim Shqipërinë në krye të rritjes ekonomike në Europë, në katër vite ne ia dolëm të krijojmë 80 mijë vende pune. Bizneset në Shqipëri nga 40 mijë që ishin katër vite më parë, janë sot 102 mijë. Por Shqipëria është e gatshme për miliarda e miliarda investime, hidrocentrale, porte, aeroporte, autostrada", u shpreh kryeministri.

 

Qyteti "Studenti", aty ku 19 vite më parë mori jetë ëndrra e Shqipërisë europiane

 

Kryeministri Berisha, njëkohësisht kryetar i PD-së, e mbylli turin elektoral të ditës së djeshme me një takim entuziast në Qytetin "Studenti", ku mijëra të rinj e të reja me pankarta "Shqipëria po Ndryshon" në duar, kishin tejmbushur Sheshin "Demokracia". Duke evokuar ngjarjet e mëdha të 19 viteve më parë, që nisën pikërisht nga ky shesh, kreu i ekzekutivit kujtoi studentin trim, tribunin e demokracisë shqiptare, Azem Hajdarin, i cili së bashku me studentët e tjerë nisën demonstratat anti-diktatoriale nën thirrjen "E duam Shqipërinë si gjithë Europa". Nën këtë moto, kryeministri Berisha i bëri thirrje të gjithë studentëve shqiptarë që t'i bashkohen projektit të Partisë Demokratike për Shqipërinë europiane, që sot, nën drejtimin e kësaj qeverie, është më afër se kurrë ndonjëherë. "19 vjet më parë, në këtë shesh u ngrit dhe u vendos në zenitin e lirisë së shqiptarëve. Ai shoqërohëej nga një grup studentesh dhe studentësh trima, ai është tribuni i lirisë shqiptare, Azem Hajdari. Në takimin tim të parë me të, i cili ka ndodhur në Rrugën e Elbasanit, që drejtohej drejt sheshit, ky student i ri ngrihej mbi supet e shokëve të tij duke brohoritur 'E duam Shqipërinë si gjithë Europa", kujtoi kryeministri gjatë takimit me të rinjtë e Qytetit "Studenti". Ai ftoi studentët dhe të rinjtë në mbarë vendin që të votojnë për ëndrrën e tyre, Shqipërinë si gjithë Europa, më 28 qershor. Duke iu referuar fitores së thellë të forcave të djathta në mbarë Europën, kreu i qeverisë tha se për të rinjtë e për të gjithë shqiptarët çdo votë majtas është kthim prapa, është kthim tek e shkuara e errët. "Për ju, për shqiptarët çdo votë majtas është votë prapa, është votë për të shkuarën. Le të bashkohemi e të gjithë të votojmë për Tiranën europiane, për idealet tona europiane, për Shqipërinë europiane. Le të sjellim ne fitoren e marsit të '92. Ju ftoj ju, rininë e mbarë Shqipërisë, të gjithë studentët shqiptarë, që më datën 28 qershor të këndojmë këngën e fitores që meritojmë", u tha kreu i qeverisë mijëra të rinjve të mbledhur në sheshin e Qytetit "Studenti". Duke i cilësuar të rinjtë e të rejat shqiptare si burimi më i fuqishëm i shpresës dhe i besimit tek Shqipëria europiane, kryeministri theksoi se 19 vjet më parë sërish të rinjtë dhe të rejat ishin ato që mbushën këtë shesh me thirrjen "E duam Shqipërinë si gjithë Europa". "19 vjet më parë, shoqëria shqiptare përjetonte mungesën e madhe të lirive, përjetonte pasojat e tmershme të izolimit më të thellë, përjetonte mjerimin e gjeneratave para jush. Mendjen dhe zemrën, e cila kishte idealin europian, ideali i Shqipërisë europiane, ishte ideali i parë i tyre. Ndaj dhe mbushët këtë shesh, rrugët e sheshet e Tiranës të thirrnin 'E duam Shqipërinë si gjithë Europa", vijoi më tej kryeministri.

 

Qeveria, prioritet absolut arsimin e të rinjve

 

Kryeministri Berisha theksoi dje se arsimi do të mbetet një nga prioritetet më madhore të qeverisë. Në katër vitet që vijnë, kreu i qeverisë theksoi se do të bëhen të gjitha përpjekjet për modernizimin e universiteteve, për të krijuar kushte e standarde më të mira, ashtu si dhe të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian. "Unë iu garantoj se ju keni qenë dhe mbeteni çështja kryesore e imja. Zhan Zhak Ruso, njeri prej korifejve tw mendimit njerëzor shkruan diku se 'është më mirë të mundohesh duke mësuar, se sa të mbetesh injorant". Do të bëjmë çdo përpjekje për modernizimin e universiteteve shqiptare, për kushtet më të mira, për cilësi më të lartë. Do të bëj çdo gjë që ju të jetoni moshën dixhitale, të keni kompjuter në çdo dhomë", tha kryeministri. Gjithashtu, ai theksoi se vendimtare për këtë qeveri është uragani i lirisë, është përkushtimi që zgjedhjet e 28 qershorit të shndërrohen në festën më të madhe të shqiptarëve. "Këto ditë që na ndajnë nga zgjedhjet e 28 qershorit askush më shumë se ju nuk mund të bindw çdo qytetar shqiptar për të votuar projektin e Shqipërisë europiane, ëndrrën tuaj. Ju keni të drejtën të mësoni çdo qytetar të këtij vendi, pavarësisht nga bindjet e tij politike, që të bashkohet me ne për Shqipërinë europiane, të bashkohet me ne për projektin më madhor të një kombi, për vendin e tij, për familjen e tij. Tek ky projekt, qytetarët shqiptarë do të gëzojnë kushtet e jetës, të punës, të mësimit, të shërbimeve që gëzojnë qytetarët e vendeve anëtare të BE", tha kryeministri duke shtuar se në katër vjet, Shqipëria do të ketë një infrastrukturë tërësisht të re dhe moderne që shqiptarët të udhëtojnë në rrugët më të mira në tërë vendin e tyre, në rrugët më të shkurtra. "Rrugët kushtojnë shumë, por asgjë nuk kushton më shumë se koha juaj, koha e qytetarëve shqiptarë, ne do të lëmë mbrapa mungesën e ujit të pijshëm, ne do të lëmë mbrapa mungesën e energjisë elektrike. Në katër vjet, një qytetar shqiptar ka paguar më lirë se anëtarët e gjashtë vendeve të Bashkimit Europian", tha kryeministri.

 

Kryeministri paralajmëroi se do të veprohet me tolerancë zero ndaj kreut të PS për pushtimin e pronave

Rama u grabit pronat qytetarëve të Shkozës me pretendimin e banesave sociale

 

Kryeministri Berisha theksoi dje se qeveria nuk do të lejojë që Bashkia e Tiranës, nën pretendimin se do të zgjidhë problemet e strehimit, të pushtojë me dhunë pronat e qytetarëve të Tiranës. Gjatë takimit me banorët e Shkozës, ku Bashkia e Tiranës ka planifikuar të ndërtojë disa banesa sociale në tokat e qytetarëve pa i dëmshpërblyer ato, kreu i qeverisë tha se pa u zgjidhur çështja e pronësisë nuk do të lejohet asnjë ndërtim. "Bashkia e Tiranës po ndërton këtu banesa sociale. Një grup qytetarësh kanë paraqitur pretendimet e tyre me dokumente se janë pronarë të tokës. Unë i them zotit Rama: do të zgjidhësh problemin e pronësisë me qytetarët. As edhe një metër katror tokë të ndokujt, nuk të lejoj të marrësh", u shpreh kryeministri, ndërsa i kërkoi Ramës të heqë dorë nga spekullimet se tokën e ka marrë nëpërmjet vendimit të qeverisë. "Është e vërtetë që toka të ka ardhur me vendim të Këshillit të Ministrave, por kjo nuk do të thotë që mund të bësh edhe veprimin e vetëm më të vogël për të zgjidhur problemin e pronësisë. Mos spekullo, sepse toleranca, absolutisht, do të jetë zero", u shpreh kryeministri, duke nënvizuar se anëtarët e Këshillit Bashkiak në mbledhjen më të afërt do të marrin vendimet përkatëse. Ai tha se, në rast se pretenduesit do të provojnë me dokumente se toka ka pronar, Rama do të jetë i detyruar të arrijë marrëveshje me ta për t'u dhënë atyre dy apartamente, apo sa është ligji përkatës dhe për të vazhduar punën. "Ato kate që do i ndash me Edil-in tënd, do t'ua japësh qytetarëve që u takon", u shpreh kreu i qeverisë gjatë takimit me banorët e Shkozës. Rama ka filluar grabitjen e tokave të qytetarëve në periferi të Tiranës për ndërtimin e banesave sociale të akorduara nga qeveria, pasi tokat publike nën juridiksionin e Bashkisë së Tiranës, u janë dhënë për ndërtime pallatesh Mihal Delijorgjit dhe Edil-it. Në të njëjtën kohë, Rama ka refuzuar çdo lloj marrëveshje me pronarët e tokave në Shkozë, ku Bashkia ka planifikuar ndërtimin e banesave sociale, duke mashtruar me faktin se projekti është miratuar nga qeveria. E vërteta është se, qeveria ka miratuar projektin, por është në detyrën e Bashkisë që të gjejë truallin për ndërtimin e këtyre banesave.

 

Infrastruktura moderne, projekti i PD-së për katër vitet e ardhshme

 

Krijimi i një infrastrukture moderne, ndërtimi i shkollës së re 9-vjeçare, qendrës së re shëndetësore, regjistrimi i të gjitha banesave të ndërtuara para '91, legalizimi i të gjitha banesave dhe kompensimi i plotë i pronarëve kanë qenë disa nga pikat, në të cilat është ndalur kryeministri gjatë një takimi me banorët e Shkozës në Tiranë. Kryeministri kërkoi besimin e banorëve të Shkozës për të punuar për projekte e investime të reja në këtë zonë. "Por, unë kërkoj votën tuaj, kërkoj besimin tuaj para së gjithash për të punuar së bashku për Shkozën, për të ndërtuar këtu shkollën e re 9-vjeçare, qendrën e re shëndetësore, për të përfunduar regjistrimin e të gjitha banesave të ndërtuara para vitit '91, legalizimin e të gjitha banesave në këtë zonë dhe kompensimin e plotë të pronarëve", tha kryeministri. Duke bërë bilancin e arritjeve të katër viteve qeverisjeje, kreu i ekzekutivit e vuri theksin në dyfishimin e pagave dhe pensioneve, reformat në lehtësimin e biznesit, luftën kundër korrupsionit, anëtarësimin në NATO dhe aplikimin për BE. "Takohemi këtu, pasi ia kemi dalë të dyfishojmë pensionet për mbarë fermerët shqiptarë, t'i rrisim ato 50-70 përqind për të gjithë pensionistët në qytet. Ne ia kemi dalë të dyfishojmë rrogat e mësuesve të fëmijëve tanë, të infermierëve dhe të mjekëve. Ne ia kemi dalë të lartësojmë emrin e Shqipërisë, ta vendosim atë të dytën në botë për klimën e biznesit, në krye në rajon për luftën kundër korrupsionit, ta shndërrojmë Shqipërinë në vend lider për thithjen e investimeve të huaja, ta përgatisim atë që brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë ju të lëvizni të lirë, pa viza, në mbarë Europën", tha kryeministri. Duke kërkuar votën e banorëve të Shkozës, kreu i qeverisë u zotua për urbanizimin e çdo cepi të Shkozës, për asfaltimin e të gjitha rrugëve dhe rrugicave, furnizimin me ujë 24 orë, ndërsa theksoi faktin se në fund të katër viteve të ardhshme rrogat dhe pensionet do të jenë më të larta se 6 vende anëtare të BE. Kreu i qeverisë bëri thirrje për një pjesëmarrje masive në votime. "Qytetarë dhe qytetare të Shkozës, demokratë, socialistë dhe të të gjitha bindjeve, bashkohuni me ne në projektin e Shkozës europiane, Tiranës europiane, Shqipërisë europiane. Bashkohuni me ne, sepse ne kemi mbajtur dhe mbajmë premtimet tona, bashkohuni me ne, sepse ëndrra europiane nuk është vetëm ëndrra e një partie, por është ëndrra e mbarë kombit", tha kryeministri, duke shtuar se kjo qeveri që realizoi ëndrrën atlantiste të shqiptarëve, do të bëjë realitet ëndrrën europiane.

 

Letrat me vlerë, detyrim ligjor që qeveria do ta finalizojë

 

Kreu i qeverisë iu përgjigj dje deklaratave të Ramës lidhur me letrat me vlerë, duke vënë në dukje se futja e tyre në treg përbën një lehtësim të madh për procesin e legalizimit. Duke e cilësuar këtë proces si tepër serioz, Berisha tha se letrat me vlerë janë një detyrim ligjor, i cili ka dy qëllime - shndërrimin e tyre në letra të vlefshme në treg dhe lehtësimin e qytetarëve që kanë ndërtesa për legalizim. "Zoti Rama doli më së fundi në Farkë dhe u deklaroi zgjedhësve se letrat me vlerë të Berishës ishin një bllof. Zoti Rama, letrat me vlerë të Berishës janë një detyrim ligjor, të cilin Berisha nuk e mohon, të cilit unë do t'i qëndroj deri në fund. Me letrat me vlerë, unë kam pasur dhe kam dy qëllime: së pari, nga letra të vdekura në xhepat e qytetarëve, t'i shndërrojmë në letra të vlefshme në treg dhe ata të përfitojnë; së dyti, letrat me vlerë, zoti Rama, janë tregues shumë i ndershëm, sepse kam afruar për to një treg shumë më të madh se sa ishte parashikuar", tha kryeministri, duke vënë në dukje faktin që edhe ata që Rama i quante njëherë eskimezë dhe një herë tjetër çeçenë, kreu i qeverisë i konsideron qytetarë të nderuar dhe dëshiron t'ua lehtësojë barrën e legalizimeve. Më tej, kreu i qeverisë u bëri thirrje qytetarëve të Shkozës që të marrin dokumentet e reja të identitetit dhe të nxisin të afërmit e tyre t'i marrin ato. "I merrni ato, i merrni ato të votojmë, më mirë, më bukur se kurrë në jetën tonë. Votoni 10-ën, 10-a është morali juaj, 10-a është më e mira, 10-a është familja juaj, 10-a është vendi juaj, 10-a është projekti ynë europian, 10-a është Partia Demokratike", vijoi më tej kryeministri, duke ftuar çdo socialist të Shkozës dhe të mbarë Shqipërisë që të mendojnë nëse ndihen më afër me projektin europian, apo me Ramën, i cili përveç 99-shave dhe lejeve të ndërtimit nuk do askënd tjetër.

 

Investimet në Manzë në katër vite 1.5 miliard lekë, gjatë qeverisjes socialiste zero lekë

Berisha: Do të reduktojmë me 5 vite moshën e pensionit të minatorëve

 

Në mandatin e saj të dytë qeveria e Partisë Demokratike do të reduktojë me 5 vjet moshën e pensionit me efekt prapaveprues. Gjatë një takimi të përzemërt me banorët e Bashkisë së Manzës, kryeministri Berisha ka shprehur garancinë se qeveria do të rrisë pensionet për këtë kategori dhe realizimi i këtij premtimi bazohet në shndërrimin e premtimeve të mëparshme në realitet. "Kam ardhur sot këtu t`u jap fjalën ish-minatorëve të kësaj qyteze se do të shkurtojmë me 5 vite moshën e pensionit të tyre dhe kjo do të ketë efekt prapaveprues, për pensionet. Së dyti, kërkoj mirëkuptimin e minatorëve të Manzës dhe të mbarë Shqipërisë se të besojnë tek Sali Berisha për rritjen e pensioneve të tyre. Unë iu jap fjalën atyre se do të jem avokat kryesor i pensioneve të larta të tyre, por kërkoj mirëkuptimin e tyre se reforma e pensioneve na lejon t'i vendosim pensionet e minatorëve aty ku duam, por nuk na lejon të përcaktojmë statuse, sepse edhe në rast se e përcaktojmë sot, do të detyrohemi t`i heqim nesër, se reforma e re e pensioneve nuk lejon statuse", u shpreh kryeministri, duke u bërë thirrje të gjithë minatorëve të vendit të mos mashtrohen nga ata që premtojnë statuse. Kreu i qeverisë u zotua se, pensionet e minatorëve do të jenë ndër më të lartat dhe më të mirat. Në vijim të takimit, kryeministri Berisha u shprehu banorëve të Manzës mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe dhe të fuqishme, që ata i kanë dhënë dhe i japin Partisë Demokratike. "Shpreh nderin dhe krenarinë time që takohemi sot së bashku, si qytetarë, të një qyteti dhe të një vendi anëtar të NATO-s. Takohemi si qytetarë të një vendi, i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE", u tha kreu i qeverisë banorëve të Manzës në një takim mjaft entuziast. Ai i siguroi qytetarët e Manzës se qeveria që ai drejton në 4 vite ka investuar në këtë bashki, 1.5 miliard lekë nga 0 lekë investime të qeverisë socialiste. Kryeministri tha se, në katër vitet që vijnë qeveria do të shumëfishojë investimet për të përmirësuar jetën e banorëve të kësaj zone. "Në këto 4 vite në bashkinë e Manzës ne kemi ndërtuar 5 rrugë, 4 shkolla, 3 ujësjellës dhe 3 ambulanca. Ne ndërtuam rrugën kryesore të Manzës, rrugën Seravë-Radë, rrugën Kapedanaj-Armalle, rrugën Lagjja Gjakovë-Baxho, rrugën Sefa-Radë, kemi ndërtuar shkollën 9-vjeçare 'Zyber Çollaku', shkollën e mesme në Manzë, si dhe shkollat 9-vjeçare në Borë dhe Rade. Kemi ndërtuar qendrat shëndetësore të fshatit Shkallë dhe ambulancat e fshatrave Borçë e Kameras. Për fermerët e Manzës, Durrësit dhe mbarë Shqipërisë kemi dhjetëfishuar grantet për projektet tuaja, për prodhimet bujqësore", vijoi më tej kryeministri.

Në katër vitet e ardhshme, investimet për Manzën do të dyfishohen

Qeveria e Partisë Demokratike do të dyfishojë investimet në bashkinë e Manzës në katër vitet që vijnë. Gjatë takimit me qytetarët e Manzës, kreu i qeverisë tha se në mandatin e dytë banorët e kësaj zone, si dhe të të gjithë Shqipërisë do të kenë ujë të pijshëm 24 orë. Gjithashtu, kryeministri premtoi rrugë të asfaltuara, si dhe mbështetje të fuqishme për fermerët e prodhimet bujqësore. "Zoti kryetar i Bashkisë, së bashku 4 vitet që vijnë në këtë bashki do të garantojmë furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë, në çdo familje, në çdo shtëpi. Së dyti, do të rindërtoj të gjitha rrugët, rrugicat e kësaj bashkie. Së treti, do të rindërtoj të gjitha rezervuarët dhe kanalet vaditëse të këtij territori, sikundër garantoj fermerët e Manzës se 4 vitet që vijnë qeveria ime do të subvencionojë inputet, naftën, për të gjithë sipërfaqen që ju do të mbillni, do të subvencionojë pa asnjë kufizim çdo rrënjë ulliri që do të mbillni, do të subvencionojë frutikulturën dhe kulturat e tjera bujqësore dhe çdo projekt tuajin", u premtoi kryeministri banorëve të Manzës. Ai shprehu garancinë ndaj fermerëve se, në katër vitet që vijnë pensionet e tyre do të barazohen 100% me pensionet e qytetit. "Pra, këto janë premtimet për ju sikundër garantoj pensionistët dhe punonjësit se në krye të 4 viteve rrogat dhe pensionet do të jenë më të larta se të 6 vendeve anëtare të BE", u shpreh kryeministri, duke ftuar në mënyrë vëllazërore banorët e Manzës të votojnë bashkëqytetarin e tyre Bedri Luku dhe numrin 10 në fletën e votimit. "Për të votuar Bedri Lukun, duhet të votoni 10, 10 është Bedri Luku, 10 është Manza, 10 është Durrësi, 10 është Shqipëria, 10 është fitorja e Partisë Demokratike", vijoi kreu i qeverisë gjatë një takimi entuziast me banorët e Manzës.

 

Kryeministri inauguron rrugën Maminas-Gjiri i Lalzit, investim 1.03 miliard lekë

 

Një tjetër rrugë i shtohet nxitjes së turizmit në rrethin e Durrësit. Bëhet fjalë për rrugën Maminas-Gjiri i Lalzit në Maminas, rrugë e cila do të nxisë numrin e madh të pushuesve në këtë zonë. Kjo rrugë, investim me vlerë 1,03 miliard lekë, do të ketë një impakt të rëndësishëm në nxitjen e turizmit në këtë zonë. Ky segment rrugor, i gjatë 22.5 kilometra fillon nga autostrada në kryqëzimin e Maminasit dhe përfundon në Gjirin e Lalzit. Rrugës i është bërë një rikonstruksion i plotë, i cili përfshin sistemimin dhe asfaltimin. Kjo rrugë, e gjerë 8 m dhe me trotuare në të dy anët e saj, është e pajisur me të gjitha elementet e një rruge të standardeve europiane. Në vlerësim të këtij investimi, kreu i ekzekutivit shqiptar theksoi se, përfundimi i rrugës është një premtim i mbajtur i qeverisë shqiptare dhe se ndërtimi i saj ishte një domosdoshmëri, në kuadrin e ndërtimit të të gjitha rrugëve që zbresin drejt bregdetit. Gjithashtu, kryeministri vlerësoi se kjo rrugë mundëson daljen e zonave përreth më lehtësisht në treg. "Sapo inauguruam një rrugë prej rreth 23 km dhe me një investim prej 1,03 miliard lekë. Kjo rrugë sjell në treg të gjithë këtë zonë, nga Gjiri i Lalzit që është një nga plazhet më të bukura, por edhe tërë këtë zonë të fuqishme bujqësore dhe industriale. Ky është një premtim i mbajtur. Rruga është e standardeve më të mira ndërkombëtare", u shpreh kreu i ekzekutivit, duke shtuar se ndërtimi i kësaj rruge ishte një domosdoshmëri në kuadrin e ndërtimit të të gjitha rrugëve që zbresin drejt bregdetit.

 

 Kryeministri inauguron Maternitetin e Ri, pjesë e kompleksit spitalor të Durrësit, investim prej 11 mln dollarë

Reformat e thella, rruga e vetme për zhdukjen e korrupsionit në shëndetësi

 

Qyteti bregdetar i Durrësit tashmë do të ketë Maternitetin e Ri, pjesë e kompleksit spitalor, një investim prej 11 milion dollarësh. Në këtë objekt është realizuar jo vetëm ndërtimi i ambienteve të brendshme të standardeve moderne, por edhe kompletimi i tij me pajisje mjekësore dhe aparatura bashkëkohore për diagnostikim dhe trajtim sipas standardeve europiane. Duke vlerësuar maksimalisht këtë vepër të re në shërbim të qytetarëve, kryeministri konfirmoi se qeveria për katër vitet që vijnë do të ndërmarrë një nga reformat më të thella që është ndërmarrë ndonjëherë në sektorin e shëndetësisë, duke ngritur kështu shërbimet e standardeve më të larta europiane për qytetarët. Duke pohuar se, në këtë sektor ka ende korrupsion, kreu i qeverisë tha se do të përcaktohen procedura transparente në të gjitha kontaktet e qytetarit me shëndetësinë, duke nënvizuar se ashtu sikurse u zhduk ky fenomen në procesin e pranimeve në universitete, në të njëjtën mënyrë do të zhduket edhe në sektorin e shëndetësisë. "Në shëndetësi ka korrupsion, nuk mohohet, por, në mënyrë absolute, nuk mund të mohohen lumenjtë e djersës. Mjekësia është profesion me sakrifica, të mjekëve, infermierëve dhe laborantëve. Korrupsioni luftohet në të gjitha praktikat me reforma. Ne do të përcaktojmë procedura transparente, në të gjitha kontaktet e qytetarit me shëndetësinë. Nëse iu kujtohet katër vite më parë, panairi i korrupsionit me pranimet në universitete, sot ai u zhduk, nuk e kemi më", u shpreh kryeministri. Lidhur me masat e ndërmarra nga qeveria në katër vite për sistemin spitalor, kryeministri tha se qeveria prioritetin e saj të parë në këtë sektor ia dha rritjes së pagave për mjekët dhe infermierët. "Së pari, janë dyfishuar pagat e mjekëve dhe infermierëve dhe dje, pas reformës që ndërmorëm, Instituti i Sigurimeve Shëndetësore informoi se këto paga shkojnë akoma më lart dyfishimit, p.sh. mjekëve të një kategorie paga u shkon deri në 600 mijë lekë dhe për këtë i përgëzoj. Unë i sigurova miqtë e mi, shumë prej tyre i kam pasur studentë të shkëlqyer, se në katër vitet që vijnë dhe sa kohë të jem në pushtet, rrogat do të rriten në mënyrë të fuqishme", garantoi kryeministri Berisha. Ai vuri në dukje se, objektivi i kësaj mazhorance është që në katër vitet që vijnë infermierët dhe laborantët të marrin më shumë se kolegët e tyre të 6 vendeve anëtare të Bashkimin Europian. Kryeministri vlerësoi efektin jashtëzakonisht pozitiv të rritjes së rrogave, pasi është investim në energjitë njerëzore.

 

Ideja e Ramës për heqjen e sigurimeve shëndetësore, praktikë e diktaturave

 

Ideja e kryetarit të PS-së, Edi Rama, për heqjen e sigurimeve shëndetësore është një masë shkatërruese për sistemin shëndetësor. Duke komentuar këtë qëndrim të kreut të PS-së, kryeministri Berisha theksoi se ky është një sistem që ekziston në të gjitha vendet e lira të botës dhe koncepti i Ramës për heqjen e tyre gjen zbatim vetëm në praktikat që janë ndjekur në regjimet diktatoriale. "Dua t'u them shqiptarëve, se ideja e Edi Ramës për të hequr sigurimet shëndetësore është shpartalluese për sistemin shëndetësor. I them se këtë sistem e ka vendosur burri më i madh i tokës gjermane, kancelari Bismark. Ky është një sistem që ekziston në të gjitha vendet e lira të botës, pavarësisht nëse janë socialdemokratë apo të qendrës së djathtë. Sigurimet shëndetësore i ka hequr vetëm diktatura. Të gjithë atyre që për nivelin e të ardhurave apo shkaqe të tjera nuk kanë mundësi të paguajnë sigurime shëndetësore, ato do t'i paguajë qeveria dhe kjo do të jetë një shumë, veças nga ndihma ekonomike apo të tjera", tha kryeministri, duke shtuar se heqja e sigurimeve shëndetësore do të thotë që, në emër të barazisë, të thellosh në mënyrë progresive varfërinë, do të thotë që ata që kanë paga të larta, të trajtohen njëlloj si ai që merr ndihmë ekonomike. Këto forma, tha kryeministri, janë çnjerëzore dhe të papranueshme. Më tej, kryeministri theksoi se i ka parashtruar Ministrisë së Shëndetësisë që në asnjë rrethanë në ekran nuk mund të na shfaqet qëndrimi i shkuar ndaj infermierëve. Kryeministri tha se, politika e ndjekur për rritjen e pagave në mandatin e parë do të vijojë edhe në mandatin e dytë, madje edhe ndaj laburantëve. "Së dyti, i kërkova ministres së Shëndetësisë dhe Institutit të Sigurimeve Shëndetësore që në asnjë rrethanë në ekran nuk mund të na shfaqet qëndrimi i shkuar ndaj infermierëve. Kjo politikë që kemi ndjekur në këto katër vite do të vazhdojë edhe ndaj laborantëve, pasi mjeku punon në ekip. Asgjë nuk ia cenon më shumë suksesin atij, sesa defektet e ekipit. Ndaj do të vazhdojmë t'ua rrisim pagat, ashtu siç kemi bërë deri më sot, sigurisht në proporcion. Së treti, kemi vendosur një mekanizëm të ri financimi. Dje, Instituti informoi se një pjesë e të ardhurave do t'u lejohet t'i përdorin për shpërblime, për rritje, për investime", theksoi kryeministri.

 

Fushata po ecën sipas të gjitha standardeve normale

 

Kryeministri Berisha e cilësoi dje ecurinë e fushatës zgjedhore si një fushatë brenda parametrave dhe standardeve normale. Duke iu përgjigjur interesit të medias lidhur me grisjen e disa posterave dhe nëse kjo do të ndikojë negativisht në raportet ndërkombëtare, kreu i qeverisë tha se përveç rastit tragjik dhe shumë të dënueshëm në fshatin Katund i Ri, fushata po ecën normalisht. Kryeministri shfrytëzoi rastin për t`u bërë edhe njëherë thirrje të gjithë drejtuesve politikë, si dhe militantëve për të evituar përplasje të tilla intolerance, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër vetëm largojnë votën. "Unë mendoj se në tërësi fushata, përveç rastit shumë të dënueshëm dhe fatkeq të Katundit të Ri, është një fushatë që po ecën në standardet më normale. Sërish thirrja ime është për të gjithë drejtuesit e partive politike, por edhe të gjithë militantëve që të heqin dorë nga çdo lloj gjesti

 

 

Qeveria do të lidhë çdo komunë të Hasit me boshtet kombëtare të rrugëve

Berisha fton qytetarët e Hasit t'i bashkohen rrugës drejt BE

 

Turi elektoral i kryeministrit Berisha në veriun e vendit është ndalur edhe në Has, nga ku kreu i qeverisë e ka vlerësuar këtë zonë si trevën e përpjekjeve shqiptare për lirinë e Kosovës. Në një atmosferë të ngrohtë e miqësore kryeministri Berisha ka përshëndetur banorët e Hasit, ndërsa ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e jashtëzakonshme të tyre ndaj Partisë Demokratike qysh nga koha e themelimit të saj e deri gjatë këtij mandati. Kryeministri shprehu nderimin e tij më të thellë para veprës së hasianëve dhe para qëndresës së tyre, në të gjitha përpjekjet e mëdha të kombit për liri dhe dinjitet. "Ju, nga lidhja e Prizrenit e deri më sot, keni qenë në krye të këtyre përpjekjeve, por përpjekja juaj titanike për Kosovën do të mbahet mend në të tëra kohërat e historisë sonë. Pas vendosjes së kufirit, ndarjes së Hasit nga Kosova dhe Kosovës nga Shqipëria, Hasi u shndërrua në trevën kryesore të përpjekjes së shqiptarëve për lirinë e Kosovës. Këtu nga Hasi trimat legjendarë të Kosovës si Azem Galica, vazhduan betejën për dhjetëra vite kundër pushtimit barbar serb. Por Hasi në fundin e viteve '90, ishte sërish në krye me gjakun e djemve të tij, me trimërinë dhe burrërinë e tyre për lirinë e Kosovës. Krenaria ime, kënaqësia ime është sot e jashtëzakonshme në këtë takim me ju, sepse ne patëm fatin të bëjmë atë që duhej për të lehtësuar kështu brengën e madhe të baballarëve dhe gjyshërve tanë, që u dogjën për Kosovën dhe nuk e panë dot të lirë", u shpreh kryeministri. Më tej, ai i ftoi banorët e Hasit të votojnë Partinë Demokratike, në mënyrë që ta shohin qytetin e tyre dhe tërë Shqipërinë të ecë e sigurtë në rrugën e saj europiane. Ai premtoi se në katër vitet që vijnë, Hasi do të ketë ngjyrën e bukur europiane, duke e vënë theksin veçanërisht në investimet në infrastrukturë. "Rruga Krumë-Qafë Prush është një arterie e madhe e kombit dhe qeveria në katër vite në Has do të asfaltojë të gjitha rrugët", u shpreh kryeministri, duke garantuar banorët e Hasit se të gjitha komunat e këtij rrethi do të lidhen me rrugë të asfaltuara me boshtet kombëtare. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se Kruma do të lidhet me rrugën e re me Kukësin, sikundër do të ketë dhe rrugën drejt Fanit. "Shumë vite jam përpjekur që ju të vendoseni tërësisht nën ujë. Sot dua të zotohem se rezervuari i Qarrit të Vogël do të jetë nga veprat e reja ujitëse për tokat tuaja dhe ju do të jeni përfituesit kryesorë të pasurive të mëdha nëntokësore të trevës tuaj. Gjithashtu, dua t'i garantoj fermerët dhe blegtorët e Hasit se qeveria ime do të financojë çdo projekt të tyre për rritjen e prodhimit, qoftë të kulturave bujqësore, qoftë të blegtorisë", vijoi më tej kryeministri.

 

Vota majtas është vota e rikthimit të varfërisë

 

Nga vendi, i cili përjetoi më shumë se çdo qytet tjetër në Shqipëri pushtimin e egër dhe masakrat serbe mbi Kosovën, kryeministri Berisha bëri thirrje që asnjë votë të mos shkojë për kreun e PS, Edi Rama, i cili zgjodhi t'i dhuronte çelësin e Tiranës Goran Bregoviçit, që u këndonte himne hordhive dhe barbarive serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës. "Unë iu respektoj ju, respektoj pluralizmin dhe mendimin ndryshe, por iu kujtoj se kur serbi iu bombardonte, kur djemtë tuaj flijoheshin për lirinë e Kosovës, një këngëtar famëkeq serb, Goran Bregoviç, u këndonte himne hordhive dhe barbarëve serb, barbarive të tyre ndaj shqiptarëve. Ky këngëtar ka marrë dy vjet më parë Çelësin e Artë të Bashkisë së Tiranës, nga Edi Rama. Asnjë votë majtas, asnjë votë për atë që kontrollon himnizuesin e barbarive mbi ne", u tha Berisha qytetarëve të Hasit, të cilët i ftoi të votojnë dhe të mbështesin projektin europian. Më 28 qershor, vijoi më tej ai, ju do të votoni 10-ën, se në fakt ju jeni vetë 10-a; 10-a është më e mira, ju jeni më të mirët; 10-a është fitorja, ju jeni fitorja; 10-a është e vërteta, ju jeni e vërteta; 10-a është Hasi, ju e doni Hasin; 10-a është Shqipëria, ju e doni Shqipërinë; 10-a është Partia Demokratike, 10- a është Evropa.

 

Kryeministri thirrje emigrantëve të kthehen të votojnë për Shqipërinë europiane

 

Kryeministri Berisha ftoi dje të gjithë emigratët shqiptarë që të vijnë dhe të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Duke e vlerësuar votën e tyre si një kontribut të çmuar në ndryshimin e madh epokal të Shqipërisë, kreu i qeverisë u bëri thirrje qytetarëve të mbarë vendit që të ftojnë familjarët e tyre në emigracion, që të kthehen dhe të votojnë për projektin e Shqipërisë europiane. "Po shkojmë drejt ditës së madhe, ditës së fitores sonë. Kam një thirrje për ju, për zgjedhësit e Tropojës, të Kukësit, të Sarandës, të Gjirokastrës dhe të mbarë Shqipërisë; i thërrisni vajzat dhe djemtë tuaj nga emigracioni, le të votojnë për Hasin europian dhe për Shqipërinë europiane. Ata duhet të vijnë, sepse ata kanë dhënë dhe japin ndihmesën e jashtëzakonshme në këtë ndryshim të madh dhe epokal të Shqipërisë. Duhet të vijnë, sepse vendi i tyre është sot anëtar i NATO-s, duhet të vijnë që me votën e tyre të ndihmojnë për Shqipërinë europiane dhe për Hasin europian", u shpreh kryeministri, duke ftuar të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve partiake, të mos hedhin asnjë votë majtas. "Të votosh majtas do të thotë të votosh për kthimin mbrapa, të votosh majtas do të thotë të pengosh Shqipërinë në përpjekjet e saj në rrugën evropiane", vijoi më tej kreu i qeverisë.

 

Kryeministri inauguron përfundimin e rrugës Has-Qafë Prush, investim 600 milion lekë

 

Në vijim të vizitës së tij në rrethin e Hasit, kryeministri Berisha inauguroi përfundimin e rrugës Has-Qafë Prush me gjatësi 16.5 kilometra, e cila është një investim me vlerë 600 milion lekë. Dhjetëra e qindra banorë, që kishin dalë të prisnin kryeministrin Berisha, i shprehën atij mirënjohjen për përfundimin e rrugës, të cilën e prisnin prej 60 vjetësh. Në vlerësimin e tij për këtë projekt, kryeministri tha se kjo është një rrugë e fuqishme tregu sepse lidh Hasin me trevën e vet. Kryeministri theksoi se të gjitha rrugët e këtij rrethi do të asfaltohen dhe do bëhen brenda të gjitha standardeve europiane. "Kjo rrugë, është një rrugë jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi është një rrugë e fuqishme tregu, e cila e lidh Hasin me trevën e vet; është një rrugë e cila lehtëson shumë transportin e mineraleve, me të cilat këto zona janë shumë të pasura. Kjo rrugë që po inaugurojmë sot, kërkon ende punë, por ajo do të bëhet e cilësisë më të lartë. Unë dua që të siguroj qytetarët e Hasit, se në mënyrë absolute, të gjitha rrugët e këtij rrethi do të asfaltohen. Dhe katër vitet që vijnë nuk do të ketë asnjë pëllëmbë rruge të paasfaltuar në këtë zonë", tha kryeministri.

 

Rama zëvendësoi socialistët me 99-shat dhe sekserët e lejeve të ndërtimit

 

Kryeministri Berisha u bëri thirrje dje socialistëve të mbarë vendit të bashkohen me projektin e Shqipërisë europiane për të mbrojtur interesat dhe hallet e tyre, sepse kjo është e vetmja forcë politike ku ata mund të gjejnë mbështetje. Kreu i qeverisë theksoi se, sot socialistët shqiptarë janë më të zhgënjyer se kurrë, pasi kryetari i partisë së tyre i ka zëvendësuar ata me të korruptuarit e Bashkisë së Tiranës. "Socialistët e Manzës dhe të mbarë Shqipërisë, në emër tuaj i ftoj të bashkohen me ne, të bashkohen sepse asgjë nuk duam që ta kemi për veten tonë, çdo gjë që do të bëjmë, duam dhe do ta ndajmë me të gjithë shqiptarët. Socialistë të Manzës, me Edi Ramën jeni me kilometra larg. Edi Rama nuk pranon të vendosë emrin në krye të listës tuaj, ai nisi në betejë ushtarët pa komandë, sepse ka frikë. Ai do që ju të humbisni, kurse veten ta shohë në breg, duke thënë se unë nuk isha në listë apo në krye të saj. Mos e votoni atë vëllezër, sepse morali është moral, mos mendoni ju se ne, kundërshtarin e shohim si armik, absolutisht jo, përkundrazi, pa opozitë nuk ka demokraci, por kurrë ndonjëherë ndonjë lider i opozitës nuk ka bërë këtë që bëri Edi Rama në këto zgjedhje. Bazën e vet militante e zëvendësoi me 99-shat e tij, vetëm e vetëm se me ata ndan fitimet përrallore të lejeve të ndërtimit dhe korrupsionit të Bashkisë. Atëherë jeni të mirëseardhur", iu drejtua kreu i qeverisë socialistëve në të gjithë vendin. "Le të bashkohemi ne, në Manzën europiane, në Shqipërinë europiane. Ne që anëtarësuam Shqipërinë në NATO, ne që bëmë gati vendin për lëvizje të lirë, në mbarë Europën brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë, ne do të përgatisim Manzën dhe Shqipërinë për verdiktin përfundimtar; integrimin europian", tha kryeministri. Më tej, ai ftoi të gjithë qytetarët shqiptarë të marrin pjesë në votimet e 28 qershorit, ndërsa apeloi për ata që ende nuk kanë një dokument identiteti të aplikojnë për kartat e reja. "Ju bëj thirrje këto dy ditë që kanë mbetur për aplikimet, të verifikoni çdo familjar, çdo mik, çdo të njohur, nxitini të marrin letërnjoftimin, është dokumenti më modern që lëshohet sot në Europë, dokument që do iu duhet për dhjetëra e dhjetëra përdorime", tha kryeministri, duke e cilësuar atë dokument të fitores.

 

Kreu i diplomacisë tha se ministrat e Jashtëm të BE përshëndetën progresin e qartë të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit

Basha: BE do të liberalizojë vizat për shqiptarët, Rama spekullime të turpshme

 

Shefi i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha, ka rrëzuar dje të gjitha pretendimet mediatike të frymëzuara nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, se Shqipëria nuk do të përfitojë heqje vizash me Bashkimin Europian. Duke shprehur keqardhjen për keqpërdorimin e disa mediave nga kryetari i PS-së për përbaltjen e njërës prej ëndrrave më jetike për çdo shqiptar, Basha e cilësoi këtë si një akt të turpshëm dhe të papranueshëm. Kreu i diplomacisë tha se, deklarata zyrtare e BE-së i jep përgjigjen e merituar spekullimit rreth lajmit të shumëpritur nga shqiptarët anembanë vendit. "Më lejoni të shpreh keqardhjen për spekulimet e vazhdueshme që disa ekrane dhe disa gazeta të kontrolluara nga z. Rama bëjnë me një çështje kaq thelbësore për shqiptarët. Heqja e vizave për çdo shqiptar, pavarësisht nga bindjet politike, bazohet tërësisht në suksesin e Shqipërisë dhe reformave të ndërmarra nga ajo. Konfirmimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga bindjet politike. Është i turpshëm, i papranueshëm dhe do të marrë përgjigjen e duhur spekulimi që z. Rama dhe mediat e kontrolluara prej tij bëjnë me këtë lajm kaq të shumëpritur nga shqiptarët anembanë vendit dhe jashtë në emigracion", tha ministri i Jashtëm në një konferencë të posaçme për shtyp. Ai e vlerësoi mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian si një hap madhor drejt përmbylljes së procesit të heqjes së vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përmbushjes së dëshirës të qytetarëve tanë për të lëvizur të lirë dhe pa viza në Europë. Basha theksoi se, Këshilli përshëndeti progresin e qartë të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në realizimin e standardeve të përcaktuara në udhërrëfyesit mbi liberalizimin e vizave dhe inkurajoi Komisionin Europian që të paraqesë sa më parë një propozim, me qëllim që në rastin më të mirë, deri nga fundi i vitit 2009, të realizohet një regjim pa viza me ato vende që do të kenë plotësuar të gjitha standardet. "Për këtë arsye, Këshilli përshëndeti përparimin e arritur deri tani dhe u bëri thirrje vendeve në rajon që të përshpejtojnë dhe zbatojnë reformat për realizimin së shpejti të standardeve të nevojshme", tha shefi i diplomacisë, duke shtuar se deklarata e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian rikonfirmon qartësisht dhe bindshëm, se Shqipëria po përparon me shpejtësi drejt objektivit madhor të qeverisë "Berisha", heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë brenda 12 muajve. "Për shqiptarët anembanë vendit dhe të afërmit tanë në emigracion, që mezi presin rënien e murit të fundit ndarës me Europën, ky është një lajm i shumëpritur dhe një ëndërr që po bëhet realitet. Njëkohësisht, ky është një vlerësim i reformave të jashtëzakonshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe një inkurajim i madh për t'i përshpejtuar dhe zbatuar ato plotësisht", tha kryeministri.

 

Progresi i bërë nga Shqipëria, do të mundësojë lwvizjen e lirw

 

I pyetur se përse në raport është folur me nota pozitive për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi dhe është lënë disi në hije Shqipëria, në një kohë që Serbia, për shembull, nuk ka dorëzuar akoma kriminelët në Gjykatën e Hagës, ministri Basha tha se vetë deklarata e BE hedh poshtë të gjitha pretendimet mediatike të ditëve të fundit. Basha tha se, në deklaratë nënvizohet qartë progresi i Shqipërisë në plotësimin e standardeve të kërkuara, të cilat duhet të vijojnë edhe më tej. "Besoj se deklarata e Këshillit të Ministrave flet qartë dhe hedh poshtë çdo spekulim. Deklarata bën të qartë progresin e arritur nga të gjitha vendet tona dhe bën të qartë se ato vende që kanë plotësuar të gjitha standardet mund të presin, në fund të këtij viti, liberalizimin e vizave, ndërkohë që plotësimi i këtyre standardeve, përmbushja dhe zbatimi i reformave shikohet si një përparësi për të gjitha vendet. Siç e tha dhe komisioneri Rehn dje, akoma nuk ka një klasifikim por, për Shqipërinë, lajmi i mirë qëndron tek fakti se progresi i bërë nga Shqipëria, në një kohë fare të shkurtër, është jashtëzakonisht i madh, inkurajues dhe një shtyllë e fortë për të plotësuar objektivin tonë madhor: heqjen e vizave brenda 12 muajve", tha më tej shefi i diplomacisë. RD

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 15 nëntor (06.16.2009)
Agim Çeku: Malazezët e Kosovës të njihen si komunitet më vete (06.16.2009)
Kryeministri fton socialistët t'i bashkohen projektit të Shqipërisë evropiane (06.16.2009)
Berisha në Greqi i ftuar në përurimin e muzeut të ri të Akropolit (06.15.2009)
Berisha bëri sot miting në Tropojë (06.15.2009)
Kryeministri Berisha kërkoi votën e qytetarëve të Kombinatit për horizontin e ri të integrimit (06.14.2009)
Berisha çon në këmbë qytetarinë shkodrane dhjetëramijë në shesh për vijimin e ndryshimit (06.12.2009)
Bashkohen subjektet politike demokristiane (06.11.2009)
Emigrantët mund të kthehen për votimet (06.11.2009)
Kryeministri inauguron fillimin e rrugës Divjakë-Pushimi i Shoferit në Lushnjë (06.11.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]